VOAL

VOAL

Raportohet për shpërthime të reja në Krime

RFE/RL

Të paktën katër shpërthime janë raportuar gjatë natës në rajonin ukrainas të Krimesë afër aeroportit ushtarak të Belbekut, thanë burimet lokale.

Ky aeroport gjendet në afërsi të Sevastopolit, në Krimenë e okupuar nga Rusia.

Administratori i vendosur nga Rusia në Sevastopol, Mikhail Razvozhayev, shkroi në Telegram në orët e vona të 18 gushtit se mbrojtja ajrore ka rrëzuar një dron ukrainas. Ai shtoi se shpërthimet nuk kanë shkaktuar ndonjë dëm.

Po të njëjtën ditë, një zyrtar rus në qytetin Kerç të Krimesë tha se mbrojtja ajrore është aktivizuar. Kerç gjendet në skajin më lindor të Krimesë dhe aty gjendet edhe ura e Krimesë, apo siç quhet Ura e Ngushticës së Kerçit.

Kjo urë ishte ndërtuar nga Rusia dhe aty kalon edhe linja hekurudhore që lidh gadishullin e okupuar ukrainas me territorin e Rusisë.

Ky zyrtar tha se “nuk ka rrezik për qyteti apo për urën”.

Ndërtimi i urës së Krimesë përfundoi në maj të vitit 2018 dhe kishte kushtuar rreth 4 miliardë dollarë. Ky projekt kishte për qëllim të forconte pretendimet e Moskës në Krime dhe ura ishte inauguruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Caqet ushtarake ruse në Krime, që Moska e aneksoi paligjshëm më 2014, në ditët e fundit janë goditur nga shpërthime. Një depo e municionit rus në veri të Krimesë shpërtheu më 16 gusht, një incident që autoritetet ruse ia atribuan “sabotimit”.

Në të njëjtën ditë, një nënstacion elektrik në qarkun Zhankoi shpërtheu, edhe pse shkaku i këtij shpërthimi është ende i panjohur.

Ndërkaq, më 9 gusht baza ajrore Saki u godit nga shpërthime që shkatërruan të paktën nëntë avionë luftarakë rusë, përfshirë edhe avionë luftarakë të llojit Su-30SM dhe bombardues Su-24M.

Zyrtarët ukrainas publikisht nuk kanë marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por një zyrtar i paidentifikuar ukrainas ka thënë për New York Times se një njësi elite e ushtrisë ukrainase që po vepron prapa linjave të armikut është përgjegjëse për disa prej sulmeve.

Më 31 korrik, festimet për ditën e marinës ruse në Sevastopol u anuluan pas një sulmi me dron në selinë e Flotës ruse në Detin e Zi. Nga ky sulm u plagosën të paktën gjashtë persona.

Rusia, që nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ka paralajmëruar se për çdo sulm në Krime, do të kundërpërgjigjet ashpër.

Ndërron jetë Niccolò Ghedini, senatori i Forza Italia dhe avokati historik i Berlusconit

Ndahet nga jeta senatori i Forza Italia, Niccolò Ghedini.

Senatori vuante prej disa kohësh nga një sëmundje, e cila i mori jetën në moshën 62-vjeçare.

Ghedini, ishte avokati i Silvio Berlusconit për shumë vite. Ka qenë kreu i Forza Italia ai që ka bërë të ditur lajmin me një postim të përzemërt në Facebook.

“Niccolò-ja jonë na la – shkroi Berlusconi -. Nuk na duket e mundur por për fat të keq është. Dhimbja jonë është e madhe, e pamasë, vështirë se mund ta besojmë: tre ditë më parë punuam sërish bashkë”.

Niccolò, kishte kohë që po trajtohej për një formë të leucemia i cili e kishte goditur dhe i ishte nënshtruar muajt e fundit në spitalin San Raffaele ndaj një transplanti të palcës së eshtrave.

Sipas ‘Tgcom‘, vdekja ka ardhur nga një komplikacion, pneumonia, e kontraktuar ndoshta për shkak të gjendjes së tij veçanërisht të brishtë si pacient i imunosupresionuar.

Me përhapjen e lajmit nisën mesazhet ngushëlluese nga bota e politikës italiane./ dita

Itali, Georgia Meloni pretendentja kryesore për postin e kryeministres

VOA/Marrë nga Associated Press

Përmes një mesazhi që ndërthur krishtërimin, patriotizmin dhe të qënit nënë, Giorgia Meloni ka fituar një mbështetje kaq të madhe saqë muajin që vjen, ajo mund të bëhet gruaja e parë në postin e kryeministrit të Italisë dhe udhëheqësja e parë e ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse partia e saj “Vëllezërit e Italisë” ka rrënjë neofashiste, zonja Meloni është përpjekur ta largojë vëmendjen nga e kaluara e saj, duke u shprehur se votuesit janë lodhur nga diskutime të tilla.

Zgjedhjet e 25 shtatorit do të përcaktojnë nëse 45 vjeçarja Giorgia Meloni do të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë. 100 vjet më parë, në shtatorin e vitit 1922 erdhi në pushtet Benito Musolini, diktatori fashist i Italisë.

Në vitin 2019, zonja Meloni prezantoi me krenari kandidatin Caio Giulio Cesare Mussolini, stërnip i diktatorit, si një nga kandidatët e saj për Parlamentin Evropian, megjithëse ai përfundimisht humbi.

Lorezo Pregliasco, i cili drejton firmën e sondazheve “YouTrend”, thotë se shumica e italianëve nuk i kushtojnë shumë vëmendje pikëpyetjeve lidhur me atifashizmin dhe neofashizmin.

“Anketat e opinionit publik tregojnë se trashëgimia e fashizmit shihet si diçka e së kaluarës”.

Por zonja Meloni dëshiron që në arenën ndërkombëtare partia e saj të vlerësohet si konservatore dhe jo e ekstremit të djathtë, kur flitet për mundësinë që ajo të marrë postin e kryeministres.

Përmes video-mesazheve në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, zonja Meloni shprehet se fashizmi i përket së kaluarës, duke dënuar qartë shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese kundër popullsisë hebraike.

Në Italinë e viteve 1938, komuniteti i vogël hebre e kishte të ndaluar me ligj arsimin, biznesin dhe pjesëmarrjen në shumë aspekte të jetës së përditshme. Shumë hebrenj italianë u dërguan në kampet naziste të vdekjes gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Partia Vëllezërit e Italisë, emri i së cilës rrjedh nga fjalët hapëse të hymnit kombëtar, gëzonte një mbështetje relativisht të vogël pesë vite më parë, me rreth 4.4% të votave.

Aktualisht, anketat tregojnë se kjo parti mund të zërë vendin e parë në zgjedhjet e shtatorit dhe të fitojë 24% të votave, duke lënë mbrapa Partinë Demokrate të qendrës së majtë, të udhëhequr nga ish-kryeministri Enrico Letta.

Italia ka një sistem zgjedhor kompleks, pjesërisht proporcional, çka do të thotë se zgjedhja e kryeministrit ndikohet nga koalicionet dhe jo vetëm nga votat. E djathta ka bërë punë më të mirë sesa demokratët në krijimin e partneriteteve elektorale me bazë të gjerë.

“Ka gjasa që Giorgia Meloni të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë dhe gruaja e parë kryeministre në këtë vend. Kjo vjen nga fakti se partia e saj është më e madhja në koalicionin që duket se do të fitojë”, thotë Lorenzo Pregliasco me “YouTrend”.

Zonja Meloni është futur në aleancë me partinë e djathtë “Lega Nord” të udhëhequr nga Matteo Salvini dhe ndajnë të njëjtin qëndrim kundër migracionit të paligjshëm. Aleati tjetër i saj elektoral është partia e qendrës së djathtë “Forza Italia” e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Qeveria e Kryeministrit Mario Draghi ra muajin e kaluar, e braktisur papritur nga Salvini, Berlusconi dhe Guseppe Conte, të shqetësuar nga sondazhet dhe zgjedhjet lokale, që tregonin rënien e mbështetjes për partitë e tyre.

Në qershor gjatë një fjalimi në Spanjë në mbështetje të partisë Vox të ekstremit të djathtë, zonja Meloni u shpreh ashpër kundër komunitetit LGBT. Ajo ka kërkuar falje për tonin, po jo për përmbajtjen. Zonja Meloni, e cila ka një vajzë të vogël, ka thënë se “fraza më e censuruar” është “gruaja dhe nëna”.

Si Salvini, ashtu edhe Meloni thonë se po mbrojnë atë që ata e quajnë identitetin e krishterë të Evropës.

Partia e zonjës Meloni mbështeti fuqishëm vendimin e Kryeministrit Draghi për t’i dërguar armë Ukrainës, edhe pse Salvini dhe Berlusconi, admirues të hapur të presidentit rus Vladimir Putin, ofruan një mbështetje të vakët.

Zonja Meloni është mbështetëse e NATO-s, ndërsa në shumë raste i cilëson rregullat e Bashkimit Evropian si shkelje të sovranitetit të Italisë.

Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

RFE/RL

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret të mërkurën në Bruksel liderët e Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur zyrtarët nga këto dy shtete kanë ashpërsuar retorikën, pas ngritjes së barrikadave në veri tri javë më parë.

Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas secilit takim, është paralajmëruar se do të ketë konferencë për media.

Fillimisht, Stoltenberg do të zhvillojë takim me Vuçiqin në orën 15:30, ndërkaq takimi me Kurtin do të zhvillohet në orën 17:00.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti, sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiqin më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiqin.

Serbët lokalë më 31 dhe 1 gusht ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe ekzekutivi u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Kryeministri Kurti deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik që tensionet në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ai ka fajësuar Beogradin për rritjen e tensioneve.

Ai po ashtu ka thënë se deri te rritja e tensioneve erdhi si pasojë e një fushate të dezinformimit të udhëhequr nga Serbia dhe u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e fushatave të tilla.

