VOAL

VOAL

Vidhet shishja e vodkës ruse, kishte vlerë 1.3 milion dollarë

Shishja e vjedhur në Danimarkë

Një pronar i një lokali danez ka thënë se i është vjedhur një shishe e veçantë e vodkës ruse, e cila kishte vlerë 1.3 milion dollarë.

Policia në Kopenhagë ka konfirmuar se më 3 janar, një hajn ka hyrë në lokalin, Café 33 dhe ka vjedhur nga nga shishet e koleksionit.

Shishja ishte e krijuar nga tre kilogramë ari dhe tre të tjerë argjend.

“Atë shishe e kam siguruar nga fabrika Dartz, e cila krijon veturat dhe vodkat më të shtrenjta. Ajo ka qenë pjesë e koleksionit tim për gjashtë muaj, mirëpo jo më”, ka thënë pronari, Brian Ingberg.

“Natyrisht jam shumë i shqetësuar. Ajo ka qenë kremi mbi tortë në koleksionin tim. Nga 1,200 shishet që posedoj, ajo ka qenë shumë e veçantë për mua”, ka thënë Ingberg.

Shishja ka fituar vëmendje pasi është shfaqur në serinë televizive amerikane “House of Cards”.

Stuhia në shumë pjesë të Evropës perëndimore shkakton rrëmujë

Stuhia që ka përfshirë shumë pjesë të Evropës perëndimore, ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike në vende të shumta, probleme në trafikun rrugor dhe ajror.

Në Francë, nga era e fuqishme që ka kapluar vendin kanë mbetur 9 persona të lënduar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Francës sot bëri të ditur se nëntë persona janë lënduar gjatë erës së stuhishme që goditi vendin.

Më tej theksuan se katër persona janë në gjendje të rëndë pas një aksidenti të shkaktuar nga era, e cila sot arriti shpejtësinë mbi 160 kilometra në orë.

Nga ministria në fjalë theksojnë se në rajonin e Parisit një pemë ka rënë mbi një automjet duke lënduar seriozisht një person, ndërsa një tjetër u lëndua kur u rrëzua nga ndërtesa.

Në Eure-et-Loire një motoçiklist goditi një pemë e cila ishte çrrënjosur dhe shembur në rrugë. Në lindje të vendit, një grua u lëndua rëndë kur një objekt e goditi në kokë.

Stuhia ndikon negativisht edhe në Gjermani

Ndërsa stuhia në jug dhe perëndim të Gjermanisë gjithashtu ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.

Pemët e shembura në provincat Rhine-Westphalia Veriore, Rheinland Pfalz, Baden-Württemberg dhe Bavyera, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë e cila ka arritur shpejtësinë deri në 120 kilometra në orë, shkaktuan ndërprerje në autostrada dhe nisjen e trenave.

Në lajmet e mediave gjermane thuhet se disa rrugë në qytetet Essen dhe Mülheim janë përmbytur dhe se në të paktën 3 vendbanime të provincës Rheinland-Pflalz ka patur ndërprerje në furnizimin me energji elektrike.

Kopshtet zoologjike në disa rajone po mbahen të mbyllura për shkak të stuhisë.

Reshjet e dendura kanë rritur nivelin e ujit në lumin Ren, ndërkaq edhe udhëtimet me anije janë kufizuar. Po ashtu bëhet e ditur se janë reduktuar nisjet dhe uljet e avionëve nga aeroporti i Frankfurtit.

Hekurudhat gjermane (Deutsche Bahn) njoftojnë se një tren me pasagjerë në afërsi të qytetit Selm ka goditur pemën, e cila kishte rënë në binarët e hekurudhës.

Në anën tjetër u bëhet thirrje edhe shoferëve të automjeteve që të jenë më të kujdesshëm.

Departamenti Meteorologjik i Gjermanisë kërkon nga qytetarët që të qëndrojnë larg rajoneve pyjore, ku paralajmëroi se stuhia mund të vazhdojë deri në mbrëmje dhe se mund të përhapet edhe në pjesën veriore të shtetit.

Zvicër, mungesë e energjisë elektrike

Stuhia ka përfshirë gjithashtu dhe Zvicrën ku ka sjellë deri te mungesa e energjisë elektrike, anulimi i fluturimeve në Zyrih dhe Bazel si dhe deri tek përmbysja e kamionëve në autostradë.

Mediat lokale lajmëruan se janë anuluar së paku 11 fluturime, ndërsa disa të tjera janë ridestinuar në aeroporte tjera, mes të cilave edhe dy fluturime të Turkish Airlines nga Stambolli për në Zyrih dhe Bazel. Të dyja fluturimet janë ridestinuar në aeroportin në Milano.

Mijëra familje në liqenin e Zyrihut kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë, ndërsa zjarrfikësit kanë marrë shumë telefonata për ndihmë për shkak të pemëve të shembura që kanë bllokuar rrugët dhe përmbytjet që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.

Në raportet e mediave po ashtu theksohet përmbysja e kamionëve në pjesën e autostradës pranë Emmenit.

Stuhia “Eleanor” godet Britaninë, mijëra banorë pa energji elektrike

Stuhia “Eleanor”, e cila solli erëra, reshje dhe valë të mëdha, sot në gjithë Mbretërinë e Bashkuar shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe probleme në komunikacion.

Instituti Meteorologjik njoftoi se shpejtësia e stuhisë e cila në disa vende ka arritur në 162 kilometra në orë pritet të ulet sot pasdite.

Instituti u bën thirrje Anglisë, Uellsit, Irlandës së Veriut dhe rajoneve jugore të Skocisë që “të jenë të gatshëm” për kushtet e vështira atmosferike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet në gjithë ishulin për shkak të reshjeve të dendura.

Për shkak të erërave dhe reshjeve të dendura, Instituti Meteorologjik ka dhënë alarm të verdhë dhe portokalli në shumë rajone.

Stuhia shkakton dëme në Holandë

Instituti Meteorologjik i Mbretërisë së Holandës (KNMI), si pasojë e stuhisë së fuqishme që lëviz me shpejtësi 130 kilometra në orë, në pjesën veriperëndimore të vendit ka dhënë alarm portokalli, ndërsa në rajonet e tjera alarm të verdhë.

Për shkak të stuhisë, në vend po përjetohen vështirësi në komunikacionin tokësor, ajror dhe hekurudhor. Stuhia e cila nisi në mbrëmje dhe u përshpejtua në orët e mesditës së sotme, dëmtoi disa shtëpi dhe ndërtesa, ndërkaq me pemët e thyera u dëmtuan automjetet përreth.

Për shkak të stuhisë dhe ngritjes së nivelit të ujërave, për herë të parë në shtet, për shkak të sigurisë janë mbyllur 5 pendat më të mëdha në vend.

