VOAL

VOAL

Polonia: Do të lejojmë në territorin tonë vendosjen e armëve bërthamore të SHBA-së

Polonia i ka shprehur gatishmërinë Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse do të jetë e nevojshme vendosja e armëve bërthamore në territorin e saj.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri polak Jaroslav Kaczynski në një intervistë për gazetën gjermane Welt am Sonntag, të cituar nga mediat ukrainase.

“Nëse amerikanët do të na kërkonin të mbanim armët bërthamore të SHBA në Poloni, ne do të ishim të hapur. Kjo do të forconte ndjeshëm parandalimin ndaj Moskës,” tha Kaczynski.

Zyrtari polak sqaroi megjithatë se vendosja e armëve bërthamore të SHBA-ve në Poloni nuk është diskutuar ende, por shtoi se “kjo mund të ndryshojë së shpejti”. syri.net

Kolona tymi mbi Odesa

Qielli mbi qytetin port në Ukrainën jugore

 

VOAL- Disa kolona tymi u ngritën mbi qytetin e Odesa në jug të Ukrainës, ku sirenat e sulmit ajror ranë për një kohë të gjatë. Banorët, pak pas orës 18:00 (5 në Zvicër), raportojnë edhe flakët e zjarrit të dukshëm nga larg. Pati të paktën një duzinë shpërthimesh. Sipas gazetës online ‘Odessa Life’ është goditur “një infrastrukturë kritike”, ndërsa në rrjetet sociale flitet për një sulm në depo të ndryshme karburanti.

Dhe Odesa ishte një nga qytetet ku natën (sot të dielën) në 4.20 lokale (3.20 në Zvicër) u dëgjuan sirenat e alarmit, si dhe në Kiev, Lviv, Dnipropetrovsk. Autoritetet ukrainase kanë raportuar praninë e bombarduesve rusë në fluturim që mund të hedhin bomba në infrastrukturën civile dhe vendbanimet.

Sipas shërbimeve të inteligjencës ushtarake britanike, forcat ajrore janë përqendruar në juglindje të vendit, një lëvizje që do të konfirmonte synimin e forcave të armatosura ruse për t’i dhënë përparësi sulmeve në rajon.

Dhe zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov foli përsëri në Bjellorusi 24, sipas të cilit sovraniteti i republikave popullore të Donetskut dhe Luganskut është njohur nga Rusia dhe “operacioni special ushtarak filloi me kërkesën e këtyre dy republikave për t’i shpëtuar ato dhe të rivendosin shtetësinë e tyre brenda kufijve të 2014-ës”.

Gazi kthehet në Lugansk

Në rajonin e Luganskut, furnizimi me gaz për mbi 100,000 banorë është rikthyer. Kjo u raportua – siç raportohet nga Ukraina Pravda – nga shërbimi për shtyp i Operatorit të sistemeve të transportit të gazit të Ukrainës, pasi teknikët kanë gjetur dhe riparuar pjesën e tubacionit të dëmtuar nga bombardimi. “Situata me furnizimin me gaz të banorëve të rajonit të Luganskut – shpjegon menaxheri – mbetet e vështirë për shkak të luftimeve. Megjithatë, një pjesë e rajonit është ende pa furnizim me gaz për shkak të dëmtimit të tubacionit kryesor”. rsi-eb

Ukraina: Odesa goditet nga sulme ajrore

Një ushtar ukrainas në qytetin-port të Odesës. 24 mars 2022.

RFE/RL

Qyteti-port ukrainas i Odesës ka qenë cak i sulmeve ajrore mëngjesin e sotëm. Këshilli i qytetit dhe Ministria e Brendshme ukrainase kanë konfirmuar këtë lajm, teksa në qytet janë dëgjuar disa shpërthime.

Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake rajonale të Odesës, u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore.

Ai tha për transmetuesin publik ukrainas se një prej “ndërtesave të infrastrukturës kritike” është goditur.

Ndërkaq, Anton Herashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme tha se “Odesa u godit nga ajri” me raketa, disa prej të cilave, sipas tij, “u rrëzuan nga forcat ajrore ukrainase.

AFP ka raportuar se shpërthimet janë dëgjuar në orën 06:00 sipas kohës lokale, ndërkaq më pas është parë zjarr dhe tym nga një zonë industriale e qytetit.

Odesa gjendet në jug të Ukrainës.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kanë shkatërruar një rafineri të naftës dhe tri depo të karburanteve. Rusia tha se ka kryer sulme precize nga deti dhe me raketa në rajonin e Odesës, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Kjo ministri tha se kjo infrastrukturë është përdorur nga Ukraina për të furnizuar trupat e saj në afërsi të qytetit Mikolajiv.

Ndërkaq, gjatë një video-adresimi të shtunën mbrëma, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia dëshiron të marrë kontrollin e rajoneve lindore dhe jugore të Ukrainës.

Më herët gjatë kësaj jave, Rusia ka thënë se do të zvogëlojë sulmet në Kiev dhe Çernihiv dhe do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake në lindje të Ukrainës, një muaj pasi nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Të gjithë sytë nga Odesa, sa e vështirë është që Rusia të marrë në kontroll qytetin port të jugut?

Të gjithë sytë janë kthyer nga qyteti port jugor, ku u dëgjuan shpërthime mëngjesin e së dielës, por fatmirësisht nuk pati viktima.

Odesa është përgatitur për një sulm të afërt prej javësh tashmë, me anije luftarake ruse që qarkullojnë në brigjet e Detit të Zi. Banorët u larguan dhe kafenetë dhe tramvajet u boshatisën ndërsa rrugët u mbuluan me kurthe tankesh, ndërkohë që monumente të famshme u rrethuan nga thasë mbrojtëse me rërë.

Por qyteti kishte filluar që të përgatitej për një sulm nga ana e ushtrisë ruse, duke vendosur patrulla në të gjitha lagjet, raporton BBC.

Por sa e përgatitur është Odesa, duke pasur parasysh paralajmërimin e Presidentit të Ukrainës Zelensky se forcat ruse tani do të fokusohen në kapjen e lindjes dhe jugut?

Disa analistë besojnë se do të jetë e vështirë për Rusinë të marrë Odesën nga deti pa krijuar më parë një bazë në tokë. Por ndërkohë, katakombet e mëdha të qytetit – rreth 2,500 km tunele nëntokësore, po ripërdoren si strehimore për sulmet ajrore. bw

Trupat e 20 civilëve të vrarë në rrugë, pamjet e tmerrit nga qyteti Bucha. Zyrtarët: Ishin pa armë, u qëlluan pas koke

Trupat e të paktën 20 burrave civilë janë gjetur të nëpër rrugë në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit pas tërheqjes së forcave ruse nga zona. Imazhet tronditëse të publikuara nga AFP ditën e shtunën. Viktimat, të gjithë me veshje civile, ishin gjetur të pajetë në vende të ndryshme.

“Tre prej tyre ishin gjetur pranë disa biçikletave, me të cilat mendohet se po lëviznin. Disa të tjerë pranë makinave të bërë shoshë nga plumbat”, thuhet nga gazetarët e AFP-së. Në pamjet tronditëse shihet se si një person i pajetë, i ishin lidhur edhe duart pas shpine me një leckë të bardhë.

Kryetari i bashkisë së qytetit Bucha, Anatoliy Fedoruk, tha se civilët e vdekur kishin marrë trajtim çnjerëzor nga forcat ruse. “Trupat e të ekzekutuarve janë ende në rrugën Yabluska në Buça. Ata janë qëlluar pas kokës. Kështu që ju mund ta imagjinoni se çfarë lloj paligjshmërie është kryer këtu.”- Fedoruk i tha Reuters të shtunën.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se trupat e burrave të gjetur me duar të lidhura, “u qëlluan për vdekje nga ushtarët rusë”.

Podolyak shtoi se; “këta njerëz nuk ishin në ushtri. Ata nuk kishin armë. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim. Sa raste të tjera të tilla po ndodhin tani në territoret e pushtuara?” Forcat ruse u tërhoqën nga disa qytete afër Kievit ditët e fundit pasi dështoi përpjekja e Moskës për të rrethuar kryeqytetin, ndërkohë që Ukraina deklaroi se Bucha ishte “çliruar”. bw

I gjithë rajoni i Kievit u çlirua nga pushtuesi rus – luftimet për kontrollin e Mariupolit në detin Azov

I gjithë rajoni i kryeqytetit Kiev është çliruar, njoftoi të shtunën në mbrëmje zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar.

“I gjithë rajoni i Kievit u çlirua nga pushtuesi rus”, shtoi ajo.

Njoftimi vjen në bazë të lajmeve të ditëve të fundit, sipas të cilave Moska po lehtëson presionin ushtarak në zona të ndryshme për t’u fokusuar në objektivat strategjikë në juglindje të vendit.

Dhe pikërisht në Donbass priten përplasje në shkallë të gjerë në ditët në vijim, tha Oleksi Arestovitch, këshilltar i Presidentit Volodymyr Zelensky, i cituar nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Luftimet do të zhvillohen kryesisht për kontrollin e Mariupolit, qytetit në detin Azov i rrethuar për javë të tëra.

Arestovitch theksoi gjithashtu se forcat e armatosura kanë rimarrë fshatra dhe qytete të ndryshme: informacion që është i besueshëm, por i vështirë për t’u konfirmuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, kufomat e të paktën 20 burrave me rroba civile u gjetën të shtunën në një rrugë në Boutcha, një qytet në veriperëndim të kryeqytetit Kiev, i riçliruar gjithashtu nga ushtarët ukrainas, siç ishte në gjendje të verifikonte një gazetar i agjencisë franceze AFP.

Në frontin diplomatik, Turqia tha se ishte e gatshme të siguronte anije për të lejuar civilët të largoheshin nga Mariupol: “Ne mund të furnizojmë anije, kryesisht për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve, turqve dhe qytetarëve të tjerë të Mariupolit. Në këtë kontekst, koordinimi ynë vazhdon me autoritetet e Federatës Ruse dhe Ukrainës”, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, përcjellë agjencia turke e lajmeve AA./rsi.ch/eb

Sipas The Kyiv Independent Rusia ka pësuar këto humbje deri sot më 2 prill

Sipas një Tweeti botuar nga The Kyiv Independent në Twitter, Ushtria ruse ka humbur 17.800 ushtarë, 143 avionë dhe 134 helikopterë, 631 tanke

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në një deklaratë me shkrim ndau të dhënat për humbjet e palës kundërshtare në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës nga 24 shkurti deri më sot.

