VOAL

VOAL

Airbus nënshkruan marrëveshje miliardëshe me ushtrinë gjermane për menaxhimin e satelitëve me prioritet mbrojtjen

Ushtria gjermane i ka dhënë kompanisë evropiane të hapësirës ajrore, Airbus, një kontratë me vlerë 2.1 miliardë euro për satelitët e komunikimit ushtarak të gjeneratës së ardhshme, SatcomBw 3.

Marrëveshja do të thotë që Airbus do të menaxhojë satelitët gjeostacionarë, infrastrukturën tokësore dhe lëshimet për 15 vitet e ardhshme.

Bëhet e ditur se satelitët gjeostacionarë janë anije kozmike që rrotullohen rreth Tokës me të njëjtën shpejtësi që rrotullohet Toka, që do të thotë se ata qëndrojnë në të njëjtin pozicion relativ.

Këto anije do të vendosen para fundit të dekadës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Në një kohë kur demokracitë perëndimore sfidohen dhe kur ekosistemi hapësinor institucional evropian po lufton, ne jemi të emocionuar dhe mirënjohës për të zhvilluar dhe ndërtuar këtë sistem të avancuar”, tha Michael Schoellhorn, shefi ekzekutiv i Airbus Defense and Space.

“Partneritetet afatgjata janë thelbësore për garantimin e sovranitetit dhe aftësisë thelbësore, dhe mbrojtjen e forcave tona të armatosura në mjedisin gjeo-politik gjithnjë e më të paqëndrueshëm”, shtoi ai.

Siç raportohet, kontrata e re forcon marrëdhëniet ekzistuese midis Airbus dhe ushtrisë gjermane, pasi të dyja palët janë angazhuar në një kontratë të ngjashme satelitore që nga viti 2009.

Gjenerata e ardhshme e satelitëve të Airbus bazohen në platformën Eurostar Neo dhe do të peshojnë rreth 6 tonë metrikë.

Sipas kompanisë, satelitët do të kenë “aftësi për të mbajtur ritmin me ndryshimet e shpejta në dixhitalizim” dhe “vëllimin e kërkuar të transferimit të të dhënave”.

Ndryshe, në prill, Ministri i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner, parashikoi se vendi mund të shihte 9 miliardë euro shtesë në shpenzime për mbrojtjen nga viti 2028, me kusht që Gjermania të mund të zvogëlojë borxhin e saj.

“Kjo do të na ndihmojë të arrijmë hapin drejt objektivit të NATO-s në buxhetin federal pas përfundimit të programit të posaçëm për ushtrinë”, tha Lindner.

Sipas parimeve të NATO-s, anëtarët duhet të synojnë të shpenzojnë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje.

Deri në vitin 2024, 23 aleatë pritet të përmbushin ose tejkalojnë këtë objektiv.

Gjermania thotë se i ka dërguar Ukrainës edhe një sistem Patriot

Gjermania tha më 5 korrik se në Ukrainë tashmë është dërguar edhe një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia.

“Sistemi tretë Patriot nga Gjermania tashmë ka arritur në Ukrainë”, tha ambasadori gjerman në Ukrainë, Martin Jaeger, përmes një postimi në X.

Në prill, Berlini kishte njoftuar se do t’i jepte Kievit këto lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ukraina po i bën thirrje mbështetësve të saj perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore, veçmas sisteme Patriot, të prodhimit amerikan. Ky sistem është i aftë të rrëzojë raketa hipersonike të Rusisë.

Më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Moska po vazhdon të sulmojë sistemin energjetik të Kievit, duke detyruar Ukrainën që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike.

Përveç sistemit Patriot, Berlini i ka dhënë Kievit edhe armë të tjera, duke nisur nga artileria e deri tek autoblindat. Pavarësisht se Gjermania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej miliarda eurosh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika muajve të fundit për shkak se nuk po lejon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të llojit, Taurus.

Gjermania ka shprehur frikën se këto raketa mund të përdoren për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë. REL

Ukraina rrëzon 21 dronë rusë

Një ushtar ukrainas ulet pranë sistemit për mbrojtje ajrore kundër dronëve në Herson, Ukrainë, 11 qershor 2024.

 

Ukraina i ka rrëzuar 21 prej 22 dronëve me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës, njoftoi Forca Ajrore të enjten.

Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan dronët mbi rajonet e Ukrainës veriore dhe qendrore, thuhet në njoftim.

Guvernatori i rajonit verior Çernihiv tha se njëri prej dronëve e goditi një ndërtesë në rajonin e tij, por nuk dha hollësi të tjera.

Megjithatë, ai njoftoi se mbi 5.000 konsumatorë në këtë rajon kanë mbetur pa furnizim me rrymë, për shkak të sulmeve ruse mbi infrastrukturën energjetike.

Guvernatori i Dnipropetrovskit tha se dy dronë u rrëzuat nga kundërajrorët ukrainas mbi rajonin e tij.

Rusia është duke i vazhduar sulmet me raketa dhe me dronë mbi rajone të ndryshme ukrainase.

Të mërkurën, së paku pesë persona u vranë dhe 34 të tjerë u plagosën nga një sulm i ushtrisë ruse me dronë dhe raketa në qytetin Dnjepër të Ukrainës.

Pas atij sulmi, Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, i cili i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë ajrore.

“Vetëm dy gjëra mund ta ndalin këtë terror rus: sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe armët me rreze të gjata veprimi”, shkroi Zelensky në X.

“Bota mund të mbrojë jetë, për këtë nevojitet vendosmëria e liderëve. Vendosmëria duhet ta bëjë përsëri normë mbrojtjen nga terrori”, shtoi ai.

Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta. REL

Orban arrin për vizitë në Kiev

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kiev, 2 korrik 2024.

 

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti për vizitë në Kiev, për herë të parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për “paqen evropiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë për arritjen e paqes, si dhe në çështjet aktuale në marrëdhëniet dypalëshe hungareze-ukrainase”, shkroi Kovacs në X.

Vizita e tij vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Orban është një kritik i ndihmave ushtarake të Perëndimit për Ukrainën.

Dhjetorin e kaluar, ai u largua nga një takim i liderëve të Bashkimit Evropian për të shmangur votimin kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE.

BE-ja, muajin e kaluar, i nisi këto bisedime me vendin në luftë.

Orban është, po ashtu, një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej se ai ka urdhëruar pushtimin e vendit fqinj.

Francë, partitë e majta dhe të qendrës thirrje për aleancë të përbashkët kundër të djathtës ekstreme

VOA/Lisa Bryant

PARIS – E djathta e skajshme në Francë kurrë nuk ka qenë më afër pushtetit pas fitores në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën të dielën.

Ky rezultat i jashtëzakonshëm mund t’i mundësojë marrjen e pushtetit të djathtës ekstreme si dhe një kryeministri që përfaqëson të njëjtën linjë përpara Lojërave Olimpike që mbahen në Paris, nëse ajo fiton shumicën e votave në raundin e dytë, që mbahet më 7 korrik.

Partitë e majta dhe të qendrës po bëjnë thirrje për një aleancë të përbashkët kundër ekstremizmit në njërin prej shteteve më të rëndësishme të Evropës.

Partia e djathtë Bashkimi Kombëtar dhe drejtuesja e saj Marine Le Pen po festojnë rezultatet e fundit. Ajo ka kaluar vite të tëra duke transformuar imazhin e partisë së saj me agjendë kundër emigracionit nga një lëvizje e dorës së dytë, me prirje raciste, në një alternativë të pranueshme politike.

Puna e saj duket se u shpërblye të dielën – Bashkimi Kombëtar mori një të tretën e votave, duke u radhitur shumë përpara partisë së qendrës së Presidentit Emmanuel Macron dhe aleatëve të saj, të cilët morën pak mbi 20 për qind të votave, duke u radhitur në vendin e tretë.

Aleanca e majtë, Fronti i Ri Popullor, u radhit e dyta, me rreth 28 për qind të votave të fituara.

Dalja në zgjedhje ishte më e larta ndër vite, shenjë për rëndësinë që këto zgjedhje të parakohshme parlamentare bartin për votuesit. Zgjedhjet u thirrën nga Presidenti Macron – tre vjet para afatit kohor – pasi rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që u mbajtën në qershor fuqizuan partitë e djathta.

Analistët thonë se zoti Macron vuri bast se partia e tij dhe planet e tij për reforma disi do të mbizotërojnë, pas një periudhe ngërçi në dhomën e ulët të Parlamentit të Francës.

Por platforma e së djathtës – e ashpër ndaj krimit dhe emigracionit të jashtëligjshëm dhe e përqendruar në shqetësimet e përditshme – po rezonon me votuesit.

Presidenti i Bashkimit Kombëtar Jordan Bardella – i cili mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Francës nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në parlament – u bëri thirrje votuesve të mbështesin kandidaturën e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jo të gjithë janë bindur. Në një qendër votimi në pjesën verilindore të Parisit, që konsiderohet bastion i të majtës, shumë votues janë të dëshpëruar nga mundësia e fitores së Bashkimit Kombëtar.

“Me qeverinë aktuale tashmë kishim disa politika të djathta, por gjërat vetëm sa do të përkeqësoheshin, sidomos e drejta për të protestuar, të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha tjerat,” thotë votuesi nga Parisi, Matthieu Maguet.

Votuesja Emmanuela Konan nuk tregon se për kënd ka votuar – por ajo thotë se një fitore e Bashkimit Kombëtar do të jetë e vështirë për vendin.

Votuesja Christine Pekar votoi për aleancën e Presidentit Macron.

“Mendoj se ai ka treguar guxim politik duke nxitur të gjitha reformat gjatë shtatë viteve të fundit,” thotë ajo.

Në Paris dhe në pjesët tjera të vendit, njerëzit protestuan kundër partive të djathta pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë.

Politikanët e majtë po bëjnë thirrje për një aleancë kundër ekstremizmit.

Të njëjtin apel po e bën edhe partia në pushtet në Francë – dhe kryeministri Gabriel Attal. Për t’u dhënë mundësi fitoreje partive kryesore, thotë ai, aleanca e tij do të tërhiqet nga raundi i dytë i zgjedhjeve në pjesët e vendit ku nuk qëndron mirë dhe nuk ka shanse të fitojë.

Por përçarjet ndërmjet zotit Macron dhe të majtës janë të thella. Dhe përkundër përpjekjeve për t’i ngushtuar ato, ekziston mundësia që Bashkimi Kombëtar do të tregohet i pandalshëm.

