VOAL

VOAL

Von Cramon: Gjykata Speciale është në Hagë për arsye të mira

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shfaqur shpresën që brenda gjashtë muajve, gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Evropian e cila ka nisur më 1 korrik të këtij viti, mund të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Von Cramon, ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të varet nga një vendim i arsyeshëm i Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare, “të cilat mund të jenë mjaft kritike, jo pse nuk e duan Kosovën, por për shkak të opinionit të tyre të brendshëm”.

Sipas saj, disa parti të krahut të djathtë në vendet sikurse Holanda ose Franca, po e shfrytëzojnë çështjen e liberalizimit të vizave për nevoja të tyre të brendshme.

Por, Von Cramon ka shfaqur shpresën që “presidenti francez Emmanuel Macron, në veçanti e kupton që një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë atëherë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave”.

“Për këtë shpresoj që në këtë tandem, pra të Presidencës gjermane me Këshillin Evropian dhe vullnetit politik të presidentit Macron, mund të arrihet që përfundimisht të rezultojë me dritë të gjelbër në gjashtë muajt e ardhshëm. Por, kjo është vetëm shpresë. Besoj që presioni nga ana gjermane mund të shtohet, por është e mundshme që do të na duhet të presim ende. Shpresoj që kjo nuk do të jetë shumë gjatë”, tha Viola von Cramon.

Sipas saj, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet më nga kriteret teknike, të cilat sipas saj, Kosova i ka përmbushur të gjitha.

Për këtë temë, ajo thotë se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, javën e kaluar në Bruksel, i cili ka propozuar formimin e një grupi punues ndërmjet Kosovës dhe Francës. Sipas saj, kjo është ide e mirë, për shkak se nëse ekzistojnë arsye objektive dhe argumente, gjatë kohës kur Qeveria franceze ende është e ngurruese lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, atëherë ky grup punues do të jetë një instrument i mirë që të bisedohet rreth kësaj çështjeje.

Ajo gjithashtu tha se nga bisedat me kolegët në Bruksel, nuk ka arritur të kuptojë pse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Le të themi, e tillë është atmosfera politike ose keqpërdorimi që e bëjnë partitë të krahut të djathtë në vendet e tyre”.

Viola Von Cramon e vlerëson si mjaft të rëndësishëm faktin që Kosova dhe Serbia e kanë vazhduar dialogun, të cilin proces ajo thotë që ka mbështetur që nga fillimi, dhe se kërkohet angazhim në këtë proces. Sipas saj, qëllimi i Kosovës duhet të jetë integrimi më i fuqishëm evropian dhe se për këtë i ka të gjitha mjetet.

“Ju keni një gjeneratë të re dhe dinamike, njerëz të arsimuar mirë që flasin disa gjuhë. Ata janë evropianë dhe i takojnë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjellë, për marrëveshjen me Serbinë. Pa këtë, as për Kosovën e as për Serbinë nuk do të ketë vend në BE”, tha Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, më 17 korrik ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale. Ajo kishte shkruar në Twitter që ato janë “institucione të rëndësishme për sjelljen e drejtësisë në Kosovë dhe për të mbajtur përgjegjës ata individë për të cilët besohet se kanë kryer krime të luftës, pavarësisht kombësisë së tyre”.

Ndaj kësaj vizite ka reaguar, përmes një shkrimi në Twitter, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, duke e cilësuar vizitën e Von Cramon në Hagë si ndërhyrje politike.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Viola Von Cramon thekson se vizita e saj në Hagë ishte e planifikuar më herët, por që për shkak të pandemisë së koronavirusit, ishte shtyrë.

Megjithatë, ajo thotë që Dhomat e Specializuara janë pjesë e pavarur, shumë profesionale e sundimit të ligjit në Kosovë. Sipas saj është mjaft e rëndësishme që Kosova ka miratuar formimin e këtij institucioni në kuvendin e saj, pas raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, të cilin e ka publikuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në kohën kur edhe ajo ka qenë anëtare e saj.

Duke komentuar kritikat e shpeshta në adresë të Gjykatës Speciale se ajo është e njëanshme, duke i hetuar vetëm shqiptarët dhe që nuk i heton edhe krimet serbe, Von Cramon thotë që nuk i ka pyetur zyrtarët e këtij institucioni se kush po intervistohet, por shton se ekziston një rezolutë, dhe se ata kanë raportin e Dick Martyt, si dhe kanë qëllime të qarta, se pse dhe si do të punojnë, për cilat krime kërkojnë prova dhe nuk ka se për çfarë të kritikohet në lidhje me këtë.

“Ata janë profesionistë ekspertë juridikë. Të njëjtit njerëz që po bëjnë kritika, kanë votuar për gjykatën”, tha Von Cramon.

Rëndësia e Dhomave të Specializuara, siç tha ajo, është kruciale për drejtësinë dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

“Është një shtyllë mjaft e rëndësishme. Ka pasur mjaft viktima dhe kjo i shqetëson grupet që kërkojnë drejtësi. Kjo është e rëndësishme për pajtimin, i cili është i nevojshëm. Siç e dini, gjithçka e bëjnë publike, bëjnë gjithçka që të depërtojnë deri te publiku i Kosovës”, theksoi Von Cramon.

Ajo shtoi që gjykata është në Hagë për arsye të mira dhe, siç tha ajo, “të gjithë e dinë se pse është kështu”. Por, sipas saj, ajo mbetet pjesë e legjislacionit të Kosovës.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Arrihet marrëveshja në BE pas 4 netësh bisedime, miratohet paketa 750 miliardë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë

Krerët e Bashkimit Evorpian kanë arritur marrëveshjen historike për rimëkëmbjen ekonomike, pas bisedimeve dhe debateve maratonë për katër netë me radhë.

Mësohet se paketa me vlerë 750 miliardë euro për rimëkëmbjen ekonomike pas goditjes nga pandemia e koronavirusit do të shpërndahet në formën e granteve dhe kredive. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi ‘ditë historike’ arritjen e kësaj marrëveshjeje, ndonëse akoma nuk janë bërë publike detajet.

Bisedimet në Bruksel për paketën e rimëkëmbjes ekonomike të BE-së ishin parashikuar 2 ditë, por që zgjatiën 4 ditë. Shtetet anëtare u ndanë kryesisht midis atyre që u goditën më shumë nga pandemia, dhe ato të shqetësuara për kostot e planit të rimëkëmbjes.

Përparimi erdhi pasi Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, paraqiti një propozim të ri, i cili zvogëlon sasinë e parave në dispozicion si grante në krahasim me kreditë.

Minimum historik në Itali, regjistrohen vetëm 3 viktima gjatë 24 orëve, merr fund makthi në Lombardi

Pas shumë muajsh shifra të frikshme, Italia ka regjistruar sot një minimum historik viktimash nga koronavirusi. Autoritetet italiane raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm 3 viktima.

Ndërsa në Lombardi, që ishte dhe epiqendra e virusit, nuk është shënuar asnjë viktimë, që nuk kishte ndodhur që nga 22 shkurti.

Të infektuarit gjithashtu kanë shënuar rënie, ku në 24 orët e fundit janë regjistruar 219 raste, nga 249 raste të raportuara një ditë më parë. Të shëruarit për sot janë 143 persona.

Italia jep alarmin: 13 raste infektimi vinin nga Tirana! Kërcënon guvernatori i Toskanës

Guvernatori i Toscanas në Itali, Enrico Rossi, jep alarmin për përhapjen e koronavirusit nga Shqipëria, duke kërkuar sërish bllokimin e fluturimeve.

“Il giornale” raporton se gjatë 24 orëve të fundit në Toscana janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus, ku 13 prej tyre ishin kishin shkuar nga Tirana dhe një nga Ekuadori.

“Qeveria duhet të ndërhyjë, në veçanti ministritë e Brendshme dhe Shëndetësisë. Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, do të ketë vetëm një mundësi: bllokimin direkt të fluturimeve”, ka kërcënuar guvernatori Rossi.

Ndërkohë, menjëherë pas konfirmimit të rasteve të infeksionit, që vinin nga Tirana, guvernatori i rajonit të Tascanas ka kontaktuar me konsullatën e Shqipërisë, duke i kërkuar të kontrollojë udhëtarët, që të respektojnë masat, si dhe duke urdhëruar rikthimin e detyrueshëm 14-ditor të karantinës.

Më tej, me tone të ashpra guvernatori është shprehur se qeveria italianë duhet të lëvizjë menjëherë, për të bërë gjurmimin e këtyre rasteve, siç thekson Rossi “për të penguar çdo shpërthim të ri të virusit”.

Gjermani, thirrje SHBA të mos tërheqin trupat

Marrë nga Reuters

Kryeministrat e katër landeve gjermane u bënë thirrje anëtarëve të Kongresit të SHBA për të bllokuar planet e tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania, sipas letrave të para nga agjencia e lajmeve Reuters të dielën.

Presidenti Donald Trump tha muajin e kaluar se do ta shkurtonte numrin e trupave amerikane në Gjermani me 9,500 në 25,000, duke fajësuar Berlinin se nuk ka përmbushur kuotat e shpenzimeve të mbrojtjes për NATO-n dhe duke e akuzuar atë se përfiton në tregtinë me Amerikësn.

Kryeministrat e katër landeve jugore, ku ndodhen bazat e trupave amerikane, u drejtuan letra 13 anëtarëve të Kongresit, duke përfshirë senatorët Mitt Romney dhe Jim Inhofe.

“Ju kërkojmë të na përkrahni në përpjekjet tona për të mos prishur lidhjet e miqësisë, por për t’i forcuar ato, dhe për të siguruar praninë e SHBA në Gjermani dhe Evropë në të ardhmen “, shkruanin kryeministrat e Bavarisë, Hesses, Baden-Wuerttembergut dhe Rheinland-Pfalzit.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Berlin nuk pranoi të bënte komente. Muajin e kaluar, Uashingtoni tha se ky hap do të “përmirësonte përpjekjet për frenimin e Rusisë, do të forconte NATO-n dhe do t’u jepte siguri aleatëve.”

