Ushtria ruse ka nisur tetë raketa në bazën ushtarake ukrainase afër kufirit me Poloninë në orët e hershme të 13 marsit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar forcat ruse se përballen me luftime deri në vdekje nëse tentojnë të pushtojnë kryeqytetin Kievin, banorët e të cilit janë zgjuar nga sirenat.
“Pushtuesit kanë nisur sulme ajrore në Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtje të Paqes dhe Sigurisë” në Javoriv, ka thënë administrata ushtarake e rajonit të Lvivit, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
“Sipas të dhënave preliminare, ata kanë hedhur tetë raketa”.
Raportimet fillestare sugjerojnë se “nuk ka të vdekur, mirëpo informacioni për të plagosurit është duke u verifikuar”, ka thënë Anton Mironovich, zëdhënës i Akademisë për Forcat Tokësore në ushtrinë ukrainase, ka raportuar agjencia e lajmeve, Interfax Ukraine.
Objekti 360 kilometra katrorë është më pak se 25 kilometra larg kufirit polak dhe një prej qendrave më të mëdha në pjesën perëndimore të Ukrainë.
Ukraina mban aty shumicën e stërvitjeve me vendet anëtare të NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, ka thënë se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në një bazë ushtarake në Ukrainë, e cila është goditur nga Rusia.
“Informacioni për viktima është duke u verifikuar”, ka thënë Reznikov.
Një dëshmitar ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ka parë 19 ambulanca me sirena të lëshuara duke lëvizur nga drejtimi i bazës ushtarake.
“Ky është një tjetër sulm terrorist ndaj paqes dhe sigurisë afër kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Reznikov në Twitter.
Ndaras këtij njoftimi, kryetari i qytetit Ivano-Franvisk në perëndim të Ukrainës, ka thënë se aeroporti i qytetit është shënjestruar nga sulmet.
“Sipas informacionit preliminar, shpërthimet e këtij mëngjesi janë dëgjuar pas sulmeve në aeroport”, ka thënë kryetari i qytetit, Ruslan Martsinkiv në një postim në Facebook.
Zelensky ka thënë më 12 mars se disa qytete të vogla nuk ekzistojnë më, teksa pushtimi rus ka hyrë në javën e tretë.
Më shumë se 2.5 milionë persona kanë arritur të ikin nga Ukraina prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt, derisa mijëra të tjerë mbesin të bllokuar në qytetet e rrethuara nga forcat ruse.
Shtatë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur më 12 mars, pasi Rusia ka bombarduar një konvoj humanitar të refugjatëve dhe i ka detyruar ata të kthehen mbrapsht, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes.
Shtatë viktimat kanë qenë në mesin e qindra personave që kanë tentuar të ikin nga një fshat rreth 20 kilometra në verilindje të Kievit.
Moska ka thënë se do të krijojë korridore humanitare në zonat e konfliktit, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë se po sulmon civilët nëpër këto rrugë.
Zelensky ka thënë se Moska është duke dërguar trupa shtesë, pasi forcat ukrainase kanë shkatërruar 31 grupe taktike të batalionit të Rusisë.
Sipas tij, Rusia është duke u përballur me humbjet më të mëdha ushtarakë në dekada.
Sipas presidentit ukrainas, më shumë se 1,300 ushtarë ukrainas kanë vdekur në luftë.
Në adresimin e tij më 12 mars, Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit të përfshihet më shumë në negociatat për paqe.
Ai ka diskutuar për pushtimin rus me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili i ka bërë thirrje presidenti rus, Vladimir Putin që të japë urdhër për armëpushim.
Në deklaratën e Kremlinit për bisedën telefonike 75-minutëshe nuk është përmendur armëpushimi.
Në deklaratën franceze është thënë: Ne nuk kemi vërejtur gatishmëri të Putinit për t’i dhënë fund luftës”.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për përshkallëzim të tensioneve dhe ka thënë se situata është komplikuar nga konvojet me armë të Perëndimit që po dërgohen në Ukrainë.
Ai ka thënë se këto konvoje konsiderohen “shënjestra legjitime” nga forcat ruse, transmeton agjencia ruse e lajmeve, TASS.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.