VOAL

VOAL

Ministri i Brendshëm Salvini i shqetësuar për situatën në Shqipëri, zbulon telefonatën me Metën

Ministri i Brendshëm dhe njëherazi Zv.kryeministri i Italisë, Matteo Salvini shprehet se ka zhvilluar një telefonatë edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka diskutuar se si mund ta ndihmojë me krizën në vend.

“Pasdite të mbarë nga zyra e ministrisë së Brendshme. Kam pasur një ditë impenjative. Telefonova homologun libian. Kam dëgjuar edhe presidentin shqiptar për t’u munduar të kuptoj se si mund ta ndihmojmë një vend të vogël, fqinj dhe mik me ne. Kemi folur për të evituar destabilitetin dhe përplasjet e forta civile”, – ka thënë Salvini në një video “live” nga zyra e tij, ku ka folur sërish edhe kundër politikave që Bashkimi Europian po ndjek për të parandaluar emigracionin, duke lënë të kuptohet se e “përveshur mëngët” për ta zgjidhur vetë problemin.

“Emigracioni nuk mund të menaxhohet nga anijet e jashtëligjshme: ne jemi të gatshëm të bllokojmë çdo lloj paligjshmërie. Kush bën një gabim, paguan. P.S. Evropa? Mungon, si gjithmonë”, – shkruan Salvini mbi përshkrimin e videos.

Kabineti i Macronit: Nuk ka takim në Paris

Kabineti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar të mbahet në Paris më 1 korrik, nuk do të mbahet.

Takimi, nën organizimin e Macronit dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, është paralajmëruar gjatë një takimi të formatit të ngjashëm në Berlin, në fund të prillit.

Të enjten, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi mundësinë që samiti në Paris të mos mbahet.

“Nëse përgatitjet shkojnë mirë, do të mbahet me siguri. Nëse jo, mund të shtyhet”, tha Haradinaj në një konferencë shtypi.

Të premten, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se takimi në Paris nuk do të zhvillohet.

Zuzana Caputova inaugurohet si presidentja e parë e Sllovakisë

Bratisllavë

Aktivistja liberale ekologjike dhe avokatja Zuzana Caputova u inaugurua si gruaja e parë presidente e Sllovakisë.

Caputova dha betimin të shtunën në një seancë të veçantë të Parlamentit, dhe në këtë mënyrë u bë presidentja e pestë e Sllovakisë që nga pavarësia e këtij vendi, pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitin 1993.

Ndonëse 45-vjeçarja ka pak përvojë në politikë, tërhoqi votuesit të cilët ishin të shqetësuar nga korrupsioni. Zgjedhja e saj në një detyrë kryesisht ceremoniale sfidon valën që favorizon populistët ekstremë të djathtë në të gjithë Evropën.

Presidenti i një shteti prej 5.4 milionë banorësh ka fuqinë të emërojë mandatar të Qeverisë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të vërë veton ndaj ligjeve. Parlamenti, megjithatë, mund të anashkalojë veton me shumicë të thjeshtë. Qeveria, e udhëhequr nga kryeministri, ka shumicën e pushteteve ekzekutive.

Flota amerikane udhëheq stërvitjen e NATO-s në Balltik

njësitë e marinsave amerikanë duke zbarkuar gjatë një stërvitjeje ushtarake në vendet balltike

Një stërvitje e madhe ushtarake ku marrin pjesë forcat detare të 18 vendeve po zhvillohet në Balltik dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Kjo është stërvitja e 47-të e përvitshme operacionale, e njohur me emrin BALTOPS. Këtë radhë, ajo udhëhiqet nga Flota e Dytë e Marinës Amerikane, që u rikrijua së fundmi për të mbrojtur Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Përpara fillimit të stërvitjes, Flota i dha korrespondentes së Zërit të Amerikës, Carla Babb, qasje ekskluzive tek shtabi i saj në Norfolk të Virxhinias.

Stërvitja Baltops është një nga më të mëdhatë në Evropën veriore. Marrin pjesë 50 anije, dy nëndetëse, 36 avionë dhe mbi 8 mijë trupa.

Por, ushtrimi i këtij viti udhëhiqet nga një komandant që nuk e ka selinë në Evropë, por matanë oqeanit në Norfolk, të shtetit amerikan Virxhinia.

Nënadmirali amerikan Woody Lewis, komandanti i Flotës së 2-të Amerikane, i tha Zërit të Amerikës se fleksibiliteti i kësaj flote të vogël është një ndër avantazhet e saj më të mëdha.

“Mund të qëndroj me një pjesë të stafit në këtë anije, ose në një aeroplanmbajtëse, apo në një vendndodhje të thjeshtë diku tjetër”, thotë Nënadmirali Lewis.

Flota e 2-të ruan Atlantikun e Veriut dhe Arktikun. Ajo ishte mbyllur në vitin 2011, në një periudhë shkurtimesh buxhetore dhe kur këto ujëra nuk kishin nevojë për shumë mbrojtje ushtarake.

Por, kohërat kanë ndryshuar. Drejtuesit ushtarakë amerikanë thonë se Rusia ka shtuar lëvizjet në nivelet e Luftës së Ftohtë dhe Kina ka filluar gjithashtu operacione në këtë rajon.

“Kur i planifikojmë këto stërvitje dhe manovrojmë me anijet dhe avionët tanë, në mendje kemi Kinën dhe Rusinë, dhe si ta fitojmë këtë betejë të nivelit të lartë”, thotë Komandante Tara Golden, e seksionit të Trajnimit dhe Zhvillimit në Flotën e 2-të Amerikane.

Dhe nuk janë të shqetësuara vetëm Shtetet e Bashkuara.

NATO ka krijuar një komandë të re për t’u përballur me një Rusi të fuqizuar në Atlantikun e Veriut. Nënadmirali Lewis drejton edhe këtë komandë.

Komandanti suprem i NATO-s për transformimin, i cili drejton zhvillimin e strategjive të ardhshme të aleancës, i tha Zërit të Amerikës se kjo komandë e sapokrijuar do të forcojë lidhjet mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, ndërsa po shtohet paqëndrueshmëria globale.

“Kjo është një ndër mënyrat konkrete se si Aleanca po përshtatet. Duhet të ushqehemi vazhdimisht me konkluzionet e nxjerra në terren, në mënyrë që të përshtasim aftësita tona”, thotë Gjenerali francez Andre Lanata, Komandant Suprem i NATO-s për Transformimin.

Tashmë, Flota e 2-të është krijuar dhe po zhvillon operacione. Pritet që deri në vitin 2021, edhe NATO të ketë flotën e saj për këtë pjesë të globit.

(Video) Madeleine Albright: Falë NATO-s ne e përmbushëm kauzën tonë! Kosova ishte e lirë!

Fjala e Sekretares të Shtetit të SHBA Madam Madeleine Albright me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

 

Ja fokusi kësaj here i Piktorit të shquar Avni Delvina

Ja fokusi kësaj here i piktorit të shquar Avni Delvina:
Në Konferencë shtypi me Edi Ramën kryekomisioneri i BE Jean-Claude Juncker ngatërroi datën e zgjedhjeve nga qershor e bëri prill.
Gazetarët reaguan me të qeshura dhe ilaritet!

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker: Zgjedhjet në prill!

Lapsusi i Junkerit për zgjedhjet, gazetarët s’e mbajnë të qeshurën

 

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka qenë shpeshherë në shenjestër të mediave për sjelljet e tij të çuditshme apo lapsuset në publik.

Ai “goditi” edhe sot në konferencën për shtyp me Edi Ramën, kur tha se “zgjedhjet në Shqipëri duhet të mbahen me 30 Prill”.

Gazetarët ia dhanë të qeshurës, kurse Rama e ndihmoi duke i thënë se “janë në qershor”.

Juncker: Do të mbahen zgjedhjet në Shqipëri, në fund të muajit…prill?
Rama: Qershor.
Juncker: Po, domethënë, janë në muajin e fundit…
(Gazetarët qeshin)
Juncker: Ah, po qershor, këto zgjedhje duhet të mbahen, dhe shqiptarët duhet të votojnë.

 

 

Macron: Jemi në prag të një kohe lufte

Bota po kalon në një krizë të thellë, dhe mund të jetë në prag të një kohe të luftës, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë një fjalimi të mbajtur të martën në Gjenevë.

