VOAL

VOAL

BE, konfirmohet gjoba 2.4 miliardë euro për Google

 Në vitin 2017, gjigandi Mountain View “shfrytëzoi pozicionin e tij dominues duke favorizuar krahasuesin e tij të produkteve” 

Apelimi i Google dhe Alphabet u refuzua 

VOAL- Gjykata e Drejtësisë e BE-së ka refuzuar ankesën e Google dhe Alphabet kundër gjobës maksimale prej 2.4 miliardë euro (2.25 miliardë franga) të vendosura nga Komisioni i BE-së për grupin Mountain View. Ekzekutivi i komunitetit zbuloi në vitin 2017 se Google abuzoi me pozitën e tij dominuese në Zonën Ekonomike Evropiane në sektorin e kërkimit të përgjithshëm në internet duke favorizuar krahasuesin e vet të produkteve mbi ato të krahasuesve të produkteve konkurruese. Gjykata tashmë kishte refuzuar një apel të parë nga kompania në nëntor 2021.

Po dje (e hënë), në anën tjetër të oqeanit, filloi në Virxhinia (SHBA) gjyqi i dytë antitrust i administratës Biden kundër Google, i akuzuar për shpërdorim të teknologjisë së saj për të dominuar tregun e reklamave. Në gusht, një gjykatës federal vendosi në një rast të veçantë se Google në mënyrë të paligjshme ruante një monopol në kërkimin në internet, duke i dhënë një fitore të madhe Departamentit të Drejtësisë.

Mosmarrëveshje edhe në Britaninë e Madhe Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar (CMA) gjithashtu drejtoi gishtin drejt kompanisë në lidhje me reklamat në internet. “Thelbi i këtij rasti bazohet në keqinterpretime në lidhje me industrinë e reklamave dixhitale”, ishte përgjigja e Google javën e kaluar. “Ne nuk pajtohemi me opinionin e CMA dhe do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat.”

Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 6 shtator viziton Gjermaninë, ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse që kanë ndodhur gjatë luftës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.

Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt, sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane.

Ky zëdhënës nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë udhëheqësi ukrainas në Gjermani.

Por, media gjermane Der Spiegel, ka raportuar se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit – ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara – që do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein. Kjo media raportoi se Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.

Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën. REL

Andriy Sybiha është ministri i ri i Jashtëm i Ukrainës

VOAL- Andriy Sybiha është ministri i ri i Punëve të Jashtme të Ukrainës. Kështu vendosi parlamenti ukrainas, i cili konfirmoi nominimin e propozuar nga presidenti Voldymyr Zelensky me 258 vota pro. Këtë e raporton RBC Ukraine. Pak më parë, Parlamenti i Ukrainës pranoi dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Dmytro Kuleba.

Lindur në qytetin e Zboriv – në rajonin Ternopol të Ukrainës perëndimore – 49-vjeçarja Sybiha u diplomua në Universitetin Shtetëror Ivan Franko Lviv me një diplomë në drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Pas një karriere diplomatike mes Varshavës dhe Kievit, që nga viti 2012 është ushtrues detyre i drejtorit dhe drejtor i Departamentit të Shërbimeve Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2016 ai u emërua ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm në Turqi dhe në vitin 2021, me dekret presidencial, u bë nënkryetar i Zyrës së Presidentit të Ukrainës. 12 prillin e kaluar – me vendim të qeverisë – ai u emërua zëvendësministër i parë i Jashtëm. ATS/RSI

Presidenti francez Emmanuel Macron emëron Michel Barnier kryeministër të ri të vendit

Dy muaj pas raundit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti Emmanuel Macron ka emëruar Michel Barnier si kryeministër të ri të Francës.

Emërimi vjen pas javësh presioni në rritje nga të gjitha grupet politike për të emëruar një kandidat.

Barnier tani do t’i duhet t’i mbijetojë një votimi mosbesimi në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez.

Asambleja aktuale Kombëtare është e ndarë në tre blloqe: koalicioni i krahut të majtë NFP (që fitoi më shumë vende, por nuk arriti një shumicë absolute), grupi qendror i Macron dhe Fronti Kombëtare e ekstremit të djathtë.

Duke pasur parasysh përbërjen e Asamblesë Kombëtare, presidenti i kishte vënë vetes detyrën për të gjetur një kryeministër të aftë për të mbledhur “shumicën më të gjerë dhe më të qëndrueshme të mundshme”.

Barnier, një konservator, ishte dy herë Komisioner Evropian dhe, midis 2016 dhe 2021,  kryenegociatori i BE-së për Brexit. sn

Dorëhiqet ministri i Jashtëm ukrainas për t’i hapur rrugë riformatimit të Qeverisë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është raportuar të jetë anëtari i fundit i kabinetit qeveritar që ka dorëzuar dorëheqjen, pasi presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, i ka bërë të ditura planet për riformatim të kabinetit, teksa vendi përballet e luftën e nisur prej Rusisë, dy vjet më parë.

Duke bërë të ditur dorëheqjen e Kulebas, kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, ka thënë se dorëheqja e ministrit të Jashtëm do të diskutohet nga ligjvënësit në Parlament.

Një ditë më parë, Stefanchuk ka thënë se zëvendëskryeministrja për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, Olha Stefanishyna dhe zëvendëskryeministrja për Riintegrim të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Iryna Vereshchuk, kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Zelensky ka thënë se ndryshimet në Qeverinë ukrainase do të bëhen për të forcuar ekzekutivin dhe për të sjellë rezultatet që i duhen shtetit.

“Për këtë arsye do të ketë ndryshime të personelit në kabinetin e ministrave dhe zyrën e presidentit”, ka thënë ai më 3 shtator, duke dhënë sinjale se ndryshimet do të bëhen gjatë vjeshtës.

Një ditë më parë kanë dhënë dorëheqje edhe ministrat e Industrisë Strategjike, Drejtësisë dhe Ambientit.

Duke sqaruar ndryshimet, Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë për më shumë ndërveprim në mes të Qeverisë Qendrore dhe komuniteteve, sidomos teksa shteti përgatitet për sezonin e dimrit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Dhjetëra të vrarë nga sulmi rus me raketa në Ukrainën qendrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Ministria e Mbrojtjes thanë se Rusia ka sulmuar me raketa balistike Institutin e Komunikimeve në Poltava, në Ukrainën Qendrore, duke vrarë të paktën 41 persona dhe duke plagosur më shumë se 180 të tjerë.

Zelensky dhe Ministria e Mbrojtjes tha se dy sulme raketore u kryen pak pas lëshimit të alarmit për sulme ajrore, prandaj njerëzit që ishin brenda institutit nuk kishin kohë që të evakuoheshin në një strehimore për bomba.

“Një nga ndërtesat e Institutit të Komunikimeve u shkatërrua pjesërisht. Njerëzit mbetën nën rrënoja. Shumë janë shpëtuar. Më shumë se 180 persona janë plagosur. Fatkeqësisht, shumë kanë vdekur. Deri më tani, 41 viktima janë të konfirmuara”, tha Zelensky.

Sulmi duket të jetë një prej më vdekjeprurësve që kanë kryer forcat ruse që kur nisi lufta në shkurt të vitit 2022.

Zelensky, përmes një videoje të publikuar në Telegram tha se po zhvillohen operacione të shpëtimit të njerëzve të bllokuar nën rrënoja.

Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për disa viktima në sulmet e kryera gjatë natës nga Rusia në Zaporizhja.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase po ashtu raportoi se një e katërta e betejave me forcat ruse në 24 orët e fundit janë zhvilluar në lindje të shtetit, afër qytetit strategjik Pokrovsk, në rajonin e Donjeckut. Në këtë zonë, trupat ruse është raportuar se javët e fundit kanë bërë përparime të mëdha. REL

Zelensky i lutet Perëndimit t’i heqë kufizimet në armë, pasi një sulm rus vret 6 njerëz

Ukraina ka nevojë për “vendime të fuqishme” nga partnerët e vet për ta ndaluar terrorin që Rusia është duke e kryer në Ukrainë, tha të premten vonë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pasi një sulm rus goditi një ndërtesë banimi dhe një kopsht, duke lënë të vdekur gjashtë njerëz.

“Ky sulm u krye nga një bombë ajrore ruse. Ky sulm nuk do të kishte ndodhur sikur forcat tona të mbrojtjes të kishin pasur aftësi t’i shkatërrojnë avionët luftarakë rusë në bazat e tyre. Ne kemi nevojë për zgjidhje të fuqishme nga partnerët tanë për ta ndaluar këtë terror. Nuk ka arsye racionale për ta kufizuar Ukrainën në mbrojtje. Ne kemi nevojë për armë me rreze të gjata veprimi”, tha Zelensky në Telegram.

Zelensky e publikoi edhe një video e cila shfaq vetura në një parking duke u djegur nga zjarri dhe tym duke dalë nga katet e mesme dhe të larta të një ndërtese.

Ai gjithashtu theksoi marrëveshjet që Ukraina i ka arritur me partnerët e vet për dhurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të zbatohen patjetër.

Sulmi ajror në Harkiv e goditi hyrjen e një ndërtese 12-katëshe në qarkun industrial të qytetit, thanë autoritetet lokale.