Por kryeministrat shkruanin se forcat e SHBA në landet e tyre “formojnë shtyllën kurrizore të pranisë së SHBA në Evropë dhe të aftësisë së NATO-s për të vepruar.” zëri i amerikës

Francë- Flakët përfshijnë edhe katedralen e Nantës

Në kohën kur dhimbja e francezëve nuk është fashitur ende për djegien e Notre Dame, një tjetër katedrale përfshihet nga flakët.

Këtë herë bëhet fjalë për kishën e Saint-Pierre-et-Saint-Paul në qytetin e Nantës, ku më shumë se 60 zjarrfikës janë duke luftuar më zjarrin, shkaku i të cilit për momentin është një mister. Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtëllunga tymi që delin nga brenda ndërtesës gotike.

Vetëm një vit më parë ndodhi zjarri i tmerrshëm që shkatërroi krejtësisht kupolën e Notre Dame-t, një prej thesareve më të mëdha arkitekturore të Francës. zjarri në Nantë nisi diku rreth orës 6 të mëngjesit me orën lokale. Një dëshmitar okular i tha mediave lokale se ishte zgjuar nga një gjëmim shumë i çuditshëm i këmbanave.

“Digjet gjatë gjithë kohës, del pa pushim tym”, u shpreh ai. Kjo katedrale ishte djegur dhe një herë në vitin 1972, kur një zjarr dëmtoi çatinë e ndërtesës, ndaj ndertësa u desh të mbyllej për tre vjet që të riparohej.

Thaçi: I mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë dëshminë time

Taulant Qenaj

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

Gazetarët u interesuan nëse presidenti është pyetur për krimet e supozuara në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ dhe për krime e pasluftës, porse Thaçi tha se nuk është pyetur për këto çështje nga prokurori.

“Sonte nuk e kam të drejtën të flas lidhur për asnjë informacion për dëshminë time tash e katër ditë, mirëpo lidhur me pyetjen tuaj që ju e parashtruat, deri sot nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast. E ritheksoj edhe njëherë, pretendime të tilla nuk janë parashtruar në adresën time për këtë periudhë”, tha Thaçi.

Para gazetarëve, presidenti Thaçi theksoi se para prokurorit të Dhomave të Specializuara për katër ditë me radhë, ka pasur mundësinë që të japë sqarimet për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin e tij gjatë periudhës së luftës.

“Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, këtë periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit, që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”, shtoi Thaçi.

Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë sepse ishte luftë për liri dhe pikërisht që ishte e drejtë, theksoi ai, Kosova kishte mbështetjen e botës demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar, e theksoj historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai.

Ndryshe, Thaçi e ka mbaruar intervistimin në të njëjtën kohë kur në Bruksel pas 20 muajsh është mbajtur dialogu Kosovë – Serbi.

Zyrtarët evropianë këtë herë ia kanë dërguar ftesën për vazhdimin e dialogut kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, kurse anën serbe e përfaqëson presidenti Aleksandar Vuçiq.

Aktakuzat e Gjykatës Speciale

Thaçi është ftuar në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë ështc paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.

Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Në pritje të vendimit të gjykatësit

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë Prokurorin e Specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë Prokurorit të Specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për moszbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Lajçak: Jam i hapur për një bashkërendim më të afërt me SHBA

I dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se është i hapur për një bashkërendim më të afërt me Shtetet e Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, meqë siç tha ai, muajve të fundit ky bashkërendim nuk ka qenë në nivelin e duhur.

“Për fat të keq është një sekret i hapur që motori i përbashkët Bashkim Evropian dhe Shtete të Bashkuara nuk ka funksionuar aq rrjedhshëm muajt e fundit sikur vitet e kaluara. Kjo nuk vlen për të gjitha nivelet por do të ishte gënjeshtër të mohohej kjo situatë, e cila ka çuar në konfuzion dhe na ka bërë të dy palët më të dobët. Shpresoj që tash mund të afrohemi sërish e të bashkërendohemi me Shtetet e Bashkuara në anën tonë. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur dhe jam gjithmonë gati të përgjigjem në telefon kur Washingtoni thërret, kështu që mezi pres një bashkërendim të afërt për të arritur ambiciet tona të përbashkëta”, tha zoti Lajçak.

Ai i bëri këto komente në një video konferencë me temën “E ardhmja e bashkërendimit transatlantik në bisedimet Kosovë – Serbi”, e cila u zhvillua dy ditë pas rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë zoti Lajçak përsëriti qëndrimin e tij se bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian meqë siç tha ai “Kosova dhe Serbia janë pjesë e Evropës, dhe të vetmen rrugë për të arritur të ardhmen e tyre brenda Bashkimit Evropian e kanë përmes normalizimit të marrëdhnieve ndërmjet vete”.

“Historia ka dëshmuar se ne jemi më së miri kur punojmë së bashku, pra Bashkimi Evropian me Shtetet e Bashkuara, por me Bashkimin Evropian në ulësen e shoferit për arsyet që sapo i përmenda”, tha zoti Lajçak.

Analisti amerikan, Michael Carpenter, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë synime të përbashkëta strategjike në bisedimet Kosovë – Serbi, por viteve të fundit diskutimet sikur ai për shkëbim territoresh i kanë larguar këto dy fuqi nga këto synime të përbashkëta.

Ai shprehu bindjen se veprimet e njëanshme nga cilado palë, nuk do të funksionojnë në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Mendoj se ideja që të procedojmë në rrugë paralele, ku Shtetet e Bashkuara përqendrohen në lidhje ekonomike, investime, lidhje transporti dhe komunikimi, ndërkaq Bashkimi Evropian përqendrohet në strukturën e përgjithshme politike mund të funksionojë vetëm për periudhë të shkurtë kohore. Këto rrugë paralele duhet të integrohen nëse duam të kemi sukses”, tha zoti Carpenter.

Analisti tjetër amerikan, Daniel Serwer, tha se duhet gjetur një metodë e përbashkët për mbikqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ka nevojë për një mekanizëm të posaçëm për këtë qëllim, një që që mund të jetë mekanizëm i përbashkët amerikano – evropian e që vërtetë është i aftë të kuptojë në hollësi ndonjë mungesë të zbatimit, nëse palët janë kaq rezistente sa kanë qenë deri tash”, tha zoti Serwer.

Kryeministri i Kosovës dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuçiç, par dy ditësh zhvilluan një video takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me të cilin u shënua edhe rifillimi i bisedimeve të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018, ndërkaq pasnesër të dy do të takohen në Bruksel.

Ditë më parë, Kosova dhe Serbia diskutuan në një video konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe aty u pajtuan për rifillimin e bisedimeve por nuk pajtuan në asnjë pikë për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. zëri i amerikës

Thaçi do të intervistohet në Hagë edhe gjatë ditës së mërkurë

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë, duke filluar nga ora 13:00.

Gjatë të martës, për të dytën ditë me radhë, presidenti Thaçi u intervistua për gjashtë orë.

Pas intervistimit, ai nuk u prononcua për mediat.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Pse Thaçi u ftua për intervistë pasi u dërgua aktakuza kundër tij?

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin e specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë prokurorit të specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për mos zbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare. Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Përfundon dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Kjo ishte dita e dytë me radhë, që Thaçi u intervistua në Prokurorinë e Specializuar.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, ai nuk u prononcua për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. rel

Kryediplomati gjerman njofton se do të udhëtojë për në Kosovë dhe në Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, vlerësoi se është mirë që erdhi deri te vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë derisa njoftoi për vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi.

“Është e qartë për mua që duhet të udhëtoj në Serbi dhe në Kosovë dhe të dërgoj një sinjal të fortë se dialogu është përparësi për ne”, tha Maas gjatë prezantimit të përparësive të presidencës gjermane të Këshillit të BE-së para Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.

Ai deklaroi se së fundmi është takuar me të dërguarin e BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, në Berlin, dhe theksoi se Gjermania do të mbetet e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.

“Këto janë vende që duan një të ardhme evropiane dhe ne nuk duhet t’i lejojmë ata të heqin dorë nga ne, dhe ne e dimë që të tjerët kanë interes të ndikojnë në atë rajon”,

Kreu i diplomacisë gjermane vlerëson se përveç situatës “të vështirë dhe komplekse” në rajon, tani ka pasur një shpërthim të ri të pandemisë së virusit korona.

Kryediplomati gjerman deklaroi se Gjermania do të përpiqet të hapë negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore deri në fund të presidencës së saj, deri në fund të vitit, por ai shprehu dyshimin se e njëjta do të jetë e mundur me Shqipërinë.

Borrelli: Zgjidhja finale kërkon guxim politik dhe angazhim në frymën e kompromisit

Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka rifilluar të dielën në Bruksel përmes një video-konference.

Mësohet se takimi ka nisur së pari me bisedat e përfaqësuesve të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, për të vazhduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pastaj pritet edhe një konferencë e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve.

Para fillimit të dialogut, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje është thelbësore për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese.

“Jam i lumtur se po rifilojmë tani dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës permes video-konfetrencës për shkak të rrethanave. Mirëpres përkushtimin e të dyja palëve. Synimi ynë është i qartë, të rifillojmë punën serioze dhe të ngjeshur për normalizimin e raporteve mes dy palëve”, ka thënë një një video-porosi Borrell.

“Sot jam i shoqëruar nga përfaqësuesin i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme të mbështes dhe lehtësojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse, finale dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve. Një marrëveshje që adreson të gjitha çështjet e hapura. Një marrëveshje e tillë është kruciale për të ardhme më të mirë, për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Është thelbësore për perspektivën evropiane të tyre dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. E gjithë kjo është thelbësore edhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë Borrel.

Shefi i diplomacisë së BE-së ka thënë se “ mungesa e një zgjidhjeje e pengon zhvillimin e të dyja palëve”.

“E dimë se nuk është një proces i lehtë, nuk ka qënë asnjëherë, por ka një urgjencë që të punohet drejt paqes dhe stabilitetit për të ardhmen tonë të përbashkët. Kjo kërkon guxim politik nga të dyja palët. Kërkon përkushtim dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit. Nuk ka qenë kurrë lehtë të gjendet zgjdije për problemet që kanë zgjatur aq shumë dhe aq të dhimbshme, por kjo është arsyeja pse sot jemi këtu për të provuar përsëri”, ka thënë Borrell.