17.800 trupa ruse thuhet se janë vrarë, ndërsa 143 avionë, 134 helikopterë, 631 tanke, 1.776 automjete të blinduara, 317 sisteme artilerie, 100 sisteme raketahedhëse dhe 54 sisteme të mbrojtjes ajrore janë shkatërruar.

Forcat ruse kanë humbur gjithashtu 1.236 automjete, 7 anije dhe skafe të lehta, 76 automjete karburanti dhe 87 mjete ajrore pa pilot./ @KyivIndependent

 

DW: Ukrainë: Presidentja e Parlamentit të BE-së viziton Kievin

Roberta Metsola, zyrtarja e parë e lartë e BE-së që viziton Ukrainën pas pushtimit nga Rusia më 24 mars, e quajtin luftën të paligjshme, të paprovokuar dhe të panevojshme dhe premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, u takua me Presidentin e Ukrainës Zelenski në kuadër të vizitës së saj të papritur në Kiev. Metsola u zotua se Bashkimi Evropian do të rrisë ndihmën e tij për Ukrainën.

Metsola ndodhet në Kiev për të treguar mbështetjen e BE-së për Ukrainën. Zëdhënësi i saj tha se për arsye sigurie për vizitën nuk do të jepen mjaft detaje.

Ukraine | Treffen Präsident Wolodymyr Selenskyj und Präsident des Europäischen Parlaments Roberta Metsola

Pas mbërritjes në Kiev Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola shkroi në Twitter: “Jam në Kiev për të dhënë një mesazh shprese”.

Në një deklaratë pas takimit me kryetarin e parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefancuk, ajo tha se BE-ja “do t’ju ndihmojë të rindërtoni qytetet dhe qytezat tuaja pasi të përfundojë kjo luftë e paligjshme, e paprovokuar dhe e panevojshme”.

BE: Ndihma humanitare dhe ushtarake për Ukrainën

Ajo shtoi se ndihmat humanitare dhe ushtarake të BE-së për Ukrainën do të shtohen dhe tha se BE-ja “do të kujdeset për familjet tuaja që janë detyruar të ikin”.

Politikania malteze është zyrtarja e parë e lartë e BE-së që viziton Ukrainën pas pushtimit nga Rusia.

Ukraine Kiew | Besuch der EU-Regierungschefs | Mateusz Morawiecki & Jaroslaw Kaczynski & Petr Fiala & Janez Jansa

Mateusz Morawiecki, Jaroslaw Kaczynski, Petr Fiala, Janez Jansa, Volodymyr Zelenski

Në mes të muajit mars në Kiev ishin për vizitë kryeministri polak Mateusz Morawiecki, së bashku me homologët e tij çekë dhe sllovenë, Petr Fiala dhe Janez Jansa. Ata u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski dhe kryeministrin Denys Shmyhal për të demonstruar solidaritetin e tyre me Ukrainën.

Tjetër humbje për Rusinë- Oficeri i lartë i besuar i Putinit qëllohet për vdekje në luftimet e Donbasit

Rusia vazhdon të pësojë humbje në radhët e saj. Një tjetër nga oficerët e lartë të Vladimir Putin është vrarë në aksion në Ukrainë.

Nënkoloneli Vitaly Slabtsov, 43 vjeç, ishte një parashutist elitar i varrosur me nderime të plota ushtarake, thonë raportet. Raportet sugjerojnë se Slabtsov u vra gjatë një operacioni special në Donbas, Ukrainë, megjithëse nuk janë zbuluar shumë detaje në lidhje me vdekjen e tij.

Funerali i Slabtsov u mbajt në Ryazan në Rusinë qendrore , shtëpia e parashutistëve rusë, të premten. Trupi i tij u vendos në një arkivol të mbyllur, gjë që tregon se ai kishte pësuar plagë shkatërruese në luftë.

Një flamur rus e mbuloi arkivolin ndërsa u mor për varrim, ndërsa Slabtsov iu dha pas vdekjes Urdhri i Guximit.

Forcat ruse fokusohen në Donbass

Ushtria ukrainase zmbrapsi ofensivën kundër kryeqytetit

VOAL- Forcat ruse, sipas burimeve të shumta, po tërhiqen nga rajonet e Kievit dhe zona të tjera të Ukrainës veriore, ndërkohë që ka një përqendrim trupash në Donbass, që mund të jetë preludi i sulmeve më të dhunshme në zonë dhe një konflikti të zgjatur.

Këto manovra janë një shenjë e vështirësisë së trupave ruse, sipas gjeneralit Vincenzo Camporini, ish-shefi i shtabit të mbrojtjes në Itali dhe analist i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare. Sulmi kundër Kievit ka dështuar dhe Moska synon të përqendrojë forcat e saj diku tjetër, si në rajonet e shkëputura, vëren gjenerali.

Ka gjithashtu raporte për humbje të mëdha nga pala ruse, duke përfshirë edhe forcat elitare. Ushtria ruse, thekson Camporini, ka burime të rëndësishme dhe është në gjendje t’i zëvendësojë këto humbje, por ekziston rreziku që situata në terren të bëhet gangrenoze. Gjenerali, si vëzhgues i jashtëm, beson se këto humbje nxjerrin në pah disa mangësi organizative dhe doktrinale nga ana e forcave ruse, të cilat duket se po luftojnë me metodat e Luftës së Dytë Botërore.

Situata humanitare mbetet e vështirë

Situata humanitare në Ukrainë mbetet e vështirë, ku ishte planifikuar të hapeshin shtatë korridore për të zhvendosur civilët nga qytetet e rrethuara, përfshirë Mariupolin. Megjithatë, Kryqi i Kuq nuk ishte në gjendje të arrinte në qytet për të ofruar nevojat themelore. Kryetari i bashkisë së Kievit ka ftuar banorët që duan të kthehen në kryeqytet të presin disa javë për të parë se si do të zhvillohet situata. rsi-eb

Raketa britanike Starstreak rrëzon helikopterin rus në përdorimin e tij të parë në Ukrainë

Një raketë Starstreak e prodhuar në Britani mendohet se ka rrëzuar një helikopter rus në përdorimin e parë të armës në Ukrainë – pasi presidenti i vendit Volodymyr Zelensky thotë se ‘pushtuesit po tërhiqen’ nga Perëndimi.

Sistemi Starstreak është një raketë e drejtuar me lazer që udhëton me më shumë se tre herë shpejtësinë e zërit për të rrëzuar avionët e armikut që fluturojnë ulët dhe helikopterët sulmues.

Britania po furnizon dhe trajnon trupat ukrainase në përdorimin e raketave anti-ajrore me shpejtësi të lartë, si dhe sigurimin e armaturës, helmetat dhe çizmet luftarake.

Kryeministri Boris Johnson ka këmbëngulur vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë mbështetje të mëtejshme mbrojtëse për Ukrainën, duke përfshirë një paketë të re prej 6,000 raketash të tjera.  bw

Ukraina mohon të ketë sulmuar depozitat e karburantit brenda Rusisë

VOA

Rusia akuzoi të premten Ukrainën për kryerjen e një sulmi ajror kundër një depozite karburanti që ndodhet në qytetin rus Belgorod. Kremlini tha se incidenti mund të ndikojë në bisedimet e paqes. Por një zyrtar i lartë ukrainas për çështje të sigurisë hodhi poshtë pretendimet se ky sulm mund jetë kryer nga Kievi.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se dy helikopterë ukrainas goditën objektin në Belgorod, pasi hynë në Rusi në një lartësi jashtëzakonisht të ulët rreth orës 5 të mëngjesit me orën e Moskës. Depozitat ndodhet rreth 35 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën.

Por një zyrtar i lartë për sigurinë në Ukrainë hodhi poshtë akuzat. Kjo është akuza e parë për një sulm ajror që dyshohet të jetë kryer nga Ukraina që kur Moska nisi sulmin ndaj këtij vendi më 24 shkurt. Belgorodi është një nga qendrat kryesore logjistike të Rusisë për luftën.

Ata thonë se ishin ne që e bëmë një gjë të tillë, por sipas informacioneve tona kjo nuk përputhet me realitetin“, tha Sekretari i Këshillit të Sigurisë Oleksiy Danilov për televizionin kombëtar ukrainas.

Më herët, zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës Oleksandr Motuzyanyk tha se ai as nuk mund ta konfirmonte dhe as ta mohonte përfshirjen e Ukrainës në një incident të tillë.

Ukraina aktualisht po kryen një operacion mbrojtës kundër agresionit rus në territorin e saj dhe kjo nuk do të thotë se Ukraina është përgjegjëse për çdo katastrofë në territorin e Rusisë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin ishte informuar për incidentin. Ai tha se sulmi mund të rrezikojë negociatat e paqes mes Moskës e Kievit.

Sigurisht që kjo nuk mund të shihet si krijimi i kushteve të duhura për vazhdimin e bisedimeve“, tha zoti Peskov, duke shtuar se po bëhej gjithçka për të parandaluar ndërprerjet në furnizimin me karburant në qytet.

Pamjet e kamerave të sigurisë së depozitës, të verifikuara nga Reuters, treguan një dritë të shpejtë, të një objekti fluturues që dukej të ishte një raketë e lëshuar nga një lartësi e ulët, ndjekur nga një shpërthim në tokë.

Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov tha se zjarri i shkaktuar nga goditja plagosi dy punëtorë dhe detyroi evakuimin e disa banorëve lokalë. Zjarri më vonë u vu nën kontroll, tha ai.

Firma ruse e naftës Rosneft ROSN.MM, e cila zotëron depon e karburantit, tha në një deklaratë të veçantë se askush nuk u lëndua nga zjarri. Ministria ruse e mbrojtjes tha se objekti ishte ekskluzivisht për përdorim civil.

VOA: Amelia, 7 vjeçarja nga Kievi përdor famën e saj për të ndihmuar Ukrainën

Një vajzë e vogël ukrainase, videoja e së cilës duke kënduar u bë virale ndërsa ishte në një vendstrehim në Kiev, po përdor famën e saj të re për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për vendin e saj. Shtatë vjeçarja Amelia Anisovych shkriu zemrat anembanë botës teksa këndoi këngën e njohur të Disney “Let it Go” nga filmi “Frozen”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze u takua me Amelian dhe familjen e saj në Poloni, ku ata po jetojnë si refugjatë.