Një vajzë 14-vjeçare është në mesin e gjashtë njerëzve të vrarë, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov.

Ai tha se 47 njerëz të tjerë u plagosën. Më herët, ai tha se rreth 20 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Harkivi ka qenë në qendër të bombardimeve ruse në të kaluarën, por ka pasur një rënie të intensitetit në javët e fundit. REL

Diskutime në Bruksel për mbështetjen ushtarake për Kievin

VOA/Marrë nga Associated Press

Në Bruksel po zhvillohet takimi i parë i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas pushimit veror. Në qendër të këtij takimi është sulmi rus kundër Ukrainës.

Ministrat evropianë u bënë thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnizim me armë të Ukrainës dhe diskutuan mbi aftësitë e Kievit për mbrojten ajrore.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson komentoi lajmin për rrëzimin e një nga disa avionët luftarakë F-16 që Ukraina i mori nga partnerët e saj perëndimorë.

“Këto janë gjëra që ndodhin në luftë. Nuk shoh asgjë dramatike. Ukrainasit duhet të tregojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha ai.

Avioni luftarak u rrëzua të hënën, ndërsa Rusia ndërmorri një sulm në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë në mbarë vendin, tha në një deklaratë ushtria ukrainase.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur përgëzoi Kievin për avancimet e fundit në territorin rus, një operacion që e quajti të guximshëm.

Por, zoti Pevkur u bëri thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnzimin me armë të Ukrainës dhe ta lejojnë Kievin të shfrytëzojë armët perëndimore brenda territorit rus.

“Po lufton vetëm me një dorë. Dorën tjetër e ka të lidhur pas kurrizit, sepse nuk mund të përdorë të gjitha armët që ka. Shpresoj që të gjithë do ta kuptojnë rëndësinë që ukrainasit të kenë mundësi të luftojnë me të gjitha sistemet e armëve, municionet dhe raketat”, tha zoti Pevkur.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se heqja e kufizimeve për përdorimi i armëve brenda Rusisë, është një çështje që u takon vendeve që furnizojnë Kievin me armë, por mbrojti përdorimin e armëve kundër objektivave ruse dhe hodhi poshtë pretendimet se kjo do të nënkuptonte përfshirjen e BE-së në një luftë kundër Rusisë.

“Askush nuk do të futet në luftë me Rusinë. Ne thjesht po mbështesim Ukrainën. Por, vendoseni veten në pozitën e ukrainasve. Nëse bombardoheni nga rusët nga një pikë që është jashtë rrezes së kapacitetit tuaj, do të donit të luftonit në kushte të barabarta”, tha zoti Borrell.

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans tha se vendi i tij, siç kishte premtuar, është pranë dërgimit të sistemit të mbrojtjes ‘Patriot’ në Ukrainë.

“Nuk dua ta them datën e saktë të furnizimit. Jo se nuk dua të jem transparent, por nuk dua të informojmë Rusinë, sepse ata vëzhgojnë kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Por, ashtu siç kemi premtuar, dërgesa do të niset së shpejti”, tha ai.

Të enjten Rusia kreu një sulm intensiv ajror kundër Ukrainës, i treti në katër ditë, duke goditur me raketa dhe dronë që kryesisht u rrëzuan, thanë forcat ajrore të Ukrainës.

Forcat ruse sulmuan me pesë raketa dhe 74 dronë ‘Shahed’ ndaj objektivave ukrainase, tha Kievi në një deklaratë, ndërsa shtoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy raketa dhe 60 dronë.

Sulmet e ashpra ruse me rreze të gjatë veprimi kanë goditur zonat e banuara me civilë që kur Moska nisi sulmin ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia – të gjitha vende anëtare të NATO-s – janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me mbi 60 avionë. Kapaciteti i forcave ajrore ruse është 10 herë më i madh.

Ukrainës i duhen të paktën 130 avionë luftarakë F-16 për të neutralizuar fuqinë ajrore të Rusisë, thonë zyrtarët e Kievit.

Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve, duke thënë se Kievi ka të drejtë t’i sulmojë vendet nga të cilat sulmohet.

Duke folur në Bruksel, përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, Borrell tha se është “absurde” të thuash se sulmet në territorin e Rusisë, do të nënkuptonin luftë direkte kundër Moskës.

“Askush nuk dëshiron” një luftë me Rusinë, tha ai.

“Por vendoseni veten në vendin e ukrainasve: Rusët po ju bombardojnë nga një vend ku nuk mund të arrini. Ju dëshironi të luftoni si të barabartë”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i godasë vendet nga ku Rusia e sulmon.

Zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, u kanë bërë vazhdimisht thirrje aleatëve globalë të Ukrainës që ta lejojnë atë t’i godasë objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë, me armët që ia siguron Perëndimi.

Javë më parë, Ukraina ka nisur një inkursion në territorin rus.

Zelensky ka thënë se Rusia “duhet ta ndjejë atë që ka bërë”.

Ditëve të fundit, Rusia është përgjigjur me sulme të ashpra me raketa dhe dronë, të cilat kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas thonë se, pavarësisht dërgesave të armëve të reja që po e ndihmojnë Ukrainën, forcat e saj të armatosura janë ende në disavantazh, sepse kufizimet e Perëndimit i pengojnë ato që t’i përdorin armët me rreze të gjatë, për të goditur thellë brenda territorit rus.

“Siguria afatgjate për Evropën fillon me vendime afatshkurtra dhe të guximshme për Ukrainën”, u tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gazetarëve në Bruksel më 29 gusht. REL

‘Serbia duhet të zgjedhë paqen’, Macron para vizitës në Beograd: Do të angazhohem personalisht për Asociacionin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se do të mbetet i përkushtuar që të zbatohen Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marcon para vizitës së tij në Beograd i është drejtuar qytetarëve të Serbisë me një mesazh të publikuar në “Danas”.

“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola me guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e SHBA-së, donim të ndihmonin rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e natyrshme me Serbinë; por edhe ekzistenca e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, u shpreh Macron në mesazhin e tij.

Ai u bëri thirrje të rinjve të Serbisë që të zgjedhin paqen dhe të ardhmen, ndërsa theksoi se do të angazhohet personalisht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke pasur parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe ftoj të rinjtë në Serbi të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Unë personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se edhe BE-ja në tërësi do të mbetet, te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe”, thuhet në mesazhin e Macronit. sn

Ushtari ukrainas qëllon me mitraloz nga helikopteri, rrëzon dronin rus

Ish-këshilltari i ministrit të brendshëm ukrainas, Anton Gerashchenko ka publikuar një video interesante në platformën e tij X.

Në të shihet një ushtar ukrainas, që qëllon me pushkë automatike mbi një dron rus.

Është e paqartë se ku dhe kur është realizuar video, por se ajo është bërë virale në rrjetet sociale.

Video është shpërndarë fillimisht nga blogerët ushtarakë rusë, kurse në të shihet një helikopter ukrainas, brenda së cilit ushtari me mitraloz qëllon mbi dronin rus.

Droni është Shahed, që Irani ia ka dhuruar Rusisë, për shkak se mungojnë prodhime të dronëve rusë.bw

Ukraina godet rajonin rus të Belgorodit, forcat e Kremlinit sulmojnë hotelin me gazetarë

Hoteli ku strehoheshin gazetarët

VOA

Pesë persona vdiqën nga bombardimet ukrainase në rajonin kufitar të Belgorodit në Rusi, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa forcat ruse goditën një hotel në Ukrainën lindore, duke lënë një gazetar të zhdukur dhe dy të tjerë të plagosur.

Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në fshatin rus Rakitone, 38 kilometra nga kufiri ukrainas, mes tyre një vajzë 16-vjeçare që raportohet të jetë në gjendje kritike, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.

“Forcat ruse goditën një hotel gjatë natës në qytetin Kramatorsk në rajonin lindor të Donetskut, duke plagosur dy persona dhe lënë një të bllokuar nën rrënoja”, tha guvernatori rajonal Vadym Filashkin. Sipas njoftimeve ata ishin gazetarë nga Ukraina, SHBA dhe Britania e Madhe.

Agjencia e lajmeve Reuters tha të dielën se gazetari i saj që mbulonte luftën në Ukrainë ishte zhdukur dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit u shtruan në spital pasi “Hotel Sapphire”, ku po qëndronte një ekuipazh prej gjashtë personash, u godit “nga një sulm i dukshëm me raketë të shtunën”. “Një nga kolegët tanë është i zhdukur, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në spital për mjekim,” njoftoi agjencia Reuters.

Përveç hotelit, u shkatërrua edhe një ndërtesë se lartë aty pranë. Rajoni lindor i Ukrainës, Kharkivi gjithashtu u godit nga raketat ruse që shkaktuan plagë mes popullsisë civile.

Itali: Hetime dhe mbi pistën e vrasjes, çfarë dyshohet se shkaktoi mbytjen e jahtit të milionerëve britanikë

Në pritje të përfundimit të operacionit të kërkimit për trupat ende të zhdukur në anijen e fundosur në Palermo, vëmendja e hetuesve është përqendruar në shkaqet e mbytjes së anijes që ndodhi në agim të së hënës pas një tornadoje.