Ndërkaq, në Beograd, Vuçiq deklaroi disa ditë më vonë se kishte informacione për plane të Prishtinës për “likuidimin” e serbëve në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se Serbia është për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Këto deklarata u panë me shqetësim nga Bashkimi Evropian që më 14 gusht u bëri thirrje zyrtarëve në Kosovë dhe Serbi të ndalonin retorikën nxitëse dhe tha se do të mbajë përgjegjës liderët “për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

Përderisa, agjenda e takimeve mes shefit të NATO-s dhe liderëve të Kosovës dhe Serbisë nuk dihet, agjenda e rundit të ri të dialogut është bërë publike.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Po ashtu, mëtohet që të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shtete.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011. Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

Finlanda redukton me 90 për qind vizat turistike për shtetasit rusë për shkak të luftës në Ukrainë

RFE/RL

Finlanda bëri të ditur se do të reduktojë numrin e vizave turistike që lëshon për shtetasit rusë me 90 për qind për shkak të rritjes së pakënaqësisë mbi luftën në Ukrainë.

Vendimi, i shpallur më 16 gusht nga ministri i jashtëm Pekka Haavisto, është i fundit në një seri veprimesh nga Finlanda në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Duke folur për mediat në Helsinki, Haavisto tha se që nga data 1 shtator vizat turistike për shtetasit rusë do të jepen në masën e 10 për qind të masës aktuale.

“Vizat turistike nuk do të ndalen plotësisht, por numri i tyre do të reduktohet ndjeshëm”, citohet të ketë thënë ministri i jashtëm finlandez.

“Kjo do të thotë se llojet e tjera të vizave — vizitat te të afërmit, kontaktet familjare, puna, studimi — do të kenë përparësi dhe do t’i jepet më shumë kohë,” tha ai.

Finlanda aktualisht shqyrton rreth 1000 aplikime për viza në ditë, nga shtetas rusë sipas televizionit publik Yle.

Haavisto tha se Finlanda do të konsiderojë gjithashtu krijimin e një kategorie specifike të vizave humanitare, e cila mund të ndihmojë gazetarët ose punonjësit e OJQ-ve.

Një numër i vogël, por në rritje i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë publikisht thirrje për kufizimin ose ndalimin e plotë të turistëve rusë në Evropë në përgjigje të luftës.

Anëtarët më të gjerë të BE-së, përfshirë Gjermaninë, e kanë kundërshtuar deri më tani idenë, megjithëse Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, është zotuar të diskutojë më tej këtë çështje.

Pas dekadash qëndrimi dhe mbajtjeje të një statusi neutral, Finlanda ka nisur shpejt procedurën për anëtarësim në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Edhe Suedia ka vendosur për t’u anëtarësuar dhe aktualisht, 20 nga 30 anëtarët e NATO-s kanë miratuar anëtarësimin e dy vendeve.

“Nuk është e drejtë që qytetarët rusë mund të hyjnë në Evropë, në zonën Shengen, të jenë turistë…ndërsa Rusia po vret njerëz në Ukrainë. Është e gabuar,” tha kryeministrja finlandeze Sanna Marin më 15 gusht.

Moska akuzon sabotatorët ukrainas për shpërthimet në bazën ruse në Krime

Pamje nga tymi që ngrihet pas një shpërthimi në fshatin Mayskoye në rrethin Dzhankoi, Krime, 16 gusht 2022.
RFE/RL

Moska fajësoi më 16 gusht sabotatorët për një sërë shpërthimesh në një depo municionesh në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, duke pranuar se ekzistojnë grupe të armatosura besnike ndaj Ukrainës, që po dëmtojnë logjistikën ushtarake dhe linjat e furnizimit në territoret që ajo kontrollon.

Incidenti i sotëm pason një sërë shpërthimesh javën e kaluar në bazën ajrore të Rusisë në Krime, për të cilat Kievi tha se ishin kryer nga forca speciale ukrainase, por që Moska në atë kohë i quajti rezultat i një zjarri aksidental.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se nuk pati viktima nga shpërthimet që dëmtuan linjat elektrike, një nën-stacion elektrik, infrastrukturën hekurudhore dhe disa shtëpi banimi.

Nuk dihet se çfarë mjeti u përdor për të kryer shpërthimet, por shtypi shtetëror rus spekuloi se mund të jenë përdorur dronë.

Shpërthimet sjellin në pah perspektivën e një dinamike të re në luftën gjashtëmujore pasi tashmë duket se Ukraina ka aftësinë për të goditur më thellë në territorin rus dhe me grupet pro-Kievit që janë duke pasur sukses me sulme të stilit gueril.

Rusia e ka përdorur Krimenë, të cilën e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014-të, për të përforcuar trupat e saj që luftojnë në pjesë të tjera të Ukrainës me pajisje ushtarake, një proces që Kievi kërkon ta prishë përpara një kundërsulmimi të mundshëm në Ukrainën jugore.

Krimea është baza e flotës ruse të Detit të Zi dhe gjithashtu e njohur si një atraksion turistik për pushuesit gjatë verës.

Për incidentin e së martës, agjencia ruse e lajmeve RIA tha se shtatë trena u vonuan dhe se trafiku hekurudhor në një pjesë të linjës në veri të Krimesë ishte pezulluar.

Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar zyrtarisht përgjegjësinë për shpërthimet në Krime, megjithëse zyrtarët e saj kanë përgëzuar hapur incidentet në territorin që, deri javën e kaluar, dukej i sigurt nën kontrollin e Moskës përtej rrezes së sulmeve ukrainase.

Pas shpërthimeve të së martës, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak dhe shefi i stafit Andriy Yermak postuan në mediat sociale mbi “çmilitarizimin”, një referencë e dukshme tallëse e termit që përdor Rusia për të justifikuar pushtimin e saj.

“Operacioni ‘demilitarizimi’ në stilin e saktë të Forcave të Armatosura të Ukrainës do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të territoreve të Ukrainës,” shkroi Yermak në Telegram.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se shpërthimet në depon e municioneve ishin “rezultat i sabotimit”.

Estonia ndalon rusët të hyjnë në vend duke filluar nga 18 gushti

VOA/Marrë nga Reuters

Estonia po vendos sanksione kundër Rusisë duke ndaluar nga data 18 gusht hyrjen e qytetarëve rusë me viza turistike në vendin më verior të Balltikut si pasojë e luftës në Ukrainë. Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Estonia, tashmë ka ndaluar udhëtimet ajrore nga Rusia. Por rusët ende mund të udhëtonin me rrugë tokësore për në Estoni dhe me sa duket marrin prej andej fluturime për në destinacione të tjera evropiane.

Duke filluar nga 18 gushti, Estonia tha se do të ndalojë shumicën e rusëve që të hyjnë në vend përmes vizave të lëshuara nga autoritetet estoneze, duke ndërprerë kështu një rrugë të rëndësishme për në zonën Shengen të Evropës pa pasaporta. Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha të hënën se të gjitha vizat e vlefshme Shengen, me përjashtim të disa rasteve humanitare, do të anulohen.

“Bëhet fjalë për rreth mbi 50,000 viza të vlefshme dhe shumica dërrmuese e tyre nga 18 gushti do të bllokohen. Personat që kanë këto viza do të bllokohen të hyjnë në Estoni. Së dyti, ne po shqyrtojmë mundësinë për të mbyllur, kufirin ruso-estonez për të gjithë qytetarët rusë që hyjnë në zonën Shengen ose në territorin estonez”, tha zoti Reinsalu.

Kreu i rojes kufitare thotë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, numri i qytetarëve rusë që kalonin kufirin ka vazhduar të rritet.

“Arsyeja kryesore ishte për shkak të pezullimit të fluturimeve midis BE-së dhe Rusisë. Qytetarët rusë që donin të shkonin në BE duhej të kalonte kufirin tokësor. Pra, në thelb do të thotë nga Finlanda, Estonia dhe Letonia. Dhe kur filloi sezoni i verës, shifrat po rriteshin gjithnjë e më shumë, për shkak të turistëve nga Federata Ruse që vinin në destinacione të ndryshme verore në Evropë”, thotë Ergert Belitsev.

Turistët rusë, që kalojnë kufirin në qytetin lindor Narva, thonë se qytetarët rusë nuk duhet të ndëshkohen për veprimet e qeverisë së tyre.

“Mendoj se nuk duhet të shkelen të drejtat e njeriut, pavarësisht nga të gjitha gjërat që po ndodhin. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm. Ashtu siç tha kancelarja gjermane – nuk janë njerëzit fajtorë, por ata që kanë marrë vendime duhet të jenë përgjegjës. Njerëzit nuk duhet të jenë përgjegjës për to”, thotë shtetasi rus Boris.

“Është shumë keq, u mërzitëm shumë kur lexuam këtë njoftim, sepse Evropa është e qytetëruar dhe ne e shohim veten si njerëz të civilizuar dhe duam të lëvizim lirshëm. Tani po shkoj në Gjermani për të parë miqtë e mi dhe kemi miq në të gjithë botën. Është turp nëse Estonia mbyll kufirin. Kjo është shumë keq për ne”, thotë Ekaterina.

Muajin e kaluar Bashkimi Evropian ra dakord për raundin e shtatë të sanksioneve kundër Rusisë. Letonia, Lituania dhe Republika Çeke kanë ndaluar tashmë dhënien e vizave për shumicën e rusëve, ndërsa Finlanda dhe Estonia së fundmi kërkuan që BE-ja ta bëjë këtë përmes një veprimi të përbashkët.

“Ne do t’i bëjmë një propozim zyrtar Komisionit Evropian përmes paketës së 8-të të sanksioneve për të kufizuar gjithashtu, ose për t’i dhënë fund, në mënyrë efektive lëshimit të vizave Shengen dhe gjithashtu për të bërë një rishikim të vizave ekzistuese të vlefshme në të gjithë zonën Shengen”, tha ministri i jashtëm i Estonisë.

Dy të plagosur nga zjarri në një depo municioni në Krime

Kjo pamje tregon tymin që ngrihet mbi zonë pas një shpërthimi të supozuar në fshatin Mayskoye, Krime 16 gusht 2022.

RFE/RL

Nga zjarri në një depo municioni në Krime të martën u plagosën dy persona, që vjen një javë pas një serie shpërthimesh në një bazë ajrore në gadishullin ukrainas që u aneksua nga Rusia.

Zjarri dhe shpërthimet tronditën fshatin Mayskoye të Krimesë herët të martën, raportuan mediat ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një zjarr shpërtheu në një “vend për ruajtjen e përkohshme të municioneve të një prej njësive ushtarake”.

