Marrëveshja më e suksesshme dhe më e rëndësishme e Bashkimit Europian mund të shkatërrohet për shkak të mospajtimeve mbi emigracionin.
Kancelarja gjermane tha se zona e lëvizjes së lirë “Schengen” mund të mos ekzistojë më, pasi Italia refuzoi të nënshkruante politikën e emigrantëve, gjatë takimit të javës së kaluar në BE. Gjatë bisedimeve të saj për emigracionin në BE, ajo arriti marrëveshje me disa vende, për të kthyer pas nga Gjermania emigrantët, që kanë aplikuar për azil në vende të tjera, si Spanja apo Greqia, por nuk arriti një marrëveshje të tillë me Italinë.
Kryeministri Conte nuk pranoi të nënshkruante politikën e saj dhe kështu partneri i koalicionit të Merkel, ministri i Brendshëm dhe kreu i Unioni Kristian Social, Horst Seehofer, kërcënoi me dorëheqje dhe me prishje të aleancës 70-vjeçare. Qeveria gjermane po shkon drejt pragut të kolapsit.
Duke folur për stacionin televiziv gjerman ZDF, Merkel tha: “Një marrëveshje me Italinë nuk ishte e mundur, Italia dëshiron të reduktojë numrin e emigrantëve që hyjnë në vend. Kryeministri (Giuseppe Conte) tha se ata kishin përshtypjen se ishin lënë vetëm për një kohë të gjatë”.
PROBLEMI NË ITALI
Italia ka qenë për shumë vite vendi i parë i pritjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, që niseshin për në Europë. Gjatë këtyre viteve, ata kanë kërkuar ndihmë nga BE, çështja është diskutuar, marrëveshje janë arritur, por nuk janë zbatuar. Shqetësimi në BE ka marrë një tjetër përmasë pas formimit të qeverisë së fundit në Itali, një bashkim i ekstremit të djathtë me të majtin.
Partia antiemigracion, Lega, ka marrë Ministrinë e Brendshme dhe po i jep përparësi dëbimit të emigrantëve të paligjshëm, si dhe nuk po pranon më anije me emigrantët që shpëtohen në det nga grupet e shoqatave ndërkombëtare.
MARRËVESHJA
Krerët europianë diskutuan fundjavën e kaluar planet për krijimin e qendrave të kontrolluara në BE, ku refugjatët që hyjnë në Europë do të vlerësohen nëse kërkojnë azil. Qendrat, të vendosura për të zëvendësuar kampet e refugjatëve, do të strehojnë emigrantë për një periudhë të kufizuar kohore pasi autoritetet do të testojnë shpejt përshtatshmërinë e tyre për azil.
Por Franca dhe Austria refuzuan të ndërtonin qendra në vendet e tyre, duke ia lënë sërish barrën Italisë apo vendeve të tjera të para të pritjes. Merkel kërkoi që pjesë e marrëveshjes të ishte moslejimi i azilkërkuesve, që të lëviznin lirshëm nëpër BE, mbajtja e tyre në qendra dhe kthimi nëpër vendet e aplikimit për azil i të gjithë atyre që i afroheshin vendeve të tjera.
Kryeministri Conte tha se Italia nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Gjermaninë, për të marrë sërish mijëra emigrantë, që kanë aplikuar në Itali. Kancelarja gjermane pranoi se një marrëveshje me Italinë nuk ishte e mundur për momentin, por këmbënguli që udhëheqësit duhet të vazhdojnë bisedimet, pasi i gjithë sistemi i Shengenit është në rrezik, nëse nuk arrihet një marrëveshje efektive.
Shumë vende të BE-së tashmë kanë kërcënuar me mbyllje të kufijve, një kërkesë e bërë edhe nga ministri i saj i Brendshëm dhe Austria fqinje.