Papa Françesku ka bërë thirrje për paqe në luftën “e pakuptimtë” në Ukrainë dhe për konflikte të tjera të armatosura në mbarë botën, gjatë adresimit të tij për Pashkët, që e mbajti nga ballkoni në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Paqja mbretëroftë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, e sprovuar kaq rëndë nga dhuna dhe shkatërrimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u detyrua të futet”, tha Papa më 17 prill.
Kur Papa përmendi Ukrainën afër 100,000 qytetarë që ishin mbledhur në sheshin e Vatikanit dhe në rrugët përreth duartrokitën.
Françesku kërkoi që “të mos mësohemi me luftën”, teksa duke folur për pushtimin rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt, nuk përmendi me emër presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Në referencë për një luftë të mundshme bërthamore, Françesku citoi një manifest të shkruar nga filozofi Bertrand Russell dhe fizikanit Albert Einstein më 1955: “A do t’i japim fund racës njerëzore, apo njerëzimi do të heqë dorë nga lufta?”.
Më 17 prill festohen Pashkët sipas kalendarit të krishterë perëndimor. Pashkët ortodokse festohen më 24 prill.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës thotë se qyteti-port i Mariupolit është duke rezistuar pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ruse, teksa Moska pretendon se forcat e saj kanë marrë kontrollin pothuajse të plotë të qytetit.
Hanna Malyar tha më 17 prill se mbrojtësit në këtë qytet kyç në Detin Azov kanë arritur që të zmbrapsin një numër të konsiderueshëm të forcave ruse që kanë rrethuar Mariupolin.
Ajo e përshkroi Mariupolin si “mburojë të Ukrainës”, që sipas saj, po parandalon forcat ruse të përparojnë në pjesë të tjera të shtetit.
Rusia u dha ultimatum ushtarëve ukrainas që deri në ora 6 të mëngjesit , sipas kohës lokale, të 17 prillit të dorëzohen, teksa tha se ushtarët ukrainas janë bllokuar në një fabrikë çeliku. Por, disa orë pas skadimit të këtij ultimatumi, nuk ka shenja se forcat ukrainase janë dorëzuar.
Nuk ka ende një reagim nga Kievi lidhur me ultimatumin rus, edhe pse ushtria ukrainase ka thënë se sulmet ajrore ruse në Maripol po vazhdojnë.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se pothuajse 2,500 trupa ukrainase janë në fabrikën Azovstal, por ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë më 16 prill se me “qëllim po tenton që të shkatërrojë të gjithë” në Mariupol dhe shtoi se vrasja e ushtarëve ukrainas do të pengonte përpjekjet e paqes.
“Ushtarët tanë janë të bllokuar, të plagosurit janë të bllokuar. Kjo është krizë humanitare… Megjithatë, burrat tanë po e mbrojnë veten”, tha ai për agjencinë e lajmeve, Ukrainska Pravda.
Mariupoli ka qenë skenë e bombardimeve dhe luftimeve më të ashpra që prej se Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Besohet se mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, pa qasje në gjërat elementare, teksa përpjekjet për evakuim të civilëve po pengohen nga granatimet e vazhdueshme.
Aktivistja e njohur ukrainase Daria Kaleniuk bën Retweeted lajmin që sjell një kolege e saj për viktimat e pafajshme nga sulmet e agresorit rus.
Kësaj here një nënën qan të birin e saj 15 vjeçar i vrarë nga një sulm në Kharkiv të premten. Kjo vuajtje duhet të ndalet, thotë Olena Halushka dhe pastaj bën kërkesën e njohur për armatime.
Si do të vetëmbrohet Ukraina nëse nuk do të ketë armatime për t’iu përgjigjur barbarisë ruse!
Pani Nina mban zi pranë trupit të djalit të saj 15-vjeçar Artem, i cili u vra në një sulm rus në Kharkiv të premten.
Kjo është tepër zemërthyese, kjo vuajtje duhet të ndalet.
#ArmUkraineTani me armë të avancuara të rënda, mbrojtje ajrore dhe raketore
Njeriu më i pasur i Ukrainës është zotuar të ndihmojë në rindërtimin e qytetit të rrethuar të Mariupolit, një vend që e ka përzemër, ku ai zotëron dy fabrika të mëdha çeliku që thotë se do të konkurrojnë sërish globalisht.
Rinat Akhmetov ka parë perandorinë e tij të biznesit t’i shkatërrohet nga tetë vite luftime në lindje të Ukrainës, por mbetet sfidues dhe i sigurt se ata që ai i quan “ushtarët tanë të guximshëm”, do të mbrojnë qytetin që shtrihet në brigjet e Detit Azov, të reduktuar tashmë në një shkretëtirë, nga shtatë javë bombardime.
Për momentin, kompania e tij Metinvest, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë, ka njoftuar se nuk mund të përmbushë detyrimet bazuar në kontratat e furnizimit.
“Mariupol është një tragjedi globale dhe një shembull global i heroizmit. Për mua, Mariupoli ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një qytet ukrainas“, tha zoti Akhmetov në përgjigjen me shkrim të pyetjeve të drejtuara nga agjencia “Reuters”.
“Unë besoj se ushtarët tanë të guximshëm do ta mbrojnë qytetin, megjithëse e kuptoj se sa e vështirë është për ta” tha ai, duke shtuar se ishte në kontakt të përditshëm me menaxherët e Metinvest që drejtojnë fabrikat Azovstal dhe Illich Iron&Steel Works në Mariupol.
Të premten, Metinvest tha se nuk do të operonte nën pushtimin rus dhe se rrethimi i Mariupolit kishte çaktivizuar më shumë se një të tretën e kapacitetit të prodhimit të metalurgjisë në Ukrainë.
Zoti Akhmetov vlerësoi “pasionin dhe profesionalizmin” e Presidentit Volodymyr Zelenskiy gjatë luftës, çka në dukje u pa si një zbutje e marrëdhënieve mes tyre pasi udhëheqësi ukrainas vitin e kaluar tha se komplotistët që shpresonin të rrëzonin qeverinë e tij ishin përpjekur ta përfshinin edhe vetë biznesmenin.
Në atë kohë zoti Akhmetov e quajti akuzën “totalisht një gënjeshtër”.
“Lufta sigurisht nuk është një periudhë për mosmarrëveshje… Ne do ta rindërtojmë të gjithë Ukrainën“, tha ai, duke shtuar se ishte kthyer në Ukrainë më 23 shkurt dhe që nga ai moment nuk ishte larguar më.
Analisti kosovar dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe sulmet disaditore ndaj Policisë. Maliqi thotë se këto sulme me shumë gjasë janë të dirigjuara nga Rusia dhe agjenturat ruse në rajon, megjithatë për momentin përjashton mundësinë e ndezjes së një konflikti me Serbinë. Ai potencon se ajo që po ndodh në veri, mund të jetë më shumë një dëshirë e Moskës për t’ia vënë flakën veriut të Kosovës, derisa thekson se Beogradi është më i kujdesshëm, meqë në rast të një konflikti me Kosovën, në rrethanat aktuale s’pret ndihmë nga Rusia që është e zënë me luftën në Ukrainë. I pyetur nëse sulmet e fundit ndaj Policisë ndërlidhen me ndonjë lloj hakmarrje të Serbisë pasi Kosova s’lejoi referendumin dhe zgjedhjet serbe, Maliqi thotë se qëllimi i këtyre sulmeve mund të jetë dëshira për të shkëputur veriun e Kosovës, por shton se s’mund të thuhet se një gjë e tillë bëhet nga instancat më të lartë të pushtetit në Beograd meqë i druhen konfrontimit me KFOR-in si strukturë e NATO-s. Maliqi këshillon Kosovën që të veprojë qetësisht ndaj provokimeve dhe që të koncentrohet në përmirësimin e raporteve me aleatët perëndimorë.
Gazeta Express
Gazeta Express: Si i komentoni sulmet që po ndodhin ndaj Policisë së Kosovës këto ditët e fundit në veri të vendit. A i shihni si të motivuara politikisht nga Beogradi?
Shkëlzen Maliqi: Ka ende paqartësi rreth sulmeve, kam përshtypjen se informatat që jepen për opinion nuk janë të plota. Por, në bazë të të dhënave që kemi dhe shpeshtimit të sulmeve, është e qartë se ato sinjalizojnë dëshirën e dikujt nga Serbia ose edhe të aventurave të Rusisë që nuk janë nën kontrollin e Beogradit, ta kërcënojnë dhe trazojnë edhe rajonin e Ballkanit duke treguar se mund të rindezin konfliktin e ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës. Dua të them se në Serbi, pas zgjedhjeve ku Presidenti Vuçiq, edhe pse mbetet në postin e tij, megjithatë humbi kontrollin e parlamentit dhe Serbia është mjaft e përçarë rreth orientimit të saj, a do të mbetet e varur nga Rusia, apo do të rreshtohet me Evropën dhe Perëndimin. Sipas meje, sa janë kërcënim për Kosovën, sulmet ndaj policisë në zonën kufitare janë edhe kërcënime ndaj Vuçiqit, sepse dje në demonstratat pro-ruse në Beograd është sulmuar me bomba me tym edhe selia e Presidentit Vuçiq. Sigurisht, këto duken si kërcënime teatrale, por janë kërcënime, sikur që ishte kërcënim mjaft serioz edhe arritja e një kontingjenti të armatimit të sofistikuar nga Kina për ushtrinë serbe. Karakteri i këtyre aksioneve ende është në nivelin simbolik, s’ka viktima, por janë kërcënime terroriste dhe paralajmërim i destabilizimit të rajonit.