“Unë besoj se sot ne jemi në prag të një kohe lufte dhe kjo luftë është e pranishme në demokracitë tona, është kriza e thellë që po kalojmë. Ne mund të zgjedhim të jemi somnambul, por nëse duam përparim të vërtetë, ne duhet të bëjmë angazhime serioze”, tha ai.

Macron bëri thirrje për një përpjekje botërore, në adresimin e kërcënimeve siç janë: pabarazia, ndryshimet teknologjike dhe ato klimatike.

“Unë mendoj se kaosi është këtu dhe është përgjegjësia e brezit tonë që të mos presim për një luftë të re, por të shohim gjendjen në botë ashtu siç është”, tha Macron.

Presidenti 41-vjeçar i Francës, e ka vënë veten në ballë të një lëvizjeje liberale duke kundërshtuar ngritjen e së djathtës në Evropë.

Pozicioni i tij brenda Francës është dëmtuar, nga protestat disa muajshe kundër reformave ekonomike, duke përfshirë një taksë të karburantit.

Qeveria gjermane: Mafia italiane përdor bandat shqiptare për trafikun e kokainës

Grupe të organizuara kriminale me prejardhje nga Shqipëria punojnë në Gjermani, për llogari të mafies italiane.

Pohimin e ka bërë qeveria gjermane pas kërkesës së Të Gjelbërve mbi ndikimin që mafia italiane ka në vend.

Ndër të tjera në përgjigjen e saj thuhet: “Mendohet gjithashtu se disa anëtarë të Krimit të Organizuar Italian bashkëpunojnë me korrierë të lëndëve narkotike dhe grupime që kanë prejardhje shqiptare.

Kjo prek nga njëra anë sektorin e trafikimit të produkteve me kanabis, të cilat prodhohen kryesisht në Shqipëri.

Veç kësaj vihet re një ndarje pune në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainës) nga Amerika e Jugut për në Europë dhe transportin e mëtejshëm brenda Europës. Pjesëtarët e Krimit të Organizuar Italian organizojnë blerjen e kokainës në vendet përkatëse.

Personat me prejardhje shqiptare dhe strukturat e tyre marrin përsipër detyra logjistike duke e transportuar mallin ilegal nga portet detare të Europës dhe duke e shpërndarë atë më tej në Evropë”, thuhet në raportin e cituar nga DW.

Përveç shqiptarëve, mafia italiane bashkëpunon në Gjermani me edhe me grupime rokerësh ose grupe të ngjashme si edhe me banda të krimit të organizuar ruso-eurazik. Sipas një raportit policor të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjermane, shqiptarët zënë vendin e katërt ndër të huajt që kapen nga policia gjermane për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar. Sipas qeverisë gjermane, organizata mafioze ‘Ndrangheta, e cila konsiderohet nga më të rrezikshmet, ka 800-1000 anëtarë në Gjermani.

Top Channel

DW: Merkel refuzon kërkesën e KE për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Sipas një raportimi të gazetës së njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung” të premten (07.06) kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë një refuzim të qartë kërkesës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtë ajo e ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën, sipas informacioneve të “Süddeutsche Zeitung”. Merkel  ka bërë të qartë, se një vendim për këtë pritet më së hershmi në tetor.

 

Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.

CDU/CSU dhe SPD me qëndrime të ndryshme

Mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian në fund të majit. KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit, ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme  raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, ka thënë Wadephul në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit të KE në fund të majit. Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018.

Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës./DW

BE nis proces disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të nisë proces disiplinor ndaj Italisë me arsyetimin se nuk ka ulur borxhin e lartë publik.

Anëtarët e Komisionit Evropian (KE) u takuan në Bruksel për një mbledhje javore të Kolegjit. Në takim u diskutua nëse do të inicohej apo jo një proces disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik.

Pas takimit, KE njoftoi vendimin për fillimin e një procesi disiplinor me arsyetimin se Italia nuk ka ndërmarrë masa efektive për të reduktuar borxhin e saj të lartë publik.

Sipas rregullave të BE-së, deficitet buxhetore të vendeve anëtare nuk duhet të kalojnë 3 për qind të PBB-së (Produkti i Brendshëm Bruto) së tyre dhe borxhet publike nuk duhet të tejkalojnë 60 për qind të PBB-së së tyre. Kur tejkalohet ky limit, masat që duhet zbatuar duhet t’i komunikohen KE-së dhe duhet të ndërmerret një luftë efektive.

Në fund të procedurës në fjalë, ndaj vendit përkatës mund të aplikohen sanksionet financiare. Në fund të procesit disiplinor, Italisë mund t’i vendoset një gjobë rreth 3-4 miliardë euro.

Por procesi disiplinor merr një kohë të gjatë dhe në lidhje me vendimin përfundimtar për dhënien e dënimit kërkohet miratimi nga vendet anëtare të BE-së.

Krahasuar me të ardhurat kombëtare, Italia është vendi me borxhin më të lartë publik në BE pas Greqisë, ku borxhi i saj publik aktualisht kalon 132 për qind të PBB-së së saj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) borxhin e lartë të Italisë e sheh si një rrezik të madh për ekonominë e Eurozonës, krahas konflikteve globale të tregtisë dhe Brexit-it të ashpër.

Çfarë e pret Italinë

Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare i BE-së deri më 19 qershor do të vendosë nëse do të mbështesë apo jo raportin e Komisionit.

Nëse Këshilli e mbështet raportin e Komisionit për fillimin e një procesi disiplinor, procesi do të shqyrtohet në takimin e ministrave të Financave të BE-së që do të mbahet në mesin e muajit korrik. Ministrat në këtë takim do të vendosin nëse do të mbështesin apo jo ndëshkimin disiplinor.

Në rast se ministrat mbështesin ndëshkimin (masën) displinor, nga Italia do të kërkohet të jetë e angazhuar me rregullat e Unionit në çështjen e shtrëngimit të buxhetit publik dhe për të siguruar disiplinën fiskale.

Italia mund të përballet me sanksione të pavërejtura më parë nëse ballafaqohet me probleme në zbatimin e rregullave të buxhetit të BE-së dhe disiplinës fiskale.

Nga ana tjetër, edhe pse shumë vende anëtare të BE-së janë përballur me procedura të hapura disiplinore gjatë krizës financiare të Eurozonës, ndaj asnjërës prej tyre nuk janë vendosur gjoba. aa

Gjykata e Lartë Spanjolle bllokoi zhvarrimin e mbetjeve të Frankos nga mauzoleumi

VOAL – Gjykata e Lartë Spanjolle bllokoi zhvarrimin e mbetjeve të Francisko Frankos nga mauzoleumi në varrezat e El Pardos. Transferimi i mbetjeve të Frankos, i vendosur nga qeveria e Pedro Sanchez, ishte caktuar për të hënën e ardhshme.

Gjykata e Lartë Spanjolle pezulloi zhvarrosjen në pritje të një vendimi përfundimtar mbi ankesën e paraqitur nga anëtarët e familjes së diktatorit.

Largimi ka qenë subjekt i debatit dhe konfrontimit në Spanjë për vite me rradhë. Nga njëra anë, ata që besojnë se prania e varrit në memorial kushtuar viktimave të luftës civile 1936-39 është një mungesë respekti. Nga ana tjetër, nostalgjikët e “caudillo”, që vdiq 43 vjet më parë.
ATS

E djathta ekstreme ka kërcënuar politikanin e vrarë gjerman Walter Lubcke

Berlin

Politikani i shquar për politikat “pro-refugjatë” i vrarë në Hesse të Gjermanisë të dielën, ka qenë i kërcënuar me vdekje nga grupe të së djathtës ekstreme.

Policia gjermane thotë se Walter Lubcke, i njohur për mbështetjen e tij për politikën e kancelares Angela Merkel për dyer të hapura për refugjatët, vdiq nga plagët në kokë që kishte marrë duke qenë në kopshtin e tij.

E përditshmja Die Tageszeitung shkruan sot se politikani konservator (65 vjeçar) ishte kërcënuar me vdekje nga pjesëtarët e të djathtës ekstreme si dhe nga anëtarët e lëvizjes Reichsbuerger, të cilët e refuzojnë legjitimitetin e shtetit modern gjerman, pasi sipas bindjes së tyre, Gjermania ende mbahet e pushtuar nga forcat aleate.

Policia tha të hënën se nuk ka prova të cilat flasin për një motiv të ekstremit të djathtë, edhe pse po hetojnë të gjitha pistat e mundshme.