“Si rezultat i zjarrit, municioni i depozituar shpërtheu”, tha ministria, duke shtuar se nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Rusia, Sergei Aksyonov, tha se dy persona pësuan lëndime dhe se banorët vendas po evakuoheshin nga zona, derisa shpërthimet e municioneve vazhduan.

Autoritetet ukrainase ende nuk kanë komentuar mbi incidentin.

Javën e kaluar, një seri shpërthimesh ndodhën në bazën ajrore Saki pranë fshatit Novofyodorovka në Krime. Ushtria ruse tha se kishte shpërthim aksidental të municioneve atje, por incidenti dukej se ishte rezultat i një sulmi ukrainas. Kievi tha se shpërthimet shkatërruan nëntë avionë rusë.

Zyrtarët ukrainas në atë kohë nuk morën publikisht përgjegjësinë për shpërthimet, ndërsa talleshin me shpjegimin e Rusisë se një duhanpirës i pakujdesshëm mund të kishte shkaktuar që municionet në bazën ajrore Saki të merrnin zjarr dhe të hidheshin në erë. Analistët thanë gjithashtu se shpjegimi nuk ka kuptim dhe se ukrainasit mund të kishin përdorur raketa kundër anijeve për të goditur bazën.

Gadishulli i Krimesë ka një rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike për të dyja palët. Kërkesa e Kremlinit që Ukraina të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë ka qenë një nga kushtet e saj kryesore për t’i dhënë fund luftimeve, ndërsa Ukraina është zotuar të dëbojë rusët nga gadishulli dhe të gjitha territoret e tjera të pushtuara.

Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014 dhe nisi pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Treguan aksidentalisht vendndodhjen, goditet nga raketat ukrainase baza e grupit mercenar të lidhur me Kremlinin, dyshohet për dhjetëra të vrarë

Një bazë e përdorur nga grupi mercenar Wagner i lidhur me Kremlinin në Ukrainën lindore besohet të jetë shkatërruar pasi u zbulua aksidentalisht vendndodhja nga një prej propaganduesve të Presidentit Putin.

Sergei Sreda ndau imazhe të tij duke shtrënguar duart me një ushtar që i ngjan Yevgeny Prigozhin, një i besuar i ngushtë i Putinit, në bazën Wagner javën e kaluar. Gazetari ushtarak rus bëri fotografi në bazë më 8 gusht dhe i postoi në kanalin e tij Telegram. Ata treguan ushtarë që mbulonin fytyrat e tyre, por me një tabelë që tregonte adresën e ndërtesës, Mironivska 12. Fotot që atëherë janë fshirë.

Një ose më shumë raketa të lëshuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës goditën ndërtesën në Popasna, 50 milje në perëndim të Luhansk në Donbas, në fundjavë. Serhiy Haidai, kreu i Administratës Rajonale Ushtarake-Civile të Luhanskut, tha se dhjetëra luftëtarë të Wagner mund të kenë vdekur në sulm.

“Ne presim informacion të detajuar për këtë. Lajmet me siguri do të jenë të mira … me një shifër prej më shumë se 100”, ka shkruar ai në Telegram.

Mendohet se është përdorur sistemi raketor M142 Himars i prodhimit amerikan. Prigozhin, i cili është i sanksionuar në Perëndim, besohet se ka qenë duke vizituar bazën e Wagnerit për të shpërndarë medalje trupave për rolet e tyre në “çlirimin” e Popasnës, sipas pamjeve të Sredës.

Rusia thuhet se ka vendosur deri në 20,000 mercenarë nga Siria dhe Libia, duke përfshirë luftëtarët Ëagner, në Ukrainë. Kievi ka akuzuar dy mercenarë Ëagner për vrasjen e civilëve pranë Kievit. Grupi akuzohet gjithashtu për krime lufte në Afrikë, ku luftëtarët e tij kanë qenë të lidhur me grabitje, përdhunime dhe tortura në Libi, Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

Popasna është në jug të Severodonetsk në rajonin e Luhansk, të cilin forcat ruse tani e kontrollojnë plotësisht. Deputeti ukrainas Oleksiy Honcharenko shkroi në Facebook: “Nuk ka më seli të Wagner në Popasna. Faleminderit Himars dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës!”

Në javët e fundit, mes raporteve për humbjet e Rusisë në fushën e betejës, grupi Wagner ka kërkuar të forcojë numrin e tij. Muajin e kaluar, të dënuarve rusë iu ofrua liri dhe shpërblime financiare për të luftuar në Ukrainë, sipas të afërmve të luftëtarëve në vijën e frontit. Të burgosurve në kampet e burgut IK-7 Yablonevka dhe IK-6 Obukhovo në Shën Petersburg iu tha se do të merrnin falje të plotë dhe 200,000 rubla (2,900 £), nëse pranonin të bashkoheshin me Wagner.

Ata që regjistrohen do të vendosen në Ukrainë për gjashtë muaj, sipas iStories, një faqe interneti e gazetarisë investigative e etiketuar si “agjent i huaj” dhe e bllokuar nga Kremlini.

Përfaqësuesit e Wagner udhëtuan në burgje dhe u kërkuan të burgosurve të “mbronin atdheun”. Ata do të përcilleshin në betejë, ku do të futeshin drejtpërdrejt në luftime ose në punë të rrezikshme zbulimi. Ata u paralajmëruan se shanset për të mbijetuar ishin të ulëta./ The Times

Zelensky: Çdo rus që qëllon në centralin bërthamor do të bëhet objektiv i ushtrisë sonë

RFE/RL

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se forcat ukrainase do të synojnë çdo ushtar rus që qëllon në centralin bërthamor të Zaporizhjas, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për incidentet e fundit të bombardimeve në të.

“Çdo ushtar rus që ose qëllon në uzinë, ose qëllon duke përdorur uzinën si mbulesë, duhet të kuptojë se ai bëhet një objektiv i veçantë për agjentët tanë të inteligjencës, për shërbimet tona speciale, për ushtrinë tonë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës më 13 gusht.

Situata në këtë central bërthamor shkaktoi alarm të shtuar këtë javë në Kombet e Bashkuara dhe vëzhguesin e energjisë bërthamore të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.

Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë.

Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.

Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës më 13 gusht paralajmëroi për “provokime” të reja ruse rreth uzinës, ndërsa kryetari i bashkisë së qytetit ku ndodhet uzina tha se kishte granatime të reja ruse.

Rusia ka kundërshtuar pretendimet, duke thënë se forcat ukrainase qëlluan nëntë predha artilerie në zonën pranë uzinës.

Në fushëbetejë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi më 13 gusht se kishte marrë kontrollin e plotë të Pisky, një fshat në periferi të Donjeckut, ndërsa komanda ushtarake e Ukrainës tha se “luftimet e ashpra” vazhduan në fshat.

Zelensky: 16 anije tashmë janë nisur me 500 mijë tonë produkte bujqësore

”Që nga zbatimi i Marrëveshjes së eksportit të grurit të Stambollit, gjithsej 16 anije me 500 mijë ton produkte bujqësore janë larguar nga portet e Ukrainës për në tre kontinente. Pothuajse gjysmë milioni ton produkte bujqësore në bord: misër, grurë, vaj luledielli, sojë dhe të tjera mallra absolutisht të nevojshme për tregun botëror”.

Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes drejtuar kombit.

“Kjo – tha presidenti ukrainas – tashmë ka bërë të mundur uljen e ashpërsisë së krizës ushqimore dhe u ka dhënë njëfarë shprese paqe vendeve konsumatore të produkteve tona bujqësore”.

syri.net

Zelensky telefonatë me Papa Françeskun: E informova për tmerret që Rusia po kryen në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka njoftuar në Twitter se ka folur sot me Papa Françeskun.

“E informova për agresionin që Federata Ruse po kryen kundër Ukrainës, për krimet e tmerrshme të Rusisë. Ne i jemi mirënjohës Papës për lutjet e tij për Ukrainën. Populli ynë ka nevojë për mbështetjen e liderëve shpirtërorë të botës, të cilët duhet t’i përcjellin botës të vërtetën për tmerret që agresori po kryen në Ukrainë”, shkroi ai në Twitter.bw

Ish-kancelari gjerman Schroeder padit parlamentin mbi heqjen e privilegjeve

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder gjatë një konference në Shën Petersburg, 29 shtator 2017.

RFE/RL

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder ka paditur parlamentin gjerman në një përpjekje për të rivendosur privilegjet që iu hoqën në maj të këtij viti.

Sipas avokatit të tij, në padinë e ngritur në Gjykatën Administrative të Berlinit, 78-vjeçari Schroeder kërkon t’i kthehet e drejta për të pasur një zyrë në parlamentin gjerman.

Komiteti parlamentar gjerman i buxhetit vendosi në maj që Schroeder, subjekt i kritikave të ashpra në Gjermani për lidhjet e tij me Rusinë, duhet të hiqte dorë nga e drejta e tij për një zyrë në Bundestag, megjithëse ai do të vazhdonte të merrte pensionin e tij.

Ekipi ligjor i ish-kancelarit po argumenton se vendimi i komitetit të buxhetit të Bundestagut për të shkurtuar fondet për zyrën parlamentare të Schroeder-it dhe për ta mbyllur atë ishte i paligjshëm.

Ish-kancelari, i cili ishte në detyrë midis viteve 1998 dhe 2005, është kritikuar për vite me radhë për përfshirjen e tij me kompanitë shtetërore ruse dhe konsiderohet një mik i ngushtë personal i presidentit rus Vladimir Putin.

Presioni ndaj Schroder-it për t’u distancuar nga Putini u rrit pas pushtimit rus në Ukrainën fqinje.

Në maj, Schroeder më në fund njoftoi se do të largohej nga bordi mbikëqyrës i gjigantit rus të energjisë Rosneft. Ai gjithashtu hodhi poshtë një nominim për një pozicion të bordit mbikëqyrës në Gazprom, një tjetër gjigant energjetik rus.

Të hënën, partia e tij e qendrës së majtë (SPD) vendosi se nuk kishte arsye për ta përjashtuar atë nga partia pas disa javësh shqyrtim.

Komiteti në qytetin verior gjerman të Hanoverit tha se Schroeder nuk ka shkelur rregullat partiake të SPD-së duke u angazhuar me kompanitë shtetërore ruse, që do të thotë se nuk ka bazë për dëbim.