Kur Amelia 7-vjeçare filloi të këndonte në vendstrehimin kundër bombardimeve ruse në Kiev, dhoma e zhurmshme e nëndheshme e mbushur me njerëz që fshiheshin nga bombardimet ruse, ra plotësisht në heshtje.

E regjistruar dhe e postuar nga një fqinje e saj e quajtur Martha, videoja e Amelias duke kënduar një këngë nga filmi i Disney “Frozen” u bë pothuajse menjëherë virale.

“Doja t’i gëzoja njerëzit. Atyre iu pëlqeu shumë, të gjithë duartrokitën, dhe më përshëndetën”, thotë Amelia për Zërin e Amerikës.

Amelia e tregon këtë histori në një park të qetë pranë kryeqytetit të Polonisë, së bashku me nënën e saj, Lilia, dhe gjyshen, Viran. Duke ushqyer zogjtë në liqen, ajo kujton se si ushqente rosat në Ukrainë. Dhe se si kur filloi lufta, ajo shpesh shkonte në vendstrehim dhe duhej ta shikonte çdo hap që hidhte për shkak të minave të mundshme gjatë rrugës. Nëna e saj, Lilia, kujtoi momentin kur vendosi se duhej të largohej nga Kievi.

“Amelia filloi të kishte frikë të rrinte pranë dritareve. Dhe kur dilnim nga shtëpia për të shkuar në vendstrehim ku shkonim natën, ajo më pyeste në çdo hap, a mund ta hedh hapin dhe nëse isha e sigurt. Në atë moment vendosa, e kuptova se ishte fundi, ishte vija e kuqe. Nëse e kaloja atë dhe do të qëndronim në Kiev, ajo do të dëmtohej psikologjikisht, dhe mund të bëhej një fëmijë që ka frikë nga hija e saj”, shpjegon Lilia.

Amelia kujton udhëtimin nga Kievi me trenin e mbushur plotë me njerëz.

“Disa njerëz ishin në këmbë, disa ulur dhe pastaj fjetëm në dyshemenë e stacionit të trenit, na dhanë dyshekë të butë”.

Nëna e saj thotë se njerëzit po i trajtojnë mirë këtu në Poloni. Familja prej katër anëtarësh jeton falas në një shtëpi pranë Varshavës. Amelia dhe vëllai i saj 15-vjeçar, Misha, mund të ndjekin shkollën këtu. Por nëna e tyre shpreson se ata do të jenë në gjendje të kthehen së shpejti në shtëpinë e tyre.

“Shpresoja të vija këtu për disa javë. Tani e kuptoj se mund të zgjasë më shumë, por kam ende shpresë se do të zgjasë vetëm për disa muaj. Kam frikë të imagjinoj se mund të jetë më gjatë. Nuk ka rëndësi se sa mirë dhe të sigurt jemi këtu – ndihem e huaj, do të doja të shkoja në shtëpinë time, do të doja të shihja burrin tim. Jam e shqetësuar për familjen time. Shpresoj që dikush do të dëgjojë lutjet e mia dhe lutjet e mijëra e miliona njerëzve dhe do të jem në gjendje të jem në shtëpi së shpejti”, thotë Lilia.

Amelia e ndjen se po rritet shpejt. Ajo duket jashtëzakonisht e maturuar teksa flet për vendin e saj.

“Duhet të flasim gjuhën tonë, jo rusisht, sepse armiku ynë flet rusisht, toka jonë është Ukraina. Duhet të flasim gjuhën ukrainase. Në Ukrainë po bëhet luftë sepse Rusia na sulmoi. Kam frikë për familjen time, babi është aty, gjyshi, gjyshja, kam frikë për të gjithë. Shumë fëmijë kanë vdekur. Unë do të doja të jetoja, shumë, dhe fëmijët e tjerë do të donin të jetonin”.

Nëna dhe gjyshja e Amelias po përpiqen të ruajnë një ndjenjë normaliteti për të dhe vëllain e saj të madh. Vitin e kaluar, Amelia filloi të shkonte në shkollë në Kiev. Tani një refugjate, ajo rifilloi studimet e saj në këtë qytet të vogël pranë Varshavës. Familja shpreson se lufta do të përfundojë dhe ata do të kthehen së shpejti.

Tani për tani, Amelia e vogël po përdor talentin e saj dhe famën e sapo krijuar duke kënduar në koncerte bamirësie në Poloni dhe duke mbledhur shumë fonde për të ndihmuar Ukrainën.

 

BE i kërkon Kinës të mos ndihmojë luftën e Rusisë në Ukrainë

VOAn

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Kinës po takohen sot për herë të parë pas dy vitesh. Brukseli ka ushtruar trysni ndaj Pekinit për garanci se nuk do ta furnizojë Rusinë me armë dhe se nuk do të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura lidhur me sulmin ndaj Ukrainës.

Me një gjuhë jashtëzakonisht të hapur, zyrtarët e BE-së thanë se çdo ndihmë dhënë Rusisë do të dëmtonte reputacionin ndërkombëtar të Kinës dhe do të rrezikonte marrëdhëniet me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Evropian Charles Michel, së bashku me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, filluan bisedimet virtuale me kryeministrin kinez Li Keqiang. Ata pritet të flisin më vonë të premten me Presidentin Xi Jinping.

Një zyrtar i BE-së tha se qëndrimi i Kinës ndaj Rusisë ishte një çështje së cilës është shumë e vështirë t’i përgjigjesh. Një tjetër zyrar vuri në dukje se mbi një e katërta e tregtisë globale të Kinës vitin e kaluar ishte me bllokun dhe Shtetet e Bashkuara, kundrejt vetëm 2.4% me Rusinë.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përsëriti thirrjen për bisedime paqeje këtë javë, duke shtuar se u duhet dhënë përgjigje shqetësimeve legjitime të të gjitha palëve.

Guvernatori: Ukraina ka goditur një depo nafte në Rusi

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur një depo nafte më 1 prill, në qytetin rus, Belgorod, i cili gjendet rreth 25 kilometra në kufi me Ukrainën.

Nëse konfirmohet, ky do te ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

Gladkov ka thënë në platformën Telegram se helikopterët kanë goditur objektin, pas kalimit të kufirit.

Sipas tij, dy punëtorë janë plagosur në sulmin e supozuar.

Megjithatë, kompania ruse e naftës, Rosneft, e cila ka në pronësi depon e naftës, ka thënë në një deklaratë ndaras se askush nuk është plagosur si pasojë e zjarrit.

Në deklaratë nuk janë dhënë informacione kush ka nisur zjarrin.

Në disa pamje, që thuhet se shpërfaqin sulmin, shihen ato që duken si raketa të cilat lëshohen, para shpërthimit.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes nuk ka komentuar ende për këtë gjë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. REL

Forcat ruse largohen nga centrali bërthamor i Çernobilit

Operatori shtetëror bërthamor i Ukrainës thotë se forcat ruse që kishin pushtuar centralin bërthamor të Çernobilit janë larguar nga objekti dhe janë nisur drejt kufirit me Bjellorusinë.

“Okupatorët, të cilët pushtuan termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet e tjera në zonën e përjashtuar, janë nisur në dy kolona drejt kufirit ukrainas”, tha Energoatom në një deklaratë.

Ai shtoi se forcat ruse ishin tërhequr gjithashtu nga qyteti i afërt i Slavutych, ku jetojnë shumë nga punëtorët që i shërbejnë objektit të Çernobilit. bw

Moska refuzon misionin e OSBE-së në Ukrainë

VOAL- Ndërkohë, përsa i përket diplomacisë, duhet theksuar se refuzimi i Moskës për të rinovuar mandatin e misionit të OSBE-së në Ukrainë i jep fund pranisë së zyrtarëve të aktivitetit monitorues që po zhvillohet që nga marsi 2014 me detyrën për të ndihmuar në uljen e tensioneve. dhe monitorojnë shkeljet e armëpushimit. Kremlini kundërshtoi gjithashtu një “letargji” të mundshëm të misionit, në pritje të përfundimit të armiqësive, të cilat filluan më 24 shkurt me pushtimin e territoreve të Ukrainës nga trupat e Vladimir Putin.

Ndërsa ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu foli sërish për armëpushimin, sipas të cilit “e rëndësishme është që të dyja palët të bëhen bashkë dhe të bien dakord për një armëpushim të qëndrueshëm”, duke theksuar se “është e pamundur të negociosh nën presionin e armëve”. Cavusoglu më pas nënvizoi se në bisedimet mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll të martën, “u arritën rezultatet më domethënëse që nga fillimi i konfliktit. rsi-eb

Një shpresë për të rrethuarit e Mariupolit

Shkatërrimi i qytetit të tyre është tashmë pjesë e jetës së përditshme për banorët e Mariupolit

Autobusët e parë për të marrë qytetarët e qytetit të shkatërruar – KNKK gati të “udhëheqë” operacione të tjera të ngjashme

VOAL- Ndërkohë që luftimet në të gjithë territorin ukrainas nuk janë qetësuar, po bëhen përpjekje për të shpëtuar civilët e bllokuar në qytete të ndryshme të vendit, të bombarduara nga pushtuesit rusë. Në mënyrë të veçantë, situata e pasigurt e banorëve të Mariupolit është në qendër të aksioneve të ndryshme mbështetëse, për t’i larguar ata nga qyteti.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) njoftoi të enjten se është gati “të udhëheqë” evakuimin e civilëve nga qyteti duke filluar nga nesër, e premte, me kusht që të ketë garancitë e nevojshme. Kështu thuhet në një komunikatë nga vetë organizata. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky operacion të zhvillohet. Nga kjo varet jeta e dhjetëra mijëra njerëzve”, të cilët prej javësh jetojnë në kushte rreziku ekstrem dhe pa ushqime dhe ilaçe.

Pikërisht nga Mariupoli, në mëngjes vonë, autobusët e parë (rreth njëzet) ishin nisur për në Zaporihzya, një qytet rreth 220 km larg. 28 autobusë të tjerë janë në pritje të lejes për të kaluar pikën ruse të Vasilivkës dhe për të shpëtuar dhjetëra persona të tjerë që kanë ikur nga qyteti i madh port, i cili pothuajse u rrafshua me tokë nga rusët.