Lubcke, anëtar i partisë së Merkelit, Unioni Kristian Demokratik (CDU), në kohën e vrasjes shërbente si president i qarkut të qytetit Kassel, të cilin post e mbante që nga viti 2009. aa

Holanda edhe zyrtarisht kërkon pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë

Holanda i dërgoi njoftim zyrtar Komisionit Evropian se dëshiron të iniciojë mekanizmin për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Natasha Bertaud, zëdhënëse e Komisionit Evropian, tha se Komisioni “do të shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e njoftimit, bazuar në informacionet relevante”.

“Komisioni Evropian tani do të njoftojë Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin Evropian dhe njoftimi do të jetë subjekt i një vlerësimi dhe një analize serioze”, tha Bertaud.

Njoftimi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, arriti më 31 maj, ndërsa Komisioni Evropian ka një muaj kohë për ta shqyrtuar këtë kërkesë.

Këta hapa janë rezultat i një nisme të deputetëve holandezë, të cilët e kanë arsyetuar këtë kërkesë me, siç kanë thënë, rritjen e aktiviteteve kriminale të mafias shqiptare në Holandë.

Sipas tyre, këto organizata kriminale e keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza në Evropë dhe në këtë mënyrë e zgjerojnë rrjetin e tyre të kontrabandës.

Qytetarët e Shqipërisë lëvizin pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian qysh në vitin 2010.

Kërkesa e Holandës për pezullimin e regjimit pa viza për Shqipërinë është e para e këtij lloji.

Sipas procedurës, Komisioni Evropian duhet të informohet me kërkesën e tillë nga një ose më shumë shtete anëtare. Pastaj, ky institucion duhet të vlerësojë nëse është i nevojshëm veprimi, bazuar në të dhënat dhe informatat relevante.

Gjermani, guvernatori i rajonit Kassel gjendet i vdekur

Berlin

Guvernatori i rajonit Kassel në Gjermani, Walter Lubcke u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm në oborr para shtëpisë së tij.

Policia e provincës Hessen njoftoi se shkaqet e vdekjes janë të panjohura dhe se kanë nisur hetimet rreth rastit.

Paralelisht me këtë, mediat gjermane raportojnë se se trupi i Lubcke u gjet me plagë nga armë zjarri në kokë dhe se hetimet do të përcaktojnë nëse ishte vrasje apo vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar një numër i madh policësh dhe hetuesish të cilët po kërkojnë armën me të cilën Lubcke u vra.

Politikani 65-vjeçar Lubcke, anëtar i Unionit Kristian-Demokratik në pushtet (CDU) ishte deputet në parlamentin krahinor në Hessen. aa

Në Berlin me mijëra në shesh me kippah – Kundër antisemitizmit, edhe deputetët dhe diplomatët

VOAL – BERLIN, 1 QERSHOR – Politikanë gjermanë dhe diplomatë të huaj të veshur me një kippah morën pjesë në demonstratën kundër antisemitizmit të organizuar në Berlin pas polemikave mbi këshillën e një zyrtari qeveritar që të mos veshin kapele fetare hebreje për të shmangur agresionin. Për Ku’damm, qendra e supermarketeve në Berlinin Perëndimor, ambasadori izraelit Jeremy Issacharoff dhe komisioneri i qeverisë gjermane për luftën kundër antisemitizmit Felix Klein, i cili me fjalët e javës së kaluar kishin shkaktuar një stuhi reagimesh. Grumbullimi ishte paralel me demonstratën vjetore të palestinezëve që kërkonin kthimin e Jeruzalemit në Palestinë, zakonisht një rast për sulme dhe parulla anti-semite. Ndoshta edhe për shkak të pranisë së konsiderueshme të policisë, nuk pati trazira në demonstratën ku morën pjesë mijëra njerëz, shumë prej tyre me kippah në kokat e tyre. ansa

LETRA – Holanda i kërkon zyrtarisht Brukselit: Pezulloni vizat për Shqipërinë

 

Holanda ka dorëzuar sot zyrtarisht në Komisionin Europian projekt-rezolutën e miratuar pak kohë më parë në parlament, duke kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët.

Në letrën drejtuar komisionerit për migrimin dhe punët e jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda i kërkoi Komisionit Europian të pezullojë vizat për shtetasit shqiptarë.

Historike, për të parën herë Austria do të ketë një kancelare grua

Për të parën herë në historinë e këtij shteti, Austria do të ketë kancelare një grua. Presidenti i Austrisë do emërojë kryesuesen e Gjykatës Supreme të Austrisë si kryeministre të përkohshme deri sa të mbahen zgjedhjet e reja në shtator.

Ky vendim i kreut të shtetit austriak, Presidenti Alexander Van der Belen erdhi pasi  këtë të hënë qeveria e drejtuar nga Sebastian Kurz humbi mocionin e votëbesimit në parlament.

Brigitte Bierlein, e cila ka drejtuar  Gjykatën Kushtetuese që nga shkurti i vitit 2018 do të jetë kancelare e përkohshme e Austrisë.

President of the Constitutional Court Brigitte Bierlein looks on following a statement after she was named as interim chancellor by Austrian President on May 30, 2019, at the Chancellery in Vienna. (Photo by HANS PUNZ / APA / AFP) / Austria OUT (Photo credit should read HANS PUNZ/AFP/Getty Images)

Kriza e cila çoi në rrëzimin e qeverisë u shkaktua nga një video e zëvendëskancelarit austriak, Heinz-Christian Strache, që u shfaq më herët këtë muaj. “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku ai shfaqej tek i ofronte kontrata shtetërore një ilogarkeje të dyshuar ruse, në shkëmbim të mbështetjes për fushatën zgjedhore.

“Kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe situata të jashtëzakonshme kërkojnë vendosmëri të jashtëzakonshme”, tha Van der Bellen të enjten në Bierlein.

Negociatat – CDU/CSU: Asnjë kusht i plotësuar, Bundestagu do vendosë në shtator

Grupi Parlamentar i CDU/CSU ka reaguar pas publikimit të Progres Raportit për Shqipërinë.

Në një qëndrim zyrtarë dy ky grupim i deputetëve gjerman thekson se Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë kusht për të qenë pjesë e BE-së. Grupi i CDU/CSU-së thekson se Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit.

Ndërkohë që gjermanët rekomandojnë dialog mes qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer atë që e quajnë krizë shtetërore.

Shqipëria nuk ka përmbushur asnjë kusht

Grupi parlamentar i CDU/CSU do të analizojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do t’i krahasojë atë me analizat e tjera në dispozicionin e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar kushtet për nisjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet. Megjithatë, një shqyrtim i tillë nuk duhet bërë me ngut. Kjo nuk do ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe do të ishte e padrejtë edhe për vendet në fjalë. Në këtë kuptim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit- siç u pajtuam me kolegët e grupit parlamentar të SPD-së.

Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç u kërkua nga ministrat e Jashtëm të BE më 28 qershor të vitit 2018. Nuk ka një sistem gjyqësor funksional. Nuk funksionojnë as Gjykata Kushtetuese dhe as Gjykata e Lartë. Nuk janë krijuar as njësia antikorrupsion SPAK dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivele të ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak raste të procedimeve për korrupsion në nivele të larta dhe as dënime. Në mënyrë të ngjashme janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm nuk është miratuar akoma”.

“Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë mes qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën shtetërore. Grupi parlamentar i CDU/CSU është ende i gatshëm që të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk mund të përjashtohet që nga fillimi”./PANORAMA

Riaktivizohet vullkani Etna në Itali

Madrid

Vullkani Etna, në Sicili të Italisë përsëri është aktiv. Etna është vullkani më i madh në kontinentin evropian, ndërsa ka filluar të nxjerrë lavë dhe hi nga krateri në pjesën juglindore dhe verilindore.

Drejtori i Institutit për hulumtime gjeografike dhe vullkanike, Eugenio Privitera, tha se kjo është një fazë e re e shpërthimit të vullkanit.

“Kjo mund së shpejti të përfundojë, por mund të zgjasë disa muaj. Aktualisht nuk ka rrezik për njerëzit të cilët jetojnë në zonë, por, për shkaqe sigurie duhet të kontrollohet fluksi i turistëve”, tha Privitera.

