VOAL

VOAL

Gjermani, vjedhje prej mbi 1 miliard dollarë në një muze

Berlin

Rreth 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) thesar u vodhën gjatë bastisjes në një muze të Gjermanisë, raportoi sot e përditshmja Bild, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kasaforta e Gjelbër (Vault Green) në Dresden u vu në shënjestër të hajdutëve që hynë në ndërtesë në orët e para të mëngjesit. “Mund të konfirmojmë grabitjen në Kasafortën e Gjelbër”, tha zëdhënësi i policisë, Thomas Geithner.

“Grupi hetues i krimit është në vendin e ngjarjes. Autorët janë në arrati”, shtoi ai.

Hajdutët ndërprenë furnizimin me energji elektrike në ndërtesë në orën 5 të mëngjesit përpara se të thyenin dritaren në muzeun e fortifikuar.

Vjedhja spektakolare e artit ndoshta është vjedhja më e madhe në historinë gjermane të pas luftës.

Sipas Bild, banda e hajdutëve ka vjedhur bizhuteri historike, diamante dhe gurë të çmuar. Dëmi mund të shkojë në miliarda, pasi hajdutët e artit kanë vjedhur ekskluzivisht bizhuteri.

Megjithatë, hajdutët mund të kenë humbur një kënd. Megjithëse, mbyllën furnizimin me energji elektrike, një kamerë vëzhgimi thuhet se ka regjistruar një video të tyre.

Sipas Bild, disa autorë “dukshëm të vegjël” u panë në videon. Kasaforta e Gjelbër është e famshme në botë për thesaret e saj të artit.

Ka ar dhe gurë të çmuar, porcelan, vepra arti qelibar, gdhendje të jashtëzakonshme prej fildishi dhe një gur qershie në të cilin janë gdhendur 185 fytyra. Të gjithë ato janë tepër të çmueshme.

Policia gjermane kërkon autorin 23 vjet pas vrasjes së të miturës

Berlin

Policia në qytetin gjerman Grevenbroich ka kërkuar që rreth 900 meshkuj të paraqiten në polici për shkak të testit të ADN-së me qëllim të zbardhjes së vrasjes makabre të një vajze 11-vjeçare 23 vite më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vajza Claudia Ruf u rrëmbye, u përdhunua dhe u mbyt në vitin 1996, kurse trupi i saj u gjet në Euskirchen, 70 kilometra në jug të qytetit Grevenbroich.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA raportoi se rreth 900 meshkuj të moshës midis 14 dhe 70 vjeç në kohën kur u vra Ruf, janë ftuar të bëjnë ekzaminimin e pështymës për të konstatuar ADN-në.

Megjithëse hetuesit në vitin 2010 kryen teste gjenetike tek 350 burra, vrasësi ende nuk është gjetur.

Ukraina përkujton viktimat e tragjedisë së Holodomorit

Skulptura e një vajze, që është pjesë e memorialit të viktimave të Holodomorit.

Ukrainasit po shënojnë 86-vjetorin e urisë në epokën staliniste, të njohur si Holodomor, ku miliona njerëz vdiqën nga uria, vdekje për të cilat fajtor konsiderohen politikat sovjetike në fillim të viteve ‘30.

Ukraina ka shpallur të shtunën e katërt të nëntorit si Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Holodomorit dhe për çdo vit përkujton personat që vdiqën në këtë tragjedi, që shumica e ukrainasve konsiderojnë se ishte një akt gjenocidi, që kishte për qëllim të zhdukte fermerët ukrainas.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që në dritaret e tyre të vendosin qirinj në orën 16:00 për të përkujtuar viktimat e Holodomorit.

Miliona vdiqën pasi autoritetet sovjetike detyruan fshatarët në Ukrainë që t’iu bashkoheshin fermave kolektive, duke iu kërkuar atyre grurin dhe produktet e tjera ushqimore.

Shifrat e personave që vdiqën në këtë periudhë variojnë nga 3 deri në 7 milionë njerëz.

Kisha Ortodokse ukrainase përmes një deklarate tha se sot “ne mund të flasim për të vërtetën (rreth tragjedisë) dhe këtë duhet ta bëjmë me zë të lartë sepse e keqja nuk duhet fshehur, siç u bë për dekada, nga regjimi sovjetik”.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe të Australisë në Kiev, shprehën solidaritetin e tyre me qytetarët ukrainas dhe u zotuan se kurrë nuk do të harrojnë këtë tragjedi dhe viktimat e kësaj ngjarjeje.

“Ne bashkohemi me njerëzit e Ukrainës duke kujtuar personat që humbën jetën gjatë tragjedisë së vitit 1932-33 të Holodomorit”, thuhet në një postim në Twitter të ambasadës amerikane të Kiev. Në këtë postim po ashtu është bashkëngjitur një video-mesazh i ambasadorit amerikan në Kiev, William Taylor, i cili e ka përshkruar tragjedinë si artificiale dhe që ka ardhur si pasojë e veprimeve të autoriteteve sovjetike.

Parlamenti ukrainas më 2006 e ka shpallur Holodomorin si “gjenocid” ndaj popullit ukrainas.

Rusia e hedh poshtë këtë gjë, duke mohuar se autoritetet sovjetike në mënyrë sistematike kanë pasur për cak ukrainasit.

Autoritetet ruse theksojnë se të korrurat e pakta në atë kohë prekën shumë pjesë të Bashkimit Sovjetik dhe shumë rusë, kazakë dhe të tjerë vdiqën në këtë periudhë,

Të paktën 15 shtete e njohin si gjencodi Holodomorin, por jo edhe Shtetet e Bashkuara. rel

Stoltenberg: I takon Serbisë të vendosë për çështje të teknologjisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i takon Serbisë të vendosë se çfarë lloji të teknologjisë dëshiron të ketë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës për shqetësimet në rritje në lidhje me rolin e Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kur bëhet fjalë për teknologjinë e saj 5G, Stoltenberg tha se ekzistojnë kushte që NATO-ja u kërkon vendeve anëtare sa i përket teknologjisë 5G, mirëpo sipas tij, kjo nuk vlen për vendet që nuk janë anëtare të Aleancës.

“Ne mund t’i këshillojmë ata, por varet nga Serbia që të vendosë se çfarë lloj telekomunikacioni dëshiron dhe si e organizon infrastrukturën e saj civile. Ne e mirëpresim faktin që Serbia është një partner i ngushtë i NATO-s. Ne po bashkëpunojmë me Serbinë”, tha Stoltenbeg.

5G është gjenerata e fundit e teknologjisë së internetit që ofron për përdoruesit qasje në internet me një shpejtësi shumë më të madhe sesa ofrohet aktualisht.

Mirëpo, ekzistojnë shqetësime në shumë vende, që Kina po e përdorë këtë teknologji për qëllime qeveritare dhe për të spiunuar përdoruesit.

Kompania kineze e teknologjisë Huawei po synon të investojë më shumë në tregun serb.

Më 4 tetor, gjatë një vizite në Kinë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka shfaqur shpresën që kompania kineze e teknologjisë Huawei të vendosë për hapjen e qendrës së të dhënave për Evropën Juglindore në Kragujevc të Serbisë.

Në muajin maj, Uashingtoni e përfshiu në listë të zezë Huawei-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të SHBA-së, ose interesat e politikës së jashtme. rel

Përmbytja në Venecia – Italia do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Venecia gjatë përmbytjeve.

Italia do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pasi qyteti i Venecias u përfshi nga nivelet e larta të ujit prej 1.87 metra, duke përmbytur bazilikën e tij historike dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.

Më shumë se 80 për qind e qytetit – i cili gjenden në listën e UNESCO-s për trashëgiminë botërore – është nën ujë si pasojë e përmbytjeve.

Një grua ecë pranë bazilikës së Shën Markut në Venecia.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, e përshkroi përmbytjen si “një goditje në zemrën e vendit tonë”.

Ai tha se qeveria tani do të veprojë shpejt për të siguruar fonde dhe burime.

Gjatë ditës se enjte pritet të shpallen masat emergjente që do të ndërmarrë qeveria italiane.

Kryetari i Bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, fajësoi ndryshimet klimatike për nivelin e lartë të ujit.

Njerëzit ecin në rrugët e përmbytura nga uji në Venecia.

Këto nivele të ujit, nuk janë shënuar në më shumë se 50 vjet dhe autoritetet thonë se kjo gjendje do të lerë pasoja të përhershme.

Sheshi i Shën Markut – një nga pjesët më të ulëta të qytetit – ishte një nga zonat më të goditura.

Macron: sistemi ndërkombëtar në një krizë “pa precedent”

Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë fjalës në çelje të Forumit për Paqen

Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu keqardhjen për “krizën e paprecedentë” në sistemin politik global dhe bëri thirrje për aleanca të reja që do të zgjidhnin problemet e botës, një thirrje kjo që u mbështet nga udhëheqësit kinezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

Zoti Macron priti kryetarë shtetesh dhe qeverish në Forumin e Paqes në Paris vetëm pak ditë pasi shkaktoi valë tronditjeje në kryeqytetet perëndimore duke paralajmëruar për paqëndrueshmërinë e NATO-s dhe BE-së.

