VOAL

VOAL

Dorëhiqet zëvendës kancelari austriak

Zëvendës kancelari i Austrisë Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen të shtunën.

Vendimi vjen pasi dy gazeta gjermane, “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku ai shfaqej tek i ofronte kontrata shtetërore një investori të dyshuar rus, në shkëmbim të mbështetjes për fushatën zgjedhore.

Heinz-Christian Strache tha të shtunën se ishte “viktimë e një sulmi politik”, por pranoi se veprimet e tij në video ishin “gabim dhe një budallallëk”.

Analistët politikë thonë se skandali vë në pikëpyetje koalicionin qeverisës mes Partisë së Lirisë me qasje kundër emigracionit të zotit Strache dhe Partisë Popullore të qendrës së djathtë të Kancelarit Sebastian Kurz.

Asnjë nga politikanët nuk kanë bërë komente mbi të ardhmen e aleancës së tyre.

Sebastian Kurz i jep fund bashkëpunimit me Heinz Christian Strache, nënkancelari u filmua duke bërë ujdi me një manjate ruse (video)

VOAL – Kancelari austriak Sebastian Kurz i jep fund bashkëpunimit me nënkancelarin dhe liderin FPÖ Heinz-Christian Strache. Kështu njofton DPA. Kancelari për këtë do të japë një koncerencë për shtyp në orën 12.00.

Heinz Christian Strache njihet si kundërshtar i rreptë i Kosovës.

Vendimi merret një ditë pas publikimit të videos komprometuese për nënkancelarin. Skandali plasi në qeverinë austriake pas transmetimit të pamjeve të marra me një telekamer të fshehte nga Der Spiegel e Sueddeutsche Zeitung. Bëhet fjalë për një takim në Ibiza me një të ashtuquajtur mbesë të oligarkes ruse Aljona Makarowa, që oftonte një investim rreth 250 milionë euro për të marrë aksionet shumicë në shtypin austriak, sidomos në të përditshmen “Kronen Zeitung”, me para të zeza të një prejardhje të paditur. “Nënse e blini Kronen Zeitung tri javë para zgjedhjeve dhe ne marrim shumicën, mund të flasim për gjithçka,” thotë Strache në video.

Femra në fakt ishte një joshëse dhe takimi në Ibica ishte një kurth.

Shtypi austriak tani pret shkarkimin e Heinz Christian Strache si nënkancelar. Pas kësaj pritet një riformim i qeverisë ose kalii në zgjedhje. Më shumë pritet që Sebastian Kurz të parapëlqejë këtë të fundit, edhe spese sondazhet e fundit e japin partinë e tij në ngjitje.


 

Videoja u botua të premten në një artikull të përbashkët nga revista gjermane e lajmeve Der Spiegel dhe e përditshmja Süddeutsche Zeitung.

Ish-presidenti francez Sarkozi në gjyq lidhur me fushatën e vitit 2012

Në Francë Gjykata Kushtetuese hapi rrugën të premten që ish-presidenti Nicolas Sarkozy të gjykohet për financimin e dyshuar të paligjshëm të fushatës së tij të dështuar për t’u rizgjedhur, në vitin 2012.

Zoti Sarkozi e kishte apeluar vendimin në këtë gjykatë, duke iu referuar atij që njihet si parimi i “rrezikut të dyfishtë”, pasi ai ishte dënuar në vitin 2013 dhe ishte urdhëruar të paguante një shumë prej 360 mijë eurosh për shkelje të rregullave mbi financimin e fushatës.

Por të premten, gjykata vendosi se dënimi për të cilin zoti Sarkozi ishte urdhëruar të paguante një shumë parash në vitin 2013-të, kishte të bënte me një tjetër shkelje.

Rasti tani varet nga gjykata më e lartë e apelit në vend (Cour de Cassation) ku zoti Sarkozi, ka paraqitur një ankim tjetër. Nëse edhe ky ankim refuzohet, çështja do t’u kthehet prokurorëve, të cilët do të vendosin nëse ai duhet të gjykohet apo jo.

Nëse po, 64 vjeçari Nicolas Sarkozi do të ishte presidenti i parë francez në bankën e të akuzuarve që nga koha e Jacques Chirac-ut, paraardhësi i tij që drejtoi vendin nga 1995 deri në 2007. Në vitin 2011 Jacques Chirac u dënua për keqpërdorim të fondeve publike dhe iu dha një dënim me kusht.

Kancelarja Merkel përshëndet unitetin e BE-së kundrejt Iranit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se Evropa duhet të “ripozicionohet” në një botë që po ndryshon vazhdimisht dhe është duke mirëpritur unitetin e fuqive të Bashkimit Evropian kundrejt Iranit, në krahasim me ndasitë e thella lidhur me luftën 16-vjeçare në Irak.

Merkel ka thënë në një intervistë për të përditshmen gjermane, Sueddeutsche Zeitung se Evropës i duhen arguemente më largpamëse, pasi sipas saj vetëm duke “përmendur shtatë dekada të paqes nuk është mjaftueshëm për të arsyetuar Evropën”.

Pak para mbajtjes së zgjedhjeve në Parlamentin Evropian më 23-26 maj, ajo ka thënë se “nuk ka dyshim se Evropës i duhet të ripozicionohet në një botë që po ndryshon”.

Sipas saj, është “vlerë në vete” që Evropa nuk është e ndarë sa i përket Iranit.

Fuqitë evropiane kanë thënë ditë më parë përmes një deklarate se nuk pranojnë “ultimatumet” e Iranit sa i përket marrëveshjes bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Deklarata e tyre ka ardhur pasi Irani ka hequr dorë pjesërisht nga kjo marrëveshje, duke iu bërë thirrje vendeve nënshkruese që të mbrojnë interesat e Iranit kundrejt sanksioneve amerikane.

Shtetet e Bashkuara në anën tjetër i janë kundërpërgjigjur paralajmërimeve iraniane me sanksione të reja, për dallim nga ato të gati një viti më parë dhe kanë pozicionuar një aeroplanmbajtëse në Lindje të Mesme, duke cituar aktivitetet e dëmshme të Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të jetë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, pasi kjo e fundit ka pasur shumë mangësi.

Më 5 maj 1949 u themelua Këshilli i Evropës

Më 5 Maj Këshilli i Evropës feston përvjetorin e tij. KE me 47 anëtarë shihet si më e fuqishmi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinent e jashtë tij. Shpesh Këshilli i Evropës ngatërrohet me Këshillin e BE.

Ishin 10 shtete evropiane ato që më 5 Maj 1949 në Strasburg vendosën të bashkoheshin me qëllimin “e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët evropiane.” Rivendosja e paqes, demokracisë, stabilitetit në Evropë pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore ishte prioriteti kryesor evropian – në të njëjtën kohë planifikohej thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndihma për çështjet sociale. Këshilli i Evropës ka për detyrë të zhvillojë afrimin mes vendeve anëtare, thuhet në statutin e organizatës.

Detyrimi për një bashkim evropian nuk është fat pësues për Evropën. Por më shumë një impuls krijues, që i përgjigjet madhështisë së traditës evropiane.” Kështu është shprehur kancelari i atëhershëm gjerman, Konrad Adenauer (1876-1967) më 10 dhjetor 1951 para Asamblesë këshilluese të Këshillit të Evropës, vit kur Gjermania u bë anëtare e tij.

Këshilli i Europës dhe Këshilli i BE – struktura të njëjta?

Sot Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë. Vetëm tre shtete në hapësirën gjeografike të Evropës nuk janë anëtarë të tij. Kosova, Vatikani dhe Bjellorusia. Këshilli i Evropës ka dy organe të rëndësishme: Asamblenë Parlamentare me funksion këshillues, ku janë të përfaqësuar deputetë të vendeve anëtare dhe Komiteti Ministror që përbëhet nga ministrat e Jashtëm dhe përfaqësuesit e përhershëm diplomatikë të vendeve anëtare.

Ky institucion u shërben shkëmbimeve diplomatike dhe vendos për pranimin e anëtarëve të rinj, pezullimin e përkohshëm të anëtarësisë si edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut u krijua si institucion i pavarur nga Këshilli i Evropës në vitin 1959 dhe financohet prej tij. Simbolet e Këshillit të Evropës si flamuri dhe himni përdoren nga viti 1986 edhe nga Bashkimi Evropian.