Sipas Tgcom, hipoteza e një zinxhiri gabimesh në bazë të aksidentit po fiton terren. Rasti është duke u hetuar për mbytje anijeje, fatkeqësi, vrasje të shumëfishta dhe plagosje.

Hipoteza e zinxhirit të gabimit njerëzor koordinohen nga prokurori Ambrogio Cartosio i cili që në fillim ka ruajtur konfidencialitet të rreptë për hetimin, duke bërë të ditur një konferencë për shtyp vetëm për ditën e shtunë.

Hipoteza në të cilën po fokusohen hetuesit është pikërisht ajo e një zinxhiri të supozuar gabimesh njerëzore që do të kishin shkaktuar fundosjen e jahtit.

Prokurori Raffaele Cammarano ka marrë tashmë në pyetje kapitenin e jahtit, James Cutfield dhe të mbijetuarit e tjerë. Kapiteni thuhet se deklaroi se nuk e kishte vënë re ardhjen e papritur të stuhisë. Gjithsesi, mbetet për t’u kuptuar se si ka qenë e mundur që një mjet lundrues 56 metra, i pajisur me të gjitha teknologjitë dhe pajisjet më të sofistikuara të radarit, të mbytet në vetëm pak minuta, siç tregohet nga videot e marra nga hetuesit nga vilat dhe nga një klub i zonës. Më pas do të urdhërohen autopsitë e trupave nga prokuroria.

Për momentin, 15 të mbijetuarit kanë zgjedhur të mbështeten në çështjen ligjore nga një kompani e rëndësishme ligjore angleze, e cila duhet të kujdeset edhe për aspektet delikate që lidhen me kompensimin e sigurimit. sn

Macroni do ta vizitojë Serbinë në fund të gushtit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht, u tha në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiq.

Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.

Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiq muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron tha se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.

Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje.

Të dyja shtetet i kanë përshkruar raportet mes tyre si “të forta dhe miqësore” dhe vitin e kaluar takimet e nivelit të lartë u intensifikuan. Përveç vizitës së Vuçiqit në Pallatin Elize në prill, presidenti serb u takua me Macronin edhe në forume ndërkombëtare, por edhe gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike. REL

Suedia merr vendimin, do të vrasë rreth 500 arinj të murmë

Suedia ka lëshuar licenca për të vrarë 20% të arinjve të saj të murrmë, në gjuetinë vjetore të ariut, e cila fillon të mërkurën, pavarësisht shqetësimeve nga konservatorët

Zyrtarët kanë dhënë licenca për vrasjen e rreth 500 arinjve të murrmë. Ata do të vriten nga gjuetarët. Kjo është e barabartë me rreth 20% të nivelit të përgjithshëm, sipas shifrave zyrtare, dhe do të ulte numrin e arinjve në Suedi në afërsisht 2000, një rënie prej gati 40% që nga viti 2008, raporton The Guardian.

Numri i lartë i licencave të lëshuara ka alarmuar konservatorët, të cilët thonë se popullata të mëdha grabitqarësh në Evropë mund të përballen me kolaps në disa vende, pa mbrojtjen e duhur. sn

Polonia, superfuqia e ardhshme ushtarake evropiane

VOAL- Varshava do të dyfishojë ushtrinë e saj në 10 vitet e ardhshme dhe po shpenzon dhjetëra miliarda dollarë për armatim. Nëntëdhjetë e gjashtë helikopterë luftarakë AH-64E Apache të prodhimit amerikan (si dhe radarë dhe raketa) për dhjetë miliardë dollarë, 9.14 miliardë euro: ai i nënshkruar një javë më parë është vetëm i fundit në një seri shumë të gjatë marrëveshjesh përmes të cilave Polonia është jo vetëm duke modernizuar, por edhe duke forcuar ndjeshëm ushtrinë e saj, e cila së shpejti mund të bëhet e para në Evropë (përveç Rusisë), përpara gjermanëve, francezëve dhe – në të ardhmen e afërt – edhe britanikëve. Dhe në të njëjtën kohë, Varshava – për vite në harmoni të ngushtë dhe në rritje me Uashingtonin – mund të pretendojë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm brenda NATO-s, së cilës iu bashkua tashmë në 1999 si Çekia dhe Hungaria.RSI

Ligjvënësit ukrainas miratojnë ligjin që bllokon grupet fetare të lidhura me Kishën në Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) me Patriarkun Kirill, në një manastir afër Moskës.

 

Ligjvënësit ukrainas e kanë miratuar më 20 gusht një projektligj që ndalon punën e organizatave fetare të lidhura me Kishën Ortodokse Ruse, të cilën Kievi e sheh si mbështetëse të luftës së nisur prej Moskës në Ukrainë, më 2022.

Deputeti Oleksandr Honcharenko, ka thënë se 25 anëtarë të Parlamentit e kanë miratuar projektligjin, i cili sapo të nënshkruhet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të hapë rrugën për ndalim të punës së një dege ukrainase të Kishës Ortodokse, e lidhur me Patriarkanën e Moskës.

Legjislacioni ndalon aktivitetet e organizatave fetare të lidhura me qendrat e ndikimit “në një shtet që kryen agresion të armatosur kundër Ukrainës”.

Në dokument përmendet se këto aktivitete do të ndalohen edhe me ligj.

Projektligji ka qenë çështje e ndjeshme për ligjvënësit.

Në korrik, disa deputetë kanë refuzuar të votojnë për këtë dokument, mirëpo disa të tjerë i kanë bllokuar në sallë, dhe kanë mbajtur në duar mbishkrime, “Kisha e Moskës vret”.

Partia e Zelenskyt, Shërbyesit e Popullit, është e ndarë lidhur me fatin e legjislacionit që shënjestron Kishën, roli kontrovers i së cilës ka rritur edhe më shumë tensionet, prej nisjes së luftës.

Ligjvënësit ukrainas e kanë miratuar projektligjin në lexim të parë, në tetor të vitit 2023.

Dega ukrainase e lidhur me Patriarkanën e Moskës funksionon nën Kishën Ortodokse të Ukrainës, e cila më parë ka qenë nën juridiksion të patriarkut ortodoks rus në Moskë.

Mirëpo, Kisha Ortodoksee e Ukrainës i ka shkëputur të gjitha lidhjet me Moskën një vit më parë, për shkak të nisjes së luftës, dhe zyrtarët e lidhur me Kishën ruse janë akuzuar se po mbajnë lidhje me Rusinë.

Shërbimi ukrainas i Sigurisë ka thënë në tetor se janë iniciuar 68 raste penale, përfshirë akuza për tradhti, kundër përfaqësuesve të degës së lidhur me Moskën, prej kur ka nisur lufta.

Dega ukrainase e lidhur me Kishën e Moskës, ka insistuar që legjislacioni nuk është në përputhje me Kushtetutën e Ukrainës dhe Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut, dhe e ka akuzuar Kievin që po tenton të portretizojë klerikët dhe besimtarët ukrainas si “agjentë të Federatës Ruse”.

Kisha Ortodokse Ruse mbështet në masë të madh presidentin rus, Vladimir Putin, dhe luftën e Moskës në Ukrainë. REL

Lituania fillon ndërtimin e një baze ushtarake gjermane në kufi me Rusinë

Lituania që prej ditës së djeshme (19 gusht) ka filluar punimet për ndërtimin e një baze ushtarake që do të strehojë deri në 4000 trupa gjermane. Baza pritet të përfundojë në fund të vitit 2027.

Ky do të jetë dislokimi i parë i përhershëm i huaj për ushtrinë gjermane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Shefi i mbrojtjes së Lituanisë Raimundas Vaiksnoras vlerësoi se vendi do të shpenzonte më shumë se 1 miliard euro (1.10 miliardë dollarë) gjatë tre viteve të ardhshme për të zhvilluar bazën, në një nga projektet më të mëdha të ndërtimit në historinë e tij.

Është “një investim i madh” për një komb prej 2.9 milionë banorësh me një ekonomi sa një e dhjeta e madhësisë së Gjermanisë, tha Vaiksnoras.

“Brigada do të punojë si siguri për vendin tonë dhe si pengesë, për të larguar rusët”, shtoi ai.

Baza do të jetë e vendosur pranë kryeqytetit Vilnius dhe rreth 12 milje nga Bjellorusia, një mbështetës i vendosur i Kremlinit. sn

Bjellorusia i kërkon Ukrainës të marrë masa për të mos shkelur hapësirën e saj ajrore

VOA/Marrë nga Reuters

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë thirri të shtunën të Ngarkuarin me Punë të Ukrainës dhe i kërkoi Kievit të marrë masa për të mos shkelur hapësirën ajrore, pasi Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha se dhjetra dronë ukrainas ishin shkatërruar në hapësirën ajrore bjelloruse, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.

Në deklaratë, sipas agjencisë Tass, thuhej se nëse Ukraina dështonte të parandalonte përsëritjen e një situate të tillë, Bjellorusia do të vinte në pikëpyetje “nëse do të ishte i përshtatshëm” vazhdimi i përfaqësimit diplomatik të Ukrainës në Minsk.