Gazeta Express: A mund të jenë një lloj hakmarrje e politikës së Vuçiqit se Kosova nuk e lejoi referendumin dhe zgjedhjet serbe së fundi?
Shkëlzen Maliqi: Çështja e zgjedhjeve serbe nuk është episod fort i rëndësishëm në tablonë e madhe të proceseve që po zhvillohen. Qëllimi i sulmeve vërtetë mund të jetë dëshira që të shkëputet Veriu i Kosovës, por s’mund të themi se ato bëhen nga instancat më të larta të pushtetit në Beograd, sepse ato i druhen konfrontimit me KFOR-in, që në të vërtetë është strukturë e NATO-s.
Gazeta Express: A e shihni si përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe a mendoni se mund të ndërlidhet me ngjarjet në Ukraine? Si duhet të reagojë Kosova?
Shkëlzen Maliqi: Gjasat janë të mëdha se sulmet aktuale në zonën kufitare janë të ndërlidhura dhe të dirigjuara nga Rusia dhe agjenturat e saja të instaluara në rajon. Megjithatë, për momentin unë nuk e shoh rrezikun e shpërthimit të konfliktit kufitar me Kosovën. Moska ndoshta edhe ka dëshirë ta shohë në flakë Veriun e Kosovës, por Beogradi zyrtar më duket se është i kujdesshëm, më shumë preokupohet me çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që nuk mund t’i shmangë sesa të bëjë argatin Rusisë duke ndezur konfliktin ku nuk e pret ndihmën efektive nga Rusia. Rusia nuk ka sukses as në pushtimin e Ukrainës, tani po e përqendron luftën në zonën e Donbasit në Ukrainën Lindore ku jeton më e koncentruar popullsia ruse dhe s’ka si e ndihmon Serbinë që nga të gjitha anët është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s.
Kosova duhet të mbetet e qetë, nuk duhet të reagojë me ngut në provokimet duke u koncentruar në përmirësimin e raporteve të përkeqësuara me aleatët perëndimorë.
Gazeta Express: Cili do të jetë ndikimi i një situate të tillë në procesin e dialogut ?
Shkëlzen Maliqi: Dialogu edhe ashtu ka qenë pothuajse i vdekur edhe falë papërgjegjësisë së qeverisë aktuale, që ka punuar mbrapsht në opstrukcionin e dialogut, çka i shkonte për shtati Serbisë, sepse fajin për dështimin e dialogut, që vetë e dëshironte, mund t’ia mveshte Kryeministrit Albin Kurti. Serbia tashti e ka hallin e vet me politikat e vazhdueshme të afrimit me Rusinë dhe Kinën, por edhe po vazhdon tentimet që të përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe ka pasë edhe sukses në këtë, që ndoshta nuk duhet të mbivlerësohen, por edhe as të nënçmohen. Mend për qeverinë tonë miope, se duhet të kthehet në binaret e politikave të koordinuara me Perëndimin, sidomos tani që kur jemi në prag të një luftë të ftohtë të re.
Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, tha se dërgesat e tankeve dhe armatimeve të tjera të rënda në Ukraina, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk do të përbënin hyrje të Gjermanisë në luftë kundër Rusisë.
Buschmann i tha gazetës Welt am Sonntag më 16 prill se ligji ndërkombëtar nuk thotë se dërgimi i armëve është hyrje në një luftë.
Prandaj, nëse Ukraina “ushtron të drejtën e saj legjitime të vetëmbrojtjes, mbështetja përmes furnizimeve me armë nuk të shndërron në palë në luftë”, tha ai.
Shumë politikanë gjermanë dhe qytetarë kanë debatuar se sa thellë duhet të përfshihet shteti në mbështetjen e Kievit me ndihmë ushtarake, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Shtetet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë rritur dërgesat e tyre me armë për forcat e Kievit, pas thirrjeve dëshpëruese të liderëve ukrainas që shtetet ta furnizojnë Ukrainën me armë.
Gjermania i ka ofruar qindra miliona dollarë ndihmë humanitare Ukrainës.
Kancelari gjerman, socialdemokrati Olaf Shcolz, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik lidhur me mundësinë e dërgimit në Ukrainë të armatimit të rëndë, sikurse tanket, helikopterët apo avionët, edhe pse thirrjet që të marrë një vendim të tillë janë rritur brenda koalicionit qeverisës në Gjermani.
Buschmann, nga partia Demokratët e Lirë, që është partia më e vogël në koalicion, tha se Gjermania ishte në mesin e shteteve të para që nisi hetimin e krimeve të mundshme të luftës në Ukrainë, teksa policia federale dhe prokurori i Përgjithshëm po udhëheqin hetimet.
“Nuk ka asnjë dyshim se mizori të tmerrshme po kryen në Ukrainë nga forcat ruse”, tha ai.
Më shumë se 900 trupa civilësh janë zbuluar në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas, pas tërheqjes së forcave ruse, tha policia e Kievit, të premten, gjë që tregon se njerëzit “u ekzekutuan, thjeshtë”.
Andriy Nebitov, kreu i forcave të policisë rajonale të Kievit, tha se trupat ishin të lënë në rrugë ose të varrosur përkohësisht.
Ai citoi të dhënat e policisë që tregojnë se 95 për qind e njerëzve vdiqën nga plagët me armë zjarri.
“Prandaj, ne e kuptojmë se nën okupimin (rus), njerëzit thjesht u ekzekutuan në rrugë”, tha Nebitov.
Çdo ditë po gjenden gjithnjë e më shumë trupa nën rrënoja dhe në varreza masive, shtoi ai.
“Numri më i madh i viktimave është gjetur në Buçë, ku ka mbi 350 trupa”, tha ai.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se do të shtojë sulmet me raketa në kryeqytetin ukrainas, si përgjigje ndaj agresionit të supozuar të Ukrainës në territorin rus, gjë që është një paralajmërim ogurzi pas humbjes së madhe të anijes kryesore ruse “Moska”, në Detin e Zi.
Rusia filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Deri sot, sipas Kombeve të Bashkuara, në Ukrainë ka pasur 4.577 viktima civile, 1964 të vdekur dhe 2613 të plagosur.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të shpenzojë dy miliardë euro shtesë për pajisje të reja ushtarake, kryesisht për të ndihmuar Ukrainën, tha të premten një burim qeveritar, raportoi Reuters.
Një shtesë prej 400 milion euro janë caktuar për Fondin Evropian të Paqes, i cili blen armë për Ukrainën, ndërsa disa shpenzime të tjera do të jenë për dërgesat bilaterale në Ukrainë dhe gjetkë, tha burimi, të premten, më 15 prill.
Më herët, ministri gjerman i ekonomisë tha se gjermanët duhet të fillojnë të kursejnë energji për t’u bërë më të pavarur nga karburantet fosile ruse, gjë që do të ishte gjithashtu një nga përgjigjet ndaj Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.
Në kohën kur po ngrihet numri i rasteve të vdekjeve të civilëve në Ukrainë, gjatë pushtimit rus, Gjermania është nën presion për t’u larguar nga gazi dhe nafta ruse, pasi kritikët thonë se të ardhurat e Moskës ofrojnë mjete jetike për të bërë luftë.
Moska e përshkruan pushtimin e saj në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Gjermania mund të bëhet më pak e varur nëse qytetarët reduktojnë konsumin e energjisë, duke propozuar përdorimin e trenave ose biçikletave, sa herë që është e mundur, në vend të vozitjes me automjete.
“Çdo kilometër që nuk kalohet, kontribuon në ikjen më të lehtë nga furnizimet me energji të Rusisë. Gjithashtu e mbrojmë edhe klimën”, tha Habeck në një intervistë për Funke Media Group, raportoi Reuters.
Habeck tha se një reduktim prej 10 për qind të konsumimit individual të energjisë është i mundur, duke shtuar se punëdhënësit mund të kontribuojnë duke u ofruar punëtorëve mundësinë për të punuar nga shtëpia, kudo që të jetë e mundur.
Përpjekjet e Rusisë për të pushtuar Popasna dhe Rubizhne në Donetsk dhe Tavriya të Ukrainës lindore kanë qenë “të pasuksesshme”. Kështu deklaron Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Zyrtarisht këto forca pohuan se Ukraina ka zmbrapsur tetë sulme ruse në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk në 24 orët e fundit, duke shtuar se ata shkatërruan katër tanke ruse, gjashtë automjete të blinduara transporti, katër makina luftarake të këmbësorisë dhe një sistem artilerie.
Në ditët e fundit, Rusia ka tërhequr trupat nga Kievi dhe ka zhvendosur fokusin e saj në Ukrainën lindore. Kjo shtytje mund të çojë në një konflikt të zgjatur në zonë.