Po përjetojmë një krizë të paprecedentë në sistemin tonë ndërkombëtar”, tha zoti Macron, duke vazhduar në linjën e intervistës dhënë të enjten revistës “The Economist”, ku ai paralajmëroi se NATO po përjetonte “vdekje klinike” dhe se BE-ja rrezikon të bëhet e parëndësishme.

Forumi për Paqen

Forumi për Paqen

Presidenti francez, i cili ka kërkuar të zërë një vend parësor në skenën ndërkombëtare që kur mori pushtetin në vitin 2017, tha se “mënyra të reja bashkëpunimi, aleanca të reja” nevojiten mes shteteve dhe organizatave.

Ai shtoi se sistemi global politik dhe ekonomik i ndërtuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pati sjellë paqe në disa rajone dhe nxorri nga varfëria shumë njerëz.

Por, pabarazi të reja janë shfaqur mes njerëzve dhe vendeve duke shkaktuar rilindjen e nacionalizmit dhe unilateralizmi “madje edhe mes atyre që janë gardianët më të fundit të këtij sistemi ndërkombëtar”, tha zoti Macron.

Për t’u përballur me sfidat e sotme, varfëria, lufta, rritja pa kontroll e popullsisë, emigracioni dhe burimet e paqëndrueshme natyrore, botës i duhet “më shumë bashkëpunim”, tha ai.

Në vazhdim, zoti Macron paralajmëroi se nuk duhet të ketë më “hipokrizi” nëse vjen fjala për të vënë në pikëpyetje funksionimin organizatave shumëkombëshe si OKB-ja, të cilën e quajti “të bllokuar”.

Intervista e zotit Macron me revistën “The Economist” pati shkaktuar shumë debat. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se komentet e tij ishin shumë “drastike”. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo këmbënguli se NATO është “e rëndësishme dhe vendimtare”.

Por, komentet e zotit Macron, i cili gjithashtu ka qartësuar se dëshiron të dialogojë me Presidentin rus Vladimir Putin, u mbështetën me ngrohtësi nga Rusia.

Ndoshta duke iu drejtuar kritikëve të tij, zoti Macron tha të martën se e folura pa doreza është e rëndësishme. “Mendoj se na duhet e vërteta… heshtja nuk është zgjidhje”, tha ai.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ra dakort se ekziston “nevoja për veprim në bashkëpunimin ndërkombëtar” përfshirë edhe brenda NATO-s, duke shtuar se çështja të tilla “diskutohen haptazi”.

Në po këtë forum, Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen këmbënguli se trajtimi i sfidave të sotshme kërkon “institucione të forta dhe një bashkëpunim ndërkombëtar më efektiv”.

“Megjithatë, ndodh shpesh e kundërta; fuqitë ekzistuese po ndjekin të vetmuar shtegtime të reja; fuqi të reja po shfaqen, të tjera po rishfaqen dhe po konsolidohen”, tha zonja Von der Leyen.

Presidenti francez bisedon me Presidenten e zgjedhur të Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen

Presidenti francez bisedon me Presidenten e zgjedhur të Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë më shumë peshë politike në skenën ndërkombëtare.

Zonja Von der Leyen tha se nën mbikqyrjen e saj shpreson ta bëjë komisionin “vërtet gjeopolitik”.

Dëshiroj një Bashkim Evropian të orientuar më shumë jashtë tij, një Evropë që të mbrojë kolektivisht vlerat dhe interesat tona të përbashkëta në botë”, tha ajo.

Zonja Von der Leyen tha se multilateralizmi krijoi një Evropë të pasluftës e cila më në fund ishte “në paqe, e bashkuar dhe që zgjidhte dallimet tona përreth tryezave dhe jo në llogore”.

“Nuk duhet të harrojmë kurrë sa larg kemi mbërritur dhe pse”, tha ajo duke iu bashkuar paralajmërimit të zotit Macron ndaj hegjemonisë dhe nacionalizmit, për të cilin Presidenti francez tha se është testuar më parë dhe “na dha luftën”.

Nënpresidenti kinez Wang Qishan iu bashkua thirrje për unitet më të madh global.

Përhapja e unilateralizmit, proteksionizmit dhe populizmit, si dhe tendenca për të zëvendësuar mendimin dhe veprimin racional me shpërthimin e emocioneve, nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve”, tha zoti Wang.

“Kemi shpresë se vendet mund të punojnë së bashku për të reduktuar defiçitin e paqes, duke zgjeruar interesat e ndërthurura, duke përforcuar masat mbrojtëse të paqes, duke ruajtuar multilateralizmin… dhe duke forcuar lidhjen e paqes nëpërmjet inkurajimit të dialogut mes civilizimeve”, tha ai.

* Marrë nga Agjensia Franceze e Lajmeve (AFP)

Macron bën bashkë Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiçin në Paris

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Takimi u bë në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.

Ende nuk dihen hollësi rreth takimit që ndodhi pas një periudhe të gjatë të pezullimit të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Një natë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi se presidentit Macron i ka konfirmuar që “Kosova është e vullnetshme dhe e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Marrëveshja e Paqes garanton më shumë mundësi për zhvillim dhe për jetë më të mirë, si dhe më shumë prosperitet për të gjithë qytetarët tanë”.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk ka asgjë të re në deklarimet e presidentit të Kosovës.

“Ai po flet thua se ne duhet të jemi të lumtur nëse na njohin. Ne jemi vend i njohur në Kombet e Bashkuara dhe nuk na duhet njohja juaj”, tha ai.

Procesi i bisedimeve është pezulluar tash e një vit që kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

zëri i amerikës

Protestuesit katalanas bllokojnë rrugën kryesore në kufirin Spanjë-Francë

Oviedo

Automjetet dhe protestuesit kanë paralizuar trafikun në kufirin midis Katalonjës dhe Francës që nga fillimi i së hënës, për të cilën grupi separatist katalanas tha se kishte filluar një valë të re protestash, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizatorët e demonstratave thanë se mijëra automjete kanë bllokuar fluksin e trafikut në të dy drejtimet.

Bllokimet e trafikut tani shtrihen me kilometra në kufi, ku autostrada spanjolle A-7 takohet me autostradën franceze A-9, sipas të përditshmes katalanase La Vanguardia.

Automjetet po ridrejtohen përmes rrugëve nacionale, por edhe në ato rrugë dytësore janë ngritur bllokada gjithashtu.

Aksioni po drejtohet nga “Cunami Demokratik”, një grup që ka qëndruar prapa disa trazirave në Katalonjë gjatë muajit të fundit. Protestat filluan si përgjigje ndaj dënimeve me burg, të cilat u shqiptuan për nëntë liderët separatistë katalanas.

Kjo protestë, tha grupi në një deklaratë, synon të paralajmërojë bashkësinë ndërkombëtare për nevojën që politikanët nga Katalonja dhe Spanja të “ulen dhe të flasin” në vazhdën e zgjedhjeve të përgjithshme të dielën.

Deri më tani, kryeministri i përkohshëm i Spanjës nuk ka pranuar të flasë me udhëheqësin separatist katalan, Quim Torra, duke thënë se Torra së pari duhet t’i bindet ligjit. Torra është zotuar të mbajë një tjetër referendum të paligjshëm të pavarësisë në rajonin e pasur verilindor.

“Sot, ne fillojmë një mënyrë të re të protestës, duke përdorur teknologjinë për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë kolektive. Me këtë model të ri, automjetet bëhen protagonistët e veprimit”, tha organizata në Twitter.

Protestuesit kanë ngritur një skenë në mes të autostradës dhe u kanë bërë thirrje protestueseve të sjellin thasë për gjumë, veshje të ngrohtë dhe bateri për telefonat e tyre celular. Fotografitë tregojnë se janë mbledhur sasi të konsiderueshme të furnizimeve të tjera, përfshirë pajisjet e gatimit, ushqimin dhe pijet. ACN, një tjetër grup i pavarësisë, tha se gjithashtu janë vendosur tualete të lëvizshëm dhe një kuzhinë.

“Cunami Demokratik” theksoi se kjo ishte e dita e parë nga tre ditët e protestave të planifikuara. Mediat lokale raportojnë se grupi planifikon të qëndrojë në kufi për 72 orë.

Një numër i madh policësh, francezë dhe spanjollë u vendosën në të dyja anët e kufirit.

Spanjë, mbahen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme

Madrid

Në Spanjë ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme ku të drejtë vote kanë rreth 37 milionë qytetarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në procesin zgjedhor që ka filluar në orën 09:00 sipas kohës lokale, spanjollët do të votojnë për herë të katërt brenda 4 viteve të fundit për të zgjedhur 350 deputetë dhe 208 senatorë.