Këshilli i Evropës nuk është i lidhur institucionalisht me BE. Shpesh ndodh që Këshilli i BE-së të ngatërrohet me Këshillin e Evropës. Por Këshilli i BE është instancë e BE, që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të BE. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dallojnë mes tyre jo vetëm në numrin e anëtarëve – BE ka 28 anëtarë, kurse KE 47, – por edhe në ndikimin politik. BE ka kompetencë ligjore në tregun e brendshëm dhe mjedisit, kurse Këshilli i Evropës përgatit marrëveshje apo konventa ndërkombëtare si Konventa e Stambollit për luftimin e dhunës kundër gruas.

Ndër arritjet më të mëdha të Këshillit Evropës të vitit të kaluar konsiderohen zbatimi i shpejtë i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Përveç kësaj Këshilli i Evropës ka krijuar një platformë ku mund të publikohen kërcënimet ndaj gazetarëve.

Sfidat e ardhshme të Këshillit të Evropës

Në deklaratën e përbashkët të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, presidentes së Asamblesë Parlamentare, Liliane Maury Pasquier dhe kryetarit të Komitetit Ministror, Timo Soini të publikuar me rastin e 70-vjetorit të krijimit të theksohet se “70 vjet pas krijimit, Këshilli i Evropës është organizata më e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Por deklarata e vë theksin tek sfidat e sotme. “Tek ato renditen krahas revolucionit të inteligjencës artificiale, edhe robërimi i skllavërisë moderne e rritja e pabarazisë në shumë nga shoqëritë tona, dhe ne ende nuk e dimë, se cilat lloj problemesh do të duhet të zgjidhim në vitet e ardhshme. Një Këshill i fortë i Evropës me mbështetjen e Komitetit Ministror dhe Asamblesë Parlamentare – do të shfrytëzojë aftësinë e sistemit tonë konvencional dhe vendosmërinë e shteteve anëtare – për të ofruar zgjidhje multilaterale, nga të cilat të përfitojnë të gjithë qytetarët në kontinent.

Një nga temat më të debatuara në Këshillin e Evropës është aneksimi i Krimesë. Deputetët rusë bojkotojnë nga viti 2015 Asamblenë Parlamentare. Kurse nga viti 2017, Moska nuk e paguam në kontributin e saj disamilionësh për këtë organizatë. Gjermania dhe Franca punojnë për një zgjidhje, sepse ato e duan Rusinë anëtare aktive të Këshillit të Evropës.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland

Maas: Nuk ka vend për neonazistët as në rrugë, as në internet

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas paralajmëroi se neonazistët nuk duhet të kenë hapësirë në rrugët e qytetit, pasi ekstremistët e ekstremit të djathtë marshuan veshur me uniformë nëpërmjet qytetin lindor të Plauenit për ditën e 1 Majit.

“Nëse neonazistët marshojnë sërish në rrugët tona dhe ka më shumë se 12 000 ekstremistë të dhunshëm të ekstremit të djathtë, atëherë nuk duhet thjesht ta injorojmë këtë fakt”, tha ai për “Funke Media Group”.

 “Ne nuk duhet të nënvlerësojmë potencialin e terroristëve të ekstremit të djathtë. Këto janë shifra të hidhura për vendin tonë. Nuk duhet të lëmë rrugët dhe internetin tonë për radikalët e djathtë”, theksoi ministri gjerman.//ATSH

Betohet komandanti i ri i forcave të NATO-s për Evropë

Gjenerali amerikan, Tod D.Wolters, është betuar si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë.

Në një ceremoni të mbajtur në Mons të Belgjikës, Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se komanda evropiane është “një nga pozicionet më sfiduese dhe më të rëndësishme ushtarake në botë”.

Gjenerali Wolters do të jetë gjithashtu komandant i forcave amerikane për Evropë. Ai e pason në këtë pozitë gjeneralin tjetër amerikan, Curtis Scaparrotti.

Gjenerali Wolters e merr këtë pozitë në kohën kur Aleanca Veriatlantike është duke u përgatitur për prishjen e mundshme të Traktatit të Forcave Bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, një pakt i çarmatimit që e ka mbrojtur Evropën për tre dekadat e fundit.

Wolters kishte shërbyer si komandant i forcave ajrore amerikane në Evropë në bazën ajrore Ramstein në Gjermani. Ai është një pilot i aeroplanëve luftarak me karrierë ushtarake gati 32-vjeçare.

Policia gjermane shpartallon një nga platformat më të mëdha kriminale në internet

Berlin

Policia gjermane, në një aksion të zbatuar bashkë me autoritetet amerikane dhe holandeze, kanë shpartalluar një nga platformat më të mëdha të trafikimit në internet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e policisë kriminalistike federale, sot tha se ka arrestuar tre gjermanë me akuzat se kanë zhvilluar platformën e ashtuquajtur “Wall Street Market” në internet të thellë, përmes së cilës kanë ofruar kokainë, heroinë dhe droga tjera, si dhe të dhëna dhe dokumente të rreme në llogaritë e 1.15 milionë klientëve.

Prokurorët pohojnë se pagesat janë kryer përmes kriptovalutave, ku të arrestuarit kanë marë një provizion me 2 deri në 6 për qind të shumës.

Në disa bastisje të kryera të enjten, autoritetet kanë konfiskuar serverin bashkë me 550.000 euro para të gatshme, si dhe kriptovaluta, disqe, dhe prova tjera materiale.

Siç bëhet e ditur, autoritetet amerikane kanë arrestuar dy furnizues droge në Los Anxhelos, me ç‘rast kanë konfiskuar rreth 1 milion dollarë para të gatshme, armë dhe droga të ndryshme.

Aktualisht nuk ka detaje për identitetin e personave të arrestuar.

Qipro: Plas skandali pasi kapiteni ushtrisë pranoi se është vrasës serial i shërbyeseve të huaja shtëpiake

VOAL –  Ministri qipriot i drejtësisë, Ionas Nicolau, dha dorëheqjen pas polemikave mbi hetimet e kryera keq që përfshinin një vrasës serial, një kapiten ushtrie që pranoi se kishte vrarë 5 gra – të gjitha ndihmëse të huaja shtëpiake – dhe dy vajza të vogla , vajza (6 dhe 8 vjeçe) të dy prej viktimave. Hetimi mund të sjellë në dritë një numër shumë më të madh viktimash: deri në 30, sipas disa mediave ndërkombëtare.

Historia ka terrorizuar banorët e ishullit dhe u kthye në qendër të vëmendjes në një sistem shfrytëzimi që i detyron mijëra gra emigrante të punojnë si punëtore shtëpiake në kushte të skllavërisë substanciale.

Nicolau tha se ai mori vendimin për “bazën e ndërgjegjes dhe parimit”, por mohoi përgjegjësinë për “mangësitë e dukshme” nga policia në trajtimin fillestar të rasteve të grave të vrara brutalisht. Ministri pastaj vuri në dukje “qëndrimet dhe perceptimet” e shoqërisë qipriote, dukshëm ndaj të huajve, “të cilët nuk e nderojnë” vendin.

Ky është rasti i parë i një vrasësi serial në Qipro. Vrasësi i njihte viktimat e tij në një vend takimesh online dhe pasi i ndoqi për një kohë, i vrau pa mëshirë.

E gjitha filloi më 14 prill, kur disa turistë gjetën aksidentalisht një trup të lidhur të një gruaje – një filipinase 38 vjeçare – në një pus të minierave të përmbytur, pranë liqenit artificial toksik të Kokkinopezoulas, 32 km në perëndim të Nikozisë, që është pjesë e një ish minierë bakri pirit. Nga këtu u krye hetimi që çoi në arrestimin e kapitenit, përpara zbulimit të një trupi të dytë, të një filipinaseje tjetër, që u gjet në të njëjtin pus më 20 prill. Vrasësi serial u arrestua falë mesazheve të shkruar nga një viktimë në një vend takimi: të dy ishin takuar për 6 muaj, para zhdukjes së gruas dhe vajzës së saj 6-vjeçare (trupi i të cilëve ende nuk është gjetur) , në maj 2018.