Nëse Rusia do të pushtonte lindjen, do t’i jepte presidentit Vladimir Putin njëfarë arritjeje nga lufta, raportoi Paul Kirby i BBC-së në fillim të kësaj jave.
Por presidenti Zelensky është zotuar se do të “luftojë për çdo metër të tokës tonë”. bw
Katër aktivistë të ekstremit të djathtë në Gjermani janë arrestuar pasi dyshohet se komplotuan për të rrëmbyer një ministër të qeverisë dhe për të shkatërruar objektet e energjisë.
Të dyshuarit janë nga grupi Vereinte Patrioten (Patriotët e Bashkuar), i cili është kundër kufizimeve të vendit Covid-19 dhe që shpreson të përmbysë demokracinë gjermane duke krijuar kushtet për një luftë civile. Bastisjet e policisë çuan në sekuestrimin e 8,900 euro para të gatshme, valutë të huaj me vlerë më shumë se 10,000 euro, shufra ari, monedha argjendi, municione dhe rreth dy duzina armë, përfshirë një kallashnikov. Një nga objektivat e synuar të rrëmbimit të grupit ishte Karl Lauterbach, ministri i shëndetësisë. Ai tha më vonë se ishte “i tmerruar” nga veprimet e tyre.
“E gjithë kjo tregon se protestat e koronavirusit jo vetëm që janë bërë më radikale, por se tani bëhet fjalë për më shumë se koronavirus; se këtu ka një përpjekje për të destabilizuar shtetin, “u tha Lauterbach, 59 vjeç, gazetarëve gjatë një vizite në Husum në bregun gjerman të Detit të Veriut. “Kjo është një pakicë e vogël në shoqërinë tonë, por shumë e rrezikshme. Kjo nuk do të ndikojë në punën time.”
Ai tha se do të vazhdojë të përpiqet të balancojë interesat e njerëzve që duan masa më të lira në luftimin e Covid-19 me ato të gjermanëve që kërkojnë më të rrepta. Protestat kundër kufizimeve kanë tërhequr turma prej dhjetëra mijëra njerëzish, nga antivaksistët tek anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë AfD dhe neo-nazistët.
Prokurorët në Koblenz dhe policia në Rheinland-Pfalz lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën thanë se katër anëtarët e Vereinte Patrioten të arrestuar kishin “përgatitur sulme shpërthyese dhe akte të tjera dhune”. Ata thanë se grupi po komplotonte “rrëmbimin e figurave të njohura publike” dhe se qëllimi i tij kryesor ishte “të shkatërronte objektet e furnizimit me energji elektrike në mënyrë që të shkaktonte një ndërprerje të zgjatur mbarëkombëtare që synonte të shkaktonte kushte të ngjashme me luftën civile dhe përfundimisht të përmbyste sistemin demokratik. sistemi në Gjermani”.
Policia nisi hetimet në tetor dhe kishte identifikuar pesë të dyshuar, të gjithë shtetas gjermanë, të moshës 41-55 vjeç, përpara se të kontrollonte 20 prona në të gjithë vendin. Katër personat e arrestuar ishin anëtarë të të njëjtit grup chat në aplikacionin e mesazheve Telegram. Hetuesit thanë se ata ishin të lidhur me lëvizjen Qytetarët e Rajhut, e cila kundërshton legjitimitetin e kushtetutës gjermane të pasluftës dhe, si rrjedhojë, qeverisë aktuale.
Autoritetet thanë se gjithsej 12 persona po hetoheshin. bw
Ingrida Simonite, kryeministrja e Lituanisë, komentoi kërcënimin e fundit nga Dmitry Medvedev, i cili tha se nuk është më e mundur të flitet për Baltikun pa armë bërthamore në rast se Suedia dhe Finlanda do të anëtarësohen vërtet në NATO, gjë që ka gjithnjë e më shumë gjasa të ndodhë.
“Fakti që Rusia po kërcënon nuk është asgjë e re. Kaliningradi (enklava ruse në Balltik) është një zonë jashtëzakonisht e militarizuar e ka qenë e tillë prej vitesh dhe ndodhet në rajonin e Baltikut”, tha Simonite.
Kryeministrja e Lituanisë thotë se mbështet fuqimisht anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
“Unë besoj se hyrja e këtyre vendeve në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut do të forconte ndjeshëm NATO-n dhe nivelin e sigurisë në ato vende. Mendoj se vendet baltike do ta mirëpresin këtë vendim sapo të shpallet”, tha ajo.
Ministri lituanez i Mbrojtjes Arvidas Anusauskas foli gjithashtu për kërcënimin e ri rus, duke thënë se ai ishte “i pakuptimtë”. Ai tha se armët bërthamore ruse ekzistonin në Kaliningrad edhe para pushtimit rus të Ukrainës, përcjell Gazeta Express.
“Kërcënimi i ri rus tingëllon mjaft i çuditshëm duke pasur parasysh se ne e dimë se rusët kishin armë bërthamore 100 kilometra nga kufiri me Lituaninë edhe para krizës ukrainase. Rusët kanë pasur armë bërthamore në Kaliningrad për një kohë të gjatë. Komuniteti ndërkombëtar dhe të gjitha vendet në rajon janë plotësisht të vetëdijshëm se rusët po e përdorin atë si kërcënim”, tha ministri.
Enklava ruse e Kaliningradit në bregdetin Baltik ndodhet midis Lituanisë dhe Polonisë, dy vende anëtare të NATO-s.
Rusia ka humbur edhe oficerin e 40-të të lartë gjatë luftimeve në Ukrainë.
Sipas Daily Mail, koloneli Denis Mezhuev u vra gjatë luftimeve në front. Lajmi u konfirmua edhe nga një politikan rus.
Rusia ka humbur deri më tani 7 shtatë gjeneralë dhe 33 kolonelë gjatë luftimeve në Ukrainë.
Më shumë se 20 mijë trupa ruse janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë. Ky numër shumë i lartë sugjeron se plani i Putinit nuk po shkon siç duhet.
Ndërkohë një biznesmen ruso-izraelit pretendon se ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu ka pësuar një atak kardiak. Leonid Nevzlin pretendon se ataku kardiak nuk ka ardhur për shkaqe natyrale, por ka qenë një tentativë vrasje.
Shoigu është në repartin e shërbimit intensiv në spital. Më herët ishte raportuar se mes ministrit dhe Vladimir Putinit ka pasur përplasje. Shoigu ishte zhdukur nga mediat për javë të tëra.
Biznesmeni Nevzlin thotë se 20 gjeneralë janë arrestuar për shkak se pushtimi i Ukrainës nuk ka shkuar siç duhet.
Nevzlin ka qenë një nga njerëzit më të pasur në Rusi, por u arratis prej andej në vitin 2003 pasi Putini i sekuestroi kompaninë e naftës. syri.net
Një njësi e operacioneve speciale të Ukrainës thotë se shkatërroi një urë derisa një autokolonë ruse e kaloi atë. Ajo po shkonte drejt Izium në rajonin juglindor të Kharkiv, pretendoi Komanda e Forcave të Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës në një deklaratë të enjten.
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar luftime të ashpra në afërsi të Iziumit ditëve të fundit, duke thënë se forcat ruse po përpiqen të arrijnë në rajonin lindor të Donbasit nga ky drejtim i qytetit.
Deklarata pretendonte se njësia ukrainase shkatërroi urën me një ngarkesë shpërthyese, ndërsa një autokolonë e një automjeti të blinduar Tiger dhe disa kamionë e kaluan atë.
Forcat ukrainase më herët shkatërruan edhe një urë kyçe në rajonin e Kievit për të ngadalësuar përparimin e forcave ruse në ditët e para të luftës.
Të mërkurën, një ekip i CNN ishte dëshmitar i bombardimeve intensive të një lagjeje banimi në Kharkiv, derisa një zyrtar lokal tha se ata besonin se Rusia po shtonte sulmet në mes të një faze të re të operacioneve ushtarake në rajon.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar prej ditësh se presin një ofensivë të madhe në rritje nga forcat ruse në rajonin fqinj lindor të Donbasit, pasi Rusia ripozicionoi trupat dhe pajisjet pas ofensivës së dështuar për të marrë Kievin./Gazeta Express/
Policia në landin Rheinland-Pfalz njoftoi se ka zbuluar një chat-grup ekstremistësh të djathtë që planifikonte sulme me bomba ndaj rrjetit energjetik në Gjermani. Hetuesit thanë grupi ekstremist synonte që përmes sulmesh me bomba në mbarë Gjermaninë të rrëzonin pushtetin demokratik në vend. Ata shpresonin se përmes sulmit ndaj infrastrukturës energjetike të Gjermanisë mund të krijonin një situatë “të ngjashme me luftën civile” për të rrëzuar sistemin e qeverisjes së vendit.
Organet e Policisë Kriminale të landit (LKA) me seli në Mainz thanë se individët që planifikonin sulme me bomba ndaj infrastrukturës energjetike të Gjermanisë i përkasin një grupi që e quante veten “Vereinte Patrioten” (Patriotët e Bashkuar).