Megjithatë, situata e civilëve është gjithashtu e ndërlikuar në disa vende të tjera të Ukrainës, si Chernihiv. Ndërsa ushtria e Kievit po çliron shumicën e qendrave të popullsisë në brendësi të saj, ata që jetojnë në grumbullimin e madh urban tani kanë pasur akses të kufizuar në ujë të pijshëm, energji elektrike ose ngrohje shtëpiake për një javë, kur trupat e Moskës kanë intensifikuar sulmin në qytet. , e cila aktualisht ende pret mbi 140,000 civilë.

Gjithashtu të enjten, tre trena të evakuimit të civilëve do të nisen nga rajonet e Luhanskut dhe Donetsk. Kështu deklaroi kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, Serhiy Haidai. Dje, të mërkurën, rreth 400 persona u shpëtuan nga bombardimet e forta në rajonin e Luhanskut. rsi-eb

BE reagon ndaj pranisë së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore në Serbi

RFE/RL

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për liderët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Serbi, që të mos bëjnë veprime të cilat mund të shihen si mohim apo relativizim i krimeve të luftës dhe që shkojnë në kundërshtim me procesin e pajtimit dhe bashkëpunimit me fqinjët.

Këto porosi janë dhënë si përgjigje në pyetjet rreth raporteve se në Serbi persona të dënuar për krime lufte po marrin pjesë aktive në fushatë zgjedhore, ndërsa disa të akuzuar madje dhe janë në lista si pjesëmarrës në zgjedhje.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian ka përsëritur thirrjen për liderët në rajon që të punojnë në frymën e pajtimit.

“BE-ja ka qëndrim të qartë parimor për nevojën për pajtim dhe qëndrime ndaj ngjarjeve të luftës. Procesi zgjedhor është në vazhdim e sipër dhe ne përsërisim rëndësinë e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe kredibile, të zhvilluara në përputhje me ligjet ekzistuese dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë ajo të enjten gjatë nje konference për media.

Sa i përket pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës në fushatën zgjedhore, zëdhënësja e BE-së ka thënë:

“Nuk ka vend në Evropë për mohim të gjenocidit, revizionizëm dhe glorifikim të kriminelëve të luftës, që shkon në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit ka thënë se “liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të japin shembull duke pranuar atë që ka ndodhur, të respektojnë viktimat dhe në mënyrë të sinqertë të promovojnë pajtimin duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan deri te gjenocidi”.

Disa media dhe organizata të shoqërisë civile nga Serbia kanë tërhequr vërejtjen për pjesëmarrjen e kriminelëve të luftës në fushatë zgjedhore. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi po ashtu e ka ngritur këtë çështje.

Sipas kësaj organizate, Sasha Cvjetan, i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, ka marrë pjesë në një manifestim në Srebrenicë krahas ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandar Vulin. Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia e ka quajtur të papranueshme praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në manifestime ku marrin pjesë persona që janë dënuar pë krime lufte.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), nga ana tjetër, ka njoftuar se disa të dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës kanë marrë pjesë në fushatën zgjedhore të Partisë Progresiste të Serbisë. Kanë përmendur Vladmir Lazareviqin, Veselin Shlivançaninin dhe Nikola Shainoviqin.

Llazareviqi ka qenë komandant i korpusit të Prishtinës i ushtrisë serbe në kohën e luftës dhe është dënuar me 14 vjet burgim për krime lufte. Gjenerali Shljivançanin ishte dënuar për krime lufte në qytetin e Vukovarit në Kroaci, në vitin 1991.

Edhe më parë Komisioni Evropian ka bërë ftesë që të mos u jepet hapësirë publike kriminelëve të luftës dhe të mos relativizohen krimet e tyre në mënyrë që të mos rrezikohet procesi i pajtimit në rajon.

Gjeorgjia denoncon planet e Osetisë së Jugut për bashkim me Rusinë

VOA

Gjeorgjia denoncoi të enjten si të papranueshme planet e shpallura nga separatistët pro-Moskës në rajonin separatist të Osetisë së Jugut, për të mbajtur një referendum për bashkim me Rusinë.

Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu territorin si shtet të pavarur së bashku me rajonin tjetër separatist, Abkhazinë, si dhe vendosi baza ushtarake atje.

Të mërkurën, udhëheqësi separatist i Osetisë së Jugut Anatoli Bibilov tha se shteti do të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të 10 prillit.

Ministri i Jashtëm i Gjeorgjisë David Zalkaliani tha të enjten është e papranueshme të flitet për referendum ndërsa territori është i pushtuar nga Rusia.

Një referendum i tillë nuk do të kishte fuqi ligjore“, u tha ai gazetarëve. Sipas tij Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një vendim të saj ka dalë në përfundimin se ky rajon i Gjeorgjisë është i pushtuar nga Rusia.

Të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor mbi këtë çështje. Por ai se në këtë rast bëhet fjalë për mendimin e popullatës së Osetisë së Jugut dhe se Moska do ta trajtonte atë me respekt. Javën e kaluar, zoti Bibilov tha se Osetia e Jugut kishte dërguar trupa për të luftuar së bashku me trupat ushtarake ruse në Ukrainë.

Në gusht të vitit 2008, Rusia nisi një sulm kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në Osetinë e Jugut, pas bombardimit nga këta të fundit të fshatrave gjeorgjiane. Luftimet përfunduan pas pesë ditësh me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por lufta shkaktoi vdekjen e më shumë se 700 personave si dhe nxiti shpërnguljen e dhjetëra mijëra gjeorgjianëve etnikë.

BE-ja përgatitet për një samit të tensionuar me Kinën

Reid Standish

Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të zhvillojnë një takim virutal me liderin kinez, Xi Jinping më 1 prill, ata planifikojnë ta paralajmërojnë Pekinin se do të ketë pasoja nëse i ofron ndihmë Rusisë në pushtimin e Ukrainës.

Ky samit mbahet në kohën kur raportet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian janë më delikate se kurrë më parë, teksa rreshtimi i Pekinit me Rusinë në luftën e saj në Ukrainë ka dëmtuar raportet veçse të tensionuara me Brukselin, që ishin përkeqësuar pas një sërë tensionesh tregtare dhe gjeopolitike.

“Në samitin e Kinës, ka një pajtim të madh midis përfaqësuesve të BE-së se nuk do të jetë një samit i zakonshëm dhe se Brukseli nuk duhet të jetë naiv”, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat evropian.

Lufta në Ukrainë – dhe raportet e ngrohta të Kinës me Kremlinin – do të lë në hije takimin, në të cilin BE-ja po shpreson të tregojë qëndrimin e saj të ashpër karshi Kinës dhe ta paralajmërojë atë kundër çdo mbështetjeje aktive për Rusinë.

Partneriteti i Pekinit me Moskën ka qenë në qendër të vëmendjes që prej se presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje strategjike në fillim të shkurtit. Por, përqendrimi në këtë partneritet është rritur pas pushtimit rus të Ukrainës.

Një raport i inteligjencës perëndimore pretendoi se Kina ishte në dijeni të planeve të Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën dhe madje i kishte kërkuar Moskës që ta shtynte nisjen e pushtimit deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës pajisje ushtarake dhe mbështetje ekonomike pasi Perëndimi i vendosi sanksione Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kina i ka hedhur poshtë këto dy pretendime dhe deri më tani qetësisht i ka respektuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, por Pekini po ashtu nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga raporti strategjik që ka ndërtuar me Kremlinin.

Në samit, Brukseli po ashtu po kërkon që t’ia bëjë me dije Pekinit se rreshtimi i tij me Rusinë mund të dëmtojë raportet e tij me BE-në, që është një prej raporteve më të mëdha ekonomike në botë dhe më 2021, tregtia dypalëshe arriti vlerën e 828 miliardë dollarëve.

“Është e qartë se Rusia është e kënaqur që e ka Kinën në anën e saj dhe është e qartë se kjo e ka trimëruar Moskën”, tha për Radion Evropa e Lirë një tjetër diplomat evropian. “Kina duhet të përpiqet të ndikojë mbi Rusinë që të arrihet armëpushim, të krijohen korridore humanitare që funksionojnë dhe përfundimisht të fillojë bisedimet e paqes. Por, me gjasë nuk mund të luajë rolin e ndërmjetëses, në kuptimin klasik të fjalës”.

Rusia dhe Kina

Pekini ka tentuar që ta paraqesë veten si neutral përgjatë krizës në Ukrainë dhe ka për qëllim që ta distancojë veten nga pushtimi i Moskës, por Kina po ashtu nuk e ka kritikuar Rusinë dhe shpesh u ka bërë jehonë deklaratave lidhur me shkaqet e nisjes së luftës.

Por, ky vallëzim diplomatik i Kinës po dëshmohet se është vështirë të mbahet teksa lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë.

Kina veçse ishte në fokus të takimeve midis NATO-s, liderëve evropianë me presidentin amerikan, Joe Biden, që u mbajtën në Bruksel më 24 dhe 25 mars. Gjatë këtyre takimeve, aleanca perëndimore ngriti shqetësimet lidhur me mbështetjen ushtarake kineze dhe dezinformatat, teksa Pekini mbështet narrativin e Rusisë sa i përket luftës.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se po krijohej “një momentum të ri” lidhur me atë se si BE-ja e sheh Kinën dhe se qëndrimi aktual i Pekinit ndaj pushtimit rus ishte i paqëndrueshëm.

“Nuk mundesh që në këtë situatë të shmangesh pa e bërë plotësisht të qartë: ose e mbështet Rusinë – duke e mbështetur luftën e saj në Ukrainë – ose nuk e mbështet”, tha Landsbergis.

Në samitin me Kinën, strategjia evropiane është që të bëjë të qartë pasojat për një mbështetje më të hapur për Rusinë dhe do të theksojë se pasojat mund të jenë në kurriz të raportit më të gjerë me BE-në. Këto lidhje janë përdorur nga Kina në konkurrencën e saj me Shtetet e Bashkuara dhe janë bërë më të rëndësishme për Pekinin pasi tensionet me Uashingtonin janë rritur.