Në Schiphol, aeroportin më të madh në vend ka vështirësi fluturimi, ndërsa janë anuluar mbi 250 fluturime. Zyrtarët u bënë thirrje shoferëve të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

Letonia nuk e lejoi hyrjen e gazetarit nga Rusia

Pamje e një pjese të kryeqytetit Riga në Letoni

Ministri i brendshëm i Letonisë, Rihards Kozlovskis, tha sot se autoritetet nuk e kanë lejuar reporterin televiziv nga Rusia, Anatoly Kurlayev, për të hyrë në këtë vend “për një periudhë të pacaktuar kohore”.

Në deklaratën e tij, ky ministër nuk i ka dhënë arsyet e ndalesës së tillë.

Kozlovskis tha se Letonia në vitin 2007 e kishte përpiluar një listë të zezë me afro 100 emra për shkaqe të ndryshme, përfshirë “qasjen jomiqësore” ndaj Letonisë dhe popullit të vet.

Kurlayev është arrestuar dhe dëbuar nga Letonia, pasi më 1 janar kishte hyrë në Letoni.

Kurlayev më vonë i ka thënë televizionit rus, Channel One, se autoritetet e Letonisë ia kanë paraqitur atij një dokument të nënshkruar nga ministri i brendshëm, me të cilin shpallet se atij i është ndaluar hyrja në Letoni prej vitit 2015.

Raportohet se tensionet ndërmjet Rusisë dhe ish-republikave sovjetike baltike, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, janë shtuar prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014.

Të tri këto shtete baltike aktualisht janë anëtare të NATO-s.

Padi penale kundër deputetes gjermane për shkak të postimit racist

Kundër shefes së grupit parlamentar të Partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), Beatrix von Storch, është paraqitur ankesë penale për shkak të postimit të saj racist në rrjetin social Twitter

BERLIN – Kundër shefes së grupit parlamentar të Partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), Beatrix von Storch, është paraqitur ankesë penale për shkak të postimit të saj racist në rrjetin social Twitter.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Këlnit, Ulf Willuhn në një deklaratë bëri të ditur se kanë pranuar qindra ankesa penale kundër shefes së grupit parlamentar të AfD-së Storch. Ai njoftoi se Prokuroria është në shqyrtim të këtyre ankesave.

Duke bërë të ditur se ende nuk e di nëse Prokuroria e Këlnit është kompetente për këtë çështje apo jo, Willuhn tha se janë në kontakt me institucionet tjera për këtë çështje.

Willuhn shtoi se do të ndërmerren hapa në këtë drejtim kundër Storch. Sipas tij, para fillimit të hetimeve duhet të bëhet heqja e imunitetit të deputetes.

Në anën tjetër edhe policia e Këlnit ka paraqitur ankesë penale kundër Storch për shkak të nxitjes së popullit.

Storch nëpërmjet llogarisë së saj në rrjetin social Twitter kishte reaguar ndaj mesazhit të publikuar në gjuhë të ndryshme duke filluar nga gjuha arabe për natën e vitit të ri, nga njësia policore e Nordrhein-Westfalen’it, në kuadër të së cilës ndodhet edhe policia e Këlnit.

“Çfarë po ndodh me shtetin tonë? Pse faqja zyrtare e policisë bën publikime në gjuhën arabe? A po mendoni se kështu do ta zbusni grupin e përdhunuesve, të cilët përbëhen nga një sërë meshkujsh myslimanë barbarë?”, kishte shkruar Storch.

Pas pezullimit 12 orësh të llogarisë së saj në Twitter, me arsyen se ka vepruar në kundërshtim me rregulloren, duke bërë postime me përmbajtje të urrejtjes, Storch nëpërmjet rrjetit social Facebook kishte shkruar se “Viti i ri po fillon me ligjin e censurës dhe institucionet tona po u nënshtrohet grupeve emigrante të cilët bëjnë therrje dhe grabitje. Përkundër asaj që gjuha zyrtare e shtetit tonë është gjermanishtja, po komunikon në gjuhën arabe”. aa

Bullgaria merr presidencën e BE-së, fokusohet në Ballkanin Perëndimor

Me fillimin e vitit, Bullgaria ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian, duke u bërë vendi i parë nga Ballkani që merr një pozitë të tillë për gjashtë muajt e ardhshëm.

Para Bullgarisë, ishte Estonia ajo që kishte mbajtur postin që kalohet çdo gjashtë muaj me rotacion nga vendi në vend.

Bullgaria është bërë pjesë e BE-së më 2007, ndërsa tani pritet të rrisë perspektivën për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

“Kur flasim për një Evropë të bashkuar, nuk duhet të harrojmë se Ballkanit Perëndimor i duhet një perspektivë e qartë dhe lidhje në mes të tyre dhe vendeve anëtare”, ka thënë Bullgaria në faqen e tyre presidenciale të BE-së.

Presidenca bullgare do të udhëheqë në kohën kur Bashkimi Evropian është duke vendosur se cilat do të jenë marrëdhëniet me Britaninë e Madhe pas largimit të kësaj të fundit nga blloku në mars të vitit 2019.

Bullgaria është përballur me kritika nga BE-ja, pasi vendet anëtare kanë përmendur mungesën e një balanci ekonomik dhe çështje tjera sociale, duke vënë thekse edhe tek nivelet e larta të korrupsionit.

Suedia vë në qarkullim autobusët pa shoferë

Në kryeqyteti i Suedisë, Stockholm, nga muaji i ardhshëm do të vendosen linjat e rregullta në të cilat do të qarkullojnë dy minibusë pa shoferë.

Pas Vitit të Ri në Stockholm do të qarkullojnë minibusë pa shoferë, që do të jetë rasti i parë i tillë në vendet Skandinave.

Lajmi është bërë i ditur nga Kabineti për transport i Suedisë,  të cilët shpjegojnë  se në etapën e parë është planifikuar që dy minibusë të qarkullojnë mes rrugëve Hanstavegen dhe Arne Torg në lagjen Kista në veri të kryeqendrës suedeze.

 

Linja e rregullt, në të cilën do të nisen minibusët pa shoferë, është e gjatë 1.5 kilometra.

“The Local”, raporton se  minibusët do të mund të pranojnë gjithsej 12 pasagjerë, do të nisen me shpejtësi 20 kilometra në orë.

Minibusët në fazën e parë do të ofrojnë shërbime falas dhe do të jenë të pajisur me kamera dhe sensorë në një rrugë të bërë enkas për ata.

Lideri separatist i Katalonjës kërkon leje për kthim në Spanjë

Lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka kërkuar nga qeveria e Spanjës që ta lejojë atë të kthehet në Spanjë me kohë, për seancën e hapjes së Parlamentit të Katalonjës, në mënyrë që ai ta vazhdojë presidencën e këtij rajoni.

“Dëshirojë të kthehem në Katalonjë sa më shpejtë që është e mundshme”, i tha Puigdemont mbrëmë agjencisë Reuters.

Puigdemont, i cili ishte president i rajonit të Katalonjës deri në muajin tetor të këtij viti, kur u largua nga vendi i tij, ballafaqohet me arrestim për rolin e tij në organizimin e një referendumi ilegal për pavarësi dhe për shpalljen e pavarësisë së Katalonjës.