Nga shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është njoftuar se Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, së pari do të kenë biseda me njërën palë, pastaj me tjetrën për të mbajtur në fund një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

BE vlerëson se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut pasi takime në nivelin e lartë nuk ka pasur që nga viti 2018.

Për t’i inkurajuar palët që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog, të premten ishte zhvilluar një samit virtual mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel.

Në këtë takim palët kishin paraqitur qëndrimet e tyre. Diplomatët në Bruksel, të njoftuar edhe me përmbajtjen e konferencës së nivelit të lartë nga 10 korriku, thonë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet marrëveshja pasi është qartë se palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre.

Por, ata besojnë se BE-ja është në pozitën më të mirë për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje.

“Synimi ynë është që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, përfshirë edhe me një dokument ligjërisht obligues. Për të arritur këtë, në tryezë duhet të shtrohen të gjitha çështjet e hapura mes palëve”, ka thënë një zyrtar i BE-së.

Takimi i së dielës është dashur të zhvilohej në Bruksel me praninë fizike të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ky takim është shtyrë për datën 16 korrik në Bruksel. Ndonëse në BE nuk kanë përmendur zyrtarisht arsyet e shtyerjes së këtij takimi, dhe zhvillimin e tij vetëm përmes video-konferencës, burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se një shtyerje të tillë e ka kërkuar Qeveria e Kosovës.

Për Bashkimin Evropian është me rëndësi që të shënohet rifillimi i dialogut të dielën e kjo të konfirmohet të enjten. Pastaj, palët do të kenë një periudhë gjatë së cilës duhet të përgatiten dhe të dakordojnë një agjendë sipas së cilës do të punohej në vjeshtë.

Zyrtarët e BE-së vazhdojnë të pohojnë se situata e brendshme në Kosovë dhe tensionet në Serbi për shkak të protestave të ditëve të fundit nuk ndikojnë në agjendën e dialogut sepse, siç thonë “janë gjëra të ndara”.

Por, një numër i konsiderueshëm i diplomatëve me të clët ka biseduar Evropa e Lirë kanë thënë se suksesi i dialogut gjithsesi do të varet edhe nga situata e brendshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. zëri i amerikës

Steinmeier: Zbardhja e së shkuarës është premisë pajtimi në Bosnjë-Hercegovinë

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier me rastin e ditës përkujtimore 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë tërheq vëmendjen për zbardhjen e mëtejshme të këtij kapitulli.

„Kujtesa për vuajtjen dhe dhimbjen është kompenentja kryesore për pajtimin. Në të bën pjesë gjithashtu edhe zbardhja penalisht e asaj që ka ndodhur”, tha Steinmeier në një video-mesazh në ceremoninë qendrore të shtunën (11.07). Por me kaq nuk është realizuar gjithçka. „Duhet të ndërtohen ura lidhëse, atje ku janë shkatërruar lidhjet e vjetra. Duhet krijuar besimi, aty ku ka vringëlluar retorika plot urrejtje e luftës. Duhet vendosur filli i bisedimit, aty ku për shumë kohë nuk është thënë më asnjë fjalë”, tha presidenti i Gjermanisë.

Gjatë një masakre të njësive serbe nën drejtimin e Ratko Mladiç gjatë luftës së Bosnjes më 13 deri më 17 korrik 1995 u vranë mbi 8.100 burra boshnjakë.

Steinmeier theksoi, që plagët, që u shkaktuan para 25 vjetësh, nuk janë shëruar ploitësisht. „Për këtë përgjegjëse është edhe retorika e përsëritur, e cila vendos në epiqendër atë çfarë ndan, ndërkohë që duhet të dominonjë vlerat e përbashkëta, ndarja bashkarisht e shqetësimeve dhe problemeve, dëshira për një të ardhme për fëmijët në një Bosnje-Hercegovinë europiane”,  tha ai.

Këtë të shtunë bëhet varrimi i tetë viktimave të masakrës së Srebrenicës në Qendrën e Memorialit në Srebrenicë, ku janë identifikuar eshtrat e tyre gjatë muajve të kaluar. Në ceremoni fillimisht ishte planifikuar të merrnin pjesë deri në 100.000 vetë. Por në sfondin e pandemisë Corona organizatorët përballen me kufizime të shumta. Kjo vlen edhe për marshimin e paqes të planifikuar me pjesëmarrjen e rreth 10.000 vetëve.

Me rastin e kësaj ceremonie përkujtimore presidenti gjerman Steinmeier „u uroi të gjithë aktorëve politikë të kenë guximin e duhur që më në fund të përballen me trashëgiminë historike dhe bashkarisht të mbështesin zbardhjen shoqërore të saj”. Ky është kushti për një zhvillim paqësor dhe të qendrueshëm të vendit dhe të të gjithë rajonit në rrugën drejt Europës, sipas tij.

Ky det me shtylla të bardha (memoriali), tregon se ku mund të çojnë fjalimet dhe veprimet e mbarsura me urrejtje, nënvizoi presidenti gjerman. “Eshtë detyrë dhe përgjegjësi e ne të gjtihëve që të konceptojmë një të ardhme të përbashkët – të çliruar prej urrejtjes dhe dhunës”, theksoi presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier./DW

Takimi Hoti-Vuçiç në Bruksel pritet të zhvillohet më 16 korrik

Samiti i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Franca dhe Gjermania me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u zhvillua virtalisht të premten dhe kjo shënon vazhdimin e dialogut të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u ndërpre në fund të vitit 2018.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se edhe takimi i 12 korrikut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, do të zhvillohet përmes një video-konference, kurse takimi Hoti-Vuçiç pritet të ndodhë më 16 korrik.

Hoti: Dialogu me afate të qarta kohore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në këtë samit tha se dialogu nuk ka alternativë, por shtoi se ky proces duhet të ketë afate të qarta kohore.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të barabartë”, tha Hoti.

“Por, ne fuqishëm besojmë se procesi i dialogut duhet të ketë një afat të qartë kohor dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve”, shtoi Hoti.

Hoti tha se procesi i dialogut, në mënyrë që të jetë i suksesshëm duhet të udhëhiqet nga parime që sipas Hotit janë: Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës si modaliteti i vetëm që do t’i jepte legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Sipas Hotit, bazuar në këto parime, marrëveshja finale duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe nëse kjo nuk ndodh, marrëveshja si e tillë, sipas kryeministrit kosovar nuk do të kishte sukses.

Sipas Hotit, personat e pagjetur dhe viktimat e çfarëdo forme të dhunës, dëmet e luftës dhe viktimat, janë shqetësimi kryesor i Kosovës në këtë proces, andaj ai shtoi se pa pasur drejtësi për viktimat nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve.

Hoti po ashtu përmendi që marrëveshja finale duhet të kontribuojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Bazuar në këto parime dhe objektiva, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë një partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, konkuldoi Hoti.

Vuçiq: Kërkesat e Kosovës, të pakuptimta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se video-samiti ka qenë i vështirë dhe se Serbia është e vetmja me qëndrime të ndryshme.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që i shënuam me kujdes. Ata kërkojnë ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, njohje të ndërsjellë, anëtarësim në Kombet e Bashkuara, që vendet e tjera të Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën dhe pastaj do të merreshin me të zhdukurit dhe çështjen e dëmeve. Nëse ky është thelbi, atëherë gjithçka është e pakuptimtë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë.

Ai tha se është i gatshëm të flasë për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk do të ketë bisedime për pranim të ultimatumeve.

“I jam mirënjohës përkushtimit evropian për zgjidhjen e problemit dhe ne jemi të gatshëm për bisedime. Ne presim që dialogu të vazhdojë të enjten, por padyshim që do të kemi shumë punë dhe detyra të vështira”, tha Vuçiq.

“Do të jemi të ekspozuar ndaj pritjeve të mëdha të partnerëve evropianë dhe do të kthehemi prapa në vend të darkës së nesërme. Kemi një video-konferencë të dielën dhe më pas vazhdimin e dialogut”, tha ai.

Pas samitit, pritet që Franca dhe Gjermania, si nikoqir të këtij samiti, të dalin me një deklaratë të përbashkët.

Të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, siç tha ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, duhet të jetë e qëndrueshme, e pranueshme për rajonin dhe BE-në, por që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Ne samitin virtual marrin pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borell dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak. Kosovën e përfaqëson kryeministri Avdullah Hoti kurse Serbinë, presidenti Aleksandar Vuçiq.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikë të demokratizimit nga Berlini, pret që samiti nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, të premten, do të sqarojë qëllimin dhe kornizën e dialogut, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Sipas tij, korniza fillestare dhe parimet e dialogut politik të viteve 2012 – 2013, i cili në mënyrë të qartë ndërlidhte perspektivën e Serbisë dhe anëtarësimin e saj në BE, me pranimin e realitetit për humbjen e Kosovës, heqjes dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, “tashmë kanë humbur më krizën shumëvjeçare”.

“Do të duhej të vinte deri te një lloj i rivendosjes (të dialogut), gjë që shpresoj se do të ndodhë të premten në Paris. Kjo kërkon pozicion të qartë politik nga ana e të dy kryetarëve, gjegjësisht të presidentit Macron dhe të zonjës Merkel, se cili është qëllimi i dialogut dhe cila është korniza brenda së cilës bisedohet. Kjo duhet t’i bëhet me dije në mënyrë të qartë presidentit (Aleksandar) Vuçiq në Beograd dhe pastaj kjo duhet të jetë kornizë, përmes së cilës do të bisedonin përfaqësuesit e BE-së, zoti Borrel dhe zoti Lajçak”, thotë Weber.

Ndryshe, këtë javë, presidenti francez Macron priti Hotin dhe Vuçiqin veçmas në Paris, dhe një nga temat e bisedimeve në këto takime, ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për media nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Është thënë se Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Vuçiq ka thënë këtë javë se Serbia pret një “verë të vështirë dhe vjeshtë” për çështjen e Kosovës.

“Askush nuk dëshiron të na japë asgjë, ata do të na bëjnë presion për të humbur. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për unitet”, u shpreh Vuçiq.

Në këto ngjarje, megjithatë nuk do të marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër së cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë për krime lufte në Prokurorinë në Hagë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën, nga dita kur është ngritur në prill.