Kapiteni pranoi se kishte hedhur tre nga viktimat e tij në liqen: të dielën e kaluar u gjet një valixhe që përmbante një trup në gjendje dekompozimi (identiteti i kësaj viktime ende nuk dihet), ndërsa pak ditë më parë një trup tjetër – ndoshta ajo e një nepalezje – u zbulua në një distancë ushtarake rreth 15 km larg.

ATS

Bruksel, ekspozohen tramvajë të vjetër 150 vjet

Bruksel

Kompania e transportit publik (STIB) në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, në kuadër të 150 vjetorit të vënies në shërbim të tramvajëve, i ekspozoi vagonët më të vjetër, raporton Anadolu Agency (AA).

Rreth 40 modele historike dhe të reja të tramvajëve të ekspozuar në Rrugën Mbretërore, hasën në interesim të madh nga qytetarët dhe turistët.

Disa qytetetarë në rrugë ishin veshur me veshje tradicionale të asaj kohe, para tramvajëve të përdorur për herë të parë në vitin 1869.

Gjatë aktivitetit qytetarët patën mundësinë të hyjnë brenda tramvajëve historik pa pagesë.

Silvio Berlusconi shtrohet me urgjencë në spital

Silvio Berlusconi shtrohet me urgjencë në spital. Lideri i Forza Italia nuk është ndier mirë dhe mëngjesin e së martës është shtuar në spitalin e San Raffaele në Milano shkruan Tgcom 24.

Nuk dihet ende gjendja shëndetësore e ish-kryeministit italian. Kujtojmë që në vitin 2016 është operuar në zemër. Silvio Berluconi pak kohë më parë bëri me dije se do të kandidojë për deputet në Parlamentin Europian, zgjedhje të cilat do të zhvillohen më 26 maj të 2019-ës.

Ditën e sotme rreth ore 14: 00, 82-vjecari do të dilte në një konferencë për shtyp ku do të bënte prezantimin e kandidatëve të Forza Italia-s

Merkel e Macron: Sonte do të diskutojmë zgjidhjen, nuk do të imponojmë asgjë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Berlini, gjatë një konference të përbashkët me presidentin francez, ka thënë se vendim për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi sonte nuk pritet të ketë, por tha se “pret zgjidhje mes dy vendeve”.

“Jemi të përkushtuar për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit, por kjo s’ka të bëjë me zgjerimin. Gjermania e Franca duan të tregojnë se është në interes të përbashkët që të shohim zhvillimin e Ballkanit. Në darkë do të diskutojmë se si mund ta gjejmë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Ideja jonë është që të shohim se si të pajtohemi për t’i lehtësuar e jo vështirësuar gjerat. Nuk do të ketë ndonjë vendim sonte”, tha Merkel.

Ndërsa, presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se takimi i sotëm është joformal dhe si i tillë në të s’do të flitet për çështje të hapura të vështira.

“E kemi parë që ka mundësi të zgjidhjeve siç është rasti i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodh kur njerëzit janë të guximshëm. Çështja kryesore e diskutimit do të jetë Kosova dhe Serbia. Duam që të vazhdojnë dialogun. Nuk duam të imponojmë zgjidhje për Kosovën e Serbinë. Shpresojmë që të mos ketë emocione në rrugën përpara dhe vështirësi të reja. Ku ka tensione, duam t’i adresojmë”, deklaroi Macron.

Ky është orari i takimeve sot në Berlin

Liderët e Ballkanit Perëndimor sot në Berlin do të kenë një agjendë të ngjeshur me takime. Sipas orarit që ka siguruar Gazeta Express, mësohet se takimet me liderët do të fillojnë nga ora 16:00, derisa do të vazhdojnë deri në orën 19:30.

Siç ka raportuar Gazeta Express, ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel do të takohet sot fillimisht me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Takimi do të jetë i shkurtë, e do të fillojë në orën 16:00.

Një bisedë të shkurtë Merkel pas Zaevit, do të zhvillojë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Në orën 17:00, pasi që Merkel përfundon takimet me Zaevin e Ramën, ajo do të shihet me presidentin e Francës, Emanuel Macron në orën 17:00, teksa gjysmë ore më pas ata do të dalin në një konferencë për media.

Pas këtyre takimeve me Zaevin, Ramën e Makronin, Merkel do të takohet në një takim pune me liderët e përfaqësuesve të Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, të cilët do të arrijnë në Berlin në orën 17 e 30.

Ky takim pune do me liderët e Ballkanit Perëndimor do të fillojë në orën 17 e 45 dhe do të zgjas deri në orën 19 e 30.

Brenda kësaj kohe do të ketë edhe një darkë pune.

Sipas agjendës ky takim do të shërbejë për të shkëmbyer pikëpamjet për stabilitetin e rajonit, në mënyrë të veçantë për raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në orën 19 e 30 më do të realizohet fotografimi ‘familjar’. Megjithatë nuk dihet ende nëse do të ketë takime bilaterale me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

 

Jörg Lüer: Në Shqipëri mungoi ndjekja penale për krimet e komunizmit

Deutsche Welle: Nëse afër 30 vite pas rrëzimit të diktaturës një vend nuk e ka gjetur dot gjuhën e përbashkët për t’u ballafaquar me të,  – çfarë ka shkuar keq?

Jörg Lüer: Fillimisht duhet thënë, se kjo bën pjesë tek problemet tipike të vendeve që kanë kaluar dhunë masive, ato kanë nevojë për shumë kohë derisa ta gjejnë një gjuhë të përbashkët. Nuk bëhet dot si duhet, në kuptimin që, kjo kohë të merrte fund pas 5 vjetësh. Duhet të kuptojmë, se ka viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat sigurisht janë të lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e dimë se kjo u sjell stres shkaktarëve e familjeve të tyre.

Në rastin e Shqipërisë, e njohur si diktatura më e ashpër staliniste, një vend ku dosjet u mbajtën me dekada të mbyllura, ku sipas medias, ende sot, gjenden individë të ish-Sigurimit në institucione të ndryshme. Cila do të kishte qenë rruga në përballimin me të shkuarën, që të mos kishim këto zvarritje e vonesa?

Do të isha i kujdesshëm t’i jepja këshilla Shqipërisë nga jashtë, se çfarë duhet të kishte bërë më mirë. Ajo që do të thoja, e që u bë shumë vonë në Shqipëri është vëmendja e duhur që duhej t’u kushtohej vendeve, ku u bënë krimet. Tani ka ndryshuar diçka, po mund të bëhej më shumë. Ndoshta duhet edhe më shumë angazhim nga diaspora për të mbështetur proceset në Shqipëri. Sidoqoftë, rrugët e përballjes më të shkuarën janë gjithmonë shumë të gjata, ne nuk flasim për 3 vjet, por të paktën për 3 breza. Ajo që shoh tani në Shqipëri më inkurajon.

A ka të bëjë polarizimi dhe zvarritjet në përballjen me diktaturën edhe me atë që Shqipëria në masë të madhe pati një vazhdimësi elitash, ju e njihni Shqipërinë nga disa projekte bashkëpunimi për të shkuarën?

Natyrisht ka pasur një masë të madhe të kontinuitetit të elitave, kjo është shokuese kur e sheh, në të njëjtën kohë  po e marrin përgjegjësinë brezat e rinj në këtë vend duke e zbutur kështu këtë kontuinitet. Por përballja me çështjet e së shkuarës është edhe një konfrontim masiv me këtë kontuinitet elitash. Por ajo duhet bërë. Nëse një vend do të krijojë një ndjesi për të drejtën dhe drejtësinë, perspektivën për pajtimin duhet të ndodhë më shumë.

Çfarë është në këtë rast “më shumë”?

Ajo që nevojitet është zbardhja siç duhet e diktaturës, akcesi tek dosjet, këtu janë bërë përparime, nevoja për shoqërimin siç duhet të ish-burgosurve politikë, duhen mbledhur historitë e këtyre krimeve, ose ndoshta thjesht Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit ta pajisin me më shumë fonde, me më shumë mundësira. Ajo që mungon qartë është ndjekja penale. Deri më tani, me sa di unë, asnjëri nga autorët e krimeve, qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera nuk ka dalë para drejtësisë.

Por personat përgjegjës që kishin kompeteneca të caktuara në kohën e diktaturës thonë se kemi bërë detyrën. Si do mund të bëhej kjo juridikisht?

