Në Bjellorusi, persona të maskuar të paidentifikuar ndaluan të hënën në qendër të Minskut udhëheqësen e njohur të protestave Maria Kolesnikova dhe e morën atë me një furgon, sipas një dëshmitari të cituar nga media bjelloruse Tut.By.
Zonja Kolesnikova, anëtare e këshillit koordinues të opozitës, është e fundit nga tre politikanet gra të mbetura në Bjellorusi, të cilat bashkuan forcat para zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit për të sfiduar Presidentin Alexander Lukashenko.
Si kritike e zëshme e zotit Lukashenko, ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në demonstratat dhe grevat e mëdha që kanë vazhduar prej javësh, në të cilat protestuesit akuzojnë zotin Lukashenko për manipulimin e rizgjedhjes së tij.
Ai mohon se ka patur manipulime dhe ka akuzuar fuqitë e huaja se janë përpjekur ta rrëzojnë me revolucion.
Zoti Lukashenko ka mbështetjen e Presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka premtuar të dërgojë policinë për ta mbështetur nëse është e nevojshme.
Rrëmbimi i zonjës Kolesnikova, nëse konfirmohet, vjen ndërkohë që autoritetet bjelloruse duket se po i shtojnë përpjekjet për ndalimin e protestave dhe për të penguar punën e këshillit koordinues që ata e kanë akuzuar se ka komplotuar për rrëzimin e Lukashenkos. zëri i amerikës
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar se sot (7 shtator) në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Borrell tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.
“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.
Borrell po ashtu tha se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.
Sipas tij, në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zotuan se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.
Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ndërmjetësues të marrëveshjes për normalizim ekonomik ishin këshilltari për Siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit Trump për dialgoun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.
Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Në Bruksel po zhvillohen sot (7 shtator) takimet në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.
Tashmë ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Një takim bilateral me zyrtarët e BE-së më pas do e zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.
Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.
Për këto tema është diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.
Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim.
Por Hyseni ka thënë se secila temë mund të jetë vëtëm pjesë e një marrëveshjeje të vetme finale, e jo marrëveshjeje individuale.
Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.
Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të SHBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Burimet e BE-së kanë paralajmëruar më parë se në këtë takim mes kryeministrit të Kosovës, Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, do të diskutohen edhe temat e kërkesave financiare e pronësore mes palëve, si dhe çështjet e lidhura me komunitetet joshumicë në Kosovë.
Hoti, edhe para këtij takimi në Bruksel, ka thënë se të vetmen marrëveshje të suksesshme e sheh atë që rezulton me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.
Diplomati austriak Wolfgang Petritsch i cili ishtë angazhuar personalisht në idënë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2018, ka thënë se dyshon në marrëveshjen e sotme në Shtëpinë e Bardhë.
Ai madje kishte deklaruar se edhe Rusia duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Petritisch tash thotë se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta zgjidhin atë çështje më vetë.
“Unë do të doja që BE-ja dhe SHBA-ja të bashkëpunojnë në një temë kaq komplekse, e cila ka të bëjë me Evropën dhe është e rëndësishme për bashkimin e ardhshëm të Evropës, domethënë zgjerimin në Ballkan. Shpresoj që kjo të ndodhë”.
Petrich deklaron se ai nuk beson që SHBA-ja mundet të zgjidh këtë qështje vet, dhe se BE-ja është e nevojshme që të marrë pjesë në implementimin e çdo marrëveshje në mënyrë që ajo të zbatohet.
Ish-përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë theksoi se sukseset e politikës së jashtme janë gjithmonë të rëndësishme para zgjedhjeve në SHBA dhe kujtoi marrëveshjen e paqes për Lindjen e Mesme dhe marrëveshjen mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit
“Unë mendoj se është një model i administratës Trump. Ata duan të arrijnë normalizimin, por pyetja është nëse është e mundur për ta arritur atë kaq shpejt. Unë jam skeptik në lidhje me këtë, dhe duhet të kihet parasysh se zbatimi i çdo marrëveshjeje duhet të zbatohet nga BE-ja” , tha Petritsch, duke kujtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duan të anëtarësohen në BE dhe jo në Shtetet e Bashkuara.
Petrich pret që sot do të arrihet një marrëveshje ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës do të takimet e Ëashingtonit.
Sipas tij, do të ishte interesante të krijohej një zonë tregtare ndërkufitare, duke shtuar se kjo po shkon në drejtim të “mini-shengenit”.
Bashkimi Evropian është njoftuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara rreth agjendës së takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, dhe kjo është e zakonshme në bashkëpunimin e partnerëve.
Kështu ka thënë më 4 shtator në Bruksel, në një konferencë për gazetarë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kur është pyetur për t’i komentuar takimet që po zhvillohen në Uashington.
Ai nuk ka dashur të deklarohet rreth temave dhe se a është kërkuar apo jo në atë takim njohja e ndërsjellë.
Por BE-ja edhe këto takime i sheh vetëm si “plotësim” të përpjekjeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, korniza kryesore e së cilave, sipas BE-së, është dialogu i Brukselit.
“Gjithë kohën kemi thënë se është e mirëseardhur secila përpjekje e cila lehtëson normalizimin e raporteve”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar se gjatë kësaj fundjave dhe të hënën do të ketë takime në nivele të ndryshme edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Ky zëdhënës i BE-së ka thënë se pritjet janë që të shfrytëzohet ky moment pozitiv për t’u afruar drejt marrëveshjes finale, e cila do të duhej t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura dhe do të ishte ligjërisht obliguese.
Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.
Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.
Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiq tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.
Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.
“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, është dërguar me urgjencë në spital, pak ditë pasi doli pozitiv me koronavirus. Mediat fqinje raportojnë se gjendja e tij shëndetësore është rënduar.
Bëhet e ditur se Berlusconi është shtruar në San Raffaele në Milano, pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje, ndërsa raportohet se nuk është në trajtim intensiv.
Senatori i Forza Italia Licia Ronzulli i tha Agorà Rai në Rai3: “Berlusconi kaloi natën në spital, ai u shtrua në spital natën e kaluar. Mëngjesi filloi pak keq. Berlusconi është mirë, ai e kaloi natën mirë. Një vizitë në spital ??ishte e nevojshme për të monitoruar progresin e Covid-19”. Me koronavirus është infektuar edhe shoqëruesja e ish-kryeministrit Marta Fascina.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se Turqia dhe Greqia kanë rënë dakord të zhvillojë bisedime teknike për krijimin e mekanizmave për parandalimin e konfliktit në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pas bisedimeve të mia me liderët turq dhe grekë, dy vendet aleate ranë dakord të fillojnë bisedimet teknike në NATO për të krijuar mekanizma ushtarakë për parandalimin e konfliktit në Mesdheun Lindor dhe për të zvogëluar rrezikun e aksidenteve dhe incidenteve”, tha Stoltenberg në një deklaratë me shkrim.
Stoltenberg i quajti Turqinë dhe Greqinë si “dy aleatë të vlefshëm”, duke shtuar se NATO-ja është platforma më e rëndësishme për konsultime mbi çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e përbashkët.
“Unë do të vazhdoj të qëndroj në kontakt të ngushtë me të gjitha vendet përkatëse aleate për të gjetur një zgjidhje të tensioneve në frymën e solidaritetit të NATO-s”, tha Stoltenberg.
Në Lituani do të mbërrijnë të premten trupa dhe tanke amerikane për një dislokim dy-mujor afër kufirit me Bjellorusinë, por qeveria tha se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë mesazh për fqinjin e saj të mbështetur nga Rusia, ku vazhdojnë protestat lidhur me zgjedhjet e debatueshme të 9 gushtit.
Në një njoftim të bërë mbrëmë, anëtarja e NATO-s, Lituania, tha se trupat amerikane do të vinin nga Polonia për stërvitje ushtarake të planifikuara qysh më parë. Këto janë “të natyrës mbrojtëse dhe nuk drejtohen ndaj asnjë fqinji, përfshirë Bjellorusinë,” tha qeveria lituane.
Megjithatë, trupat po arrijnë më herët dhe do të qëndrojnë më gjatë sesa kishte thënë qeveria para shpërthimit të protestave në Bjellorusi për zgjedhjet, të cilat lanë në pushtet Presidentin Alexander Lukashenko, aleat kryesor i udhëheqësit rus Vladimir Putin.
Zoti Lukashenko i ka mohuar akuzat e opozitës bjelloruse dhe vendeve perëndimore se votimi ishte i manipuluar dhe u ka rezistuar kërkesave të protestuesve për të dhënë dorëheqjen. Ai ka akuzuar NATO-n për grumbullime ushtarake pranë kufijve të Bjellorusisë, gjë që aleanca e ka mohuar, dhe ka thënë se do të kërkojë ndihmën ushtarake ruse nëse është e nevojshme.
Dislokimi në Lituani, që do të fillojë të premten dhe do të zgjasë deri në nëntor, përfshin 500 trupa dhe 40 mjete ushtarake amerikane, si tanke Abrams dhe transportues të blinduar Bradley, tha një zëdhënës i ushtrisë lituaneze.
Më 29 korrik, Ministri lituan i Mbrojtjes Raimundas Karoblis, i tha agjencisë së lajmeve BNS se Shtetet e Bashkuara do të dërgonin në shtator një kontingjent me madhësinë e një batalioni, 300 deri në njëmijë ushtarë, për trajnim dyjavor, duke filluar nga mesi i muajit. Ai e përsëriti informacionin më 4 gusht në një intervistë me radion publike LRT.
“Dislokimi është në përputhje me kalendarin e trajnimit dhe me disponueshmërinë e zonës së trajnimit,” tha zëdhënësja e ministrit të mbrojtjes Vita Ramanauskaite për agjencinë e lajmeve Reuters.