Aktualisht ai është me vullnet në ekzil në Belgjikë.

Por është e paqartë nëse Puigdemont dhe liderët e tjerë të paraburgosur, që ishin në favor të pavarësisë së Katalonjës, do të jenë në gjendje të marrin pjesë në parlament, që seancën e parë do të mund ta mbante më 23 janar.

Rajoy e refuzoi kërkesën e ish-liderit të Katalonjës për takim

Marian Rajoy (djathtas) dhe Carles Puigdemont

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy (Mariano Rahoi), mbrëmë e ka hedhur poshtë ftesën e ish-liderit të Katalonjës, Carles Puigdemont (Karles Puxhëmon), për bisedime të reja jashtë Spanjës.

Kreministri Rajoy tha se ai do të zhvillonte negociata me çdokend, që zgjedhet shef i qeverisë së Katalonjës, por udhëheqësit e ri duhet t’i marrrin postet e tyre në Katalonjë.

Më herët, Puigdemont tha se ishte i gatshëm për takim me zotin Rajoy çdokund në Bashkimin Evropian, por jo në Spanjë, ku ai ballafaqohet me arrestim, lidhur me akuza për kryengritje, revoltë dhe keqpërdorim të fondeve.

Këtë thirrje ai e bëri pasi partitë separatiste e fituan shumicën në zgjedhjet madhore rajonale në Katalonjë, të mbajtura pardje.

Separatistët afër pushtetit në Katalonjë

Një grua duke votuar në zgjedhjet rajonale të Katalonjës

Separatistët katalanë janë gati të fitojnë pushtetin në rajonin e pasur spanjoll, pasi zgjedhjet rajonale e përballin me pengesë të ashpër kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy dhe liderët evropianë që e mbështetën atë.

Pasi janë numëruar gati të gjitha votat, zyrtarët kanë thënë se partitë separatiste kanë fituar një shumicë elementare në parlamentin e Katalonjës.

Ky rezultat tregon se mund të vazhdojnë tensionet politike, të cilat kanë dëmtuar ekonominë e Spanjës.

Rajoy, i cili ka kërkuar zgjedhje pas shkarkimit të qeverisë së kaluar, ka shpresuar në atë që ka thënë “shumicë të heshtur”, e cila do të kundërshtonte separatizmin përmes votës.

Rezultati i papritur krijon situatë për kthimin në fuqi të presidentit të shkarkuar të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili ka bërë fushatë nga Brukseli.

Prokurorët shtetërorë e kanë akuzuar atë për kryengritje, duke e përballuar me arrestim në rast se kthehet në Spanjë.

“Shteti spanjoll është mundur”, ka thënë Puigdemont përmes një fjalimi televiziv.

“Ose Rajoy le të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, ose ne do ta ndryshojmë shtetin”, ka shtuar ai.

Ndihmësi i kryeministrit ukrainas dyshohet se është spiun rus

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. Foto nga arkivi

Një ndihmës i kryeministrit ukrainas, Volodymyr Hroysman është arrestuar nën dyshimin se është agjent i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

Një përfaqësues i Qeverisë në parlament, Vadym Denysenko, i ka thënë një televizionit Ukrayina TV se Stanislav Yezhov është arrestuar një ditë më parë.

Mediat kanë raportuar se Yezhov e kishte shoqëruar kryeministrin ukrainas Hroysman në udhëtimet jashtë vendit dhe shpesh kishte punuar si përkthyes për të.

Në të kaluarën, Yezhov ka punuar në zyrën e presidentit dhe në Ambasadën e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara.

Ml 20 dhjetor, Shërbimi ukrainas i Sigurisë (SBU) ka njoftuar se ka arrestuar një punonjës të Qeverisë, identiteti i të cilit nuk ishte bërë publik. Ky shërbim kishte thënë se i arrestuari dyshohet se ka vepruar “në interesat e shërbimeve të sigurisë të një shteti agresor”.

Gjendet i vdekur gazetari që zbuloi lidhjet e Sorosit

Në Suedi gjendet i vdekur gazetari që po zbulonte lidhjet e Soros me politikën e komunistëve!!! Shpërthen revolta në rrjetet sociale dhe në qytetet suedeze!

Gazetari Bechir Rabani u gjet i vdekur nga një “atak i papritur në zemër” në 17 Dhjetor.

Ai ndërroi jetë pikërisht në ditët kur do nxirrte investigimin e tij për lidhjet e George Soros me organizatat e ekstremit të majtë Expo të komunistit milioner Robert Aschberg (pasuria e të cilit erdhi nga financimi i Bashkimit Sovjetik për të gjyshin e tij në vitet ’20)!

Austri: Një gjykatë e refuzon kërkesën për ekstradim të një oligarku

Një gjykatë në Vjenë mbrëmë e ka hedhur poshtë kërkesën e Spanjës për ekstradim të oligarkut ukrainas, Dmytro Firtash, duke thënë se Madridi nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për lidhjen e Firtashit me krimet e dyshuara.

Miliarderi Firtash, 52 vjeçaar, ballafaqohet, po ashtu, me kërkesë për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara, ku ai akuzohet për përpjekje për pagesë të 18.5 milionë dollarëve ryshfet, me qëllim që të fitonte të drejta për miniera në Indi.

Firtash i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe thotë se ato janë të motivuara politiksht dhe synojnë kufizimin e ndikimit të tij politik në Ukrainë.

Firtash ishte donatori kryesor për ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovich, i cili mbështetj nga Rusia, para se ai të përmbysej në shkurt të vitit 2014.

Wesslau: Spanja ta njohë Kosovën, nëse don ta mbajë Katalonjën

Drejtori i Qendrës për Ballkanin Perëndimor, Rusinë, Turqinë dhe Evropën Lindore, Fredrik Wesslau vlerëson se Spanja duhet ta njohë Kosovën nëse dëshiron ta ruajë Katalonjën.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, Wesslau është përgjigjur negativisht në konstatimin e gazetares se “ me të vërtetë do të ishte hipokrite nga ana e Madridit nëse e lufton separatizmin në Spanjë, kurse e mbështet diku tjetër”, përcjell Telegrafi.

“Nuk do të ishte ashtu, sepse Katalonja dhe Kosova janë dy raste krejtësisht të ndryshme. Spanja po dështon për të bërë një ndryshim thelbësor në mes tyre dhe po tregon se nuk është në gjendje të bëjë dallimin midis kërkesave legjitime për vetëqeverisje nga ajo për separatizëm. Me këtë paqëllimshëm sinjalizon se Katalonia mund të ketë arsye për të kërkuar pavarësinë”, tha Weslau.

Ai tha se “Kosova ka qenë një luftë, dhe Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete, prandaj nuk ka kurrëfarë logjike që Madridi vazhdimisht i fut Kosovën dhe Kataloninë në nja thes, duke dërguar një mesazh, pa vetëdisjëshëm, se edhe Barcelona do të ketë të drejtë për t’u shkëputur “.