Lidhur me aktakuzë, Prokuroria e Specializuar njoftoi më 24 qershor, kur Thaçi u nis për në Uashington, ku duhej të zhvillohej një takim midis Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit special të presidentit amerikan Richard Grenell. Në gjysmën e rrugës, Thaçi anuloi udhëtimin drejt SHBA-së dhe më pas edhe takimi në Shtëpinë e Bardhë u anulua.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së u ndërpre në nëntor 2018, pasi Qeveria e Ramush Haradinaj vendosi taksën prej 100 për qind për mallra të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Taksa u shfuqizua më pas, dhe qeveria e Avdullah Hotit hoqi masat e reciprocitetit të paraqitura nga ish-qeveria e Albin Kurtit, me qëllim të vazhdimit të dialogut.

Përndryshe, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron organizuan një takim të liderëve të rajonit në Berlin në fund të prillit 2018, dhe më pas njoftuan për një takim të ri midis Kosovës dhe Serbisë në Paris më 1 korrik, i cili kurrë nuk u zhvillua. Beogradi zyrtar kushtëzoi vazhdimin e dialogut në Bruksel me heqjen e taksës, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk hoqi dorë nga qëndrimi që taksat do të mbeten në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën. rel

Përfundon video takimi i Parisit Kosovë – Serbi

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha gjatë konferencës se suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se “tërësia tokësore e Kosovës është e pangeociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai tha se Kosova synon një marrëveshje gjithëpërfshirës të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, tha ai.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetues të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, tha ai pas takimit, duke nënvizuar se të dielën do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten do të mbahet takimi zyrtar në Bruksel.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Takimi i së dielës, sipas zyrtarëve të BE-së “do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve. zëri i amerikës

Hoti me Macronin në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë

Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thënë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti, në vizitën e tij të parë në Francë si kryeministër, të martën është pritur në Pallatin Elise në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Në një komunikatë për medie nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Hoti dhe Macron kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili pas një ndërprerje prej afër 2 vjetësh do të rinisë më​ 12 korrik në Bruksel.

“Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se, në këtë takim u bisedua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti gjendet për vizitë në Paris, tre ditë para samitit virtual nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe pesë ditë para rinisjes së dialogut në Bruksel, ku janë të ftuar kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga ambasada e Francës në Prishtinë është thënë që pas samitit të fundit në Berlin, vitin e kaluar, samiti virtual në Paris, ditën e premte, shënon vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Weber: Të​ caktohet korniza e dialogut në​ Samitin e Parisit

Bobo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikë të demokratizimit nga Berlini, pret që samiti nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, të premten, do të sqarojë qëllimin dhe kornizën e dialogut, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Sipas tij, korniza fillestare dhe parimet e dialogut politik të viteve 2012 – 2013, i cili në mënyrë të qartë ndërlidhte perspektivën e Serbisë dhe anëtarësimin e saj në BE, me pranimin e realitetit për humbjen e Kosovës, heqjes dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, “tashmë kanë humbur më krizën shumëvjeçare”.

“Do të duhej të vinte deri te një lloj i rivendosjes (të dialogut), gjë që shpresoj se do të ndodhë të premten në Paris. Kjo kërkon pozicion të qartë politik nga ana e të dy kryetarëve, gjegjësisht të presidentit Macron dhe të zonjës Merkel, se cili është qëllimi i dialogut dhe cila është korniza brenda së cilës bisedohet. Kjo duhet t’i bëhet me dije në mënyrë të qartë presidentit (Aleksandar) Vuçiq në Beograd dhe pastaj kjo duhet të jetë kornizë, përmes së cilës do të bisedonin përfaqësuesit e BE-së, zotëri Borel dhe zotëri Lajçak”, thotë Weber.

Siç theksoi ai, është e rëndësishme që qëllimet e dialogut duhet të thuhen qartë dhe publikisht, “në mënyrë që të mos kemi të bëjmë me një lloj, siç thotë Serbia, të kompromisit, në të cilin gjithçka është e hapur kur bëhet fjalë për Kosovën”.

Gjithashtu, Weber thotë që tashmë është krejtësisht e logjikshme që bisedimet nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian, të udhëhiqen nga presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Këtu kemi të bëjmë me kombinim të faktorëve dhe një prej tyre është shpallja e aktpadisë kundër presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi”, ka thënë Weber.

“Duhet të përkujtojmë se që nga viti i kaluar kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilën BE-ja që nga fillimi e ka marrë seriozisht, dhe kjo ka të bëjë me atë që dialogun, nga ana e Kosovës duhet ta udhëheqë kryeministri. Duhet përkujtuar edhe që në samitin e Berlinit, në muajin prill të vitit të kaluar, fjalën kryesore e ka pasur kryeministri i atëhershëm, (Ramush) Haradinaj dhe jo zotëri Thaçi”, theksoi Weber.

Duke komentuar edhe takimin ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, i cili takim është dashur të mbahej me nismën e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Richard Grenell, Weber thotë që mbetet të shihet nëse nga ai proces do të ketë diçka fare.

“Zotëri Grenell ka llogaritur në dy presidentët dhe nga vet ky fakt, pozicioni i tij është dobësuar pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi”, theksoi Weber.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor, është anuluar pasi është publikuar që në Dhomat e Specializuara në Hagë është dorëzuar për shqyrtim aktpadia për krime të luftës ndaj Thaçit. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj kohë që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën, e cila është dorëzuar në muajin prill. rel

Presidenti Macron priti kryeministrin e Kosovës

Edlira Bllaca

Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti sot në Paris kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, takimi i parë në kuadër të zhvillimeve të kësaj jave që pritet të shënojë rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Përveç një videoregjistrimi të publikuar nga zyra e kryeministrit Hoti, deri tani nuk janë dhënë hollësi rreth takimit të sotëm.

Të enjten presidenti Macron do të presë në Paris edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të premten presidenti Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të zhvillojne një video konferencë me kryeministrin Hoti dhe presidentin serb Vuçiç, të cilët të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018.

Por çfarë mund të pritet nga rifillimi i këtyre bisedimeve?

Analistët politikë në Kosovë thonë se procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka arritur të përmbushë synimin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se problemi qëndron te vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Jeta Krasniqi

Jeta Krasniqi

BE-ja në vetvete përfaqësohet nga politika e jashtme e përbashkët nëpërmjet përfaqësuesit të lartë, por e dimë që rol primar dhe kryesor edhe në politikë të jashtme kanë shtetet anëtare. Duke qenë se BE-ja e ka ndërlidhur çështjen e bërjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë edhe me procesin e zgjerimit dhe ofrimit të perspektivës evropiane për të dyja këto vende, është mese e nevojshme që shtetet anëtare t’i japin një mbështetje më të madhe këtij procesi, që shkon përtej vetëm lehtësimit të thjeshtë të procesit por të ofrohen garanci”, tha ajo në një bisedë për Zërin e Amerikës.

Zonja Krasniqi tha se ndryshimi i qasjes së shteteve jo njohëse duhet të bëhet përmes angazhimit më të madh të dy fuqive më të mëdha evropiane, Francës dhe Gjermanisë.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave u bë në prag të takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që planifikohej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se në fakt procesi i bisedimeve më lehtë mund të përmbyllet në Washington.

Arton Demhasaj

Arton Demhasaj

Të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel pjesa më e madhe e tyre nuk zbatohen dhe nuk ka trysni nga BE-ja për zbatimin e tyre. Kjo për shkak se në Bruksel nuk vendos vetëm një qendër por janë 27 vende anëtare që kanë ndikim në vendimmarrje dhe kjo e bën më të pafavorshëm Brukselin për dialog. Washingtoni e ka dozën e presionit shumë më të madhe dhe mund ta përdor atë dhe t’i obligojë shtetet në zbatimin e çfarëdo marrëveshje që del nga dialogu”, thotë ai.

Një gjë është mese e qartë që duhet të ketë një bashkërendim dhe një mbështetje të SHBA-ve për këtë proces. Posaçërisht duke e parë që vet BE-ja është e ndarë rreth pozicionit të saj kundrejt Kosovës dhe duke e ditur historikun e zhvillimeve të të gjitha proceseve negociatore nëpër të cilat Kosova dhe Serbia kanë kaluar. Pa Shtetet e Bashkuara vështirë të shihet se si mund të arrijmë edhe në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara që është qëllim i Kosovës”, thotë zonja Krasniqi.

Vëzhguesit thonë se zhvillimet e fundit pasqyrojnë mungesën e një bashkërendimi transatlantik rreth Kosovës dhe publikimi i akuzave në prag të takimit në Shtëpinë e Bardhë, ishte goditje ndaj nismës amerikane për rifillimin e bisedimeve.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh pjesa më e madhe e të cilave nuk janë zbatuar deri tani.

Macron emëron Jean Castex kryeministër të Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka emëruar nëpunësin e lartë civil, Jean Castex, i cili hartoi politikën për lehtësimin e masave të izolimit gjatë pandemisë, si kryeministrin të ri të vendit.

Vendimi është pjesë e një riorganizimi qeveritar.

Castex, 55 vjeç, ka shërbyer gjithashtu si president i Agjencisë Kombëtare të Sporteve në Francë dhe ka mbikëqyrur përgatitjet për Lojërat Olimpike të “Paris 2024”.

Pallati Elysee njoftoi emërimin më 3 korrik, vetëm disa orë pasi Edouard Philippe dha dorëheqjen si kryeministër.

Masa e Macronit për të rifreskuar qeverinë e tij, vjen pasi partia e tij shënoi humbje në zgjedhjet lokale.

Vëzhguesit thonë se zëvendësimi i Philippes, i cili është më i popullarizuar në publik sesa presidenti, mund të provokojë një bixhoz të rrezikshëm politik për Macronin, pasi ish-kryeministri mund të dalë si një rival presidencial më 2022.

GJEDNJ: Franca trajtoi në mënyrë çnjerëzore azilkërkuesit

Paris

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur që Franca ka bërë trajtim çnjerëzor ndaj azilkërkuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

GJEDNJ dha vendimin e saj për ankesën e parashtruar nga katër persona që kërkuan azil në Francë, me arsyetimin se ata ishin lënë të jetonin në kushte të këqija dhe çnjerëzore për muaj të tërë.