Grupi synonte që me sulmin ndaj ndaj infrastrukturës energjetike në vend do të shkaktohej një ndërprerje e vazhdueshme e energjisë, gjë që mund të krijonte një situatë të ngjashme me një “luftë civile”. Kjo situatë do të mundësonte më pas rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në Gjermani dhe si pasojë edhe të sistemit të saj demokratik.
LKA njoftoi se në gjithë Gjermaninë ishin kryer bastisje kundër anëtarëve të grupit për shkak të planeve të tyre për të vendosur bomba si dhe për të ushtruar aktivitete të tjera të dhunshme.
Arrestimet e erdhën vetëm një javë pas një operacioni masiv mbarëkombëtar të policisë gjermane, i cili çoi në arrestimin e katër individëve kyç. Rreth 800 policë bastisën 60 lokale dhe banesa personash që kanë lidhje me grupet neo-naziste “Atomwaffen Division” (AWD), “Combat 18” (C18) dhe “Knockout 51” (K51). /DW
Marinsat ukrainas, të cilët janë bashkuar me regjimentin e Azov për të mbrojtur Mariupolin nga forcat ruse, janë zotuar të bëjnë çfarëdo që duhet për të mos lejuar vënien e qytetit nën kontrollin e plotë të forcave ruse.
Marinsat ukrainas kanë postuar video nga brenda qytetit të rrethuar duke kritikuar shokët që u dorëzuan dhe duke u zotuar të bëjnë çfarëdo që duhet për të rezistuar, raportoi Daily Mail.
Kremlini kishte pohuar se rreth 1000 ukrainas të strehuar në uzinën e çelikut Azovstal ishin dorëzuar dje.
Por mbrëmë, komandanti i brigadës së 36-të të marinës Serhii Volyna dhe komandanti i regjimentit ultranacionalist Azov Denys Prokopenko postuan një video duke thënë se nuk do t’i dorëzohen kurrë forcave të Putinit.
“Ne kryem një operacion të suksesshëm me regjimentin Azov. Ne u bashkuam me ta dhe kryem një rigrupim të suksesshëm. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyra luftarake. Morali ynë është i fortë. Ne e dimë se çfarë po bëjmë dhe pse jemi këtu. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të përfunduar me sukses misionin tonë”, deklaron në një video të shpërndarë Volyna.
Rezistenca është përqendruar në uzinën Azovstal, pasi nëse forcat ruse do të merrnin kontrollin e saj, do të kishin edhe kontrollin e plotë të qytetit.
“Dje u bashkuam me luftëtarë të denjë nga batalioni i marinsave, ushtarë të vërtetë, heronj që i qëndruan besnikë betimit të tyre, besnikë ndaj popullit ukrainas dhe që vazhdojnë të mbrojnë qytetin me ne. Këta janë burra të vërtetë që kanë zgjedhur rrugën e luftës. Mos bëni heronj nga dezertorët dhe burrat që u dorëzuan. Ata zgjodhën rrugën e turpit. Në asnjë mënyrë nuk duhet ‘i konsiderojmë heronj këta njerëz”, ka deklaruar Prokopenko.
Sot në mëngjes, burimet e inteligjencës britanike kundërshtuan pretendimet ruse se ata kishin pushtuar qytetin, duke thënë se mbrojtja e vazhdueshme e Ukrainës aktualisht po bllokon një numër të konsiderueshëm trupash dhe pajisjesh ruse.
Dje, Kremlini transmetoi pamjet në televizionin shtetëror që pretendonte se forcat ruse kanë marrë tashmë nën kontroll qytetin, pas dorëzimit të trupave ukrainase.
Presidenti rus, Vladimir Putin i tha kancelarit austriak, Karl Nehammer kur u takuan këtë javë se furnizimi i Austrisë me gaz nga Rusia është i sigurt dhe vendi mund të vazhdojë të paguajë për të në euro, tha Nehammer.
Nehammer u takua me Putinin pranë Moskës të hënën dhe deri më tani nuk e kishte përmendur publikisht diskutimin e tyre mbi sigurinë e furnizimit me gaz të Austrisë, ka raportuar APA.
Austria importon 80 për qind të gazit natyror nga Rusia dhe kundërshton një embargo të menjëhershme të gazit të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke argumentuar se kjo nuk është e mundur për momentin.
Putin tha “se furnizimi me gaz është i siguruar, se Rusia do të dorëzojë sasitë e kontraktuara dhe se pagesat mund të vazhdojnë të bëhen në euro”, u citua të ketë thënë Nehammer në një intervistë të mërkurën (13 prill).
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.
Vendet e Bashkimit Evropian përveç Hungarisë e kanë kundërshtuar këtë formë të pagesës.
Ministria ruse ka bërë me dije se anija e saj luftarake është goditur nga dy raketa ukrainase në Detin e Zi.
Sipas ministrisë ruse ngjarja ka ndodhur gjatë natës dhe se anija ka pësuar dëme serioze.
Kryqëzori “Moskva” i Flotës së Detit të Zi u dëmtua rëndë edhe si rezultat i shpërthimit të municioneve, ndërsa ekuipazhi u evakuua, shkruan The Guardian. bw
Trupat e më shumë se 1,500 ushtarëve rusë janë gjetur në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, ka njoftuar një zyrtar ukrainas.
Nënkryetari i bashkisë së këtij qyteti, Mychajlo Lyssenko, tha se trupat janë dërguar në katër morgje të ndryshme.
Ai u kërkoi nënave ruse që të shkonin dhe të merrnin djemtë e tyre të vdekur.
“Unë nuk dua t’i varros ata në varre masive, dhe nuk dua t’i djeg”, tha Lyssenko.
“Ne nuk jemi brutalë”, shtoi ai.
Sipas ushtrisë ukrainase, pothuajse 20,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës ruse gati shtatë javë më parë.
Moska, nga ana tjetër, thekson se ka humbje dukshëm më pak dhe së fundi njoftoi se janë 1,351 ushtarë të vdekur nga radhët e saj. rel
Trupat ruse ka të ngjarë të kenë kryer krime kundër njerëzimit pas pushtimit të Ukrainës, vlerëson një komision i pavarur hetimor.
Raporti i tre avokatëve nga Austria, Zvicra dhe Republika Çeke u porosit nga 45 vendet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe u publikua në Vjenë të mërkurën.
Tre ekspertët nuk dhanë ndonjë përfundimi nëse në Ukrainë janë kryer krime kundër njerëzimit.
Megjithatë, ata vunë në dukje se disa skena të dhunës ruse “ka të ngjarë të përmbushin të cilësohen krime kundër njerëzimit”.
Këtu përfshihen vrasje dhe rrëmbime të civilëve, duke përfshirë gazetarë dhe zyrtarë të ndryshëm.
Ekspertët në përkufizimin e përbashkët thanë se sulmet sistematike kundër civilëve konsiderohen krime kundër njerëzimit.
Sipas raportit, njësitë ruse të paktën kanë shkelur qartë detyrat e tyre për të mbrojtur civilët.
Po ashtu sipas raportit, shifrat e viktimave do të ishin shumë më të ulëta dhe shumë më pak shtëpi, spitale dhe shkolla do të ishin shkatërruar. rel
Të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evroian ranë dakord të dërgojnë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftoi të mërkurën nëpërmjet një deklarate diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Ai tha se është thelbësore që Bashkimi Evropian të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, derisa Rusia përgatitet për një sulm të ri në lindje të vendit pasi “javët e ardhshme do të jenë vendimtare”.
Kjo është paketa e tretë e ndihmës ushtarake që BE-ja ka rënë dakord të dërgojë në Ukrainë, prej fillimit të pushtimit rus.
Në total, BE-ja ka dërguar 1.5 miliard euro ndihmë ushtarake.
Në muajt shkurt dhe mars, BE-ja njoftoi për dy këste të mëparshme të ndihmës ushtarake, secila me vlerë prej 500 milionë eurosh, që ishte hera e parë që bllokun armatos një vend që nuk është anëtar i BE-së.
Ndihma prej 500 milionë eurosh përfshin pajisje, karburante, pajisje mjekësore dhe armë.
Qeveria ukrainase ka njoftuar se vende të tjera të BE-së, si Sllovakia dhe Republika Çeke kanë ofruar tashmë armatim të rëndë.
Pas premtimeve të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund vartësisë nga gazi rus, Turqia po synon të luajë një rol kyç në furnizimin e Evropës nga vende të tjera. Ankaraja dëshiron të jetë pika kryesore lidhëse, përmes kontrollit të tubacioneve nga furnizuesit e rinj në Irak dhe Izrael.
Turqia ndodhet mes Evropës dhe rajonit të pasur me energji të Lindjes së Mesme. Me infrastrukturën e saj të gjerë të tubacioneve të lidhura në rrjetin evropian të furnizimit me gaz, Turqia beson se mund të luajë një rol vendimitar për t’i dhënë fund vartësisë së BE-së nga gazi rus.
“Situata në Ukrainë ka krijuar një problem serioz për energjinë në Evropë. Ndoshta zgjidhja është furnizimi i Evropës me gaz natyror nga Mesdheu Lindor përmes Turqisë. Këto janë çështje interesante që do të diskutohen nga palët”, thotë Ilnur Cevik, këshilltar i lartë i presidentit turk.