Stoltenbergu javën e ardhshme takohet me Kurtin dhe Vuçiqin

RFE/RL

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.

Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.

Takimi në Bruksel me Stoltenbergun do të mbahet tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend.

Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.

Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së dërguar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në rundin e dialogut do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” midis Kosovës dhe Serbisë. Por, nga BE-ja ende nuk kanë dhënë detaje për agjendën e takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për REL-in, tha se në rundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet që u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Vendimi për dokumente ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në dialogun e Brukselit korrikun e vitit të kaluar. Ditë më parë, presidenti serb deklaroi se është skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat në takimin e 18 gushtit.

Zjarrfikësit evropianë bëhen bashkë kundër flakëve në Francë

RFE/RL

Zjarrfikësit nga e mbarë Evropa kanë filluar të arrijnë në Francë për të ndihmuar në shuarjen e disa zjarreve të egra.

Franca po përballet me zjarre, veçmas me disa vatra gjigante të flakëve në pyjet në jugperëndim të vendit.

Brigada e zjarrfikësve nga rajoni francez Zhironde, tha se gjatë natës kanë arritur të kufizojnë përhapjen e zjarreve pyjore, për shkak se ka pasur pak erë. Por kushtet atmosferike për vënien nën kontroll të zjarreve ende janë “të pafavorshme” për shkak të motit të nxehtë dhe të thatë.

Që nga e dita e martë, zjarret në rajonet Zhironde dhe Landes kanë shkatërruar mbi 74 kilometra katrorë.

Për shkak të zjarreve, të paktën 10.000 persona janë evakuuar nga këto dy rajone.

Mbi 360 zjarrfikës dhe 100 makina të specializuara janë dërguar në Francë nga Gjermania, Rumania, Polonia dhe Austria. Ata do t’iu bashkohen mbi 1.000 zjarrfikësve francezë të cilët po luftojnë me zjarret pyjore. Greqia po ashtu ka njoftuar se do të dërgojë dy avionë për shuarjen e zjarreve.

Po ashtu, Suedia ka dërguar dy avionë për shuarjen e disa vatrave të zjarrit në rajonin Bretanjë në perëndim të Francës.

Britania: Shpërthimet në bazën në Krime degradojnë flotën ajrore ruse

Imazhet satelitore të bazës ajrore në Krime që u godit nga shpërthimet më herët gjatë kësaj jave.

RFE/RL

Shpërthimet që ndodhën gjatë kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krime, kanë degraduar flotën ajrore të Rusisë, tha Britania.

Shpërthimet në bazën ajrore Saki kanë shkatërruar të paktën tetë avionë luftarakë rusë dhe kanë shkaktuar shkatërrim të madh.

Përderisa avionët e shkatërruar janë vetëm një pjesë e vogël e flotës ruse në Detin e Zi, Britania tha se kapacitetet e flotës do të preken, pasi që Saki konsiderohet si bazë kryesore operacionale.

Në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes, tha se me gjasë baza Saki është ende operacionale, por zonat përreth kanë pësuar dëme serioze.

Imazhet satelitore të publikuara këtë javë kanë shfaqur shkatërrim të madh në bazën ajrore Saki, në Krimenë e okupuar nga Rusia.

Rusia ka thënë se nga shpërthimet është vrarë një person dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Moska ka thënë se shkaku i shpërthimeve është mosrespektimi i rregullave kundër zjarrit.

Ndërkaq, Ukraina ka mohuar se qëndron prapa shpërthimeve. Por disa zyrtarë të paidentifikuar ukrainas u kanë thënë mediave amerikane se ushtria ukrainase qëndron prapa shpërthimeve.

Rusia e ka përdorur bazën ajrore Saki, që gjendet në perëndim të Krimesë, për të kryer sulme në territorin ukrainas qëkur nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Letonia e përcakton Rusinë “shtet që sponsorizon terrorizmin”

VOA/Marrë nga Reuters

Parlamenti i Letonisë e përcaktoi të enjten Rusinë si “shtet që sponsorizon terrorizmin” lidhur me luftën në Ukrainë dhe u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të vendosin sanksione më gjithëpërfshirëse ndaj Moskës, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit.

“Letonia i konsideron veprimet e Rusisë në Ukrainë si gjenocid kundër popullit ukrainas,” thuhet në një rezolutë të parlamentit leton.

Vendet perëndimore duhet të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake, financiare, humanitare dhe diplomatike për Ukrainën dhe të mbështesin nismat që dënojnë veprimet e Rusisë, vazhdon rezoluta.

Miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra janë vrarë që nga sulmi i Rusisë në shkurt.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se ishte mirënjohës për rezolutën e parlamentit letonez.

“Ukraina u bën thirrje shteteve dhe organizatave të tjera që të ndjekin shembullin e Letonisë,” shkruan zoti Kuleba në Twitter.

Rusia e dënoi rezolutën e parlamentit letonez, duke e cilësuar një veprim ksenofobik, sipas një postimi të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në rrjetin Telegram.

Raportohet për shpërthime në një bazë ushtarake në Bjellorusi

Ky imazh satelitor i realizuar në mars shfaq prezencën ushtarake në bazën ajrore Ziabrauka, që gjendet 30 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

RFE/RL

Disa shpërthime janë raportuar në një zonë në Bjellorusi që gjendet pranë një aeroporti ushtarak. Ky aeroport, sipas autoriteteve ukrainase është përdorur nga forcat ajrore ruse për të sulmuar territorin e Ukrainës.

Kanalet në Telegram, Belaruski Hayun dhe Flagshtok, cituan dëshmitarë të kenë thënë se gjatë natës janë dëgjuar të paktën tetë shpërthime, por edhe janë parë shkrepëtima në afërsi të aeroportit ushtarak, Ziabrauka, që gjendet në juglindje të rajonit Homel.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se në orën 23:00 më 10 gusht, motori i një makine ushtarake u përfshi nga zjarri dhe se “masat për të shuar zjarrin janë duke u ndërmarrë”. Në deklaratën e kësaj ministrie u shtua se nuk raportohet për viktima.

Incidenti ndodhi pak ditë pas një serie shpërthimesh në bazën ajrore ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë, ku janë shkatërruar të paktën nëntë avionë luftarakë rusë.

Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto shpërthime, ndërkaq Rusia ka mohuar se baza Saki në Krime është sulmuar, por ka thënë se shpërthimet janë shkaktuar për shkak të shkeljes së rregullave kundër zjarrit.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se baza Ziabrauka në Bjellorusi është përdorur nga forcat ruse në pushtimin e Ukrainës, që Moska nisi më 24 shkurt.

Muajin e kaluar, ushtria ukrainase tha se Rusia kishte vendosur sistemet e raketave S-400 dhe Iskander-M në aeroportin bjellorus dhe po i përdor ato për të sulmuar Ukrainën.

Pamjet nga sateliti: Dëme të mëdha në bazën ajrore në Krime

Imazhet e publikuara satelitore kanë shfaqur dëme të madh dhe disa avionë luftarakë rusë të dëmtuar në bazën ajrore të Krimesë, që është goditur nga shpërthimet më herët gjatë kësaj jave.

Baza ajrore Saki, që gjendet në perëndim të Krimesë së kontrolluar nga rusët, u godit nga një sërë shpërthimesh të martën, më 9 gusht, duke lënë të vrarë një person.

Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, por të dhënat e reja sugjerojnë se shpërthimet ka të ngjarë të kenë qenë sulm i shënjestruar.

Imazhet satelitore të publikuara nga Plant Labs, tregojnë zona të mëdha të tokës që janë djegur nga zjarret që shpërthyen.

Pistat kryesore të kësaj baze ajrore duket se nuk janë prekur, por të paktën tetë avionë duket se janë dëmtuar ose janë shkatërruar, teksa duken disa gropa të hapura në tokë.

Disa prej këtyre gropave janë në disa zona specifike të bazës ajrore ku një numër i madh avionësh parkohen në ambiente të hapura e jo në hangarë.

Imazhet satelitore të Planet Labs, që monitoron luftën në Ukrainë, paraqesin konfirmimin e parë se baza mund të jetë shkatërruar. Deri më tani, detajet për madhësinë e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet kanë qenë të pakta.

Por, ende është e paqartë se si baza u shkatërruara ose me çka u godit.

Rusia insiston se shpërthimet u shkaktuan nga eksplodimet e mocionit, që gjendeshin në depotë e aeroportit. Moska ka argumentuar se deri te shpërthimet ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave kundër zjarrit.

Ukraina në anën tjetër nuk ka marrë përgjegjësi dhe Ministria e Mbrojtjes ka sugjeruar se fajtorë mund të jenë ushtarët rusë të cilët kanë qenë të pakujdesshëm sa i përket rregullave kundër zjarrit.

“Mendoj se ushtarët rusë në këtë bazë ajrore e shkelën rregullin më të thjeshtë: mos pini duhan në vende të rrezikshme”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov. “Kjo është e gjitha”, shtoi ai.

Forcat ajrore ukrainase thanë se dhjetëra avionë luftarakë rusë janë shkatërruar, por Rusia ka hedhur poshtë pretendimet për dëmtimin e avionëve. Megjithatë, imazhet e reja sugjerojnë se ka avionë të dëmtuar ose të shkatërruar.

Gadishulli ukrainas i Krimesë është aneksuar paligjshëm nga Moska më 2014. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se deri në fund të pushtimit, që Rusia nisi ndaj Ukrainës, Kievi do të rimarrë kontrollin e Krimesë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes premton trajnime ushtarake për vendet baltike

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kryejnë më shumë stërvitje ushtarake me vendet baltike, siç është Letonia, dhe do ofrojnë trajnime të shtuara, tha më 10 gusht Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Gjatë një konference për media me ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Artis Pabriks në Riga, ai tha se nëse është e nevojshme, Uashingtoni mund të sjellë gjithashtu më shumë trupa amerikane për të forcuar rajonin kundër çdo kërcënimi të mundshëm nga Rusia.

Austin, i cili po qëndron në një vizitë dy-ditore në Letoni, tha se planet për të bërë rotacione të vazhdueshme të forcave në Baltik janë që të përdorin trupa nga brigadat e SHBA-së në Rumani dhe pjesë të tjera të Evropës, por “ne mund të sjellim edhe forca nga Shtetet e Bashkuara”.