Në rastin e ballafaqimit juridik me të shkuarën nuk bëhet fjalë nëse e gjen apo jo veten fajtor i akuzuari. Konstatimi i fajit është kompetencë e gjykatës. Me këtë merret në konsideratë një instancë objektive, e ajo që është e rëndësishme, viktimave u jepet vend në diskursin publik të paraqesin historitë e tyre. Justifikimi, se kemi bërë vetëm detyrën është justifikimi tipik që dëgjohet e kjo është e gabuar. Detyrimi i parë që kemi ne është të jemi humanë. Kush e shkel këtë nocion, e për këtë kemi zhvilluar edhe nocionin e krimeve kundër njerëzimit, kush nuk e respekton këtë detyrim i ka borxh shoqërisë, të tjerëve, në një farë mënyre edhe  vetes.

Kush do ta ngrinte këtë akuzë e mbi cilën bazë ligjore?

Ne e dimë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka ende rrugë para vetes. Por faktikisht akuzën duhet ta ngrinin ish-të burgosurit politikë. Kështu ndodh në një shtet të së drejtës. Por për shkak se pala tjetër nuk është e dobët, do të thoja që ish-të burgosurit politikë duhet të mendohen mirë dhe të bashkohen, ku t’i bëjnë aktakuzat, si të organizohen.

Nuk e njoh kuadrin ligjor të Shqipërisë, por shpresoj që edhe në Shqipëri, vrasja të mos parashkruhet, edhe në vetë regjimin komunist ajo ka qenë vepër penale. Që nga proceset e Nurembergut e drejta ligjore njeh toposin e krimeve kundër njerëzimit, që kundrejt nazistëve pati efekt prapaveprues. Ky topos është edhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, fuqia shëruese e ndjekjes penale qëndron si tek krijimi i opinionit dhe bërja publike e krimeve ashtu edhe tek gjykimet. Prandaj elitat e djeshme i tremben proceseve të tilla kaq shumë, sepse ato grisin atë perden e gjoja normalitetit.

Aktualisht në Shqipëri zhvillohet një debat i madh për trajtimin e historisë së Luftës Nacionalçlirimtare. Një libër i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ISKK me titull “Krimet e komunistëve gjatë luftës në vitet 1941-1945” është në qendër të debatit. Aty ndodhet një listë me 265 emra, që sipas autorit janë përgjegjës ose të paktën kishin dijeni për krime të kryera gjatë luftës partizane për çlirim. Kjo temë i ndan frontet në Shqipëri. Për njërën palë lufta është e lavdishme, për palën tjetër, si rastin e ISKK, duhen bërë publike edhe krimet që janë bërë aty. Si mund të zhvillohet një vështrim i diferencuar për historinë për temat kaq polemizuese?

Këtë konstelacion konfrontimi, veçanërisht me partizanët komunistë e kemi parë edhe në vende të tjera, në ish-Jugosllavi psh. Në Slloveni psh. shoqëria është po ashtu e përçarë përgjatë kësaj linje. Mendoj, se baza për të filluar një dialog është respekti i përbashkët për të gjitha viktimat. Nëse ngjitesh në pozicionin, ne jemi të mirët e nuk ka rëndësi se kë eliminojmë, atëherë nga ana humane çështja është e humbur. Aftësia që duhet të zhvillojmë në këtë rast është ajo e empatisë. Të dalim e të përulemi para atyre që u vranë, pavarësisht, se cilat ishin arsyet. Kjo do të ishte baza. Ne kemi një përvojë të mirë në Bosnje, ku me përfaqësues të grupeve të ndryshme kemi vizituar vende të ndryshme. Shenja bashkuese është respekti. Por kjo nuk është e lehtë.

A mundet që një komision ekspertësh për shembull me historianë shqiptarë e të huaj të diskutonte çështjet e hapura e të kontestuara, pra zgjidhje shkencore për të qetësuar gjakrat ? Këtë vit në Shqipëri përkujtohet 75 vjetori i luftës çlirimtare. Madje edhe data e çlirimit është politizuar…

Është mirë të kesh edhe shpjegim shkencor për këto çështje. Ne në Gjermani pas rënies së Perdes së Hekurt dhe bashkimit krijuam një komision “Enquete” – për zbardhjen e diktaturës së SED, partisë së unitetit socialist që për vite me radhë u mor me analizimin e mbledhjen e çështjeve të ndryshme. Nuk e di nëse në Shqipëri këtë mund ta bënte parlamenti, por sipas vlerësimit tim, Instituti që drejton Agron Tufa është një vend që mund të merret shumë me trajtimin e këtyre çështjeve. Por sigurisht do të ndihmonte edhe tërheqja e personave nga jashtë për këtë. Jo për të gjykuar për Shqipërinë, por për të sjellë një perspektivë tjetër e për t’iu kundërvënë polarizimit.

E ky polarizim është i aq ashpër në Shqipëri, debati aktual e tregon këtë, e në media gjen herë pas here një gjuhë që ende reflekton luftën e dikurshme të klasave, ne dhe ata, në këtë polaritet zhvillohet diskursi. A mundet të krijohet një kulturë e kujtesës, kur ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët?

Më duhet të them diçka shumë qartë – jam skeptik për sa i përket gjeneratës së shkaktarëve dhe partisë komuniste të asaj kohe. Unë do ta kisha shpresën tek brezi i mëpasëm, që ndodhet në një konlikt luajaliteti me atë se si duan të jetojnë vetë e me bashkëmoshatarët, si edhe me luajalitetin kundrejt familjeve të tyre apo kontekstet nga të cilat vijnë. Por me ata duhet folur, duhet kërkuar dialogu, e ndoshta të nxisësh edhe atë ndjesinë, se gjuha pllakative e post-komunistëve nuk i përgjigjet dinjitetit të njeriut. Njerëzit e kuptojnë këtë, ajo është një farë forme dëshpërimtare, e marrë dhe nuk ndihmon aspak për të kuptuar historinë.

Fondacioni, ku jeni zëvendësdrejtor “Maximilian Kolbe” ndihmon në Shqipëri në drejtim të krijimit të kulturës së kujtesës pajtimit në shoqëri. Çfarë projektesh keni aty?

Ne kemi një përvojë që për të arritur drejt pajtimit nuk duhet folur aq shpejt për pajtimin. Sidomos viktimat fjalimet që mbahen për pajtimin shpesh i ndjejnë si fyese. Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet. Ajo që duam të bëjmë ne është që t’i mbështesim partnerët tanë, por edhe t’i afrojmë me diskursin europian. Ajo që bën Shqipëria në drejtim të zbardhjes së krimeve të diktaturës nuk është vetëm një problem shqiptar. Ai është kontribut për projektin europian. Ajo që mund të bëjmë ne është që të dëgjohet zëri i Shqipërisë në Europë. Edhe diçka të rëndësishme: Duket sikur gjërat nuk ndryshojnë, sepse ajo që kemi ne në dorë janë “mundësitë e buta”, por kjo është si ajo lufta e ujit me gurin. Për sa kohë që uji rrjedh, guri nuk ka asnjë shans.

Dr. Jörg Lüer është drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe” si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.

Intervistën e zhvilloi Lindita Arapi

Malm kryetari i ri i akademisë suedeze të çmimeve Nobel

Akademia suedeze, që përzgjedh çmimin Nobel, emëroi Mats Malm, si shefin i ri të saj.

Malm është profesor i teorisë së letërsisë në Universitetin e Gotenburgut.

Ai do të pasojë Anders Olsson si sekretar i përhershëm më 1 qershor.

Sekretari i përhershëm vepron si zëdhënës i akademisë dhe bën shpalljen vjetore të zgjedhjes akademike të çmimeve Nobel.

Malm, 54 vjeç, premtoi se do të “vazhdojë punën rinovuese vitale që ka filluar tashmë, referuar përpjekjeve për të rikthyer besimin në akademi pas polemikave që përfshinë atë vitin e kaluar’’. (Atsh)

Hoyt Yee: Takimi në Berlin nuk është ‘tani ose kurrë’ për Kosovën e Serbinë

Takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, nuk është vendimtar për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, por është një shans për të biseduar, tha ish-zëvëndësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takojnë Merkelin dhe Macronin më 29 prill në Berlin.