“Pala bjelloruse ka kërkuar masa gjithëpërfshirëse që të mos përsëriten incidente të tilla në të ardhmen të cilat mund të çonin në përshkallëzim të situatës në rajon”, thuhej në deklaratën e cituar nga agjencia Tass.

Më herët, Presidenti Lukasheko tha se forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan të premten “rreth 12” dronë ukrainas pasi kishin shkeluar hapësirën ajrore bjelloruse në rajonin Mogilev në kufi me Rusinë.

Ai tha se dronë të tjerë u shkatërruan pranë qytetit rus Yaroslavl. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishte interceptuar 6 dronë në rajonin Yaroslavl.

Njeriu më i kërkuar i Spanjës, Puigdemont i drejtohet publikut: Nuk do të dorëzohem kurrë te spanjollët

Pasi u shfaq për një ditë në Barcelonë dhe u arratis sërish, ish-lideri i Katalonias, Carles Puigdemont iu drejtua publikut.

Ndërkohë që forcat e policisë nisën një operacion të gjerë për arrestimin e tij, ky lider, i cili prej disa vitesh është në arrati, iu drejtua publikut nga Waterloo, Belgjikë.

“Më vjen shumë keq për njerëzit që janë në fund të zemërimit të politikanëve dhe oficerëve të policisë, të cilët e dinë se nuk ishin në lartësinë e detyrës. Ata shpenzojnë kot paratë publike që do të përdoreshin më mirë në luftën kundër krimit sesa në ndjekje penale të politikanëve që nuk kanë bindje”, tha Puigdemont.

Ai përsëriti edhe një herë se nuk do të dorëzohej, shkruan france24.

“I thashë këshillit se nuk kam pasur kurrë vullnet për t’u dorëzuar vullnetarisht ose për të lehtësuar një arrestim sepse e konsideroj të papranueshme të persekutohem për arsye politike. Nuk duhet kërkuar nga policia e Katalonisë të jetë besnike ndaj ideve dhe narrativave politike. Kjo është ajo që bëjnë spanjollët me policinë e tyre dhe Gardën Civile, si president, ndihem shumë krenar për rolin e policisë katalanase”, thekson Puigdemont.

Kujtojmë se pas shtatë vitesh, ai u kthye në Barcelonë të enjten dhe mbajti një fjalim para më shumë se 2500 mbështetësve.

“Ata na persekutuan për shtatë vjet sepse donim të dëgjonim zërin e popullit të Katalonisë. Shumë vite më parë filloi ky represion shumë i ashpër. Ata krijuan një atmosferë që të qenit katalanas është gjë e dyshimtë. Ne jemi ende këtu”, tha Puigdemont.

Në fund të fjalës, ai u dërgoi një mesazh të gjithë mbështetësve të idesë se Katalanonia duhet të jetë e pavarur nga Spanja.

“Nuk e di kur do të shihemi përsëri. Kur të shohim njëri-tjetrin, të gjithë së bashku mund të bërtasim fjalët me të cilat do ta përfundoj fjalimin tim: “Visca Catalunya livre””, tha Puigdemont, që përkthehet si “Le të rrojë gjatë Katalonia e lirë” sn

Rreth 30 ushtarë rusë u vranë gjatë sulmit ukrainas në Kinburn Spit

Forcat speciale ukrainase vranë rreth 30 ushtarë rusë dhe shkatërruan gjashtë automjete të blinduara gjatë një sulmi në Kinburn Spit të pushtuar nga Rusia, njoftoi Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR).

Kinburn Spit ndodhet në grykën e lumit Dnipro, në jug të Khersonit. Është një nga pjesët e rajonit të Mykolaiv që mbeti nën pushtimin rus.

Operacioni ajror u krye nga një numër njësish ukrainase, si Chimera, Stuhna, Paragon, Batalioni Siberian dhe Terrori, me mbështetjen e Marinës së Ukrainës, sipas inteligjencës ushtarake.

Si pjesë e operacionit, ushtarët ukrainas ngritën flamurin e shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase në Kinburn Plyaska, njoftoi agjencia, duke shpërndarë një video që supozohet se tregon bastisjen.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se forcat ruse ndaluan një përpjekje për të zbarkuar një grup sabotazh-zbulues ukrainas në Kinburn Kos dhe shkatërruan grupin, por nuk dhanë asnjë provë.

Ky është operacioni i dytë i forcave speciale ukrainase që është raportuar gjatë javës së fundit. Trupat ukrainase shkatërruan “pajisjet, personelin dhe fortifikimet” ruse gjatë sulmit në Tendrivska Kosa afër bregut të pjesës së pushtuar të rajonit Kherson, njoftoi HUR më 7 gusht. sn

Franca i bën thirrje Kosovës të mos bëjë ndonjë “veprim tjetër të njëanshëm” në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas), në takim me presidentin francez, Emmanuel Macron, qershor 2021.

 

Franca i ka bërë thirrje Kosovës të premten të vetëpërmbahet nga ndërmarrja e ndonjë “veprimi tjetër të njëanshëm”, i cili mund t’i përshkallëzojë edhe më shumë tensionet në veri të vendit, pas synimeve për rihapjen e urës mbi Ibër.

Reagimi i Francës vjen pasi autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Franca e dënon fuqishëm rritjen e papritur të veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat prekin jetën e përditshme të komunitetit serb”, thuhet në një njoftim Ministrisë së Jashtme të Francës.

Të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

KFOR-i tha të premten se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të ardhmen” nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër. REL

4 miliardë eurot e para për rindërtimin dhe administratën publike shkojnë në Ukrainë

Ukraina do të marrë pothuajse 4.2 miliardë euro fonde evropiane pasi Këshilli i BE-së i dha dritën jeshile pagesës së parë të granteve dhe kredive në kuadër të Lehtësimit të Ukrainës, të krijuar nga Brukseli për të mbështetur stabilitetin makrofinanciar të vendit në luftë me Rusinë dhe funksionimin e administratës publike të saj.

Në një vendim të miratuar sot, 27 vendet vendosën që Kievi ka përmbushur kushtet dhe reformat e nevojshme të përcaktuara në Plan dhe të vendosura si parakusht për marrjen e fondeve.

Këto reforma, sqaron institucioni në një shënim, kanë të bëjnë me menaxhimin e financave publike, qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore, mjedisin tregtar, energjinë dhe pastrimin e minave.

Komisioni theksoi gjithashtu rëndësinë e lirimit të fondeve sa më shpejt të jetë e mundur, duke pasur parasysh situatën e vështirë fiskale të vendit.

Plani për Ukrainën përcakton synimet e Ukrainës në lidhje me rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e vendit dhe reformat që ajo synon të ndërmarrë si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE gjatë katër viteve të ardhshme dhe të cilat mund të çojnë në një mbështetje deri në 50 miliardë euro përmes instrumentit Facility for Ukraine, i cili hyri në fuqi më 1 mars 2024, i cili ofron grante dhe kredi për të mbështetur rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës në periudhën 2024-2027.

Nga këto, deri në 32 miliardë euro synohen indikativisht për të mbështetur reformat dhe investimet e parashikuara në plan, me disbursime në varësi të arritjes së treguesve të identifikuar nga Brukseli.

Që nga hyrja në fuqi, Lehtësia e Ukrainës ka dhënë tashmë 6 miliardë euro si financim urë dhe 1,89 miliardë euro si parafinancim, pas përmbushjes së kushteve politike të dakorduara.bw

Gjermania këshillon qytetarët të mos udhëtojnë drejt Rusisë

Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann ka këshilluar qytetarët të mos udhëtojnë drejt Rusisë, pas shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë, Bjellorusisë dhe disa shteteve perëndimore javën e kaluar.

“Askush nuk ka qenë i sigurt në Rusi për një kohë të gjatë”, tha Buschmann për revistën ”Stern”.

“Dhe unë këshilloj fuqimisht të mos udhëtoni në një vend ku askush nuk është i sigurt nëse nuk është absolutisht e nevojshme”, theksoi Buschmann.

”Unë nuk mund të lehtësoj shqetësimin e askujt se presidenti rus Vladimir] Putin do të krijojë më shumë të burgosur politikë”, tha ai.

Shkëmbimi i të burgosurve bëri që Moska të lirojë 16 persona, përfshirë gazetarin amerikan Evan Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan.

Në këmbim, Moska mori një numër kriminelësh të dënuar, duke përfshirë agjentin e shërbimit sekret dhe vrasësin Vadim Krasikov, i cili ishte në burg në Gjermani për vrasje. sn

Pastërtia e plazheve- Komisioni Europian e rendit Shqipërinë të fundit

Ëndërroni një pushim veror në Europë me ujëra të pacenuar?

Pavarësisht nëse e imagjinoni veten duke lundruar në Adriatikun e pastër kristal, duke bërë banja dielli në plazhet me diell të Greqisë ose duke shijuar bregdetin piktoresk të Amalfit, pastërtia e ujit është parësore, shkruan revista Forbes.

Dhe uji i pastër i notit nuk është vetëm një çështje estetike – është gjithashtu një aspekt thelbësor i shëndetit publik dhe ruajtjes së mjedisit.