Përveç dislokimit amerikan, deri në njëmijë trupa dhe aeroplanë ushtarakë nga Franca, Italia, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera do të marrin pjesë në një stërvitje vjetore nga data 14 deri më 25 shtator, tha zëdhënësi i ushtrisë lituaneze.
Ministria nuk përmendi ndonjë plan që trupat të qëndrojnë përtej 25 shtatorit.
Ministri Karoblis tha në fillim të këtij muaji se ekzistonte rreziku real që Rusia të dërgonte forca në Bjellorusi. zëri i amerikës
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë njoftuan se është miratuar Rregullorja e Ndihmës Juridike.
Ky dokument u mundëson të dyshuarve ose të akuzuarve, të cilët dëshmojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, të përfitojnë ndihmë juridike të plotë ose të pjesshme për pagesën e avokatit që zgjedhin vetë dhe i cili plotëson kushtet e pranimit në listën e mbrojtësve të DHSK-së.
Në komunikatën e Dhomave të Specializuara thuhet se administratorja, Fidelma Donlon, miratoi Rregulloren e Ndihmës Juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë.
“Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit”, thuhet në komunikatë.
Kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova e përshëndeti miratimin e Rregullores duke theksuar se ky dokument “ngërthen parimet themelore të parapara në Ligjin tonë dhe standardet universale në drejtësinë penale, duke garantuar të drejtën e të akuzuarve për gjykim të drejtë që përfshin edhe të drejtën për mbrojtje efektive”.
Të gjithë personat që u paraqitet nevoja për të shfrytëzuar këtë mundësi, duhet të bashkangjesin edhe deklarimin e mjeteve financiare.
“Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Kërkesa për ndihmë juridike refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Speciale – me emrin Dhomat e Specializuara – funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.
Qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.
Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Gjykata financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. rel
Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, është infektuar me koronavirus. “Pas testimit, Presidenti Berlusconi doli pozitiv për koronavirusin”, deklaroi partia “Forza Italia” në një njoftim.
Katërmbëdhjetë të dyshuar do të gjykohen në Francë për sulmin vdekjeprurës në revistën satirike “Charlie Hebdo”, më shumë se pesë vjet më parë.
Shumica e bashkëpunëtorëve të dyshuar për sulmin do të gjykohen në Paris, por tre do të gjykohen në mungesë.
Ata akuzohen se kanë ndihmuar militantët islamikë, që qëlluan për vdekje 12 persona brenda dhe rreth zyrave të Charlie Hebdo në janar të vitit 2015.
Një person tjetër i armatosur qëlloi për vdekje një polic dhe sulmoi një dyqan hebre.
Në total, 17 njerëz u vranë në një periudhë prej vetëm tre ditësh. Vrasjet shënuan fillimin e një vale sulmesh xhihadiste në të gjithë Francën që la më shumë se 250 njerëz të vdekur.
Në ditët pas sulmeve, miliona njerëz morën pjesë në marshime solidariteti në të gjithë Francën dhe nëpër botë me moton “Je suis Charlie” (Unë jam Çarli).
Revista ka shënuar fillimin e gjyqit duke ribotuar karikaturat e diskutueshme të profetit Muhamed që nxitën protesta në disa vende myslimane.
Katërmbëdhjetë personat akuzohen se kanë ndihmuar në përgatitjen dhe planifikimin e vrasjeve. Gjyqi i tyre fillon të mërkurën pasi procedurat u shtynë për gati katër muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shprehet optimiste sa i takon dialogut mes Prishtinës zyrtare e Beogradit në Uashington dhe Bruksel.
Ajo në një intervistë për EWB, të cilën e ka publikuar në Twitter pohoi se Prishtina dhe Beogradi, paraprakisht duhet të ndërtojnë një besim reciprok për arritjen e një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve të dyja vendeve.
“Unë jam optimiste se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit do të ketë disa rezultate konkrete së shpejti, por mund të ndodhë që së pari të ketë vetëm hapa më të vegjël. Së pari, duhet të ndërtohet besimi, por në fund të fundit qëllimi duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit”, tha ajo.
Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko kërcënoi t’u bllokojë vendeve evropiane mundësinë për të kaluar përmes territorit të Bjellorusisë nëse vendosen sanksione ndaj vendit të tij. Gjatë një vizite në një fabrikë qumështi, zoti Lukashenko tha se do të bllokojë vendet fqinje evropiane që të transportojnë mallra në Rusi nëpëmjet territorit bjellorus si dhe se do të devijojë eksportet bjelloruse, që aktualisht dërgohen nëpërmjet porteve të vendeve anëtare të BE-së si Lituania, në dalje të tjera.
Ai tha gjithashtu se ka urdhëruar gjysmën e ushtrisë së vendit të qëndrojë në gatishmëri luftarake dhe ka rënë dakord me Presidentin rus Vladimir Putin që trupat e të dy vendeve të bashkohen kundër një kërcënimi të mundshëm perëndimor.
“Nëse trupat e NATO-s afrohen, është e nevojshme të përdoret një grupim i përbashkët i forcave të armatosura, baza e së cilës është ushtria Bjellorusia“, tha Presidenti i Bjellorusisë.
Lituania, Polonia dhe Letonia kanë bërë thirrje që Evropa të ndërmarrë veprime më të forta kundër Aleksandër Lukashenkos, përballë një kryengritjeje gati tre javore popullore që nga zgjedhjet e 9 gushtit, që sipas opozitës u manipuluan për të zgjatur sundimin e tij 26-vjeçar. Zoti Lukashenko i ka hedhur poshtë këto akuza.
Që kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bjellorusisë deklaroi se zoti Lukashenko kishte fituar mbi 80 për qind të votave dhe kandidatja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya rreth 10 për qind të tyre, mijëra vetë kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Lukashenko. Ai ka thënë se protestat janë inkurajuar dhe mbështetur nga Perëndimi dhe ka akuzuar NATO-n për lëvizje të forcave pranë kufijve të Bjellorusisë. Por aleanca i ka hedhur poshtë këto akuza. zëri i amerikës
Tani në ditën e 19-të saj, kriza politike në Bjellorusi ka rrëshqitur drejt një faze potencialisht më të rrezikshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sinjalizuar mundësinë e dërgimit të forcave ruse të sigurisë, për ta ndihmuar presidentin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, të mbetet në pushtet.
Vendosja e forcave ruse në vendin e saj do të ishte gabim, thotë Svyatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidate presidenciale e Bjellorusisë, e cila është bërë udhëheqëse e opozitës bjelloruse.
“Ky është problemi ynë i brendshëm, një çështje e brendshme që Bjellorusia duhet ta zgjidhë me Qeverinë bjelloruse”, thotë Tsikhanouskaya për Radion Evropa e Lirë.
Ajo dha intervistën të premten nga Vilniusi i Lituanisë, ku ka ikur për shkak të kërcënimeve ndaj saj dhe familjes së saj.
Bashkëshorti i saj, Syarhey, sfidues i mundshëm i Lukashenkës në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, është arrestuar përpara zgjedhjeve dhe mbetet në paraburgim. Raportohet se ai ndodhet në një burg në periferi të Minskut.
Tsikhanouskaya, deri atëherë nënë që qëndronte në shtëpi, mori përgjegjësitë nga burri i saj, pasi ai u burgos.
Pastaj, me intensifikimin e protestave të opozitës, nën akuzat se zgjedhjet janë manipuluar në favor të Lukashenkës, Tsikhanouskaya iu bashkua figurave të shquara kulturore dhe krijoi Këshillin Koordinues të opozitës.
Qëllim i tij i deklaruar është të negociohet me Qeverinë e Lukashenkës për zgjedhje të reja, për lirimin e protestuesve të burgosur dhe, potencialisht, për largimin e Lukashenkës nga pushteti.
Por Lukashenka këmbëngul se do të mbetet në pushtet. Së voni, prokurorët njoftuan se kanë nisur hetime ndaj këshillit, duke burgosur dy udhëheqës të tij që kanë mbetur në Minsk dhe duke marrë në pyetje anëtarë të tjerë, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel, Svetlana Alexievich.
Në qytetet e Bjellorusisë, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë. Protestat e tyre janë bërë sfida më e madhe për sundimin 26-vjeçar të Lukashenkës.
Në intervistën e saj dhënë Radios Evropa e Lirë, Tsikhanouskaya sërish bën thirrje që Lukashenka të tërhiqet, duke thënë se ai do të ishte një vendim “i denjë” për të përfunduar mandatin e tij.
“Do të ishte shumë e denjë për të që të bëhet presidenti i parë që ka sunduar për kohë të gjatë dhe ka dhënë dorëheqje me kërkesën e popullit dhe jo ta shndërrojë largimin e tij në masakra të përgjakshme”, thotë Tsikhanouskaya.
Duke i sfiduar thirrjet e popullit për zgjedhje të reja, të lira dhe të drejta, Lukashenka po ashtu ka sinjalizuar mundësinë e një qasjeje më të ashpër ndaj demonstruesve.
Rusia, partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe strategjik i Bjellorusisë, ka vëzhguar nga afër trazirat.
Duke nënvizuar përfshirjen e mundshme të Kremlinit në krizë, Lukashenka dhe Putini kanë zhvilluar së paku pesë telefonata prejse janë mbajtur zgjedhjet.
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, më 27 gusht, Putin ka thënë se Rusia ka ngritur një forcë të posaçme të sigurisë, me kërkesë të Lukashenkës. Ky është sinjali më i fortë deri më tani, që Moska mund të ndërhyjë fizikisht në Bjellorusi.
“Ne, po ashtu, jemi pajtuar që ajo të mos përdoret nëse situata nuk del jashtë kontrollit”, ka thënë Putin.