Për zgjedhjet e 16-ta të përgjithshme që zhvillohen në historinë e demokracisë së vendit janë hapur 211.200 vendvotime, ku për herë të parë do të mund të votojnë edhe 226.771 persona të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në zgjedhje janë mobilizuar më shumë se 92 mijë forca policore dhe të xhandarmërisë.

Sondazhet nxjerrin fitues Partinë Socialiste të Punëtorëve Spanjollë (PSOE)

Ndërkohë janë marrë masa të veçanta kundër akteve të mundshme të dhunës në Katalonjë ku grupet radikale pro pavarësisë kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve. Për shkak të kësaj janë mobilizuar më shumë se 12 mijë forca sigurie.

Sipas sondazheve, fituese e zgjedhjeve, ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e mbajtura më 28 prill parashihet të jetë Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjollë (PSOE), por e cila nuk do të mund të arrijë shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë.

Gjithashtu pritet që edhe partia e ekstremit të djathtë Vox të rrisë numrin e votave të saj.

Në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që u mbajtën së fundmi në vend më 28 prill pjesëmarrja ishte 71 për qind.

Procesi i votimit në vend do të përfundjë në orën 20:00 sipas kohës lokale ndërsa në Ishujt Kanare në jug të vendit do të përfundojnë 1 orë më vonë për shkak të ndryshimit kohor.

Macron: BE të reformohet para se të hapë negociatat me Tiranën dhe Shkupin

Në një intervistë me revistën The Economist, të publikuar të enjten, Presidenti Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për të reformuar procedurat e anëtarësimit para se të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nëse duam një Evropë të fuqishme, ajo duhet të lëvizë më shpejt dhe të jetë më e integruar. Kjo nuk përputhet me hapjen e një procesi zgjerimi tani, tha zoti Macron.

Të paktën, nëse themi se ‘do të përpiqemi, do të investojmë, do t’i nxisim bizneset të lëvin me shpejtësi përpara, do të investojmë për zhvillimin, kulturën dhe edukimin’, kjo do të kishte kuptim. Por është absurde të hapësh një proces thjesht burokratik, u shpreh zoti Macron.

“Pyetini ata (vendet e BE-së) nesër nëse duan të hapin derën për Shqipërinë. Gjysma e tyre do të thonë jo. Ata duan të hapen me Maqedoninë e Veriut, e cila është vend i vogël dhe ka ndryshuar emrin, gjë që është një arritje e vërtetë historike. Nuk frikëson askënd. E vërteta është që nëse nuk i hapemi Shqipërisë, do të shkaktojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Kudo ka komunitete shqipfolëse. Nëse poshtëron Shqipërinë, atëherë rajoni destabilizohet në mënyrë të pakthyeshme.

Pra, bindja ime është se, së pari, ne duhet të reformojmë procedurat tona të anëtarësimit, të cilat nuk janë më të përshtatshme për qëllimin e tyre, nuk janë strategjike. Ato nuk janë politike, janë tepër burokratike dhe jo të kthyeshme, ndërkohë që duhet të jemi në gjendje në një moment të caktuar të marrim në konsideratë çështjen e kthyeshmërisë,” tha Presidenti Macron.

Ai tha se “nëse shqetësohemi për këtë rajon, pyetja e parë nuk është as Maqedonia e Veriut, as Shqipëria, por Bosnje-Hercegovina,” të cilën ai e quajti një bombë me sahat, pasi po përballet me problemin e kthimit të xhihadistëve.

Presidenti Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për të reformuar procedurat e anëtarësimit para se të hapë negociatat.

“Nëse e arrijmë këtë reformë në muajt e ardhshëm, unë do të jem i gatshëm të hap negociatat, nëse ata bëjnë edhe disa përpjekje shtesë që kanë mbetur. Por unë nuk dua asnjë anëtar tjetër të ri pa u reformuar vetë Bashkimi Evropian. Për mua, ky është një parakusht i sinqertë dhe i domosdoshëm.” zëri i amerikës

Macron: Mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton “vdekjen klinike” të NATO-s

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se mungesa e udhëheqjes amerikane po shkakton “vdekjen klinike” të NATO-s dhe se Bashkimi Evropian duhet të fillojë të veprojë si një fuqi strategjike botërore.

Zoti Macron i tha revistës The Economist se Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump duket se po ‘na kthejnë shpinën’, sidomos me tërheqjen e trupave nga Siria verilindore pa paralajmërim.

Presidenti Macron tha se anëtarët evropianë të aleancës 29 vendëshe, ‘duhet të rivlerësojnë realitetin e ri të NATO nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara’.

Në intervistë, zoti Macron tha se Presidenti Trump ‘nuk ndan idenë tonë për projektin evropian’. Ai shtoi se Evropa ndodhet në ‘buzë të një gremine’ dhe duhet të fillojë të mendojë si një fuqi gjeopolitike, përndryshe ‘ne nuk do të jemi më në kontroll të fatit tonë’.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se kjo nuk ishte pikëpamja e saj. “NATO-ja mbetet një gur themeli i sigurisë sonë,” tha ajo për gazetarët.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e kundërshtoi këtë karakterizim të aleancës gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin. zëri i amerikës

NATO-ja përkujton 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka nderuar ngjarjet e tri dekadave të më parë, që kanë rrëzuar Murin e Berlinit, të cilin e ka konsideruar “plagë në fytyrën e Evropës”.

“Përmes kullave me armë dhe qenve roje, (muri) ka tentuar të mbajë njerëzit brenda dhe idetë jashtë. Mirëpo ka dështur”, ka thënë Stoltenberg më 6 nëntor, jashtë selisë së NATO-s në Bruksel, ku është dërguar një copëz e Murit të Berlinit.

“Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor, të njëjtat vlera që na bashkojnë neve sot, inspiruan njerëzit 30 vjet më parë, për të arritur diçka të jashtëzakonshme”, ka thënë shefi i NATO-s.

Ambasadori gjerman në NATO, Hans-Dieter Lucas, e ka cilësuar rënien e Murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, “një nga momentet në histori, që kanë ndryshuar botën”.

Më vonë gjatë ditës, Stoltenberg pritet të arrijë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin për një vizitë dyditore, gjatë së cilës do të vizitojë presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe zyrtarë tjerë.

Ai po ashtu pritet të jetë pjesë e ceremonive përkujtimore për të shënuar 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, si dhe të pranojë një medalje nga ministria gjermane e Mbrojtjes për kontributin e tij në NATO. rel

Merkel viziton memorialin e viktimave të neo-nazistëve

Berlin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të hënën vizitoi memorialin e viktimave të grupit terrorist neo-nazist dhe bëri thirrje për guxim dhe përgjegjësi për të luftuar racizmin, raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel së bashku me një grup studentësh vendosën lule të bardha në memorialin në qytetin lindor gjerman Zwickau, i cili u ngrit për 10 personat e vrarë nga grupi terrorist NSU.

“Ashtu siç u kam premtuar familjarëve të viktimave disa vjet më parë, ne si Qeveri Federale, do të bëjmë gjithçka për të parandaluar që krime të tilla të mos ndodhin përsëri”, tha ajo.

“Por për këtë, ne gjithashtu kemi nevojë për njerëz të guximshëm, dhe është mirë që sot jemi këtu me të rinjtë, të cilët thonë se dëshirojnë të sigurojnë që gjëra të tilla të mos ndodhin përsëri në Gjermani”, shtoi ajo.

Anëtarët e NSU, të cilët jetuan nën tokë për shumë vite në Zwickau, vranë tetë emigrantë turq, një shtetas grek dhe një police gjermane midis viteve 2000 dhe 2007.

Opinioni gjerman për herë të parë për ekzistimin e këtij grupi mësoi në vitin 2011, kur dy prej anëtarëve të tij vdiqën më 4 nëntor gjatë një përpjekje për vjedhje të një banke. Materiale të ndryshme propagande, më vonë në rrënojat e banesës së NSU-së në Zwickau u gjetën armë.

Deri në vitin 2011, policia e Gjermanisë dhe shërbimet e inteligjencës hodhën poshtë çdo motiv racor për vrasjet dhe u trajtuan familjet emigrante si të dyshuar, duke i pyetur ata lidhur me lidhjet e dyshuara me grupet mafioze dhe trafikantët e drogës.

Gjatë vizitës së Merkel në memorialin në Zwickau, dhjetëra demonstrues të krahut të djathtë protestuan kundër kancelares, duke brohoritur parulla si “Merkel duhet të shkojë” dhe “Stop propagandës”.

Memoriali me pemën e mbjellë në shenjë kujtimi u vandalizua muajin e kaluar dhe pema për Enver Simsek, viktima e parë e NSU-së, u shkatërrua nga të dyshuar të panjohur.