Në Mesdheun Lindor, Izraeli ka rezerva të mëdha gazi, të zbuluara së fundmi. Turqia po propozon që një tubacion nga Izraeli të lidhet me rrjetin turk, për të furnizuar Evropën.
Bashkëpunimi energjetik u diskutua në vizitën e muajit të kaluar të presidentit izraelit në Ankara.
“Është projekt i rëndësishëm për të lidhur gazin izraelit dhe atë të Mesdheut Lindor në rrjetin kombëtar turk, prej nga mund të dërgohet gaz në Evropë. Nuk është e lehtë, por me përpjekjet e përbashkëta të Turqisë, Izraelit dhe Bashkimit Evropian projekti mund të realizohet”, thotë Mithat Rende, ish ambasador i Turqisë në Katar.
Ministrat e energjisë në Turqi dhe Izarel do të takohen në Jeruzalem, më vonë këtë muaj.
Por marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve shtojnë dyshimet nëse Izraeli është gati t’i besojë Turqisë për arritjen e marrëveshjes. Ndërkohë, Uashingtoni mbështet planet e tubacionit turko-izraelit të gazit, thonë analistët.
“Përpjekjet e përbashkëta të Izraelit dhe Turqisë janë në interesin e Shteteve të Bashkuara, që si aktorë perëndimorë të bashkëpunojnë në rajon. Sa i përket energjisë, jam më pak optimiste se një ditë gazi izraelit do të kalojë përmes Turqisë. Një opsion tjetër, si Egjipti është më i mundur”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Gazi nga rajoni gjysmë autonom kurd në Irak është një alternativë tjetër për furnizim të Evropës.
“Gazi i Kurdistanit në Irak, është gati dhe distanca nga fushat deri në rrjetin turk është shumë e shkurtër. Tani është koha, vullneti politik ekziston, është e përshtatshme, pse jo?”, thotë ish konsulli i përgjithshëm turk në Kurdistan, Aydin Selcen.
Sulmet me raketa të muajit të kaluar në Erbil, për të cilat fajësohet Irani, sipas vëzhguesve, janë paralajmërim i Teheranit kundër marrëveshjes.
Bagdadi duhet të bekojë çdo marrëveshje të mundshme, që do të thotë, se ka ende shumë punë, para se Turqia të sigurojë rolin që po kërkon.
Qyteti port në Ukrainën juglindore është tani objektivi kryesor i ushtrisë ruse – Kievi mohon raportet për dorëzimin e supozuar, por ushtrisë po i mbarojnë municionet
VOAL- Ushtria ruse mund të jetë afër marrjes nën kontroll të qytetit strategjik të Mariupolit pas një rrethimi gjashtë-javor. Forcat e Armatosura të Ukrainës pretendojnë zyrtarisht se rezistenca po ecën përpara dhe mohoi raportet për një dorëzim të më shumë se 1,000 ushtarëve ukrainas të lëshuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes të mërkurën në mëngjes.
Megjithatë, ukrainasit kanë pranuar se kanë mungesë municioni dhe sipas disa informacioneve janë të përqendruar në fabrikën e çelikut Azovstal, ku orët e fundit raportohet për përleshje dhe tym.
Rrethimi i gjatë shkaktoi vdekjen e mijëra civilëve (21,000 sipas autoriteteve lokale) dhe shkatërrimin pothuajse total të qytetit. Në qendrën e banuar janë ende 100 mijë persona që nuk kanë mundur të shpëtojnë, e që prej ditësh janë pa ujë të rrjedhshëm dhe ushqim.
Nëse qyteti do të binte në duart e Rusisë, Moska do të merrte kontrollin e një brezi territori që lidh dy frontet tashmë të pushtuara në jug dhe në lindje. Do të ishte një fitore strategjike për presidentin rus Vladimir Putin, i cili nga njëra anë mund të paraqiste një rezultat konkret pothuajse 50 ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, dhe nga ana tjetër do t’i lejonte atij të çlironte forcat për objektiva të reja të mundshme.
Ditët e fundit, pas shtyrjes së avancimit në Kiev, i cili shkaktoi humbje të mëdha në ushtrinë ruse, Putin mbrojti suksesin e operacionit dhe njoftoi një riorganizim të ofensivës drejt lindjes, ku një pjesë e territorit është nën kontrollin e separatistëve pro- rusë.
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, tha se Helsinki është afër marrjes së vendimit që “brenda javësh” të aplikojë për anëtarësim në NATO, në kohën e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
“Unë mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”, tha kryeministrja Sanna Marin para gazetarëve të mërkurën më 13 prill në Stokholm.
Homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, paralajmëroi gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për kombin e saj, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, duke thënë në të njëjtën konferencë për shtyp se, për shkak të situatës së sigurisë, Stokholmi po kërkon gjithashtu t’i bashkohet NATO-s.
Anëtarësimi në NATO i njërit prej këtyre shteteve – ose i të dy shteteve – do të ishte një ndryshim i madh për sigurinë e Evropës dhe një tregues se sa të tronditura janë shumë vende evropiane nga pushtimi rus.
Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë qëndruar neutrale, megjithëse në të kaluarën shpesh kanë bashkëpunuar ose kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta me NATO-n.
“Arkitektura evropiane e sigurisë ka ndryshuar rrënjësisht si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës”, tha Marin.
Shumë media suedeze raportuan më parë se Andersson dhe aleatët e saj politikë do të kërkonin zyrtarisht anëtarësimin në NATO në qershor, kur aleanca do të mbajë samitin e saj të ardhshëm.
Andersson nuk dha ndonjë koment për këtë.
Në Finlandë – shtet që ndan kufirin prej 1,340 kilometrash me Rusinë – ligjvënësit pritet të mbajnë një debat gjatë kësaj jave, pas publikimit të një raporti të qeverisë për anëtarësimin në NATO.
Edhe para pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, opinioni publik në Finlandë po zhvendosej drejt mbështetjes së anëtarësimit në NATO.
Çdo ofertë për anëtarësim duhet të pranohet nga të 30 anëtarët e NATO-s, një proces që mund të marrë katër muaj deri në një vit për t’u përfunduar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka paralajmëruar se Rusia do të marrë masa për të “ribalancuar situatën” në rast se Finlanda do t’i bashkohet aleancës.
Mediumi suedez Svenska Dagbladet duke u thirrur në burime të tyre raporton se kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson ka vendosur që të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe ka për qëllim që Suedia të anëtarësohet në Aleancën Veri Atlantike në muajin qershor, raporton Gazeta Express.
Sipas mediumit suedez, lidershipi i partisë socialdemokrate e kryeministres suedeze ka marrë vendim sa i përket çështjes së anëtarësimit në NATO.
Aplikimi zyrtar është planifikuar të bëhet në takimin e NATO-s në Madrid që do të mbahet në qershor.
Rusia që nga fillimi i agresionit në Ukrainë ka kërcënuar Suedinë dhe Finlandën se do të kenë pasoja serioze nëse ia mësyjnë anëtarësimit në NATO.
Në një tweet Paul Ronzheimer, zv kryeredaktor i Bild, që raporton nga Kievi shkruan:
“Ka imazhe që vështirë të harrohen në Kiev.🇺🇦 Diplomat tek @BILD:
“Të gjithë i dimë lidhjet e ngushta të Steinmeier me Rusinë, të cilat janë modeluar gjithashtu sipas formulës Steinmeier.Ai aktualisht nuk është i mirëpritur në Kiev”
Presidenti francez Emmanuel Macron, refuzoi t’i përshkruante veprimet ruse në Ukrainë si gjenocid.
Macron është pyetur gjatë një interviste televizive në Francë, ku edhe ka folur për situatën në Ukrainë.
I pyetur nëse ai, si presidenti amerikan Joe Biden do të përdorte termin gjenocid për vrasjen e ukrainasve nga ushtria ruse, Macron tha: “Unë do të isha i kujdesshëm me terma të tillë sepse sot këta dy popuj, ukrainasit dhe rusët janë vëllezër.
“Dua të vazhdoj të përpiqem, sa më shumë që të mundem për të ndalur këtë luftë dhe për të rindërtuar paqen. Nuk jam i sigurt se përshkallëzimi i retorikës i shërben kësaj kauze”, ka thënë më tej Macron, duke shtuar: “Ajo që mund të themi me siguri është se situata është e papranueshme dhe se këto janë krime lufte. Ne po shohim krime që janë të paprecedent , po ndodhin në tokën tonë, në tokën europiane”.
Më tej ai vuri në dukej edhe bashkëpunimin e Francës me Ukrainën për të hetuar krimet e supozuara të luftës. bw
Forcat ruse po zhvendosen në Ukrainën lindore. Këtë e tregojnë imazhet satelitore të kapura nga Maxar Technologies një ditë më parë.
Një numër i dislokimeve ushtarake u vëzhguan përgjatë një autostrade kryesore dhe korridorit që të çon nga qytetet Soloti dhe Valuyki në rajonin Belgorod të Rusisë perëndimore, drejt kufirit me Ukrainën.