Dy raportet më të mëdha të Kinës janë me SHBA-në dhe BE-në dhe Pekini ndoshta nuk është i gatshëm t’i rrezikojë raportet me Evropën teksa mund të përballet me pasoja të mundshme nga lufta në Ukrainë, nga shpërthimet në rritje të COVID-19 brenda Kinës, krizës financiare në sektorin e pronave të shtetit dhe kongresin e rëndësishëm të Partisë Komuniste që pritet të mbahet në vjeshtë, e në të cilin, Xi pret që ta zgjasë sundimin e tij.

Noah Barkin, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall, tha se të gjitha këto i japin Brukselit leva shtesë të ndikimit.

“Brukseli po vë bast që Xi nuk do të dëshirojë ta tjetërsojë BE-në, veçanërisht në një kohë të ndjeshme”, tha Barkin për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët e BE-së nuk presin që Pekini të prishë partneritetin e tij me Moskën dhe nuk besojnë se blloku evropian duhet të bëjë kërcënime në këtë drejtim. Por, ata veçse kanë shqyrtuar përgjigjet ndaj Kinës, siç është kufizimi i qasjes kineze në tregun e përbashkët të BE-së, nëse Kina hapur mbështet Kremlinin apo armatos ushtarët rusë, thanë katër diplomatë të lartë evropianë.

Një epokë e re

Paralajmërimi nga blloku 27-anëtarësh vjen mes një trajektoreje në rënie në raportet BE-Kinë dhe një bashkim në rritje të politikës së Brukselit dhe Uashingtonit sa i përket Kinës.

Në dhjetor të vitit 2020, pas samitit të fundit BE-Kinë, të dyja palët u pajtuan për një traktat ambicioz të investimit, pasi për katër vjet kishte pasur marrëdhënie të përkeqësuara midis Evropës dhe SHBA-së gjatë administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Pasi marrjes së detyrës, presidenti amerikan, Joe Biden, ndërmori veprime për të përmirësuar raportet me homologët evropianë dhe raportet e BE-së me Kinën që atëherë janë përballur me disa pengesa. Për shembull, pakti i madh i investimeve është ngrirë që prej muajit maj, për shkak se Pekini ka futur në listë të zezë një grup të ligjvënësve evropianë, ekspertë dhe diplomatë evropianë lidhur me sanksionimin e BE-së të katër zyrtarëve kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve dhe minoriteteve të tjera myslimane në provincën perëndimore kineze, Ksinjiang.

Blloku evropian po ashtu ka prezantuar forma të reja të legjislacionit për t’u mbrojtur nga presioni ekonomik kinez dhe gjithashtu ka dërguar një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me hakmarrjen e Pekinit ndaj Lituanisë, pasi kjo e fundit lejoi që Tajvani të hapë një zyrë të përfaqësimit në Vilnius më 2021. Kina u kundërpërgjigj duke bllokuar importet lituaneze, përfshirë edhe komponentë të këtij shteti baltik në produktet e vendeve të tjera.

Përveç lidhjeve Kinë-Rusi dhe luftës në Ukrainë, samiti po ashtu pritet të trajtojë edhe mosmarrëveshjet tregtare me Lituaninë, shkeljet e Kinës në Ksinjiang dhe Tajvan.

“Ndryshimi i qasjes së BE-së ndaj Kinës për të marrë parasysh rivalitetin që ekziston tani nënkupton që duhet të bëhet shumë punë në prapaskenë për të ulur varësinë nga Kina”, tha për REL-in, Thorsten Benner, drejtor i Institutit Global të Politikave Publike, me seli në Berlin.

“Evropa nuk do të ndryshojë në mënyrë drastike brenda natës lidhjet e saj ekonomike me Kinën, por do të përshpejtojë procesin e përshtatjes”, shtoi ai.

Rruga e kujdesshme e Evropës

Përderisa samiti paraqet një mundësi që BE-ja të shfaqë unitetin e saj për t’i bërë presion Kinës që të mos e ndihmojë në mënyrë aktive Rusinë, zyrtarët e BE-së po ashtu kanë sinjalizuar një preferencë të shteteve anëtare që kërkojnë që të mbahen të hapura linjat e Pekinin dhe të ndiqet një rrugë e mesme që nuk e largon Kinën ose nuk e fut Brukselin në mes të tensioneve SHBA-Kinë.

Në të kaluarën, Kina me sukses ka arritur që të krijojë ndasi midis BE-së dhe SHBA-së me premtime dhe mundësi lidhur me zgjerimin e qasjes në treg dhe bashkëpunim në ndryshimet klimatike, dhe shumë analistë parashikojnë se Xi do të përdorë sërish karta të ngjashme gjatë takimit virtual të 1 prillit.

“Ekziston ende një besim në Pekin se kur të vijë koha, Evropë do t’i japë përparësi raporteve të biznesit mbi gjithçka tjetër”, tha Barkin nga fondi Marshall. “Por, gjatë vitit të kaluar, Pekini vazhdimisht e ka keqkuptuar Evropën”.

Lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për Evropën, me Brukselin dhe shtetet anëtare që u kanë dhënë dritën e gjelbër sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Rusisë dhe i kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe të sigurisë për Kievin. Më herët, shumë shtete kishin kundërshtuar këto masa dhe Kremlini nuk e priti që BE-ja do të ndërmerrte këto veprime.

Përderisa BE-ja ende po shikon se çfarë kursi do të ndërmarrë për t’u përballur me Kinën, Barkin tha se Pekini rrezikon që të llogarisë në supozime të mëhershme lidhur me politikën evropiane.

“Keqkuptimi i Evropës për Ukrainën mund të ketë pasoja edhe më serioze”, tha Barkin. “Mund të shënojë një pikë kthese në raportet BE-Kinë, duke e anuar ekuilibrin drejt një rivaliteti sistematik që mund të jetë larg partneritetit”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Ukraina thotë se ka miliona ton rezerva të grurit dhe misrit

 

Ukraina, një prodhues dhe eksportues i madh global i drithërave, ka stoqe prej 13 milionë ton misër dhe 3.8 milionë grurë, tha të enjten zëvendësministri i Bujqësisë në Ukrainë, Taras Vysotskiy.

Ai shtoi se Ukraina nuk mund të eksportojë grurë, pasi portet detare janë bllokuar për shkak të pushtimit rus.

Më shumë se 90% e eksporteve të grurit të Ukrainës eksportohen përmes porteve të Ukrainës në Detin e Zi. rel

Rusia shpall armëpushimin në Mariupol

RFE/RL

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, për të lejuar evakuimin e civilëve.

“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ministria në një deklaratë të cituar nga AFP të mërkurën.

Korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhzhia – përmes qytetit Berdiansk që kontrollohet nga Rusia – do të hapet në mëngjesin e së enjtes.

Autoritetet e Ukrainës nuk e ka komentuar ende këtë njoftim.

Përpjekjet e mëparshme për të vendosur një armëpushim në Mariupol kanë dështuar, mes akuzave për sulme nga të dyja palët.

Rusia është akuzuar gjithashtu se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Njoftimi vjen pasi fotot e reja satelitore treguan shkatërrimin e shkaktuar nga granatimet.

Imazhet e publikuara nga kompania e vëzhgimit të Tokës Maxar, treguan se zonat e banuara janë kthyer në gërmadha. Këto imazhe, kanë vënë në pah topat e artilerisë ruse në pozicionet e qitjes në periferi të qytetit.

Ushtari ukrainas flet nga fshati i çliruar në Kharkiv

VOA

Pas më shumë se një muaj luftimesh të ashpra në rajonin e Kharkivit, ushtria ukrainase thotë se ka çliruar një fshat dhe se ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme po detyrojnë forcat ruse të tërhiqen. Duke folur nga fshati i çliruar Mala Rohan, një ushtar ukrainas thotë se në këtë zonë ka filluar të rikthehet jeta.

Në fshatin Mala Rohan, në lindje të rajonit të Kharkivit, i çliruar nga trupat ukrainase, këto shkatërrime janë dëshmitë e pranisë ushtarake ruse.

Dy tanke të djegura shihen pranë shtëpive të shkatërruara të fshatit.

Guvernatori i Kharkivit Oleh Synegubov tha para dy ditësh se një kundërsulm i forcave ukrainase çliroi fshatin që ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Kharkivit.

Ushtari ukrainas Maksym i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ushtarët rusë kanë humbur motivimin dhe se një pjesë e mirë e tyre e kanë kuptuar gabimin e ndërhyrjes ushtarake në Ukrianë.

“Po i largojmë ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme. Mendoj se atyre u ka rënë morali. Shumica prej tyre e kanë kuptuar se ardhja këtu ishte një gabim i madh. Prandaj mendoj se nuk kanë shanse, ne do të fitojmë“, thotë ai.

Ndërsa përshkruan gëzimin e banorëve ukrainas, ushtari thotë se në pjesët e çliruara të Kharkivit, po rikthehet jeta.

“Sa më shumë që i largojmë ata, aq më afër jemi me civilët që kanë jetuar në fshatrat e pushtuara. Njerëzit na presin me buzëqeshje, duan të flasin me ne. Më në fund mund të dalin nga shtëpitë e tyre dhe mund të lëvizin lirshëm. Kur armiku ishte në fshatra, njerëzit nuk largoheshin nga bodrumet e tyre. Tani jeta po rikthehet”, thotë ai.

Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është nga më të goditurit që nga fillimi i sulmit rus.

Nga 24 shkurti Rusia ka bombarduar zona banimi, shkolla dhe spitale të Kharkivit.

Moska humb kolonelin e tetë- A po sulmon Ukraina tani edhe në Rusi?

Një kolonel i tetë rus është vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë. Kjo është një tjetër goditje e rëndë për Vladimir Putinin, që ka humbur një numër shumë të madh oficerësh të lartë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Kievi thotë se ka eliminuar kolonelin Denis Kurilo gjatë luftimeve pranë Kharkivit. Brigada e tij ka pësuar shumë humbje gjatë luftimeve të ashpra.

Deri tani, Moska ka humbur shtatë gjeneralë dhe tetë kolonelë.

Ndërkohë pavarësisht paralajmërimeve, luftimet në Ukrainë po vazhdojnë me të njëjtin intensitet.

Nga ana tjetër, Daily Mail raporton se Ukraina mund të ketë sulmuar një depo armësh në territorin rus. Depoja e armëve në qytetin Belgorod në perëndim të Rusisë u hodh në erë nga një raketë ruse.