“Prandaj mendoj se vendimi racional për Spanjën do të ishte ta njoh Kosovën kurse separatistëve katalonas t’ua bëjë me dije se nuk kanë të drejtë sikurse shqiptarët e Kosovës të kërkojnë shtet sepse situata në Kataloni është krejtësisht e ndryshme, dhe se Madrid ka të drejtë të vazhdojë të qeverisë atje” , tha Wesslau .

Ai gjithashtu thotë se Qeveria serbe nuk ka asnjë iluzion se do ta kthejë Kosovën, por dëshiron ta “përdorë atë për të marrë më shumë në negociata me Bashkimin Evropian.

Austri: Konservatorët dhe e djathta ekstreme në qeveri

Sebastian Kurz duke i përshëndetur mbështetësit pas fitores në zgjedhjet e 15 tetorit në Austri

Konservatorët e Austrisë kanë arritur marrrëveshje për koalicon qeverisës me Partinë e Lirisë, që është kundër emigrimit, dhe është hapur rruga që ky vend të jetë i vetmi në Evropën Perëndimore, me një parti të ekstremit të djathtë në qeveri.

Sebastian Kurz, 31 vjeçar, lideri i Partisë Popullore Austriake konservatore, do të jetë kryeministri më i ri në Evropë, pasi partia e tij doli fituese e zgjedhjeve të mbajtura më 15 tetor.

Kurz dhe lideri i Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache, kanë shpallur mbrëmë se e kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Patia Popullore Austriake i fitoi zgjedhjet duke mbajtur linjë të fortë për çështjen e imigrimit, që shpeshherë përputhej me qëndrimin e Partisë së Lirisë, e cila në zgjedhje doli e treta.

Liderët e së djathtës ekstreme evropiane tubohen në Pragë

Tomio Okamura

Liderët e krahut të djathtë ekstrem evropian do të takohen sot në Pragë të Çekisë në kuadër të një konference, e cila me gjasë do të pritet me protesta.

Lëvizja për një Evropë të Shteteve dhe Liri (MENL), i sjell së bashku Frontin Kombëtar të Francës të udhëhequr nga Marine Le Pen, Partinë e Lirisë së Austrisë e liderit, Heinz-Christian Strache, pastaj partinë italiane Lega Nord, dhe Partinë e Lirisë në Holandë, që udhëhiqet nga Geert Wilders.

Ky takim organizohet nga personaliteti më i ri i skenës së djathtë ekstreme në Evropë: Tomio Okamura, nga partia e Lirisë dhe Demokracisë Direkte, që është një parti anti-islame dhe anti-emigrante, e cila në zgjedhjet parlamentare në Çeki, në tetor të këtij viti, i fitoi 11% të votave.

Por ka paralajmërime se do të organizohen protesta afër një hoteli ku mbahet konferenca.

Policia e Çekisë ka ndërmarrrë masa speciale të sigurisë për disa prej liderëve të së djathtës ekstreme.

BE miraton marrëveshje të re për forcat e armatosura

Presidenti francez, Emmanuel Macron duke përshëndetur forcat ushtarake të vendeve të Bashkimit Evropian

Liderët e Bashkimit Evropian kanë krijuar një marrëveshje për mbrojtje dhe integrim, ashtu që 25 anëtarët bashkërisht të financojnë, zhvillojnë dhe pozicionojnë trupat e armatosur të këtyre vendeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka përshkruar këtë hap si “të keq për armiqtë tanë”.

Pakti për Bashkëpunim të Përhershëm Strukturor (PESCO), do të përfshijë ushtrinë e të gjitha vendeve anëtare përveç Britanisë, e cila është duke u larguar nga BE-ja.

Në këtë marrëveshje nuk janë përfshirë as Danimarka dhe Malta.

Integrimi i aftësive ushtarake ka qenë qëllim i shumë vendeve anëtare të BE-së për një kohë të gjatë, ndonëse Britania ka vënë rezistencë duke shfaqur frikën se kjo mund ta dobësojë NATO-n.

Britania e Madhe nuk do të jetë e përfshirë direkt në këtë projekt, mirëpo do të ketë mundësi t’i bashkohet këtyre vendeve në misione specifike.

PECSO është projektuar me qëllim të bashkimit të forcave të vendeve anëtare dhe financimit më efikas në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e armëve të reja, kanë thënë zyrtarët.

Në disa propozime në kuadër të PESCO përfshihet edhe mundësia që Belgjika të zhvillojë dronë për identifikimin e minave në det.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e Perëndimit e mbështet “iniciativën për të rritur mbrojtjen evropiane, sepse unë besoj se kjo do të jetë e mirë për Bashkimin Evropian, Evropën dhe NATO-n”.

NATO i zgjat mandatin Stoltenbergut

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Aleatët e NATO-s i zgjatën mandatin Jens Stolenbergut si sekretar i përgjithshëm i aleancës perëndimore deri më 30 shtator, 2020.

“Aleatët e përgëzojnë sekretarin e përgjithshëm dhe kanë besim të plotë në aftësinë e tij për të vazhduar punën me përkushtim, në përshtatjen e NATO-s ndaj sfidave të sigurisë të shekullit 21”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Stoltenberg, i cili më herët ka qenë kryeministër i Norvegjisë, ka udhëhequr NATO-n qysh në vitin 2014.

Ai shkroi në Twitter se është “i nderuar” me vendimin e 29 vendeve anëtare.

Stoltenberg mori kryesimin e aleancës në muajt pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nxiti separatizmin në Ukrainën lindore.

BE: Jerusalemi duhet të jetë kryeqytet i dy shteteve

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se beson që shumica apo të gjitha vendet evropiane do t’i zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem dhe do ta njohin atë si kryeqytetin e Izraelit, duke ndjekur vendimin për ta bërë një gjë të tillë nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Duke folur në Bruksel së bashku me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kryeministri Netanjahu tha se njohja e Jerusalemit nga presidenti Trump “vë faktet drejtpërdrejt në tryezë” dhe se “paqja mbështetet mbi realitetin”.

“Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Kjo nuk e pengon paqen, e bën paqen të mundur sepse njohja e realitetit është thelbi i paqes, është themeli i paqes “, tha ai.

Zonja Mogherini tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështes konsensusin ndërkombëtarë për Jerusalemin derisa të zgjidhet statusi i tij si pjesë e negociatave ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, gjë që nënkupton se nuk do t’i bashkohen vendimit të shpallur javën e kaluar nga presidenti Trump.

“Ne besojmë se zgjidhja e vetme realiste e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës është dy shtete me Jerusalemin si kryeqytet i shtetit të Izraelit dhe shtetit të Palestinës”, tha zonja Mogherini.

Para se të shkonte në Bruksel për të takuar ministrat e jashtëm të BE-së, kryeministri Netanyahu kritikoi udhëheqësit evropian për atë që ai e cilësoi si “hipokrizi”.