Dislokimet përbëhen nga dhjetëra automjete të blinduara, trupa me tenda dhe pajisje mbështetëse, duket se tregojnë pamjet. Ato mund të shihen në imazhet satelitore në fusha dhe ferma në perëndim të Soloti dhe pranë qyteteve ruse të Dubrovka, Biriuch dhe Leonovka, e cila është rreth 8 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Përtej kufirit në Ukrainën lindore, disa autokolona me pajisje ushtarake u panë përgjatë një autostrade pranë Vilkhuvatka. Autokolona shtesë ushtarake u panë gjithashtu të hënën në dhe afër rajonit të Donbasit pranë qyteteve ukrainase Bilokurakyne dhe Kyslikva, sipas Maxar.
Kolonat përmbajnë më shumë se 200 automjete dhe tanke, transportues të blinduar të personelit, artileri tërheqëse dhe pajisje mbështetëse, tha Maxar.
Më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do të nisë veprime luftarake në shkallë të plotë në lindje, por tha: “Ne jemi gati”./A2CNN
Presidenti gjerman donte të udhëtonte në Kiev e të tregonte solidaritet me Ukrainën, por andej erdhi sinjali, se vizita e Steinmeierit ishte e padëshiruar. Një vendim i kuptueshëm, por i gabuar, mendon Rosalia Romaniec.
Kur Frank-Walter Steinmeier u nis të martën në Varshavë, opinioni publik nuk kishte informacione për një udhëtim tjetër që duhej të zhvillohej në sekret të plotë. Presidenti polak, Duda po përpiqej prej ditësh për një udhëtim të përbashkët në nivel të lartë: pesë presidentë europianë do të shkonin së bashku tek presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Por gjërat u zhvilluan ndryshe.
Kur Steinmeier në konferencën e shtypit me presidentin polak, Duda në mënyrë të papritur po i bënte bisht përgjigjeve të pyetjeve, u bë e qartë, se diçka nuk shkon. Pak më vonë doli lajmi nga gazeta më e madhe bulevardeske gjermane: “Zelensky i ndalon udhëtimin në Ukrainë presidentit federal Steinmeier!” Pak më vonë presidenti gjerman doli para kamerave.
I padëshiruar në Kiev
Kolegu dhe miku i tij, presidenti polak, Andrzej Duda kishte pasur idenë, që ata së bashku me presidentët e vendeve balltike të ndërmerrnin së bashku një udhëtim në Kiev, për të “dërguar e vendosur atje një shenjë të fortë të solidariteti me Ukrainën”, tha Steinmeier në një deklaratë të shkurtër. “Isha i gatshëm për këtë, por me sa duket, dhe më duhet ta regjistroj këtë, se kjo nuk ishte e dëshiruar në Kiev.” E paraqitur me gjuhë të qartë, por dukej, se presidenti ishte i prekur. Pikërisht ai që u angazhua prej vitesh për Ukrainën, duhet të pyesë veten, se si erdhi puna deri aty që të ndodhet para rrënojave të përpjekjeve të tij. Nuk pati shpjegim për arsyet e refuzimit, ka vetëm shumë spekulime. Por sado të gjitha këto arsye të jenë të drejta, nuk mund të zhbëjnë atë, që refuzimi që iu bë Steinmeierit ishte i gabuar.
Frustrimi është një këshilltar i keq
Po, për një kohë të shkurtër kjo i shërben Kievit si ventil për të shprehur zhgënjimin dhe dëshpërimin mbi Gjermaninë si edhe rolin e Steinmeierit në veçanti. Presidenti federal prej kohësh kishte marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe nuk i mori seriozisht sa duhet paralajmërimet për kërcënimin rus ndaj Europës Lindore, e sidomos për Ukrainën. Steinmeier mbështeste gazsjellësit Nord Stream dhe në vitin 2008 si ministër i Jashtëm i kabinetit Merkel ishte pjesëtar i vetos gjermane ndaj anëtarësimit të NATO-s në Ukrainë. Lista e zhgënjimit të Kievit është e gjatë. Steinmeier vetë pranoi së fundmi gabime.
Me sa duket politikani gjerman i SPD-së ka dalluar shumë pak mes qëllimit të synuar dhe efektit të arritur. Kështu nuk ka pse të habitet askush, se pse harrohen angazhimi gjerman për Ukrainën si edhe ndihma e jashtëzakonshme financiare e viteve të fundit. Po, politikanët gjermanë vepruan në mënyrë naive dhe arrogante. Disa kanë nevojë për kthesën e tyre në politikën e jashtme – më shumë mirëkuptim për Lindjen e më pak për Rusinë. Por nuk mund të supozosh për qëllime jo të mira të Steinmeierit.
Zhgënjimi i së shkuarës u shumëfishua aktualisht me gabime të reja. Prej kohësh kancelari Scholz duhej të kishte udhëtuar në Kiev, furnizimet e vonuara me armë dhe bllokimi i sanksioneve u shtuan tek kjo listë. E nëse Scholzi nuk do të vijë e të ndihmojë, pse duhet të presë Zelensky kreun përfaqësues të Gjermanisë në një zonë lufte. Që presidenti i një vendi që lufton për mbijetesën ka nevojë për vendime dhe jo gjeste simbolike kjo dihet. Po ashtu ai do rol figuranti. Të gjitha këto rezerva janë të kuptueshme.
Efekt fatal
E megjithatë refuzimi i udhëtimit të Steinmeierit në plan afatshkurtër është me pasoja të mëdha politike, kurse me vështrim drejt së ardhmes është e papërgjegjshme. Nëse dikush vepron, se ka të drejtë, nuk do të thotë aspak që edhe bën gjënë e duhur. Duke e shpallur si ta padëshirueshëm Steinmeierin, qeveria ukrainase nuk arrin qëllimin e saj, sepse po prish urat. Në këto kushte as kancelari nuk do të udhëtojë në Kiev. Këtë ia ndalon atij respekti për postin më të lartë në vend. Pra mëngjesin e sotëm Ukraina zgjohet me një andrallë të madhe, edhe pse katër presidentët e tjerë do të shkojnë megjithatë për vizitë. Kjo bën vetëm të qartë krisjet brenda Europës, për të cilat askush nuk ka nevojë.
Trajtimi i ashpër që i bëri Zelensky presidentit gjerman rrezikon pa nevojë simpatinë e madhe për Ukrainën në Gjermani. E për këtë qeveria gjermane ka nevojë, nëse do të mbetet e fortë në politikën e brendshme dhe e stabilizuar për të ndihmuar edhe në të ardhmen. Një Gjermani e përçarë nuk ndihmon askënd. Apo? Dikujt e gjitha kjo i shkon për shtat. Despotit në Rusi, që përditë ka nevojë të ushqejë makinerinë e propagandës. Këtë herë për fat të keq Zelensky ia ofroi të gjitha./DW
Presidenti polak, Andrzej Duda është nisur të mërkurën drejt Kievit, i shoqëruar nga liderët e tri shteteve baltike, me qëllim të rritjes së mbështetjes për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa pushtimi rus në Ukrainë kanë hyrë në javën e shtatë.
Një këshilltar i Dudas ka publikuar një fotografi në Twitter të liderit polak dhe tre homologëve të tij baltikë, duke thënë se grupi është në rrugë për në kryeqytetin ukrainas.
Të katër liderët janë pjesë e një liste të gjerë të zyrtarëve evropianë që kanë udhëtuar në Kiev për të biseduar me Qeverinë e Zelenskyt.
Duda dhe Qeveria polake kanë qenë ndër mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës, duke ofruar pajisje dhe furnizime për këtë shtet, si dhe duke strehuar më shumë se 2.5 milionë refugjatë ukrainas.
Varshava, marrëdhëniet e së cilës me Moskën janë gati armiqësore, u ka bërë thirrje NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të bëjnë më shumë për të forcuar Ukrainën kundrejt Rusisë.
Në disa raportime është thënë se edhe presidenti gjerman ka planifikuar t’i bashkohet grupit, mirëpo zyrtarët ukrainas e kanë bërë të qartë se e duan kancelarin gjerman, Olaf Scholz për vizitë.
Ukraina ka kërkuar armë të rënda, përfshirë tanket dhe artileri nga Gjermania, mirëpo Scholz ka bllokuar ato përpjekje, duke thënë se duhet të ketë veprim të përbashkët të BE-së.
Vendet tjera të NATO-s, sikurse Republika Çeke kanë vendosur të dërgojnë armë të rënda, duke përfshirë tanket.
Shërbimet e sigurisë të Ukrainës njoftuan të martën se kanë arrestuar politikanin pro-rus Viktor Medvedchuk, i cili është aleati më i afërt dhe më me influencë në Ukrainë i Presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy kishte publikuar më herët një fotografi të zotit Medvedchuk, në pranga dhe me pamje të lodhur. Ai ka thënë më parë se Presidenti Putin është kumbar i vajzës së tij.