Gjykata vendosi që Franca ka shkelur nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ka të bëjë me trajtimin çnjerëzor, në lidhje me azilkërkuesit N.H. nga Afganistani, K.T. nga Rusia dhe A.J. nga Irani.

Ndërkaq, për azilkërkuesin e katërt, S.G. nga Rusia, gjykata ka vendosur se nuk është shkelur neni në fjalë.

Gjykata po ashtu tha se autoritetet franceze nuk kanë respektuar detyrimet ligjore dhe janë përgjegjëse për periudhën disamujore në të cilën azilkëruesit në fjalë kanë jetuar në rrugë, pa të ardhura, pa qasje në shëndetësi dhe pa pasur mundësi t’i plotësojnë nevojat themelore.

GJEDNJ theksoi se personat e lartëpërmendur janë përballur me trajtim çnjerëzor dhe poshtërues.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Franca duhet të paguajë dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për K.T., 10 mijë euro për A.J. dhe rreth 12,4 mijë euro për N.H.

Kryeministri francez Edouard Philippe jep dorëheqje

Paris

Kryeministri i Francës Edouard Philippe ka dhënë dorëheqje pasi pritet që në ditët në vijim të bëhet riorganizimi i qeverisë, njoftoi sot Presidenca franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata nuk sqaroi nëse Philippe do të zëvendësohet apo do të qëndrojë në krye të qeverisë së re.

Presidenti Emmanuel Macron po kërkon të hapë një kapitull të ri për dy vitet e mbetura të mandatit të tij që do të përqendrohet në përpjekjet për ringritjen e ekonomisë franceze të goditur thellësisht nga kriza e koronavirusit (COVID-19).

Rikonstruimi vjen disa ditë pasi në zgjedhjet lokale rezultatet më të mira i korri Partia Ekologjike- të Gjelbrit. Macron pa që partia e tij e re centriste kishte humbur në qytetet më të mëdha të Francës.

Rikonstruimi i qeverisë ishte planifikuar para zgjedheve, pasi qeveria e Macron-it u përball me pengesa dhe kritika para zgjedhjeve të së dielës dhe gjatë krizës së COVID-19.

Viola von Cramon shpreson në arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi në vjeshtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.

Sipas saj, këtij synimi i paraprin një konferencë në Paris ndërmjet të dyja palëve, me presidentin francez, Emmanuel Macron si nikoqir.

Përmes një video-mesazhi në rrjetin social, Twitter, von Cramon ka thënë se pas takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara.

“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se dialogu mes këtyre dy shteteve është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Një ditë më parë, zyrtarët e BE-së kanë thënë se synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogutpor në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas paraqitjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Javën e kaluar, Prokuror i Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi ka vendosur të qëndrojë në pozitën e presidentit, duke thënë se ai do të japë dorëheqje vetëm nëse konfirmohen pretendimet në aktakuzë nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake. rel

Ngjarje e pazakontë, grabiten deputetët brenda në Parlamentin Europian (video)

Të paktën 50 eurodeputetëve u janë grabitur sendet personale në zyrat e tyre të Parlamentit Evropian, që ndodheshin të mbyllura për shkak të pandemisë.

‘Politico.eu’ raporton se eurodeputetëve u janë vjedhur kompjuterët, tabletat apo sendet e tjera që kishin në zyra.

Grabitjet duket se kanë ndodhur kryesisht ndërsa ndërtesa ishte e zbrazët dhe hajdutët kanë mundur që të shkatërrojnë dollapët e kyçur në zyrat e eurodeputetëve, për të marrë sende me vlerë.

Deputeti gjerman, Nico Semsrott, të cilit i ishin vjedhur dy laptopë, tha për ‘Politico’ se është i zhgënjyer nga mungesa e përgjigjes nga kompania që merret me sigurinë në Parlamentit Evropian:

“Ky është një skandal i madh dhe nuk e di pse të gjithë po e mbyllin gojën. Jemi shumë të sigurt se grabitësit kaluan nëpër duar të gjitha gjërat tona, pasi ishte rrëmujë”.

Ai tha se, 40 deri në 100 eurodeputetë kanë raportuar se u janë marrë gjërat personale nëpër zyra.

Ai postoi edhe një video në YouTube për të treguar se çfarë i mungonte.

Në mars, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, prezantoi masa të rrepta për të ndaluar hyrjen e vizitorëve të jashtëm dhe inkurajoi eurodeputetët dhe stafin që të punojnë nga vendet e tyre të lindjes, si një masë paraprake kundër përhapjes së virusit.

Parlamenti mbeti kryesisht bosh deri në maj. Një zëdhënës i parlamentit tha se asambleja u informua për vjedhjet dhe ka nisur një hetim për ngjarjen, – shkruan portali Tiranapost

32 europarlamentarë i kërkojnë kancelares gjermane liberalizimin e vizave për Kosovën

Në një letër të përbashkët, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kërkuan kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, që të vënë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga e mërkura Gjermania merr kryesimin e Bashkimit Evropian.

Në letrën e nënshkruar edhe nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputetët thanë se ka dy vjet që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

“Aktualisht, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga qytetarët e Kosovës. Procesi për të siguruar liberalizimin e vizave supozohet të mbështetet në kritere objektive, të cilat, siç njoftohet nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht dy vjet më parë, dhe që atëherë vendi ka pritur vendimin përfundimtar të Këshillit për liberalizimin e vizave”, thuhet mes tjerash në letër.

Deputetët shfaqin shpresën se lidhjet historike dhe angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të përdoren për të zgjidhur këtë çështje. Ata hedhin poshtë pretendimet se Kosova nuk mund të përfitojë për shkak të numrit të kërkesave të pabazuar për strehim dhe problemeve me krimin e organizuar.

“Kosova ka përmbushur standardet. Ajo i ka kryer detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë të mos e thyejmë premtimin. Ne po humbasim besueshmërinë tonë kur një vend po bënë atë që ne kërkojmë, por ato nuk përfiton nga premitmet tona. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga vendet në fqinjësi, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se mund të përfitojnë ndonjë gjë nga puna e tyre?” theksohet në letër.

Letra u mirëprit nga ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime”, shkroi mes tjerash ambasadori Grenell.

Qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Propozimi i parë për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të vitit 2018.

Në shtator të atij viti Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit, por Këshilli Evropian nuk arriti pajtim për përmbushjen e këtij synimi. zëri i amerikës

Francë, në zgjedhjet bashkiake fitojnë ekologjistët

VOAL – Paris mbetet në duart e Anne Hidalgo, 61 vjeç, socialiste, e cila është imponuar në balotazh me rreth 50% preferencë, gjithashtu e ndihmuar nga shtytja “e gjelbër” që po kalon në politikën transalpine dhe nga humbja e partisë së Presidentit Macron në kutinë e votimit , La République en Marche.

Zgjedhjet e kryetarëve të bashkive në Francë në të vërtetë kanë parë konfirmimin e valës së pritshme të ekologjikut në disa qytete të mëdha: Lyon dhe Marseille, ndër të tjera, bëhen qytetet e “gjelbërta”, por edhe të mesme, si Besançon në lindje dhe Poitiers në qendër , ose Annecy kanë zgjedhur kryetarët ekologjikë, të cilët bëhen forca kryesore e majtë në Francë në valën e emergjencës klimatike.

Partia e Macron, siç u përmend, pasi ndërtoi alternativen e saj në qendër, u ndëshkua në nivel vendor, ku shihet si protagonist i një politike të krahut të djathtë. Fituesi i vetëm nga shumica, Edouard Philippe, i konsideroi alter ego i presidentit dhe ndoshta shumë shpejt do të zëvendësohet në krye të qeverisë.

Rassemblement National, formacioni i drejtuar nga Marine Le Pen, ka rifituar bashkinë në një qytet me mbi 100,000 banorë që nga fitoret e 1995 në Toulon. Në Perpignan: Louis Aliot, me 53.09% të preferencave, mundi Jean-Marc Pujol në largim.
ATS

Ish kryeministri francez dënohet 5 vjet burg për shpërdorim të fondeve publike

VOAL – Pas disa muajsh gjykimi, gjykata e Parisit dënoi të hënën François Fillon dhe gruan e tij Penelope për shpërdorim të fondeve publike.

Ish-kryeministri, i cili hoqi dorë nga gara për Elysée në vitin 2017 i detyruar nga akuzat se kishte paguar gruan dhe dy fëmijët e tij, u dënua me 5 vjet burg, 3 prej të cilave me kusht dhe 2 për t’u vuajtur.

Gruaja, e akuzuar se kishte marrë një pagë “disproporcionale” në krahasim me punën e asistentit që ajo kryente, u dënua me 3 vjet me dënimin me kusht.

ATS

Deputetët e Parlamentit Evropian kërkojnë nga Merkel ta ketë në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën

Deputët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës kanë kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e libëralizimit të vizave për Kosovën.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, ku ka bashkëngjitur edhe dokumentin me nënshkrimet e deputetëve.

“Së bashku me Viola von Cramon (raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian) dhe kolegët e tjerë, kemi dërguar një letër tek (kancelarja) Angela Merkel me kërkesen për të vendosur në agjendë të presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështjen e tej-zgjatur të libëralizimit të vizave për Kosovën”, thuhet në postim.

Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Evropian që nga 1 korriku.

Deputetët shprehen se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE-së që të përmbush pjesën e saj të obligimit.

“Ne po humbim kredibilitetin tonë kur një shtet i tretë e bën atë që ne kërkojmë nga ta, por nuk marrin avantazhin të cilin ua kemi premtuar. Si mund të kërkojmë çfarëdo reforme tjetër nga një shtet në fqinjësinë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurtë se do të përfitojnë çfarëdo nga puna e tyre. Integrimi Evropian nuk ësstë domosdo opcioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do ti çojë nrruga e tyre nëse jo në BE?” kanë shkruar këta deputetë.

Në mesin e tyre është edhe Raportuesja për Kosovën, gjermanja Viola von Cramon-Taubadel, nënkryetari i grupit socialist Tonino Piculla nga Kroacia si dhe deputetët nga të gjitha grupet më të rëndësishme në Parlamentin Evropian.