Macron: Nuk mbështes vendimin e Trumpit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron theksoi t’i ketë thënë Netanyahut se vendimi amerikan është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

PARIS – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se nuk mbështet vendimin e Trumpit për të njohur Kudsin për “kryeqytet të Izraelit”, për të shtuar se megjithatë nuk është në pozicionin që ta gjykojë.

Pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, Macron mbajti një konferencë për mediat mbrëmë vonë, në të cilën theksoi se Franca dhe Izraeli janë aleatë të rëndësishëm, duke dënuar ashpër secilin që sulmon Izraelin dhe popullin e tij.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, theksoi t’i ketë thënë Netanyahut se vendimi amerikan është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes dialogut mes Izraelit dhe Palestinës.

“Dënoj sulmet mbi Izraelin. Nuk mbështes vendimin e Trumpit për Jerusalemin (Kudsi), por nuk është e imja të gjykoj”, theksoi Macron.

Ai njoftoi se me kryeministrin izraelit kanë biseduar për çështjen e Libanit meqë “ai vend është i rëndësishëm për sigurinë e Izraelit”.

“Ofro një mundësi, dhe bëje një gjest të mirë për palestinezët”, i tha Macron Netanyahut, nga i cili kërkoi ndërmarrjen e masave për ndalimin e projekteve banesore në mënyrë që të fitohet besimi izyrtarëve palestinezë.

Kryeministri izraelit, nga ana e tij ka theksuar se është e një rëndësie të veçantë, tu jepet fundi sulmeve në Gaza dhe Jemen.

“Jerusalemi (Kudsi) është kryeqyteti i Izraelit, dhe nuk ka qenë kryeqytet i ndonjë shteti tjetër. Kur kjo do të pranohet nga palestinezët, do të mund të vendoset paqja”, tha Netanyahu. aa

Papa Françesku: Vetëm zgjidhja e negociuar mes palestinezëve dhe izraelitëve sjell paqe

Në komunikatën e së dielës, Vatikani ka ripërsëritur apelin e Papa Françeskut që të mbizotërojë “mençuria dhe maturia”, ndërkohë që ka ripërsëritur nevojën thelbësore për të respektuar “status quo-në” e Kudsit

VATIKAN –Vatikani thotë se Papa Françesku është duke u lutur që “liderët botërorë të përkushtohen për zmbrapsje të dhunës”, të shkaktuar nga zhvillimet e fundit në Kuds, ndërkohë që ka shprehur ngushëllimin e tij për viktimat e përleshjeve të fundit.

Njoftimi i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) se njeh Kudsin për “kryeqytet të Izraelit”, ka shkaktuar dhunë në vende të ndryshme të botës.

Në komunikatën e së dielës, Vatikani ka ripërsëritur apelin e Papa Françeskut që të mbizotërojë “mençuria dhe maturia”, ndërkohë që ka ripërsëritur nevojën thelbësore për të respektuar “status quo-në” e Kudsit.

Në deklaratën e publikuar, Vatikani thotë se “vetëm një zgjidhje e negociuar mes palestinezeve dhe izraelitëve mund të sjell një paqe të qëndrueshme, si dhe të garantojë njëkohësisht bashkëjetesën paqësore të dy shteteve brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”. Ai e quan Kudsin “vendi i shenjtë i të krishterëve, hebreve dhe muslimanëve nga e mbarë bota”. AA

Rreth 1000 Babadimra garuan në Gjermani

Foto nga arkivi

Më shumë se 1000 persona të veshur në rroba të Babadimrit, kanë vrapuar nëpër rrugët e Michendorf afër Berlinit, për të shënuar këtë aktivitet tradicional në kuadër të festimeve për Krishtlindje.

Rreth 1,100 të rritur dhe fëmijë, i rezistuan kohës së ftohtë për të qenë pjesë e garës e cila dallonte nga 1-10 kilometra gjatësi.

Benedikt Statt, i cili fitoi garën për meshkuj në 10 kilometra gjatësi ka thënë se “është me të vertetë ndjenjë e mire, atmosferë e mirë, kohë perfekte. Ishte kënaqësi”.

Opozita ukrainase kërkon lirimin e Saakashvilit dhe shkarkimin e presidentit Poroshenko

Protestat në mbështetje të liderit opozitar, Mikheil Saakashvili në Kiev.

Mijëra ukrainasë janë duke marshuar nëpër rrugët kryesore të Kievit duke kërkuar lirimin e liderit opozitar, Mikheil Saakashvili si dhe shkarkimin e presidentit Petro Poroshenko.

Ministria e Brendshme ka thënë se rreth 2,500 persona kanë qenë pjesë e protestës.

Gruaja e Saakashvilit, Sandra ka qenë në mesin e pjesëmarrësve.

Pas marshimit, mbështetësit e Saakashvilit planifikuan që të mblidhen afër zonës ku po mbahet lideri i tyre.

Ish presidenti i Gjeorgjisë është arrestuar nga autoritetet ukrainase të premten vonë për supozimet se ka nxitur një “grup kriminal” të udhëhqur nga Yanukoych, i cili ka ikur në Rusi më 2014.

Zyrtarët ukrainasë besojnë se protestat e Saakashavillit janë pjesë e komplotit rus kundër Ukrainës.

Saakashvili i hedhë poshtë këto akuza.

Autoritetet e kanë arrestuar atë në Kiev, derisa qindra mbështetës të tij kanë protestuar duke kërkuar lirimin e tij.

Të afërm të Saakashvilit i kanë thënë Radio Evropa e Lirë se ai është arrestuar në një apartament të një miku.

Avokati i tij ka thënë se lideri opozitar është në grevë urie si protestë ndaj arrestimit.

Saakashvili, “duhet të përgjigjet tek hetuesit dhe shoqëria sa i përket akuzave ndaj tij”, ka thënë presidenti Poroshenko, gjatë një vizitë në Lituani.

“Në rast se nuk përgjigjet, kjo do të thotë se akuzat janë të bazuara”, ka shtuar tutje ai.

Shitet në ankand një fshat gjerman

Flamuri i Gjermanisë

Një fshat i vogël në Brandenburg të Gjermanisë është shitur për 140.000 euro në një ankand.

Shtëpia e ankandit, The Karhausen në Berlin, ka thënë se fshati Alwine, me një popullësi prej 20 personash është shitur tek një person anonim, i cili ka kontakuar përmes telefonit.

Kjo zonë ishte pjesë e ish Gjermanisë Lindore, rreth 100 kilometra në jug të Berlinit.

Në këtë pjesë nuk ka dyqane dhe as shërbime të udhëtimit.

Saakashvili në grevë urie

Politikani opozitar ukranias, dhe ish presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili

Politikani opozitar ukranias, dhe ish presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvilli është në grevë urie, u ka thënë gazetarëve, avokati i tij, Ruslan Chornolutskiy.

Përmes një letre ai ka treguar se Saakashvili u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të protestojnë në Kiev më 10 dhjetor dhe të kërkojnë shkarkimin e presidentit Petro Poroshenko.