Në muajin shkurt, Kievi kishte njoftuar se zoti Medvedchuk, udhëheqës i partisë Platforma e Opozitës për Jetën, ishte arratisur nga arresti në shtëpi. Vitin e kaluar, autoritetet ukrainase kishin çelur një çështje penale për tradhëti ndaj zotit Medvedchuk, i cili e mohon akuzën.
“Mund të jesh një politikan pro-rus dhe të punosh për shtetin agresor për vite. Mund edhe t’i fshihesh rishtazi drejtësisë. Mund edhe të vishesh me uniformë ukrainase për t’u kamufluar”, shkruanin shërbimet e sigurisë në një postim në internet.
“Por, a mund t’ju ndihmojë t’i shpëtoni ndëshkimit? Jo, aspak! Prangat ju presin dhe po kështu i presin edhe tradhtarët e tjerë të Ukrainës”.
Postimi citonte kreun e shërbimeve sekrete, Ivan Bakanov, të ketë thënë se operativët “kishin ndërmarrë një operacion të shpejtë dhe të rrezikshëm me shumë etapa” për të arrestuar zotin Medvedchuk, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Muajin e kaluar, Presidenti Zelenskiy shpalli pezullimin e funksionimit të partisë Platforma e Opozitës për Jetën, e cila është lëvizja më e madhe opozitare në Ukrainë, si dhe disa parti të tjera më të vogla që mbajnë lidhje me Rusinë.
Një zëdhënës për zotin Medvedchuk nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Bujë e madhe për një vizitë të pakërkuar të Presidentit Federal Frank-Walter Steinmeier në Ukrainë!
Presidenti gjerman Steinmeier kishte dashur të udhëtonte në Kiev “për të dërguar një sinjal të fortë të solidaritetit evropian me Ukrainën”.
“Isha gati për këtë udhëtim. Por padyshim, më duhet ta pranoj, kjo nuk ishte e kërkuar nga Kievi.”
BILD kishte raportuar më parë se Presidenti Federal po planifikonte një vizitë në Ukrainë dhe se ajo u refuzua nga Kievi.
Sipas deklaratës së Steinmeier këtë të martë nga Varshava, ditët e fundit, kolegu i tij polak Andrzej Duda i ka sugjeruar të udhëtojë në Ukrainë me të dhe presidentët e vendeve baltike nga Estonia, Lituania, Letonia, ku një datë e mundshme vizite do të ishte kjo e mërkurë.
Në qëndrimin e tij i bërë publik nga pjestarë të kabinetit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj nuk dëshiron të takohet me Steinmeier në Kiev për momentin, por politikanët e tjerë të BE-së lejohen të vijnë.
Arsyeja e këtij refuzimi janë lidhjet e ngushta të Steinmeier me Rusinë vitet e fundit.
Si ministër i Jashtëm, ai kishte kontakte të ngushta, ndër të tjera, me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Steinmeier ishte gjithashtu një mbështetës i madh i gazsjellësit rus ‘Nord Stream 2’ dhe konsiderohet arkitekti i politikës miqësore të qeverisë federale gjermane dhe Rusisë.
Një diplomat ukrainas në Kiev, konfirmoi për BILD se “ne të gjithë e dimë për lidhjet e ngushta të Steinmeier me Rusinë, të cilat u formuan gjithashtu nga ‘formula Steinmeier’. Ai aktualisht nuk është i mirëpritur në Kiev. Do të shohim nëse kjo do të ndryshojë përsëri”.
Megjithatë, një takim në të ardhmen në Kiev nuk mund të përjashtohet, raporton BILD.
‘Formula Steinmeier’, përcakton se rajonet lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk, të cilat kontrollohen nga pasardhësit e Putinit si të vetëshpallura “republika popullore”, duhet t’i jepet një status special i përkohshëm pasi të ketë zgjedhjet.
Steinmeier është i ftuar sot në Poloni, ku ndër të tjera ka takuar edhe presidentin e Polonisë Andrzej Duda. Tema kryesore e diskutimit është lufta kundër Ukrainës.
Nga Polonia ai mund të kishte udhëtuar për në Ukrainë, por tani kjo është e vjetëruar.
Në konferencën për shtyp me Dudën, Steinmeier fillimisht nuk diskutoi planet e mundshme të udhëtimit për në Kiev megjithëse u pyet drejtpërdrejt për këtë, por më vonë ai foli./ BILD/
Kryetari i qytetit ukrainas të Mariupolit, tha se vlerësimet e fundit flasin se afër 21 000 banorë të këtij qyteti-port janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Gjatë një adresimi televiziv, i pari i Mariupolit, Vadym Boichenko, tha se ka qenë e vështirë që të llogaritej numri i saktë i viktimave, pasi kanë nisur luftimet në rrugët e këtij qyteti.
Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.
Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.
Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Shumë liderë botërorë kanë treguar solidaritet me Ukrainën, duke vizituar vendin në ditët e fundit.
Por mes tyre nuk është i mirëpritur presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili ka pasë lidhje më të ngushta me Rusinë në të kaluarën, e për të cilat e ka pranuar se ishte gabim. Megjithatë, pranimi i gabimit nuk e shfajësoi atë në sytë e ukrainasve, të cilët thanë se nuk e duan për vizitë në vendin e tyre, të paktën jo në këtë kohë.
Ai në një konferencë për media shfaqi tronditje për këtë çështje, derisa ka njoftuar se kishte pasur në plan të udhëtonte me liderët e parë europianë që shkuan në Kiev.
“Isha gati për këtë, por si duket – dhe duhet ta pranoj këtë – nuk ishte e mirëpritur në Kiev”, tha ai në një konferencë në Poloni. Express
Kryetari i qytetit port të Ukrainës, Mariupol, thotë se më shumë se 10 mijë civilë kanë vdekur që kur forcat ruse rrethuan qytetin. Por ai shton se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë sa dyfishi i kësaj shifre. Vadym Boychenko akuzoi forcat ruse për djegien e trupave të të vrarëve, në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve.
Duke folur me telefon për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, kryebashkiaku i Mariupolit Vadym Boychenko tha se rrugët e qytetit janë të mbushura me kufoma, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse nga toka, uji dhe ajri.
“Mijëra viktima ngelën në rrugë, nuk kishim mundësi t’i largonim sepse forcat ruse kishin hyrë në qytet dhe lufta urbane kishte filluar. Nuk kishte siguri dhe ishte e pamundur”, thotë ai.
Kryebashkiaku foli nga një pjesë e territorit që kontrollohet nga Ukraina, jashtë Mariupolit.
Ai tha se forcat ruse sollën në qytet krematoriume mobile për të djegur trupat e të vrarëve dhe zhdukur dëshmitë e krimeve.
Zoti Boychenko shtoi se informacionet për këto pretendime i ka konfirmuar nga disa burime, por nuk dha më shumë hollësi.
“Tani e kuptojmë arsyen pse pjesa e pushtuar e qytetit nga ushtria ruse është e mbyllur. Ata po mbledhin trupat në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve. Tani e dimë pse nuk lejuan hyrjen e asnjë misioni humanitar. Ata nuk donin të tregonin se çfarë kanë bërë. Mijëra banorë janë vrarë nëpër rrugët e qytetit tonë”, shpjegon zoti Boychenko.
Fuqitë perëndimore thonë se forcat ruse po rigrupohen për një sulmi të ri në rajonet lindore të Ukrainës.
Qyteti juglindor i Mariupolit ka përjetuar disa nga sulmet më të rënda dhe humbjet më të mëdha mes civilëve në luftën gjashtëjavore. Sulmet e vazhdueshme të forcave ruse kanë vështirësuar grumbullimin e informacioneve mbi gjendjen reale brenda qytetit.
Autoritetet lokale thonë se më shumë se 10 mijë civilë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftimeve, por shifra e vërtetë besohet se mund të jetë shumë më e lartë.
Gati dy të tretat e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë gjashtë javë më parë, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) më 12 prill.
Kombet e Bashkuara kanë verifikuar vdekjet e 142 të rinjve, ndonëse kanë paralajmëruar se shifrat e sakta mund të jenë shumë më të larta.
Manuel Fontaine, drejtor i programit për emergjenca në UNICEF, i cili sapo është kthyer nga Ukraina, ka thënë se largimi i 4.8 milionë fëmijëve ukrainas nga shtëpitë e tyre në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e ka parë në 31 vjetët e tij në punën humanitare.
“Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma e tyre mund të mos kenë mjaftueshëm ushqim”, ka thënë Fontaine për Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ai ka paralajmëruar se situata është më e rëndë në qytetet Mariupol dhe Herson, ku nuk ka as ujë, dhe furnizimet me ushqim dhe ilaçe janë penguar.
Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Në një lagje të qetë, rurale 70 km (45 milje) në perëndim të Kievit, folëm me Anën, e cila është 50 vjeçe. I kemi ndryshuar emrin për të mbrojtur identitetin e saj.
Anna na tha se më 7 mars kishte qenë në shtëpi me burrin e saj kur hyri një ushtar i huaj.
“Në kërcënimin e armës më çoi në një shtëpi aty pranë. Më urdhëroi: Hiqi rrobat ose të qëlloj. Ai vazhdoi të më kërcënonte se do të më vriste nëse nuk bëja siç thoshte ai. Më pas filloi të më përdhunonte”, tha ajo.