Gjermania ka qenë dëshmitare e ksenofobisë dhe e urrejtjes antiemigrante në vitet e fundit, e nxitur nga propaganda e grupeve neo-naziste dhe partisë ekstremiste islamofobike Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Policia regjistroi më shumë se 19,000 krime të së djathtës ekstreme në vitin 2018, sipas shifrave të fundit të qeverisë, ku ekstremistët kryen rreth 1.000 sulme të dhunshme kundër të huajve, emigrantëve ose rivalëve politikë.

Pothuajse 500 persona u plagosën në sulme të frymëzuara nga ideologji të ekstremit të djathtë.

Policia çeke heton shitjen e maskave të Hitlerit në Pragë (foto)

Policia çeke është duke hetuar shitjen e maskave të Adolf Hitlerit në një dyqan në qendër të Pragës.

Ambasadori i Gjermanisë në Pragë, Christoph Israng, e postoi në Twitter fotografinë e maskës së ekspozuar.

“Çekët kanë vuajtur aq shumë nën regjimin nazist. Përse shiten mbeturina të tilla në qendër të Pragës tani?”, pyeti Israng.

Ai nuk e përmendi emrin e dyqanit.
Policia tha se ka nisur hetime për të përcaktuar nëse është shkelur ndonjë ligj.

“Mund të konfirmoj se po e trajtojmë rastin e shitjes së maskave në qendër të Pragës”, tha një zëdhënëse e policisë për agjencinë çeke të lajmeve CTK.

Si udhëheqës i Gjermanisë naziste, Hitleri ka mbikëqyrur aneksimin dhe pushtimin e Republikës Çeke – dikur Çekosllovaki – nga viti 1938 deri më 1945.

Nën okupimin nazist, civilë çekë janë masakruar dhe janë dërguar në kampe përqendrimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke iu përgjigjur ambasadorit Israng në Twitter, ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, tha se policia po merret me çështjen. rel

Venecia do të vendosë tarifë hyrëse për turistët

Qendra turistike e Venecias në Itali do të fillojë të tarifojë hyrjen e vizitorëve në korrik të vitit 2020.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA me qendër në Romë, Këshilli bashkiak i qytetit vendosi që jorezidentët të cilët kërkojnë hyrje do të paguajnë tarifë hyrëse midis 3 euro (3.3 dollarë) dhe 8 euro (9 dollarë).

Raportet theksojnë se tarifat do të rriten në vitin 2021 në mes 6 euro (6.6 dollarë) dhe 10 euro (11 dollarë).

Sipas të përditshmes Telegraph, qyteti çdo vit mirëpret 20 milionë turistë, duke tejkaluar kapacitetin e tij. aa

PE: Gabim strategjik mos hapja e bisedimeve me Tiranën e Shkupin

Parlamenti Europian e konsideron një “gabim strategjik” mungesën e një vendimi nga ana e shteteve anëtarë të Bashkimit Europian, javën e shkuar, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një rezolutë të miratuar të enjten, me 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenim, Parlamenti Europian thekson se “të dy vendet plotësojnë kërkesat për të filluar negociatat”, duke shprehur “zhgënjim të thellë” për mungesën e konsensusit në Këshillin europian.

Sipas një deklarate të Parlamentit Europian “eurodeputetët shprehin keqardhje për masën e Francës, Danimarkës dhe Hollandës për të bllokuar vendimin” pasi sipas tyre “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe plotësojnë kriteret e BE për të filluar bisedimet e anëtarësimit”. Duke vlerësuar “përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur çështje të vështira bilaterale me vendet e saj fqinje”, eurodeputetët gjithashtu “mirëpresin reformat e fundit të gjyqësorit në Shqipëri”.

Sipas rezolutës, mungesa e një vendimi nga ana e udhëheqësve të BE-së “dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon një mesazh negativ për vendet e tjera të mundshme kandidate. Ajo gjithashtu, mund të bëjë që aktorët e tjerë të huaj – veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesat e BE-së – të angazhohen më ngushtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim u pengua kryesisht nga Franca për shkak të këmbënguljes së presidentit francez Emmanuel Macron për të rishikuar procesin e bisedimeve, në kuadër të reformimit të të gjithë politikës së zgjerimit. “Një reformë e procesit të zgjerimit, e mbrojtur nga disa vende, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tashmë plotësojnë kërkesat për t’u vlerësuar në bazë të meritave të tyre dhe kritereve objektive, dhe jo të gjykohen nga agjendat politike të brendshme në vendet e tjera”, thekson rezoluta.

Këshilli Europian deklaroi se çështja do të rishqyrtohet para Takimit të Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, që pritet të organizohet në muajin maj në Zagreb. Por sipas eurodeputetëve “koha është tani”, duke i kërkuar vendeve anëtare “të veprojnë me përgjegjësi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe të marrin një vendim unanim pozitiv në mbledhjen e ardhshme”. zëri i amerikës

Spanjë: Zhvarrosen mbetjet e diktatorit Francisco Franco

Diktatori spanjoll, Francisco Franco.

Mbetjet e diktatorit spanjoll, Francisco Franco po barten nga një mauzolé në një varr më të thjeshtë, 44 vjet pas ceremonisë së funeralit të tij.

Ngjarja e së enjtes përmbush një zotim tejet të rëndësishëm për qeverinë socialiste, e cila ka thënë se Spanja nuk duhet të vazhdojë të glorifikojë një fashist që ka udhëhequr shtetin për gati katër dekada.

Familja e tij nuk ka arritur të fitojë rastin, pavarësisht pse ka sfiduar nëpër gjykata vendimin për zhvarrosje.

Periudha e udhëheqësisë së Frankos vazhdon të vërehet me raste në Spanjë, ndonëse ky shtet tani aplikon sistem demokratik.

Kryeministri, Pedro Sanchez ka thënë se zhvarrosja përbën “fitore të madhe për dinjitetin, kujtesën dhe drejtësinë e demokracisë spanjolle”.

Vetëm disa personave u është lejuar të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila është realizuar nën masa të rrepta të sigurisë.

Ai do të varroset në varrezat El Padro, ku gjenden trupat e shumë politikanëve tjerë.

Ndryshe nga Italia në kohën e Mussolinit dhe Gjermanisë Naziste në kohën e Luftës së Dytë Botërore, tranzicioni i Spanjës në demokraci më 1975 ka qenë proces më gradual.

Ndonëse ky shtet tani është demokrat, ka zëra që thonë se ky shtet nuk është përballur asnjëherë me të kaluarën fashiste.

Në këtë shtet, thuhet se ekziston “një pakt i harresës”, gjatë tranzicionit.

BE po i vëzhgon negociatat Serbi-Rusi për tregtinë e lirë

Komisioni Evropian po i përcjell nga afër negociatat e Serbisë me Rusinë për një marrëveshje për tregti të lirë, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.

Gjatë vizitës në Beograd, fundjavën e kaluar, kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik, më 25 tetor.

Ky Union përbëhet nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Armenia.

“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe po e diskutojmë atë me autoritetet serbe”, tha Kocijançiq.

“Nga Serbia pritet që të përafrohet me politikën e BE-së”, theksoi ajo, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, shtoi Kocijançiq, Serbia mund të bëjë marrëveshje me vendet ose organizatat e tjera, përpara se të bëhet anëtare e BE-së.

“Në kontekstin e negociatave të pranimit, Serbia obligohet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së jashtme në ditën e pranimit në BE. Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me palët e treta nuk është një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që vlen për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”, tha Kocijançiq.

Sipas saj, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, sepse tregtia e ndërsjellë përbën 63 për qind të tregtisë totale të Serbisë.

Ndërkaq, me marrëveshjen me Unionin Ekonomik Euroaziatik është thënë se Serbia mund të ketë qasje në një treg prej 180 milionë konsumatorësh.

Protestat paralizojnë Barcelonën

Barcelonë, 18 tetor 2019.

Dita e pestë e protestave dhe një grevë e përgjithshme, për shkak të burgosjes së udhëheqësve katalanas, e kanë bllokuar qytetin e Barcelonës.

Policia tha se mbi gjysmë milioni njerëz janë mbledhur atje të premten, duke bllokuar rrugë dhe trena.

Protestat kanë qenë kryesisht të qeta, edhe pse është raportuar për disa përleshje midis demonstruesve të maskuar dhe policisë.

Më 14 tetor, Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar nëntë udhëheqës katalanas me dënime të gjata me burgim, për shkak të rolit të tyre në përpjekjet për ndarjen e Katalonjës nga Spanja, në vitin 2017.

Tre të pandeuhur të tjerë janë shpallur fajtorë për mosbindje dhe janë gjobitur.

Të 12 politikanët dhe aktivistët i kanë mohuar akuzat.

Vendimi i Gjykatës Supreme ka shkaktuar disa nga protestat më të mëdha që ka parë Spanja në disa dekada.