Tsikhanouskaya thotë se mesazhi i Putinit ka qenë i qartë. Por, ajo këmbëngul se sjellja e forcave ruse nuk do të ishte e nevojshme.
Ajo, gjithashtu, paralajmëron për mundësinë e “provokimeve”, duke sugjeruar se autoritetet do të përpiqen me dashje të provokojnë dhunë, për të krijuar arsye për ndërmarrjen e masave më të ashpra.
“Nuk do të ketë arsye për të sjellë ndonjë lloj ‘ndihme’, policie ose dikë tjetër, sepse ne kemi protesta thjesht paqësore”, thotë Tsikhanouskaya.
“Në mesin e njerëzve bjellorusë, askush nuk dëshiron zgjidhje të dhunshme të çështjes”, thekson ajo.
Lukashenka, sipas saj, duhet të largohet nga detyra me dëshirë dhe pa dhunë.
Tsikhanouskaya po ashtu thotë se do të ketë pasoja për zyrtarët që urdhërojnë dhunë dhe për shtypjet që kanë në shënjestër protestuesit.
“Për fat të keq, autoritetet kanë kryer një krim që nuk do të fshihet nga kujtesa,” thotë Tsikhanouskaya.
“Bjellorusët nuk janë hakmarrës. Nëse është e mundur të largohet me dinjitet, ndoshta kjo do të ishte një rrethanë shumë e madhe lehtësuese për fatin e (Lukashenkës)”.
“Do të doja që gjithçka të mbaronte bukur. Nuk dua të zhytem në humnerë”, thotë Tsikhanouskaya për Radion Evropa e Lirë.
Policia në Bjellorusi arrestoi fituesen e Çmimit Nobel, Svetlana Alexievich, mbi një çështje penale kundër këshillit të ri të opozitës.
Sipas mediave të huaja, këshilli i themeluar nga liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya, u ngrit pas zgjedhjeve të diskutueshme në fillim të këtij muaji.
Alexievich e cila është fituese e Çmimit Nobel në Letërsi është po ashtu anëtare e këtij këshilli.
Masa vjen pasi më shumë se 100 mijë njerëz në Bjellorusi dolën kundër presidentit Aleksandër Lukashenko, i cili akuzohet për manipulimin të rezultatit të zgjedhjeve të cilat u mbajtën më 9 gusht.
Përveç shkrimtares edhe dy figura të tjera të opozitës u arrestuan të hënën.
Bëhet fjalë për Olga Kovalkova dhe për Sergei Dylevsky.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka bërë thirrje Rusisë që të hetojë helmimin e kritikut të presidentit rus Alexei Navalny dhe të merren masat e duhura për ndërshkimin e autorëve.
Këtë të hënë mjekët gjermanë kanë pohuar se ekzaminimet kanë treguar se lideri i opozitës ruse ishte helmuar para se të humbte ndjenjat në një aeroplan në Rusi javën e kaluar.
“Ata që janë përgjegjës duhet të identifikohen dhe të ndëshkohen,” tha Merkel në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Jashtëm Heik Maas.
Rusia ende nuk e ka komentuar pretendimin e mjekëve gjermanë. Kremlini tha të premten se ishte ende e paqartë se si Navalny u sëmur dhe se testet fillestare treguan se “ai nuk ishte helmuar”.
Ky incident mund të përkeqësojë edhe më tej marrëdhëniet tashmë të këqija midis Moskës dhe vendeve evropiane, të cilat e kanë akuzuar atë në të kaluarën për sulm ndaj disidentëve të Vladimir Putin, të cilat Rusia i mohon.
Mjekët në spitalin e Siberisë, që trajtuan së pari Navalny, thanë sot se ata kishin shpëtuar jetën e tij, por “nuk kishin gjetur gjurmë helmi në trupin e tij”.
Protestues të shumtë në Bjellorusi kanë zhvilluar tjetër tubim masiv në kryeqytetin e vendit Minsk, dy javë pas zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale, që shpallën fitues presidentin Aleksandër Lukashenko.
Njerëzit kanë qenë të shumtë në sheshin qendror të Minskut, pavarësisht prezencës së madhe të policisë, raporton BBC.
Protestuesit shprehen se Lukashenko ka vjedhur zgjedhjet dhe duan që kreu i shtetit të japë dorëheqjen. Lukashenko nga ana e tij është zotuar “të shtypë” protestuesit, ndërsa ka thënë se “vetëm nëse vdes do të jepte dorëheqjen”.
Protestat kanë rezultuar me gjithsej 4 të vdekur. Disa nga demonstruesit janë shprehur se janë torturuar nëpër burgje.
Sipas rezultateve zyrtare, Aleksandër Lukashenko fitoi 80 përqind të votave dhe kandidatja opozitare Svetlana Tikhanovskaya 10%.
Opozita deklaron se në zgjedhje nuk kishte vëzhgues të pavarur e se kishte manipulim masiv votash.
Tikhanovskaya që u detyrua të ikë në Lituaninë fqinje menjëherë pas zgjedhjeve, u shpreh se do të qëndrojë deri në fund në këtë rezistencë.
Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko është diagnostikuar me koronavirus. Sipas mediave të huaja gjëndja e saj shëndetësore është e rëndë, referuar deklaratës së një zëdhënësi të partisë.
Timoshenko, 59 vjeç, e cila shërbeu dy herë si kryeministre përpara se të humbiste zgjedhjet presidenciale të vitit 2010, u bë politikania e parë ukrainase e njohur ndërkombëtarisht që u sëmur me Covid-19. Parlamenti ukrainas ka qenë me pushime verore që nga mesi i korrikut.
“Gjendja e saj është e rëndë, temperatura i shkon deri në 39 gradë Celsius” , tha zëdhënësja e partisë së saj.
Ajo nuk pranoi të komentonte nëse Timoshenko po trajtohej. Ukraina ka pasur një rritje të mprehtë të infeksioneve gjatë javës së kaluar, me 2.328 raste të raportuara në 24 orë të shtunën. Numri i përgjithshëm i rasteve në vend ka arritur në 104.958 dhe vdekjet nga coronavirusi në 2,271.
Navalny arriti në Gjermani më 22 gusht ndaj qyteti siberian Omsk. Ai dyshohet se është helmuar.
Ende spitali Charite, ku po trajtohet Navalny nuk ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore, por themeluesi i organizatës joqeveritare, që mundësoi transportin e tij nga Rusia për në Gjermani tha se gjendja e liderit opozitar rus është “shumë shqetësuese”.
Në mediat sociale janë postuar fotografi që tregojnë prezencën e shtuar të policisë gjermane përreth spitalit ku po trajtohet Navalny.
Navalny, që është kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, humbi ndjenjat më 20 gusht, teksa po udhëtonte me aeroplan. Ai u tha se humbi ndjenjat pasi piu një çaj, që sipas bashkëpunëtorëve të tij, mund të ketë qenë i helmuar.
Spitali Chartie tha se do të ofrojë njoftime për gjendjen e Navalnyt dhe për trajtimin e mëtejmë, pasi të kryen analizat dhe pas konsultave me familjen.
Transferimi i Navalnyt nga Rusia për në Gjermani u prolongua, për shkak se autoritetet ruse thoshin se ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte.
Por zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh tha përmes një postimi në Twitter se gjendja e tij shëndetësore gjatë fluturimit “edhe njëherë konfirmon: asnjë nuk e pengonte Navalnyn që të transferohej dhe kjo gjë ishte e domosdoshme që të bëhej sa më shpejt”.
Navalny është në gjendje kome që prej se u sëmurë më 20 gusht gjatë fluturimit nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin ai po udhëtonte, u detyrua që të aterronte në Omsk.
Yarmysh tha se ajo beson se Navalny është helmuar pasi ka pirë çajin që e ka blerë në aeroportin në Tomsk. rel
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya do të takohet të hënën me Zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit Stephen Biegun në Lituani, si pjesë e përpjekjeve për të shtensionuar krizën rreth zgjedhjeve të debatueshme, tha ekipi saj për agjencinë e lajmeve Reuters.
Numri 2 i diplomacisë amerikane do të ndalet në kryeqytetin Vilnius të Lituanisë gjatë rrugës për në Moskë, ndërkohë që Uashingtoni përpiqet për një zgjidhje paqësore të krizës që do të shmangte një ndërhyrje ruse.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko po përballet me sfidën më të madhe në 26 vitet e tij në pushtet, ndërkohë që njerëzit kanë dalë në rrugë në shumë qytete bjelloruse, përfshirë kryeqytetin Minsk, prej gati dy javësh, duke protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, për të cilat ata thonë se u manipuluan për t’i siguruar presidentit rizgjedhjen.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters të shtunën, zonja Tsikhanouskaya tha se e sheh veten si një simbol të ndryshimit, me rolin për të ndihmuar në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sepse Lukashenko, sipas saj, “do të duhet të ikë, herët a vonë”.
Presidenti Lukashenko tha të shtunën se do të mbyllë fabrikat ku ka patur protesta të punëtorëve, njoftoi agjensia ruse e lajmeve RIA.
Komentet e tij janë një tjetër përpjekje për të shuar valën e tubimeve të opozitës që nga zgjedhjet e kontestuara të 9 gushtit. Lukashenko la gjithashtu të kuptohej se ai do të pushonte punëtorët e përfshirë në protesta.
“Nëse një fabrikë nuk punon, atëherë le të vendosim një bravë te porta e saj, duke filluar nga e hëna. Le ta mbyllim,” tha Lukashenko në qytetin Grodno afër kufirit me Poloninë, sipas citimeve të agjencisë.
“Njerëzit do të qetësohen dhe ne do të vendosim se kë do të lejojmë,” u shpreh ai.
Protestave u janë bashkuar edhe punëtorët në një numër fabrikash shtetërore. Lukashenko mohon se në votime ka patur manipulime.