Pra, ku janë ujërat më të pastra të notit në Europë? Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA), në bashkëpunim me Komisionin Europian, sapo ka nxjerrë raportin e saj më të fundit, i cili mbulon 22,081 zona ujore në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si dhe Shqipërinë dhe Zvicrën. Vendet janë renditur në bazë të pastërtisë së ujërave të tyre të notit duke përdorur të dhëna të mbledhura në vlerësime rigoroze vjetore që monitorojnë ndotësit bakterial si Escherichia coli dhe enterokoket e zorrëve.

Procesi i vlerësimit i klasifikon ujërat në katër kategori: të shkëlqyer, të mirë, të mjaftueshëm dhe të varfër. Një vlerësim i shkëlqyer tregon se uji plotëson standardet më të larta të pastërtisë dhe sigurisë, duke e bërë atë ideal për not dhe aktivitete të tjera rekreative.

Kriteret e rrepta të përcaktuara nga Direktiva e BE-së për ujërat e banjës, të miratuara në vitin 2006, kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ujit në të gjithë Europën. Sipas raportit të fundit, 85% e ujërave të njohura të notit në Europë kanë arritur vlerësimin e shkëlqyer dhe 96% plotësojnë të paktën standardet minimale të cilësisë. Vetëm 1.5% e vendeve u vlerësuan si të dobëta, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme për të reduktuar ndotjen dhe për të përmirësuar cilësinë e ujit.

Shqipëria e fundit

Në raport, për ujërat bregdetare Shqipëria renditet e fundit me vetëm 41.6% të ujërave të saj që cilësohen të shkëlqyera për 113 vende ujore të testuara në bregdetin e saj. Kjo përqindje është shumë më e ulët se vendi i parë Kroacia, me mbi 99% dhe Italia që është nga mesi i 26 shteteve të renditura me mbi 90%.

Edhe për ujërat e brendshme Shqipëria është e fundit nga 27 shtete me 33% të ujërave të saj të shkëlqyera, të testuara në 6 vende.

Si rrjedhojë, edhe në renditjen totale, ujërat e Shqipërisë kanë cilësinë më të keqe për të notuar në dete apo liqene, nga 29 shtete që janë analizuar gjithsej, me një mesatare prej vetëm 41.2% që konsiderohet me cilësi të shkëlqyer, sipas analizave që kanë rezultuar nga 119 vende ujore që janë testuar.

Ujërat bregdetare më të pastra të Evropës

Sipas raportit të fundit, Kroacia – një komb i vogël i njohur për bregdetin e tij mahnitës të Detit Adriatik – është vendi me ujërat bregdetare më të pastra në Europë. Një përqindje mbresëlënëse prej 99.1% e 894 vendeve të testuara të Kroacisë u konsideruan të shkëlqyera.

Pas Kroacisë është Qiproja, Greqia dhe Sllovenia—të cilat renditen lart për ujërat e tyre të pacenuara bregdetare. Këto vende kanë përmbushur vazhdimisht standardet e rrepta të cilësisë së ujit të BE-së, duke siguruar përvoja të sigurta dhe të këndshme noti për turistët dhe vendasit.

Ujërat më të pastra të brendshme të Europës

Për udhëtarët që preferojnë qetësinë e liqeneve dhe lumenjve, disa vende ofrojnë cilësi të jashtëzakonshme në ujërat e tyre të notit në brendësi. Veçanërisht, Bullgaria, Greqia, Irlanda dhe Rumania arritën të gjitha rezultate perfekte, megjithëse me më pak trupa ujorë të testuar.

Austria gjithashtu meriton një përmendje të veçantë, me 96.9% të 260 vendeve të saj të testuara në brendësi të vlerësuara si të shkëlqyera. Liqenet dhe lumenjtë e shumtë të vendit ofrojnë kushte të pacenuara për not, duke kontribuar në reputacionin e tij si një destinacion kryesor për larjen e ujërave të ëmbla.

Ujërat më të pastër të Europës në përgjithësi

Kur merren parasysh ujërat bregdetare dhe ato të brendshme, Qipro është lider – me 97.6% të 123 trupave të saj ujorë të vlerësuar si të shkëlqyer. Më pas në listë janë Austria, Kroacia dhe Greqia, të cilat të gjitha demonstrojnë rezultate mbresëlënëse, duke treguar angazhimin e tyre për ruajtjen e standardeve të larta për cilësinë e ujit në të gjithë bordin.

Pavarësisht nëse preferoni valët e ujit të kripur të bregdetit ose qetësinë e qetë të liqeneve në brendësi, këto vende ofrojnë pikat më të mira për të notuar.

Renditja: Ujërat bregdetare më të pastra të Europës

1. Kroacia (894 trupa ujorë) – 99.1%

2. Qipro (123 trupa ujorë) – 97.6%

3. Greqia (1728 trupa ujorë) – 95,8%

4. Slloveni (21 trupa ujorë) – 95.2%

5. Belgjika (41 trupa ujorë) – 94.6% (barazim)

5. Bullgaria (92 trupa ujorë) – 94,6%

7. Danimarka (920 trupa ujorë) – 93.9%

8. Spanja (1994 trupat ujorë) – 92.2%

9. Malta (87 trupa ujorë) – 92%

10. Portugalia (509 trupa ujorë) – 91.9%

11. Itali (4853 trupa ujorë) – 90.6%

12. Gjermani (362 trupa ujorë) – 87.6%

13. Lituania (16 trupa ujorë) – 87,5%

14. Holanda (91 trupa uji) – 80.2%

15. Letonia (33 trupa ujorë) – 78.8%

16. Francë (2075 trupa ujorë) – 76.3%

16. Irlandë (139 trupa ujorë) – 76.3%

18. Rumania (49 trupa ujorë) – 69.4%

19. Suedi (263 trupa ujorë) – 68.4%

20. Finlanda (78 trupa ujorë) – 65.4%

21. Polonia (187 trupa ujorë) – 55.1%

22. Estonia (30 trupa ujorë) – 46.7%

23. Shqipëria (113 trupa ujorë) – 41.6%

Renditja: Ujërat më të pastra të brendshme të Europës

1. Bullgaria (4 trupa ujorë) – 100%

1. Greqia (3 trupa ujorë) – 100%

1. Irlandë (4 trupa ujorë) – 100%

1. Rumania (1 trup ujor) – 100%

5. Austria (260 trupa ujorë) – 96.9%

6. Finlandë (226 trupa ujorë) – 94.7%

7. Danimarka (124 trupa ujorë) – 94.4%

8. Gjermania (1929 trupat ujorë) – 90,8%

9. Lituania (105 trupa ujorë) – 89,5%

10. Luksemburgu (17 trupa ujorë) – 88.2%

11. Itali (680 trupa ujorë) – 87.8%

12. Estonia (35 trupa ujorë) – 82.9%

13. Çekia (153 trupa ujorë) – 79,1%

14. Suedia (205 trupa ujorë) – 78.5%

15. Zvicra (196 trupa ujorë) – 74.5%

16. Franca (1286 trupa ujorë) – 72.6%

17. Sllovakia (32 trupa uji) – 71.9%

18. Holanda (655 trupa ujorë) – 71.1%

19. Letonia (26 trupa ujorë) – 69.2%

20. Belgjika (89 trupa ujorë) – 68.5%

21. Portugalia (158 trupa ujorë) – 67.7%

22. Slloveni (26 trupa ujorë) – 65,4%

23. Hungaria (283 trupa ujorë) – 62.5%

24. Polonia (552 trupa ujorë) – 54,9%

25. Spanja (281 trupa uji) – 54.8%

26. Kroacia (42 trupa ujorë) – 45.2%

27. Shqipëria (6 trupa ujorë) – 33.3%

Renditja: Ujërat më të pastër të Europës në përgjithësi

1. Qipro (123 trupa ujorë) – 97.6%

2. Austri (260 trupa ujorë) – 96.9%

3. Kroacia (936 trupa ujorë) – 96.7%

4. Greqia (1731 trupa ujorë) – 95.8%

5. Bullgaria (96 trupa ujorë) – 94.8% (barazim)

5. Irlandë (96 trupa ujorë) – 94.8% (barazim)

7. Danimarka (1044 trupa ujorë) – 94%

8. Malta (87 trupa ujorë) – 92%

9. Spanja (2275 trupa ujorë) – 87.6%

10. Portugalia (667 trupa ujorë) – 86.2%

11. Gjermani (2291 trupa ujorë) – 90.3%

11. Itali (5533 trupa ujorë) – 90.3%

13. Lituani (121 trupa ujorë) – 89.3%

14. Luksemburgu (17 trupa ujorë) – 88.2%

15. Finlandë (304 trupa ujorë) – 87,2%

16. Çekia (153 trupa ujorë) – 79,1%

17. Slloveni (47 trupa ujorë) – 78,7%

18. Francë (3361 trupa ujorë) – 74,9%

19. Letonia (59 trupa ujorë) – 74.6%

20. Zvicra (196 trupa ujorë) – 74.5

21. Suedia (468 trupa ujorë) – 72.9%

22. Holanda (746 trupa ujorë) – 72.3%

23. Sllovakia (32 trupa ujorë) – 71.9%

24. Rumania (50 trupa ujorë) – 70%

25. Belgjika (130 trupa ujorë) – 67,7%

26. Estonia (65 trupa ujorë) – 66.2%

27. Hungaria (283 trupa ujorë) – 62.5%

28. Polonia (739 trupa ujorë) – 54,9%

29. Shqipëria (119 trupa ujorë) – 41.2% /Forbes

Raportohet se është sulmuar një bazë ajrore ruse në Krime

Imazhe të kombinuara satelitore të bazës ajrore ushtarake afër fshatit Novofedorivka.