Së paku 96 njerëz janë plagosur në përleshjet e ditëve të kaluara midis policisë dhe protestuesve.

Ekipet e futbollit Barcelona dhe Real Madridi e kanë shtyrë ndeshjen që është dashur të luhet më 26 tetor.

Macron: Si t’u them francezëve se do hapim negociatat me Shqipërinë, kur çdo ditë vijnë azilkërkues

Nga Brukseli Presidenti i Francës, Emmanuel Macron foli për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Macron i qëndroi idesë së tij se përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mjaftojnë për të hapur negociatat.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin shumë reforma. Dua të përgëzoj sidomos Maqedoninë Veriore për arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë për çështjen e emrit.

Përparimet janë bërë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Ka probleme të jashtëzakonshme sidomos me çështjen e emigracionit të paligjshëm”, tha Macron.

Macron tha se diskutimi ka qenë i frytshëm dhe kjo e ka ndihmuar atë  për të kuptuar gjendjen e vërtetë në këto dy vende të Ballkanit Perëndimor. Por e rëndësishme tha ai, është reforma brenda BE.

“Kryesore është reforma brenda nesh. Pra duhet reformë përpara se të hapim derën e anëtarësimit për vendet e tjera”, deklaroi Macron.

Sipas tij është e vështirë që tu tregojmë francezëve se do të hapim negociatat me Shqipërinë, një vend i origjinës së sigurt, por që ka probleme me azilkërkuesit.

Lirohet ish-lideri katalan Puigdemont

Bruksel

Gjykata në Belgjikë ka liruar ish-liderin e arratisur të qeverisë autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, pasi në mëngjes u dorëzua para autoriteteve belge, transmeton Anadolu Agency (AA).

Puigdemont u dorëzua vullnetarisht në policinë e Belgjikës, ku ai gjendet si i arratisur, ndërsa më pas u paraqit në gjykatë, raportuan mediat belge.

Gjykatësi ka vendosur që Puigdemont, ndaj të cilët Gjykata e Lartë e Spanjës deri tani ka lëshuar tre urdhra arresti në nivel evropian, të lirohet.

Gjykata vendosi që ish-lideri katalan të jetë nën mbikëqyrjen e gjyqësorit belg gjatë periudhës së shqyrtimit të fletarrestimit të Spanjës.

Procesi në Katalonjë

Më 12 qershor përfundoi gjyqi katërmujor ndaj 12 politikanëve katalanë dhe liderëve të organizatave joqeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.

Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës, pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, në gjykim ndodheshin 12 të akuzuar, prej të cilëve nëntë nën masën e arrestit dhe tre në gjendje të lirë.

Ndaj të akuzuarve kërkohej dënim nga shtatë deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengim të zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.

Puigdemont në tetor të vitit 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.

Ish-lideri katalonjas Puigdemont dorëzohet te autoritetet belge

Bruksel

Ish-lideri i Rajonit Autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, është dorëzuar tek autoritetet e policisë belge, transmeton Anadolu Agency (AA).

Puigdemont, ndodhej në arrati pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti në të gjithë Evropën nga Spanja.

Avokati i Puigdemont në një deklaratë për mediat belge tha se lideri katalonjas në orët e para të mëngjesit ka shkuar me vullnetin e tij për të dhënë deklaratë në stacionin e policisë.

Gjykata e Lartë spanjolle ka lëshuar për herë të tretë urdhër arresti në Evropë ndaj Puigdemont i cili thuhet se ka deklaruar se nuk dëshiron të kthehet në Spanjë dhe se i beson drejtësisë belge.

Procesi në Katalonjë

Me 12 qershor përfundoi gjyqi katër-mujor ndaj 12 politikanëve katalonjas dhe liderëve të organizatave jo-qeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.

Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, ndodheshin në gjykim 12 të akuzuar nga të cilët 9 prej tyre nën masën e arrestit dhe 3 në gjendje të lirë.

Ndaj të akuzuarve kërkohej dënimi nga 7 deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengimin e zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.

Puigdemont në tetor 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.

Die Welt: Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të ketë një diskutim tjetër në dhjetor

“Refuzimi për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë ka shkaktuar zhgënjimi në të dyja vendet e Ballkanit dhe pjesëmarrësit e samitit të BE”. Keshtu shkruan sot media e njohur gjermane “Die Welt”, ne nje shkrim te saj botuar online.

Kancelarja austriake Brigitte Bierlein tha se ngecja ne perparimin e procesit te negociatave të Premten në Bruksel ka ngjallur “shumë keqardhje”.

Krerët e shteteve të Maqedonisë Veriore dhe të Shqipërisë kanë treguar “se jane ndier shumë të zhgënjyer”, shkruan media gjermane.

SHKRIMI

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kishin “bërë gjëra të jashtëzakonshme” për t’u afruar në BE.

“Në këtë kuptim, është e rëndësishme për ne që të mbajmë një këndvështrim të përbashkët me ta”.

Kreu i qeverisë së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, tregoi në Shkup se vendi i tij, siç kërkohej, i kishte dhene fund mosmarrëveshjes për emrin me Greqinë dhe kishte ndryshuar kushtetutën.

Ndërsa Gjermania, si shumica e vendeve të BE-së, mbështet fillimin e negociatave të pranimit, Franca ndodhet ne krye te kundershtuerve te ketij procesi. Parisi eshte duke treguar shifrat e larta të azilkërkuesve, veçanërisht nga Shqipëria, dhe bën thirrje për rregulla më të rrepta për procesin e zgjerimit të BE.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se samiti kishte dale me perfundimi e një “jo të qartë”.

Sipas një përfaqësuesi të BE, Presidenti i Këshillit Donald Tusk dëshironte të diskutonte me Krerët e Shteteve dhe Qeverive për hapat e mundshëm të mëtejshëm. Mund të ketë një diskutim tjetër në samitin e BE në dhjetor.

Komisioni Evropian i kishte certifikuar tashmë Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në vitin 2018 se kishte zbatuar të gjitha reformat e nevojshme. Shtetet Anëtare tani kanë shtyrë për herë të tretë vendimin e tyre për të filluar negociatat e pranimit./Perktheu: Panorama

Hahn: S’ka vendim për bisedimet me Tiranën dhe Shkupin

Këshilli Europian nuk arriti një vendim në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim: kjo u bë e ditur nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një postimi në Twitter. “Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian”, shkroi Hahn, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.
Komisioneri për Zgjerimin shkruan se “është përgjegjësia jonë tani të qëndrojmë me vendet, qytetarët e të cilëve janë me të drejtë, tejet të zhgënjyer. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë.

Vendimi për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u diskutua gjatë në dy ditët e mbledhjes së Këshillit Europian, por Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i prerë, ndonëse shumica dërrmuese e vendeve anëtare, me Gjermaninë në krye ishin për t’i thënë “Po” të dy vendeve qoftë edhe me kushte. zëri i amerikës

Diplomatja gjermane: Po koordinohemi me Amerikën për Kosovën, prekja e kufijve destabilizon Ballkanin

Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz, në një intervistë për “Danas”, ka folur rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes finale që pritet të arrijnë dy palët, raporton Gazeta Express.

Ajo ka thënë se qëllimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd duhet të jetë arritja e një marrëveshje për të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat kanë mbetur të pazgjedhura, një ujdi e cila do të jetë politikisht e qëndrueshme në të dy vendet dhe që do t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.

Schutz ka thënë se Gjermania pret një ritëm të ri në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2020, pasi që sipas saj është harxhuar shumë kohë.

“Kur do të arrihet marrëveshja, varet kryesisht nga vullneti politik i palës serbe dhe asaj kosovare” , ka shtuar ajo.

Diplomatja gjermane tutje ka thënë se janë në koordinim dhe në komunikim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.

E pyetur nëse e sheh angazhimin amerikan si një konkurrencë për BE’në, Schutz ka thënë se e mirëpresin faktin që SHBA’ja po i kushton rëndësi më të madhe dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE’ja.

“Ne e mirëpresim faktin që SHBA’ja, si ne, i kushtojnë rëndësi të madhe politike dialogut të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA’ja janë në komunikim të rregullt dhe intensiv për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun. Të gjithë janë të vetëdijshëm që marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të gjitha palët do të tregohen bashkëpunuese.

Sa i përket emërimit të Grenell, diplomatja gjermane ka thënë se vendimi i Trumpit për një emërim të tillë po shihet si një shenjë e vëmendjes së madhe që Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i kushtojë dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Emërimi i Ambasadorit Grenell si i Dërguar Special i Presidencës së SHBA’së interpretohet si një shenjë e vëmendjes së madhe të Trump, që dëshiron t’i kushtojë dialogut për normalizim të marrëdhënieve, dhe ne e mirëpresim këtë fakt. Në po vazhdojmë të rreshtohemi me partnerët tanë amerikanë për hapjen e mundësive në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje që mbyll të gjitha çështjet e pazgjidhura, dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit”, ka shtuar tutje ajo.