Ukraina liron mijëra të burgosur për të luftuar kundër Rusisë

VOA/Marrë nga Associated Press

Ukraina po lehtëson kushtet e mobilizimit për t’u përballur me mungesën e ushtarëve në fushëbetejë ndërsa shënohen më shumë se dy vjet që kur vendi po lufton kundër agresionit rus. Për herë të parë, autoritetet po kërkojnë rekrutë në mesin e të burgosurve.

Ndonëse Ukraina nuk ka dhënë shifra mbi numrin e ushtarëve në front, komandantët në vijën e parë të frontit pranojnë hapur se po përballen me mungesa të mëdha të luftëtarëve ndërkohë që Rusia vazhdon të përforcojë praninë e saj në pjesën lindore të Ukrainës dhe të përparojë gradualisht në frontin perëndimor.

Mbi 3,000 të burgosur janë liruar me kusht deri tani dhe janë caktuar pranë njësish ushtarake. Ky lloj rekrutimi u miratua nga parlamenti si pjesë e një ligji të diskutueshëm muajin e kaluar, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press zëvendësministrja ukrainase e drejtësisë, Olena Vysotska.

Rreth 27,000 të burgosur mund të plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në programin e ri, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë.

Të burgosurit janë shumë të motivuar sepse ata duan të kthehen në shtëpi si heronj dhe jo të kthehen në shtëpi nga burgu”, thotë zonja Vysotska.

Sipas këtij programi, të burgosurit mund të lirohen me kusht pasi të jenë intervistuar, t’i jenë nënshtruar një kontrolli mjekësor e pasi ndaj tyre të jetë kryer një proces shqyrtimi i dënimit. Ata që janë dënuar për përdhunime, dhunë seksuale, vrasje të dy apo më shumë personave apo kanë kryer krime që cenojnë sigurinë kombëtare të Ukrainës, nuk do të kualifikohen.

Zyrtarët ukrainas duan të veçojnë programin e tyre nga rekrutimi i të burgosurve siç bën Rusia, për të shërbyer në grupin famëkeq mercenar Wagner. Ata luftëtarë zakonisht dërgohen në betejat më të përgjakshme, sipas zyrtarëve, por programi ukrainas synon të integrojë të burgosurit në njësitet e rregullta ukrainase në vijën e frontit.

Popullata e burgjeve të Ukrainës numëron 42,000 të burgosur, sipas shifrave të Bashkimit Evropian, të ofruara nga qeveria ukrainase.

Ndonëse reformat së fundmi kanë ulur numrin e të burgosurve dhe përmirësuar kushtet në disa burgje, Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për të drejtat e njeriut, iu referua burimeve të qëndrueshme se autoritetet e burgjeve përdorin “trajtim denigrues dhe ndëshkim.”

Pas një procesi shqyrtimi, të burgosurit e liruar me kusht dërgohen në kampe trajnimi kur mësohen si të përdorin armët dhe iu nënshtrohen stërvitjeve themelore të luftimit.

Zgjedhjet në Francë, pjesëmarrja e votuesve më e larta prej 40 vitesh

Pjesëmarrja e votuesve në të gjithë Francën është rritur në nivelin më të lartë të gati katër dekadave pasi votuesit hodhën votat e tyre në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mund të çojnë në formimin e një qeverie të parë historike nga partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Ndërkohë që sondazhet sugjerojnë se mbështetja për Tubimin Kombëtar të së djathtës ekstreme, kundër emigrantëve (RN) të Le Pen është forcuar ditët e fundit, rezultati i zgjedhjeve me dy raunde, të thirrura tre javë më parë nga presidenti, Emmanuel Macron, pas humbjes dërrmuese të aleatët e tij në zgjedhjet parlamentare evropiane, mbetet shumë i pasigurt.

Me tre orë të mbetura deri në mbylljen e qendrave të votimit të dielën, pjesëmarrja e votuesve kishte arritur në 59.39% – një rritje prej gati 20 pikësh krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022, sipas Ministrisë së Brendshme. Pjesëmarrja vlerësohet të jetë më e larta që nga votimi legjislativ i vitit 1986, tha për Reuters drejtori i kërkimit për Ipsos France, Mathieu Gallard.

Pjesëmarrja e lartë ka të ngjarë të nënkuptojë se shumë më tepër kandidatë të vendit të tretë do të arrijnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, tha në mediat sociale Mujtaba Rahman, drejtor menaxhues i Eurasia Group për Evropën.

“Pse ka rëndësi kjo? Ai i lejon të Majtës dhe qendrës së Macron të bëjnë marrëveshje për të tërhequr (a) kandidatët e renditur më keq dhe për t’u lejuar të tjerëve një garë të lirë kundër kandidatit të së djathtës ekstreme në raundin 2″, shkruan ai.

Rezultati i këtyre aleancave taktike mund të vendosë nëse RN “i afrohet” shumicës në raundin e dytë, shtoi ai.bw

Franca voton sot në zgjedhjet e parakohshme

Franca voton sot në zgjedhjet parlamentare që mund të bëjë histori, me të djathtën ekstreme më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë në kohët moderne.

Tubimi Kombëtar (RN) i Marine Le Pen dhe Jordan Bardella janë shumë përpara në sondazhe – tre javë pas ditës që kur fituan zgjedhjet evropiane dhe presidenti Emmanuel Macron reagoi duke thirrur zgjedhjet e parakohshme.

Më shumë se 2.6 milionë njerëz nga 49 milionë votuesit e Francës janë regjistruar për të votuar me prokurë, një tregues i pjesëmarrjes së lartë që pritet për një zgjedhje kaq të rëndësishme.

Këto janë zgjedhje me dy raunde dhe shumica e 577 vendeve të Asamblesë Kombëtare nuk do të vendosen deri në balotazhin e raundit të dytë të dielën e ardhshme.

Jordan Bardella dëshiron të jetë kryeministri i parë i RN dhe partia e tij ka besim se do të fitojë dhjetëra zona elektorale plotësisht në raundin e parë.

Por ai thotë se do ta marrë këtë detyrë vetëm nëse partia siguron një shumicë absolute parlamentare prej 289 vendesh.

Ndërkohë ditët e Gabriel Attal si kryeministër duken të numëruara, edhe pse sondazhet sugjerojnë se ai mbetet politikani më popullor në Francë, raporton BBC.

“Epoka e Macron ka mbaruar”, deklaroi François Hollande përpara votimit. sn

Ministri ukrainas në Dubrovnik: Mund të ketë një luftë të re

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba tha në Dubrovnik të Kroacisë se nëse ka paqe pa drejtësi, do të ketë një luftë të re.

Kreu i diplomacisë ukrainase në Forumin e Dubrovnikut theksoi se “nuk ka alternativë për një paqe të drejtë”.

” Qëllimi nuk është vetëm ndalimi i luftës, por edhe krijimi i rrethanave në të cilat paqja do të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme dhe një luftë e re do të bëhet një opsion i paqëndrueshëm”. , domethënë “të krijohet një mjedis në të cilin agresioni i ri është i pamundur”, deklaroi ai.

Kuleba theksoi se kjo është e nevojshme “sepse të gjithë duhet të shohin se çfarë do të ndodhë me ta nëse nisin agresionin kundër një shteti sovran”.

Ai shprehu optimizëm për takimin e fundit të paqes në Zvicër, ku morën pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të vendeve dhe organizatave të ndryshme.

“Kur shohim kaq shumë vende të gatshme për të vepruar së bashku, kjo na jep besim se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme është e mundur,” tha ai në panelin e liderëve. “Çdo hap tjetër do të jetë më i vështirë se ai i mëparshmi, por nuk ka alternativë”, përfundoi ai. sn

Pritet të zëvendësojë Borrellin, Kaja Kallas e njeh mirë politikën europiane.

Krerët e BE vendosën të enjten në samitin e Brukselit për emrat e rinj drejtues në BE. Pasuese e Josep Borrell pritet të jetë kryeministrja estoneze, Kaja Kallas. 47 vjeçarja, Kaja Kallas e njeh mirë politikën europiane.

Gati në finish, pasi emrat e rinj që do duhet të drejtojnë BE duhet të miratohen edhe nga Parlamenti Europian. 27 krerët e BE vendosën të enjten me shumicë të emërojnë, Ursula von der Leyen për presidente të Komisionit Europian. Italia abstenoi, pas kishte pakënaqësi për emërimet. Antonio Costa emërua si drejtues i Këshillit të BE. Kurse kryeministrja estoneze, Kaja Kallas pritet të jetë e ngarkuara e re BE për politikën e Jashtme duke zëvendësuar kështu të ngarkuarin aktual, Josep Borrell. Krerët e BE vendosën të enjten për kandidaturën e saj në samitin e Brukselit. Megjithata Kallas ka ende disa pengesa që duhet të kalojë derisa të emërohet përfundimisht si kryediplomatja e BE. Kallas vetë është shprehur, se nëse flitet për postin e të ngarkuarës së politikës së jashtme, bëhet fjalë vetëm për një kandidaturë. Në një intervistë për radion publike estoneze, Kallas tha se, të enjten (fjala është për samitin e BE ku përcaktohen emrat e posteve të rëndësishme në BE, shën.red.) nuk është ende e vendosur, se kush do të jetë i ngarkuari i ardhshëm i BE për politikën e jashtme. Bëhet fjalë vetëm kush do të jetë kandidat.” Por ky është “nder i madh për mua dhe Estoninë.” Planet e Kallas ishin të të bëhej Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, por për disa në NATO ajo konsiderohej politikane me një gjuhë të ashpër. Në konfliktin e Lindjes së Mesme, megjithatë, ajo mban një linjë më të ekuilibruar se Borrell, i cili konsiderohet i afërt me palestinezët.

Familje me traditë politike47 vjeçarja, Kaja Kallas e njeh mirë politikën europiane dhe është një politikane shumë e kërkuar në samitet e BE. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kallas ka kërkuar që Ukraina të ndihmohet shpejt dhe me eficiencë. Kallas mban një qëndrim të hapur kundër presidentit rus, Putin dhe është në listën e personave të kërkuar nga Rusia. “Ai do që të kemi frikë, po me këtë ne do t’i jepnim atij atë që do të arrijë. Prandaj nuk duhet të kemi frikë”, është shprehur Kallas në një intervistë pwr radion estoneze.

Kallas konsiderohet në Estoni si “zonja e hekurt”, megjithëse ka pak të përbashkëta me ish-kryeministren britanike, Margaret Thatcher. Ajo vjen nga një familje me traditë politike. Në vitin 1991, pas pavarësimit të Estonisë nga Rusia, babai i saj, Siim Kallas u bë ministër i Jashtëm dhe Financash. Ishte Siim Kallas që negocioi anëtarësimin e Estonisë në BE dhe NATO, si kryeministër estonez në vitet 2002-2003. Siim Kallas ka qenë edhe komisioner i BE për valutën e çështje ekonomike.