“Ne e dimë se lëvizja e lirë është një prej përfitimeve më të prekshme të integrimit evropian, dhe besojmë se qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e hyrjes në zonën e Schengenit pa pengesa. Jo pse ata kanë ndonjë të drejtë të veçantë, por për shkak se institucionet e tyre shtetërore e kanë bërë atë që ne kemi kërkuar nga ta. Ky është rasti juaj për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe ta sjellni Kosobvën më afër BE-së” ,kanë shkruar këta deputetë.

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kishin konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash. Por, çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së ku disa shtete të rëndësishme nuk janë pajtuar që të liberalizohen vizat për Kosovën.

MPJ e Gjermanisë: Mbështesim punën e Speciales, presim të njëjtën gjë nga Kosova

Qeveria federale e kancelares gjermane, Angela Merkel, mbështet plotësisht punën e Dhomave të Specializuara dhe thonë se një gjë të tillë e presin edhe nga Kosova. Ky është qëndrimi gjerman pas publikimit të lajmit se në Hagë ka aktakuzë ndaj Presidentit Thaçi. Gjithashtu, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, i ka thënë Gazetës Express se presin që dialogu Prishtinë-Beograd të rifillojë pa vonesa.

Prokuroria Speciale e Hagës më 24 qershor ka bërë publike aktakuzën për krime lufte që ka iniciuar ndaj dy ish-funksionarëve të lartë të UÇK’së, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Thaçi,Veseli dhe disa të tjerë janë përgjegjës për krime të ndryshme dhe për rreth 100 vrasje përfshirë edhe kundërshtarë politikë.

Kjo aktakuzë është bërë publike ende pa marrë dritën e gjelbër të gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara i cili është duke e shqyrtuar atë.

Një veprim i tillë është kritikuar shumë, megjithatë në njoftimin për aktakuzën e publikuar nga Prokuroria Speciale thonë se kanë qenë të detyruar që t’i bëjnë publik emrat dhe aktakuzën, pasi Thaçi dhe Veseli kanë bërë përpjekje për të penguar punën e Dhomave të Specializuara.

Lidhur me një zhvillim të tillë në Kosovë, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në adresë të Berlinit zyrtar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë thotë se Dhomat e Specializuar kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së drejtuar nga kancelarja, Angela Merkel, dhe kujtojnë se ka qenë vetë Kosova që ka themeluar Specialen.

Nga Berlini thonë se presin që edhe Kosova të mbështesë punën e Speciales.

“Dhomat e specializuara të Kosovës janë themeluar nga Republika e Kosovës dhe gëzojnë mbështetjen e plotë të Qeverisë Federale të Gjermanisë. Ekziston një pritje e qartë nga Komuniteti Ndërkombëtar, përfshirë Qeverinë Federale të Gjermanisë, që Kosova ta nderojë këtë angazhim dhe të mbështesë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i MPJ-së gjermane për Express.

Aktakuza ndaj presidentit Thaçi ka bërë që të anulohet edhe takimi i Ëashingtonit i planifikuar të mbahej më 27 qershor. Për Amerikë nuk ka udhëtuar as kryeministri, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se duhet të kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën.

Megjithatë Gjermania pret që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rinisë pa vonesa dhe se përkrahin punën e Përfaqësuesit Special të BE’, Miroslav Lajcak.

“Ri-inicimi i dialogut politik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet pa vonesa. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajcak për këtë qëllim. “, kanë thënë për Express nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Pas akuzave të Speciales në drejtim të Thaçit dhe Veselit sot ka folur edhe Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, i cili thotë se aktakuza është një hap pozitiv drejt drejtësisë dhe se nuk i ul vlerat e UÇK’së.

Vetë presidenti Thaçi ndërkohë sot është lajmëruar nga Tirana dhe ka treguar se të dielën në Prishtinë do t’iu drejtohet qytetarëve pas aktakuzës nga Specialja.

Berlini kërkon mbetjen e EULEX-it në Kosovë si mbështetje për Gjykatën Speciale

Misioni i EULEX-it është bërë objekt diskutimesh publike në relacionet Kosovë -Gjermani, dy ditë pasi Haga bëri publik lajmin për aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.  Dje në media është publikuar lajmi se Presidenti i Kosovës pavarësisht se është përballur me presion të madh për të vazhduar mandatin e EULEX’it, nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë. Sot, gjermanët kanë kërkuar që EULEX të mbetet në Kosovë për të mbështetur Gjykatën Speciale dhe sundimin e Ligjit.

Për një zhvillim të tillë ka reaguar Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz.

Ajo thotë se misioni i EULEX-it ka mbështetjen e Gjermanisë për përkrahjen që ia bën punës së Gjykatës Speciale dhe thotë se një gjë e tillë duhet të ruhet.

“Që nga viti 2008, EULEX-i ka qenë një shtyllë për sigurinë dhe një ambient të sigurt në Kosovë. Roli vital i EULEX-it për ndihmesën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe për Dhomat e Specializuara ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe kjo duhet të ruhet”, ka shkruar Schutz.

Një debat i tillë rreth EULEX-it vjen në kohën kur ndaj kreut të shtetit të Kosovës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë  për krime të ndryshme  gjatë luftës. Thaçi bashkë me Veselin dhe të tjerët sipas Prokurorisë pretendohet se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, megjithatë nuk ka pranuar që të vazhdojë mandatin e misionit të EULEX-it në vend.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga zyra e tij në Prishtinë, duke shpjeguar se kreu i shtetit e kishte bërë të qartë se viti 2018 do të jetë edhe hera e fundit kur këtij misioni i vazhdohet mandati në Kosovë.

Përveç kësaj, nga Zyra e Presidentit, thonë se ka pasur presion të madh për vazhdimin e mandatit ekzistues të EULEX-it.

“Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës së Presidentit të publikuar dje në Insajderi./Express/

Brukseli ia kujton Vuçiçit se Kosova është çelësi në rrugën drejt integrimit

Dialogu i Serbisë me Kosovën mbetet një çështje e rëndësishme. Kështu ka deklaruar me anë të një shënimi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

”Dialogu me Kosovën mbetet një çështje kyçe”, ka shkruar ajo pas takimit.

Gjithashtu, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor dhe dialogu me Prishtinën është çelësi”.

Këto deklarata të dy udhëheqësve të institucioneve të Bashkimit Evropian vijnë pas takimeve që kanë pasur me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Dje kryeministri Hoti është takuar në Bruksel, derisa sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ishte planifikuar që të udhëtonin drejt Washingtonit për të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit atje, megjithatë aktakuza e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj presidentit Thaçi ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

Kreu i shtetit pritet që të arrijë shpejtë në Kosovë, dhe të dielën siç ka njoftuar do t’i drejtohet opinionit./Express/

Peter Beyer: Nuk akuzohet UÇK, por disa individë të saj. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme

Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman dhe në Këshillin e Evropës, Peter Beyer, tha në një prononcim për DW se akuzat ndaj krerëve te UÇK-se janë hap pozitiv drejt pajtimit.

Deputeti gjerman i Unionit Kristiandemokrat, Peter Beyer, tha për DW se Prokuroria Speciale nuk akuzon UÇK-në, por disa individë të saj dhe i bën thirrje Kosovës të mbështesë Gjykatën Speciale në Hagë.

“Të gjithë duhet ta shohin qartë se nuk është UÇK-ja që është në bankën e të akuzuarve këtu, por individë që ishin në pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme”, tha ai.

Ky zhvillim aktual duhet të shihet si një shenjë pozitive nga populli i Kosovës, pasi tregon se vendi është ne rrugën e shtetit kushtetues funksionues. Pajtimi është një element shumë i rëndësishëm në trajtimin e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës – pavarësisht se kush i ka kryer – dhe ndiqen ose dënohen në përputhje me të drejtën. “Gjykata Speciale dhe Prokurorët e saj luajnë këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët evropianë.”

Beyer u bëri thirrje organeve ligjvënëse në Kosovë që të mos e tërheqin bazën ligjore të Gjykatës Speciale:

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që në Parlamentin e Republikës së Kosovës do të bëhen përpjekje për tërheqjen e bazës ligjore për Gjykatën Speciale. Përpjekjet e tilla duhet të kundërshtohen me gjithë qartësi në qasje. E njëjta vlen edhe për heqjen dorë nga imuniteti i Parlamentit. Çdo gjë më pak do të ishte fundi i besueshmërisë së elitave politike kosovare në rrugën drejt Evropës. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë. E vërteta dhe vërtetësia është ajo që kanë pritur për një kohë të gjatë njerëzit në Kosovë.”

Peter Beyer është raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës dhe Koordinator i Qeverisë Gjermane në marrëdhëniet transatlantike. /DW

Carl Bildt e quan bombë lajmin për aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit

Diplomati i njohur dhe ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka reaguar pas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale për presidentin, Hashim Thaçi, dhe për kreun e PDK’së, Kadri Veselin.

Bildt ka thënë se një zhvillim i tillë është një lajm bombë për gjithë Ballkanin.

“Kjo është një bombë për politikën e Kosovës dhe atë të Ballkanit”, ka thënë Bildt, raporton Express.

Thaçi, Veseli dhe disa të tjerë sipas aktakuzës janë të dyshuar për krime të ndryshme dhe për rreth 100 vrasje, përfshirë edhe vrasjet politike./Express/

Shefi i NATO-s: Asnjë vendi tjetër nuk i takon të diktojë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një interviste ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen dhe jo një vend apo organizatë tjetër ta diktojë atë.

Ai e quan rezultat të mirë rifillimin e bisedimeve për një zgjidhje politike, por sipas tij zgjidhja nuk i takon as NATO-s dhe askujt tjetër veç dy vendeve që e kanë problemin.

”Rezultati i mirë do të jetë që ata të pranojnë të rifillojnë me të vërtetë dialogun Prishtinë-Beograd dhe të bien dakord që me të vërtetë të bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për situatën në Kosovë. NATO është e pranishme në Kosovë, ne kemi misionin tonë KFOR atje me rreth mijëra trupa për të mbrojtur të gjitha komunitetet në Kosovë.

Serbia është partner i NATO-s. Kam vizituar Serbinë disa herë. Ne në fakt kemi bërë një stërvitje së bashku me Serbinë jo shumë kohë më parë, mbi gatishmërinë civile. Dhe NATO ka një histori në Ballkan, duke ndihmuar në përfundimin e dy luftërave në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.