“Librat e historisë në Ballkan janë plot me momente ‘tani ose kurrë’. Mendoj se takimi në Berlin nuk është një prej tyre, por është një shans. E vlerësoj Gjermaninë dhe vendet e tjera që vazhdojnë të organizojnë takime të tilla, në të cilat flitet për hapat e ardhshëm”, tha Hoyt Yee në një diskutim në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, me temën: “Zgjidhja e së pazgjidhurës në Ballkanin Perëndimor”.

Hoyt Yee tha se shpreson se në Berlin do të diskutohet sinqerisht dhe në detaje për hapat e ardhshëm të Serbisë dhe Kosovës dhe se do të bëhet përparim.

“Mendoj se ideja për ndarje të territoreve në vija etnike nuk është e mirë, as pragmatike, as politike, as diplomatike. Nuk është diçka për të cilën duhet folur”, tha Hoyt Yee, transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Diplomati amerikan po ashtu tha se Serbia duhet të vendosë “nëse do që të ulet në karrigen ruse apo atë evropiane”.

Anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025 nuk është real, tha Hoyt Yee.

Ai shtoi se se bashkësia ndërkombëtare momentalisht nuk ka strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe se as BE-ja, as SHBA-ja nuk po ia kushtojnë rajonit rëndësinë që do të duhej.

BE-ja ia përsërit Britanisë: Nuk e rihapim marrëveshjen e Brexit-it

Komisioni Evropian sërish përjashtoi mundësinë e rihapjes së marrëveshjes së Brexit-it të dakorduar me britanikët në fund të vitit të kaluar.

BE-ja e përsëriti qëndrimin pas informacioneve se kryeministrja britanike, Theresa May u kishte kërkuar këshilltarëve të saj të rishikojnë marrëveshjen në pjesën që ka të bëjë me kufirin irlandez.

“Përjashtojmë mundësinë që të rinegociojmë ose rihapim marrëveshjen sepse tashmë kemi zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Ndërkohë, nga Londra bëhet e ditur se bisedimet mes qeverisë dhe opozitës do të vazhdojnë pas pushimeve për festën e Pashkëve.

Ministrat e kabinetit do të takohen me figura të larta të opozitës në një përpjekje për të zgjidhur bllokimin për një marrëveshje të Brexit-it që mund të fitojë mbështetjen e deputetëve.

Parlamenti britanik nuk i ka miratuar disa versione të marrëveshjes së Brexit-it të cilat kryeministrja Theresa May i kishte propozuar për votim.

Kjo bëri që kryeministrja May, dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian të pajtohen për shtyrjen e datës së Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 tetor.

Britania ka vendosur për largimin nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani, por edhe në BE.

Politikani gjerman kritika Mogherin-it: Nxiti planet për shkëmbim terrritoresh

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini “ka nxitur planet e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha për “Der Tagesspiegel” nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Johann Wadephul.

Në prag të samitit të organizuar nga Kancelaria gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, me delegacione nga Prishtina e Beogradi, të udhëhequra nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, e përditshmja gjermane bisedoi me disa anëtarë të parlamentit, të cilët theksuan qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë sa i takon idesë së shkëmbimit të territoreve.

Vuçiç dhe Thaçi kanë folur hapur mbi mundësinë e një skenari të tillë, të konsideruar një opsion për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Der Tagesspiegel” kujton se ka pasur fjalë që edhe Mogherini është e hapur ndaj një ideje të tillë, për të cilën Berlini zyrtar ka rezerva të forta.

“Nuk ekziston absolutisht asnjë garanci, se një ndryshim i kufijve apo një shkëmbim i territoreve do të kufizohej vetëm te Serbia dhe Kosova”, deklaroi Wadephul, sipas të cilit një lëvizje e tillë do të rindizte paqëndrueshmërinë dhe konfliktet etnike në Ballkanin Perëndimor, e nuk do të përjashtonte as gjasat e një konflikti ushtarak.

Gjermanët shpenzuan 8 miliardë euro në birra vitin e kaluar

Gjermanët shpenzuan mesatarisht 100 euro për kokë banori vitin e kaluar duke blerë birra apo pije me përmbajtje të birrës.

Shifrat dolën nga një studim i tregut që bëri kompania Nielsen.

Sipas saj, në vitin 2018, në Gjermani u shitën rreth 6.1 miliardë litra birrë, 2.9% më shumë se në vitin paraprak.

Qarkullimi u rrit për 7%, përkatësisht në 8 miliardë euro, pasi pothuajse të gjitha brendet e njohura të birrës i rritën çmimet.

Sipas studiuesve të tregut, birrat klasike, si Pilsner, u ballafaquan me konkurrencë në rritje, ndërsa birrat joalkoolike u bënë gjithnjë e më popullore.

Humoristi i fiton bindshëm zgjedhjet, bëhet president i ri i Ukrainës

Humoristi Volodymyr Zelensky ka fituar në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, për t’u bërë udhëheqës i ri i vendit.

Kështu tregojnë rezultatet e anketave me qytetarët pas votimit të tyre, të njohura si ‘exit poll’.

Sipas këtyre anketave, Zelensky ka fituar më shumë se 70 për qind të votave në garën përballë presidentit aktual, Petro Poroshenko.

Zelensky ka fituar edhe rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që është mbajtur tri javë më parë, në një garë me gjithsej 39 kandidatë.

Presidenti i Ukrainës ka kompetenca të rëndësishme rreth sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme të vendit. /Express/

Holandë, vazhdon spektakli tradicional në kopshtin më të madh të tulipanëve

Kopshti botanik Keukenhof në Holandë, i njohur si kopshti më i madh në botë i tulipanëve dhe i cilësuar si atraksioni kryesor i vendit, këtë vit mirëpret mysafirët e saj me temën “fuqia e lules”.

Keukenhof, një nga kopshtet më të mëdha në botë të luleve, që gjendet në qytetin Lisse, këtë vit hap dyert për herë të 70-të.

Kopshti çdo vit organizon spektaklin e luleve me koncepte të ndryshme, ndërsa tema e këtij viti do të jetë “fuqia e lules”. Fuqia e lules, ngjyrat e ndritshme, stili hippie, paqja dhe muzika përfaqëson atmosferën e viteve 70.

Përgatitjet për kopshtin, në të cilin gjenden thuajse të gjitha llojet e tulipanëve, kanë vazhduar me muaj.

Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanit, kopshti qëndron i hapur vetëm në muajt prill dhe maj.

Këtë vit, në kopshtin me sipërfaqe prej 32 hektarësh, janë mbjellur shtatë milionë lule, shumica tulipanë.

Në kopsht mund të shihen fotografë të shumtë duke shijuar spektaklin e ngjyrave, ndërsa po ashtu organizohen edhe ekspozita të ndryshme dhe shfaqje.

Kopshti siguron mbështetje të mëdha nga familja mbretërore. Deri në mesin e muajit maj, ai pritet të vizitohet nga mbi një milion njerëz nga rreth 100 vende.

Sipas të dhënave zyrtare të Keukenhof, në mesin e vizitorëve të kopshtit, prej të cilëve 80 për qind janë turistë të huaj, të parët radhiten gjermanët, francezët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.

Kopshti u krijua në vitin 1950 dhe atëherë ishte vizituar nga 236 mijë njerëz.

Keukenhof konsiderohet edhe si platformë ku kultivuesit ekspozojnë prodhimet e tyre.

Edhe pse tulipani origjinon nga Turqia, kjo lule asocohet me Holandën dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e saj. Holandezët prodhojnë mbi katër miliardë bulbe të tulipanit në vit, ndëra rreth gjysma e tyre eksportohen jashtë vendit.

Ekspertët vlerësojnë dëmet e zjarrit në Notre Dame

Ekspertët kanë filluar vlerësimin e dëmeve në katedralen Notre Dame të Parisit, pas deklaratës së zyrtarëve se zjarri që shkatërroi kishën e famshme ishte shuar. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Parisit, Gabriel Plus, tha se specialistët dhe arkitektët kishin filluar “studimin e lëvizjeve strukturore dhe shuarjen e materialit të shkrumbuar.”