Lajmi nuk është konfirmuar nga Ukraina. Depoja ndodhet rreth 15 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas. syri.net

Akuzohen për spiunazh, Belgjika dhe Holanda dëbojnë 38 diplomatë rusë

Belgjika dhe Holanda kanë dëbuar në total 38 diplomatë rusë, të akuzuar për spiunazh.

Belgjika ka vendosur që të dëbojë nga vendi i tyre 21 diplomatë, ndërsa Holanda 17.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Jashtme e Brukselit, Sophie Wilmes, e cila ka thënë se diplomatët duhet të largohen brenda 2 javësh. Diplomatët janë të akredituar në Ambasadën e Moskës në Bruksel dhe Konsullatën e Përgjithshme në Antwerp. Vendimi, shton ai, u mor në koordinim me Holandën, e cila nga ana e saj dëboi 17 diplomatë rusë. bw

E njohur si ‘Pantera e Zezë’ dhe përgjegjëse për vdekjen e qindra civilëve në Ukrainë, snajperistja ruse me origjinë serbe kapet nga forcat ukrainase

Një snajperiste  ruse përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 personave është kapur pasi u braktis nga shokët e saj në fushën e betejës.

Irina Starikova, me emrin e koduar “Bagheera”, sipas panterës së zezë të Librit të xhunglës të Rudyard Kipling – ka shërbyer me forcat separatiste në Donetsk që nga viti 2014.

Ajo ishte kërkuar nga ukrainasit për vite me radhë për rolin e saj të dyshuar në një krim lufte që përfshinte pushkatimin e të burgosurve. Starikova, 41 vjeç, është me origjinë nga Serbia dhe në mediat vendase raportohet se është e divorcuar me dy vajza.

Duke njoftuar kapjen e saj, ushtria ukrainase tha se ajo kishte “gjak të të paktën 40 njerëzve në duart e saj, përfshirë civilë”. Ai shtoi se kushdo “që vret njerëz paqësorë në tokën tonë mund të presë hakmarrje”. Deklarata shoqërohej me tre fotografi të Starikovës dhe letrat e saj ushtarake.

Forcat ukrainase e gjetën të shtrirë të plagosur në fushën e betejës dhe e dërguan në një spital ku u trajtua, sipas Vlad Ivanov, një luftëtar vullnetar. Ajo thuhet se tha se bashkëluftëtarët e saj e kishin braktisur, “duke e ditur që unë isha plagosur dhe duke pasur mundësinë të më merrnin, ata thjesht vendosën të më linin atje, duke shpresuar se do të vdisja”.

Bagheera ka fituar famë në Ukrainë që nga viti 2014, kur u akuzua për vrasjen e të burgosurve ukrainas të luftës në Donetsk. Sfondi i saj është subjekt i spekulimeve dhe thashethemeve. Një raport i vitit 2018 nga Radio Liberty Ukraine pretendonte se ajo ishte një ish-hendbolliste e cila u bë abace pasi mori një dënim për trafik droge.

Rusia ka një histori të gjatë të vendosjes së snajperëve femra në fushën e betejës. Lyudmila Pavlichenko, e cila luftoi me Ushtrinë e Kuqe në Luftën e Dytë Botërore, thuhet se u mori jetën 309 ushtarëve gjermanë, duke i dhënë asaj pseudonimin “Zonja Vdekja”. Snajperet femra ishin të diplomuara në Shkollën Qendrore të Grave për Trajnimin Snajper, pranë Moskës, të komanduara nga veterane femra të Luftës Civile Spanjolle. bw

Ukraina në bisedimet me Rusinë: Neutraliteti në këmbim të sigurisë

Delegacionet u pritën nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

 

VOAL- Rusia do të reduktojë ndjeshëm aktivitetin e saj ushtarak në drejtim të Kievit dhe Chernihiv “për të rritur besimin reciprok” në dritën e raundit të sotëm (të martë) të negociatave në Stamboll. Kështu deklaroi zëvendësministri rus i Mbrojtjes Aleksandër Fomin. “Negociatat po hyjnë në dimensionin praktik”, shtoi ai, ndërsa shefi i delegacionit të Moskës, Vladimir Medinski, konfirmoi se bisedimet ishin “konstruktive”. Ditët e fundit, Kremlini kishte bërë të ditur tashmë se donte të përqëndrohej në “çlirimin” e Donbass, zonës lindore në të cilën ndodhen republikat separatiste të Donetsk dhe Luhansk.

Kievi ka paraqitur propozime me shkrim që parashikojnë heqjen dorë nga prodhimi dhe pranimi i të gjitha armëve të shkatërrimit në masë dhe neutraliteti i Ukrainës, gjë që do të rezultonte në ndalimin e anëtarësimit në një aleancë ushtarake (dhe për rrjedhojë në NATO) dhe në pritjen e bazave të të huajve. Në këmbim, megjithatë, ai kërkon një mekanizëm sigurie të krahasueshëm me dispozitat e nenit 5 të Aleancës Atlantike, i cili përcakton se një sulm kundër njërit prej anëtarëve është i barabartë me një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë garanton mbrojtje reciproke. Kështu do të ruhej nga çdo synim i ri rus. Vendet garantuese do të caktoheshin. Negociatori David Arakhamia përmendi mes atyre që Ukraina do të donte në këtë rol, katër anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Turqinë, Gjermaninë, Poloninë dhe Izraelin.

Dokumentin përfaqësuesit rusë do t’ia dorëzojnë Vladimir Putinit, i cili do të duhet të përgjigjet. Në mënyrë që marrëveshja të zbatohet sa më shpejt, çështjet territoriale që do të zgjidhen mbeten të përjashtuara nga ajo për momentin, ato që kanë të bëjnë me Donbasin dhe Krimenë e sipërpërmendur, të aneksuara de fakto në Rusi që nga viti 2014. Dhe në këtë pikë, për Kiev, gjithashtu do të ishte koha për një takim midis Putinit dhe Volodymyr Zelensky.

Duhej të ishin “dy ditë” negociata, por duke pasur parasysh rezultatin e sotëm dhe në pritje të qëndrimit të Kremlinit – specifikoi Turqia – nuk do të ketë kthim në tryezë të mërkurën. rsi-eb

BE, përpjekje për t’i dhënë fund skemës së “pasaportave të arta” për shtetasit rusë

VOAL- Marrë nga Associated Press

Komisioni Evropian rekomandoi të hënën që vendet e BE-së t’i japin fund skemave të pasaportave të arta që u lejojnë njerëzve të pasur të blejnë shtetësinë e bllokut dhe u kërkoi atyre të vlerësojnë nëse oligarkëve rusë të lidhur me Kremlinin ose atyre që mbështesin luftën në Ukrainë duhet t’u hiqen të drejtat e nënshtetësisë.

Komisioni Evropian nisi procedurat e shkeljes kundër Qipros dhe Maltës në vitin 2020 në lidhje me skemat e tyre të pasaportave të arta, dhe sulmi rus kundër Ukrainës ka tërqhequr një vëmendje më të madhe për këtë temë.

Komisioni paralajmëroi se disa shtetas rusë ose bjellorusë, të cilët janë ndër 877 individët e shënjestruar nga ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit të vendosura që nga viti 2014, ose që mbështesin sulmin rus ndaj të fqinjit të tij, mund të kenë marrë nënshtetësinë e BE-së ose leje për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen” nëpërmjet këtyre skemave.

Dega ekzekutive e BE-së tha se vendet duhet të shqyrtojnë tani mundësinë e tërheqjes së pasaportave të arta të lëshuara për individë të tillë. BE gjithashtu rekomandoi heqjen e menjëhershme të lejeve të qëndrimit që janë dhënë në bazë të një skeme investitori për qytetarët rusë ose bjellorusë që mbështesin luftën ose janë goditur nga sanksionet.

Malta dhe Bullgaria ofrojnë aktualisht shtetësinë sipas planeve të investimeve në veprim, ndërsa Qiproja, e cila mbylli programin e saj në nëntor të vitit 2020, është duke përpunuar vetëm aplikimet e dorëzuara përpara kësaj date. Ligjvënësit bullgarë së fundmi mbështetën një vendim për t’i dhënë fund programit të pasaportës së artë.

Qipro e anuloi programin pasi një raport i fshehtë televiziv tregonte se kryetari i parlamentit dhe një ligjvënës i fuqishëm pretendonin se mund të anashkalonin rregullat për t’i lëshuar pasaportën një investitori fiktiv kinez, i cili supozohej se ishte dënuar për mashtrim në vendin e tij.

Një raport i vitit 2021 zbuloi se më shumë se gjysma e gjithsej 6,779 pasaportave u lëshuan në mënyrë të paligjshme për të afërmit e investitorëve të pasur gjatë periudhës 13-vjeçare të programit që solli mbi 8 miliardë euro në të ardhura. Raporti thoshte se qeveria kishte interpretuar gabimisht ligjin për lëshimin e pasaportave për të afërmit dhe gjithashtu zbuloi se afro 770 të huajve iu dha gabimisht shtetësia, kryesisht për shkak të verifikimit të pamjaftueshëm.

Ministri i Brendshëm i Qipros, Nicos Nouris konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se katër rusë që janë sanksionuar kanë marrë një pasaportë qipriote sipas skemës së investimeve të vendit ishull.

Sipas Parlamentit të BE-së, dymbëdhjetë vende të BE-së ofrojnë të lejet e qëndrimit bazuar në skemën e investimeve. Kushtet minimale të investimit variojnë nga 60,000 euro deri në 1,250,000 euro.

“Vlerat evropiane nuk janë në shitje. Ne konsiderojmë se shitja e nënshtetësisë përmes ‘pasaportave të arta’ është e paligjshme sipas ligjit të BE-së dhe paraqet rreziqe serioze për sigurinë tonë”, tha Didier Reynders, Komisioner për Drejtësinë dhe Konsumatorët. “Kjo i hap derën korrupsionit, pastrimit të parave dhe shmangies së taksave”, shtoi ai.

Rekomandimi i komisionit erdhi pasi ligjvënësit evropianë kërkuan në fillim të këtij muaji që t’i jepej fund shitjes së shtetësisë përmes skemave të investimeve dhe përmirësimit të rregullave të programeve të investimit që u mundësojnë investitorëve marrjen e lejeve të qëndrimit.