Kallas para politikës ka bërë karrierë si avokate. Me angazhimin në politikë, Kallas u bë eurodeputete dhe më pas kryeministrja e parë estoneze, vendin që ka një kufi direkt me Rusinë, ku jeton një minoritet i madh rus. Maja Kallas me qëndrimin e saj miqësor por të vendosur, ka bërë që Estonia të ketë peshë në BE.

Popullariteti i Kallas në rënie në Estoni

Media gjermane, “tagesschau” analizon kalimin e Kallas nga politika kombëtare në atë të BE, duke u shprehur se ky hap mund të ketë edhe arsye të brendshme politike. Popullariteti politik i Kallas ka vuajtur shumë pas masave të forta të kursimit të marra nga qeveria e saj. Në zgjedhjet europiane, partia e e reformave e Kallas u rendit e treta me rreth 17, 9%.

BE-ja nuk ka vërtet një ministër të jashtëm, sepse diplomacia konsiderohet si një detyrë kryesisht kombëtare. Në vend të kësaj, për rreth 15 vjet, BE ka një “Përfaqësues të Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë”, që drejton Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme (EEAS) me rreth 4,500 punonjës dhe është gjithashtu pjesë e Komisionit të BE-së./DW

Parlamenti i Spanjës nuk mbështet iniciativën për njohjen e Kosovës, ja sa deputetë votuan kundër

Parlamenti i Spanjës me shumicë dërmuese të votave ka votuar kundër iniciativës së partisë katalunase “Junts” për t’i kërkuar Qeverisë spanjolle njohjen e shtetit të Kosovës.

Në videon e publikuar nga Parlamenti i Spanjës bëhet e ditur se 293 deputetë kanë votuar kundër, 25 në favor dhe 27 deputetë kanë abstenuar. sn

Borrell: Kurti paraqiti tri kushte për angazhim në procesin e normalizimit

Radio Evropa e Lirë

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, përheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Paraprakisht, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.

Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiq kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

Paraprakisht, Vuçiq përmes një postimi në Instagram deklaroi se në takim ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.

Pavarësisht se BE-ja kishte paralajmëruar se pas takimeve dypalëshe do të mbahej edhe një takim trepalësh, ai nuk ndodhi.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Ndërmjetësit evropianë gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Bruksel, 26 qershor 2024.

Ndërmjetësit evropianë gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Bruksel, 26 qershor 2024.

Në një deklaratë për media, para nisjes së takimeve, Borrell tha se takimet paraprake të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutohet për hapat drejt zbatimit të marrëveshjes.

“Fatkeqësisht, zbatimi i marrëveshjes [për normalizimin e raporteve] ende nuk ka nisur. Dhe shpresojmë që sot ne definitivisht të bisedojmë se si të sigurohemi që ne përfundimisht të lëvizim përpara me këtë marrëveshje. Lidhur me këtë, do të diskutojmë për hapat e radhës dhe është e qartë se ajo për të cilat palët janë pajtuar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve, por veprimet duhet të vijnë pas marrëveshjeve. Zbatimi është fjala kyçe”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiqit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.

“Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell.

Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, tha Borrell.

Ndërkaq, para takimeve në Bruksel Vuçiq tha se nuk pret asnjë rezultat nga takimi me Kurtin.

“Nuk pres asgjë. Pres që [Kurti] të dramatizojë dhe të bërtasë pak, derisa t’i them që të ndalet. Do ta dëgjoj me kujdes Borrellin dhe Lajçakun, nuk kam asgjë kundër tyre, ata punojnë në rrethana të vështira. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. Nuk pres konkluzione të mëdha”, tha Vuçiq për gazetarët.

Takimi i parë i Kurtit dhe Vuçiqitkëtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

Kryediplomati evropian pritet të flasë për media pas takimit trepalësh.

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.

Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.

“Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak një ditë përpara takimit.

Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell.

 

Në Bashkimin Evropian nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ai.

Gjithçka që BE-ja pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiqit, sepse presidenti i Serbisë ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes, e cila i referohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon ta shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

Por, një prej arsyeve pse Kosova dhe Serbia duhet të jenë të kujdesshme në procesin e dialogut është edhe kushtëzimi i pagesave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në dialog.

Për Kosovën dhe Serbinë angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është një parakusht specifik. Dhe në mungesë të këtij angazhimi mund të pezullohen edhe pagesat nga kjo paketë ambicioze e BE-së. Prandaj ky pritet të jetë edhe një motiv shtesë që palët në dialog të jenë më konstruktive në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Vuçiq do të ketë takim edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Nuk ka njoftime për takime tjera të kryeministrit Kurti në Bruksel, përveç atyre në kuadër të dialogut.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar.

Në atë takim është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, por ai ka rezultuar i pasuksesshëm dhe ka përfunduar me akuzat e Kurtit se Lajçak “nuk është neutral”.

Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë – fshat në veri të Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic.

Në përleshjet e armatosura që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në fund të tetorit ka pasur edhe një përpjekje të pasuksesshme për t’i afruar palët, kur janë bashkuar edhe liderët kryesorë evropianë: kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Kurti dhe Vuçiq kanë pasur takime të ndara me udhëheqësit evropianë, por dakordimi nuk ka qenë i mundur.

Kurti ka këmbëngulur në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiq ka refuzuar.

Ministrja e Jashtme e Kosovës: I mbetet Këshillit të Ministrave të na ftojë për t’u anëtarësuar në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla,  është takuar në Strasburg me kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbër në KiE, Frank Schwabe.
Në këtë takim është folur për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe vazhdimin e bashkëpunimit në rrugën e integrimit të Kosovës.

“Anëtarësimi i plotë dhe pa vonesa i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vazhdimi i bashkëpunimit të shkëlqyer në rrugën e integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar, ishin në fokus të takimit mes Zëvendëskryeministres, Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe deputetit gjerman, kryesuesit të Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbër, Frank Schwabe. Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje të thellë edhe për rolin personal të Frank Schwabe për arritjen e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke theksuar se ndihma e tij ka qenë thelbësore për arritjen e një shumicë bindëse të votave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.”

Gërvalla ka thënë se i mbetet Këshillit të Ministrave të marrë sa më shpejtë vendimin për zbatimin e rekomandimit të AP të KiE dhe ta ftojë Kosovën të anëtarësohet në këtë organizatë.

“I mbetet Këshillit të Ministrave të marrë sa më shpejtë vendimim për zbatimin e rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të ftojë Republikën e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndër më të rëndësishmet në Evropë.” sn

Diskutimi për njohjen e Kosovës në Parlamentin spanjoll, deputeti katalanas ngul këmbë: Është shtet legal dhe demokratik, tregoni pjekuri!

Eduard Pujol Bonell, deputeti i partisë katalanase Junts, i cili e prezantoi pikën për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Spanjës, para deputetëve ka deklaruar se duhet të tregohet pjekuri në këtë aspekt.

Ai theksoi para deputetëve spanjollë se Kosova duhet të njihet, sepse është shtet demokratik dhe sovran.

“Junts propozon që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Por ne po pyesim edhe se kush prej ju është pro njohjes së Kosovës. Ne kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet demokratike tuajat”, tha ai.

Bonell ka thënë se “shteti i spanjoll duhet ta njohë Kosovën, sepse Kosova është shtet legal dhe demokratik që e shpalli pavarësinë e vet. Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?” – vijoi ai.

Ndërsa, deputetja socialiste nga partia e kryeministrit Sanchez, Obdulia Tbaoadela Alvarez, ka thënë se pozicioni i Qeverisë së Spanjës sa i përket pavarësisë së Kosovës është i njohur dhe s’ka ndryshuar.

“Pozicioni është publik dhe i njohur. Spanja mban pozicionin e saj mosnjohjes për Kosovën”, tha ajo.

Ajo shtoi se ndonëse vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, Spanja angazhohet për një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Luksemburg, BE hap zyrtarisht negociatat me Ukrainën, Moldavinë

VO/Marrë nga Reuters dhe AP

Bashkimi Evropian do të hapë zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë me mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare me ministrat evropianë në Luksemburg. Presidenti Volodymyr Zelenskyy e ka cilësuar vendimin një ëndërr të realizuar për qytetarët e shtetit që ka më shumë se dy vjet që është në luftë me Rusinë. Anëtarësimi i këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian megjithatë pritet të jetë një proces që do të zgjasë me vite. Vendet kandidate duhet t’i përafrojnë ligjet dhe standardet e tyre në përputhje me ato të BE-së në 35 fusha, nga peshkimi te taksat dhe siguria.

Zëvendëskryeministrja për integrimin evropian, Olga Stefanishyna do të udhëheqë delegacionin e Ukrainës në konferencën që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve me vendet e bllokut 27-vendesh.

Pas përfundimit të konferencës me Ukrainën, BE do të mbajë konferencën ndërqeveritare me Moldavinë, e cila aplikoi për t’u bashkuar me BE-në pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Moldavisë iu dha statusi i kandidatit katër muaj më vonë.

“Kjo është një ditë historike. Ky është vetëm hapi i parë drejt një Evrope të zgjeruar dhe të bashkuar”, tha ministrja suedeze për Çështjet Evropiane Jessika Roswall.

Kremlini tha javën e kaluar se anëtarësimi i mundshëm i Moldavisë në Bashkimin Evropian ishte një çështje e brendshme e ish-republikës sovjetike, por zëdhënësi Dmitry Peskov tha se kishte shumë moldavë që gjithashtu dëshironin të shihnin lidhje të ngushta me Rusinë.

Konferencat ndërqeveritare të së martës janë hapi zyrtar i nisjes së bisedimeve, por negociatat nuk kanë gjasa të fillojnë edhe për disa muaj.

Vendet kandidate duhet t’i përafrojnë ligjet dhe standardet e tyre në përputhje me ato të BE-së në 35 fusha, që njihen si kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit, duke filluar nga lëvizja e lirë e mallrave, taksat, energjia dhe mjedisi, deri te të drejtat dhe siguria.

“Ne po hapim negociatat. Ky është fillimi i një rruge që do të kërkojë përpjekje dhe reforma. Ne kemi parë se si Ukraina dhe Moldavia kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme në rrethana shumë të vështira në muajt e fundit”, tha Fernando Marcos Sekretar i Shtetit spanjoll për Çështjet Evropiane.