Megjithëse zjarri shkaktoi dëme masive në ndërtesën e famshme gotike në qendër të Parisit, shefi i brigadës zjarrfikëse të qytetit, Jean-Claude Gallet, u tha gazetarëve se zjarrfikësit kishin shpëtuar dy kullat emblematike të katedrales dhe strukturën prej guri. Flakët, të cilat gjatë djegies shkonin në deri 10 metrash lartësi, shkatërruan një pjesë të mirë të çatisë dhe shkaktuan rrëzimin e saj.

Zyrtarët e Parisit thanë se zjarrfikësit punuan për të shpëtuar sa më shumë vepra arti dhe objekte të shenjta nga katedralja e shekullit të 12-të. Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanual Gregorie tha se copat e Kurorës së supozuar të Krishtit u shpëtuan dhe u transportuan në një vend “sekret”. Gjithashtu, organoja me famë botërore e shekullit të 18-të mbijetoi, tha zyrtari, po ashtu edhe statujat që ishin hequr vetëm disa ditë më parë për restaurimin dhe thesare të tjera brenda katedrales.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse zyrtarët e zjarrfikësve thanë se flaka mund të kishte lidhje me “punimet e rinovimit” që po bëheshin në ndërtesë.

Prokurori i Parisit Remy Heitz tha se është duke u zhvilluar një hetim që përfshin 50 specialistë, i cili do të jetë “i gjatë dhe kompleks”. Heitz tha se hetuesit do të intervistojnë punëtorët e pesë kompanive që punojnë për restaurimin. Zëdhënësi i njërës prej kompanive, Julien le Bras, tha se “të gjitha masat e sigurisë janë respektuar” nga 12 punëtorët e tij, të cilët ai tha se janë “duke marrë pjesë në hetim pa asnjë hezitim”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehte tronditje dhe trishtim duke e quajtur Notrë Damën një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”. Zëdhënësi i Vatikanit Alessandro Gisotti shkruante të martën në Twitter se Papa Françesku po lutej “për ata që po përpiqen të përballojnë këtë situatë dramatike”.

Presidenti Macron tha se do të niste një fushatë kombëtare për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar në këtë përpjekje.

Familja e biznesmenit miliarder francez Bernard Arnault u zotua të dhuronte 226 milionë dollarë për projektin, ndërsa biznesmeni François-Henri Pinault premtoi 113 milion dollarë. Kreu i Bashkimit Evropian Donald Tusk i bëri thirrje bllokut prej 28-vendesh të ndihmojë në përpjekjet e restaurimit.

Zjarri ndodh gjatë një momenti të shenjtë të vitit për të krishterët, më pak se një javë para Pashkëve dhe gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë Katolike. Të dielën në katedrale ishte planifikuar një meshë për Pashkët.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin kambanave në një thirrje për lutje. Konferenca franceze e peshkopëve njoftoi të martën se këmbanat në 103 katedralet katolike në të gjithë vendin do të bien të mërkurën në orën 18:50 UT, koha kur shpërtheu zjarri të hënën.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, me miliona njerëz që shkojnë aty çdo vit. Ajo daton në shekullin e 12 dhe njihet si skena e ngjarjeve të romanit klasik të Viktor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.

Lutje dhe himne për Katedralen e Notrë Damit

Brigada e zjarrëfiksave të Parisit tha të martën se struktura e katedrales së famshme të Notrë Damit është shpëtuar, së bashku me punimet kryesore të artit, pasi 400 zjarrfikës luftuan për më shumë se nëntë orë me një zjarr që shkaktoi dëme masive.

Dy kullat ikonë të ndërtesës dhe struktura e gurit i rezistuan zjarrit , por çatia dhe maja e katedrales së shekullit të 12-të, u shembën nga flaka.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo falënderoi zjarrfikësit dhe oficerët e policisë që ndihmuan në shpëtimin e objekteve të shenjta dhe veprave të mëdha të artit nga katedralja.

Merci aux @PompiersParis, aux policiers et aux agents municipaux qui ont réalisé ce soir une formidable chaîne humaine pour sauver les œuvres de #NotreDame. La couronne d’épines, la tunique de Saint Louis et plusieurs autres œuvres majeures sont à présent en lieu sûr. pic.twitter.com/cbrGWCbL2N

— Anne Hidalgo (@Anne_Hidalgo) April 15, 2019

Ajo tha se Notrë Dami është një vend ku “rezonohet shpirti i Parisit”.

Brigada e zjarrëfikësave tha se dy policë dhe një zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin.

“E keqja më e madhe u shmang, edhe pse beteja nuk është fituar ende plotësisht”, tha presidenti francez Emmanuel Macron para gazetarëve në katedralen pak para orës lokale të mesnatës. Ai tha se do të niste një fushatë kombëtare për grumbullimin e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar me këtë përpjekje.

Disa orë më vonë, miliarderi francez François-Henri Pinault premtoi 113 milionë dollarë ndihma në përpjekjen e rindërtimit, i ndjekur shpejt nga një tjetër miliarder francez Bernard Arnault, familja dhe kompania e të cilit tha se do të kontribuonin me 226 milionë dollarë.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse mediat franceze njoftuan zyrtarët të kenë thënë se ai mund të ishte “i lidhur potencialisht” me punët rinovuese që po bëhen në ndërtesë.

Disa pjesë të ndërtesës ishin nën skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi u hoqën javën e kaluar për rinovimin.

Zyra e prokurorisë së Parisit tha se ka nisur një hetim mbi zjarrin dhe tha se po e trajtonte incidentin si një zjarr “të pavullnetshëm”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehet tronditje dhe trishtim dhe e quajti Notrë Damin një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”.

Zjarri ndodhi gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë, dhe më pak se një javë para Pashkëve. Një meshë për Pashkët ishte planifikuar për në katedrale të dielën.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin këmbanave të kishave në një thirrje për lutje.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë Notrë Damit dhe pastruan zonën rreth katedrales, ndërsa hiri ra mbi blloqet përreth.

Mijëra dashamirës u rreshtuan në urat mbi lumin Senë vonë në mbrëmje për të parë skenën ndërsa të tjerë u mblodhën pranë kishës Saint Julien Les Pauvres duke kënduar himne dhe duke bërë lutje.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, që pret çdo vit miliona njerëz. Ajo është e famshme në portretizimin e romanit klasik të Viktor Hugosë, “Kurrizoja i Notrë-Damit”.

Katedralja Notre Dame përfshihet nga zjarri

Katedralja e famshme Notre Dame e Parisit është përfshirë nga flakët.

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.

Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfiksëve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo shkruante në Twitter: “Një zjarr i tmerrshëm ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin. Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë”.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar.

E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit.

Operacioni i zjarrfikësve është në vazhdim e sipër, por kulmi i ndërtesës gotike 850-vjeçare u shemb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e anuloi fjalimin drejtuar kombit, njoftoi një zyrtar i Pallatit Elysee.

“Jam i pikëlluar sonte që shoh këtë pjesë tonën të digjet”, tha Macron në një postim në Twitter.

Notre-Dame de Paris en proie aux flammes. Émotion de toute une nation. Pensée pour tous les catholiques et pour tous les Français. Comme tous nos compatriotes, je suis triste ce soir de voir brûler cette part de nous.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) April 15, 2019

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen.

Zyra e Prokurorit të Parisit tha se ka hapur një hetim mbi incidentin.

Londra ndan pikëllimin me Parisin, tha kryetari i kryeqytetit britanik, Sadiq Khan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si “simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane”.

“Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-Papa fajëson revolucionin e viteve 1960 për abuzimet seksuale

Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, ka publikuar një letër në të cilën fajëson për abuzimet seksuale të klerikëve, “lirinë e përgjithshme seksuale” të vitit 1960.

Ai thotë në letër se “revolucioni seksual” i viteve 1960 kishte shkaktuar homoseksualitetin në udhëheqjen katolike.

Ish-Papa thotë se pedofilia nuk ka qenë “akute” deri në fund të viteve 80-ta dhe u shkaktua nga “mungesa e Zotit” te njerëzit.

Letra me 5.500 fjalë u botua në revistën katolike gjermane Klerusblatt.

Në pjesën e parë, ish-Papa e quan periudhën e viteve 1960 si një kohë kur “standardet e mëparshme në lidhje me seksualitetin u shembën tërësisht”.

Më pas, letra shqyrton se si revolucioni seksual preku priftërinjtë, duke krijuar “klika homoseksuale” në seminare.

