Teksti, i shkruar nga Joseph Mohr, i cili në vitin 1816 ishte zëvendës-famullitar, u muzikua dy vjet më vonë nga organisti Franz Gruber, për t’u kënduar pastaj, i përkthyer në 140 gjuhë të botës.
Në Kohën e Ardhjes, Kohë Sh’Këndellash, shekujt gërshetuan traditat e ciklit dimëror me kremtime liturgjike e me këngë (Chistmas Carols) të cilat luajtën gjithnjë rol të rëndësishëm në përgatitjet familjare a komunitare për Festën e madhe. Këto këngë, që tashmë u përkasin traditave popullore, krijojnë në këtë periudhë atë atmosferë sugjestive, që vijon edhe sot e kësaj dite në zonat fshatarake, por jo më pak edhe në metropolet e mëdha, duke nisur nga festat shkollore, për të vijuar me grupet e këngëtarëve, nëpër sheshe e me kremtimet ndër kisha.
E Salcburgu – qytet austriak, ku lindi kompozitori Mozart, i cili nuk ka kurrfarë nevoje për epitete – sivjet ka një arsye më shumë për t’i përgatitur Këngët e Krishtlindjes: kremton 200 vjetorin e krijimit të tekstit të njërës nga këngët më të famshme në botë: “Stille nacht” – “O e qeta natë”.
Ishte vetëm 24 vjeç Joseph Mohr, zëvendës-famullitar i fshatit të vogël Mariapfarr im Lungau, në zonën e Salcburgut nga viti 1815 deri më 1817, kur për Krishtlindjen 1816 krijoi tekstin, që sot njihet si “poezia e paqes”. Dy vjet më pas don Mohr u transferua në famullinë e San Nikolaus ad Oberndorf, rreth njëzet kilometra në veri të Salcburgut. Atje don Mohr ia dha tekstin organistit Franz Gruber, mësues në shkollën e afërme të Arnsdorf, duke iu lutur t’i krijonte një melodi të përshtatshme për t’u kënduar me dy zëra, shoqëruar me kor e kitarrë. Ngjarjen e tregoi vetë Gruber, më 1854, në shkrimin “Si lindi një këngë Krishtlindjeje”. Mohr u kënaq pa masë nga partitura e, gjatë Meshës së Mesnatës së Krishtlindjes, zëvendës-famullitari tenor e këndoi duke e shoqëruar me kitarrë, e Gruber e intonoi me zë basi. Kënga i mahniti besimtarët e Oberndorf, që e mbushnin përplot Kishën në Meshën e Mesnatës, aq sa lindi menjëherë legjenda se ishte gjetur një partiturë për kitarrë, kompozuar nga një organist diplomat. Madje pati edhe nga ata që më pas treguan se në ato javë organo e Kishës ishte e prishur (sepse kacekët i kishin ngrënë minjtë) prandaj u desh zëvendësuar me një instrument tjetër, që Mesha e Mesnatës së Solemnitetit, të mos mbetej pa muzikë e pa këngë.
Varianti origjinal i tekstit (një kopje e vetme) nënshkruar nga Mohr: “Tekst i Joseph Mohr, zevendës- famullitar 1816” u gjet vetëm në vitin 1995: analiza tregon se u shkrua para 1830-tës. Ngjitur me të u gjet edhe partitura me shënimin: “Melodia e Franz Xaver Gruber 1818”, duke i siguruar, kështu, secilit atësinë e amësinë e veprës së famshme.
Nuk është aq e lehtë, ndërkaq, të zbulohet ç’e frymëzoi këtë tekst. Poezia u shkrua në një kohë kur Austria po kalonte vështirësi të mëdha. Dimë se pas humbjeve të Napoleon Bonapartit mbarë Evropa, me diktatin e Kongresit të Vjenës, u rikthye në kohët e mëparshme. Pas vendimeve nga lart, principata ipeshkvnore e Salcburgut e humbi përfundimisht pavarësinë, duke u ndarë në dy pjesë: një pjesë e saj i kaloi pikërisht më 1816 Mbretërisë së Bavarisë, ndërsa tjera, Perandorisë së Austrisë.
Zona e Oberndorf bei Salzburg u bë tokë kufitare, ndërsa lumi Salzach, i cili në shekuj kishte qenë burim fitimesh për një mori familjesh që ndërtonin barka për tregtinë e kripës, u bë simbol i pasigurisë për të ardhmen. Fjalët paqe, në një tekst që krijohej në atmosferë trishtimi të thellë, duket sikur donin ta qetësonin popullsinë e gjunjëzuar atë natë Krishtlindjeje para Krishtit Fëmijë për t’iu lutur ta ndihmonte për t’i mbajtur gjallë familjet.
Melodia e Gruber (emri i të cilit kujtohet shumë më tepër se ai i famullitarit Mohr) u rimor më pas e iu përs\htat teksteve të tjera, gjithnjë me motive Krishtlindjesh. Flitet për krijime në 140 gjuhë të botës, ndërmjet të cilave, dy tekstet shqip, njëri besnik fjalë për fjalë i tekstit të Mohr përkthyer nga Atë Pjetër Meshkalla SI, tjetri, krejt i rikrijuar sipas motiveve të Ungjillit, përkthyer nga i Lumi Vinçenc Prennushi OFM. Po kështu edhe teksti në gjuhën italiane u rikrijua nga Angelo Meli, me titullin “Astro del ciel” (Yll i qiellit), ndërsa titulli në anglisht mbeti ai i origjinalit “Silent Night”.
Nën tingujt e “Stille Nacht” në Mariapfarr kujtohet çdo vit krijimi i kësaj kënge, që e bëri këtë vend të vogël tejet të famshëm në mbarë botën. Madje këtu njëri nga sheshet u pagëzua me emrin e Mohr e aty u vendos edhe një bust i autorit të tekstit, e po në këtë vend, që sot ka 5000 banorë dhe statusin e qytetit, marrë në vitin 1937, u ndërtua edhe “Stille Nacht Kapelle”, pikërisht në vendin ku lartohej Kisha e Shën Nikollës, e dëmtuar nga përmbytjet e vitit 1897-98 (kisha famullitare u ndërtua në vitin 1903 në një vend tjetër). Pak më tutje ngrihet “Stille Nacht Museum” ku mund të njihesh me hollësira mbi historinë e tekstit, me përhapjen e tij e të melodisë. Një seksion aneks i kushtohet Leopolod Kohr (1909-1994) jurist dhe ekonomist i lindur në Oberndorf e pastaj i strehuar në SHBA, ati i batutës “gjëja e vogël është e bukur”, që u bë më pas titull i librit të Ernst Friedrich Schumacher, botuar më 1973: një përmbledhje syzimesh me argument ekonomik.
Të premten, më 25 nëntor, në Mariapfarr u paraqit emetimi i një pulle të re poste austriake, për të kremtuar 200 vjetorin e tekstit të Mohr.
Për një përkim të thjeshtë, pikërisht me rastin e së njëjtës festë të vitit 1816, hynte në Hofburg, seli perandorake në zemër të Vjenës, bredhi i parë i Krishtlindjes austriake.