Rivalja e tij kryesore në zgjedhje, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka ikur në Lituaninë fqinje.
Pa përmendur emra, Lukashenko tha se organizatorët e tubimeve mbarëkombëtare “janë jashtë, në vendet fqinje” dhe gëzojnë mbështetje politike nga udhëheqësit e atyre vendeve.
Dy anëtarë kryesorë të një këshilli të sapokrijuar të opozitës në Bjellorusi u morën në pyetje të premten për një çështje penale, lidhur me atë që Lukashenko e quan përpjekje për të marrë pushtetin.
Kandidatja opozitare në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya ka bërë ankesë zyrtare kundër zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, duke thënë se mbështetësit e saj nuk do ta pranojnë më kurrë udhëheqësinë e presidentit, Alyaksandr Lukashenka.
Protestat dhe grevat kanë shpërthyer në Bjellorusi tash e 13 ditë me radhë, duke kundërshtuar ato që shumica i konsiderojnë zgjedhje presidenciale “të manipuluara” në të cilat Lukashenka ka fituar më shumë se 80 për qind të votave.
Kjo situatë përbën krizën më të thellë për presidentin bjellorus, që ka 26 vjet në pushtet.
“Duhet t’i bëhet e qartë presidentit se ka nevojë për ndryshim. Shpresoj se do të triumfojë qëllimi i mirë dhe që njerëzit do të dëgjohen e do të ketë zgjedhje të reja”, ka thënën Tsikhanouskaya më 21 gusht.
Kjo ka qenë konferenca e saj e parë për media prej kur ajo ka ikur në Lituani një javë më parë, për shkak të pakënaqësive të shprehura për rezultatin zgjedhor.
Megjithatë, Tsikhanouskaya u ka thënë gazetarëve se planifikon të kthehet në shtëpi “kur të ndihet e sigurt atje”.
Avokati i saj Maksim Znak ka nisur ankesën në Gjykatën Supreme të Bjellorusisë, duke kërkuar që të shpallen të pavlefshme zgjedhjet e 9 gushtit.
“Ankesa është dorëzuar. Vendimi se kur duhet nisur procedurat pritet brenda disa ditësh”, ka thënë Znak, anëtar i Këshillit opozitar për Koordinim.
Lukashenka në anën tjetër vazhdon të jetë mospërfillës ndaj protestave në rrugë, si dhe kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave. rel
Avioni me të cilin është transportuar lideri opozitar rus, Aleksei Navalny ka ateruar në Berlin.
Navalny, që dyshohet se u helmua, u transportua nga qyteti siberian Omsk për në Berlin, për të marrë trajtim mjekësor.
Themeluesi i organizatës joqeveritare “Cinema for Peace” – avioni i së cilës barti Navanyn nga Rusia në Gjermani – Jaka Bizilij, tha se gjendja shëndetësore e opozitarit rus, është “stabël”.
“Gjendja e Navalnyit gjatë fluturimit dhe pas aterrimit është stabël”, tha ai për gazetën gjermane, Bild.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, po ashtu shkroi në Twitter se “avioni që barte Aleksein ka aterruar në Berlin”.
Fluturimi nga Rusia për në Gjermani u pengua që të ndodhte më parë, për shkak se autoritetet ruse deklaruan se Navalny nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte. Por, familja e tij dhe aleatët insistuan që ai të mjekohej jashtë vendit.
“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar më herët në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.
Yarmysh publikoi një fotografi të Navalnyt teksa ai – i vendosur në një barelë – futet në avion së bashku me gruan e tij.
Navalny është në gjendje kome, që prej se u sëmurë pas dyshimeve për helmim më 20 gusht. Në momentin kur u sëmurë, ai ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian, Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin udhëtonte, më pas u detyrua që të bëjë një aterim urgjent në Omsk, që po ashtu gjendet në Siberi.
Familja e Navalnyt dhe aleatët e tij kanë luftuar që ta transferojnë atë në Gjermani për trajtim mjekësor, por doktorët rusë, që po e trajtonin, për orë të tëra refuzuan që ai të largohej nga spitali në Omsk, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë që ai të udhëtonte.
Por, më 21 gusht, zyrtari i lartë i spitalit në Omsk, Anatoly Kalinichenko u tha gazetarëve se Navalny mund të transferohet për në Gjermani, pasi gjendja e tij është stabilizuar.
Gruaja e Navalnyt, më herët i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të lejojë që burri i saj të transferohet në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor.
“Zyrtarisht ju bëj thirrje ju (Putin) që të lejoni transportin e Navalnyt për në Gjermani”, deklaroi Yulia Navalnaya më 21 gusht.
Fillimisht, Kremlini deklaroi se vendimi për të mos lejuar transferimin e Navalnyt për në Gjermani ishte krejtësisht për shkaqe shëndetësore. Por, mbështetësit e Navalnyt argumentuan se autoritetet ruse po dëshirojnë që të blejnë kohë, në mënyrë që gjurmët e helmit të mos gjenden më në trupin e liderit opozitar, në kohën kur ai të transferohet jashtë vendit.
Pasi Navalny u lejua që të udhëtojë për në Gjermani, Qeveria gjermane tha se jeta e tij duhet të shpëtohet.
“Prioriteti kryesor është që jeta e zotit Navalny të shpëtohet dhe ai të shërohet”, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.
Ende nuk ka asnjë diagnozë të saktë për gjendjen e Navalnyt, por ekipi i tij dyshoh se ai është helmuar për shkak të aktiviteteve të tij.
Yarmysh beson se politikani opozitar u helmua, pasi në çajin që ai bleu në aeroportin e Tomsk, iu hodh diçka brenda.
Por, drejtori i spitalit në Omsk, Aleksandr Murakhovsky u ka thënë gazetarëve se gjendja e Navalnyt mund të jetë shkaktuar për shkak të çrregullimeve që kanë të bëjnë me metabolizmin.
“Sot kemi punuar në disa diagnoza. Kryesorja është … çrregullime në metabolizëm”, tha Murakhovky, duke shtuar se gjendja e Navalnyt mund të “shkaktohet me rënien e nivelit të sheqerit në gjak”.
Këto komente Murakhovsky i kishte bërë pari zëdhënësja Yarmysh, citoi një bashkëpunëtor të Navalnyt, Ivan Zhdanov, të ketë thënë se “një polic që ishte në spital, tha se në trupin e Aleksei është gjetur helm, që nuk është i rrezikshëm vetëm për të, por për të gjithë që janë përreth tij”.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që të nisin menjëherë hetimet lidhur me gjendjen e Navalnyt, i cili pak pasi u sëmurë, ra në gjendje kome.
“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me shëndetin e Aleksei Navalnyt pas helmimit të dyshuar”, tha më 21 gusht, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrli.
“Ne presim një hetim të shpejtë, të pavarur dhe transparent. Nëse konfirmohet që është helmuar, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, tha ajo.
“Njeri shumë i guximshëm”
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, deklaroi më 20 gusht, se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me situatën me Navalnyn duke shtuar se mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
“Ai është një njeri shumë i guximshëm. Ai është një politikan i guximshëm që brenda Rusisë është ngritur kundër Putinit. Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe nëse rusët qëndrojnë pas kësaj… është diçka që ne do ta kemi parasysh në mënyrën sesi do të sillemi me Rusinë në të ardhmen”, tha O’Brien.
Navalny, i cli ka ekspozuar aferat korruptive në Rusi, edhe në të kaluarën ka qenë cak i sulmeve fizike.
Më 2017, ai ishte sulmuar me një kimikat, që i ishte hedhur në sy.
Në korrik të vitit 2019, Navalny u dënua me 30 ditë burgim, për shkak të organizimit të protestave të paautorizuara. Gjatë qëndrimit në burg, ai disa herë u dërgua në spital, për shkak të disa të ënjturave në fytyrë, që më vonë u pretendua se mund të kenë simptoma të helmimit.
Në vitet e fundit, ai disa herë është arrestuar, është ndaluar që të garojë për president si dhe për kryetar të qytetit të Moskës.
Kreu i departamentit ligjor të Fondacionit Anti-Korrupsion, që Navalny ka themeluar, Vyacheslav Gimadi, ka shkruar në Twitter se “nuk ka asnjë dyshim që Navalny është helmuar për shkak të aktivitetit dhe pozicionit të tij politik”. rel
Bashkimi Evropian nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave, ka thënë shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Ky vendim i BE-së, që u tha se ishte unik, vjen pas mbajtjes së një samiti virtual të liderëve të vendeve të bllokut.
BE-ja ka thënë se do të vendosë sanksione të targetuara ndaj personave në Bjellorusi që janë përgjegjës për brutalitetin ndaj qytetarëve gjatë protestave paqësore në këtë vend si dhe për mashtrimet në procesin zgjedhor.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen ka thënë se këto sanksione do të drejtohen ndaj personave përgjegjës për dhunën dhe nuk janë kundër qytetarëve të këtij shteti.
Van der Leyen ka thënë se BE-ja është e impresionuar nga guximi që kanë dëshmuar qytetarët bjellorusë në kërkim të demokracisë dhe lirisë së shprehjes. Ajo ka paralajmëruar se mjetet që BE-ja ia kishte dedikuar autoriteteve bjelloruse, tashmë do të rialokohen për qytetarët e këtij vendi.
BE-ja do të ndajë 53 milionë euro për të mbështetur qytetarët e Bjellorusisë si dhe mediat dhe shoqërinë civile. Por këto mjete do të jenë edhe ndihmë që bjellorusët të përballen me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
“Mesazhi ynë është i qartë: ndaleni dhunën, ne nuk tolerojmë dhunën e as pandëshkueshmërinë”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Michel, duke shtuar se BE-ja do ta përcjellë nga afër situatën në Bjellorusi.