Përveç thirrjes së tij “për të shfuqizuar menjëherë çdo skemë ekzistuese të shtetësisë së investitorëve”, komisioni u kërkoi gjithashtu vendeve të BE-së të kryejnë kontrolle të rrepta përpara se të lëshojnë çdo leje qëndrimi për investitorët.

Çfarë konsumuan Abramovich dhe negociatorët ukrainas të cilët dyshohet se u helmuan?

Miliarderi rus, Roman Abramovich, i cili është përfshirë në negociatat ruso-ukrainase për të siguruar paqen dyshohet se është tentuar të helmohet. Simptoma helmimi kanë pasur gjithashtu edhe dy negociatorë të tjerë ukrainas.

Ngjarja ka ndodhur gjatë takimeve në Kiev në datat 2 dhe 3 mars, siç raportoi Ëall Street Journal.

Ndërkohë, sipas grupit investigativ të gazetarisë Bellingcat, ata që ishin në shënjestër kishin konsumuar vetëm çokollatë dhe ujë para fillimit të simptomave.

Platforma  thotë se doza e toksinës nuk ishte e mjaftueshme për t’i vrarë dhe “me shumë mundësi kishte për qëllim t’i trembte ata” në vend që të shkaktonte dëme./abcnews.al

Abramovich dhe negociatorët ukrainas dyshohet se janë helmuar

RFE/RL

Miliarderi i sanksionuar rus, Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas për paqe, janë përballur me pasoja të helmimit të dyshuar më herët gjatë këtij muaji, pas një takimi në Kiev, ka raportuar gazeta amerikane, Wall Street Journal më 28 mars.

Gazeta ka cituar burimet e saj, të afërta me këtë çështje, por pa përmendur emra.

Sipas saj, Abramovich, i cili ka pranuar kërkesën ukrainase për të ndihmuar në negociim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë, dhe të paktën dy pjesëtarë të lartë të ekipit ukrainas, janë prekur në helmimin e dyshuar.

Në mesin e simptomave kanë qenë: skuqja e syve dhe qërimi i lëkurës në fytyrë dhe duar, ka raportuar Wall Street Journal.

Një zëdhënës i Abramovichit ka konfirmuar se oligarku rus dyshohet se është helmuar.

Abramovich, pronar i klubit anglez, Chelsea, dhe negociatorët ukrainas, përfshirë ligjvënësin tatar të Krimesë, Rustem Umerov, tani janë në gjendje stabile dhe jo në rrezik për jetën, ka thënë gazeta.

Një person i afërt me këtë çështje ka konfirmuar incidentin për agjencinë e lajmeve Reuters, mirëpo ka thënë se kjo gjë nuk e ka ndalur punën e Abramovichit.

Edhe grupi për hulumtime Bellingcat e ka konfirmuar incidentin.

“Bellingcat mund të konfirmojë se tre anëtarë të delegacionit në bisedimet për paqe, në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të datës 3 dhe 4 mars 2022, janë përballur me simptoma si të helmimit me armë kimike. Në mesin e viktimave ka qenë sipërmarrësi, Roman Abramovich”, ka thënë grupi në Twitter.

Persona të afërt me këtë çështje kanë thënë se përkrahësit e linjës së ashpër në Moskë mund të kenë kryer sulmin, pasi kanë dëshiruar që të sabotohen bisedimet për dhënie fund të luftës.

Një tjetër person i afërt me Abramovichin ka thënë se nuk është e qartë se kush e ka shënjestruar grupin, dhe ekspertë perëndimorë, të cilët kanë analizuar incidentin, kanë thënë se është e vështirë të kuptohet nëse simptomat janë shkak i ndonjë agjenti kimik apo biologjik, pa e përjashtuar edhe mundësinë e sulmit me rreze elektromagnetike.

Kremlini ka thënë se Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo procesi tani është në duart e ekipeve negociatore.

Shtetet e Perëndimit kanë vendosur sanksione të pashembullta kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke përfshirë edhe oligarkët dhe individë tjerë në listën e sanksioneve.

Abramovich është në mesin e sanksionuarve nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kush është Roman Abramovich?

Roman Arkadyevich Abramovich ka lindur në Saratov, në jugperëndim të Rusisë më 1966.

Nëna e tij, Irina, ka vdekur nga helmimi i gjakut kur ai ka qenë një vjeç dhe babai i tij ka vdekur dy vjet më vonë, pas një aksidenti me një kran ndërtimi.

Abramovich është rritur nga familjarët, duke kaluar kohë në Komi, në veriperëndim të Rusisë, ku ka pasur pak para dhe temperaturat kanë qenë të ulëta.

“Nëse them të vërtetën, nuk mund ta quaj fëmijërinë time si të keqe”, ka thënë ai më parë për të përditshmen britanike, Guardian.

“Në fëmijëri nuk mund të krahasoni gjërat: njëri ha karota, tjetri bonbone, të dyja shijojnë mirë. Si fëmijë, nuk mund të bëni dallimet”.

Ai e ka lënë shkollën kur ka qenë 16 vjeç, ka punuar si mekanik dhe ka shërbyer për Ushtrinë e Kuqe, para se të shiste lojëra të plastikës në Moskë.

Më vonë ka shitur parfume dhe ka ndërtuar pasurinë e tij në periudhën e hapjes së madhe, kur ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev ka krijuar më shumë hapësirë për sipërmarrësit.

Ai është bërë aleat i ish-presidentit rus Boris Yeltsin dhe lojëtar në skenën politike post-sovjetike të Moskës.

Ai madje ka pasur një apartament në Kremlin për një periudhë.

Kur Yeltsin ka dhënë dorëheqje më 1999, Abramovich është thënë se ka qenë në mesin e atyre që kanë mbështetur, atëbotë kryeministrin dhe ish-shefin e spiunimit, Vladimir Putinin, si presidenti shteti.

Teksa Putini ka qenë duke rritur pozitën e vet, ai ka synuar të rrisë edhe dominimin ndaj oligarkëve.

Disa janë burgosur, disa kanë ikur nga shteti, por asnjëra nuk ka ndodhur me Abramovichin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e emëruar Abramovichin si guvernator të rajonit Çukotka.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke e emëruar Abramovichin si guvernator të rajonit Çukotka.

Më 2000, ai është zgjedhur guvernatori i rajonit Çukotka, në verilindje të Rusisë.

Ai është bërë i famshëm pasi ka investuar paratë e tij në shërbime sociale, mirëpo ka dhënë dorëheqje më 2008.

Ndërkohë, ai është raportuar se ka rritur pasurinë e tij, duke blerë, piktura, shtëpi dhe makina.

Më 2003, manjati rus ka blerë klubin anglez të futbollit, Chelesa.

“Jam i sigurt se njerëzit do të fokusohen te unë për tre deri në katër ditë, mirëpo kjo gjë do të kaloj”, ka thënë Abramovich kur ka blerë klubin.

“Ata do të harrojnë kush jam unë, dhe më pëlqen kjo gjë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Scholz kërkon që BE-ja të nisë bisedimet për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin

RFE/RL

Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropiane me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak se vonesat në këtë drejtim, do ta bëjnë Ballkanin Perëndimor të ndjeshme ndaj ndikimit të jashtëm.

Kështu deklaroi të hënën kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Është e qartë edhe për Gjermaninë dhe Suedinë se BE-ja duhet të shtyjë përpara me reforma institucionale për ta bërë veten të aftë për zgjerim”, tha Scholz gjatë një konference për media pas takimit me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson.

Nisja e bisedimeve për anëtarësim për Tiranën dhe Shkupin u bllokuan në nëntor të vitit 2019, pasi Bullgari, si shtet anëtar i BE-së, vendosi veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

Dialogu në faza për arritjen e marrëveshjes finale

Sofja kërkoi që fillimisht të arrihet një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë formuar grupe punuese, duke tentuar që të zgjidhin mosmarrëveshjet, në mënyrë që Shkupi dhe Tirana të mund të nisin bisedimet për integrim evropian.

Deutsche Welle: Ushtarë rusë të plagosur në Ukrainë mbushin spitalet bjelloruse, mjekëve u ndalohet të flasin

Nga Olga Stefanoviç, Deutsche Welle.

Qëkurse forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar për humbje ushtarake vetëm një herë. Më 2 mars ajo tha se ishin vrarë 498 ushtarë dhe ishin plagosur 1,597 të tjerë. Zyrtarët ukrainas thonë se nga pala ruse ka pasur të paktën 14,200 të vdekur. Ndoshta asnjëra palë nuk thotë të vërtetën.

Por sipas njoftimeve të mediave bjelloruse dhe kanaleve në Telegram shumë ushtarë rusë të plagosur po sillen në Bjellorusi ku marrin trajtimin e parë mjekësor përpara se të transportohen për në Rusi.

Madje edhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha pesë ditë pas fillimit të luftës, se në qytetet Gomel, Mazyr dhe në një qytet tjetër bjellorus ishin trajtuar rreth 160 dhe 170 ushtarë rusë.

Ushtarë të rinj nga rajone të varfra të Rusisë

Katër burime thanë për DW se në këto qytete jugore të Bjellorusisë kishte ushtarë rusë. Po ashtu ata thanë se në Narovlya, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, ishte ngritur edhe një spital fushor. Një burim tha për DW se shumë ushtarë të plagosur që kanë arritur në Mazyr kishin humbur “krahë, këmbë, veshë apo sytë”. Ata thanë se disa kishin arritur me shumë vonesë dhe se u kishte filluar gangrenizimi i gjymtyrëve.

Burimi tha se disa nga të plagosurit nuk kishin ngrënë prej pesë ditësh, dhe se kur mbërritën ishin të çorientuar dhe donin të telefononin me prindërit e tyre: “Fjala është për ushtarë që kanë lindur në vitin 2003. Ata vijnë nga rajone të varfra të Rusisë dje janë në thelb ende fëmijë.”

Një burim tjetër që nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në sektorin e kujdesit shëndetësor, por i informuar mirë për situatën tha se në një spital në rajonin e Gomel, kryhen “pa ndërprerje operacione”, deri në 50 çdo natë. Burimi tha se shpesh kirurgëve u duhet t’u presin ushtarëve rusë  gjymtyrët. “Spitali është plot”, tha burimi, duke kërkuar që vendndodhja e spitalit të mos bëhet publike.