Aktualisht gjendja e vullkanit nuk vështirëson fluturimet drejt aeroportit në Katania. aa

Skocia kërkon referendum të ri për pavarësi

Londër

Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon ka deklaruar sot se kanë hartuar një projektligj që mundëson mbajtjen e një referendumi të ri për shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Sturgeon tha se referendumi për pavarësinë deri në vitin 2021 u ka dhënë skocezëve mundësinë të deklarohen nëse duan që Skocia të jetë një vend i pavarur evropian ose të pajtohen me Brexit-in e imponuar, apo largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Projektligjin për referendumin e ri e publikoi Partia Kombëtare (SNP) e cila në krye me Sturgeon fitoi 38 për qind të votave dhe fitoi në zgjedhjet parlamentare evropiane të javës së fundit në Skoci.

“Më shumë se kurrë më parë e kemi të rëndësishme të mbajmë të hapur mundësinë për Skocinë, ashtu që njerëzit të kenë mundësinë të përcaktohen për të ardhme më të mirë”, ka thënë Sturgeon.

Ajo gjithashtu tha se është e rëndësishme që dhe qeveria britanike të kuptojë se do të ishte e turpshme që të përpiqen për të bllokuar një referendum të tillë dhe shtoi se çdo përpjekje e tillë është e destinuar me dështim.

Skocia në vitin 2014 mbajti referendumin për pavarësi, ku shumica prej 55 për qind e votuesve refuzuan largimin nga Mbretëria e Bashkuar. Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May pati thënë më parë se ky ishte një referendum që organizohet njëherë dhe ku votuesit sollën një vendim afatgjat.

Dy vite më vonë, në vitin 2016, votuesit në Britani të Madhe me shumicë votuan largimin nga Bashkimi Evropian, por votuesit në Skoci votuan për të qëndruar në BE, ose më saktë, 62 për qind e votuesve në Skoci votuan për qëndrimin e Britanisë në BE.

Sturgeon dhe udhëheqësja e SNP-së argumenton se votuesit në Skoci janë të mashtruar me politikën zyrtare të Londrës gjatë referendumit të parë për pavarësi.

Ajo pret që projekt-ligji për referendumin deri në fund të vitit të miratohet në formën e një ligji në Parlamentin skocez. Vendimi i Parlamentit skocez më pas duhet të miratohet në Parlamentin britanik.

BE, cilët do të jenë zyrtarët më të lartë të bllokut?

Udhëheqësit evropianë janë mbledhur në Bruksel për të zgjedhur kandidatët për postet kryesore të BE-së, pas zgjedhjeve të parlamentit evropian javën e kaluar. Qysh tani, ata kanë qëndrime të ndryshme se kush duhet të jetë presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian, që shërben si dega ekzekutive e bllokut prej 28 vendesh.

Mandati i presidentit aktual Jean-Claude Juncker, nga Luksemburgu, mbaron në muajin tetor. Por Gjemania dhe Franca, dy nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit, kanë pikëpamje të ndryshme se kush duhet ta zëvendësojë zotin Juncker. Emërimi duhet gjithashtu të ratifikohet në korrik nga parlamenti evropian prej 751 anëtarësh.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbështet kandidaturën e gjermanit Manfred Weber, i cili ka udhëhequr që nga viti 2014 grupin e Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupimi më i madh politik në parlamentin evropian. Megjithëse humbi terren gjatë zgjedhjeve të fundit, PPE-ja përfaqëson ende bllokun më të madh të deputetëve. Mbështetja e Kancelares Merkel përputhet me praktikën e përzgjedhjes së presidentit të Komisionit Evropian nga radhët e partisë kryesore në parlamentin evropian.

Por grupimet më të mëdha në parlamentin evropian do të humbasin shumicën, ndërkohë që nacionalistët dhe të gjelbrit po fitojnë terren. Kjo do të sjellë një parlament evropian edhe më të segmentuar si dhe më shumë vështirësi për zgjedhjen e një kandidati konsensual për president të komisionit, i cili propozon ligjet e BE-së dhe i zbaton ato.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se ai mbështet një kandidat me “eksperiencë në vendin e tyre ose në Evropë dhe që ofron më shumë besueshmëri dhe me kapacitetin e duhur”, një koment kritik ky për 46-vjeçarin Weber, i cili nuk ka shërbyer në poste qeveritare apo institucione kryesore, si Komisioni Evropian.

Zoti Macron sugjeron dy kandidatura të tjera alternative: danezen Margrethe Vestager, komisionere për Konkurencën që nga viti 2014; si dhe francezin Michael Barnier, i cili udhëheq bisedimet deri tani të pasuksesshme të BE-së me Britaninë, për procesin e daljes së këtij vendi nga unioni.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez sugjeron socialistin hollandez Frans Timmermans, për të cilin thotë se “ka cilësitë dhe eksperiencën” e duhur.

Udhëheqësit evropianë janë duke përzgjedhur gjithashtu udhëheqësin e ri të Këshillit Evropian, forum i cili përcakton drejtimin e përgjithshëm politik të BE-së, dhe që deri më tani është udhëhequr nga polaku Donald Tusk. Do të zgjidhet gjithashtu kreu i ri i Bankës Qendrore Evropiane, e udhëhequr deri më tani nga italiani Mario Draghi, si dhe shefi i ri për politikën e jashtme, funksion të cilin aktualisht e mban italiania Federica Mogherini. za

Hahn: Komisioni rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë

BRUKSEL

Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa prezantoi  paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian, eurokomisioneri Jonahes Hahn tha se Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociata me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. “Duhet ti përmbahemi angazhimeve tona” tha Hahn, ndërsa njohu progresin e bërë nga vendi ynë sa i përket reformave.

“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë

Shteti ligjor, qëllimi kryesor i politikës së zgjerimit është të eksportojmë stabilitet, është nevojë që Ballkani Perëndimor të bëjë më shumë progres në pajtim, fqinjësi të mirë. Sfida kryesore mbetet ekonomia, e cila përballet me dobësi. Duhet të reformohen. Çështjen e papunësisë duhet zgjidhur, çështja e emigracionit dhe lindjet e ulëta janë problem. Standardet e jetesës duhet të rriten pasi janë të ulëta”, tha Hahn.

“Jam i kënaqur se si Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë ndjekur reformat. Shqipëria ka çuar përpara reformat, veçanërisht një transformim të madh të sistemit të Drejtësisë, përfshirë një proces të paprecedentë rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve.” -vijoi më tej Hahn.

“Maqedonia e Veriut jo vetëm që vijon reformat e saj ambicioze, por arriti dhe një marrëveshje historike me Greqinë, duke zgjidhur problemin e gjatë të emrit. Kjo marrëveshje, së bashku me atë të arritur me Bullgarinë, është një shembull për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon, është një shembull i shkëlqyer për vendet e tjera, dhe dëshmon fuqinë tërheqëse të perspektivës europiane. Të dyja vendet kanë bërë përpara me reformat, vecanërisht në fushat e përcaktuara nga Këshilli në Qershor 2018. Për këtë arsye Komisioni europian i rekomandon Këshillit hapjen e bisedimeve tani, si me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Që të mbetet i besueshëm, Bashkimi europian duhet t’i përmbahet angazhimeve të veta dhe t’u përgjigjet qartë dhe pozitivisht, kur vendet i përmbushin detyrimet e tyre”- u shpreh Hahn.

Këto dy çështje do të diskutohen më vonë në nivel të ministrive të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt.

Raport i këtij viti gjithashtu është i rëndësishëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila këtë herë merr zyrtarisht dokumentin e quajtur Avis, që është mendimi i Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendit që të bëhet kandidat për anëtarësim të plotë në BE.

Ky është një dokument, i cili do të përcaktojë gjendjen e përgjithshme të vendit dhe gatishmërinë e saj për t’u bërë anëtare potenciale e BE-së.

Sonte zgjidhet pasardhësi i Junkerit – Merkel e Macron kanë mospajtime

Para samitit ku do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, presidenti francez dhe kancelarja gjermane nuk janë pajtuar për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit Evropian. Emmanuel Macron ka thënë se ky proces nuk duhet të jetë automatik.

Duke folur para samitit special të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania vazhdon ta përkrahë zgjedhjen e kandidatit kryesor nga partia fituese e zgjedhjeve të së dielës si president të ri të Komisionit Evropian.

Liderët e BE-së do të takohen të martën në mbrëmje në Bruksel për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe për nisjen e procesit të nominimit për pozitat kryesore të institucioneve të bashkimit Evropian.

Të hënën në mbrëmje, Merkel tha se liderët e BE-së duhet ta marrin vendimin shpejt. “Ne duam ta gjejmë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, sepse Parlamenti Evropian do të mblidhet në fillim të qershorit. Është e dëshirueshme që deri në këtë kohë ta kemi një propozim nga Këshilli Evropian”, tha ajo.