Ukraina dhe Moldavia janë në kufi me anëtarët e BE-së, Poloninë, Sllovakinë, Rumaninë dhe Hungarinë.

Vendimet për hapjen apo mbylljen e negociatave për secilin nga 35 kapitujt merren me marrëveshje unanime nga të 27 vendet anëtare. Kjo ofron mundësinë për vendet anëtare të BE-së për të këmbëngulur për të bërë më shumë punë ose për të vonuar procedurat.

Hungaria, e cila merr presidencën e rradhës të BE-së nga Belgjika në muajin korrik, shpesh ka bërë përpjekje për të frenuar mbështetjen e BE-së dhe NATO-s për Ukrainën.

“Negociatat e anëtarësimit nuk kanë filluar ende. Jemi ende në fillim të procesit. Është shumë e vështirë të thuhet se në çfarë faze është Ukraina. Nga sa shoh tani, ata janë shumë larg përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, tha ministri hungarez për BE-në, Janosh Boka.

Ukraina, nëse do të anëtarësohej, do ta tejkalonte Francën për t’u bërë anëtari më i madh i bllokut.

Si prodhues kryesor i drithërave, anëtarësimi i Ukrainës do të kishte një ndikim të madh në politikat bujqësore të bllokut evropian.

Së bashku me Moldavinë, Ukraina i bashkohet një liste të gjatë shtetesh që shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, së bashku me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë.

“Të hënën kam takuar disa përfaqësues nga Ballkani Perëndimor. Nuk do t’i lëmë pas. Ata gjithashtu kanë bërë përpjekje të forta. Unë mendoj se sinjali i sotëm është shumë i rëndësishëm, është fillimi i një gjëje shumë pozitive”, tha Sekretari i Shtetit spanjoll për Çështjet Evropiane, Fernando Marcos.

Ukraina shpreson të anëtarësohet në vitin 2030, por paraprakisht duhet të përfundojë dhjetëra reforma institucionale dhe ligjore. Kjo përpjekje duhet të udhëhiqet nga hapat për të luftuar korrupsionin dhe përfshin reforma të thella në administratën publike dhe gjyqësorin.

Rusia bëri shumë shkelje të të drejtave të njeriut në Krime, thotë gjykata evropiane

Selia e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg të Francës.

 

Rusia ka bërë shumë shkelje të të drejtave të njeriut në Gadishullin e Krimesë prej se e aneksoi atë në vitin 2014, tha të martën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR).

Në vendim e saj, gjykata tha se shkeljet përfshijnë trajtim çnjerëzor apo degradues, shkelje të së drejtës për të jetuar, shkelje të lirisë fetare dhe lirisë së shprehjes.

Rasti u ngrit në ECHR nga Ukraina, e cila e akuzoi Rusinë edhe për përndjekjen e ukrainasve për shkak të qëndrimeve të tyre politike apo veprimtarisë së tyre në favor të Kievit, të cilat ndodhën kryesisht në Krime, por edhe në pjesë të tjera të Ukrainës apo në Rusi.

Rusia i ka mohuar në të kaluarën akuzat se ka shkelur të drejtat e njeriut dhe se ka shtypur kundërshtarët politikë në gadishullin e aneksuar.

“Gjykata vendosi njerëzi… se Rusia duhet të ndërmarrë masa sa më parë për kthimin e sigurt të të burgosurve relevantë të transferuar nga Krimea në burgjet e territorit të Federatës Ruse”, thuhet në vendim.

Gjykata në Strasburg ka thënë më parë se rasti nuk ka lidhje me atë se a ishte i ligjshëm apo jo aneksimi i Krimesë sipas ligjit ndërkombëtar, por e mori parasysh praninë e madhe të ushtrisë ruse në Krime në periudhën janar-mars 2014 pa pëlqimin paraprak të Ukrainës. REL

A do e njohë Spanja pavarësinë e Kosovës? Ja kur votohet nisma në Parlament

Parlamenti spanjoll voton të martën nismën e grupit të deputetëve katalanas, Junts per Katalunia, e cila i kërkon qeverisë se Madridit njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ligjvënësit katalanas radhisin në propozimin e tyre, fakte e argumente në mbrojtje të njohjes, përfshirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit pavarësia e Kosovës nuk përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Eman Rramani, deputet i shumicës qeverisëse ne Kosove vlerëson se një hap i tillë është shumë i rëndësishëm, pas njohjes së pasaportës dhe dokumenteve të tjera nga Spanja.

“Diplomacia dhe të gjitha institucionet, kuvendi, qeveria, presidenca duhet të vazhdojnë lobimin, që kjo nismë të konkretizohët, me një rezultat pozitivë me njohje, pasi e kemi shumë të rëndësishme nga Spanja, për vet rëndësinë që ka ky shtet”, tha ai.

Nisma, e cila do të debatohet të martën, argumenton se Kosova është një shtet ligjor dhe demokratik, me 1.7 milion banorë, i cili njihet si i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së. sn

Borrell thotë se miqësia me Putinin dhe anëtarësimi në BE nuk shkojnë së bashku

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi se ambiciet për anëtarësim në bllok dhe raportet e ngushta me Moskën nuk shkojnë së bashku.

“Harmonizimi me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe atë të sigurisë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen një zgjerim i zgjedhjes së tyre strategjike dhe përkushtim për anëtarësim. Mbajtja e raporteve të ngushta me regjimin e [presidentit rus, Vladimir] Putinit nuk është në përputhje me ndërtimin e të ardhmes së përbashkët me dhe brenda BE-së”, tha shefi i diplomacisë evropiane pas përfundimit të takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së që u mbajt në Luksemburg.

Si pjesë e takimit ministror, krerët e diplomacisë evropiane zhvilluan një drekë pune me homologët e tyre nga Ballkanit Perëndimor. Përshtatja me politikën e jashtme evropiane përfshin edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe kjo ishte ndër temat kyçe të diskutimeve gjatë kësaj dreke pune.

Sipas Borrellit, BE-ja është e gatshme që gradualisht të thellojë integrimin dhe të zgjerojë mbështetjen për partnerët nga Ballkani Perëndimor. Por, ai tha se Brukseli pret që këto shtetet qëndrojnë së bashku me evropianët në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe veçmas për çështjen e Ukrainës dhe masave të ndërmarra për të kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë harmonizuar vendimet me BE-në sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Që nga nisja e pushtimit më 2022, BE-ja ka vendosur 14 runde sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

Në këtë takim, Kosova u përfaqësua nga kryediplomatja Donika Gërvalla. Ajo kërkoi integrimin e mëtejmë të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Në kohën kur në Evropë po përballemi me agresionin rus kundër Ukrainës, një Bashkim Evropian më i fortë është një përgjigje më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të së sotmes dhe të së ardhmes”, tha ajo.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, la të kuptohet se vendi i tij do të harmonizojë politikën e jashtme kur të anëtarësohet në BE.

“Ne biseduam [për sanksionet]. Serbia sigurisht do të ketë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë kur të anëtarësohet në BE dhe do të jetë në pozitë të ndikojë në politikën e përbashkët të jashtme dhe atë të sigurisë”, tha ai.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së, pasi shteti ende nuk ka as statusin e vendit kandidat. REL

Ukraina lëshon raketa amerikane në Krime, Rusia zotohet për kundërpërgjigje ndaj SHBA-ve

Një memorial i improvizuar për viktimat e sulmit në Sevastopol, Krime, 24 qershor 2024. Në pankartë shkruhet: “Sevastopoli mban zi. Nuk ka mëshirë për Shtetet e Bashkuara dhe Zelenskyyn!”

 

VOA

Rusia u zotua se do të marrë masa në shenjë hakmarrjeje ndaj Shteteve të Bashkuara, kur thirri në ministrinë e Jashtme të hënën ambasadoren amerikane në Rusi Lynne Tracy dhe bëri përgjegjëse Shtetet e Bashkuara për sulmet në Krimenë e ankesuar nga Rusia.

Rusa pretendon se sulmi u krye me raketa të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara.

“Patjetër që do të merren masa në shenjë hakmarrjeje”, tha ministria e Jashtme e Rusisë. Ministria nuk dha më shumë hollësi.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara, që kanë furnizuar Ukrainën me raketat taktike ATACMS janë përgjegjëse për sulmin ndaj civilëve.

Sipas autoriteteve, raketat ATACMS u përdorën në sulmin që la të vrarë 4 persona dhe plagosi 150 të tjerë.

John Bass, nënsekretar në detyrë për çështjet të politikës së jashtme pranë Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se nuk ishte në dijeni të bilancit të viktimave si pasojë e sulmit, por tha se ka një dallim të thellë mbi mënyrën se si Ukraina dhe Rusia kryejnë sulmet e tyre.

Ai tha se ështët e nevojshme që Ukraina të marrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve ndërsa sulmet e Rusisë kanë qenë që në fillim tejet të ashpra.

Javën e kaluar, Uashingtoni i hapi udhë Ukrainës që të përdorë raketat me rreze më të gjatë të furnizuara nga SHBA-të brenda Rusisë, por vetëm për vetëmbrojtje. Vendet perëndimore kanë hezituar të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre në Rusi, sepse nuk duan të provokojnë Rusinë dhe të përshkallëzojnë konfliktin.

Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, një akt që shumica e botës e ka kundërshtuar. Rusia, megjithatë, vazhdon ta konsiderojë Krimenë pjesë të Rusisë.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas njoftuan mbi një sulm të Rusisë me raketa ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, nga i cili u plagosën tre persona.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të hënën se forcat e saj shkatërruan katër dronë ukrainas mbi rajonin e Rostovit.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencia Reuters

Nesër ‘Junts’ e çon në Kuvend nismën për njohje të pavarësisë së Kosovës nga Spanja

Nesër “Junts” e çon në Kuvend nismën për njohje të pavarësisë së Kosovës nga Spanja

Grupi i deputetëve katalunas “Junts” i kanë propozuar Parlamentit të Spanjës një nismë përmes të cilës do t’i kërkojnë qeverisë së Spanjës njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nisma e tyre do të hidhet në votim më datën 25 qershor. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express shefi i stafit të Carles Puidgemont, Josep Alay.

“Votimi do të ndodh të martën e ardhshme, pra 25 qershor”, ka thënë Alay për Gazetën Express.

Partia katalunase “Junts per Catalunya” e cila është e përfaqësuar në Parlamentin e Spanjës më 5 qershor e kanë dërguar një propozim parlamentar në Parlamentin e Spanjës ku i kërkojnë Qeverisë së Spanjës që ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.