Letra përfundon me zgjidhjen që “ne edhe një herë fillojmë të jetojmë nga Perëndia”.

Në vitin 2013, ish-Papa Benedikti dha dorëheqjen që shënoi rastin e parë në Kishën Katolike, pas pothuajse 600 vjetësh.

Ai falënderoi pasardhësin e tij, Papa Françeskun, “për çdo gjë që ai bën për të na treguar përsëri dhe përsëri, dritën e Perëndisë, e cila nuk është zhdukur, madje as sot”.

Papa Françesku tha në një letër të botuar në vitin 2018 se Kisha “nuk veproi në kohën e duhur” për çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve dhe “nuk tregoi kujdes për të vegjlit, duke i braktisur ata”, transmeton BBC.

Qëllimi i takimit në Berlin është të vazhdojë dialogu pa anulimin e taksës

Pas ftesës së Gjermanisë dhe Francës për të mbledhur presidentët dhe kryeministrat serbë dhe shqiptarë në Berlin më 29 prill, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës nën moton për bashkëpunimin në rajon mund të fshehin një motiv tjetër – se Beogradi pranon të vazhdojë dialogun me Prishtinën pa heqjen e taksës mbi produktet serbe.

Kështu shkruan e përditshmja “Veçernje Novosti”.

Kjo gazetë raporton më tutje se si qarqet individuale diplomatike dhe burimet e saj interpretojnë angazhimin e aksit Berlin-Paris në zgjidhjen e çështjeve kyçe në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në ringjalljen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Siç ka raportuar të mërkurën klankosova.tv në takimin e udhëheqësve shtetëror ballkanas që organizohet nga dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian pritet të marrin pjesë edhe Edi Rama, Ilir Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin, transmeton Klan Kosova.

BE dhe Britania shtyjnë Brexit-in deri më 31 tetor

Bruksel

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, ka deklaruar se “27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britania, janë dakorduar për një shtyrje fleksibël të Brexit-it deri më 31 tetor”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë samitit për Brexit-in të zhvilluar në Bruksel, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Tusk ka njoftuar për dakordmin e BE-së dhe Britanisë për një shtyrje të Brexit-it deri më 31 tetor.

Tusk ka tërhequr vëmendjen se “shtyja fleksibël” i njeh Britanisë 6 muaj afat për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Britania vendosi të largohet nga BE nëpërmjet një referendumi të mbajtur më 23 qershor 2016.

Marrëveshja rreth Brexit-it që Britania ka arritur me BE-në është refuzuar tri herë në Parlamentin e Britanisë, ku në votimet e kryera me iniciativën e deputetëve parlamenti nuk ka dhënë mbështetje me shumicë për asnjë skenar të Brexit-it.

Sipas marrëveshjes që Britania ka arritur me BE-në, Brexiti i cili duhej të ndodhte më 29 mars, u shty për 12 prill. Kryeministrja britanike, Theresa May, duke i dërguar një letër presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, kërkoi shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor.

Gjiganti farmaceutik Bayer shkurton 4 500 vende pune në Gjermani

Berlin

Gjiganti gjerman i industrisë farmaceutike Bayer, thotë se po shkurton 4.500 vende pune në Gjermani.

Kompania gjermane tha sot se shkurtimet janë pjesë e 12.000 reduktimeve të vendeve të punës për të cilat njoftoi vitin e kaluar.

Kompania aktualisht ka rreth 32.100 punonjës në Gjermani.

Bayer aktualisht po vuan pasojat e padive për efektet e dyshuara kancerogjene të Roundup, një herbicidë të cilën e mori me blerjen e rivalit amerikan Monsanto.

Bayer thotë se provat shkencore flasin se produkti është i sigurt dhe se rregullatorët kanë mbështetur këtë përfundim. aa

Danimarka prej 2 vitesh nuk dërgon trupa në NATO

Kopenhagë

Danimarka që prej 2 vitesh nuk dërgon ushtarë në NATO me arsyetimin e “intensitetit dhe se ushtarët janë të lodhur (konsumuar)”.

Siç raporton gazeta “Berlingske”, pretendohet se Forcat e Armatosura të Danimarkës që prej 2 vitesh nuk ofrojnë në shërbimin e Aleancës 700 ushtarët që duhet t’i dërgojnë në NATO.

Burimet ushtarake për gazetën kanë bërë të ditur se 6.000 ushtarët në ushtri janë lodhur për shkak të shumë detyrave që kanë marrë përsipër dhe se për këtë arsye nuk janë dërguar ushtarë në njësitë e NATO-s.

Ndërkohë ekspertët kanë paralajmëruar Forcat e Armatosura të Danimarkës se mosdërgimi i ushtarëve në disa detyra me arsyetimin për lodhjen e tyre mund të shkaktojë “krizë të mungesës së personelit” për një afat të gjatë”. aa

Merkel: Do të luftoj deri në fund për një Brexit të rregullt

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se ditëve të fundit ka parë diskutime thelbësore në Londër sa i përket Brexit-it dhe se ajo shpreson që kryeministrja, Theresa May, do të mund të paraqesë propozime të realizueshme gjatë javës së ardhshme.

Duke folur në konferencë për media së bashku me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Merkel përsëriti se ajo do të luftojë deri në fund për një dalje të rregullt të Britanisë nga BE-ja.

Ndërkohë, ligjvënësit britanikë votuan një masë që detyron kryeministren, Theresa May, të kërkojë nga Bashkimi Evropian zgjatjen e procesit të daljes së Britanisë nga BE-ja, apo Brexit-it, në mënyrë që të shmanget dalja pa marrëveshje, më 12 prill.

Sllovenia inauguron çezmën e parë publike të birrës

Sllovenia është vendi i parë që ka marrë iniciativën për të hapur një çezmë publike birre dhe jo uji. E pabesueshme, apo jo?

Çezma është hapur në qytetin e Zalec, një orë larg kryeqytetit slloven, Ljubjana.

Një projekt i tillë nuk do jetë i lejueshëm për njerëzit që kanë probleme me alkoolin, pasi kjo ide shoqërohet me një sërë normash.

Aty gjendet edhe “Savinja Loë Valley”, apo siç njihet ndryshe, lugina e floririt të gjelbër, për plantacionet e shumta të lupolës, përbërësi kyç i përgatitjes së birrës.

Vizitorët që duan të vizitojnë çezmën e birrës duhet të paguajnë 6 euro në këmbim edhe të një krikëlle kujtim dhe një bilete për të mbushur 3 gota birrë, të cilat mund t’i konsumojnë kur të duan gjatë turneut.

Duket një projekt i thjeshtë, por ka dashur investimin e 350.000 eurove dhe është aprovuar nga Këshilli bashkiak.

Nuk dihet se sa kohë do funksionojë çezma, ndaj nëse jeni të apasionuar me birrën, mos e humbisni shansin për të vizituar një ‘monument’ të tillë.

Kurz: Pa përparuar në marrëdhëniet me Kosovën, nuk ka vend për Serbinë në BE

Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se çdo zgjidhje e mundshme për problemin e Kosovës duhet të mbështetet nga fuqitë e mëdha, veçanërisht anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai theksoi se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se pa përparim të qartë në marrëdhëniet me Kosovën nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin Evropian.

“Është në interesin tonë të jemi në partneritet të ngushtë me SHBA kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe të kemi mbështetjen e tyre në inkurajimin e përparimit në arritjen e një zgjidhjeje për këtë çështje të rëndësishme”, tha Kurz në një intervistë për revistën Cord.

Ukraina ndalon të gjitha fluturimet drejt Rusisë

Qeveria ukrainase ka ndaluar fluturimet e paplanifikuara drejt Rusisë, pas një vizite në Moskë që kanë realizuar dy politikanë opozitarë.

Ky veprim është inicuar nga ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov, i cili ka thënë më 3 prill se kandidati presidencial, Yuriy Boiko dhe kryetari i partisë opozitare, Platforma Opozitare, Viktor Medvedchuk kanë shfrytëzuar një “hapësirë në legjislacionin e Ukrainës” kur janë nisur drejt Moskës muajin e kaluar.

Avakov ka thënë se ndalimi nuk do të aplikohet për fluturimet e organizatave ndërkombëtare, siç është Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Kombet e Bashkuara apo Kryqi i Kuq.