Kancelarja tha se koalicioni i saj konservator CDU-CSU dhe partnerët e koalicionit nga SPD-ja e mbështesin procesin e zgjedhjes së presidentit të ri në bazë të partisë fituese.

Ndonëse pësoi humbje të konsiderueshme të dielën, Partia Popullore Evropiane dhe kandidati i saj nga Gjermania, Manfred Weber, dolën fitues të këtyre zgjedhjeve.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu dëshiron marrëveshje të shpejtë për të nominuarin, por tha se sistemi i zgjedhjes nuk duhet të jetë automatik. Partia e tij, “En Marche”, vazhdimisht e ka kundërshtuar sistemin e ashtuquajtur “Spitzenkandidat”, shkruan “Deutsche Welle”.

Zgjedhja e kreut të KE-së mund të ngjallë përplasje brenda BE-së

Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani tha se kreu i ri i Komisionit Evropian (organi kryesor ekzekutiv i BE-së) duhet të zgjidhet nga kandidatët e paraqitur prej grupeve parlamentare.

Kjo mund të ngjallë përplasje mes parlamentit dhe disa udhëheqësve të BE-së që kanë kërkuar një mundësi të zgjedhjes më të gjerë të pasuesit të Jean-Claude Juncker, kreut të deritashëm të Komisionit Evropian.

Sipas rregullave, liderët e BE duhet të marrin në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve për të zgjedhur një president të ri të Komisionit Evropian, por nuk do të thotë që duhet të zgjedhin kandidatët që i propozojnë grupet në parlamentin Evropian.

Infographic translated in Albanian.

Parlamenti Evropian megjithatë do të duhet të miratojë presidentin e ri dhe kjo mund të çojë në një periudhë të gjatë të përplasjeve midis ligjvënësve dhe udhëheqësve të BE-së.

Gjatë muajve të ardhshëm, BE-ja gjithashtu duhet të zgjedhë liderë të rinj për Këshillin e BE-së, parlamentin, Bankën Qendrore Evropiane dhe një shef-e të politikës së Jashtme.

Tradicionalisht, zgjedhjet për ato pozita gjithmonë janë të ndërlidhura dhe i nënshtrohen debatit midis grupeve politike.

Ndërkohë të martën në mbrëmje udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë rreth asaj se kush duhet të udhëheqë institucionet kyçe të bllokut të 28 shteteve për pesë vitet e ardhshme

Kartëmonedhat e reja 100 dhe 200 euro vihen në qarkullim

Berlin

Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi se ka vënë në qarkullim kartëmonedha të reja prej 100 dhe 200 euro me karakteristika të reja teknologjike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës së BQE-së, kartëmonedhat e reja me karakteristika më të reja të sigurisë në krahasim me seritë e mërparshme nga sot janë vënë në qarkullim.

Kartëmonedhat e reja prej 100 dhe 200 euro, gjithashtu përdorin teknologjinë inovative “dritare portret” që më parë ishte përdorur në kartëmonedhat prej 20 eurosh. Kur bankënota mbahet në dritë, dritarja në hologram bëhet transparente dhe shfaqet në të dyja anët e bankënotës portreti i “Europe”, figurës mitologjike. Gjithashtu kur mbahet në dritë, në shirit shfaqen simbole të vogla të euros.

Bankënotat e reja kanë edhe veçori të tjera të sigurisë të cilat mund të detektohen nga makinat.

Madhësia e këtyre bankënotave është shndërruar si në atë të 50 eurove, për të mundësuar përdorim më të lehtë. Por gjatësia e tyre nuk u ndryshua.

Kancelari austrikak humb mocionin e votëbesimit

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka humbur mocionin e votëbesimit, duke detyruar qeverinë e tij të dorëhiqet, si pasojë e skandalit të ndërhyrjes ruse pavarësisht fitores së partisë së tij në zgjedhjet evropiane.

Kjo erdhi pasi ish partnerët e koalicionit nga e djathta ekstreme, partia FPO thanë se do ta mbështesin mocionin e votë-besimit të iniciuar nga opozita Social Demokratëve(SPO).

Liderja nga partia social-demokrate, Pamela Rendi-Wagner tha se ka qenë në dorën e presidentit austriak Alexander der Bellen të ftojë parlamentin për të gjetur zgjidhje për një kabinet të ri qeveritar.

“Çfarë nuk duhet të ndodhë është një qeveri tjetër që betohet dhe nuk ka shumicën në parlament si pasojë edhe jo stabilitet”, tha Rendi Wagnar.

Kjo erdhi disa orë pasi Partia Popullore e kancelarit Kurz, doli e para në zgjedhjet për Parlament Evropian, duke fituar 8% më shumë se në vitin 2014.

Por koalicioni qeverisës, është bllokuar, që kur gazetat gjermane hodhën pamjet kur shfaqën liderin e partisë së të djathtës ekstreme Heinz-Christian Strache duke i ofruar kontrata publike një zyrtareje ruse në shkëmbim për përkrahje të fushatës.

Strache, i cili ishtë zëvendës kancelar i Kurz, dha dorëheqje pasi dolën pamjet e videos, shkruan “EuroNews”, transmeton Gazeta Express.

Intervistë e Arba Kokalarit:

Voal.ch po sjell intervistën e Arba Kokalarit, pesë vite më parë kur edhe atëherë kandidoi për Parlamentin Evropian. Ishte vetëm 27 vjeçare!

Po ta shihni në foto ajo ngjan shumë me Musine Kokalarin, pasi vjen nga familja e saj. Me të njëjtat sy dhe në faqe kur qesh i krijohen gropëza tamam si në një fotot të Mysinesë kur nuk kishte nisur ende kalvarin e jetës të saj.Arba Kokalari është e para eurodeputete shqiptare!

Pastë këmbën e mbarë!

Bildergebnis für arba kokalari musine kokalari

Ju ftojmë ta lexoni intervistën:

ARBA KOKALARI – 27 VJEÇARJA SHQIPTARE QË KANDIDON PËR ANËTARE TË PARLAMENTIT EVROPIAN

 1.maj.2014

Fotografia e Arba Kokalari

 

 

E pashë që në Shqipëri s’kishte liri, erdha në Suedi dhe pashë që kishte liri dhe të drejta. Ikëm si familje në vitet ’90, kur unë isha 5 vjeç. Unë aty ndërtova jetën time. Por një pjesë të zemrës e kam këtu në Shqipëri, dhe për shqiptarët. Mendoj se jam europiane. Unë ndihem europiane, kur jam në Suedi nuk ndihem 100% suedeze, kur vij këtu po ashtu.


Shumë të rinj dhe të reja shqiptare kanë shkëlqyer nëpër botë me talentin e tyre, dhe aspiratat e tyre sa vijnë e rriten. Një prej tyre është edhe 27-vjeçarja Arba Kokalari, e cila synon që të jetë pjesë e Parlamentit Evropian.

Shqiptaro -suedezja, vajza e një diplomati shqiptar, u shpërngul për të jetuar në Suedi në moshën 5-vjeçare. Ajo flet një shqipe të pastër, kjo falë kulturës së saj në familje, pasi të afërmit e saj i ruajnë me fanatizëm traditat shqiptare, e sidomos gjuhën Shqipe.

Edhe pse e re në moshë, Arba synon që të angazhohet në politikë, pasi e sheh këtë të fundit si të lidhur ngushtë me jetën e saj. Ajo ka mbaruar studimet për Politikë Evropiane, dhe dëshiron që profesionin e saj mos ta lërë për të punuar në ndonjë punë tjetër, por ta shohë të ardhmen e saj pikërisht në atë fushë ku dhe ka investuar disa nga vitet e jetës së saj.

27-vjeçarja Kokalari është në listën e partisë së qeverisë suedeze, e quajtur “Partia Moderate” si një kandidaturë për deputete në Parlamentin Evropian.

Në pamje të parë të duket si nordike, e gjatë, flokë bjonde dhe sy bojëqielli. Por jo, ajo është shqiptare nga Gjirokastra. Ishte vetëm 16 – vjeç kur nisi të merrej për herë të parë me politikë, ndryshe nga shumë bashkëmoshtarë të saj.

 

Po flasim për shqiptaro – suedezen, Arba Kokalari. E bija e një diplomati shqiptar u shpërngul për të jetuar në Suedi në moshën 5 – vjeçare. Bjondja simpatike flet një shqipe të pastër, kjo falë kulturës së saj në famije e cila i ka ruajtur me fanatizëm tradita tona.