Nisma, e cila do të debatohet të martën e ardhshme, argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

Duke iu përgjigjur arsyetimeve të pesë shteteve të BE-së që s’e njohin ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe Spanja, “Junts” ka kujtuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë si e tillë.

“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.

Sipas mendimit të kësaj partie, “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, veçanërisht kur, sipas nismës, në të cilën “Europa Press” kishte qasje, “Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën” dhe që nga janari i kaluar “Qeveria është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova i është bashkuar regjimit të përjashtimit për vizën për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.

Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikën e Kosovës”.

Në këtë kuptim, teksti i paraqitur thjesht propozon që Kongresi duhet të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.

Fshati rumun është gati të bëhet baza ajrore më e madhe e NATO-s në Evropë

Baza ajrore Mihai Kogalniceanu (MK) e Rumanisë, e quajtur sipas një fshati aty pranë që nderon një politikan liberal të shekullit të 19-të, do të bëhet baza më e madhe e NATO-s në Evropë, duke tejkaluar Ramstein në Gjermani.

Ky veprim vjen si një përgjigje ndaj justifikimit të liderit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, duke përmendur shkeljen e NATO-s në krahun evropian të Rusisë. Rritja e pranisë së NATO-s në Rumani është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në shkallë të gjerë, tashmë në vitin e saj të tretë.

Baza MK së shpejti do të presë një skuadron të F-16 rumune, të blera së fundmi nga Norvegjia, si dhe dronët MQ-9 Reaper. Përveç kësaj, një qytet ushtarak është duke u zhvilluar për të akomoduar ushtrinë e NATO-s, forcat ajrore dhe personelin e rradhës detare nga 32 vende, sipas BBC.

BBC intervistoi pilotin e RAF, toger Charlie Tagg, i cili është në turneun e tij të tretë dhe të fundit të detyrës në bazën MK. “Ka një prani shumë më të madhe të SHBA-së këtu, më shumë infrastrukturë, strehim, njerëz dhe pajisje,” vuri në dukje ai.

Sipas Tagg, pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar si zonat mbi të cilat ai fluturon ashtu edhe pozicionin strategjik të misionit. Gjatë turneut të tij të fundit në 2021, pilotët luftarakë të NATO-s fluturuan larg mbi ujërat ndërkombëtare në Detin e Zi. Megjithatë, tani ata qëndrojnë në zonën 12 milje detare mbi ujërat territoriale rumune dhe bullgare “për të shmangur keqkuptimet, situatat përshkallëzuese me rusët”. sn

Rumania i dërgon Ukrainës kundërajror Patriot

Anëtarja e NATO-s, Rumania, njoftoi të enjten se do t’ia dërgojë Ukrainës një kundërajror Patriot, pas kërkesës së Kievit për ndihmë në luftën e tij kundër forcave pushtuese të Rusisë.

“Duke e marrë parasysh përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në Ukrainë… anëtarët e këshillit vendosën t’ia dhurojnë Ukrainës një sistem Patriot, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”, tha Këshilli Suprem për Mbrojtje Kombëtare i Rumanisë.

Donacioni u bë “me kusht që vendi ynë vazhdon bisedimet me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për pranimin e një sistemi të ngjashëm apo barasvlershëm” për ta mbrojtur hapësirën tonë ajrore, thuhet në njoftim.

Derisa Kievi po bën thirrje për më shumë kundërajrorë Patriotë, vendet e NATO-s kanë ngurruar t’ia japin të tillë, pasi duan ta mbrojnë hapësirën e vet ajrore.

Së voni, Gjermania njoftoi se do t’ia dërgojë Ukrainës kundërajrorin e tretë Patriot, derisa Shtetet e Bashkuara pritet t’ia dhurojnë një bateri të dytë Kievit, sipas mediave amerikane.

Rumania e nënshkroi një marrëveshje në vlerë 4 miliardë dollarë për shtatë bateri Patriote me SHBA-në më 2017, që është marrëveshja më e madhe për mbrojtjen në historinë e saj.

Dy prej katër kundërajrorëve që i ka marrë deri tani, janë plotësisht funksionalë.

Rumania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, por nuk ka pranuar të tregojë shkallën e mbështetjes, për shkaqe sigurie.

Ajo është zotuar edhe t’i stërvitë pilotët ukrainas për përdorimin e avionëve luftarakë F-16, në një qendër rajonale të përuruar në nëntor 2023. REL

Weber zgjidhet President i Grupit të PPE në Parlamentin Europian

Gjermani Manfred Weber u zgjodh president i Grupit Popullor në Parlamentin Evropian. Eksponenti i Unionit Kristian Social (CSU), partneri bavarez i CDU-së së Angela Merkelit (partia e udhëhequr tani nga Friedrich Merz), do të jetë lideri i EPP-së në dhomë për herë të katërt.

Zgjedhja e Salinit
Dhe mes deputetëve të tij u zgjodh edhe italiani Massimiliano Salini i Forza Italia, i sapo rizgjedhur për herë të tretë në Asamblenë Komunitare, pasi mori 37 mijë vota në zonën veriperëndimore.

51-vjeçari Salini ishte president i provincës së Kremonës nga viti 2009 deri në vitin 2014, kur u zgjodh për herë të parë në Parlamentin Evropian. Në legjislaturën në largim ishte anëtar i Komisionit të Transportit, çështje të cilën e trajtoi me vëmendje të veçantë dhe nënkryetar i delegacionit për marrëdhëniet me Iranin.

Nënkryetarët e tjerë
Në total do të jenë 10 nënkryetarë të PPE. Deputetët e tjerë të zgjedhur janë: francezi François-Xavier Bellamy i Les Républicains, polaku Andrzej Halicki i Piattaforma Civica (Po), Jeroen Lenaers i Apelit Kristian Demokrat (Cda), Dolors Montserrato e Partido Popular, rumuni Siegfried Mureşan i Partisë Nacional Liberale (Pnl), portugezja Lidia Pereira e Partisë Social Demokrate, suedezi Tomas Tobé i Partisë së Moderuar, sllovenia Romana Tomc e Partisë Demokratike Sllovenedhe kroatja Zeljana Zovko e Bashkimit Demokratik Kroat (Hdz). bw

Në Turqi rritet ndjenja anti-arabe

 

Ksenofobia është në rritje jo vetëm në Evropë. Në Turqi, për shembull, ndjenja anti-arabe po rritet. Fenomeni ka rrënjë historike, të lidhura me revoltat, të animuara nga Faysal I, mbreti i Irakut, kundër perandorisë osmane, midis viteve 1916 dhe 1918; në botën bashkëkohore, ajo është ripërtëritëse.

 

VOAL- Nga njëra anë, për shkak të numrit të madh të refugjatëve sirianë (4 milionë) që mbërritën pas luftës civile në Siri që nga viti 2011, nga ana tjetër për shkak të një neverie të përhapur ndaj qytetarëve arabë të klasës së mesme të lartë, të cilët, për lehtësinë e aksesi, afërsia kulturore me botën konservatore dhe fetare turke, si dhe mundësitë për investime, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, po vërshojnë gjithnjë e më shumë, duke favorizuar Stambollin dhe vendet e tjera turistike në bregdetin e Egjeut.

Shoqëria civile turke, e polarizuar mes laikëve dhe konservatorëve, është gjithashtu e ndarë për këtë çështje; ndërsa të parët kundërshtojnë si refugjatët ashtu edhe arabët e pasur, të dytët janë në favor të hyrjes së kapitalit të huaj dhe, për rrjedhojë, tolerantë ndaj atyre me të cilët mund të bëjnë biznes. Edhe në planin politik, pas një krize një dekade, qeveria turke ka ndrequr marrëdhënie të rëndësishme tregtare me vendet e Gjirit Persik. Përballë një Evrope të sëmurë, e cila, e pushtuar nga frika, mbyll kufijtë e saj, Turqia e kthen shikimin drejt Mekës, jo vetëm për t’iu përgjigjur thirrjes së besimit, por edhe për të tërhequr paratë e nevojshme për të frenuar krizën e rëndë ekonomike që e ka përfshirë. RSI

Gërvalla: Punojmë për një takim të Komitetit të Ministrave të KiE-së, më 25 qershor do të jem në Strasburg

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka njoftuar se po punohet në drejtim të një takimi të jashtëzakonshëm të Këshillit të Ministrave të KiE-së.

Gërvalla ka thënë se për këtë çështje, ajo edhe do të udhëtoj më 25 qershor për në Strasburg ku do të zhvillojë takime me struktura të këtij këshilli.

“Po punojmë që të ndodhë një takim i tillë. Me datë 25 qershor do të jem përsëri në Strasburg ku do të kem takime të ndryshme me struktura udhëheqëse të Këshillit të Evropës. Ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë që të ndodhë një takim i tillë i jashtëzakonshëm, duke shpresuar që pasi të ketë kaluar faza e zgjedhjeve, nominimi i personave të ri përgjegjës të në BE dhe të kemi një fazë më të mirë për të ecur përpara.

Ajo ka dhënë detaje edhe për marrëveshjen ndërqeveritare me Izraelin lidhur me udhëtimin pa viza.

Ndërsa, Gërvalla ka bërë me dije se shumë shpejt vizat për Kosovën do të hiqen edhe nga Tajlanda.

“Qytetarët e Republikës do të mund të lëvizin pa viza në shtetin e Izraelit, duke filluar nga mesi i shtatorit tyë këtij viti. Pasaportës së Republikë së Kosovës i është rritur vlera jashtëzakonisht shumë. Shumë shpejt do të dal deklarata publike që hiqen vizat edhe me Tajlandën”, shtoi ajo.

Gërvalla po ashtu ka theksuar se po punohet që të arrihet njohja nga shtetet mosnjohëse të BE-së. /Teve1

Borrell rekomandon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet se:

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.

Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve të evitojë veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit, sipas burimeve diplomatike në BE.

Në këtë raport, Borrell ka përmendur në mënyrë specifike kërkesat që i ishin bërë Kosovës vitin e kaluar, të cilat lidhen me veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – si dhe me ushtrimin e funksioneve nga ana e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri.

Në raport, Borrell ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja.

Për raportin e Borrellit pritet të diskutohet në takimin e 19 qershorit të Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.

Borrell ua dorëzoi raportin e tij shteteve anëtare më 18 qershor. Zyrtarë të BE-së kishin diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrellit.

Raporti i Borrellit ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë për shkak të veprimeve të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore postare të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera janë suspendimi i programit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa. REL

Gjermania: Rusia po blen spiunë si kompensim për diplomatët e dëbuar

Shefi i Zyrës Federale për Mbrojtje të Kushteutës në Gjermani, Thomas Haldenwang.