Spitalet nën kontroll të rreptë nga shërbimet sekrete

Shumë mjekë të kontaktuar nga DW refuzuan të flisnin në lidhje me trajtimin mjekësor të ushtarëve rusë. Dy burime thanë se mjekëve u duhej të nënshkruanin një marrëveshje për të mos folur.

Fondacioni Bjellorus i Solidaritetit Mjekësor konfirmoi se të gjitha spitalet janë nën kontroll të rreptë. “Në spitale ka mjaft punonjës të KGB-së ose FSB-së. Të gjitha ndërtesat e spitaleve janë nën mbikëqyrje. Shumë mjekë bjellorusë, që mendohet se mund të kenë treguar diçka për çfarë po ndodh në spitale, janë zëvendësuar me mjekë rusë,” tha një zëdhënës, duke shtuar se shumë mjekë dhe punonjës të spitaleve kanë frikë të flasin për ato që kishin parë ose bërë.

Disa persona thanë për DW se trupat e ushtarëve të vdekur rusë transportohen nga Ukraina në Bjellorusi. Edhe zëdhënësi i Fondacionit Bjellorus të Solidaritetit Mjekësor tha se spitalet në Bjellorusi janë të mbingarkuar duke shtuar se ka edhe shumë ushtarë të vdekur. Megjithatë askush nuk mund të jepte një shifër të saktë.

Ukraina eksporton drithërat e para me tren në Evropë

RFE/RL

Tregtarët kanë eksportuar furnizimet e para të misrit ukrainas në Evropë me tren pasi portet detare të vendit mbeten të bllokuara për shkak të pushtimit rus, tha të dielën konsulenca bujqësore (APK Inform).

Ukraina është një prodhues dhe eksportues kryesor global i drithërave dhe pothuajse të gjitha eksportet e saj janë transportuar tradicionalisht nga portet e saj të Detit të Zi. Eksportet mujore të drithërave i kalonin 5 milionë tonë para luftës.

Tregtarët dhe zyrtarët e bujqësisë kanë thënë se Ukraina, e cila ende ka vëllime të konsiderueshme të drithit në magazinë, mund të fillojë të eksportojë me tren përmes kufirit të saj perëndimor.

“Grupet e para prej disa mijëra tonësh misër tashmë janë eksportuar përtej kufirit tokësor perëndimor të Ukrainës,” tha APK-Inform në një raport.

“Vështirësitë me logjistikën vazhdojnë, oferta ende mbizotëron mbi kërkesën, por çmimet kanë pushuar së rëni,” shtoi ai.

APK-Inform tha se çmimet e misrit ukrainas për blerësit nga Polonia dhe shtetet baltike ishin 250 deri në 265 dollarë për ton dhe 275 dollarë për ton për Sllovakinë.

Autoritetet ukrainase të transportit kanë thënë se deri në 600,000 tonë drithë në muaj mund të eksportohen me trena nga Ukraina në Evropë.

Agjendia tha javën e kaluar që eksportet e grurit të Ukrainës mund të arrijnë në 44 milionë tonë në sezonin 2021/22 korrik-qershor.

Humbje tjetër për Putin, ushtria ukrainase: Vritet një tjetër gjeneral rus në luftimet në Kherson

Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë vrarë gjenerallejtënant rus Yakov Rezantsev gjatë luftimeve në Chornobaiivka, në rajonin Kherson në jug të Ukrainës.

Ushtria tha se Rezantsez ishte komandant i Ushtrisë së 49-të të Kombinuar të Armëve të Qarkut Ushtarak Jugor të Federatës Ruse.

Ministria ruse e mbrojtjes nuk e ka komentuar pretendimin ukrainas. Deri më tani, rreth gjashtë gjeneralë rusë besohet se janë vrarë që nga fillimi i sulmit të Rusisë në Ukrainë, si dhe një zëvendës komandant i flotës së Detit të Zi. bw

Dyshime për rreth 300 të vrarë pas bombardimit të teatrit në Mariupol

VOA

Autoritetet lokale të qytetit ukrainas të Mariupolit njoftuan të premten se 300 vetë kanë humbur jetën pasi forcat ushtarake ruse sulmuan një teatër që përdorej si strehë për qindra persona. Sulmi ndodhi më 16 mars.

Në postimin e tyre në platformën e medias sociale ‘Telegram’ zyrtarët lokale të këshillit të qytetit të Mariupolit, u referoheshin të dhënave që kishin marrë nga dëshmitarët okularë.

Mbetet e paqartë se si kishin arritur në këtë shifër dëshmitarët okularë, apo nëse kërkimet nën rrënonjat e godinës kishin përfunduar, për shkak se sulmet e vazhdueshme në qytet i kanë bërë të vështira operacionet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje.

Sipas zyrtarëve ukrainas në momentin e sulmit në godinë ndodheshin më shumë se 1,300 persona, rreth 130 prej tyre u nxorrën gjallë nga rrënojat.

Në dy anë të ndërtesës ishte shkruar me gërma të mëdha dhe në gjuhën ruse fjala fëmijë, me synimin që ajo të mund të shihej nga lart.

Protesta në Bruksel, kërkohet ndërhyrja e Perëndimit në Ukrainë

VOA/Henry Ridgwell

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s, G7-ës dhe Bashkimit Evropian të enjten biseduan në takime me dyer të mbyllura në Bruksel, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar nga Perëndimi veprime më të ashpra kundër Rusisë.

Presidenti i Ukrainës kishte kërkuar një ditë protestash në mbështetje të vendit të tij dhe kundër sulmit të Rusisë.

Jashtë selisë së Bashkimit Evropian, ku po takoheshin udhëheqësit botërorë, duke përfshirë presidentin amerikan protestuesit i bënë të qarta kërkesat e tyre.

“Presim nga NATO, BE-ja, G7-a dhe udhëheqësit botërorë, që më në fund të marrin një vendim, në mënyrë që ne të shohim vendosmërinë e tyre për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë. Ne kemi një pyetje: A mbaron morali dhe njerëzimi në kufijtë e NATO-s?”, thotë për Zërin e Amerikës Hanna Hopko, ish deputete e parlamentit ukraians.

Sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë deri tani në Ukrainë, shumica viktima të raketave dhe sulmeve ajrore të Rusisë.

Zlata Podovolenkova u largua nga shtëpia e saj në Hostomel afër Kievit, ku ndodhet vija që ndan forcat ukrainase dhe ato ruse. Disa anëtarë të familjes së saj kanë ngelur në mes të zonës së luftës.

“Po kërkojmë nga NATO që të mbyllë qiellin dhe të sigurojë armët që do ta ndihmonin Ukrainën ta fitojë këtë luftë. Jemi të sigurt se do të fitojmë. Kërkesat tona kanë rëndësi jo vetëm për shkak të kohës, por edhe numrit të civilëve që do të vdesin në këtë luftë të tmerrshme”, thotë ajo.

Këto kërkesa nuk janë përmbushur. NATO u pajtua për ashpërsim të sanksioneve dhe rritje të furnizimeve me armë dhe ndihma humanitare – por ajo nuk do të vendosë një zonë të ndalim-fluturimit apo të sigurojë avionë luftarakë.

“Evropa dhe NATO mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën. Ne jemi në një situatë të ngjashme me atë të vitit 1939, kur njerëzit në Evropë duhej të vendosnin se kush është Hitleri. Tani jemi në një kohë kur duhet të vendosim se Vladimir Putin nuk është më udhëheqësi i një kombi. Ai është një diktator imperialist që do të shkatërrojë gjithçka që kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë për Zërin e Amerikës Andrea Catagna, protestues italian.

Protestuesit u shtrinë në rrugë duke krijuar një skenë të ngjashme me atë të rrugëve të Mariupolit dhe qyteteve tjera, ku trupat e civilëve të vrarë janë parë të shpërndarë gjithandej rrugëve, në pamundësi për t’u varrosur.

Më pas, brohoritjet për Ukrainën shkaktuan jehonë rrugëve të Brukselit.

Urakiansit thonë se po luftojnë kundër Rusisë për demokraci perëndimore.

Deri tani po rezistojnë të vetëm, ndërsa dëshpërimisht kërkojnë më shumë ndihma nga NATO.

NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë

RFE/RL

Me rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Evropë, NATO ka ndërmarrë veprime për stabilitet, teksa të enjten ia zgjati mandatin sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit teksa aleanca ushtarake po përballet me krizën e sigurisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Stoltenberg shkroi në Twitter të enjten se ishte i “nderuar” me vendimin e liderëve të NATO-s që mandati i tij në krye të aleancës të zgjatej deri më 30 shtator të vitit 2023.

“Teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në gjeneratë, ne qëndrojmë unik për të mbajtur aleancën tonë të fortë dhe njerëzit tanë të sigurt”, tha ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, u pajtuan për zgjatjen e mandatit.

Presidenti Biden tha përmes një postimi në Twitter se Stoltenberg ka “bërë punë të mrekullueshme për të udhëhequr dhe forcuar aleancën tonë, veçanërisht gjatë këtij momenti kritik për sigurinë ndërkombëtare”.

Ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, u emërua në postin e shefit të NATO-s në tetor të vitit 2014. Mandati i tij i dytë ishte paraparë që të përfundonte në shtator.

Ukraina shkatërron anijen e madhe zbarkuese ruse në portin e pushtuar të Berdyansk

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë njoftuar mëngjesin e sotëm se kanë arritur të shkatërrojnë një anije të madhe mbështetëse ruse dhe kanë publikuar edhe pamjet e shpërthimit.

“Mirëmëngjes, jemi nga Ukraina! – thuhet në mesazh. – Në portin e kapur nga rusët të Berdyansk, u shkatërrua një anije e madhe zbarkuese “Orsk” e Flotës së Detit të Zi të pushtuesve. Lavdi Ukrainës!”

Forcat e armatosura ruse kishin njoftuar të hënën se kishin ankoruar një anije të madhe mbështetëse, Orsk, në portin ukrainas të okupuar të Berdyansk, 70 km në jugperëndim të portit të rrethuar ukrainas të Mariupol në Detin Azov.

Si pjesë e asaj që Moska e quan një ‘operacion special ushtarak’ i nisur pothuajse një muaj më parë, forcat ruse kanë kapur pjesën më të madhe të bregdetit ukrainas përgjatë Detit Azov, një shtojcë e Detit të Zi, me përjashtim të Mariupolit, i cili ka refuzuar të dorëzohet. syri.net


Send this to a friend