Ndërkaq, duke folur rreth bisedës që ka pasur Michel më 18 gusht me presidentin rus, Vladimir Putin, ai ka thënë se kjo bisedë ka qenë e rëndësishme që të përcillet qëndrimi i BE-së, se për situatën në Bjellorusi, zgjidhja duhet të gjendet brenda shtetit dhe të mos ketë ndërhyrje nga jashtë.
Michele ka thënë se me Putinin janë pajtuar se në këto rrethana nuk duhet të ndërhyhet ushtarakisht.
Ndërkaq, e pyetur për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të reja në Bjellorusi, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen tha se kjo ju takon qytetarëve bjellorusë dhe nëse ata kërkojnë zgjedhje të reja, BE-ja do t’i mbështesë.
“U takon qytetarëve të Bjellorusisë që të vendosin për të ardhmen e shtetit të tyre”, u shpreh ai.
Takimi virtual, përmes video-lidhjes i Këshillit Evropian u zhvillua vetëm për të ndërmarrë masa ndaj Bjellorusisë për trazirat e fundit në këtë shtet dhe për të dëshmuar se BE-ja është e shqetësuar për situatën atje.
Lukashenka jep urdhër për ndaljen e trazirave
Ky takim i BE-së vjen pak orë pasi presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, udhëzoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të ndalojë trazirat në vend, veçanërisht në kryeqytetin Minsk.
“Nuk duhet të ketë më trazira në Minsk. Njerëzit janë të lodhur. Njerëzit kërkojnë paqe dhe qetësi”, tha Lukashenka më 19 gusht, sipas agjencisë së lajmeve shtetërore BelTA.
Ai gjithashtu urdhëroi autoritetet kufitare të rrisin sigurinë në zonën kufitare për të parandaluar hyrjen e “luftëtarëve dhe armëve”.
Lukashenka, gjithashtu ka thënë se një grup i punonjësve të mediave shtetërore që hynë në grevë si pjesë e protestave, nuk do të lejohen të kthehen në punët e tyre, raporton Reuters.
Vala e zemërimit në Bjellorusi është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presidenti Alyaksandr Lukashenka, që është në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya me 10.12 për qind.
Opozita thotë se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit ishin të manipuluara.
Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya u bëri thirrje liderëve evropianë të “mbështesin zgjimin” e vendit të saj dhe të respektojnë zgjedhjen e popullit bjellorus.
Tsikhanouskaya e bëri thirrjen përmes një adresimi me video drejtuar Këshillit Evropian.
“Unë ju bëj thirrje që të mos i njihni këto zgjedhje mashtruese. Lukashenka ka humbur të gjithë legjitimitetin në sytë e kombit tonë dhe botës”, tha ajo, raporton Reuters.
Tsikhanouskaya aktualisht gjendet në Lituani pasi është larguar nga Bjellorusia menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale.
Tsikhanouskaya, e cila mblodhi dhjetëra mijëra njerëz në tubimet e saj të fushatës zgjedhore, pretendon se në të vërtetë ka marrë midis 60 dhe 70 për qind të votave.
Eurodeputetja shqiptare e cila përfaqëson Suedinë në PE, Arba Kokalari është emëruar nga grupi i saj parlamentar si përgjegjëse për çështjet Artikut.
Ajo shkruan se një nga çështjet problematike të Arktikut, është shkrirja e akujve. Sipas saj duhet një bashkëpunim ndërkombëtar pasi jo kudo ndikon njësoj ky fenomen.
Kokalari thotë se mezi pret të fillojë në pozicionin e rëndësishëm për të ndihmuar edhe vendin që ajo përfaqëson. Suedinë që është gjithashtu vend arktik.
STATUSI NGA ARBA KOKALARI
DATA E RE – BE :S POLICIA KUNDËR ARKTIS
Unë jam emëruar në përgjegjësin e grupit tim për çështjet e Arktikut dhe do të zhvilloj politikat tona dhe do të negocioj një raport për mundësitë dhe sfidat e sigurisë në Arktik.
🔹 Akullorja e detit shkrin dhe ka pak vende ku ndryshimi i klimës ka po aq efekt sa këtu.
🔹 Ndryshimi i mjedisit Arktik ka çuar në rritjen e aktiviteteve në rajon, konkurrencën për nxjerrjen e burimeve natyrore dhe rrezikun më të lartë të tensionit apo konfliktit ushtarak.
Ne kemi nevojë për më shumë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushë. 🌎
Mezi pres të punoj për këto çështje, të cilat janë të rëndësishme edhe për Suedinë si vend Arktik!
NYTT UPPDRAG – EU:S POLITIK MOT ARKTIS
Jag har blivit utnämnd till min partigrupps ansvariga för Arktisfrågor och kommer att utveckla vår politik och förhandla en rapport om möjligheter och säkerhetsutmaningar i Arktis.
🔹Havsisarna smälter och det är få platser där klimatförändringarna får så stor effekt som här.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka bërë të ditur se ka urdhëruar vendosjen e trupave në kufirin perëndimor të vendit në gatishmëri të plotë ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një takim me Këshillin e Sigurisë së Bjellorusisë, presidenti Lukashenko tha se protestat në vend nuk janë spontane dhe se ngjarjet do të përshkallëzohen më tej.
Ai e kritikoi propozimin e opozitës që vendi të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se “askush nuk po pret” Bjellorusinë në këto organizata.
Sa i përket “këshillit të koordinimit” të propozuar nga opozita, Lukashenko tha se kjo është një përpjekje për të kapur pushtetin.
Më tej, kërkesa e opozitës për t’u tërhequr nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, sipas tij, do të çonte në çmontimin e sistemeve të mbrojtjes së Bjellorusisë, pasi pajisja ruse do të duhej të hiqet dhe armët e vendit së shpejti do të binin në disavantazh.
Në një deklaratë të ndarë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se ka vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore në kufijtë e saj, me avionë luftarakë që patrullojnë hapësirën e saj ajrore.
Ministria ftoi atasheun ushtarak të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës për t’i informuar për hapat që do të merren si përgjigje ndaj “kërcënimeve kundër sigurisë kombëtare të Bjellorusisë”.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Lukashenko zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Presidenti Putin informoi homologun e tij nga Bjellorusia për kontaktet e tij të fundit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Putin tha se u shprehu atyre shqetësim lidhur me përpjekjet e disa vendeve për të kryer presion mbi Bjellorusinë dhe për destabilizim të vendit.
Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, realizoi një telefonatë me homologun e tij rus, Sergey Shoygu.
Esper dhe Shoygu, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, diskutuan “çështje të masave të ndërtimit të besimit dhe transparencës në mënyrë që të parandalojnë incidentet gjatë veprimtarisë ushtarake të palëve” dhe shkëmbyen mendime për konflikte në pjesë të ndryshme të botës.
Këtë javë, disa vende të BE-së kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Bjellorusi, pasi dhjetëra mijëra demonstrues dolën në rrugë duke kërkuar zgjedhje të reja dhe të ndershme presidenciale.
Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, zyrtarisht fitoi zgjedhjet me 80,1 për qind të votave. Rivali i tij kryesor, Svetlana Tikhanovskaya, fitoi vetëm 10,12 për qind të votave.
Lukashenko nuk pranoi të mbajë një votim të ri, duke deklaruar se, “Ju nuk do të më shihni mua duke bërë diçka nën presion”.
Për më shumë se dy vjet, zyrtarët gjermanë në qytetin jug-perëndimor të Frankfurtit po hetojnë një shkelje të dhënash në kompjuterët e policisë, që dyshohet se u ndanë me aktivistët e së djathtës ekstreme ose neo-nazistët, shkruan Anadolu Agency (AA).
Rezultati ishte që gratë e shquara politikane, artistë, avokatë dhe gazetarë filluan të marrin e-maile kërcënuese.
Zyrtarët kanë ngritur alarmin për një dozë dyshimi mbi një person të brendshëm, një nëpunës publik, i cili mund të ketë përcjellë informacionin e ndjeshëm te aktivistët e Underground National Socialist (NSU), celula terroriste neo-naziste, përgjegjëse për vrasje me motive racore.
Që nga viti 2018 disa raste të tilla janë duke çuar dyshimin në dyert e policisë së Frankfurtit.
Gjashtë oficerë policie në vend janë nën hetim, për përfshirjen e tyre të dyshuar në dërgimin e letrave kërcënuese. Njëri prej tyre u arrestua përkohësisht në vitin 2019. Pesë të tjerët janë pezulluar nga shërbimi.
Por, edhe pas hetimit të gjatë 18 muajsh, autoritetet gjyqësore ende nuk kanë ngritur padi.
Analistët besojnë se thjesht fakti që policia gjermane mund të lidhet me një rrjet neo-nazist ose të djathtë ekstrem është bërë një siklet i madh për qeverinë gjermane.
Qeveria e kancelares Angela Merkel ka shtuar më vonë fushatën e saj për të frenuar aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe për të nxjerrë “urithët” brenda qeverisë, veçanërisht në radhët e sigurisë.
Der Spiegel, një nga revistat javore më të lexuara në gjuhën gjermane, kishte dokumentuar të paktën 400 incidente të veprimtarive raciste ose antisemitike vitet e fundit që përfshinin oficerë policie ose instruktorë.
Në vitin 2018, një avokate me seli në Frankfurt, Seda Basay-Yildiz raportoi se kishte marrë kërcënime me vdekje nga posta elektronike. Dërguesi madje kishte kërcënuar se do të vriste vajzën e saj dy vjeçare.
Avokatja përfaqësonte familjet e viktimave të dhunës racore si paditës të përbashkët.