Dhe, sigurisht, ne do ta mirëpresim fuqishëm rifillimin e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës për t’u përpjekur për të gjetur një zgjidhje. Nuk është për NATO apo ndonjë vend tjetër që të diktojnë rezultatin, por fakti që ata takohen është të paktën inkurajues. Shpresojmë që një hap i parë për të rifilluar bisedimet e vërteta midis Prishtinës dhe Beogradit.”- tha Stoltenberg.

Por në fakt SHBA dhe BE janë përfshirë në dialog si ndërmjetësuesë edhe pse nuk kanë bërë të qarta një platformë zgjidhjeje. Madhe as dy vendet Kosova dhe Serbia nuk kanë një zgjidhje dypalëshe, por e para i ka bërë të qarta synimet se do njohje reciproke.

Pas Rezolutës të 15 kushteve të BE – Edi Rama merr sot një tjetër grusht nga Il Giornale, gazeta e Berlusconit

BE ia ka shtrënguar rripat Edi Ramës. Parlamenti Europian ka përfshirë në rezolutën për hapjen e negociatave me Shqipërinë, 15 kushtet, vënë nga BE, të cilat Shqipëria duhet t’i ketë përmbushur përpara mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. 15 kushte, me qëllim avancimin e hapjes së kapitujve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Nga një verifikim i shtypit të Tiranës, rezulton se 9 prej këtyre kushteve nuk janë përmbushur, ndërsa pjesa tjetër has në problematika të shumta në zbatueshmëri.

BE ka humbur durimin ndaj kryeministrit Edi Rama që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Një “grusht” tjetër kundër Edi Ramës vjen sot edhe përmes një artikulli nga Il Giornale, gazeta liberale konservatore ku ka dhënë kontributin e tij Indro Montanelli, e cila është e familjes të Silvio Berlusconit, partia e të cilit ka një përfaqësim të fuqishëm në Parlamentin Europian.

Lexuesit po ia sjellim më poshtë artikullin nga Marco Valle që ka botuar sot Il Giornale të titulluar:

“Spekulimet dhe respresioni e largon Tiranën nga BE

Prishja e Teatrit Kombëtar për të bërë një qendër tregtare është akti më i fundit i pushtetit pa kufi të Edi Ramës

Çfarë është duke ndodhur në Tiranë? Në agimin e së djelës të 17 majit, për të qenë saktë në orën 4.35, buldozerët e bashkisë të mbrojtur nga mbi një mijë policë që kishin bllokuar të gjitha këndet, rrënuan në kohë rekord Teatrin Kombëtar, simbol i një proteste të ashpër që zgjati 27 muaj.

Pasditen e së njëjtës ditë, një turmë e madhe në kundërshtim me ndalimet e autoriteteve dhe rregulloret antivirus mbushën zemrën e kryeqytetit, sheshin Skënderberg dhe bulevardin ngjitur Deshmoret dhe Kombit, për të protestuar ndaj qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama. Fuqimisht. Me zemërim. Policia i ka sulmuar fizikisht vazhdimisht protestuesit dhe arrestoi 64 persona, duke përfshirë Monika Kreymadhin, gruan e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe një drejtues nga të opozitës. Bilanci në fund të ditës ishte i rëndë: bomba me tym, gurë, shkopinj dhe disa të shtëna me armë (për fat të mirë) në ajër plus shtatë arrestime të tjera për “shkelje të dhunshme të rendit publik”, njëzet e një ankesa për “tubim të paligjshëm” dhe 36 gjoba për “shkelje të karantinës ». Ndërsa në spitale dhjetra të plagosur.

Një e dielë e keqe që bëri debatin tashmë të mbinxehur (ose më saktë, përplasjen) midis shumicës së Ramës dhe kundërshtarëve të tij flaktë dhe, edhe një herë, rigjallëroi sfidën midis vendimmarrësit kryeministër dhe protestuesve të tij të shumtë dhe aspak entuziastë ( ta themi butë) nga metodat e tij të ashpra dhe projektet e tij “të modernizuara” të paskrupullta.

Rasti i kompleksit teatror është emblematik. Ndërtesa, e projektuar nga arkitekti Giulio Bertè e ndërtuar në Milano në 1938 dhe e realizuar disa muaj më vonë në Tiranë nuk ishte vetëm një nga shembujt e parë të parafabrikatave në histori por ishte edhe një nga veprat më interesante të arkitekturës racionaliste në Evropë, por, mbi të gjitha, përbënte një pjesë e rëndësishme e panoramës së ngushtë monumentale të qytetit.

E shndërruar në epokën komuniste së pari në një gjykatë revolucionare për ritet staliniste të diktatorit Enver Hoxha dhe gjykatën e tij e më vonë në Teatrin Kombëtar, pas rënies së regjimit në 1990 ndërtesa ishte në pritje të rikonstruksionit, për të mbetur si qendër kryesore e kulturës dhe artit shqiptar. Duke pasur parasysh vjetërsinë e materialeve origjinale, mirëmbajtjen e dobët në periudhën enveriste dhe rregullat e reja të sigurisë, të gjithë (ose pothuajse) dëshiruan një ristrukturim rrënjësor në përputhje me projektin e Berté-s. Të gjitha ishin iluzione.

Në vitin 2018, me justifikimin e festimeve në vitin 2020 të njëqindvjetorit të kryeqytetit të Tiranës, Rama dhe Erion Veliaj, kryetar i bashkisë dhe delfini i paracaktuar, vendosën të shkatërrojnë qendrën historike dhe plani filloi pikërisht nga prishja e «Teatrit Kombëtar». Në vend të tij u vendos të ngrihet “papijoni i harkut”, një pseudonim i lezetshëm për të pagëzuar një mastodon prej betoni të përforcuar: një strukturë masive prej katër kullash të projektuar nga studiot daneze Big dhe nënshkruar nga arkitekti Bjarke Ingels i cili do të presë qendra tregtare, apartamente, etj. hotele me një hapësirë ​​të destinuar për aktivitete teatrale. Vlerësimi kushtoi 30 milion euro, një shumë e madhe sipas standardeve shqiptare.

Sa u mor vesh lajmi gjysma e Tiranës u ngrit kundër kryeministrit dhe kryebashkiakut, duke e denoncuar për një spekulim gjigand në fushën e ndërtimit. Në mbrojtje të kompleksit, që nga korriku i vitit të kaluar dolën artistët dhe intelektualët që i përkisnin “Aleancës për mbrojtjen e teatrit” të cilët u vendosën atje menjëherë. Në mbështetje të tyre doli edhe Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike dhe Znj. Kreymadhi, nga ana e tyre të mbështetur edhe nga bashkëshorti i saj Presidenti i Republikës që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese: një veprim i fortë por i kotë pasi Gjykata Kushtetuese prej kohësh është ngrirë për dështimin e emërimit të 5 gjyqtarëve nga 9 të parashikuar. Kundër shembjes të Teatrit Kombëtar ishte edhe Confindustria Albania, partneriteti që përfaqësojnë ndërmarrjet italiane në vend. Presidenti i saj Sergio Fontana komentoi me hidhërim: «Është sikur për të ndëruar një teatër më me shumë vende dhe të rehatshëm u vendos që të rrënohej Arena e Veronës apo Koloseu. Një teatër i ri mund të ndërtohej në një zonë tjetër pa prishur një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës italiane ». Ambasadori italian Alberto Cutillo ishte më i kujdesshëm (ose shumë i vakët): “Unë mendoj se në një vend demokratik duhet që për këto vendime të rëndësishme duhet të merren mendime sa më shumë që të jetë e mundur, sepse pasi të merren, nuk është e mundur të ktheheni mbrapa”. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Ndërsa nga ana e Institutit Kulturor Italian, heshtje absolute.

Reagimet e Evropës janë shumë më të ashpra. Delegacioni i BE në Tiranë shprehu kundërshtimin e tij ndaj mënyrave dhe kohës dhe Presidenti i PPE Donald Tusk dënoi haptas prishjen, një veprim “i cili shkon kundër vlerave evropiane të mbrojtjes të e trashëgimisë kulturore, shtetit të së drejtës dhe dialogut transparent ». Nga ana tjetër, ambasadori gjerman Peter Zingraf shtoi: “Rënia e Teatrit Kombëtar në agim, në formën që kemi parë, është e vështirë të kuptohet”.

Denoncimet dhe ankesat do të reflektohen në mënyrë të pashmangshme në negociatat e vazhdueshme për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një rrugë e vështirë bërë edhe më e komplikuar nga dispozitat e fundit të Ramës, midis të cilave edhe ligjit vrastar “kundër shpifjes” të miratuar dhjetorin e kaluar, një sërë rregullash për të kontrolluar informacionin përmes “Autoritetit të Mediave Audiovizive”, me të emëruar të gjithë nga qeveria. Brenda 72 orëve, në diskrecionin absolut të Agjencisë, çdo lajm i botuar, i pretenduar shpifës do t’i kushtojë gjoba shumë të larta për gazetarin dhe botuesin e tij. Përveç kësaj, është e detyrueshme të paguhet gjoba për t’u bërë pastaj i mundur apelimi në gjykatë. Për shëndetin e lirisë të mendimit dhe shtypit.”/Përkth.&përg. për botim Elida Buçpapaj)

Cramon-Taubadel: Pyesni Macronin pse ngurron që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel ka thënë se Kosova duhet të pyes presidentin e Francës, Emmanuel Macron se pse ai ngurron që kosovarët të marrin liberalizimin e vizave.

Kështu ka thënë ajo në një përgjigje që i ka kthyer në Twitter, ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit, i cili ka kërkuar nga BE-ja që të liberalizojë vizat për Kosovën, ashtu siç ka rekomanduar Komisioni Evropian.

“Siç ja kam shpjeguar edhe zotit Richard Grenell, është në dorën e Këshillit të Evropës që ta trajtojë këtë çështje. Por, nëse dëshironi që të keni një rol konstruktiv për këtë çështje, thërrisni në telefon dhe pyeteni presidentin e Francës, Emmanual Macron se pse ai nguron që të ofrojë liberalizim të vizave për Kosovën. Do të befasoheni nga përgjigja e tij”, ka shkruar Cramnon- Taubadel.

Edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka komentuar për çështjen e liberalizimit të vizave, duke kërkuar nga raportuesja për Kosovën që të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të koncentrohet në liberalizimin e vizave.

“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, ka shkruar Grenell.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe presin që edhe BE-ja tash të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. rel

Parlamenti Europian miraton amendamentin me 15 kushtet për negociatat e Shqipërisë në BE

Parlamenti Europian miratoi mbrëmë amendamentin e Grupit të Partive Popullore Europiane me 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Amendamenti u miratua me 388 vota pro, 280 kundër e 19 abstenim, ndërsa u firmos nga eurodeputetja Kinga Gàl me kërkesën e reporterit për Shqipërinë, David Lega dhe me mbështetjen e koordinatorit Gahler.

Këto kushte u vendosën nga Këshilli Europian (shtetet anëtare) me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës e Spanjës në mars të këtij viti. Mësohet se pro amendamentit votuan Grupi Liberal dhe ai Konservator si dhe shumë deputetë nga e majta dhe djathta.

Lajçak: Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog

Prishtinë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në ditën e fundit të vizitës së tij në Prishtinë, ka përmbledhur në një konferencë për media atë se çfarë ka diskutuar me udhëheqës të institucioneve të larta, liderë politikë si dhe diplomatë ndërkombëtarë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

I dërguari evropian theksoi se “pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të rifillojë së shpejti” dhe të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Siç tha ai, kjo marrëveshje do të jetë e pranueshme për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin si dhe për BE-në.

“Mandati im është shumë i qartë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura. Dialogu ka një histori 10 vjeçare, disa marrëveshje janë zbatuar, disa janë arritur, por nuk janë zbatuar, pra do të shkojmë në fund të këtij procesi për t’i zgjidhur dhe adresuar të gjitha çështjet, për këtë unë e kam fjalën kur flas për marrëveshje gjithëpërfshirëse ”, theksoi Lajçak.

Ai tha se “ka pasur takime shumë konstruktive dhe të dobishme” me udhëheqësit politikë në vend, ndërsa tha se në këto takime ka theksuar se “Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog”.

“Ne diskutuam se si të ecim përpara për të rifilluar shpejt dialogun, përfshirë hapa konkrete, në të dhëna, metodologji, modalitete, prioritete dhe mbi të gjitha pritje të përgjithshme. Dhe, jam shumë i lumtur të shoh se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është përparësi për qeverinë”, tha Lajçak.

I dërguari evropian për dialogun tha javën e ardhshme do ta vizitojë Beogradin, ndërsa pas vizitës atje do të përcaktojë datën e saktë se kur do të rifillojë dialogu në Bruksel, megjithëse tha se një gjë e tillë “do të ndodhë së shpejti”.

Lajçak vlerësoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja gjatë 10 viteve ka sjellë rezultate konkrete dhe të rëndësishme për qytetarët, mallrat të cilat tani lëvizin lirshëm, integrimi i policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës, kodin telefonik ndërkombëtar për Kosovën e të tjera.

“Kosova është pjesë e Evropës. Problemet tuaja janë problemet tona. Suksesi juaj është suksesi ynë. Dhe e ardhmja juaj është evropiane. Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian shkon nëpërmjet këtij dialogu dhe kjo theksohet me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në 2010 dhe në të gjitha konkluzionet e Këshillit të Evropës”, theksoi Lajçak.

Ai përsëriti se bashkëpunimi BE-SHBA në Ballkan ka qenë gjithmonë i suksesshëm, por nuk e komentoi thirrjen e dy qeverive për një takim në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 27 qershor.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet kosovare patën vendosur tarifë 100 për qind për mallrat e Serbisë si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe për tërheqje të njohjeve të pavarësisë dhe pengim në anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Peter Beyer: Ekziston vetëm një proces i dialogut Kosovë-Serbi dhe atë e drejton BE-ja

Deputeti gjerman ,Peter Beyer, i cili është edhe një prej njerëzve më të afërt të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka folur sot për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili aktualisht gjendet në rrethana të paqarta.

Në njërën anë emisari i Trump, Richard Grenell, ka organizuar një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, derisa sllovaku Lajçak të cilit ia ka deleguar Borell punët rreth dialogut gjendet në Kosovë për të përgatitur terrenin për bisedime në Bruksel.

Për deputetin gjerman, Peter Beyer, i cili ka mbajtur sot një fjalim në parlamentin gjerman ku është diskutuar rreth vazhdimit të mandatit të KFOR-it gjerman në Kosovë, ka thënë se ekziston vetëm një proces i dialogut të cilin e drejton Bashkimi Evropian dhe që dërgon procesin drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“ BE si e vetme është një partner serioz politik dhe ekonomik për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ndër të tjera Beyer. Express

Qeveria Gjermane: Mirëpresim një koordinim Grenell – Lajçak

Qeveria gjermane, që drejtohet nga kancelarja Angela Merkel, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, gjithmonë kanë pasur sukses në rajonin e Ballkanit kur kanë punuar së bashku drejt gjetjes së një zgjidhjeje, prandaj ajo thotë se do ta mirëpresë një bashkëpunim mes emisarit të Trumpit, Richard Grenell, dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, sa i përket problemit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me ndërmjetësim të dy njerëzve të Trumpit, Richard Grenell dhe Robert O’Brien, do të zhvillohet një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo iniciativë e Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë vjen në kohën kur emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka filluar tashmë vizitat e tij në rajon për të informuar palët rreth datave dhe modalitetit të vazhdimit të dialogut në Bruksel.

Lidhur me dy proceset paralele që po zhvillohen aktualisht nga Washingtoni dhe Brukseli rreth dialogut Prishtinë-Beograd kanë shkruar sot edhe mediat prestigjioze gjermane. Sipas shtypit gjerman, emisari amerikan, Richard Grenell, ka anashkaluar në tërësi BE-në në iniciativën e tij për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

Për këto përpjekje të ndara të Washingtonit në njërën anë dhe të Brukselit në anën tjetër sa i përket dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi, Gazeta Express ka kontaktuar qeverinë e Gjermanisë, si një prej shteteve anëtare më të fuqishme, për të pyetur nëse kancelarja gjermane Merkel do të ndërmarrë ndonjë iniciativë për të njësuar procesin.

Nga Berlini thonë se problemet në Ballkan janë zgjidhur gjithmonë me sukses kur ka pasur koordinim në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë pasur gjithmonë sukses në Ballkan kur kanë punuar së bashku për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë që drejtohet nga Angela Merkel.

Ndërkohë, ai thotë se si Gjermani do të mirëpresin një koordinim në mes të sllovakut Mirsolav Lajçak, dhe emisarit të Trumpit, Richard Grenell, sa u përket përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Derisa e vlerësojnë si një zhvillim pozitiv faktin që emisari i BE-së tashmë ka filluar vizitën e tij në rajon.

“Është mirë që Përfaqësuesi special i BE-së Lajçak tani është në rajon. Ne do ta mirëprisnim një koordinim midis tij dhe Përfaqësuesit Special Grenell”, kanë potencuar ai nga Berlini për Gazetën Express.

Derisa ka treguar që Lajçak pas Kosovës do të udhëtojë edhe në Serbi pasi të kenë përfunduar zgjedhjet atje.

Për procesin e negociatave që po udhëheq administrata e Trumpit, dje ka folur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka thënë se për çfarëdo marrëveshje eventuale që Kosova dhe Serbia mund të pajtohen në Washington duhet të inkorporohet brenda procesit të dialogut që udhëheq Brukseli.

Shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht Gjermania, në mënyrë të vazhdueshme ka potencuar se ka bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa ka thënë se mbështet fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Lajçaku.

Përpara se Grenell të bënte publike iniciativën e tij për takim në Washington, nga Gjermania dhe Franca kishin shprehur gatishmërinë për organizimin e një samiti në Paris si vazhdimësi e takimit të fundprillit 2019, që ishte mbajtur në Berlin.

Të hënën, emisari i Trumpit për dialogun, Richard Grenell, përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në Twitter, ka njoftuar se Serbia dhe Kosova janë pajtuar për një takim në Shtëpinë e Bardhë, që do të mbahet më 27 qershor. Për ta mundësuar këtë takim, Serbia është zotuar se do ta pezullojë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, derisa Kosova ka bërë edhe një kompromis shtesë, duke u zotuar për pezullimin e përpjekjeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Lidhur me këtë kompromis ka folur sot kryeministri i Qeverisë, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Kosova do të pauzojë deri më 27 qershor dhe nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kreu i ekzekutivit ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë si shenjë e vullnetit të mirë dhe me qëllimin për të mos i lënë Serbisë arsye që ta shmangë procesin e dialogut.

Gjithashtu, Hoti ka thënë se ka marrë garanci nga ndërkombëtarët se në Washington nuk do të ofrohet ndonjë marrëveshje e gatshme dhe ka shtuar se si kryeministër do të jetë përgjegjës për procesin, pavarësisht se kush udhëton me të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /GazetaExpress/

Zyra e BE-së: Lajçak nesër sjell data për rinisjen e dialogut

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që të komentojë njoftimin se më 27 qershor, Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për dialogun, Richard Grenell.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival tha se të martën në Prishtinë pritet të arrijë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili, do të diskutojë për modalitetet rreth rinisjes së bisedimeve si dhe do të sjellë data për rinisjen e këtij procesi.

“Ne nuk komentojmë aktivitetet e të tjerëve. I dërguari i posaçëm Lajçak do të arrijë në Prishtinë nesër (e martë), për të diskutuar rreth modaliteteve dhe ai do të sjellë data për rinisjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që ka sjellë rezultate reale për njerëzit e Kosovës, që prej se ka nisur”, tha për REL, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival.

Lajçak ishte paraparë që të arrinte të hënën në Prishtinë, por fluturimi nga Zvicra drejt Shqipërisë – prej ku më pas do të vinte në Kosovë – është anuluar.

Por ndërkohë Grenell publikoi në Twitter se Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. SHBA-ja emëroi Richard Grenell si të dërguar të saj në këtë proces në tetorin e vitit 2019.

Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.


Send this to a friend