Zyrtarët ukrainas e kanë akuzuar Saakashvilin për mbështetjen e një “grupi kriminal” të dyshuar, që është udhëhequr nga ish presidenti, Viktor Yanukoych, i cili ka ikur në Rusi më 2014.

Saakashvili i ka hedhur poshtë akuzat.

Ai është arrestuar në kryeqytetin e Ukrainës, në orët e vona të së premtes, derisa qindra përkrahës kanë demostruar duke kërkuar lirimin e tij.

Të afërm të Saakashvilit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se ai është arrestuar në apartametin e një shoku, tek i cili kishte shkuar në vizitë.

Papa kërkon të ndryshohet përkthimi i frazës për joshjen në Lutjen e Zotit

Papa Françesku kërkoi të ndryshohet përkthimi i frazës për joshjen në Lutjen e Zotit.

Teksti aktual që thotë: “Mos na udhëheq në joshje” nuk është përkthim i duhur, sepse Zoti nuk i udhëheq njerëzit në mëkate, tha Papa.

Ai sugjeroi që të përdoret fraza: “Mos na lejo të biem pre e joshjes”.

Lutja e Zotit është lutja më e njohur në krishterim.

Papa tha se Kisha Katolike Romake e Francës tani po përdor formulimin e ri “Mos na lejo të biem pre e joshjes” si një alternativë dhe tha se diçka e ngjashme duhet të përdoret në mbarë botën.

Schulz bën thirrje për formimin e “Shteteve të Bashkuara të Evropës”

Kreu i Social-Demokratëve të Gjermanisë, Martin Schulz.

Kreu i Social-Demokratëve të Gjermanisë, Martin Schulz, partner i mundshëm qeverisës i kancelares Angela Merkel, bëri thirrje për krijimin e “Shteteve të Bashkaura të Evropës” deri në vitin 2025.

Schulz, në kongresin e partisë së tij në Berlin, tha se Evropa duhet të jetë më e bashkuar dhe federale.

“Dua një traktat kushtetues evropian që krijon një Evropë federale”, tha Schulz, ish-president i Parlamentit Evropian.

Ai tha se vetëm një Evropë më e bashkuar mund të përballet me sfidat si ndryshimet klimatke apo menaxhimi i migrimit masiv, mund të detyrojë gjigantët e internetit, si Google dhe Facebook, të respektojnë të drejtat civile, ose mund t’i pengojë kompanitë e mëdha që t’iu shmangen taksave.

“Evropa është sigurimi ynë jetësor”, tha ai.

Schulz po ashtu tha se vetëm një BE e fuqishme do të ndalonte përparimin e nacionalistëve të krahut të djathtë, duke përmendur këtu fitoret e tyre në Gjermani, Austri, Danimarkë, Finlandë, Francë dhe Holandë.

Gjermani, përplasen dy trena, dhjetëra të plagosur

MEERBUSCH – Si pasojë e përplasjes së dy trenave, një pasagjerësh dhe një treni mallrash pranë qytetit Meerbusch të Gjermanisë sipas të dhënave paraprake janë plagosur rreth 50 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Turma e mbështetësve e liron Saakashvilin

Kiev, 5 dhjetor 2017.

Mbështetësit e ish-presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, e nxorën atë nga furgoni i policisë, pasi forcat ukrainase të sigurisë bastisën apartamentin e tij në Kiev, e tërhoqën zvarrë nga çatia dhe e arrestuan.

Në një përplasje dramatike midis policisë dhe qindra protestuesve, të cilët bllokuan rrugët në përpjekje për t’i penguar autoritetet që ta largojnë Saakashvilin, ky i fundit u tërhoq nga furgoni, me gjithë rezistencën e policisë, dhe bëri thirrje për largimin nga pushteti të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

“Ju bëj thirrje të nisni protesta paqësore për largimin e Poroshenkos. Nuk duhet të frikësoheni nga asgjë”, i tha Saakashvili turmës.

Ky zhvillim vjen pasi agjentët e zbatimit të ligjit hynë në apartamentin e Saakashvilit, njëherësh ish-guvernator i rajonit të Odesës, dhe e arrestuan atë nën akuzat se ka lidhje lidhje kriminale me ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili është rrëzuar nga pushteti.

Dy ditë më parë, Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e Poroshenkos.

Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare.

Nga viti 2004 deri më 2013, Saakashvili ka qenë president i Gjeorgjisë, ku tani kërkohet nën dyshimet se ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet, pasi ka dalë nga zyra. Saakashvili i mohon akuzat.

Në vitin 2015, ai është emëruar nga Poroshenko guvernator i rajonit Odesa dhe ka dorëzuar shtetësinë gjeorgjiane për të marrë postin.

Megjithatë, Saakashvili ka dhënë dorëheqje në nëntor, 2016, duke thënë se përpjekjet e tij për reforma janë bllokuar nga aleatët e Poroshenkos.

Saakashvilit më pas i është marrë shtetësia ukrainase nga Poroshenko – vendim të cilin Saakashvili e ka sfiduar në gjykatë.

Poroshenko tha se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.

Spanja tërhoqi urdhër arrestin për Carles Puigdemontin

Gjykata e Lartë spanjolle thatë martën se tërhoqi urdhër arrestin ndërkombëtar ndaj ish udhëheqësit të Katalonjës, Carles Puigdemont dhe katër anëtarëve të kabinetit të tij, duke thënë se politikanët kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer në Spanjë.

Të pestët shkuan në Belgjikë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga parlamenti i Katalonjës, veprim që u shpall ndërkaq i paligjshëm nga gjykatat spanjolle.

Një ditë më parë Gjykata e Lartë në Spanjë urdhëroi lirimin e gjashtë politikanëve katalanas, por mbajti në fuqi vendimin për mbajtjen në burg të dy aktivistëve separatistë dhe dy ish anëtarëve të qeverisë rajonale, përfshirë nënpresidentin.

Gjykatësi Pablo Llarena vendosi që të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, pa të drejtën e lirimit me kusht, ish nënpresidenti Oriol Junqueras, ish ministri i brendshëm Joaquim Forn dhe udhëheqësit e dy grupeve të veçanta separatiste, Gjykatësi caktoi shumën e 118 mijë dollarëve për lirimin me kusht të gjashtë politikanëve të tjerë.

Vendimet e Gjykatës së Lartë u lejojnë atyre të përfshihen në fushatën për zgjedhjet rajonale të 21 dhjetorit, që u shpallën nga Madridi më 21 tetor.

Fushata u hap të martën me shpresat e Madridit për një fitore të forcave që mbështesin unitetin e Spanjës, ndërsa partitë pro pavarësisë i shohin votimet si një mundësi për të çuar përpara synimet për shkëputje nga Spanja.

Në Ukrainë arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë

Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-guvernatori i Odesës, Mikheil Saakashvili.

Ish-presidenti i Gjeorgjisë dhe ish-guvernatori i Odesës, Mikheil Saakashvili, u arrestua nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, në Kiev.

Zëdhënësja e këtij shërbimi, Olena Hitlyanska, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisja në apartamentin e Saakashvilit është kryer së bashku me hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ajo nuk dha detaje për arsyen e bastisjes.