Deri më sot, ende nuk dihet se kush qëndron pas letrës kërcënuese. Por hetimet kanë zbuluar se gjurmët ndalen në dyert e forcave policore në provincën gjermane jugperëndimore Hesse, pasi të dhënat ishin të mbrojtura dhe mund të kishin qenë të arritshme vetëm në Stacionin e Parë të Policisë së Qarkut të qytetit, sipas raporteve të mediave lokale.
Politikanët e kërcënuar
Në rastet tjera të ngjashme, letra kërcënuese morën edhe politikanët e majtë Janine Wissler dhe komedianja Idil Baydar. Të dhënat e tyre personale ishin marrë edhe nga kompjuterët e policisë.
Sipas një gazete të përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau”, të dhënat e Wissler u morën në rajonin e tretë të Policisë në qytetin jugperëndimor të Wiesbaden, 40 kilometra larg nga Frankfurtit.
Në korrik të vitit 2020, prokurori publik konfirmoi se të dhënat e Wissler ishin marrë dhe vjedhur nga një kompjuter që i përkiste forcës policore të provincës Hesse.
Ajo ka shtuar më tej frikën se “urithët” e ekstremit të djathtë mund të jenë infiltruar në radhët e policisë në Hessen.
Pasi u shfaqën raste të reja, Peter Beuth, ministri i brendshëm i provincës Hesse më 16 korrik, pranoi ekzistencën e një rrjeti të tillë.
Komedianja turko-gjermane Baydar iu nënshtrua abuzimeve masive dhe kërcënimeve, përfshirë përmes SMS, nga ekstremistët e krahut të djathtë për muaj të tërë, që nga marsi i vitit 2019.
Prokurori publik i Frankfurtit njoftoi se të dhënat e saj ishin marrë po ashtu nga një kompjuter në pronësi të policisë Hesse.
Edhe drejtuesja e opozitës në parlamentin provincial Hesse, Janine Wissler, që i përket të majtës, kolegu i saj i partisë në Berlin Anne Helm, nënkryetari i partisë në shtetin gjerman Thuringia, Martina Renner dhe deputeti gjerman Helin Evrin Sommer kanë marrë gjithashtu kërcënime.
Wissler ishte i pari brenda partisë së majtë radikale që mori një e-mail të tillë kërcënues në shkurt të vitit 2020.
Sipas transmetuesit publik të provincës Hesse, Hessischer Rundfunk, këta udhëheqës morën letra kërcënuese edhe një herë në korrik.
Gjurmimi i letrave i ndërlikuar
Në postë, dërguesi kërkoi vdekjen e katër grave. Stili ishte i ngjashëm me letrat e mëparshme, duke çuar në përfundimin se ato ishin shkruar nga i njëjti person.
Por prokurori publik tha se nuk ishte e mundur t’i atribuohen këto letra një personi të vetëm bazuar në përmbajtjen dhe gjuhën.
Gjurmimi i autorëve anonimë të këtyre letrave dëshmon për një numër komplikimesh.
“Është një punë shumë e vështirë hetimore, dhe ne kemi përparim shumë të dobët”, tha Hessischer Rundfunk ndërsa citoi Andreas Gruen, kreun e sindikatës së policisë në Hesse.
Ai më tej tha se nuk ka prova deri më tani në lidhje me praninë e “urithëve” të krahut të djathtë brenda radhëve të policisë. Ai, megjithatë, tha që kishte raste të dyshuara, por ato nuk kanë gjetur ende ndonjë lidhje apo rrjet interaktiv. Zbulimi i rrjetit mbështetet shumë në aftësitë hetimore të policisë në shtetin Hesse.
Ministri i Brendshëm në Hessen, Peter Beuth i kishte besuar më parë hetimet e Hansepeter Mener, drejtorit të departamentit të hetimit penal. Ai u emërua si hetues special për të filluar një hetim të plotë.
Avokati me bazë në Frankfurt Basay-Yildiz, i cili u kërcënua gjithashtu në vitin 2018, kritikoi ashpër masat e Beuth.
Duke cituar Basay-Yildiz, rrjeti transmetues Hessischer Rundfunk raportoi se ajo ka pranuar emërimin e hetuesit special me ndjenja të përziera edhe pse shpresonte se autorët do të zbulohen.
Ajo më tej tha se përshtypja ka lindur pasi një hetues ishte emëruar sepse tani politikani Wissler mori e-mail kërcënues. “Kjo të bën të ndihesh sikur një person i klasit të dytë”, shtoi ajo.
Liderët e Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm të mërkurën për të diskutuar situatën e fundit në Bjellorusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konferenca u thirr të hënën nga Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.
“Njerëzit e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirshëm udhëheqësin e tyre”, shkroi Michel në një postim në mediat sociale, duke njoftuar vendimin e tij.
“Dhuna ndaj protestuesve është e papranueshme dhe nuk mund të lejohet”, shtoi ai.
Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive do të mbahet përmes një video-lidhjes.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së ranë dakord të premten të ndërmarrin hapat e parë për të përgatitur një listë sanksionesh ndaj “individëve të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Bjellorusi”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell gjithashtu theksoi se blloku hedh poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Protestat kundër rezultateve vazhduan të dielën në gjithë Bjellorusinë.
Në tetë ditët e protestave, dhjetëra mijëra bjellorusë kanë demonstruar kundër Lukashenkos, duke brohoritur me parulla dhe duke mbajtur flamurin kuqebardhë të cilin Bjellorusia e ka përdorur para vitit 1995.
BE-ja në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar autoriteteve bjelloruse që të ndalojnë dhunën kundër protestuesve javën e kaluar.
Të paktën dy shtetas bjellorusë u vranë në protesta. Sipas Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, 6.000 njerëz raportohet të jenë arrestuar.
Sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të shpallura të premten e kaluar, presidenti i Bjellorusisë Alexandar Lukashenko fitoi me 80,1 për qind të votave, ndërsa liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya u rendit e dyta me vetëm 10,12 për qind.
Të hënën në Bjellorusi pritet të nisin greva të reja, pas fundjavës me protesta në të cilat kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra persona, duke kërkuar largimin e presidentit Alexander Lukashenka nga pushteti.
Liderët opozitarë kanë bërë thirrje për greva ndërkohë që rritet zemërimi pas raportimeve për dhunë policore si dhe pretendimeve për mashtrim me vota në procesin zgjedhor të 9 gushtit.
Megjithatë, presidenti bjellorus, që ka shpallur fitore bindëse, vazhdon të jetë mospërfillës.
Të dielën, ai u ka bërë thirrje mbështetësve që të mbrojnë shtetin e tyre dhe pavarësinë.
Mirëpo protestuesit kanë qenë në numër tejet të madh, andaj faqja lokale e lajmeve, Tut.by i ka përshkruar protestat si “më të mëdhatë prej pavarësisë së Bjellorusisë”.
Vala e zemërimit është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya 10.12 për qind.
Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, insiston se nëse votat do të numëroheshin si duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.
Përmes një video-mesazhi të publikuar të hënën, ajo ka thënë se është e gatshme të bëhet “lidere kombëtare” në mënyrë që të kthejë qetësinë dhe normalitetin, duke liruar të burgosurit politikë, dhe duke nisur përgatitjet për zgjedhje të reja.
Ndërkohë, 6,700 persona janë arrestuar prej kohës së zgjedhjeve dhe shumë prej tyre kanë folur për torturën që kanë përjetuar nga shërbimet e sigurisë.
Stafi i televizionit shtetëror është parë duke nisur grevën të hënën, teksa në transmetim janë parë tavolinat bosh, kanë vërejtur gazetarët e huaj.
BBC ka raportuar se punëtorët e fabrikave shtetërore kanë ecur bashkë me protestuesit javën e kaluar, derisa greva të reja pritet të ketë edhe këtë javë, me qëllim të rritjes së presionit ndaj Lukashenkas.
Çfarë ndodhi të dielën?
Në kryeqytetin bjellorus, Minsk janë organizuar dy marshe të ndryshme.
Në organizim pro-qeveritar është thënë të jenë mbledhur rreth 31,000 persona. Ministria e Brendshme bjelloruse ka thënë se shifrat kanë arritur në 65,000, ndërkohë që një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP ka thënë se pjesë e këtij marshi kanë qenë rreth 10,000 persona.
Duke folur para mbështetësve, Lukashenka ka thënë se Bjellorusia “do të vdiste si shtet” nëse do të mbaheshin zgjedhjet sërish.
“Ju keni ardhur këtu që për herë të parë në çerek-shekulli të mbroni shtetin tuaj, pavarësinë, gratë, vajzat dhe fëmijët tuaj”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se opozita “do të zvarritej si minjtë jashtë vrimës” nëse nuk do të shtypeshin kësaj here.
Ka pasur raportime se punëtorët e sektorit shtetëror janë detyruar të dalin në protestë, në të kundërtën janë kërcënuar me humbje të vendeve të punës.
Ndërkohë që Lukashenka ka qenë duke folur, rreth 220,000 persona kanë protestuar kundër tij në sheshin e Minskut, sipas Tut.by.
Mbështetësit kanë dalë edhe nëpër rrugët e qyteteve tjera, pas thirrjeve të Tikhanovskayas për marshe në fundjavë.
Një numër zyrtarësh, përfshirë ata policorë, është thënë të kenë dhënë dorëheqje.
Çfarë po ndodh në rrafshin ndërkombëtar?
Presidenti Lukashenka, që ka udhëhequr Bjellorusinë për 26 vjet, është përballur me presion në rritje edhe nga shtetet evropiane.
Të dielën, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet “të vazhdojë të mobilizohet me qindra mijëra bjellorusë që janë duke protestuar në mënyrë paqësore për respektim të të drejtave të tyre dhe sovranitetit”.