 

Rusia është duke kryer shantazhe dhe po negocion shuma të mëdha parash për të angazhuar gjermanë për të spiunuar për të, pas goditjes që u është bërë shërbimeve të saj të inteligjencës, si pasojë e dëbimit të rreth 600 diplomatëve rusë në Evropë, kanë thënë shërbimet gjermane të sigurisë.

Zyra Federale për Mbrojtje të Kushtetutës në Gjermani, ka thënë se shërbimet ruse të inteligjencës janë duke shpenzuar shumë të mëdha parash për të rekrutuar agjentë në Gjermani, pavarësisht tentimeve të Perëndimit për t’i kufizuar operacionet e tyre, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

“Rusia është duke punuar shumë për të kompensuar zvogëlimin e numrit të agjentëve rusë në Gjemani”, ka thënë shefi i Zyrës Federale për Mbrojtje të Kushteutës, Thomas Haldenwang.

Dy shtetasit gjermanë, të cilët janë akuzuar gushtin e vitit të kaluar për tradhti të lartë, pasi kanë spiunuar për Rusinë, janë paguar secili rreth 400.000 euro për shërbimet e tyre, ka thënë Haldenwang.

“Këto shuma për agjentët tregojnë se shërbimet ruse vazhdojnë të kenë burime të jashtëzakonshme të të hyrave, përmes së cilave i përmbushin synimet e inteligjencës”, është thënë në raport.

Sipas autoriteteve, personat që kanë qenë më së shumti në rrezik të shënjestrimit prej shërbimeve ruse të sigurisë kanë qenë gjermanët që kanë jetuar në Rusi, ose kanë udhëtuar shpesh atje, përfshirë diplomatët gjermanë, të cilët do të mund të ishin pre e lehtë e tentimeve për shantazh.

“Në momentin që ekziston informacion komprometues për shënjestrat e tyre, shërbimet nuk turpërohen që të përdorin teknika agresive të rekrutimit”, kanë thënë autoritetet gjermane.

Më herët gjatë këtij muaji, NATO-ja i ka ripërsëritur shqetësimet për spiunazhin rus dhe ka bërë thirrje për masa më të ashpra ndaj atyre që i ka konsideruar aktivitete armiqësore, përfshirë aktet e sabotazhit dhe sulmet kibernetike.

Gjermania është njëra prej 32 vendeve anëtare të NATO-s. REL

Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, e quan të pakursyer mbështetjen e saj për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Takimi i tyre ka ardhur në Zvicër ku Osmani po qëndron në kuadër të Samitit për Paqe për Ukrainën.

“Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer!”sn

U zgjodh eurodeputete, Hungaria liron nga arresti aktivisten anti-fashiste italiane

Një aktiviste antifashiste italiane është liruar nga arresti shtëpiak në Budapest, pasi u zgjodh në Parlamentin Evropian, që nënkuptonte se ajo kishte imunitet nga akuzat në lidhje me një sulm të supozuar ndaj neo-nazistëve.

Rasti i Ilaria Salis, 39 vjeç, një mësuese nga Monza, afër Milanos, ngjalli protesta diplomatike dhe zemërim në Itali pasi ajo u soll në gjykatë në Hungari me zinxhirë, me duar të lidhura me pranga dhe këmbë të lidhura gjithashtu.

Ajo u arrestua në Budapest në shkurt të vitit të kaluar pas një kundër-demonstrimi kundër një tubimi neo-nazist. Salis u akuzua për tre akuza për tentativë sulmi, si dhe se ishte pjesë e një organizate ekstreme të majtë.

Ajo i mohon akuzat, të cilat parashikonin një dënim deri në 11 vjet burg.

Në një letër drejtuar avokatit të saj, ajo detajoi kushtet me të cilat ishte përballur që nga arrestimi i saj: qelitë e infektuara me minj dhe insekte, moslejimi për t’u larë për ditë të tëra dhe mungesa e kujdesit mjekësor. Në maj, asaj iu dha arrest shtëpie në Budapest.

Salis fitoi vendin e saj si kandidate me Aleancën e Gjelbërve dhe të Majtë, e cila fitoi rreth 6.8% në votimin e së dielës.

Pas zgjedhjes së saj si deputete e Parlamentit Evropian, avokatët e saj kërkuan lirimin e saj bazuar në imunitetin që gëzojnë ligjvënësit e BE-së. Gjykata u përgjigj se ishte në pritje të komunikimit zyrtar për zgjedhjen e saj në Parlamentin Evropian.

Të hënën Salis telefonoi avokatët e saj në Itali për t’i njoftuar se kishte marrë vendimin e gjykatësit hungarez për lirimin e saj nga arresti shtëpiak.

“Më në fund! Ne jemi të kënaqur nga lajmet që vijnë nga Budapesti, eurodeputetja Ilaria Salis tani mund të kthehet në Itali dhe të përmbushë rolin e saj të ri siç tregohet nga qindra mijëra votues”, thanë Angelo Bonelli dhe Nicola Fratoianni, nga partia e Aleancës së Gjelbërve dhe të Majtë të Italisë në një deklaratë të përbashkët.

“Falënderimet tona shkojnë për të gjithë ata që, si ne, kanë qenë të indinjuar dhe nuk kanë pranuar gjendjen e tmerrshme në të cilën ajo u mbajt në burgjet e Orban gjatë këtyre muajve. Tani ajo mund të mbrojë së bashku me ne të drejtat civile dhe sociale të më të pambrojturve”.

Salis pritet të kthehet në Itali më 17 qershor, në ditëlindjen e saj të 40-të.

“Dërgimi i një krimineli në Parlamentin Europian nuk i sjell dobi as parlamentit europian dhe as votuesve”, tha Gergely Gulyás, një zëdhënës i qeverisë hungareze.

Zgjedhja e Salis në Itali, shtoi ai, krijoi “një imazh negativ të demokracisë italiane dhe të një pjese të vullnetit të votuesve që donin të dërgonin një kriminel në Parlamentin Europian”. bw

BE: Serbia s’mund të bëhet anëtare e BE pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizimi, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç u është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

Prej se Kosova e shpalli pavarësinë 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe, si BE, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territor i Kosovës.

Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa ketë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

Njëkohësisht, Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe nenin 4. – Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fut fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme./REL

Makron flet për shpërndarjen e parlamentit: Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja mënyrë për të qartësuar gjërat

Ndërsa pas 18 ditësh në Francë mbahet raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, fushata e së cilës është më e shkurtra në historinë e republikës së pestë franceze, presidenti i vendit Emanuel Makron mbajti të parën konferencë me pyetje përgjigje me gazetarët që nga viti 2019.

Pas rezultatit të dobët që partia e tij Rilindja të qendrës së djathtë shënoi në zgjedhjet e së dielës për parlamentin evropian, nën nenin 12 të kushtetutës, presidenti francez shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e përkohshme.

Arsye për një lëvizje të tillë ai citoi  nevojën për dialog dhe reflektimin për mënyrën se si mund t’i shërbehet më së miri Francës. Presidenti francez i bëri thirrje politikanëve të moderuar nga e majta dhe e djathta t’i bashkohen kampit të tij për të mposhtur ekstremin e dashtë në zgjedhjet e ardhshme.

“Që nga zgjedhjet e së dielës, maskat kanë rënë. Shpërndarja e parlamentit është e vetmja mënyrë për të qartësuar gjërat. Jemi në një kohë kur vendi ynë duhet të ngrihet ndaj një numri sfidash dhe nuk mund të bllokohet nga ekstremet. Kthimi tek populli Sovran është i vetmi vendim republikan” u shpreh Makron.

Dalja e Makron para mediave erdhi në një kohë që partia e ekstremit të djathtë mitingu kombëtar e drejtuar nga Marine Le Pen fitoi më shumë se 31 për qind të votave të francezëve në zgjedhjet për parlamentin evropian. Kampi i Makron doli i dyti me 14.6 për qind të votave. sn

Scholz: Ta ndihmojmë Kievin në mbrojtjen ajrore

Kancelari gjerman përuron konferencën për rindërtimin e Ukrainës në Berlin

VOAL- “Unë do të doja t’u kërkoja të gjithëve që të mbështesin Ukrainën në mbrojtjen ajrore. Sepse rindërtimi më i mirë është ai që nuk duhet të fillojë kurrë”. Këtë e tha kancelari gjerman Olaf Scholz në hapjen e Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës në Berlin. Kështu thuhet në lajmin e ATS, transmetuar nga RSI.

Nuk do të ketë “asnjë fitore ushtarake” dhe “asnjë paqe të diktuar” nga Vladimir Putin në luftën në Ukrainë, tha Scholz, duke shtuar se “e ardhmja e Ukrainës është në BE dhe kjo është e vlefshme”, shton lajmi.

Para fillimit të konferencës, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck kishte nënvizuar se Konferenca për Ukrainën nuk ka të bëjë vetëm me “rindërtimin” e vendit, por ka edhe një dimension që lidhet me “mbrojtjen” dhe prodhimin e armëve, bën të ditur lajmi.

Ukraina shqyrton mundësinë e ruajtjes së avionëve luftarakë jashtë vendit për t’i mbrojtur nga sulmet ruse

Fotografi arkivi e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy derisa inspekton avionët luftarakë F-16 në bazën ushtarake në Eindhoven, Holandë, më 20 gusht, 2023/AP

 

VOA/Marrë nga Associated Press

KIEV – Ukraina po shqyrton mundësinë t’i ruajë një pjesë të avionëve luftarakë F-16, që pritet t’i marrë nga aleatët e saj perëndimorë, në baza të huaja, për t’i mbrojtur nga sulmet ruse, deklaroi një zyrtar i lartë ukrainas të hënën.

Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia janë zotuar se do t’i japin Ukrainës mbi 60 aeroplanë luftarakë amerikanë F-16 për t’i ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ruse. Pilotët ukrainas po kryejnë trajnime për pilotë para se Ukraina t’i marrë aeroplanët më vonë gjatë këtij viti.

Kreu i aviacionit të forcave ajrore të Ukrainës Serhii Holubtsov i tha Radio Evropës së Lirë se “një numër i caktuar i aeroplanëve luftarakë do të ruhen në baza të sigurta ajrore jashtë Ukrainës në mënyrë që të mos vihen në shënjestër këtu.”

Sipas tij, aeroplanët F-16 ka mundësi të zëvendësojnë aeroplanët e dëmtuar luftarakë ndërkohë që riparohen si dhe për trajnimin e pilotëve ukrainase jashtë vendit.