 

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se është sulmuar me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, raportuan mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram më 26 korrik.

Televizioni ukrainas, Suspilne, duke cituar banorët lokalë, raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Krimesë. “Shpërthime shumë të fuqishme” janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore është sulmuar me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve është shkatërruar një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar, tha se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Ky kanal tha se si pasojë e sulmeve janë përhapur zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, janë plagosur.

Astra po ashtu tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari. Duke cituar burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u gjuajtën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

Ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur sulmet në Krime, por vetëm ka thënë se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit dhe dy mbi atë të Kurskut.

Baza ajrore ushtarake Saki, afër fshatit Novofedorivka, edhe në të kaluarën është shënjestruar disa herë nga sulmet me raketa.

Kjo bazë është shtëpi e regjimentit të 43-të të aviacionit luftarak të Rusisë, që mbështet trupat ruse në jug të Ukrainës dhe operon me bombarduesit Su-24 dhe avionët luftarakë Su-30.

Krimeja, që është pushtuar nga Rusia më 2014, përdoret nga ushtria ruse për të kryer sulme me raketa për në Ukrainë, teksa Moska po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që nisur në shkurt të vitit 2022.

Në prill, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, që mund të fluturojnë deri në 300 kilometra dhe mund të përdoren për të goditur cilindo nga më shumë se 100 caqet ushtarake ruse në Krime. REL

Alarmohet NATO, droni rus bie në tokën rumune

Gjatë natës, Rusia nisi 38 drone Shahed drejt Ukrainës, me tre prej tyre që hynë në hapësirën ajrore të Rumanisë, konfirmuan ministritë rumune dhe ukrainase.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës arritën të rrëzojnë 25 mjete ajrore pa pilot, sipas një njoftimi për shtyp nga Forcat Ajrore të Ukrainës. Në sulm, rusët synuan rajonin e Odesës, i cili kufizohet me Rumaninë.

“Rusia ka kryer sulme të tmerrshme në infrastrukturën civile të Ukrainës. Në territorin e Rumanisë u gjetën mbeturina. Ne kemi informuar dhe po koordinojmë aleatët tanë për këtë çështje. Rumania dënon fuqishëm këto veprime të papërgjegjshme”, shkroi ministri i Jashtëm rumun, Luminiţa Odobescu në platformën X.

Në rrjetet sociale është shfaqur një video që dyshohet se tregon vendin ku ka rënë një nga dronët rusë, ku shihen pemët dhe toka e djegur.

Ndërsa dronët rusë po sulmonin portet në rajonin e Odesas, banorët e rrethit Tulcea të Rumanisë dëgjuan shpërthime të shumta, raportojnë mediat lokale. Rumunët për të dytën natë radhazi shpallën alarm ajror në qarkun e përmendur.

Dy aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore Finlandeze F-18 u dërguan nga një bazë ajrore rumune gjatë natës për të monitoruar situatën, konfirmoi Ministria rumune e Mbrojtjes.

Zëdhënësi i NATO-s tha se nuk kishte indikacione për një sulm të qëllimshëm në territorin e aleancës ushtarake, por paralajmëroi për incidente “të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme” të dronëve rusë që hyjnë në hapësirën ajrore rumune.

Ai konfirmoi se aleanca ka rritur masat e monitorimit dhe mbikëqyrjes, duke përfshirë patrullimet ajrore, ditët e fundit. sn

Klitschko: Zelensky rrezikon ‘vetëvrasje politike’ nëse lëshon tokë ndaj Rusisë. Të mbajë referendum

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në një intervistë më 21 korrik se presidenti Volodymyr Zelensky ka të ngjarë të ketë nevojë të mbajë një referendum public, përpara se të bjerë dakord për ndonjë kompromis territorial me Rusinë.

Deklarata vjen pas një propozimi të ish-presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë. Ndërsa fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit bëhet më e mundshme, po bëhen përpjekje për ta shtyrë atë në anën e Ukrainës dhe për të siguruar që çdo marrëveshje e mundshme të jetë e favorshme për Kievin.

“Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të vështirë për Volodymyr Zelenskyn. A duhet të vazhdojë luftën me vdekje dhe shkatërrime të reja, apo të mendojë për një kompromis territorial me Putinin?” Klitschko shpjegoi shumë gjëra gjatë një interviste për gazetën italiane Corriere della Sera. “Si mund t’i shpjegojmë vendit se ne duhet të heqim dorë nga pjesët e territorit tonë që kushtuan jetën e mijëra heronjve tanë luftarak? Çfarëdo lëvizje që ai të bëjë, presidenti ynë rrezikon vetëvrasjen politike.”Ai tha se “Zelensky ndoshta do të duhet t’i drejtohet një referendumi”. “Unë nuk mendoj se ai mund të arrijë marrëveshje të tilla të dhimbshme dhe të rëndësishme vetë pa legjitimimin popullor,” shtoi Klitschko.

Tre të katërtat e ukrainasve ishin kundër që Ukraina t’i bënte lëshime territoriale Rusisë për të arritur një marrëveshje paqeje, sipas një sondazhi të publikuar në dhjetor nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, një rënie e lehtë nga 84% që thanë se ishin kundër në maj 2023.

Në të njëjtën intervistë, Klitschko kritikoi Zelenskyn për përqendrimin e pushtetit në zyrën e tij dhe tha se parlamenti i Ukrainës ishte bërë i parëndësishëm.

Për shkak se zgjedhjet janë të pamundura, Klitschko nxiti krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, për të “shmangur që të gjitha zgjedhjet e rëndësishme t’i dorëzohen vetëm Zyrës së Presidentit”, por shprehu dyshimin se Zelensky do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga çdo pushtet për ta arritur këtë.

Klitschko dhe Zelensky kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti i parë i presidentit në detyrë. Konflikti është zhvilluar në hetime të përsëritura dhe përpjekje për të hequr kryetarin e bashkisë nga Administrata Shtetërore e Qytetit të Kievit./Kyiv Independent/

Mbronte gjuhën ukrainase, vritet linguistja dhe politikania Iryna Farion në një rrugë në Lviv

Ish-deputetja dhe gjuhëtarja ukrainase Iryna Farion, 60 vjeçe, vdiq në Lviv më 19 korrik, disa orë pasi u sulmua, tha Guvernatori i Rajonit të Lviv, Maksym Kozytskyi.

Një person i armatosur qëlloi dhe plagosi për vdekje një nacionaliste, ish-deputete e parlamentit ukrainas , e njohur për fushatat e saj të hapura në favor të gjuhës ukrainase.

Policia ka nisur një gjueti për njeriun që dyshohet se qëlloi për vdekje 60-vjeçaren Irina Farion në një rrugë në qytetin e Lviv. Rasti është klasifikuar si ” vrasje në tentativë “, tha më herët Ministri i Brendshëm Ihor Klimenko. “Viktima është në gjendje kritike dhe mjekët po luftojnë për t’i shpëtuar jetën”, shtoi ai pak minuta pasi Farion u qëllua në kokë.

Megjithatë, sipas mediave ukrainase, ish-deputetja dhe gjuhëtarja ukrainase vdiq pas plagëve të marra në Lviv më 19 korrik, disa orë pas sulmit. Lajmi u konfirmua si nga guvernatori i qytetit ukrainas Maksim Kozhitsky, ashtu edhe nga kryetari i bashkisë së Lviv Andriy Sandovy.

Presidenti Volodymyr Zelensky kishte njoftuar se ishte i informuar rregullisht në lidhje me hetimet për arrestimin e personit të armatosur dhe dënonte çdo formë dhune.

Një gjuhëtare, Farion iu bashkua partisë nacionaliste Svoboda (“Liria”) në 2005 dhe u zgjodh në parlament për herë të parë dhe të fundit në 2012. Ajo ishte gjithashtu anëtare e këshillit rajonal të Lviv. Ajo u bë e njohur për fushatat e saj për të promovuar gjuhën ukrainase dhe komentet e saj përçmuese për zyrtarët e sektorit publik rusishtfolës.

Në vitin 2018, kur Ukraina po luftonte me separatistët pro-rusë, të cilët kishin pushtuar territorin në Ukrainën lindore, ajo u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj që “të godasin në nofull të gjithë rusishtfolësit”.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Farion madje denoncoi luftëtarët rusishtfolës të Batalionit Azov që mbrojtën Mariupolin për shumë muaj.

Megjithëse ukrainishtja është e vetmja gjuhë zyrtare në Ukrainë, për shumë banorë rusishtja është gjuha e tyre amtare, një trashëgimi e epokës sovjetike.