Megjithëse është shumë e re në moshë ajo e shikon politikën si të lidhur ngushtësisht me jetën e saj, pasi edhe studimet i ka mbaruar pikërisht për Politikë dhe Politikë Europiane. 27 – vjeçarja Kokalari është në listë nga partia që qeverisë Suedinë, Partia Moderate si një kandidaturë shumë serioze për deputete në Parlamentin Europian.

Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prandaj shqiptarët që jetojnë në Suedi kanë një arsye më shumë për ta votuar atë të jetë një deputete në PE.

Arba, mund të na tregoni kur dhe si keni mbërritur në Suedi?

Unë kam vajtur në Suedi në vitin 1992 kur isha vetëm 5-vjeç pasi babai u emërua ambasador i Shqipërisë në shtetet nordike dhe balltike.

Nga sa anëtarë përbëhet familja juaj? Çfarë profesioni kanë prindërit tuaj?

Përveç prindërve unë kam edhe një motër dhe një vëlla. Babai është inxhinier ndërtimi, ka punuar si senior konsulent rreth 12 vjet dhe sot punon në Shërbimin Suedez Publik të Punësimit, ku merret kryesisht me kontaktet me biznesin suedez. Mamaja është e punësuar si farmaciste.

Çfarë arsimi keni? Për çfarë keni studiuar?

Kam mbaruar shkollën e mesme për kanto. Por që kur isha 16-vjeç jam fokusuar tek studimi dhe thellimi i dijeve të mia në Ligjin Ndërkombëtar, Studime Politike dhe Politikë Europiane në Universitetin e Stokolmit.

Si jeni bërë pjesë e politikës në Suedi? Ka qenë e vështirë të integroheshit në këtë fushë atje?

Fillova angazhimin aktiv në forumin rinor të Partisë Moderate në Suedi që 16 vjeç dhe vit pas viti kam ngjitur shkallët e partisë. Nuk ka qenë e vështirë pasi atje të rinjtë e kanë rrugën e hapur për t’u integruar më shumë brenda strukturave të partisë nëse ata i përkushtohen asaj. Rinia atje është shumë e rëndësishme për partinë tonë, pasi ata janë forca që bën ndryshimet e mëdhaja. Partia është shumë e hapur dhe shumë ide diskutohen dhe rinia ka mundësi që në një farë mënyre, ta monitorojë partinë që të mos i largohet vlerave ideologjike dhe gjthashtu të monitorojë zbatimin e politikave.

Ju tashmë jeni edhe anëtare e Këshillit Bashkiak në pushtetin lokal në vendin ku jetoni, si u përzgjodhët? Është e vështirë për një femër për të arritur diçka të tillë në moshën tuaj?

Unë pata mbështetjen e anëtarëve të partisë për të kandiduar. Ne kemi një proces ku anëtarët nominohen nga forume dhe organizata të ndryshme brenda partisë dhe pas nominimit votohen brenda saj për t’i përfaqësuar. Kjo metodë zgjedhjeje e kandidatëve është transparente dhe demokratike. Asnjëherë nuk është e lehtë kur je e re dhe femër për të arritur pozicione politike dhe kjo është arsyeja pse unë luftoj çdo ditë e më shumë.

Jeni personazh i njohur në Suedi? Jeni pjesë i debateve apo mediave atje?

Brenda strukturave të Partisë Moderate unë jam një emër i njohur. Suedia është ndryshe nga Shqipëria pasi politikanët nuk janë shumë të njohur. Ekspozimin tim në media unë e kam pasur nëpërmjet shpalosjes së bindjeve të mia duke shkruar artikuj. Jam intervistuar dhe për të dhënë opinionin tim mbi çështje të ndryshme ne vend.

Prisni që komunitetit shqiptarë në Suedi t’ju japë votën për në Parlamentin Europian?

Unë dua që komuniteti shqiptar në Suedi ta dijë që kandidoj. Dua që ta dinë që nëpërmjet angazhimit tim ata do kenë një zë, një person që e kupton çdo të thotë të vish nga një vend tjetër dhe të integrohesh në shoqerinë suedeze, një njeri që lufton për të drejtat e tyre dhe vendeve të tyre, jo vetëm në Suedi por edhe në Europë. Shpresoj që ata të më mbështesin në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian.

Nëse do të përzgjidheni deputete në Parlamentin Europian, do të loboni edhe me kolegët e tjerë të vendeve anëtare të BE që janë skeptik për anëtarësimin e Shqipërisë?

Mendoj që Shqipëria dhe Kosova meritojnë të jenë pjesë e familjes europiane. Do të mundohem të bind të gjithë skeptikët që zgjerimi i Bashkimit Europian është i rëndësishëm dhe i vlefshëm. Politikat e zgjerimit të deritanishme kanë bërë që Ballkani Perëndimor të jetë i stabilizuar pas një periudhe të vështirë historike

Kjo gjë nuk duhet të ndalojë që ky stabilitet dhe projekt për një Ballkan më të zhvilluar të mos cënohet. Por nga ana tjeter të gjitha vendet, si Shqipëria dhe Kosova duhet të kuptojnë që demokracia dhe institucionet duhet të konsolidohen para se ky integrim të ndodhë.

Steinmeier: Ia vlen të luftohet për Evropë të bashkuar

Berlin

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha sot se ia vlen të luftohet për një Evropë të bashkuar dhe në këtë kontekst të votohet në zgjedhjet parlamentare evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbarë Bashkimin Evropian sot mbahen zgjedhje për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, ndërsa presidenti Steinmeier votoi në vendvotimin në Berlin.

Steinmeier votoi në shoqërim të bashkëshortes së tij, Elka Budenbender, ndërsa pastaj u tha gazetarëve se është i lumtur se Gjermania është një vend demokratik dhe pjesë e Evropës së bashkuar.

“Kjo është arsyeja pse ia vlen të luftojmë dhe të shkojmë në votime, shpresoj që votuesit do të përgjigjen në numër të madh”, tha Steinmeier.

Kancelarja gjermane Angela Merkel më herët votoi me postë.

Të drejtë vote në zgjedhjet për Parlamentin Evropian kanë 74.7 milionë votues në Gjermani, e cila jep gjithsej 96 deputetë.

Referendum në Rumani për reformat në gjyqësor

Rumunët po votojnë në një referendum mbi përpjekjet e koalicionit qeverisës të majtë, për të përmbysur reformat anti-korrupsion, në vendin, që konsiderohet si ndër më të korruptuarit në Bashkimin Evropian.

Referendumi, që po mbahet së bashku me votimet për Parlamentin e ri Evropian, u thirr nga presidenti rumun, Klaus Iohannis, i cili mbështetet nga opozita e qendrës së djathtë.

Votuesit do t’i përgjigjen dy pyetjeve në këtë referendum.

Pyetja e parë është: A mbështesni ndalimin e amnistisë dhe faljes në rastet e lidhura me korrupsionin? Ndërkaq, pyetja e dytë: A mbështesni ndalimin e miratimit nga Qeveria e urdhrave të jashtëzakonshëm, në fushën e krimeve, ndëshkimeve dhe organizimit gjyqësor dhe zgjatjen e të drejtës për ankesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese?

“Drejtësia është çështje e interesit kombëtar dhe njerëzit kanë të drejtë të vendosin nëse duan apo jo që korrupsioni të bëhet politikë shtetërore”, deklaroi presidenti Iohannis, kur shpalli mbajtjen e referendumit.

Në muajin shkurt, mijëra qytetarë kishin protestuar në Rumani, pasi Qeveria e majtë kishte miratuar masat emergjente – pa bërë fillimisht një debat publik për to – masa të cilat, sipas kritikëve, kufizojnë pavarësinë e prokurorëve.

Këto masa ishin në vazhdën e disa ndryshimeve legjislative që ka bërë Qeveria e udhëhequr nga Paria Social-Demokrate, e cila erdhi në pushtet dy vjet më parë. Ndryshimet e bëra nga kjo qeveri, nxitën shqetësim në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, mbi sundimin e ligjit në Rumani.

Partia Social-Demokrate kundërshton referendumin dhe miratoi një dekret që ndryshoi pragun e votimit, duke bërë që referendumi të jetë i vlefshëm vetëm nëse në votime marrin pjesë 30 për qind e votuesve të regjistruar në listat kombëtare.

Dita e fundit e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian në Rumani.