Zëvendës-kancelari gjerman, Olaf Sholz e ka përshkruar Lukashenkan, “diktator të keq”, duke i thënë të përditshmes Bild se lideri bjellorus “ka humbur gjithë legjitimitetin”.
Javën e kaluar, ministrat e Jashtëm të BE-së janë pajtuar për të përgatitur sanksione të reja kundër zyrtarëve bjellorusë që janë përgjegjës “për dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore”.
Shtetet e Bashkuara në anën tjetër kanë thënë se zgjedhjet nuk kanë qenë “as të lira as të drejta”.
Qindra persona kanë protestuar përgjatë fundjavës në Pragë dhe Varshavë, si shenjë solidariteti me protesesit në Bjellorusi.
Mirëpo Lukashenka ka kërkuar ndihmën e Rusisë, ndërkohë që rriten pakënaqësitë.
Të shtunën ai ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin i ka premtuar se do t’i ofrojë atë që e ka cilësuar si ndihmë gjithpërfshirëse në rast të kërcënimeve të huaja ushtarake ndaj Bjellorusisë.
Të dy liderët kanë diskutuar për herë të dytë të dielën, ndërkohë që Kremlini ka thënë se është biseduar për ‘situatën në Bjellorusi, marrë parasysh presionin me të cilin po përballet republika nga jashtë”.
Putin i ka thënë Lukashenkas se Rusia është e gatshme t’i ndihmojë Bjellorusisë “nëse ka nevojë, në përputhje me paktin ushtarak kolektiv”.
Lideri bjellorus ka shprehur shqetësime edhe për ushtrimet e NATO-s në Poloni dhe Lituani.
Mitingje rivale u mbajtën në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë të dielën, një javë pas zgjedhjeve të diskutueshme që i dhanë drejtuesit të gjatë Aleksandër Lukashenko një mandat tjetër në detyrë.
Dhjetëra mijëra protestues që vunë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit u mblodhën në “Marshimin për Liri”, të thirrur nga kandidatja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya.
Ndërkohë, mijëra vetë u mblodhën në mbështetje të Lukashenkos, i cili tha të dielën se nuk do të zhvillojë zgjedhje të reja.
Duke iu drejtuar njerëzve, Lukashenko mohoi akuzat për manipulimin e
zgjedhjeve dhe fajësoi ndërhyrjen e huaj për ditët e trazirave, duke pretenduar se NATO-ja ishte duke grumbulluar armë rreth 24 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.
Bjellorusët kanë protestuar në kryeqytetin Minsk dhe qytete të tjera që kur zyrtarët e zgjedhjeve shpallën Lukashenkon, që ka 26 vjet, në pushtet, fituesin e zgjedhjeve të 9 gushtit, me mbi 80% të votave kundër kandidates kryesore të opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, me rreth 9.9%.
Ambasadori i Bjellorusisë në Sllovaki Igor Leshchenya shprehu mbështetjen e tij për protestuesit në një video pa datë të botuar të shtunën nga media bjelloruse Nasha Niva.
“Solidarizohem me ata që dolën në rrugët e qyteteve bjelloruse në marshime paqësore në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohej,” thotë zoti Leshchenya në video. “Bjellorusët e kanë arritur këtë të drejtë përmes vuajtjeve.”
Mijëra vetë dolën në rrugët e Minskut përsëri të shtunën, duke iu përgjigjur thirrjes së zonjës Tsikhanouskaya për t’u mbledhur gjatë fundjavës dhe për të vazhduar një lëvizje që përbën sfidën më të madhe ndaj kontrollit të Lukashenkos që ka qënë në pushtet për 26 vjet, që nga viti 1994.
Protestuesit gjithashtu marshuan në qendrën e televizionit shtetëror bjellorus, duke kritikuar transmetimet që sipas tyre janë të njëanshme në favor të Lukashenkos dhe që japin një imazh jo të drejtë të protestave.
Rreth 100 anëtarë të stafit dolën dhe u bashkuan në protestë, duke thënë se kanë planifikuar të fillojnë një grevë të hënën.
Përballë sfidës më të madhe të sundimit të tij nën presionin për të dhënë dorëheqjen, Lukashenko bëri thirrje për ndihmë nga Moska në një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, duke e përshkruar situatën si “një kërcënim jo vetëm për Bjellorusinë”.
Lukashenko u tha shefave ushtarakë më vonë gjatë ditës se Putini kishte ofruar “ndihmë gjithëpërfshirëse” për “të garantuar sigurinë në Bjellorusi”.
Kremlini tha në një deklaratë se të dy presidentët ranë dakord se “problemet” në Bjellorusi do të “zgjidhen shpejt” dhe lidhjet e vendeve do të forcohen.
NATO-JA HEDH POSHTË AKUZAT
NATO-ja hodhi poshtë të dielën akuzat e Presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko se po përforconte forcat ushtarake afër kufirit perëndimor të vendit, por tha se po e vëzhgon nga afër situatën në vend.
Presidenti Lukashenko ishte shprehur më parë se tanket dhe avionët e NATO-s janë vendosur 15 minuta larg kufirit të Bjellorusisë.
Një zëdhënëse e NATO-s tha në një deklaratë: “Nuk ka shtim të forcave të NATO-s në rajon. Prania shumëkombëshe e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës nuk është kërcënim për asnjë vend. Ajo është rreptësisht mbrojtëse, proporcionale dhe me synimin për të parandaluar konfliktin e për të ruajtur paqen.”
Zëdhënësja i bëri thirrje Bjellorusisë të respektojë liritë themelore, përfshirë të drejtën për protesta paqësore.
Fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia janë anëtare të NATO-s. Aleanca dërgoi katër grupe luftarake në këto vende si dhe në Estoni për të parandaluar inkursionet e mundshme ruse, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.
Numri i trupave në këto grupe të gatshme luftarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, është rreth 5,000.
Të shtunën, Polonia nënshkroi një pakt mbrojtjeje të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, në bazën të të cilit Shtetet e Bashkuara do të shtojnë numrin e trupave në Poloni.
Marrëveshja përfshin trajnimin e forcave polake në aspektin e zbulimit dhe komandës, dhe një rritje të mundshme të shpejtë në praninë e atjeshme ushtarake të SHBA me deri në 20 mijë trupa, në rast të shtimit të kërcënimit.
Rusia ka thënë se nuk ka synime për të sulmuar NATO-n dhe e akuzon aleancën për destabilizim të Evropës. zëri i amerikës
Bashkimi Evropian i konsideron Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner të rëndësishëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi thotë se ndajnë qëllimet e njëjta në rajon.
Kështu ka reaguar BE-ja ndaj njoftimit për takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, të thirrur për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
NË BE thonë se “kanë marrë në dijeni këtë njoftim” duke rikujtuar se mbështetja e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur.
“Kur është në pyetje përfshirja e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të pajohen për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne kemi marrë në djeni njoftimin e ambasadorit Grenell”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri.
Zëdhënësja e BE-së rikujtoi se rruga drejt bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Në fund të këtij muaji në Bruksel pritet të zhvillohet edhe një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut në nivel të ekspertëve. Ndërsa në fillim të shtatorit do të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Burimet e BE-së pohojnë se nga vjeshta presin një rritje të dinamikës së procesit të dialogut dhe synojnë që takimet e liderëve të zhvillohen dy herë në muaj, ndërsa delegacionet e ekspertëve të takohen çdo javë.
Diplomatët në Bruksel vazhdojnë të insistojnë se sa i përket normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i vetmi dialog është ai i cili zhvillohet në Bruksel dhe se për këtë BE ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deri më tash, prej kur ka rifilluar dialogu në Bruksel, ka pasur një takim të nivelit të lartë me praninë fizike të Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë dhe një virtual përmes video konferencës. Ndërsa në dy takime të ekspertëve janë diskutuar temat e të pagjeturve, të zhvendosurve, bashkëpunimit ekonomikë dhe pronësisë.
Delegacioni i Kosovës ka insistuar se këto nuk janë takime teknike por diskutime politike për draftimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila, sipas delegacionin e Kosovës, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Delegacioni i Serbisë i ka quajtur si të pavërteta pohimet se po diskutohet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar që të zbatohen disa marrëveshja të arritura më herët në dialog, sidomos ajo për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Bashkimi Evropian vazhdon të jetë shumë i mbyllur sa i përket përmbajtjes së dialogut duke përsëritur në vazhdimësi vetëm se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.
Tensionimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe rreziku i përshkallëzimit të përplasjeve mes Turqisë dhe Greqisë ka futur menjëherë në lojë liderët botërorë, të cilët janë alarmuar dhe po tentojnë të të shmangin ndonjë konflikt mes dy shteteve.
Kancelaria gjermane Angel Merkel po luan jnë rol të rëndësishëm në zbutjen dhe mos përshkallëzimin e situatës.
Siç bëjnë të ditur mediat greke dhe turke, kancelaria gjermane ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin turk Rexhep Taip Ergodan dhe me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Në një deklaratë nga Zyra për komunikim e Presidencës thuhet se në bisedë u diskutuan çështjet rajonale kryesisht për zhvillimet në Mesdheun Lindor.
Presidenti Erdogan ka thënë se favorizojnë zgjidhjen e problemeve në Mesdheun Lindor në bazë të drejtësisë dhe dialogut brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar. Gjithashtu në bisedë u vlerësuan edhe hapat për zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-Gjermani.
Telefonata e dytë e Merkel ishte ajo me kryeministrin grek.
Sipas mediave, Mitsotakis informoi Merkel për aktivitetet e paligjshme të Turqisë në Mesdheun Lindor. Asnjë detaj i mëtejshëm nuku dha në lidhje me këtë telefonatë.
Por Merkel siç duket ka ndikuar disi në zbutjen e tensioneve në mes dy shteteve përpara takimit të jashtëzakonshëm të së Premtes të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.
