Bashkimi Evropian do të heqë dorë plotësisht nga nafta e papërpunuar ruse dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa më 4 maj njoftoi për rundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Ne do të heqim dorë nga furnizimet nga nafta e papërpunuara brenda gjashtë muajsh dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit”, tha von der Leyen para Parlamentit Evropian në Strasburg.
“Kjo do të jetë ndalesë e plotë ndaj importit të naftës ruse, që vjen nga cisternat dhe tubacionet, nafta e papërpunuar dhe ajo e rafinuar”.
“Nuk do të jetë e lehtë. Disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse. Por, ne thjesht duhet të punojmë për këtë”, tha von der Leyen, teksa prezantoi propozimin, i cili duhet të miratohet nga të gjitha 27 shtetet që të hyjë në fuqi.
Von der Leyen nuk përmendi asnjë përjashtim nga kjo ndalesë, edhe pse Hungaria dhe Sllovakia, dy shtete anëtare të bllokut, janë shumë të varura nga importet e energjisë ruse dhe janë shprehur kundër ndalesës.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian tha se një vendim unanim për sanksionet mbi naftën “nuk do të jenë të lehta”.
Von der Leyen po ashtu njoftoi për largimin e bankës më të madhe ruse, Sberbank, nga sistemi ndërkombëtar i komunikimit financiar, SWIFT.
Në pakon e gjashtë të sanksioneve, që pritet të miratohet në ditët në vijim, do të jenë edhe zyrtarët ushtarakë të përfshirë në mizoritë e kryera në Buça dhe Mariupol, tha von der Leyen.
Po ashtu, zyrtarja e lartë e BE-së tha se tre media shtetërore ruse do të largohen nga transmetimet në BE, pasi sipas saj, këto janë “megafonë të gënjeshtrave të Putinit”.
Sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja vijnë teksa forcat ruse po godasin objektiva në lindje të Ukrainës, duke sulmuar me raketa fabrikën e çelikut në Mariupol, që është pika e fundit e rezistencës.
Dhjetëra banorë kanë arritur të largohen nga Mariupoli përmes një operacioni evakuimi të Kombeve të Bashkuar dhe Kryqit të Kuq dhe të martën janë dërguar në Zaporizhja, që kontrollohet nga Ukraina. Civilët kishin qenë të strehuar për javë të tëra në bunkerët nën fabrikën e çelikut, Azovstal.
Në mesin e të evakuarve kryesisht kishte gra dhe fëmijë, të cilët u larguan nga Mariupoli përmes autobusëve.
“Ne i kishim thënë lamtumirë jetës. Nuk mendonim se dikush e dinte se ne ishim atje”, tha Valentina Sytnykova, 70 vjeçe, e cila ishte strehuar në fabrikë për dy muaj së bashku me djalin e saj dhe mbesën 10-vjeçare.
Rusia po e sulmon Mariupolin pasi po kërkon që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi dhe ta lidhë territorin e kontrolluar nga Rusia në jug dhe lindje. Pjesë të rajoneve lindore të Donjeckut dhe Luhanskut kishin qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, para se presidenti Vladimir Putin, të niste pushimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Mbi 200 civilë vazhdojnë të jenë në fabrikën e Azovstalit, ka thënë kryetari i Mariupolit, Vadym Boichenko, teksa 100,000 civilë vazhdojnë të jenë në qytetin-port që është shndërruar në gërmadhë.
Moska nuk ka shfaqur asnjë shenjë se do të tërhiqet edhe pothuajse dhjetë javë pasi ka nisur, atë që e cilëson si “operacion të posaçëm ushtarak”, luftë që ka vrarë mijëra persona, ka shkatërruar qytete dhe ka detyruar 5 milionë ukrainas të largohen nga vendi.
Ekonomia e Rusisë prej 1.8 trilion dollarësh po shkon drejt tkurrjes së saj më të madhe që nga vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991. Putin po ashtu ka njoftuar për planet ruse për të bllokuar eksportet e lëndës së parë, për mbështetësit e Kievi.
Sulmet ruse mbi hekurudhat
Forcat ruse kanë përqendruar ofensivën e tyre në lindje dhe jug të Ukrainës, pasi kanë dështuar që ta marrin kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Të martën po ashtu janë raportuar për sulme të reja në perëndim të Ukrainës. Kryetari i Lvivit ka thënë se raketat ruse kanë dëmtuar rrjetet elektrike dhe ato të ujit në këtë qytet që gjendet në kufi me Poloninë dhe që po përdoret për të marrë furnizimet me armë që Perëndimi po i dërgon ushtrisë ukrainase.
Forcat ruse po ashtu kanë sulmuar gjashtë stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore dhe perëndimore, tha kreu i hekurudhave, Olesksandr Kamyshin. Ai përmes një postimi në Twitter tha se nuk ka civilë të vrarë e as të plagosur.
Në lindje, sulmet ruse në Donjeck kanë vrarë 21 civilë dhe 27 të tjerë janë plagosur, tha guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko. Ai tha se kjo është shifra më e lartë e viktimave që prej muajit të kaluar.
Sulmet dhe granatimet janë intensifikuar edhe në Luhansk dhe zona më e goditur është Popasna, ku ka qenë e pamundur të organizohet evakuimi, tha guvernatori rajonal, Serhiy Haida.
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ushtria ruse “ka reaguar sot me zemërim të madh ndaj suksesit tonë”.
“Shkalla e lartë e granatimeve të sotme nuk tregon qartë se Rusia ka ndonjë lloj të veçantë të qëllimit ushtarak”, tha ai gjatë një adresimi drejtuar kombit mbrëmjen e së martës.
Rusia po ashtu ka sulmuar me raketa një aeroport ushtarak në afërsi të Odesës, duke shkatërruar dronë, armë dhe furnizime me municion që i janë dhënë Ukrainës nga Perëndimi. Ukraina tha se tre sulme me raketa, që kishin për cak rajonin e Odesës, janë penguar.
Përgatiti: Mimoza Sadiku