Dhjetëra miliona votues në 21 shtete të Bashkimit Evropian, mund të votojnë sot, në ditën e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Gjermania, Franca, Italia, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Hungaria, janë në mesin e shteteve, që sot mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian prej 751 ulësesh.

Shtatë shtete të BE-së tashmë kanë votuar, në zgjedhjet, që nisën më 23 maj, dhe rezultatet preliminare pritet të dalin sot pasi të përfundojnë votimet në të gjitha shtetet.

Sondazhet sugjerojnë se partitë e ekstremit të djathtë, populistët euro-skeptikë nuk do të kenë rezultate të mira, ashtu siç kishin parashikuar disa vëzhgues.

Qindra milionë qytetarë votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian

Bruksel, 24 maj, 2019.

Qindra milionë evropianë pritet të zgjedhin anëtarët e rinj të Parlamentit Evropian, teksa rezultat e para tregojnë se partitë e ekstremit të djathtë nuk do të kenë rezultate të mira, ashtu siç kishin parashikuar disa vëzhgues.

Votimi për zgjedhjet evropiane nisi më herët gjatë kësaj jave, ku votuesit në Irlandë dhe Republikën Çeke votuan më 24 maj.

Tri shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian pritet të votojnë sot, ndërkaq shtetet e tjera do të votojnë më 26 maj.

Një sondazh në Holandë tregonte se votuesit atje kishin mbështetur partitë që janë të angazhuara ndaj BE-së. Rezultate të ngjashme janë parashikuar edhe për një Irlandë, ku sugjerohej se partia e kryeministrit Leo Vardakar po udhëhiqte zgjedhjet.

Në Gjermani, sipas sondazhet parazgjedhore sugjerojnë se Kristian-demokratët e kancelares gjermane, Angela Merkel do të dalin në vendin e parë, pasur nga të Gjelbrit. Partia e Merkelit është një forcë dominuese në një bllok politik në BE, që njihet si grupi EPP.

Mbi 400 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Ata pritet të zgjedhin 751 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian.

Rezultatet e para zyrtare pritet të publikuan në orët e vona të 26 majit, kur votimi në 28 shtetet anëtare të BE-së të ketë mbaruar.

Votuesit në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Sllovaki, Maltë dhe Letoni, që në orët e para të mëngjesit kanë filluar të votojnë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE), transmeton Anadolu Anadolu Agency (AA)

Në Sllovaki mbi 4.4 milionë votues që kanë mbushur moshën 18 vjeç kanë nisur të votojnë në orën 07.00 me orën lokale për zgjedhjet e PE-së. Procesi i votimit në vendin i cili dërgon 13 deputetë në PE përfundon në orën 22.00 me orën lokale. Në vend çdo parti që kalon pragun prej 5 për qind mund të dërgojë deputet në PE.

Në zgjedhjet e PE-së të mbajtura në Sllovaki në vitin 2014, arritën të kalonin pragun katër parti dhe me një pjesëmarrje prej 13 për qind Sllovakia tregoi një pjesëmarrje shumë të ulët në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

Malta

Në Maltë ku nuk ka prag zgjedhor ka filluar procesi zgjedhor në orën 07.00 për qytetarët të cilët kanë mbushur moshën 16 vjeç. Në vendin me rreth 350 mijë votues votimi përfundon në orën 22.00.

Në PE, Malta ka 6 vende dhe në vend nuk ka prag zgjedhor. Në zgjedhjet e PE-së të mbajtura në vitin 2014 ku pati një pjesëmarrje prej 74.8 për qind e cila ishte shumë më e lartë se mesatarja e BE-së nga ky vend janë dërguar në PE 6 deputetë nga 3 deputetë për dy parti.

Letonia

Po ashtu si në dy vendet e tjera edhe në Letoni e cila ka të drejtën të dërgojë 8 deputetë në PE, procesi zgjedhor ka nisur në orën 07.00 për rreth 1.4 milionë votues të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç. Ndryshe nga Sllovakia dhe Malta, votimi në Letoni do të përfundojë në orën 20:00.

Në zgjedhjet e vitit 2014, pragun zgjedhor prej 5 për qind e kaluan 5 parti të cilat dërguan 8 deputetë në PE dhe shkalla e pjesëmarrjes ishte 30.2 për qind.

Pas mbylljes së votimeve, mund të njoftohen vetëm rezultatet e “exit-poll”. Rezultatet e numërimit do të shpallen në të gjitha vendet në mbrëmjen e së dielës. Ndërsa rezultatet zyrtare do të shpallen më 31 maj.

Më 23-26 maj shkojnë në votime 374 milionë qytetarë të BE-së për të zgjedhur deputetët e PE-së. Në zgjedhjet e PE-së, të cilat pas Indisë llogariten si zgjedhjet demokratike me pjesëmarrjen e numrit më të madh të votuesve, këtë vit do të garojnë 8 grupe politike.

Parlamenti Evropian, i cili është organi legjislativ i Unionit, me Këshillin e BE-së pranon ligjet e Unionit dhe miraton buxhetin e saj.

Sot dita e parë e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, çfarë duhet të dimë

Sot është dita e parë e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, të cilat do të zgjasin deri në datë 26 maj. Të gjithë qytetarët e vendeve anëtare të BE që janë mbi 18 vjeç, mund të votojnë për të zgjedhur 751 europarlamentarët që do ti përfaqësojnë ata  në 5 vitet e ardhshme.

Sa përfaqësues ka cdo shtet?

Shpërndarja e vendeve në Parlamentin Europian është e përcaktuar në Traktatin e Lisbonës. Numri i popullsisë së çdo vendi përcakton edhe se sa vende do të ketë ai vend në parlament, por parimi i proporcionalitetit nuk zbatohet në mënyrë strikte duke favorizuar më shumë vendet me popullsi më të vogël. Për momentin, numri i europarlamentarëve varion nga 6 që kanë Malta, Luksemburgu, Qipro dhe Estonia, deri në 96 që ka Gjermania.

Sistemi elektoral

Sistemi elektoral është ai proporcional, i cili synon shpërndarjen e vendeve në varësi të përqindjes së  votave që ka marrë një parti. Megjithatë, shtetet janë të lira të vendosin vetë nëse do ta ndajnë vendin në disa zona elektorale apo do ta trajtojnë të gjithë vendin si një zonë të vetme.

Kur votohet?

Vende të ndryshme kanë zgjedhur ditë të ndryshme votimi brenda periudhës 23-26 maj. E enjtja është dita kur zakonisht voton Holanda dhe Britania e Madhe ndërsa shumica e vendeve votojnë të dielën. Vetëm Republika Ceke voton në dy ditë, të premten dhe të shtunën.

Kush kandidon në zgjedhje?

Gara elektorale zhvillohet mes partive kombëtare të çdo vendi, ku secila nominon kandidatët e saj. Por kur deputet të zgjidhen, ata bëhen pjesë e grupimeve politike mbikombëtare, ose ndryshe parti transnacionale. Pra çështja kryesore pas zgjedhjeve është se, kush grupim politik do të ketë influencë më të madhe në legjislativin europian. Duke filluar që nga zgjedhjet e kaluara të 2014, partitë politike evropiane ushtruan për herë të parë të drejtën për të dominuar presidentin e Komisionit Europian, krahu ekzekutiv i BE. Kandidati i Partisë Popullore Europiane mori postin e presidentit të Komisionit pasi mori mbështetjen e shumicës së Parlamentit.  Fakti që parlamenti ka të drejtë të zgjedhë presidentin e Komisionit Europian i bën këto zgjedhje akoma edhe më të rëndësishme.

Grupimet politike europine

Këto grupime formohen zakonisht nga partitë e vendeve anëtare që kanë ideologji dhe projekte politike të ngjashme.

Partia Popullore Europiane është aktualisht grupimi më i madh në parlament me 217 vende. Kandidatura e tyre për presidencën e komisionit pas këtyre zgjedhjeve do të jetë politikani gjerman dhe njëkohësisht lideri i kësaj partie, Manfred Weber.

Kujtojmë se në këto zgjedhje europiane kandidojnë edhe disa deputetë me origjinë shqiptare dhe kosovare. Adnand Dibrani kandidon si deputet socialist nga parlamenti Suedez. Amet Gjana kandidon nga Belgjika si pjesë e Partisë Socialiste Belge. Nga vendi fqinj i greqisë, kandidon si pjesë e partisë PASOK, Eda Gemi.

Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur po rritet mbështetja për nacionalistët dhe populistët, që duan t’i frenojnë përgjegjësitë e BE-së, ndërsa fuqitë tradicionale, si Franca dhe Gjermania, këmbëngulin se uniteti është opsioni më i mirë përballë sfidave ekonomike dhe të sigurisë.

Shpëton burri që u ngjit dje në Kullën Eiffel

VOAL – Ekipet e shpëtimit arritën dhe kapën njeriun që u ngjit me Kullën Eifel me duart bosh dje pasdite dhe pothuajse arriti majën e monumentit parizian.

Një njeri që rri pezull mbi Kullën Eifel

Individi, një 40 vjeçar, i cili qëndroi pezull në zbrazëti për orë të tëra dhe kërcënoi të bënte vetëvrasje, tani është “nën kontroll” dhe është “marrë nga ekipet e ndërhyrjes”, sipas një burimi policor të raportuar mbrëmë nga kompania e menaxhimit të monumenteve, e cila u rihap për vizitorët të martën në mëngjes në orën 09.30.

Shpëtuesit në veprim

Alarmi, i shkaktuar rreth orës 15.00, u ndoq në pak minuta nga ndërhyrja e zjarrfikësve e forcave të policisë dhe nga evakuimi i plotë i kullës.

AFP / ANSA

Ministrat e ekstremit të djathtë braktisin Qeverinë e Austrisë

Kancelari austriak, Sebastian Kurz

Partia e ekstremit të djathtë e Austrisë FPO tha se ministrat e saj do të largohen nga qeveria e koalicionit.

Kriza politike në Austri shpërtheu javën e kaluar, për shkak të një videoje që thuhet se tregon udhëheqësin e FPO-së, Heinz-Christian Strache, duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.

Strache dha dorëheqje nga pozita e zëvendëskancelarit, ndërsa kancelari Sebastian Kurz i kërkoi presidentit të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl, po ashtu i partisë FPO, duke thënë se ai është pengesë për hetimet transparente të skandalit.

FPO u hakmor duke i tërhequr ministrat e tjerë nga qeveria dhe duke e lënë Kurzin pa ministër të Jashtëm, të Mbrojtjes, të Punës dhe të Infrastrukturës.

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shtator.

Në videon e publikuar nga mediat gjermane, më 17 maj, gruaja flet rusisht dhe e identifikon veten si mbesa e një biznesmeni të pasur rus.

Një tjetër zyrtar i FPO-së duket duke përkthyer nga gjermanishtja në rusisht.

Takimi dyshohet se u zhvillua në ishullin spanjoll të Ibizës, në korrik të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve që e sollën FPO-në në qeverinë e koalicionit dhe e bënë Strachen zëvendëskancelar.

Kremlini e mohoi përfshirjen në skandal.

“Kjo nuk ka të bëjë me Federatën Ruse, as me presidentin e saj, as me qeverinë e saj”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ne nuk e dimë se kush është kjo grua, nëse ajo është ruse apo jo”, tha Peskov.

Në vitin 2016, FPO nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar.

Zbrazet dhe mbyllet Kulla Eiffel pasi një njeri shihet duke u ngjitur në të

Kulla e famshme Eiffel në Paris është zbrazur pasi një burrë është parë duke u ngjitur në njërën anë të strukturës së saj të hënën në mëngjes, i kanë thënë autoritetet CNN-it.

Vizitorët nisën të postonin fotografi dhe video të individit derisa ngjitej, e e cila është 324 metra e lartë.

“Kulla Eiffel është mbyllur dhe është në procesin e zbrazjes sepse një person po ngjitet në të,” ka thënë zëdhënësja.

Zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes dhe thuhet se po komunikojnë me burrin që po ngjitet në kullë.

Gati 7 milionë njerëz e vizitojnë Kullën Eiffel çdo vit, e e cila u ndërtua më 1889.

Dhjetëra mijë gjermanë manifestojnë kundër nacionalizmit

Një javë para zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, mijëra mbështetës të Bashkimit Europian manifestuan në disa qytete gjermane në mbështetje të unitetit europian dhe kundër nacionalizmit.

Protestuesit në Berlin dhe Këln mbanin flamurë të BE-së dhe pankarta, ku kërkonin një Europë solidariteti në vend të një Europe nacionaliste.

Të paktën 50 000 pjesëmarrës ishin në Berlin, të cilët manifestuan nën moton ”Europë për të gjithë – zëri yt kundër nacionalizmit”.

Nga 23-26 maj zhvillohen zgjedhjet për në Parlamentin Europian, ku pritet që kandidatët e së djathtës ekstreme të mobilizojnë votuesit nacionalistë.

Austri, Kancelari Kurz thërret zgjedhjet e parakohëshme

Kancelari austriak Sebastian Kurz bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme pas dorëheqjes së zëvendës kancelarit, që i dha fund koalicionit të tij qeverisës.

Zëvendës kancelari i Austrisë Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen të shtunën, pasi dy gazeta gjermane, “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku ai shfaqej tek i ofronte kontrata shtetërore një investoreje të dyshuar ruse, gjatë një feste në Ibica të Spanjës.

Kancelari Kurz tha se nuk mundi të arrinte një marrëveshje me udhëheqësit e Partisë së Lirisë mbështetës të politikave kundër-emigracionit të zotit Strache, për të çuar përpara koalicionin me Partinë Popullore të qendrës së djathtë.

Ai tha gjithashtu se një koalicion i mundshëm me socialdemokratët nuk do ta lejonte qeverinë austriake të zbatonte politikat e saj për uljen e borxhit e të taksave.

Dorëheqja e Heinz-Christian Strache konsiderohet një goditje për forcat populiste e nacionaliste që janë pro politikave më të forta ndaj emigracionit në Evropë. Ajo vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian të parashikuara të mbahen në datat 23-26 maj në 28 vende të BE-së.

Heinz-Christian Strache njoftoi dorëheqjen të shtunën dhe nuk pranoi pyetje nga gazetarët. E përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe e përjavshmja “Der Spiegel” publikuan të premten pjesë nga një video e fshehtë që tregonte zotin Strache tek i ofronte kontrata të qeverisë austriake një shtetaseje ruse që pretendonte se ishte e interesuar të investonte sasi të mëdha parash në Austri. Politikani 49-vjeçar tha se kishte qenë nën efektin e fortë të pijeve alkoolike dhe ishte ”sjellë si një adoleshent” në një përpjekje siç tha ai, për “t’i bërë përshtypje organizatores tërheqëse” të festës në një vilë në Ibica.

Më herët të shtunën, disa mijëra protestues të opozitës bënë thirrje për zgjedhje të reja përpara zyrës së kancelarit Kurz në Vjenë./VOA

Luvri nderon arkitektin e piramidës prej xhami

Muzeu i Luvrit nderoi dje arkitektin e piramidës prej xhami në hyrje të Luvrit. Arkitekti I.M. Pei i cili vdiq këtë javë në moshën 102 vjeçare në banesën e tij në Nju Jork.

FILE – Architect I.M. Pei speaks after being honored with an Ellis Island 2004

Dhjetëra punonjës të Luvrit ishin mbledhur nën piramidën që shërben si hyrja e muzeut të famshëm. Në shenjë nderimi për veprën e arkitektit ata duartrokitën për një minutë.

Piramida me lartësi 22 metra fillimisht hasi në rezistencë të fortë. Presidenti i atëhershëm francez, Francois Mitterrand, i cili ishte në përurimin e piramidës, u bë vetë objekt kritikash kur u zbulua vepra e re prej xhami. Presidenti Miterrand e kishte zgjedhur personalisht arkitektin me origjinë kineze I.M. Pei për të kryesuar punimet restauruese në një kohë që Luvri ishte në nevojë urgjente riparimesh.

I.M. Pei para veprës së tij

Shumë francezë ishin kundër ndryshimeve në Luvër, pasi e konsideronin të paprekshëm këtë simbol të kulturës kombëtare.

Por Luvri, ashtu si i gjithë Parisi dhe Franca e pranuan ndryshimin që sjell koha. Sot piramida prej xhami mirëpret miliona vizitorë që vijnë për të parë muzeun çdo vit. Pasi vizitorët futen në piramidë, ata zbresin shkallët për tek salla qendrore ku fillojnë vizitën në Luvër.

I.M.Pei është autor i një numër ndërtesash të famshme edhe këtu në Uashington. Ashtu si në Luvër, edhe këtu u desh pak kohë që qyteti të mësohej me krijimet e tij.


Send this to a friend