Anna e përshkroi sulmuesin e saj si një luftëtar i ri, i dobët, çeçen, aleat me Rusinë.
“Ndërsa ai po më përdhunonte, hynë edhe katër ushtarë të tjerë. Mendova se kisha mbaruar. Por ata e morën. Nuk e pashë më”, tha ajo. Ajo beson se u shpëtua nga një njësi e veçantë e ushtarëve rusë.
Ana u kthye në shtëpi dhe gjeti burrin e saj. Ai ishte qëlluar në bark.
“Ai kishte tentuar të vraponte pas meje për të më shpëtuar, por u godit nga një plumb”, tha ajo. Të dy kërkuan strehim në shtëpinë e një fqinji. Ata nuk mund ta çonin burrin e saj në spital për shkak të luftimeve. Ai vdiq nga plagët e marra dy ditë më vonë.
Anna nuk pushoi së qari ndërsa na tregonte historinë e saj. Ajo na tregoi se ku ajo dhe fqinjët e saj e varrosën burrin e saj në oborrin e shtëpisë së tyre. Një kryq i gjatë prej druri qëndron në krye të varrit. Anna na tha se është në kontakt me spitalin lokal dhe po merr mbështetje psikologjike.
Ushtarët që e shpëtuan qëndruan në shtëpinë e saj për disa ditë. Ajo thotë se do t’i drejtonin armën dhe do t’i kërkonin asaj t’u jepte gjërat e burrit të saj.
“Kur ata u larguan, unë gjeta drogë dhe viagra. Ata rëndoheshin dhe shpesh ishin të dehur. Shumica prej tyre janë vrasës, përdhunues dhe grabitës. Vetëm disa janë në rregull,” tha ajo.
Rrugës nga shtëpia e Anës, dëgjuam një histori tjetër rrëqethëse.
Një grua dyshohet se është përdhunuar dhe vrarë, dhe fqinjët thonë se kjo është bërë nga i njëjti burrë që përdhunoi Anën, para se të shkonte në shtëpinë e Anës.
Gruaja ishte rreth të 40-tave. Ajo u nxor nga shtëpia e saj, thonë fqinjët, dhe u mbajt në dhomën e gjumit të një shtëpie aty pranë, banorët e së cilës ishin evakuuar kur filloi lufta. Dhoma e dekoruar mirë, me letër-muri të zbukuruar dhe një shtrat me një krevat të artë, tani është një skenë shqetësuese krimi. Ka njolla të mëdha gjaku në dyshek dhe jorgan.
Në një cep është një pasqyrë e cila ka një shënim të shkruar me buzëkuq – “Torturuar nga njerëz të panjohur, varrosur nga ushtarë rusë”, thuhet në të.
Oksana, një fqinje, na tha se ishte lënë atje nga ushtarët rusë të cilët gjetën trupin e gruas dhe e varrosën. “Ata [ushtarët rusë] më thanë se ajo ishte përdhunuar dhe se fyti i ishte prerë me thikë, dhe ajo pati hemorragji deri në vdekje. Ata thanë se kishte shumë gjak.”
Gruaja u varros në një varr në kopshtin e shtëpisë.
Një ditë pasi e vizituam, policia e zhvarrosi trupin e saj për të hetuar rastin. Trupi u gjet pa rroba dhe me një prerje të thellë e të gjatë në qafë.
Andrii Nebytov, shefi i policisë në rajonin e Kievit, na tregoi për një rast tjetër që po hetojnë në një fshat 50 km (30 milje) në perëndim të Kievit.
Një familje me tre anëtarë – një çift rreth të tridhjetave dhe fëmija i tyre i vogël – jetonin në një shtëpi në skaj të fshatit.
“Më 9 mars, disa ushtarë të ushtrisë ruse hynë në shtëpi. Burri u përpoq të mbronte gruan dhe fëmijën e tij. Kështu ata e qëlluan në oborr”, tha z. Nebytov.
“Pas kësaj, dy ushtarë e përdhunuan vazhdimisht gruan. Ata largoheshin dhe pastaj ktheheshin. Ata u kthyen tre herë për ta përdhunuar. Ata kërcënuan se nëse ajo rezistonte do ta dëmtonin djalin e saj të vogël. Për të mbrojtur fëmijën e saj ajo nuk rezistoi. ”
Kur ushtarët u larguan, ata dogjën shtëpinë dhe qëlluan qentë e familjes.
Gruaja u arratis me djalin e saj dhe më pas kontaktoi policinë. Nebytov thotë se ekipi i tij e ka takuar atë dhe ka regjistruar dëshminë e saj.
Ata kanë mbledhur prova në shtëpinë e familjes – tani ka mbetur vetëm skeleti i saj. Vetëm disa shenja të një jete të mëparshme paqësore, të zakonshme qëndrojnë në rrënojat e djegura. Pamë biçikletën e një fëmije, një kalë, një zinxhir qeni dhe një këpucë dimërore burri të veshur me lesh.
Burri u varros në kopsht nga fqinjët. Policia tani ka zhvarrosur trupin e tij për ekzaminim. Ata planifikojnë ta çojnë çështjen në gjykatat ndërkombëtare.
Avokatja e Popullit të Ukrainës për të drejtat e njeriut, Lyudmyla Denisova thotë se ata po dokumentojnë disa raste të tilla.
“Rreth 25 vajza dhe gra të moshës 14 deri në 24 vjeç u përdhunuan sistematikisht gjatë okupimit në bodrumin e një shtëpie në Bucha. Nëntë prej tyre janë shtatzënë,” tha ajo. “Ushtarët rusë u thanë atyre se do t’i përdhunonin deri në atë pikë sa nuk do të donin kontakt seksual me asnjë mashkull, për t’i penguar ata të kishin fëmijë ukrainas.”
Ajo thotë se ata po marrin disa telefonata në linjat e ndihmës – dhe gjithashtu marrin informacion përmes kanaleve në aplikacionin e mesazheve Telegram.
“Një grua 25-vjeçare telefonoi për të na thënë se motra e saj 16-vjeçare u përdhunua në rrugën përballë saj. Ajo tha se ata po bërtisnin ‘Kjo do t’i ndodhë çdo prostitute naziste’ ndërsa përdhunuan motrën e saj.” tha zonja Denisova.
Ne pyetëm nëse ishte e mundur të vlerësohej shkalla e krimeve seksuale të kryera nga trupat ruse gjatë okupimit.
“Për momentin është e pamundur sepse jo të gjithë janë të gatshëm të na tregojnë se çfarë ka ndodhur me ta. Shumica e tyre aktualisht kërkojnë mbështetje psikologjike, kështu që ne nuk mund t’i regjistrojmë ato si krime nëse nuk na japin dëshminë e tyre,” tha zonja Denisova.
Ajo thotë se Ukraina dëshiron që të krijohet një gjykatë speciale nga Kombet e Bashkuara për të gjykuar personalisht Vladimir Putin për akuza për krime lufte, përfshirë përdhunimin.
“Dua ta pyes Putinin, pse po ndodh kjo?” tha Ana, gruaja që na tha se ishte përdhunuar. “Nuk e kuptoj. Ne nuk jetojmë në epokën e gurit, pse nuk mund të negociojë? Pse po pushton dhe vret?”/BBC/
Ish-ushtari gjerman i UÇK-së, Roland Bartetzko, është shfaqur nga Bucha e Ukrainës, aty ku ditë më parë forcat ruse bënë masakër ndaj popullsisë civile.
Ish-ushtari Bartetzko ka publikuar një foto nga atje, duke e përmendur edhe lokacionin në Bucha.
Roland Bartetzko, ish-nënoficer i Bundswehrit gjerman, dy herë ka luftuar kundër serbëve – në Kroaci dhe në Kosovë.
Kujtojmë se varreza masive, trupa të pajetë të shtrirë në rrugë, u panë në masakrën që ka ndodhur nga rusët në qytetin e shkatërruar pas çlirimit, Buchës.
Vendet ndërkombëtare kanë reaguar për mizoritë e zbuluara pasi forcat ruse u tërhoqën nga periferia e Kievit, Bucha.
Kryebashkiaku i Bucha tha se të paktën 280 njerëz u varrosën në varre masive. Express
Vendet ndërkombëtare kanë reaguar për mizoritë e zbuluara pasi forcat ruse u tërhoqën nga periferia e Kievit, Bucha.Kryebashkiaku i Bucha tha se të paktën 280 njerëz u varrosën në varre masive.
Ministria e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, ka paralajmëruar se luftimet në Ukrainë pritet që tri javët e ardhshme të jenë më të përqendruara në rajon.
“Luftimet në Ukrainën Lindore do të intensifikohen gjatë dy tre javëve të ardhshme pasi Rusia vazhdon të ripërqendrojë forcat e saj.
Sulmet ruse mbeten të përqendruara në Donetsk dhe Luhansk duke vijuar më tej në Kherson dhe Mykolaiv, forcat ruse vazhdojnë të tërhiqen nga Bjellorusia në mënyrë që të rivendosen në mbështetje të operacioneve në Ukrainën Lindore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë britanike. bw