Kryeministri ukrainas, Volodymyr Hroysman ka thënë “se këto kufizime do të zbatohen derisa Rusia të mos jetë më shtet agresor dhe të kthehet në një shtet të civilizuar”.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Yuriy Lutsenko ka thënë se do të nisë hetime kundër dy politikanëve opozitarë për “kalim të paligjshëm kufitar”.

Fluturimet direkte në mes të të dyja shteteve janë ndaluar në tetor të vitit 2015, pas vendimit të Mokës për të aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014, si dhe për mbështetjen u ofron separatistëve në konfiktin që zhvillohet në lindje të Ukrainës.

NATO me masa shtesë për të penguar agresionin rus në Detin e Zi

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të diskutojnë këtë javë në Uashington, mbi të gjitha elementet e kërcënimit që paraqet Rusia si dhe do të shqyrtojnë një sërë masash për të forcuar praninë e aleancës ushtarake në Detin e Zi, deklaroi një zyrtar i lartë i SHBA-së, raporton Reuters.

“Fokusi i bisedimeve do të jetë në mbrojtje dhe në masat parandaluese të aleancës në rajonin e Detit të Zi”, deklaroi ai.

Zyrtari i lartë amerikan duke folur në kushte anonimiteti tha se aleati i NATO-s, Turqia mbetet një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, por theksoi se planet e Ankarasë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore, paraqesin shqetësim.

“Marrëdhëniet tona nuk përcaktohen nga vetëm kjo çështje por megjithatë ajo paraqet shqetësim të madh”, deklaroi zyrtari amerikan.

Humoristi Volodymyr Zelenskiy udhëheq në zgjedhjet për president në Ukrainë

Humoristi pa përvojë politike, Volodymyr Zelenskiy, ka fituar më së shumti vota në raundin e parë te zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, bazuar në rezultatet e sondazheve dhe rezultatet e para të komisionit zgjedhor.

Zelenskiy është thënë të ketë fituar 30.4 për qind të votave derisa presidenti aktual, Petro Poroshenko 17.8 për qind.

Që të dy këta kandidatë, që kanë bërë deklarata pro-evropiane, pritet të garojnë sërish muajin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur, mirëpo ky nuk është hapi i fundit”, është cituar të ketë thënë Zelenskiy.

Poroshenko në anën tjetër e ka përshkruar këtë rezultat si “mësim të ashpër”.

Për dallim nga Zelenskiy dhe Poroshenko, ish-kryeministrja, Yulia Tymoshenko duket se është eliminuar nga gara.

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se janë raportuar qindra shkelje të procesit zgjedhor, derisa vëzhguesit e jashtëm kanë thënë se ky proces është realizuar kryesisht mirë.

Garës për president i janë bashkuar 39 kandidatë, mirëpo asnjëri nuk ka fituar 50 për qind të votave, çka do të rezultojë me raund të dytë mes dy kandidatëve me më së shumti vota më 21 prill.

Presidenti ukrainas ka fuqi të rëndësishme për siguri, mbrojtje dhe politikë të jashtme të shtetit.

Berlusconi do të garojë për deputet në Parlamentin Evropian

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi tha se ai do të garojë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që mbahen në muajin maj, pasi, siç u shpreh ai, dëshiron që të luftojë për një BE më të bashkuar.

Berlusconi, 82-vjeçar, e bëri publik lajmin për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, gjatë konventës së partisë së tij të qendrës së djathtë Forza Italia, e cila ka humbur mbështetjen viteve të fundit, për shkak se votuesit kanë zgjedhur parti të tjera të djathta, që kanë diskurs anti-migrantëve dhe janë euroskeptikë, siç është Partia Liga. Kjo parti udhëheqItalinë dhe është në koalicion me lëvizjen Pesë Yjet.

Partitë e koalicionit qeverisës në Itali dëshirojnë që të ndalin procesin e integrimit evropian dhe që fuqia të rikthehet te qeveritë e shteteve të BE-së.

Por Berlusconi tha se dëshiron pikërisht të kundërtën. Ai tha se dëshiron që Evropa të “rikthehet në projektet e themeluesve të saj, të cilët dëshironin një Evropë më të bashkuar, një Evropë me një politikë të jashtme të përbashkët dhe me një politikë të përbashkët të mbrojtjes”.

Berlusconi tha se nëse Evropa bashkohet ushtarakisht, atëherë do të ishte “fuqi” e madhe botërore.

Berlusconi, që ka shërbyer për tri mandante si kryeministër i Italisë, në muajin janar fillimisht e kishte përmendur mundësinë e garimit në zgjedhjet evropiane.

Për gati pesë vjet, Berlusconit i ishte ndaluar që të garonte për ndonjë post publik, pasi ishte dënuar për mashtrim me taksa. Por, vitin e kaluar, një gjykatë vendosi që t’ia heqë këtë ndalesë.

Kulla Eiffel fik dritat një orë për “Orën e Tokës”

Ndërtesa të njohura në gjithë globin mbrëmë i kanë ndalur dritat në kuadër të shënimit të “Orës së Tokës”, për të tërhequr vëmendjen për ndryshimet klimatike që po ndodhin.

“Ora e Tokës” është një ngjarje ndërkombëtare që është organizuar nga World Wildlife Fund, WWF.

Qëllimi është që të mbrohet toka nga njeriu, pasi sipas kësaj organizate ajo është duke u dëmtuar.

Kjo është hera e 13 që organizohet kjo orë për token dhe është mbajtur nga ora 20:30 deri në 21:30, shkruan Klan Kosova.

Kremlini në Moskë, Empire State Building dhe selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Kulla Eiffel në Paris dhe Akropolisi në Athinë, ishin në mesin e ndërtesave dhe monumenteve, në qytetet e 170 vendeve në gjithë botën, që i kanë ndalur dritat për 60 minuta.

Sllovakia zgjedh presidenten e parë grua

Bratisllavë

Zuzana Caputova, sipas rezultateve paraprake është zgjedhur presidentja e parë grua e Sllovakisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Caputova, 45 vjeçare, fitoi balotazhin presidencial të së shtunës me më shumë se 58 për qind të votave.

Në raundin e parë, Caputova mori 40 për qind të votave, ndërsa sfiduesi më i fortë i saj, kandidati i Partisë në pushtet Smer Maros Sefçoviç mori mbi 18 për qind.

Sllovakia u shkëput nga Republika Çeke në vitin 1993 dhe shpalli pavarësinë e saj.

Kancelari austriak konfirmon lidhjet mes terroristit të Zelandës së Re dhe grupeve nacionaliste në Austri

Kancelari Austriak ka konfirmuar këtë të mërkurë se autoritetet kanë gjetur lidhje financiare mes terroristit Brenton Tarrant, që kreu sulmin në xhaminë e Zelandës së re, dhe grupeve nacionaliste në Austri.

Kurz shtoi se qeveria Austriake po bën përpjekje për ta shkatërruar këtë grup, i njohur ndryshe si Lëvizja e Identitetit Austriak, pasi që agjentët e inteligjencës kanë zbuluar lidhje financiare të cilat ndihmonin terroristin për tu pajisur, transmeton Gazeta Express.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë, asnjë lloj i ekstremizmit, çfarë do qoftë ai radikal islamik, apo ekstremizëm i krahut të djathtë, nuk ka vend në shoqërinë tonë.” tha Kurz.

Komentet e kancelarit vijnë pas deklaratës së sekretarit të policisë lokale të Grazit, se ata janë duke hetuar grupe të lidhura me terroristin. Bacher ka konfirmuar se grupi i dyshuar ka transferuar 1.500 euro në fillim të vitit 2018, si shenjë donacioni për të dyshuarin e sulmit në Christchurch.

Bacher shtoi se shuma e dhuruar, çuditërisht është më e madhe se donacionet tjera që i ka bërë ky grup.

Ndërkohë grupi ka mohuar se kanë qenë në dijeni të sulmit.

“Unë nuk jam pjesë e një organizate terroriste. Nuk kam të bëjë asgjë me atë njeri” tha Sellner, kryetar i grupit të dyshuar.

Kujtojmë se terroristi që sulmoi xhaminë në Zelandë të Re, ka bërë disa herë udhëtime drejt Evropës, e sidomos në Ballkan. /Express/


Send this to a friend