Sakaq Franca do të rrisë praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor Kështu deklaroi Presidenti Emmanuel Macron të Mërkurën, duke i bërë thirrje Turqisë të ndalojë eksplorimin e naftës dhe gazit që ka rritur tensionet me Greqinë.
“Presidenti francez shprehu shqetësim për kërkimet e njëanshme nga Turqia në një telefonatë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis”, tha zyra e Macron. Presidenca shtoi se kërkimi duhet të “pushojë në mënyrë që të lejojë një dialog paqësor” midis anëtarëve fqinj të NATO-s.
Gazetarja e njohur dhe fituesja e çmimit Nobel për Letërsinë, Svjetlana Aleksieviç i kërkoi presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko që të largohej nga pushteti përpara se të çonte drejt humnerës qytetarët e vendit të tij.
”Tërhiquni përpara se të hidhni njerëzit në humnerën e tmerrshme të luftës civile”, deklaroi Aleksieviç në radion ”Liberty”.
”Largohuni para se të jetë vonë!”, theksoi ajo.
Lukashenko fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës së kaluar, ndërkohë që është kritikuar ashpër nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar për mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit dhe numërimit.
Svjetlana Aleksandrovna Aleksieviç është një gazetare investigative, eseiste dhe historiane me origjinë nga Bjellorusia, e cila shkruan në rusisht.
Në vitin 2015 asaj iu dha çmimi Nobel për Letërsinë.
Kufizimet publike në ekonominë gjermane për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) pritet të zgjatin edhe 8,5 muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas anketës së Institutit gjerman të Hulumtimeve Ekonomike (Ifo), të realizuar në muajin korrik, u zbulua se pritja e firmave për vazhdimin e kufizimeve në jetën publike për shkak të COVID-19 do të zgjasë edhe 8,5 muaj.
Sipas anketës, sektori i shërbimit ka një pritje prej 8,9 muaj kufizime, sektori i ndërtimtarisë 8,2 muaj dhe e industrisë 7,8 muaj. Kompanitë e sektorit për argëtim presin një kufizim prej 13 muajsh.
Sektori që pret më së paku kufizime është sektori i prodhuesve të pijeve me 6,4 muaj.
Nga sot mbatja e një maske dhe jashtë është e detyrueshme në disa zona të Parisit
Po ashtu edhe në departamentet e kryeqytetit francez Seine- Sain-Denis, Hauts-de-Seine, Val-de-Marne dhe Val-d ‘Oise.
Masa, e planifikuar për një periudhë të rinovueshme prej një muaji, është vënë nga autoritetet shëndetësore që të ndalojnë një valë të dytë të epidemisë me efekte potenciale shkatërruese dhe për ekonominë.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se do të vizitonte Poloninë dhe tre vende të tjera evropiane javën që vjen, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për ripozicionimin e trupave jashtë Gjermanisë.
Gjatë këtij turneu, cili fillon me 11 gusht, kryediplomati amerikan po ashtu do të vizitojë Republikën Çeke, Slloveninë dhe Austrinë.
“Do të jetë një udhëtim shumë i rëndësishëm dhe produktiv”,tha ai ndërsa njoftoi turneun gjatë një konference shtypi.
Presidenti polak Andrzej Duda, një konservator populist, u rizgjodh me rezultat të ngushtë për një mandat të ri pesë-vjeçar muajin e kaluar pas një fushate shumë polarizuese. Para zgjedhjeve ai u prit edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me kancelaren gjermane Angela Merkel, ka vëndosur të tërheqë mijëra trupa amerikane nga Gjermania për të ripozicionuar disa prej tyre në Poloni.
Pentagoni njoftoi javën e shkuar se Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë 1 mijë trupa shtesë me rotacion në Poloni, falë një marrëveshje të arritur me Varshavën lidhur me statusin e tyre në atë vend. Ata do t’u shtohen 4,500 ushtarëve amerikanë të vendosur tashmë me rotacion në atë shtet.
Turneu po ashtu pritet të ketë në shënjestër Kinën, ndësa kryediplomati amerikan i cili kërkon të zvogëlojë influencën e Pekinit në botë, po i nxit aleatët e Shteteve të Bashkuara që të shmangin gjigandin kinez të telekomit, Huawei. zëri i amerikës
VOAL – Gjenova është ribashkuar nga ora 10 pasdite e së martës kur drita e gjelbër ka sanksionuar rihapjen e trafikut në seksionin e lidhjes midis A7 dhe A10. Tuneli Coronata, i ndriçuar ditën, 500 metra panele të bardha dhe shenja të ndritshme, shoqëruan karvanin, të drejtuar nga makina e sigurisë Polstrada, në urën e ndriçuar me flamurin italian, tridhjetë orë pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të prerjes së shiritit. Janë edhe disa gazetarë që kanë përshkuar kilometrin e gjysmë të rrugës që mbërrin në daljen e Genova Ovest, së bashku me shumë gjenovas që nuk donin ta humbnin atë moment, sikur kjo urë e rizbuluar të ishte një pushtim i shkëlqyeshëm kolektiv.
Dhe këtë mëngjes ndodhën radhët e para. Shoferët që ngadalësohen për të bërë fotografi dhe shumë kamionë të rreshtuar për shkak të trafikut të rëndë midis Aeroportit të Gjenovës dhe kryqëzimit midis A10 Genova – Ventimiglia dhe A7 Genova – Milano, janë shkaqet e radhëve.
Viadukti i ri i San Giorgio ndreq hendekun e një qyteti të plagosur nga shembja e urës së Morandi, e cila ndodhi në 14 gusht 2018 dhe shkaktoi 43 vdekje. ATS- EB
Zyrtarët në qytetin italian, Gjenova, janë duke inauguruar një urë të re, në vendin ku kishte ndodhur një incident tragjik dy vite më parë.
Si pasojë e rrëzimit të urës atje kishin vdekur 43 persona.
Ky rast pati vënë në pah neglizhencën që i është bërë infrastrukturës dhe koncesioneve të dyshimta në një prej vendeve më të pasura në botë.
Presidenti, Sergio Mattarella, ka qenë pjesë e ceremonisë së 3 gushtit.
Zyrtarët ishte planifikuar që të lexonin emrat e viktimave përgjatë ceremonisë, mirëpo familjarët e tyre kanë kundërshtuar duke thënë se një gjë e tillë rrezikon kthimin e tragjedisë në “karnaval’.
Ura do të hapet për qarkullim më 4 ose 5 gusht.
Ideatori i saj, Renzo Piano është i njohur për krijimet si Qendra Georges Pompidou në Paris dhe rrokaqielli, The Shard në Londër.
Ai e ka cilësuar strukturën e re si “fëmijë të lindur në tragjedi”.
Autostrade, kompania që udhëheq pothuajse gjysmën e rrjetit të austradave në Itali, është akuzuar për neglizhim të mirëmbajtjes dhe raporte të falsifikuara të sigurisë për urën e rrëzuar, Morandi.
Hetimet rreth rrëzimit të saj pritet të bëhen publike më vonë gjatë këtij viti.
Politikani finlandez, Kai Sauer, i cili është edhe nën-sekretar shteti për çështje të punëve të jashtme dhe politikave të Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka reaguar ndaj një grafike të realizuar nga mediumi më i madh finlandez “Helsingin Sanomat”, në të cilën Kosova paraqitet në hartë si pjesë e Serbisë.
Sauer ka falënderuar mediumin finlandez për hartimin e një tabele të tillë, megjithatë ka rikujtuar se Finlanda e ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe se shteti i Kosovës duhet të jetë në atë hartë.
Aq më shumë sipas tij, që situata pandemike në Kosovë është tepër e rënduar.
“Përgëzime për grafikun, por Kosova është shtet i pavarur i pranuar nga Finalda dhe duhet të paraqitet në hartë. Edhe më tepër kur situata me coronavirus në Kosovë është prej më të rënduarave në botë”, ka shkruar Sauer.
Në grafikun e që Sauer ka publikuar gjenden të dhënat për rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19. Në tabelë Kosova nuk është shfaqur fare, derisa në hartë është vendosur si pjesë e Serbisë./Express/
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka kundërshtuar kthimin e Rusisë në Grupin e Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7), pas presidenti amerikan, Donald Trump ka përmendur mundësinë e kthimit të Moskës në grupin e fuqive ekonomike.
“Arsyeja e dëbimit të Rusisë ka qenë aneksimi i Krimesë dhe intervenimi në lindje të Ukrainës”, ka thënë Maas në një intervistë që pritet të publikohet të hënën në dy gazeta gjermane, Rheinische Post dhe Bonner General-Anzeiger.
“Prandaj, për aq kohë sa nuk kemi zgjidhje atje, unë nuk shoh mundësi”, të ribashkimit të Rusisë në G7, ka thënë Maas.
Trump ka sugjeruar kthimin e Rusisë në G7 në muajin maj, kur ka bërë të ditura planet për shtyrje të datës së organizimit të këtij samiti në muajin shtator, për shkak të pandemisë me koronavirus.
Ai ka thënë se do të dëshironte të rriste listën e të ftuarve në këtë organizim, duke përfshirë në të Australinë, Rusinë, Korenë Jugore dhe Indinë.
Rusia ka qenë pjesë e këtij grupi, mirëpo është dëbuar pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014.
Maas ka thënë se marrëdhëniet me Rusinë tani janë vështirësuar “në shumë aspekte”.
“Vetë Rusia mund të kontribuojë më së shumti në hapjen e dyerve”, ka thënë Maas, kur është pyetur për kthimin e Moskës në grupin elitar.
Grupi i Shtatë Shteteve më të Industrializuara përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Japonia, Franca, Britania dhe Italia. rel