Gjatë vizitës së tij, Austin ripërsëti vazhdimisht angazhimin e Amerikës për të ndihmuar rajonin që të mbrohet.

Austin është Sekretari i parë i Mbrojtjes i SHBA-së që viziton Letoninë në gati tre dekada, duke theksuar rëndësinë e shtuar të vendeve baltike që qëndrojnë në skajin perëndimor të Rusisë.

Pentagoni tha se shefi i fundit i mbrojtjes i SHBA-së që shkoi në Letoni ishte William Perry në vitin 1995.

Estonia dhe Finlanda i kërkojnë BE bllokimin e vizave për turistët rusë

Udhëheqësit e Estonisë dhe Finlandës u janë drejtuar sot vendeve anëtare të BE me thirrjen që të bllokojnë lëshimin e vizave turistike për shtetasit rusë, të cilët po shmangin ndalimin e fluturimeve duke kaluar tranzit nëpër vendet e tyre.

Linjat ajrore ruse janë ndaluar të fluturojnë në Evropë që nga pushtimi i Ukrainës, por qytetarët e saj janë ende në gjendje të udhëtojnë me viza Shengen nëse kalojnë fillimisht në bllok me rrugë tokësore.

Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë, tha se tashmë është “koha për t’i dhënë fund turizmit nga Rusia”.

 

“Ndaloni lëshimin e vizave turistike për rusët. Të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore. Udhëtimi ajror nga Rusia është mbyllur. Kjo do të thotë se ndërsa vendet e Shengenit lëshojnë viza, fqinjët me Rusinë mbajnë barrën (Finlanda, Estonia, Letoni, pikat e vetme të hyrjes)”, shtoi ajo.

 

Në të njëjtën linjë është edhe Finlanda. Kujtojmë se rusët që marrin vizë nga ndonjë prej 26 vendeve në zonën Shengen mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e tjera. Raportet e mediave finlandeze sugjerojnë se agjencitë ruse të udhëtimit po organizojnë udhëtime në aeroportet në Finlandë, nga të cilat turistët mund të fluturojnë në qytete të tjera evropiane.

 

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, është ankuar gjithashtu për mungesën e turizmit.

“Nuk është e drejtë që ndërkohë që Rusia po bën një luftë agresioni agresive, brutale në Evropë, rusët mund të jetojnë një jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë”, tha ajo për transmetuesin YLE.bw

Ukraina rifillon sulmet në urën e kontrolluar nga forcat ruse

Forcat ushtarake ukrainase duke përdorur sistemet amerikane në luftimet kundër Rusisë.
RFE/RL

Forcat e armatosura ukrainase kanë sulmuar prapë një urë strategjike që kalon lumin Dniepër në territorin e kontrolluar nga Rusia, në rajonin juglindor Herson të Ukrainës, e cila u dëmtua nga raketat HIMARS të lëshuara në fund të korrikut.

Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës ushtarako-civile të rajonit Herson, i emëruar nga Moska, u tha gazetarëve më 8 gusht se raketat ukrainase dëmtuan përsëri urën Antonivskiy gjatë natës, duke shkatërruar pajisjet që përdoreshin për riparimin e urës.

Ai tha se rihapja e urës do të shtyhet për një periudhë të pacaktuar.

Ura ka qenë e mbyllur që nga 26-27 korriku.

Ajo u shënjestrua për herë të parë nga forcat ukrainase më 19-20 korrik me raketat HIMARS, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Ukrainës.

Ura Antonivskiy është ura e vetme në Herson që lidh brigjet e lumit Dniepër. Rreth 1.5 kilometra e gjatë dhe 25 metra e gjerë, ura është e vetmja rrugë për të furnizuar forcat pushtuese ruse në Herson.

Denoncimi i deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko – Serbët më kërcënuan… Paraqiti rezolutën për njohjen e Kosovës,

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko thotë se serbët e kanë kërcënuar në rrjetet sociale, pasi dorëzoi rezulotën në Parlamentin e Ukrainës, ku kërkohet që vendi të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Goncharenko u shpreh se ka marrë mbështetje nga shumë njerëz në Kosovë.

“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai.

Goncharenko deklaroi se në lidhje me rezolutën, ka pasur reagime edhe në Ukrainë, teksa shtoi se një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur.

“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, nënvizoi deputeti.

 

Papa Françesku: Jam shumë afër Ukrainës dhe dua ta shpreh këtë me një vizitë atje

VOAL- “Unë jam shumë afër Ukrainës dhe dua ta shpreh këtë afërsi me vizitën time në Ukrainë”. Këto janë “fjalët e rëndësishme” të Papa Françeskut të cituara në një postim në Twitter nga ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yurash, pas takimit të mëngjesit të sotëm me Papën në Vatikan. “Ukraina e ka pritur Papën për shumë vite dhe veçanërisht që nga lufta dhe do të jetë e lumtur ta përshëndes para udhëtimit të tij në Kazakistan”, garanton Yurash.

Takimi mes Papës dhe Yurashit ishte caktuar për të rënë dakord për mundësinë dhe modalitetet e udhëtimit që Papa synon të bëjë në Kiev, sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, mgr. Paul Richard Gallagher. rsi-eb

Iniciativa për njohjen e Kosovës: “Në Ukrainë tash e dinë kush janë miqtë e tyre”

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar dje një draft-rezolutë në organin ligjvënës ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deputeti Goncharenko ka bërë publike iniciativën e tij në rrjetin social Twitter, duke shkruar se shpreson që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur.

Për këtë ka shkruar ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, i cii tha se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tashmë populli ukrainas i njeh cilët janë miqtë e vërtetë meqë deri tash kanë ruajtur lidhjet miqësore me serbët.

“Iniciativë e rëndësishme nga deputetët ukrainas, duke bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Prej vitesh, Ukraina ka refuzuar të njohë Kosovën, duke ruajtur lidhje miqësore me Serbinë. Pas pushtimit gjenocidal rus, Ukraina e di se cilët janë miqtë e vërtetë. Sigurisht që jo apologjetët e Putinit”, ka shkruar Selimi.

Deputeti Goncharenko po ashtu ka bërë një postim tjetër në Facebook në lidhje me draft-rezolutën e propozuar, duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës s’e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe shteti njihet nga 22 vende të BE-së si dhe nga ShBA, Britania e Madhe e Kanada.

Ai ka thënë tutje se një hap konsistent para i Ukrainës do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Express

Komunikatë për shtyp e NATO-s: Kfor-i është përgatitur të reagojë nëse cënohet stabiliteti në Veri të Kosovës

Komunikatë për shtyp nga NATO: Kfor-i është përgatitur të reagojë nëse cënohet stabiliteti në Veri të Kosovës.

Forcat e udhëhequra nga NATO janë të përgatitura të ndërhyjnë në veri të Kosovës nëse rrezikohet stabiliteti në rajon.

NATO tha në një deklaratë të dielën se tensionet janë në rritje në komunat veriore të Kosovës dhe se KFOR-i i Kosovëspo monitoron nga afër situatën.

 

Banesa u godit nga raketat ruse, vritet bashkë me gruan manjati ukrainas i drithërave

Një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës është vrarë me gruan e tij në granatimet “masive” ruse të qytetit jugor të Mykolaiv.

Oleksiy Vadatursky, 74 vjeç dhe gruaja e tij Raisa vdiqën kur një raketë goditi shtëpinë e tyre gjatë natës, thanë mediat ukrainase.

Z. Vadatursky zotëronte Nibulon, një grup i përfshirë në eksportet e grurit. Ai kishte marrë edhe çmimin “Hero i Ukrainës”.

Kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Senkevych tha se ishte ndoshta bombardimi më i rëndë rus i qytetit deri më tani.

Dëme ka pasur një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla dhe një servis, si dhe banesa.

Mykolaiv është në rrugën kryesore për në Odesa, porti kryesor i Ukrainës, dhe është goditur vazhdimisht.

Udhëheqësi i rajonit Vitaliy Kim tha se Vadatursky “bëri shumë për rajonin e Mykolaiv, shumë për Ukrainën”.

“Kontributi i tij në zhvillimin e industrisë bujqësore dhe të ndërtimit të anijeve, zhvillimin e rajonit është i paçmuar”, tha ai në Telegram.

Nibulon ka ndërtuar shumë objekte magazinimi dhe infrastrukturë tjetër për eksportimin e grurit.

Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të grurit dhe drithërave të tjera, dhe ndërprerja e eksporteve të shkaktuara nga lufta ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.

Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB në Turqi javën e kaluar, që synon lehtësimin e krizës ushqimore.

Rifillimi i eksporteve ukrainase është vonuar nga kontrollet e sigurisë. Por të dielën Turqia tha se anija e parë që transportonte grurë pritej të largohej nga Odesa të hënën në mëngjes.

Ukraina akuzon forcat ruse për vjedhjen e grurit nga fermat në tokat e pushtuara dhe eksportimin e tyre nëpërmjet Krimesë. Rusia i mohon këto pretendime.

Ndërkohë në veri, qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, u godit përsëri nga raketat ruse, tha kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram. Tre raketa ruse S-300 goditën një shkollë atje, duke shkatërruar ndërtesën kryesore, tha ai.

BBC nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet e fundit.bw

Ukraina sulmon flotën ruse në Detin e Zi

VOA

Ukraina goditi të dielën selinë e flotës ruse në portin e Sevastolit në Detit të Zi, me një dron ku kishte të montuar sasi eksplozivi. Autoritetet ukrainase bënë të ditur se si pasojë e sulmit në qytetin e kontrolluar nga Rusia, të paktën pesë persona u plagosën. Sevastopoli është qyteti më i madh në Krime dhe një port i madh në Detin e Zi.

Sulmi vjen ndërsa Rusia shënoi sot ditën e Marinës. Presidenti Vladimir Putin mori pjesë në paradën vjetore që u mbajt me këtë rast në Shën Petersburg dhe njoftoi se forcat detare ruse do të pajisen në muajt e ardhshëm me ato që ai i quajti “armë të fuqishme”, duke iu referuar raketa hipersonike me vetëdrejtim “Zircon”.