Schutz ka treguar edhe një herë që qëndrimi i Gjermanisë sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve është i pandryshueshëm, për arsye se çfarëdo prekje e kufijve do të destabilizonte Ballkanin Perëndimor.

“Pozicioni i Gjermanisë për këtë çështje është i ditur. Ne po vëzhgojmë diskutimet për kufij etnikë, dhe sipas mendimit tonë do të kenë efekt destabilizues për Ballkanin Perëndimor. Shumë politikanë në rajon gjithashtu ndajnë këtë shqetësim dhe vazhdimisht kanë tërhequr vëmendjen e publikut për këtë fakt. Sepse ne thjesht duam të arrijmë një zgjidhje që do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ndër të tjera diplomatja gjermane./GazetaExpress/

Katalonja sërish planifikon votim për pavarësi nga Spanja

Shefi rajonal i Katalonjës, Quim Torra

Katalonja duhet të mbajë një votim të ri për pavarësi nga Spanja, brenda dy viteve, tha kreu i qeverisë së rajonit.

Kjo deklaratë paraqet edhe një sfidë të re për Madridin, pas disa ditëve të trazirave nga protestuesit pro-separatistë.

Rreth 100 njerëz u plagosën, në të gjithë rajonin verilindor, pasi Gjykata Supreme e Spanjës dënoi më burgim nëntë liderë të rajonit, për përpjekjet e tyre të dështuara për të siguruar pavarësinë në vitin 2017, përmes një referendumi për të cilin Madridi vendosi se ishte i paligjshëm.

Duke iu drejtuar parlamentit katalonjas, shefi rajonal që është pro-pavarësisë, Quim Torra, kritikoi dhunën, duke thënë se kauza për pavarësi është një lëvizje paqësore.

Por, ai gjithashtu tha se dënimet ndaj lidërëve katalonjas nuk do të pengojnë një votim të ri për pavarësinë.

“Ne do të kthehemi përsëri në kutinë e votimit për vetëvendosje” tha ai.

Afati i parlamentit rajonal skadon në dhjetor të vitit 2021.

Gjykata Kushtetuese paralajmëroi të mërkurën zyrtarët katalonjas, për pasojat juridike nëse shkelin ligjin duke vazhduar me përpjekjet për pavarësi. rel

Misteri i shtëpisë së izoluar në Holandë

Policia holandeze njoftoi se ka zbuluar një familje prej gjashtë anëtarësh të fshehur në një dhomë sekrete në një shtëpi të izoluar në një zonë rurale që prisnin siç thanë autoritetet “fundin e botës”.

Policia njoftoi se kishte gjetur pesë të rinj të moshës nga 8 në 25 vjeç, së bashku me një burrë të sëmurë që u indentifikua si babai i tyre në një fermë pranë fshatin Ruinerwold në provincën veriore të Drenthe-s, rreth 130 kilometra në verilindje të Amsterdamit.

Ata thanë se familja e tyre nuk kishte pasur kontakte me botën e jashtme prej nëntë vitesh.

Policia ka arrestuar në lidhje me ngjarjen babain 58-vjeçar me origjinë nga Austria, i cili kishte marrë fermën me qera.

Zëdhënësja e policisë Nathalie Schubart u tha gazetarëve se shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Mediat lokale raportojnë se policia u njoftua nga pronari i një taverne në fshat, i cili raportoi rreth një personi me “një vështrim të hutuar, me flokë të çrregullt me mjekër të gjatë dhe rroba të vjetra që kishte hyrë në lokalin e tij dhe kishte porositur pesë birra”.

Ai i kishte thënë pronarit të tavernës se nga vinte dhe se kishte nevojë urgjente për ndihmë. Personi u indentifikua më vonë si një prej fëmijëve të familjes. Policia thotë se nëna e tyre kishte vdekur përpara se ata të vendoseshin në këtë fermë. zëri i amerikës

Përleshje në Barcelonë gjatë protestave kundër dënimit të ish udhëheqësve të Katalonjës (video)

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe policisë shpërthyen të martën mbrëma në Barcelonë, në ditën e dytë të protestave kundër dënimit të nëntë ish udhëheqësve të Katalonjës nga Gjykata e lartë e Spanjës, për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësi në vitin 2017.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se në përplasje jashtëzakonisht të tensionuara, protestuesit hodhën kanoçe, gurë dhe fishekzjarrë mbi policinë dhe u vunë flakën një sërë kontejnerësh të mbeturinave.

Policia çau turmën disa herë duke përdorur shkopinjtë e gomës. Një zëdhënës i policisë rajonale të Mossos, tha se ata po përpiqeshin të krijonin hapësirë përreth selisë lokale të qeverisë spanjolle. Katër persona u arrestuan, tha ai.

Gazetarët e agjencisë Reuters thanë se ishin dëshmitarë kur policia spanjolle qëlloi ne ajër më plumba gome. Por policia nuk ka bërë ndonjë koment.

Protestuesit Barcelonë, kënduan humbin e Katalonjës dhe brohoritën për pavarësinë, duke i cilësuar policinë spanjolle si “forcë pushtuese”, që duhet të largohet nga Katalonja, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press.

Zyra e kryeministrit spanjoll lëshoi një deklaratë të martën vonë në të cilën tha se protestuesit po shkaktojnë “dëme” dhe akuzoi “grupet që shfrytëzojnë rrugët për të thyer bashkëjetesën në Katalonja” për bashkërendimin e trazirave.

Verdikti për Tiranën e Shkupin mbetet në dorë të Francës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm del pa vendim

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së nuk ka arritur të dalë me një qëndrim të unifikuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tashmë duket e qartë se takimi në Luksemburg nuk arriti të sheshojë mosmarrëveshjet mes palëve, e veçanërisht ndaj atyre vendeve skeptike si Franca të cilat kanë kundërshtuar dhënien e një drite jeshile për inicimin e negociatave.

Gjithçka tashmë do të kalojë në Bruksel, atje ku liderët e BE-së do të mblidhen për të dhënë verdiktin final, një vendim i cili duhet të jetë i unifikuar.

Pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ministrja finlandeze për çështjet evropiane Tyttti Tuppurainen tha se një shtet ishte kundër hapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin. Pavarësisht se diplomatja nuk e tha emrin, tashmë është e ditur që Franca mban pozicionin kundër.

“Fatkeqësisht kishte disa vende që ishin hezituese. Një vend ishte kundër. Pra kërkohet unanimitet për një vendim. U munduam të gjenim të gjitha mundësitë për të dërguar një mesazh në Ballkan, por kjo nuk ishte e suksesshme. E vetmja që që mundëm të arrijmë është që Këshilli i BE-së do t’i kthehet kësaj çështje dhe shpresoj që do të merret një vendim pozitiv. Liderët e BE-së do të kenë një shans për të diskutuar këtë çështje do ta diskutojnë në një kontekst më të gjerë. Shumica e vendeve anëtare ishin mbështetësve për hapjen e negociatave jo se ishte në interesin tonë por populli në Shqipëri dhe Maqedoni e duan këtë gjë. Shpresoj të jemi të suksesshëm më datë 18”, tha diplomatja finlandeze.

Tuppurainen, deklaroi gjithashtu se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze.

Në konferencën për shtyp i pranishëm ishte dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn, i cili ka nga ana e tij theksoi se nuk ishte një moment lavdie.

“Nuk është një moment lavdie. Kam luftuar për ta bërë të mundur dhe nuk do të ndalojmë. Shpresoj të bindim të tjerët sepse po flasim për diçka jetësore ku unë personalisht nuk kam asnjë ndjenjë negative por siç e thatë edhe ju procesi është i bazuar në meritë dhe ata kanë plotësuar kushtet. Edhe ne duhet të plotësojmë kushtet tona por nuk e bëmë këtë. 25 vende janë në favor të integrimit.”, theksoi Hahn.

Opozita hungareze shpreson të fitojë zgjedhjet në Budapest

Pankartë elektorale të kandidatit opozitar, Gergely Karacsony.

Qytetarët në Hungari po votojnë në zgjedhjet lokale, teksa politikanët opozitarë po tentojnë që sfidojnë pushtetin e kryeministrit nacionalist, Viktor Orban, duke tentuar që të fitojnë në kryeqytet, Budapest.

Pavarësisht se vijnë nga sprektre të ndryshme politike, shumë parti opozitare kanë bashkuar forcat për të garuar kundër partisë së krahut të djathtë Fidesz, të kryeministrit Orban.

Orban, i cili erdhi në pushtet më 2010, ka ndryshuar rregullat zgjedhor, në mënyrë që partitë opozitare ta kenë të vështirë të garojnë vetëm kundër partisë Fidesz.

Budapesti do të jetë fokusi i këtyre zgjedhjeve. Gergely Karacsony, 44 vjeç, sipas sondazheve është sfiduesi kryesor i kryetarit aktual të Budapestit, Istvan Tarlos, i cili mbështetet nga partia Fidesz dhe është në pushtet që nga viti 2010.