Gjuhësia ka qenë gjithmonë një çështje e mprehtë për vendin dhe parlamenti ka miratuar ligje për të promovuar gjuhën ukrainase në qeveri dhe agjencitë e shërbimit.

Image

Zelensky uron Trumpin për nominimin dhe pajtohen për “takim personal”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në një takim vite më parë.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se ka folur me të nominuarin e republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe janë pajtuar për një “takim personal”, për të diskutuar hapat për paqe të qëndrueshme me Rusinë.

Zelensky ka folur me Trumpin më 19 korrik, një ditë pasi kandidati republikan e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane dhe është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, nëse fiton zgjedhjet.

“Kam biseduar me Donald Trumpin për t’ia uruar nominimin e republikanëve dhe për të dënuar atentatin tronditës ndaj tij në Pensilvani. I kam uruar forcë dhe siguri në të ardhmen”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – të njohur më parë si Twitter – duke iu referuar të shtënave kundër Trumpit më 13 korrik, sa ka qenë në një tubim të fushatës.

Trump është plagosur në veshin e djathtë.

Zelensky ka thënë se është pajtuar me Trumpin “për të diskutuar në një takim personal për hapat që duhet bërë për ta bërë paqen të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë hollësi se ku dhe kur mund të ndodhë takimi.

Trump ka thënë në platformën e vet sociale, Social Truth se ka pasur “bisedë shumë të mirë” me Zelenskyn, me të cilin kanë biseduar për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Trump është zotuar për të sjellë paqe në botë dhe “për t’iu dhënë fund luftërave që u kushtojnë me jetë aq shumë njerëzve”.

“Të dyja palët do të mund të punojnë së bashku dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe i hap rrugën prosperitetit”, ka thënë Trump.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, ka lënë dhjetëra mijëra njerëz të vrarë në të dyja anët dhe fundi nuk i shihet.

Aktualisht, Rusia zotëron rreth 17 për qind të territorit të Ukrainës.

Thirrja e Zelenskyt është bërë në kohën kur rriten shqetësimet e Kievit dhe kryeqyteteve evropiane për një tjetër mandat të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Mundësitë e republikanëve për t’i fituar zgjedhjet e nëntorit të këtij viti janë rritur pas performancës jo të mirë të presidentit aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, në një debat të mbajtur me Trumpin, javë më parë.

Turmp ka shprehur admirim për presidentin rus, Vladimir Putin, i ka quajtur taktikat e tij para pushtimit si “gjeniale” dhe i ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë që nuk po shpenzojnë më shumë në mbrojtje të përbashkët.

Trump nuk është deklaruar publikisht se çfarë mendon për vazhdimin e ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndonëse këtë javë e ka zgjedhur senatorin e Ohajos, J.D. Vance, si kandidat për nënpresident.

Senatori 39-vjeçar ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kapacitet ushtarak për të mbështetur Tajvanin, Izraelin dhe Ukrainën, dhe duhet t’iu japin prioritet dy të parave. REL

Ukraina thotë se është e rrethuar nga 500 mijë trupa ruse

VOA/Jeff Seldin

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov tha në Forumin e Sigurisë në Aspen të mërkurën se 500 mijë trupa ruse po rrethojnë Ukrainën dhe Rusia po shqyrton mundësinë e dislokimit të 200 mijë deri në 300 mijë trupa të tjera në muajt e ardhshëm.

Ai tha në takimin vjetor në Aspen të Kolorados se 550 mijë rusë janë vrarë ose plagosur deri tani në luftën 2-vjeçare dhe se Rusia po mbështetet shumë tek mercenarët, përfshirë ata nga Afrika.

Në lidhje me përpjekjen e Ukrainës për të bindur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për të hequr kufizimet mbi përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në thellësi të territorit të Rusisë, zoti Umerov tha: “Ne duam ta ndryshojmë atë nga një kufizim në gjatësi në një përqendrim tek funksionaliteti i tyre.”

Ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov.

Ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov.

“Puna është ende duke vazhduar”, shtoi ai. “Ne duam të theksojmë se jemi duke u përqendruar në objektivat ushtarake.”

Më herët, ministria ruse e mbrojtjes tha të mërkurën se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi pesë dronë ukrainas, që kishin për qëllim të sulmonin rajonet Bryansk, Belgorod dhe Voronezh, që kufizohen me Ukrainën.

Zyrtarët në Bryansk dhe Voronezh thanë në platformën Telegram se nuk pati viktima apo dëme nga dronët e rrëzuar.

Në rajonin Kursk të Rusisë, i cili kufizohet me Ukrainën verilindore, guvernatori Alexey Smirnov tha se një helikopter ukrainas goditi një stacion zjarrfikësish, duke plagosur një person dhe duke dëmtuar disa makina.

Ushtria e Ukrainës tha të mërkurën se shkatërroi katër dronë rusë zbulimi.

Forcat ruse gjithashtu kryen sulme me raketa në rajonet e Odesës dhe Khersonit, thanë të mërkurën zyrtarë të forcave ajrore ukrainase.

Kryeministrja e Estonisë jep dorëheqje për t’u bërë kryediplomate e BE-së

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.

Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën.

Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.

Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.

Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri – me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.

Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”. REL

Tsikhanouskaya i bën thirrje Perëndimit të jetë i bashkuar kundër Rusisë

liderja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya

 

Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuara” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.

“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.

Tsikhanouskaya, 41 vjeçe, është ish-mësimdhënëse e cila garoi për presidente në Bjellorusi më 2020, pasi burrit të saj, Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe u burgos.

Ajo u detyrua të ikë në Lituani gjatë luftës brutale kundër një vale protestash prodekomratike, të cilat shpërthyen pasi liderit Alyaksandr Lukashenka iu dhurua mandati i gjashtë presidencial në zgjedhjet e kontestuara.

“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.

Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.

“Dhe ata mendojnë se mund t’i kalojnë vijat e kuqe vazhdimisht”, tha ajo, duke shtuar se ata po e sfidojnë botën Perëndimore për të mësuar se sa larg mund të shkojnë derisa të përballen me një përgjigje.

“Prandaj të gjitha tanket dhe pajisjet e mundshme për Ukrainën është dashur të ishin atje qysh dje. Ne nuk kemi kohë”, nënvizoi ajo.

“Unë po pres unitet dhe vendosmëri nga vendet e NATO-s, sepse këtë po e presin njerëzit të cilët po luftojnë kundër tiranisë, kundër synimeve imperialiste të Rusisë, dhe kundër diktatorëve të botës”, përfundoi Tsikhanouskaya. REL

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

Dy avionë luftarakë F-16. (Fotografi nga arkivi)

 

Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

Ky njoftim vjen në ditën kur liderët e vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një samit në Uashington. Ata pritet të njoftojnë për ndihmën e re që do t’ia japin Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dëshiron që vendet anëtare t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe para, si dhe t’i ofrojnë garanci të sigurisë, me shpresë se kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

“Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por nuk tregoi sasinë asokohe.

Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

Ndërkohë, Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë 19 avionë luftarakë në përgjithësi Ukrainës, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

Forca Ajrore e Norvegjisë i zëvendësoi avionët e vet F-16 me modelin pasardhës F-35. REL

Le Pen në hetim nga Prokuroria e Parisit, dyshime për financime të paligjshme

Prokuroria në Paris ka nisur një htim paraprak ndaj Marine Le Pen me dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale në zgjedhjet e vitit 2022.

Prokuroria e Parisit konfirmoi për AP se më 2 korrik nisi një hetim gjyqësor me akuzën e pranimit të një kredie financiare, përvetësimit, mashtrimit dhe falsifikimit, pa dhënë një shpjegim të detajuar.

Le Pen nuk i komentoi akuzat.

Një hetim paraprak u hap në bazë të raportit të vitit 2023 të Komisionit Kombëtar për Financimin Politik, organi përgjegjës për monitorimin e shpenzimeve të kandidatëve.

Në zgjedhjet franceze, kandidatëve u ndalohet të kalojnë një kufi të caktuar shpenzimesh.

Por, 55-vjeçarja që drejton Tubimin Kombëtar në Francë, nuk është kandidatja e vetme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, që po hetohet.

(BalkanWeb)

Ukrainasit kryejnë sulm me dronë në Rusi, qëllimi ishin rafineritë e naftës, bazat ajrore dhe stacionet elektrike

Agjensitë ukrainase të inteligjencës kanë kryer një sulm mbi bazat ajrore ruse, stacionet e energjisë elektrike si dhe rafineritë e naftës në tre rajone të ndryshme.

Sulmi është kryer nga inteligjenca ukrainase e njohur si SBU në bashkëpunim me inteligjencën ushtarake HUR, që kishin për qëllim bazën ajrore Akhtubinsk në rajonin e Astrakhanit në Rusi, trafo stacionin në rajonin Rostov si dhe një rafineri nafte në Kalach-na-Don në rajonin e Volgogradit.

Një sulm i ngjashëm mbi bazën ajrore Akhtubinsk ka ndodhur muajin e kaluar, ku i janë dëmtuar rusëve dy aeroplanë luftarakë Su-57.