Armët hipersonike fluturojnë me shpejtësi të paktën 5 herë me shumë sesa shpejtësia e zërit (Mak 5) dhe janë shumë të manovrueshme e në gjendje të ndryshojnë kursin gjatë fluturimit.

Ato janë të ndryshme nga raketat balistike, të cilat gjithashtu mund të fluturojnë me shpejtësi hipersonike prej të paktën 5 Makësh, por kanë trajektore të përcaktuar dhe manovrim të kufizuar.

Aftësia për të lëshuar armë shumë të manovrueshme dhe me shpejtësi hipersonike, i jep një vendi një avantazh të konsiderueshëm, pasi armë të tilla mund të shmangin pothuajse çdo sistem të mbrojtjes nga raketat që është aktualisht në përdorim.

Nuk ka rëndësi se cili është kërcënimi. Nëse nuk mund ta shihni, nuk mund të mbroheni prej tij“, tha gjenerali John Hyten, ish-zëvendës shefi i shtabit të SHBA-ve, gjatë një fjalimi në Uashington, në janar të vitit 2020.

Zelensky urdhëron evakuimin e banorëve nga Donjecku

RFE/RL

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Qeveria ka vendosur që të urdhërojë evakuim të detyrueshëm të banorëve nga rajoni i Donjeckut, që është skenë e luftimeve intensive me forcat pushtuese ruse.

Gjatë një adresimi në orët e vona të 30 korrikut, Zelensky tha se qindra-mijëra njerëz ende janë në zonat e luftës në rajonin e Donbasit dhe se ata duhet të largohet.

“Sa më shumë njerëz që të largohen tani nga Donjecku, aq më pak njerëz do të ketë kohë ushtria ruse që të vrasë”, tha ai, duke shtuar se banorët që do të evakuohen do të kompensohen.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk citohet të ketë thënë se evakuimi duhet të ndodhë para se të nisë stina e dimrit, pasi që furnizimet me gaz natyror në këtë rajon janë shkatërruar.

Zelensky tha se qindra-mijëra persona vazhdojnë të jetojnë në zona të Donbasit ku po zhvillohen luftime të ashpra.

“Shumica po refuzojnë të largohen, por kjo gjë duhet të ndodhë”, tha ai.

Rusia nisi pushimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pas dështoi që ta marrë kontrollin e Kievit, Moska përqendroi ofensivën e saj në rajonin e Donbasit, që përbëhet nga Donjecku dhe Luhansku. Përveç në këtë rajon, luftime të ashpra po zhvillohen edhe në jug të Ukrainës, përkatësisht në rajonin e Hersonit.

OKB: Gati të hetojmë ngjarjen mbi vrasjen e të burgosurve ukrainas të luftës

VOA

Kievi ka kërkuar që Moska të mbahet përgjegjëse për një sulm me raketa ndaj një burgu të mbikëqyrur nga Rusia në Ukrainën lindore, sulm gjatë të cilit u vranë disa dhjetëra të burgosur lufte, shtetas ukrainas.

Të shtunën qeveria ukrainase u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që të hetojnë menjëherë rreth sulmit të së premtes.

Me rritjen e zemërimit ndërkombëtar mbi ngjarjen, Kombet e Bashkuara premtuan mbështetje për të ndihmuar me hetimet.

Lidhur me tragjedinë në burgun në Olenivka, jemi gati të dërgojmë një grup ekspertësh të aftë për të kryer një hetim, me pëlqimin e palëve“, tha Farhan Haq, zëvendës zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së nëpërmjet një deklarate të lëshuar të shtunën.

Ndërkohë Moska dhe Kievi vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me sulmit me raketa. Deri tani pretendimet e palëve nuk kanë arritur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi për 40 të vrarë dhe 75 të plagosur, të cilën mbaheshin në një burg në Olenivka, pjesë e provincës Donetsk që kontrollohet nga separatistët rusë. Një zëdhënës i separatistëve tha se numri i të vdekurve ishte 53 dhe akuzoi Kievin se e kishte qëlluar godinën me raketa HIMARS të prodhuara nga SHBA-të.

Forcat e armatosura të Ukrainës e hodhën poshtë këtë pretendim, duke akuzuar Moskën për goditje me artileri të burgut, me synimin për të fshehur keqtrajtimin e të burgosurve. Në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e cilësoi sulmin një krim lufte të qëllimshëm nga ana e Rusisë. Ai tha se ishin vrarë më shumë se 50 të burgosur lufte.

Zoti Zelenskyy bëri thirrje për shpallje të Rusinë si një vend që financon terrorizmin. Të premten në mbrëmje sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ku i shprehu ngushëllimet e tij mbi vdekjen e mbi 50 të burgosurve ukrainas.

Sekretari Blinken ripohoi angazhimin e SHBA-ve për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për mizoritë e kryera kundër popullit të Ukrainës. Blinken-Kuleba përsëritën gjithashtu nevojën për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja për eksportin e drithit ukrainas.

Rrjeti i agjentëve rusë në Ukrainë

VOA/Marrë nga Reuters

Kur automjetet e para të blinduara të ushtrisë pushtuese ruse arritën në zemër të centralit bërthamor të Çernobilit pasditen e 24 shkurtit, ata u ndeshën me një njësi ukrainase të ngarkuar me mbrojtjen e objektit.

Në më pak se dy orë dhe pa shkëmbime zjarri, 169 anëtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës dorëzuan armët. Rusia mori në dorë Çernobilin, një depo me disa tonelata material bërthamor dhe pikë kyçe në korridorin drejt Kievit.

Rënia e Çernobilit, dallohet si një anomali në luftën pesë mujore, si një operacion i suksesshëm në një kohë kur Moska është përballuar me një rezistencë të fortë ukrainase gjatë operacioneve të saj brutale në rajone të ndryshme të këtij vendi.

Tani një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters ka zbuluar se suksesi i Rusisë në Çernobil nuk ishte i rastësishëm, por pjesë e një operacioni të gjatë të Kremlinit për të infiltruar agjentë sekretë në shtetin ukrainas.

Pesë individë me njohuri mbi përgatitjet e Kremlinit thanë se planifikuesit e luftës në rrethin e ngushtë të Presidentit Vladimir Putin besonin se, të ndihmuar nga këta agjentë, Rusisë do t’i duhej vetëm një forcë e vogël ushtarake dhe disa ditë për ta detyruar administratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të largohej, të arratisej ose të kapitullonte.

Përmes intervistimit të dhjetëra zyrtarëve në Rusi dhe Ukrainë dhe një rishikimi të dokumenteve të gjykatës ukrainase dhe deklaratave për hetuesit, lidhur me një hetim mbi sjelljen e atyre që punonin në Çernobil, agjencia e lajmeve Reuters ka vërtetuar se ky infiltrim ka depërtuar shumë më thellë nga sa është pranuar publikisht.

Ndër zyrtarët e intervistuar përfshihen edhe njerëz brenda Rusisë të cilët u informuan mbi planet e Moskës si dhe hetues ukrainas të ngarkuar me gjurmimin e spiunëve.

“Përveç armikut të jashtëm, ne për fat të keq kemi një armik të brendshëm dhe ky armik nuk është më pak i rrezikshëm”, tha në një intervistë sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov.

Në kohën e pushtimit, tha zoti Danilov, Rusia kishte agjentë në sektorët e mbrojtjes, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Ukrainë. Ai nuk pranoi të jepte emra, por tha se tradhtarë të tillë duhet të “neutralizohen” me çdo kusht.

Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës po heton nëse Garda Kombëtare ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke i dorëzuar armët e saj armikut, tha një zyrtar lokal për agjencinë e lajmeve Reuters. Byroja Shtetërore e Hetimeve nuk ka komentuar ndërsa Garda Kombëtare mbrojti veprimet e njësisë së saj në central, duke vënë theksin mbi rreziqet e konfliktit në një objekt bërthamor.

Kastroi ushtarin e kapur rob, ky është krimineli i luftës më i kërkuar

Gazeta britanike, Daily Mail, publikoi disa foto të ushtarit rus, që akuzohet se kastroi një të burgosur lufte ukrainas. Ky ishte një nga krimet më të rënda të luftës që prej 24 shkurtit.

DM shkruan se besohet se ushtari rus është një 39-vjeçar, që lufton në rajonin e Luhanskut me njësinë e njohur me emrin Bryanka-SSSR. Grupi i tij është i njohur për dhunën dhe brutalitetin. Ata janë filmuar disa herë duke bërë përshëndetje naziste.

Burimet ukrainase thonë se ushtari rus është nga rajoni Kalmykia, pranë Detit Kaspikl. Ai punonte si riparues në kryeqytetin e këtij rajoni dhe kishte rekorde kriminale për shkak të kredive të papaguara.

Pamjet e denoncuara nga një deputete ukrainase janë shumë të rënda dhe redaksia ka zgjedhur të mos i publikuar.

Ushtari rus luftonte në krah të trupave çeçene. Në pamje shihet se si ata vënë poshtë një të burgosur lufte ukrainas dhe përdorin një thikë për t’i prerë organin gjenital para kamerave. Ushtarët e tjerë ruse tallen dhe njëri madje duket sikur po bën një telefonatë me të shoqen.

Pak më vonë u publikua një video ku shihet se si ushtarin e qëllojnë në kokë, përpara se trupin e tij ta tërheqin me litar në rrugë.

Pamjet e publikuara në median sociale janë konfirmuara si të vërteta nga ekspertët.

syri.net

Ukraina njofton se ka vrarë mbi 100 ushtarë rusë në Herson

RFE/RL

Ushtria ukrainase tha më 30 korrik se ka vrarë mbi 100 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar dy depo municionesh gjatë luftimeve të fundit në rajonin e Hersonit, ku Kievi po përqendron kundërofensivën e tij më të madhe që nga fillimi i luftës.

Komanda jugore e ushtrisë tha se është ndërprerë qarkullimi i trenave nga Hersoni mbi lumin Dniepër, dhe kjo ka të ngjarë të izolojë edhe më shumë forcat ruse në perëndim të lumit. Po ashtu, një gjë e tillë, pritet të shkaktojë ndërprerje të furnizimeve për Rusinë nga Krimeja e aneksuar.

Javëve të fundit, Ukraina ka përdorur sistemet raketore me rreze të gjatë veprimi, që Perëndimi ia ka dhuruar, për të goditur tri pikë-kalime mbi lumin Dinepër. Këto sulme ia kanë bërë më të vështirë Rusisë furnizimin e forcave të saj.