Bastisja u bë dy ditë pasi Lëvizja e Forcave të Reja e Saakashvilit ka organizuar një tubim masiv në Kiev, duke kërkuar shkarkimin e presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Protestat fillimisht janë thirrur nga Saakashvili, dikur aleat i Poroshenkos, por atyre u janë bashkuar më pas shumë liderë të partive politike opozitare.

Nga viti 2004 deri më 2013, Saakashvili ka qenë president i Gjeorgjisë, ku tani kërkohet nën dyshimet se ka bërë përpjekje të organizojë grushtshtet, pasi ka dalë nga zyra. Saakashvili i mohon akuzat.

Në vitin 2015, ai është emëruar nga Poroshenko guvernator i rajonit Odesa dhe ka dorëzuar shtetësinë gjeorgjiane për të marrë postin.

Megjithatë, Saakashvili ka dhënë dorëheqje në nëntor, 2016, duke thënë se përpjekjet e tij për reforma janë bllokuar nga aleatët e Poroshenkos.

Saakashvilit më pas i është marrë shtetësia ukrainase nga Poroshenko – vendim të cilin Saakashvili e ka sfiduar në gjykatë.

Poroshenko tha se qëllimi i vërtetë i organizatorëve të protestave është të destabilizojnë Ukrainën.

Si u zbuluan VIP-at grekë që porosisnin kokainë në një lokal sushi në Athinë, priten arrestime

NGA: Ira Londo
Detaje të reja dalin në dritë nga skandali që zbuloi EYP (Shërbimi Informativ grek) ku shumica e VIP-ave të Greqisë porosisin kokainë në një lokal ‘Sushi’ në Kolonaki në Athinë. Në këto ambiente ishin vendosur mikrofona.

Gazetarë, aktorë, skenaristë, moderatorë, këngëtare, biznesmenë të mëdhenj e pronarë të medias dëgjohen të pohojnë porositë e kokainës, madje dhe të dëshmojnë se “do na mbyllin kanalin me këto…” dhe kode të padeshifrueshme. Gjate ditëve të fundit një numër i madh VIP-ash kanë dëshmuar në gjykatë për çështjen, ndërkohë priten urdhër-arrestet dhe akuzat.

Ndërkohë, deri tani është arrestuar greku Christos Mauromatis, ndërsa ‘truri’ i grupit të drogës, 52-vjecarit Stavros Petrukidis, është ende në kërkim.

Ukrainë: Babai i viktimës shpërthen dy granata në gjykatë

Policia ukrainase, fotografi ilustruese

Policia thotë se një person ka shpërthyer dy granata gjatë një gjykimi për vrasje në qytetin Nikopol në Ukrainë, duke vrarë veten dhe plagosur shtatë persona të tjerë.

Babai i një viktime kishte marrë dy granata në gjykatë dhe i ka detonuar ato, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Hanna Strachevska, zëdhënëse e Policisë Kombëtare për rajonin Dnipropetrovsk.

Ky person është vrarë dhe shtatë persona – përfshirë tre të pandehur, dy roje, një punëtor të gjykatës dhe një shikues- janë lënduar. Të lënduarit janë dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor, ka njoftuar Strachevska.

Të pandehurit janë duke u gjykuar për vrasjen e dy personave me pushkë në shkurt të vitit 2016.

Goditet grupi kriminal, si u arrestuan me tonelata drogë 12 shqiptarët në Itali

Pas disa muaj hetimesh, Prokuroria e Brescia ka lëshuar 20 urdhër – arreste. Gjashtëmbëdhjetë prej këtyre janë kryer e ndërsa 4 personat e tjerët të akuzuar për trafik ndërkombëtar ende nuk janë arrestuar.

Mësohet se pjesë e këtij grupi kriminal janë tetë italianë dhe dymbëdhjetë shqiptarë, të gjithë kryenin veprimtarinë në krahinën e Brescia. Mediat italiane bëjnë me dije se mes 16 të arrestuarve është edhe një grua.

Prej hetimeve të kryera ky grup i strukturuar kriminal importonte lëndë  narkotike si marijuanë dhe kokainë kryesisht nga Holanda dhe Shqipëria përmes kanaleve të ndryshme dhe mekanizmave të panjohura. Të arrestuarit kishin role të ndryshme në grup, si tregëtarët me shumicë, agjentë, korrierë të cilit prej kohësh ishin pjesë  e këtij rrjeti. Nga hetimet po ashtu mësohet se fillimisht u konstatua të ishin dy kanale drogë, ajo e llojit kokainë që vinte nga Hollanda.

Sa i përket marihuanës, ajo nga Shqipëria përmes udhëtimit ujor, të cilët filluan me anijet inflatable për të mbërritur në Kalabri nga ku korrierët më pas e dërguan në veri të Italisë.

Dhe pikërisht këtu, në jug të Durrësit, karabinierët kanë konfiskuar edhe ngarkesa të tjera. Siç raportohet në aksionin e fundit pak kohë më parë, organizatës iu sekuestrua një ngarkesë prej rreth 3 ton marijuhanë që vinte nga Shqipëria me gomone.

Ata që kryenin këto udhëtime në det njiheshin nga autoritetet italiane si persona me precedentë. Të arrestuarit janë të gjithë të akuzuar për trafikim të drogës dhe rrezikojnë të paktën 10 vite burg.

TV Kroat: Sllobodan Praljak ka vdekur

Sllobodan Praljak duke e pirë atë që tha se ishte helm

Televizioni kroat ka raportuar se ish-komandanti i kroatëve të Bosnjës, Sllobodan Praljak, ka vdekur, qartasi, pasi ka pirë helm në Gjykatën për krime të luftës në Hagë.

Policia e Holandës ka refuzuar të komentojë.

Më herët Gjyqtarët e kanë suspenduar një seancë të apelit, pasi njëri prej gjashtë kroatëve të Bosnjës, të akuzuar për krime të luftës, ka pirë atë që tha se ishte helm, duke brohoritur dhe duke e ngritur një gotë te buzët e tij në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Një zyrtar i gjykatës më vonë ka thënë se i akuzuari, Sllobodan Praljak, i cili pretendoi se ka pirë helm, ishte gjallë dhe nën kujdesin mjekësor.

Pralajk, ish-komandant i forcave kroate në Bosnjë gjatë luftës në periudhën 1992-95, duket se pinte diçka disa momente para se gjyqtarët e konfirmuan dënimin e tij me 20 vjet burg.

“Sllobodan Praljak nuk është kriminel lufte. E refuzoj vendimin me neveri”, tha Praljak.

Gjyqtari kryesues, Camel Agius, me të shpejtë e ndali procesin e dëgjimit të sotëm.

Gjykata për krime lufte pezullon dëgjimin – i akuzuari ‘piu helmin’

Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi ndërpreu të mërkurën një proces në dhomën e apelit, pasi që njëri nga të akuzuarit piu nga një shishe e vogël duke pohuar se ka pirë helm.