Karacsony e ka krahasuar garën për kryeqytetin hungarez me zgjedhjet lokale në Staboll, ku kandidati i partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan humbi garën ndaj kandidatit të opozitës.

“Stambolli votoi kundër pushtetit agresive që në shumë mënyra është e ngjashme me regjimin e Orbanit”, tha ai për AFP.

Garë e ngushtë parashihet të jetë edhe në qytete të tjera që udhëhiqen nga Fidesz, siç është Miskolc, Pecs dhe Szombathely.

Një skandal seksual, që u bë publik javën e kaluar, e ku ishte i përfshirë një kryetar komune nga partia Fidesz, mund të bëjë që mbështetja ndaj kësaj partie të bie, e cila promovon vlerat e familjes dhe e cilëson veten si parti të krishterë dhe konservatore.

Një bloger ka postuar fotografi eksplicite dhe video të kryetarit të qytetit Gyor, i cili po merrte pjesë në një orgji në një jaht në Kroaci.

Kryeministri Orban ka qëndrime kundër emigrantëve dhe kundërshton ato që ai i ka cilësuar si shtete “jodemokratike” në Evropën Perëndimore.

Reagimi i parë i fituesit të çmimit “Nobel”: Më vjen mirë që serbët janë të lumtur për mua

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, austriaku Peter Handke, në reagimin e tij të parë për këtë lajm i ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.

 

“Jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit, transmeton Klan Kosova.

Lajmi se Peter Handke fitoi Nobelin e sivjetëm për Letërsi, ka ngjallur reagime të shumta pasi ai njihet si mbështetës i “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviqit.

Në mesin e tyre që kanë reaguar është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë të tjerë.

Zëri i Amerikës: Bisedimet me BE, Franca kërkon shtyrjen për Tiranën e Shkupin

Parisi propozon rishikim të procesit të Zgjerimit: Komisioni europian të paraqesë brenda pranverës së 2020 strategjinë e re. Ndërkohë të dy vendeve u kërkohet të avancojnë me reformat.

Franca kërkon shtyrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Europian.

Zëri i Amerikës ka mësuar se propozimi që Franca ka hedhur për momentin në tryezën e vendeve anëtare, lidhet së pari me idenë publike të Presidentit Emmanuel Macron, për të reformuar fillimisht BE-në përpara se të avancohet me zgjerimin. Në funksion të kësaj ideje Franca kërkon një qasje të rishikuar të procesit të zgjerimit. Sipas saj negociatat me vendet që duhet të anëtarësohen duhen të jenë graduale, më konkrete dhe procesi të mos jetë automatik dhe i pakthyeshëm, ose e thënë me fjalë të tjera, që në momentin kur nuk vlerësohet përparimi i duhur, procesi të mund të pezullohet.

Kjo, siç i shpjeguan Zërit të Amerikës burime diplomatike, është në funksion të zbatimit të prekshëm të reformave, veçanërisht ato që lidhen me Shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe të drejtave themelore.

Sipas propozimit të Francës, brenda pranverës së viti të ardhshëm, Komisioni europian duhet të hartojë këtë qasje apo strategji të re për procesin e zgjerimit. Ndërsa paralelisht, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i kërkohet që në ndërkohë, të vijojnë me zbatimin e reformave, specifikimi i të cilave mbetet për t’u përcaktuar, por që mund të jenë, në rastin e Shqipërisë, përafërsisht çka përmban propozimi gjerman dhe ndonjë element shtesë për të cilën Franca ka një ndjeshmëri të veçantë.

Takime të rëndësishme për ecjen përpara të Kosovës dhe parashikimi im për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 – Nga Nue Oroshi

Gjatë qendrimit tim dy javor në Kosovë në javen e parë kisha me vete edhe një delegacion gjerman të kryesuar nga Claudia Busken veprimtare e CDU-në në Kiel si dhe antare e Odës Ekonomike në Gjermani. Ka disa muaj që jemi duke u përpjekur që ta bëjmë themelimin e një zyre ndërlidhse në Kiel të Gjermanisë,për sjelljen e Investitorëve gjerman në Shqipëri dhe Kosovë. Në kuadër të shumë takimeve patëm edhe dy takime frytdhënëse.

Njërin me Legjendën e Luftës dhe politikanin që e mban fjalën Anton Quni.Me Antonin biseduam për intensifikimin e marëdhënieve shqiptaro-gjermane pas zgjedhjeve të 6 tetorit.Gjatë takimit u shoshitën shumë tema interesante për Kosovën në të ardhmën.Kosova duhet të orientohet edhe praktikishtë me Evropën dhe jo vetëm me fjalë të thata.Antoni jo vetëm që do të jetë Deputet në Parlamentin e Kosovës por në  të ardhmën do të luan një rol mjaftë të rëndësishem në politikën e Kosovës.Takimi i dytë  ishte me krerët e PSHDK-së ,dr.Ukë Berisha -kryetar,Zef Morina nënkryetar dhe David Kqira kryetar i PSHDK-së në Prizren.Kjo parti ka vjet që është lënë në harresë. Ka ardhur koha që të jetë prezente në Parlamentin e Kosovës,këtë duhet ta ketë parasysh edhe elektorati i LDK-së ku ajo është tash në koalicion parazgjedhor.

Me ftesë të Kryetarit të degës së LDK-së në Prizren Anton Quni morëm pjesë edhe në një takim të kësaj partie në Shadërvan, ku mori pjesë edhe kandidatja e LDK-së për Kryeministre të Kosovës Vjosa Osmani.Diskutimi i saj ishte i mrekulushem dhe linte përshtypje se është njohëse e politikës.Vjosën për kryeministre më të madhe është duke e përkrahur CDU në Gjermani si dhe politika amerikane.Kosova duhet ta ndryshoj mentalitetin Qeverisës.Të kaloi nga politika e barkut që është udhëhequr deri më tani në politikën e mendjes.Personalisht mendoj se pas zgjedhjeve të 6 tetorit të bëhet një koalicion në mes të LDK-së dhe AAK-së.Kjo duhet të bëhet për shumë arsye njëra ndër arsyet se të dy partitë janë të fokusuara në orjentimin Evropian të Kosovës.Në këtë rast Ramush Haradinaj duhet të mos bëj gabime që i bëri sa ishte në Qeverisje ku u rrethua nga këshilltarë të pandërgjegjshëm dhe mediokerr,të cilët për dy vjet qeverisje i humbën shumë përkrahës që kishte.Sa i përket renditjes së partive politike duke mos qenë pjesë e asnjë partie politike në Kosovë dhe duke vlerësuar me akullin e ftoftë të mendjes mund të them se renditja pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë do të jetë kështu:LDK-ja do të jetë parti e parë politike.Këtë e them se kjo parti arriti t´iu bëj ballë ndarjeve politike dhe në listën e saj përfshiu të rinjët dhe të rejat e familjeve tradicionale shqiptare që historikisht luajtën rol në shumë procese historike të Kosovës.

Rënja e PDK-së ka bërë që lufta në mes të VV dhe PDK të jetë shumë e afërtë për vendin e dytë.Ndoshta do të jenë votat e diasporës që do të vendosin se kush do të jetë i dyti dhe i treti.AAK do të jetë parti e katërt me një ngritje të mirë të votave kurse Nisma do të jetë parti e pestë.Tash në përfundim të  fushatës shumë kandidatë për deputetë ëndrrojnë të gjithë të jenë pjesë e Parlamentit por vetëm 10% nga këta kandidat do t´iu bëhet ëndrra realitet.Kalimi në Opozitë dhe humbja e pushtetit nuk është fundi i botës.Por edhe ardhja në Qeveri nuk është se të gjithë problemet e grumbulluara në Kosovë do të zgjidhen në mënyrë automatike.Për këtë fakt pas formimit të Qeverisë së Kosovës duhet zgjedhur në poste kyçe njerëzit që e njohin profesionin e tyre,pavarsisht së në cilin sektor angazhohen.Në të kundërtën do të kemi vetëm një vendnumrim siç  ka qenë tash e 20 vjet.

Holanda letër zyrtare BE-së: Hapja tani e negociatave për Shqipërinë është e parakohshme

Qeveria holandeze i ka dërgyuar ditën e sotme një letër zyrtare Bashkimit Europian përsa i përket negociatave të shqipërisë.

Holanda përshëndet hapat e Shqipërisë në procesin e vettingut dhe thotë se Shqipëria ka bërë sukses në sundimin e ligjit, por sipas tyre hapja e negociatave është e parakohshme

“Qeveria mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë në fushën e vetting-ut radikal, në sundimin e ligjit, rritjes së operacioneve policore kundër krimit. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë, ditën e djeshme ministri i Jashtëm i Holandës Stefan Blok këmbënguli se Shqipëria nuk e meriton që t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE.