“Si rezultat i luftimeve që vendosën nën kontroll lidhjet kryesore të transportit në territorin e pushtuar, është vërtetuar se qarkullimi hekurudhor mbi lumin Dniepër është i pamundur”, tha ushtria ukrainase përmes një deklarate.

Ushtria ukrainase tha se afër 170 ushtarë rusë dhe shtatë tanke janë shkatërruar në luftimet më 29 korrik në jug të Ukrainës.

Këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Rajoni i Hersonit, që kufizohet me Krimenë, ra nën kontrollin rus pak pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt.

Presidenti Zelenskyy viziton portin e Odesës, inspekton anijet e grurit

VOA

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ambasadorët e vendeve të grupit të G7-ës në Ukrainë, përfaqësues të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara vizituan të premten një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi dhe inspektuan anijet që do të transportojnë grurin. Vizita e tij vjen një javë pas arritjes së marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara për krijimin e korridoreve të sigurta për eksportin e grurit të bllokuar në vend që nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës, pesë muaj më parë.

Vizita e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në njërin nga portet e rajonit të Odesës vjen ndërsa punëtorët filluan punën në terminalet e eksportimit të grurit të domosdoshëm për miliona njerëz në mbarë botën që vuajnë nga uria.

“Kjo është anija e parë që po ngarkohet që nga fillimi i luftës. Kjo anije turke nënkupton se porti filloi punën”, tha zoti Zelenskyy në një nga portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi.

Vizita e zotit Zelenskyy me ambasadorët e vendeve të grupit të shtatëshes në Ukrainë dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë në Odesa është një përpjekje e Kievit për t’i treguar botës se janë pothuajse gati të rifillojnë të eksportojnë miliona tonë drithë në botë, pas marrëveshjes me Rusinë, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara javën që shkoi për krijimin e korridoreve që mundësojnë kalimin e sigurt të anijeve.

Megjithatë ekzistojnë shqetësime për sigurinë e ekipeve të transportit detar, gjë që ka çuar në një fillim të ngadaltë dhe të kujdesshëm të zbatimit të marrëveshjes.

“Shpresojmë që të gjitha palët e përfshira të mbajnë premtimet dhe garancitë e tyre. Shpresojmë që si anijet ashtu edhe njerëzit të jenë të sigurt. Njerëzit e përfshirë po rrezikojnë jetët e tyre, sepse rezultati i procesit është i panjohur dhe e dimë se me kë kemi të bëjmë, Rusinë”, tha zoti Zelenskyy.

Një javë pas nënshkrimit të marrëveshjes ende asnjë sasi gruri nuk është nisur nga portet. Por palët po përballen me trysninë e kohës, pasi marrëveshja është e vlefshme vetëm për 120 ditë.

Ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melkinda Simmons, falenderoi Kievin për përpjekjet e tij që të zbatojë mbarrëveshjen, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të veprojë në të njëjtën mënyrë.

“Së bashku me të gjithë të tjerët, presim që Rusia të luajë rolin e saj për t’u siguruar se marrëveshja do të zbatohet”, tha ajo në një konferencë shtypi.

Larisa Galadza, ambasadorja kanadeze në Ukrainë tha se në këtë vizitë pa se anijet janë të ngarkuara dhe gati për t’u nisur.

“Siç mund t’i shihni, anijet janë këtu, të ngarkuara dhe gati për t’u nisur. Anije të tjera kanë filluar të ngarkohen sot. Pra, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pajtohet me hapjen e korridoreve të duhura për dërgimin e grurit”, tha ajo.

Kjo marrëveshje është përparimi i parë diplomatik në konflikt, ndërsa çmimet e grurit në Azi ranë këtë javë për shkak të pritjeve për furnizime më të larta. Por luftime te ashpra e bëjnë procesin jashtëzakonisht të vështirë.

Javën që shkoi raketat ruse goditën portin jugor në Odesa, duke kërcënuar marrëveshjen që ishte nënshkruar një ditë para sulmit.

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink tha se shpreson që më vonë të premten të hapet rruga për dërgesën e parë.

Ndërsa bllokimi i drithërave të Ukrainës, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, ka çuar në rritjen e çmimeve të ushqimit në mbarë botën, reduktimet e gazit rus kanë shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë në Evropë dhe frikë për mungesa të mëdha gjatë dimrit.

Synimi është që gjatë katër muajve të ardhshëm të nisen rreth 20 milionë tonë drithë nga portet e Ukrainës, duke ndihmuar miliona njerëz të varfër në mbarë botën të përallen me urinë.

Polonia shton arsenalet e armatimeve, merr qindra avionë luftarakë, tanke dhe armë artilerie nga Koreja e Jugut

Për shkak të luftës në Ukrainë Polonia po armatoset. Marrëveshjet e fundit me Korenë e Jugut përfshijnë qindra avionë luftarakë, tanke dhe armë artilerie.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjet për blerjen e armëve, sepse Polonia ka nxjerrë mësime nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. “Koha është e shkurtër dhe ne duhet të pajisim ushtrinë polake.” – tha ai.

Sipas marrëveshjeve Polonia do të marrë rreth një mijë tanke, rreth 650 topa dhe mortaja dhe 48 avionë luftarakë. Dymbëdhjetë avionët e parë luftarakë të tipit FA-50 planifikohet të mbërrijnë në Poloni në vitin 2023 dhe do të zëvendësojnë avionët e vjetër të prodhimit sovjetik. Koncerni koreano-verior i armatimeve, Korea Aerospace Industries, njoftoi se do ta zhvendoste gradualisht prodhimin e avionëve luftarakë FA-50 në Poloni.

Informacione në lidhur me kostot e marrëveshjes për armët nuk u dhanë, por sipas njoftimeve nga Koreja e Jugut bëhet fjalë për disa miliardë dollarë amerikanë.

Përgatitje ndaj një kërcënimi të mundshëm nga Rusia
Polonia, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetësit më të mëdhenj ushtarakë dhe politikë të Ukrainës dhe po armatoset shumë kundër një kërcënimi rus. Muajt e fundit Polonia ka porositur më shumë se 300 tanke amerikane dhe sisteme raketash tokë-ajër nga konsorciumi evropian MBDA si dhe më shumë se 30 helikopterë ushtarakë të prodhimit italian.

 

Po ashtu qeveria e Varshavës ka nisur që vitin e kaluar të rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve, madje edhe para sulmit rus në Ukrainë. Nëse duam të shmangim më të keqen, pra luftën, duhet të veprojmë sipas rregullit të vjetër të parandalimit, e justifikoi asokohe vendimin Jaroslav Kazhinski, lideri i partisë në pushtet PIS./DW/

Ukraina intensifikon kundërofensivën në jug të shtetit

Forcat ushtarake ukrainase duke përdorur sistemet amerikane në luftimet kundër Rusisë.

RFE/RL

Forcat ushtarake ukrainase kanë intensifikuar kundërofensivën e tyre me qëllim të rikthimit të territorit të humbur në jug.

Ndërkohë, Rusia ka nisur sulme vdekjeprurëse në qendër të Ukrainës dhe afër kryeqytetit Kiev, ndonëse ka raportime se Moska po përballet me mungesë të personelit në rajonin lindor.

Ukraina ka përdorur sistemet raketore me rreze të gjatë – që ia ka siguruar Perëndimi – për të dëmtuar rëndë tri ura afër Lumit Dniepër në javët e fundit.

Në këtë mënyrë Rusisë i janë kufizuar mundësitë për të furnizuar forcat e saj në krahun perëndimor.

Sulmet ruse në rajonin qendror të Ukrainës, Kirovograd më 28 korrik, kanë lënë të vdekur pesë njerëz dhe kanë plagosur 26 në qytetin Kropivnitski, kanë thënë zyrtarët.

Afër Kievit, rreth 15 njerëz janë plagosur në një bazë ushtarake.

Rajonet veriore dhe ato jugore të Ukrainës janë goditur po ashtu.

Sulmet me raketa ruse kanë shënjestruar edhe rajonet e Kievit, Çernihivit, Mikollaivit dhe Harkivit.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 korrik se Moska ka angazhuar mercenarë të grupit Vagner, të lidhur me Kremlinin, në lindje të Ukrainës, që në ditët e para të nisjes së luftës.

Ligjvënësja amerikane, Elissa Slotkin ka thënë se më shumë se 75.000 ushtarë rusë që luftonin në Ukrainë, besohet se janë vrarë apo plagosur.

Kjo shifër përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska i ka dërguar në Ukrainë, prej nisjes së pushtimit të këtij shteti më 24 shkurt.

Duke folur për transmetuesin amerikan, CNN, Stolkin ka thënë se shifra e viktimave është “shumë e madhe”.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas pjesëmarrjes në një takim me zyrtarë për inteligjencë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

“Ne jemi njoftuar se mbi 75.000 rusë, ose janë vrarë, ose janë plagosur, e që është shifër e madhe. Shuma të mëdha janë investuar në forcat e tyre tokësore, mbi 80 për qind e këtyre forcave janë të bllokuara ose të lodhura”, ka thënë ajo.

Viktimat ushtarake konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi – edhe në kohë të paqes – prandaj Moska nuk i përditëson të dhënat e saj.

Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftime.

Slotkin, e cila ka vizituar së fundi Ukrainën, ka thënë se periudha e ardhshme – tri deri në gjashtë javë – do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrë lufta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Mattarella: “Një demokraci e fortë është thelbësore kundër fashizmit”

VOAL- Presidenti italian Sergio Mattarella, me rastin e 100-vjetorit të një prej sulmeve që ndihmuan në sjelljen e diktatorit Benito Mussolini në pushtet, të enjten inkurajoi italianët të rigjallëronin demokracinë e vendit si një mburojë kundër fashizmit.

Mattarella po përkujtonte shkatërrimin dhe zjarrin nga skuadrat fashiste të një kooperativë bujqësore në Ravenna.

“Trashëgimia” fashiste është nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh këto ditë, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 shtatorit. rsi-eb

Mbështetje në rritje për Kinën në Hungari

Demonstruesit në Budapest protestojnë kundër kampusit të planifikuar të Universitetit kinez, Fudan, në kryeqytetin hungarez në qershor të vitit të kaluar.