“Në këtë mënyrë gjithmonë do të kemi një numër të caktuar aeroplanësh luftarakë në flotën tonë operacionale që i përgjigjet numrit të pilotëve tanë,” tha ai. “Po të kishim më shumë pilotë, do të mbanim më shumë aeroplanë luftarakë në Ukrainë.”

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska mund të konsiderojë goditjen e bazave në shtetet e NATO-s që mund të ruajnë aeroplanët ushtarakë që përdoren në Ukrainë.

“Nëse ato vendosen në bazat ajrore jashtë kufijve të Ukrainës dhe përdoren në luftime, atëherë na duhet të shqyrtojmë se si dhe ku t’i sulmojmë pajisjet që përdoren kundër nesh,” deklaroi zoti Putin vitin e kaluar. “Përbën një rrezik serioz për përfshirjen e mëtejshëm të NATO-s në konflikt.”

Në mars, udhëheqësi rus sërish paralajmëroi aleatët perëndimorë të Ukrainës që të mos i vënë në dispozicion bazat ajrore prej nga aeroplanët F-16 mund të niseshin për të goditur forcat ruse. Ato baza mund të bëhet “objektiv legjitim”, tha ai.

“Aeroplanët F-16 kanë aftësinë që të bartin armë bërthamore dhe do ta kemi këtë parasysh kur organizojmë operacionet tona luftarake”, deklaroi zoti Putin.

Shefi i komisionit të mbrojtjes së Dhomës së Ulët të parlamentit rus Andrei Kartapolov i tha agjencisë së lajmeve Ria Novosti të hënën që bazat e NATO-s që do të mbajnë avionët F-16 të Ukrainës do të jenë “objektiva legjitime” të Moskës nëse ata avionë përdoren për të sulmuar Rusinë.

Për ruajtjen e avionëve F-16 nga sulmet, nevojiten pista të standardit të lartë dhe streha të përforcuara. Nuk është e qartë se sa baza ajrore në Ukrainë përmbushin ato standarde dhe sigurisht se ato shpejt do të sulmohen nga Rusia.

Sipas zotit Holubtsov, avionët F-16 do të ndihmojnë mbrojtjen e vijës dhe rajoneve kufitare nga bombat e komanduara ruse të cilat po u shkaktojnë dëme trupave dhe banorëve të atyre zonave, përfshirë në qytetin e Kharkivit. Këto janë bomba të periudhës sovjetike, të pajisura me sisteme komanduese dhe që lëshohen nga aeroplanë që fluturojnë mbi rrezet e sistemeve mbrojtëse ajrore.

E djathta ekstreme përparon në zgjedhjet për Parlamentin Evropian

Radio Evropa e Lirë

Rezultatet preliminare tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian, por fitorja e së djathtës ekstreme u dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shpalli zgjedhjet e parakohshme kombëtare, pasi partia e tij u mposht bindshëm nga rivalja e ekstremit të djathtë.

Macron shpërndau Parlamentin dhe shpalli datën e votimeve më 30 qershor.

“Kam vendosur t’ju mundësoj me votë zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare”, tha ai.

Partia Fronti Kombëtar – e udhëhequr nga rivalët e Macronit, Marine Le Pen dhe Jordan Bardella – shënoi një nga sukseset më të mëdha në mesin e partive të ekstremit të djathtë në Evropë.

Rezultatet preliminare treguan se ajo siguroi mbi 30 për qind vota më shumë se Rilindja e qendrës e Macronit.

Goditje të ngjashme sikurse Macron përjetoi edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Socialdemokratët e tij shënuan rezultatin më të keq ndonjëherë, duke dalë të tretët pas Demokristianëve opozitarë dhe pas partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (Afd).

AfD-ja u përball me një sërë skandalesh kohëve të fundit – përfshirë spiunazh dhe ndërhyrje të huaja – por mbështetja për të mbeti e qëndrueshme.

“Pas breshërisë së javëve të fundit, ne jemi forca e dytë më e madhe. Dhe unë po ju them: e vetmja rrugë është lart”, tha bashkëudhëheqësja e partisë, Alice Weidel.

E djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim të konsiderueshëm në Hungari.

Në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta, ndërsa në Austri, partia me të njëjtin emër doli fituese.

Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do të vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

“Faleminderit italianëve që vazhdojnë të na zgjedhin… Jam krenare për rezultatin”, u tha Meloni mbështetësve të saj.

E djathta ekstreme, megjithatë, nuk ka performoi mirë në Belgjikë, Çeki, Hungari, Finlandë dhe Poloni.

“Qendra po mbahet, por është gjithashtu e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Dhe kjo është arsyeja përse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë e qendrës”, tha von der Leyen, e cila po ashtu synon rizgjedhjen.

Shumicën në Parlamentin Evropian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 184 ulëse.

Por, rezultati i së djathtës brenda Parlamentit Evropian mund ta bëjë më të vështirë miratimin e legjislacionit të ri, që mund të jetë i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndikimit të ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Presidenti francez Macron shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas humbjes në zgjedhjet e BE-së

VOA

Presidenti francez Emanuel Macron vendosi shpërndarjen e parlamentit të Francës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend pasi partia e tij pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në një fjalim drejtuar kombit nga pallati presidencial Elysee, presidenti Macron tha se “kam vendosur t’ua kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po shpërndaj Asamblenë Kombëtare”.

Votimet do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tha ai.

Vendimi pasoi rezultatet e para të zgjedhjeve të së dielës për Parlamentin Evropian, që flasin për një përparësi të partisë së ekstremit të djathtë, e cila mposhti pro evropianët e presidentit Macron, sipas anketave franceze.

Udhëheqësja e së djathtës së skajshme, Marine Le Pen, mirëpriti vendimin e presidentit Macron.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pushtetin nëse populli francez na jep besimin në zgjedhjet e ardhshme legjislative. Jemi të gatshëm ta ngremë vendin përsëri në këmbë. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat e popullit francez, jemi të gatshëm t’i japim fund emigracionit masiv Ne jemi të gatshëm ta bëjmë përparësi fuqinë blerëse të popullit francez, jemi gati të fillojmë ri-industrializimin e vendit”, tha zonja Le Pen, lista e së cilës, sipas projeksioneve të para, fitoi rreth 32 për qind të votave, më shumë se dyfishi i listës së presidentit Macron, që fitoi 15 për qind të votave.

Partitë qeverisëse jopopullore të Gjermanisë dolën me rezultate të dobëta, ndërsa Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë shënoi rritje ne votimet e së dielës për Parlamentin Evropian. Opozita konservatore kryesore doli ndërkaq forca politike kryesore, sipas anketave të para.

Projeksionet treguan se socialdemokratët e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz fituan rreth 15 për qind të votave, duke u radhitur pas Alternativës për Gjermaninë, (AfD) të ekstremit të djathtë që fitoi pak më shumë se 16 për qind të votave.

Anketat treguan se të Gjelbrit, partia e dytë më e madhe në koalicionin e kancelarit Scholz, fitoi 12 për qind të votave, ndryshe 20.5 për qind sa kishte fituar pesë vjet më parë. Mbështetja për Demokratët e Lirë pro biznesit, partia e tretë në qeverinë aktuale doli me 5 për qind.

Blloku Kristian-Demokrat i qendrës së djathtë i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen mbizotëroi anketat në vendin më të populluar të bllokut me pothuajse 30 për qind të votave.

Sipas anketave grupi konservator i kryeministres italiane Giorgia Meloni fitoi shumicën e votave, duke konfirmuar statusin e saj si partia më popullore në Itali.

Ndërkohë në Austri, Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, duket të etë fituese me mbi 25 për qind të votave.

Në Holandë, partia nacionaliste dhe kundër migrimit e zotit Geert Wilders, pritet të fitojë shtatë prej 29 vendeve që i takojnë këtij vendi në Parlamentin Evropian.

Ligjvënësit e Parlamentit Evropian prej 720 vendesh ushtrojnë ndikim në çështjet që nga rregullat financiare te politikat klimatike dhe bujqësore. Ata miratojnë buxhetin e BE-së, i cili financon mes tjerash projektet e infrastrukturës, subvencionet e fermave dhe ndihmën për Ukrainën. Ata ushtrojnë të drejtën e vetos për emërimin e komisionit të fuqishëm të BE-së.

Këto zgjedhje mbahen në një kohë sprove për besimin e votuesve në bllokun prej rreth 450 milionë banorësh. Gjatë pesë viteve të fundit, BE-ja është tronditur nga pandemia e koronavirusit, rënia ekonomike dhe një krizë energjetike e nxitur nga konflikti më i madh tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por fushata politike shpesh përqendrohet në çështjet e brendshme të vendeve anëtare dhe jo në interesat më të gjera evropiane.

De Riu: S’jemi kundër hapjes së Urës së Ibrit, por duhet të bëhet në koordinim me partnerët

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu thotë se hapja e urës mbi Lumin Ibër duhet të bëhet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë. Ky veprim, sipas tij, reflekton në aspektin e sigurisë dhe si i tillë duhet të vlerësohet me kujdes.

De Riu në një intervistë për KosovaPress, potencon se Italia nuk është kundër hapjes së urës, porse shton se kjo duhet të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian, vendet e QUINT-it dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.

“Hapja e urës, siç është thënë edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe të Quint-it, duhet të jetë një akt i përbashkët përmes një operacioni të koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, ajo që kërkojmë, si në shumë situata të tjera, është që të ketë koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Hapja e kësaj ure, duke pasur reflektime nën aspektin e sigurisë, sipas nesh duhet të vlerësohet me kujdes. Nuk jemi kundër hapjes së urës, por kërkojmë, si në shumë situata të tjera, që të ketë një koordinim me Bashkimin Evropian, me vendet e QUINT-it dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, thotë De Riu.

Sipas tij, momentalisht nuk ka ndonjë rrezik të madh të përshkallëzimit të situatës në Kosovë, ngase sipas tij, ushtarët e KFOR-it, po i monitorojnë kufijtë e vendit duke garantuar stabilitet dhe siguri.

“Për momentin nuk shohim një rrezik të madh të përshkallëzimit për arsyen e thjeshtë se kemi ushtarë të KFOR-it që monitorojnë kufijtë e vendit dhe garantojnë stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe dua t’iu kujtoj se në kuadër të kontingjentit të KFOR-it, numri më i madh i kontingjentit kombëtar brenda forcave të KFOR-it, janë italianë, me 815 ushtarë italianë që monitorojnë sigurinë e Kosovës dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, thotë De Riu.

Ndër të tjera, De Riu flet edhe për liberalizmin e vizave në Kosovë, për çka shpreson se do të sjellë rritje të vizitave të qytetarëve kosovarë në Itali, ngase kjo mund të rrisë gjithashtu numrin e fluturimeve drejt Italisë.