‘’Shqipëria nuk e meriton t’i hapen negociatat për anëtarësim. Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishme përpara. Progresi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë, prandaj ne po e vëzhgojmë situatën’’, përsëriti për të disatën herë ministri i Jashtëm holandez Blok për bllokimin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Gjermania reagon pas emërimit të Richard Grenell si emisar në negociatat Kosovë-Serbi

Presidenti Donald Trump, ka emëruar ambasadorin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell, edhe në postin e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një vendim i tillë ka habitur shumë kë, pasi nuk kanë kaluar as dy muaj që prej emërimit të Matthew Palmer si Përfaqësues për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Besnik VELIU

Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke qenë se Richard Grenell ushtron edhe postin e ambasadorit të SHBA’së në Berlin.

Zëdhënësi i Qeverisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, Stefan Siebert, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se është e rëndësishme që të kenë koordinim me partnerët amerikanë sa i përket politikës për Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se zhvillimet në këtë rajon janë shumë të rëndësishme.

“Para se gjithash, është në përgjegjësinë e Qeverisë se SHBA’së për të emëruar Përfaqësues Special. Për ne mbetet, që në fushën e politikave për Ballkanin perëndimor, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, të kemi një pjesë të rëndësishme të politikës sonë të jashtme, dhe sigurisht duhet të koordinohemi me partnerët amerikanë, dhe ne do ta bëjmë, edhe tash kur Z. Grenell është Përfaqësues Special. Nuk mund t’iu japë një vlerësim personal nga perspektiva gjermane”, ka thënë Siebert për Gazetën Express.

Ndërkohë sot gjatë gjithë ditës ka pasur reagime lidhur me vendimin e fundit të Donlad Trump për emërimin e Richard Grenell në postin e Përfaqësuesit Special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, e ka cilësuar si një vendim bizar, Florian Bieber ekspert për Ballkanin e ka cilësuar si lajm jo të mirë, derisa gazetari britanik, Tim Judah, thotë se është çuditur nga një vendim i tillë.

Ndërkohë “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe ka publikuar një profil të Grenell, në të cilin flitet për problemet dhe izolimin e tij si diplomat në Gjermani, pasi ambasadori amerikan disa herë kishte bërë përpjekje që të ndërhynte në politikat e brendshme të Gjermanisë.

Aty tregohej edhe një takim sekret që Grenell e kishte mbajtur me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë muajit dhjetor në Berlin, takim ky në të cilin presidenti i Kosovës i kishte premtuar atij se Kosova do ta hiqte vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkohë Presidneti Thaçi menjëherë sot ka zhvilluar një telefonatë me ambasadorin gjerman, Richard Grenell, duke thënë se emërimi i tij tregon se SHBA’ja dëshiron që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se cilat do të jenë lëvizjet e Bashkimit Evropian në vazhdim. Nëse do të emërohet ndonjë Përfaqësues Special siç ishte paralajmëruar, apo Josep Borell do të jetë ndërmjetësues në dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, meqenëse shumë shpejtë do ta marrë pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE’së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet që të rifillojë në fund të muajit dhjetor apo në fillim të janarit 2020, ndërkohë është raportuar se SHBA’ja dëshiron një marrëveshje finale Kosovë-Serbi deri në verën e vitit 2020.

BE-ja konfirmon bashkëpunimin me SHBA-në për dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Reagimi i BE-së, vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq, duke konfirmuar gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se emërimi i diplomatit Richard Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

BE paralajmëron SHBA-të me kundërpërgjigje tregtare

Bruksel

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet nëse SHBA-të vendosin taksa ndaj sektorit evropian të aviacionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një program të zhvilluar nga Dhoma Tregtare Amerikane, presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker lidhur me mosmarrëveshjen për Boeing-Airbus e cila vazhdon prej rreth 15 vitesh mes BE-së dhe SHBA-ve tha se tregtia e ndërsjellë mes BE-së dhe SHBA-së nuk është e lidhur vetëm me shifrat, por ajo ndikon drejtpërdrejt tek jeta e njerëzve.

“Luftërat tregtare fillojnë lehtë, rriten me shpejtësi por në përgjithësi ato përfundojnë keq”, theksoi Juncker.

Ai tërhoqi vëmendjen se luftërat tregtare do të paraqesin efekte negative pavarësisht se ku ndodhin. Juncker nënvizoi se Evropa gjithmonë mbron tregtinë e ndërsjellë, në kushte të barabarta, të drejtë dhe të lirë.

“Ne do të bëjmë të njëjtën gjë nëse dikush zbaton taksa doganore ndaj sektorit tonë të aviacionit”, tha Juncker rreth vendimit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) i cili lejon që SHBA-ja të zbatojë taksë doganore shtesë prej 7.5 miliardë dollarë për shkak të mbështetjeve të jashtëligjshme të siguruara për Airbus.

Kompania amerikane Boeing dhe kompania evropiane Airbus nën partneritetin e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Holandës të cilat janë kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e avionëve akuzojnë njëra tjetrën se marrin mbështetje publike të jashtëligjshme.

Këto kompani zhvillojnë proces ligjor kundër njëra tjetrës me arsyetimin se brenda strukturës së OBT-së ekziston një konkurencë e padrejtë në këtë sektor.

Drejtuesit e BE-së: Të hapen bisedimet me Tiranën e Shkupin

Drejtuesit e institucioneve më të lartë të Bashkimit europian ju drejtuan sot vendeve anëtare me një letër të përbashkët për të kërkuar prej tyre hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. “Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet”, shkruhet në letrën e firmosur nga Presidenti i ri i Parlamentit europian David Sassoli, Presidenti aktual i Këshillit Europian Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian Jean Claude Juncker si dhe presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019. Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Marrja tani e një vendimi për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen”, shkruhet në letër, ku vihet në dukje se “bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do që të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”.
Drejtuesit më të lartë të institucioneve europiane theksojnë se “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë”. Ata nënvizojnë më tej se “Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate”, vë në dukje letra.
Vendimi i vendeve anëtare pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të datës 18 Tetor. Ndërsa Gjermania e ka marrë vendimin e saj në favor të të dy vendeve, duke renditur megjthatë një sërë kushtesh për Shqipërinë, ende nuk ka një ide të qartë se çfarë do të bëjë Franca, pozicioni i së cilës është i lidhur me së shumti me idenë e presidentit Emmanuel Macron për reformimin së pari të vetë BE-së. Edhe Hollanda nga ana e saj nuk e ka fshehur skepticizmin e thellë. “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar , diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar, për masën e progresit të arritur”, deklaroi kryeministri hollandez Mark Rutte një ditë më parë gjatë një vizite në Berlin.

Kreu i Kuvendit çek në mes të Beogradit: Mos prisni ta tërheqim njohjen për Kosovën

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve në Çeki, Radek Vondraçek, ka thënë se në shtetin e tij asnjëherë nuk ka pasur një qëndrim unik sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë thotë se nuk mund të pritet një tërheqje e njohjes për Kosovën.

Këto deklarata Vondraçek i ka bërë gjatë një adresimi në Parlamentin e Serbisë në një seance speciale, raporton agjencia e lajmeve Beta, transmeton Gazeta Express.

“Njohja e Kosovës është përcjellë me mosmarrëveshje të ndryshme në Çeki, dhe asnjëherë nuk e ka pasur përkrahjen e shumicës së shoqërisë. Dhoma e Përfaqësuesve gjithashtu kishte bërë thirrje që qeveria të kërkojë një zgjidhje alternative, dhe ta shihte të ardhmen përmes anëtarësimit të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. Parlamenti nuk kishte rekomanduar që Qeveria të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Por në fund një gjë e tillë u vendos nga një lloj presioni dhe u ndikua nga disa argumente të cilat nuk ishin të sakta dhe korrekte, e që koha i ka treguar”, ka thënë Vondraçek.

Teksa ka folur për deklaratat e Zemanit në Beograd për heqjen e njohjes, Vondraçek ka thënë se një deklaratë e tillë mund të nxisë në kërkimin e zgjidhjeve të reja, por jo edhe që të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor të qëndrimit të Çekisë për Kosovën.

“Nuk mund të pritet ndonjë ndryshim radikal i Qeverisë së Çekisë në çështjen e Kosovës, sepse bazuar në shumë ekspertë, një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ndër të tjera Vondraçek.

Tutje ai ka thënë se përkrahin Serbinë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke potencuar se Evropa nuk mund të jetë stabile pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq ka thënë se ajo pret mbështetjen e Çekisë për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë me qëllim të gjetjes së një zgjidhje kompromisi.

Për çështjen e njohjes së Kosovës kanë folur edhe kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomas Petriçek. Të dy kanë thënë se nuk ka asnjë arsye që shteti i tyre të ndryshojë qëndrim karshi Republikës së Kosovës.


Send this to a friend