Ajo gjendet rreth 450 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, dhe rreth 30 kilometra në perëndim të kufirit Rusi-Kazakistan.

Sulmet i kanë konfirmuar edhe autoritetet ruse, por duke tentuar të minimizojnë dëmet që mund t’u jenë shkaktuar nga sulmet me dronë kamikaz. sn

Emmanuel Macron i kërkon Gabriel Attal të qëndrojë në detyrë

Presidenti francez refuzon dorëheqjen e kryeministrit “për momentin” për të “siguruar stabilitetin e vendit” – Jean-Luc Mélenchon: “Gati për të qeverisur me dekrete”

VOAL- Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi kryeministrit Gabriel Attal të qëndrojë “për momentin”, për të “siguruar stabilitetin e vendit”. Attal u prit këtë të hënë në mëngjes në Elysee në një vizitë zyrtare për të dorëzuar dorëheqjen e tij, e cila u refuzua.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire deklaroi në “X” se ekziston rreziku i një “krize financiare” dhe një “rënie ekonomike të Francës” pas “rendit të ri politik” që u vendos pas zgjedhjeve legjislative. Zgjedhje në të cilat askush nuk ka arritur shumicën absolute.

Sipas Le Maire, Fronti i Ri Popullor (NFP), i cili mori më shumë vende, “do të shkatërronte rezultatet e politikës që kemi zhvilluar për shtatë vjet”. Por edhe midis lëvizjeve NFP nuk ka unanimitet se kush duhet të udhëheqë Ekzekutivin.

“Ne jemi gati të qeverisim edhe me dekrete”, deklaroi lideri i lëvizjes La France Insoumise dhe i Frontit të Ri Popullor që fitoi shumicën relative në Asamblenë Kombëtare Jean-Luc Mélenchon, ndërsa për sekretarin socialist Olivier Faure na duhet një personalitete të aftë për të komunikuar me jashtë, duke përjashtuar kështu Mélenchon-in përçarës.RSI

E majta fituese i bën ofertën e parë Macronit: Jemi gati të bashkëqeverisim

VOA

Një koalicion i së majtës franceze që u bë bashkë papritur për të mposhtur një të djathtë ekstreme në rritje, fitoi shumicën e vendeve në parlament, por jo shumicën, sipas parashikimeve të dala pas zgjedhjeve të së dielës, një rezultat që kërcënon të zhysë vendin në trazira politike dhe ekonomike.

Parashikimet e rendisin aleancën e qendrës të presidentit Emmanuel Macron në vendin e dytë dhe të djathtën ekstreme të tretën.

Pamundësia e sigurimit të një shumice qeverisëse nga cilido bllok politik mund të përballë Francën me pasiguri që mund të tronditë tregjet dhe ekonominë e saj, e dyta më e madhja në Bashkimin Evropian dhe të hedhë një hije paqëndrueshmërie politike në prag të Lojërave Olimpike të Parisit që pritet të hapen në më pak se tre javë.

Rezultatet përfundimtare nuk priten të dalin deri të dielën vonë në mbrëmje ose të hënën herët në mëngjes.

Sipas parashikimeve presidenti thellësisht jopopullor Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e parlamentit. Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen e rriti shumë numrin e vendeve, por nuk i përmbushi shpresat e saj për të siguruar një shumicë absolute, që do t’i jepte Francës qeverinë e saj të parë të ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Jordan Bardella, i përkëdheluri 28 vjeçar i zonjës Le Pen, i cili shpresonte të bëhej kryeministër, tha se rezultati i votimit “e hedh Francën në krahët e ekstremit të majtë”.

Udhëheqësi kryesor i koalicionit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i kërkoi presidentit Macron të ftojë koalicionin e Frontit të Ri Popullor për të formuar qeverinë. Aleanca, tha ai, “është gati të qeverisë”.

Nëse rezultatet zyrtare konfirmojnë parashikimet, atëherë pritet të zhysin vendin, një shtyllë e Bashkimit Evropian dhe ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, në pasiguri e paqartësi intensive se kush mund të jetë partner me presidentin Emmanuel Macron në detyrën e kryeministrit. Rezultatet pritet të ndikojnë tek lufta në Ukrainë, diplomacia globale dhe qëndrueshmëria ekonomike e Evropës.

Kryeministri francez Gabriel Attal, tha se do të jap dorëheqje, por do të qëndrojë përkohësisht në detyrë gjatë Lojërave Olimpike, ose për aq kohë sa nevojitet, duke pasur parasysh se mund të ketë javë negociatash për të zgjedhur një kryeministër të ri.

Në një deklaratë nga zyra e tij, presidenti Macron tha nuk do të nxitohej për të ftuar një kryeministër të mundshëm për të formuar qeverinë. Ai tha se do presë rezultatet dhe Asambleja e re Kombëtare të marr formë, përpara se të sjell “vendimet e nevojshme”, duke respektuar “zgjedhjen sovrane të francezëve”.

Ndryshe nga vendet e tjera në Evropë që janë mësuar më shumë me qeveritë e koalicionit, Franca nuk ka traditë që ligjvënësit nga kampet rivale politike të bashkohen për të formuar një shumicë.

Presidenti Macron habiti vendin dhe shumë në qeverinë e tij, duke shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, pas një rritje të së djathtës ekstreme në votimet për zgjedhjet evropiane. Ai argumentoi se nxjerrja e votuesve në qendrat e votimit do t’i siguronte Francës “qartësi”.

Ai mendonte se me fatin e Francës në duart e tyre, votuesit mund të largoheshin nga e djathta dhe e majta ekstreme dhe të riktheheshin tek partitë kryesore më pranë qendrës, ku zoti Macron gëzon më shumë mbështetje që i dha atij presidencën në 2017 dhe përsëri në 2022. Ai shpresoi se kjo do ta forconte presidencën e tij për tre vitet e mbetura në detyrë.

Por në vend që të dilnin në mbështetje të tij, miliona votues në të majtë dhe në të djathtë të peizazhit politik gjithnjë e më të polarizuar të Francës, shfrytëzuan vendimin e tij të befasishëm, si një mundësi për të shprehur zemërimin e tyre dhe ndoshta për ta mënjanuar zotin Macron, duke i dhënë atij një parlament që tani mund të jetë përgjithësisht i formuar nga ligjvënës jomiqësorë ndaj tij dhe në veçanti, ndaj politikave të tij pro-biznesit.

Që në raundin e parë të votimit të fundjavës së kaluar, votuesit mbështetën masivisht kandidatët nga Bashkimi Kombëtar i së djathtës ekstreme, në një numër edhe më të madh sesa gjatë votimeve për Parlamentin Evropian. Një koalicion i partive të majta u rendit i dyti dhe aleanca e tij qendrore u radhit e treta, madje me diferencë të madhe.

Polarizimi i mprehtë i politikës franceze – veçanërisht në këtë fushatë të zjarrtë dhe të shpejtë – sigurisht që do të komplikojë çdo përpjekje për ndërtimin e koalicionit. Racizmi dhe antisemitizmi njollosën fushatën elektorale, së bashku me fushatat e dezinformimit rus, ndërsa mbi 50 kandidatë raportuan se ishin sulmuar fizikisht – diçka shumë e pazakontë për Francën. Qeveria tha se dislokoi 30 mijë policë për votimet për balotazhin e së dielës – një tregues i rrezikut të lartë dhe shqetësimeve se një fitore e ekstremit të djathtë, apo pa një fitore të qartë nga një grupim politik, mund të shkaktojë protesta.

Shumica që mund të krijohet nga koalicione paszgjedhore rrezikon të jetë e brishtë, e ekspozuar ndaj mocioneve të mosbesimit që mund të shkaktojnë rënien e saj.

Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të shtojë sugjerimet nga kundërshtarët e tij se zoti Macron duhet ta përfundojë më herët mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Kushtetuta franceze e pengon atë ta shpërndajë parlamentin përsëri në 12 muajt e ardhshëm, duke e hequr këtë si një mundësi për t’i dhënë Francës një qartësi më të madhe.

Zgjedhjet mbaruan por asnjë nga palët nuk ka numrat për të “qeverisur” Parlamentin, çfarë pritet nga Macron

Francezët janë zgjuar sot në një terren politik të panjohur.

Rezultatet e zgjedhjeve, nuk i kanë krijuar asnjë prej palëve mundësinë që të qeverisin të vetëm, për shkak se mungojnë numrat e nevojshëm.

Shumë njerëz po përgatiteshin për një përparim tronditës për të djathtën ekstreme, por në rast se ishte një koalicion i së majtës që doli përpara si të djathtës ashtu edhe centristëve të Presidentit Emmanuel Macron.

Fronti i Ri Popullor duket i sigurt pasi do të ketë 182 vende në Asamblenë Kombëtare me 577 vende, me 168 për aleancën e Ansamblit të Macron, 143 për Rally Kombëtare të ekstremit të djathtë dhe aleatët e saj dhe 60 për republikanët konservatorë.

Të gjithë sytë do të jenë te Macron, i cili thirri këto zgjedhje të parakohshme dhe duhet ende të japë përgjigjen e tij ndaj realiteteve të reja politike.bw


Send this to a friend