“Liberalizimi i vizave u ka mundësuar – më në fund – shumë qytetarëve kosovarë që të udhëtojnë në Evropë për turizëm apo edhe për të takuar të dashurit e tyre dhe kjo padyshim që ndodh edhe në Itali, ku janë mbi 46.000 qytetarë kosovarë që jetojnë në vendin tim. Natyrisht se është edhe një nxitje për turizmin dhe shpresojmë që liberalizimi i vizave do të sjellë një rritje të vizitave të qytetarëve kosovarë në Itali dhe kjo mund të rrisë gjithashtu numrin e fluturimeve drejt Italisë, aktualisht e kufizuar vetëm në qytetin e Milanos, vetëm dy herë në javë. Ne po punojmë për ta rritur numrin e fluturimeve edhe në qytete të tjera”, potencon De Riu.

Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu thotë se të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se është rritur numri i eksporteve italiane në Kosovë dhe anasjelltas.

Ai shton se po punohet në rritjen e ndërveprimit mes biznesmenëve kosovarë dhe atyre italianë.

“Është ende herët për ta thënë me siguri, por të dhënat e vitit të fundit (2023) pasqyrojnë një trend në rritje të shkëmbimeve tregtare, duke rritur eksportet italiane në Kosovë dhe gjithashtu ato kosovare në Itali. Aktualisht, sipas mendimit tim, me të dhëna ende shumë të paplota, është e vështirë të bëhen parashikime se sa mund të ndikojë rritja e vizitave të qytetarëve kosovarë për arsye turistike në shkëmbimet tona tregtare. Ne gjithsesi po punojmë për të rritur ndërveprimin mes biznesmenëve kosovarë dhe italianë në mënyrë që të krijohen mundësi më të mëdha për biznes dhe investime, edhe këtu në Kosovë”, u shpreh ambasadori i Italisë në Kosovë, Antionello De Riu.

Trafiku i emigrantëve, kapen në një kamion 14 shqiptarë e vietnamezë

Policia franceze gjeti 14 shqiptarë dhe vietnamezë në një kamion, duke zbuluar kështu një rrjet të trafikut të emigrantëve nga Franca në Irlandë.

Shqiptarët dhe vietnamezët kishin hipur në një kamion bagëtish me destinacion Dublinin në Irlandë, u arrestuan nga policia kufitare e Cherbourgut, në portin e këtij qyteti në Francë.

Këto të fundit kishin hipur në një rimorkio kamioni, që zakonisht transportonte bagëti.

Kamioni, i regjistruar në Irlandën e Veriut, do të udhëtonte për në Dublin.

“Një hetim është duke u zhvilluar,” tha me Hugues Toulliou, drejtor ndër-departamental i PAF. bw

Macron e konfirmon: Avionë francezë ‘Mirage 2000’ për Ukrainën

Franca planifikon t’i sigurojë Ukrainës avionë luftarakë Mirage 2000, tha presidenti Emmanuel Macron për stacionet televizive franceze. Ai tha se sot me rastin e vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Francë si pjesë e festimeve të përvjetorit të D-Day, qeveria e tij do të njoftojë se do t’i sigurojë avionët luftarakë Ukrainës.

Ai nuk specifikoi se sa Mirazhe do të ofronte Franca, deri kur ose me çfarë kushtesh financiare. Macron tha se Franca ka propozuar që pilotët ukrainas të trajnohen në Francë duke nisur nga kjo verë. Mirage 2000 është një avion luftarak me shumë funksione, me një motor. sn

Bashkimi Evropian voton këto 4 ditë, rezultatet të dielën në orën 23:00

Nga Bernd Riegert, Deutsche Welle

350 milionë qytetarë të BE-së do të mund të votojnë drejtpërdrejt për parlamentin e tyre nga e enjtja deri të dielën këtë javë. Skeptikët e BE dhe nacionalistët mund të forcohen.

Roberta Metsola, Presidentja demokristiane e Parlamentit Evropian nga Malta, vizitoi të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian muajt e fundit me sloganin “Përdorni zërin tuaj”. Në diskutime të shumta në bashki, universitete dhe shkolla, ajo u përpoq të interesonte veçanërisht votuesit e rinj për zgjedhjet evropiane, të cilat mbahen çdo pesë vjet. “Fotografia që shihni në mendjen tuaj të Parlamentit Evropian janë këto mbi 700 ulëse blu. Këto vende do të caktohen pavarësisht nëse votoni apo jo. Por tani ju keni një zgjedhje, mund të bëni ndryshimin, mund të ndikoni se kush do të ulet në bankat parlamentare”, u tha Roberta Metsola të rinjve në Danimarkë.

Por nxjerrja në vendvotime e 350 milionë votuesve me të drejtë vote në Bashkimin Evropian në zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë, pas Indisë, nuk është aq e lehtë. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e fundit, në vitin 2019 ishte vetëm rreth 50 për qind. Në sondazhin e pranverës të opinionit publik, BE-ja zbuloi se këtë herë interesi për zgjedhjet ishte rreth 60 për qind. Prandaj, pjesëmarrja në votime mund të rritet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për këto zgjedhje, të cilat shumë kampe politike i kanë shpallur “zgjedhje fati” apo “zgjedhje drejtimi”. Sepse, statistikisht, rezulton se mesi i spektrit politik zakonisht përfiton nga pjesëmarrja e lartë.

Në shumë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, fushata zgjedhore u formësua nga diskutimi i sigurisë dhe mbrojtjes në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, sipas sondazheve të opinionit publik, politikat ekonomike dhe sociale janë çështjet më të rëndësishme në 27 shtetet anëtare. Politika e migracionit nuk luajti ndonjë rol vendimtar në shumicën e vendeve të BE-së në këtë fushatë.

Në sondazhe parashikohet rritja e forcave djathtiste

Në shumë vende, aktivistët janë të shqetësuar për rritjen e pritshme të numrit nga konservatorët e krahut të djathtë skeptikë ndaj BE-së deri tek radikalët e krahut të djathtë. Arsye kjo për kancelarin Olaf Scholz (SPD) për të lëshuar paralajmërime të errëta. “Disa populistë kërkojnë që Gjermania të largohet nga Bashkimi Evropian. Të tjerë e shohin Rusinë e Putinit ose Kinën e Xi Jinping si modele për Evropën. E ka dhe të tillë që duan të shkatërrojnë BE-në – çfarë çmendurie vetëshkatërruese! Evropa dhe Bashkimi Evropian sigurojnë prosperitetin dhe të ardhmen tonë”, tha Olaf Scholz në një video parazgjedhore ku bën thirrje për votim.

Në Francë, Itali, Holandë, Belgjikë, Austri dhe Hungaripartitë e djathta janë në vendin e parë për sa i përket votuesve. Në Poloni, Gjermani e Suedi, partitë e krahut të djathtë mund të bëhen forca e dytë ose e tretë. Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila është pjesërisht ekstremiste e krahut të djathtë, është afërsisht e barabartë me dy partitë në pushtet, SPD dhe të Gjelbërit, me rreth 15 për qind. Në Gjermani, opozita Kristiandemokrate (CDU/CSU) kryeson me 30 për qind. Pritet që numri i vendeve blu në sallën plenare të Parlamentit Evropian për partitë e ekstremit të djathtë të rritet ndjeshëm, në 21 deri në 25 për qind. Por kjo nuk mjafton për shumicën vendimtare.

Meloni dëshiron të krijojë një aleancë të krahut të djathtë

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila edhe kryeson familjen e djathtë europiane EKR, ka njoftuar se dëshiron të krijojë një koalicion të stilit italian në Parlamentin Europian. Meloni ka 18 muaj që drejton Italinë me një aleancë të populistëve të krahut të djathtë, ekstremistëve të djathtë dhe kristiandemokratëve. Ajo dëshiron të thyejë koalicionin aktual jozyrtar të madh të qendrës në Parlamentin Evropian, i cili përbëhet nga socialdemokratët, liberalët dhe kristiandemokratët.

“Ne jemi në prag të zgjedhjeve vendimtare, sepse për herë të parë zgjedhjet evropiane mund t’i japin fund një mazhorance të panatyrshme dhe kundërproduktive,” tha Giorgia Meloni gjatë një paraqitjeje në fushatë në Spanjë. Ajo dëshiron të themelojë një bllok nacionalist të ri të krahut të djathtë.

Demokristianët dhe e djathta

Kandidatja kryesore e kristiandemokratëve evropianë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk përjashton bashkëpunimin e ardhshëm me Meloni & Co. Ursula von der Leyen tha në disa debate televizive se është e rëndësishme nëse deputetët mbështesin Ukrainën dhe i kushtojnë vëmendje vlerave evropiane, e jo aq anëtarësimit në parti. Von der Leyen tha për Melonin: “Edhe ajo është qartë pro-evropiane. Ajo është kundër Putinit, e tha shumë qartë. Mbështet shtetin e të drejtës. Nëse mbetet kështu, ne do të ofrojmë bashkëpunim”.

Socialdemokratët, Liberalët, Të Gjelbrit dhe e Majta kritikuan ashpër këtë kurs të ri të kristiandemokrates von der Leyen. Sipas sondazheve të fundit, Kristiandemokratët dhe Socialdemokratët mbeten afërsisht në pozitat e njëjta si deri tani. Liberalët, të Gjelbërit dhe të Majtët do të humbasin. Në periudhën e re legjislative në Parlamentin Evropian do të ketë 720 mandate, 15 më shumë se më parë.

Pushteti i kufizuar i PE

Çfarëdo koalicioni të formohet pas formimit të grupeve parlamentare, duhet pasur parasysh se Parlamenti Evropian është vetëm një nga dy dhomat legjislative të barabarta. Nuk mund të vendosë vetë dhe nuk mund të zgjedhë qeveri, por varet nga bashkëpunimi me Këshillin e Bashkimit Europian, ku përfaqësohen të gjitha 27 qeveritë e shteteve anëtare. Sidoqoftë Parlamenti Evropin është unik për nga domethënia, sepse asnjë rajon tjetër në botë nuk ka një institucion të krahasueshëm që mund të nxjerrë ligje përtej kufijve kombëtarë.

Tradicionalisht, votimi zhvillohet për katër ditë. Zgjedhjet në Holandë fillojnë më 6 qershor. Shumica e shteteve votojnë të dielën, më 9 qershor. Rezultatet e besueshme mbi shpërndarjen e vendeve në Parlamentin e dhjetë Evropian do të publikohen të dielën në orën 23:00.

Image


Send this to a friend