Ish komandati i kroatëve të Bosnjës, Slobodan Praljak, 72 vjeçar, piu nga një shishe e vogël në çastin kur gjykata shpalli mbetjen në fuqi të dënimit të tij me 20 vjet heqje lirie për krime lufte ndaj myslimanëve boshnjak.

“Unë nuk jam kriminel lufte, unë e kudnërshtoj këtë dënim” tha ai pasi piu përbërjen për të cilën edhe avokatja e tij tha se ishte helm.

Slobodan Paraljak dhe pesë të tjerë kishin apeluar vendimin e gjykatës të vitit 2013 që i dënonte ata me nga 10 deri në 25 vjet heqje lirie. Jadranko Përliç, Bruno Stojiç, Slobodan Praljak, Milivoj Petkoviç, Valentin Coriç dhe Berislav Pusiç, qenë dënuar për 26 akuza për përfshirje në një plan për dëbimin e përhershëm të myslimanëve të Bosnjës dhe krijimin e ‘një terroriti kroat” që do të përfshinte edhe qytetin jugor të Mostarit.

Akuzat përfshinin krime të vrasjeve, torturave, dëbimeve, përdhunimeve, trajtimeve çnjerëzore, shkatërrimit të pronës dhe terrorizimit të popullsisë.

Seanca e sotme u hap një javë pasi që Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm ish komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, nën akuzat për gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Mbi 100 mijë veta u vranë dhe mbi 2 milionë u zhvendosën gjatë luftës në Bosnjë.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe 31 dhjetori i këtij viti shënon edhe fundin e punës së saj. Ajo është gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u ngrit në mes të luftës së Bosnjës.

Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 83 prej të cilëve janë dënuar. Në mars të vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Sulmohet me thikë politikani gjerman që përkrahte azilantët

Andreas Hollstein, 57 vjeçar, është plagosur në një sulm për të cilin autoritetet thonë se ka qenë i motivuar politikisht, nga shkaku se Hollstein ka qenë i njohur për përkrahje të azilkërkuesve.

BERLIN – Një sulmues me thikë ka plagosur bashkiakun e Altenas në Gjermaninë perëndimore, Andreas Hollstein, 57 vjeçar, në një sulm për të cilin autoritetet thonë se ka qenë i motivuar politikisht, nga shkaku se Hollstein ka qenë i njohur për qëndrimet e tij në përkrahje të azilkërkuesve në Gjermani

Policia gjermane e tronditur, 56 vite në timon pa patentë shoferi

BERLIN – Aksidentet e vogla të trafikut në udhëkryqet frekuentuese urbane thuajse janë përditshmëri për ekipet e policisë së trafikut në Gjermani. Një aksident i tillë të premten, në qytetin verilindor gjerman Neheim, ka tronditur policinë.

Pas ndeshjes së dy automjeteve në qendër të qytetit policia doli në terren, ndërsa aksidentin pa të lënduar dhe me dëme materiale e shkaktuan një grua 34 vjeçare dhe një burrë 74 vjeçar.

Vozitësi tashmë 56 vite ka përdorur automjet në Gjermani, ndërsa asnjëherë nuk ka dhënë provimin e patentës së shoferit dhe nuk ka pasur leje për vozitje.

Policia sot njoftoi se vozitësi tha se ka dhënë kërkesën për dhënien e provimit për patentë shoferi para shkuarjes në ushtri para gjashtë dekadave. Orët e trajnimit nuk i vazhdoi pas kryerjes së afatit ushtarak. aa

Ish-lideri i Katalonjës e filloi fushatën nga Belgjika

Carles Puigdemont

Lideri i lëvizjes separatiste i Katalonjës, Carles Puigdemont, sot e ka lansuar fushatën e tij për zgjedhjet e ardhshme në këtë rajon, nga Belgjika, ku pritet përfundimi i procesit për ekstradimin e tij eventual në Spanjë.

Zoti Puigdemont, i cili dëshiron të rizgjedhet në postin e presidentit të Katalonjës, e ka filluar fushatën me emrin “së bashku për Katalonjën”, nga qyteti Bruzhes në Belgjikë.

Mediat spanjolle kanë raportuar se 90 kandidatë që ai i ka zgjedhur, kishin udhëtuar nga Katalonja në këtë qytet në Belgjikë për fillimin e fushatës.

Puigdemont dhe katër ish-anëtarë të tjerë të qeverisë së tij kanë ikur në Belgjikë, pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë në Parlamentin e Katalonjës më 27 tetor të këtij viti.

Pas kësaj, qeveria qendrore në Madrid pat ndërmarrë goditje të shpejtë, përfshirë shkarkimin e qeverisë së tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja për 21 dhjetor.

Procesi për ekstradimin eventual të zotit Puigdemont në Spanjë mund të zgjasë disa javë dhe kjo nënkupton se ai mund të zhvillojë fushatë nga Belgjika.

Nëse ktethet në Spanjë ai ballafaqohet me arrestim nga ana e autoriteteve spanjolle, raportona gjencia AP.

Incident para ndërtesës së Gjykatës në Hagë në prag të vendimit për Mlladiçin

Gjykimi i Mlladiçit ka filluar në maj të vitit 2012, kurse aktakuza e Gjykatës së Hagës e ngarkon me 11 pika, prej të cilave dy për gjenocid

DEN HAAG- Në prag të vendimit të të akuzuarit të Hagës, Ratko Mlladiç para ndërtesës së Gjykatës në Hagë sot në mëngjes ndodhi një incident kur para familjeve të viktimave u paraqit një burrë me flamurin serb.

Flamurin nga presoni në fjalë u përpoq ta merrte kryetarja e Shoqatës “Gratë-viktima të luftës” Bakira Haseçiç, kurse më pas reagoi edhe policia e cila qetësoi situatën.

Haseçiç pas incidentit deklaroi se “është e dhimbshme dhe trishtuese që sot para Gjykatës së Hagës të glorifikohet gjenocidi, agresioni, përdhunimet masive të grave jo serbe, kryesisht boshnjaket. Unë jam një nga ato mijëra gra të përdhunuara”.

Ish të burgosur nga të gjitha anët e Bosnjë e Hercegovinës, përfaqësues të shoqatave të viktimave dhe familjarë të të vrarëve nga orët e hershme mbërritën para ndërtesës së Gjykatës Ndërkombëtre Penale për Ish Jugosllavinë (GJNPJ) në Hagë ku sot do të spallet vendimi i shkallës së parë për ish komandantin e ushtrisë të Republikës Sërpska, të akuzuar për gjenocid dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Herecegovinë në vitet e 90-ta.

Pas më shumë se dy dekadash nga lufta në BeH familjet e viktimave shpresojnë se me vendimin e sotëm sadopak drejtësia do të vihet në vend.

Gjykimi i Mladiçit ka filluar në maj të vitit 2012, kurse aktakuza e Gjykatës së Hagës e ngarkon me 11 pika, prej të cilave dy për gjenocid.


Send this to a friend