Reid Standish, Balint Szalai

Nga koha kur kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është kthyer në pushtet në vitin 2010, Budapesti ka krijuar marrëdhënie më të ngushta me Pekinin dhe ka hapur dyert për rritjen e investimeve dhe të ndikimit kinez.

Pavarësisht disa skandaleve dhe polemikave gjatë kësaj periudhe, një sondazh i ri tregon se mbështetja për Kinën është në rritje – shumica e të anketuarve hungarezë thonë se e miratojnë rritjen e ndikimit kinez në vendin e tyre.

Sondazhi nga Qendra e Evropës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike (CEECAS), me seli në Budapest, ka zbuluar se Kina, në përgjithësi, ka një imazh pozitiv në mesin e publikut hungarez dhe se shumica e të anketuarve në këtë vend kanë pikëpamje për çështje të rëndësishme politike, të cilat janë “të favorshme për pikëpamjet kineze”.

Hulumtuesit, megjithatë, kanë nxjerrë në pah një polarizim të madh sa u përket çështjeve të politikës së jashtme: votuesit e partisë qeverisëse Fidesz kanë ndarë pikëpamje jashtëzakonisht pozitive për Kinën, ndërsa votuesit e opozitës kanë shprehur pesimizëm dhe shqetësim.

Sondazhi, i cili është kryer në prill – gjatë zgjedhjeve që kanë konfirmuar pushtetin e Orbanit dhe të partisë së tij, Fidesz – është publikuar këtë muaj.

Fushatën e kanë dominuar tema të brendshme, por çështjet që lidhen me investimet dhe borxhin kinez – përfshirë huatë për një linjë hekurudhore që lidhet me Serbinë dhe planet për të ngritur një kampus për një universitet të Kinës në Budapest – kanë hedhur hije mbi votimet.

 

Disa analistë dhe ligjvënës të opozitës kanë paralajmëruar se projektet mund të bëhen një “kalë i Trojës” për interesat dhe ndikimin e Pekinit brenda Bashkimit Evropian.

Matja e ndikimit kinez

Sondazhi ka zbuluar se 51 për qind e të anketuarve hungarezë ndiheshin optimistë për rritjen e gjurmëve të Kinës në vendin e tyre.

Gjurmët e Kinës në Hungari janë rritur në vitin 2010, kur Orban ka nisur politikën e tij të Hapjes Lindore, e cila ka pasur synim kultivimin e lidhjeve të ngushta me Pekinin dhe Moskën dhe tërheqjen e investimeve nga këto vende, pas krizës financiare globale.

Qe atëherë, Orban ka kultivuar marrëdhënie të fuqishme me Pekinin dhe Budapesti ka bllokuar disa përpjekje të BE-së për të censuruar Kinën, për shkak të shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut në Hong Kong dhe në provincën perëndimore kineze, Ksinjiang.

Sipas sondazhit, shumica e të anketuarve e shohin nivelin aktual të ndikimit kinez në Hungari si “të lartë” ose “shumë të lartë”.

Ky perceptim mund të jetë edhe për shkak të numrit në rritje të fushave, ku Budapesti dhe Pekini bashkëpunojnë. Përveç investimeve dhe rritjes së mbështetjes diplomatike, Kina ka dërguar në Hungari edhe ventilatorë, maska dhe vaksina gjatë pandemisë së koronavirusit. Hungaria është një nga pak vende evropiane që ka miratuar vaksinën Sinopharm të Kinës kundër koronavirusit.

Ndihma nga Kina është e vogël në krahasim me atë që ka ofruar Brukseli, por sondazhi ka nxjerrë në pah se “ndihma dhe roli i perceptuar i Kinës në menaxhimin e pandemisë në Hungari duket se kanë pasur një ndikim të rëndësishëm pozitiv në perceptimet publike”.

Fidesz dhe Fudan

Ndoshta projekti më i diskutueshëm, që lidhet me ndikimin kinez në Hungari, është plani për të ndërtuar një kampus në Budapest për Universitetin prestigjioz Fudan të Shangait. Projekti ka shkaktuar protesta të mëdha në kryeqytetin hungarez, në qershor të vitit 2021, pasi dokumentet që kanë rrjedhur në publik, kanë treguar se Qeveria do të marrë hua prej 1.5 miliard dollarësh prej një banke kineze, për të mbuluar pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Marrëveshja do ta bëjë Fudanin universitetin e parë kinez në BE. Sipas Qeverisë hungareze, ai do t’i rrisë standardet e arsimit të lartë në vend.

Sondazhet – përfshirë atë të CEECAS-it – kanë treguar se kjo temë i ka ndarë qytetarët hungarezë.

Nuk është për t’u habitur që mbështetja për ndikimin kinez në Hungari është gjithashtu e lartë në mesin e votuesve të Fidesz-it.

Derisa më shumë se tri të katërtat e mbështetësve të Fidesz-it janë në favor të një pranie më të madhe kineze, një studim i vitit 2021 nga Fondi gjerman Marshall ka zbuluar se 62 për qind e evropianëve të anketuar, kanë qëndrime negative ndaj Kinës dhe rritjes së ndikimit të saj global.

Putin, Xi dhe Ukraina

Nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, lufta është bërë temë kryesore në Hungari. Në sondazh, të anketuarit janë pyetur edhe si i shohin ata lidhjet e ngushta midis Kinës dhe Rusisë.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë shpallur partneritet “pa kufij” gjatë një takimi të përbashkët në Pekin, më 4 shkurt.

Gjatë gjithë luftës, Kina ka ndjekur një linjë të sikletshme diplomatike – ka shmangur mbështetjen e hapur për luftën ruse, por i ka heshtur edhe kritikat e saj ndaj pushtimit. Pekini, gjithashtu, ka shmangur shkeljen e sanksioneve perëndimore kundër Moskës, ndërkohë që është bërë blerësi kryesor i naftës së papërpunuar ruse, duke i siguruar Kremlinit mjete të rëndësishme.

Sondazhi ka zbuluar se rreth 48 për qind e të anketuarve kanë një pikëpamje të pafavorshme ndaj partneritetit dhe ndikimit të tij në politikën ndërkombëtare.

“Kjo është pyetja e vetme, në të cilën shumica nuk ka pasur perceptim pozitiv ndaj rolit të Kinës”, thuhet në sondazh.

Përgatitën: Valona Tela dhe Lendi Susuri

Viktor Orbán: Pastërtia racore është një “veçori kulturore e hungarezëve”

Kryeministri hungarez Viktor Orbán mbrojti një “pikëvështrim kulturor” hungarez duke iu referuar fjalimit të tij të shtunën e kaluar në Transilvani, në të cilin ai hodhi poshtë “përzierjen e racave”.

“Ndodh që ndonjëherë të flas në një mënyrë të keqkuptuar, por i kam kërkuar kancelarit (Karl Nehammer) që deklaratat t’i vendosë në një kontekst kulturor,” shpjegoi kryeministri hungarez gjatë një konference për shtyp në Vjenë, ku ndodhet në një vizitë zyrtare.

“Në Hungari, këto shprehje dhe fraza përshtaten në një kontekst kulturor”, tha ai.

Në fjalimin e tij në Transilvani, Rumani, shtëpia e një pakice të konsiderueshme hungareze, Orban, i njohur për politikën e tij kundër imigracionit, hodhi poshtë me forcë një shoqëri “multi-etnike”.

“Ne nuk duam të jemi një racë e përzier” që do të përzihet “me jo-evropianë”, tha ai.

Vendet “ku bashkëjetojnë popujt evropianë dhe joevropianë nuk janë më kombe. Këto vende nuk janë gjë tjetër veçse një grumbull popujsh”, tha kryeministri hungarez, i cili ka shprehur qëndrime të ngjashme edhe në të kaluarën, por pa përdorur termin “racë”.

Ai iu referua gjithashtu dhomave të gazit për të kritikuar planin e Brukselit për të ulur kërkesën evropiane për gaz me 15%. “Nuk shoh se si mund të bindin shtetet anëtare, megjithëse ka një njohuri gjermane në këtë fushë, siç e ka treguar e kaluara”, tha ai me sarkazëm.

Deklaratat e tij shkaktuan bujë dhe dorëheqjen e këshilltarit të Sousa Hegedus për 20 vjet.

Për “qëndrim racist” foli Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit. Retorika “budallaqe dhe e rrezikshme” e kryeministrit hungarez nacionalist u kujton të mbijetuarve të Holokaustit “kohët e errëta të përjashtimit dhe persekutimit të tyre”, tha Christoph Heubner, nënkryetar i Komisionit të Aushvicit, duke i bërë thirrje kancelarit austriak Karl Neuhammer, i cili mirëpret sot Kryeministri hungarez në vizitën e tij zyrtare në Vjenë, për të kërkuar dorëheqjen e tij në emër të Bashkimit Evropian.

“Ne duhet t’ia bëjmë të qartë botës se një z. Orbán nuk ka të ardhme në Evropë … vlerat e të cilit ai i refuzon sistematikisht,” shtoi ai, duke i bërë thirrje BE-së “të distancohet nga një sjellje e tillë raciste”.

Që nga kthimi i tij në pushtet në vitin 2010, Viktor Orbán e ka transformuar vendin e tij duke zbatuar reforma joliberale që shkelin sundimin e ligjit dhe bazohen në mbrojtjen e një “Evrope të krishterë”.

Ai sulmoi emigrantët që vinin nga Afrika dhe Lindja e Mesme, si dhe organizatat joqeveritare që i ndihmojnë ata duke shtrënguar të drejtën e azilit dhe duke ngritur gardhe në kufirin hungarez.

Sot kancelari austriak u sigurua që në fillim të konferencës për shtyp në Vjenë të “dënojë rreptësishtë të gjitha format e racizmit dhe antisemitizmit”, duke siguruar se të dy ata diskutuan me sinqeritet absolut për çështjen që u ngrit.

“Ne jemi plotësisht dakord”, tha Orbán, duke thënë se ishte “krenar” për politikën e Hungarisë për “tolerancë zero për racizmin dhe antisemitizmin.”

“Teksti thjesht nazist i denjë për Goebbels “. Këshilltarja për një kohë të gjatë e kryeministrit hungarez, paraqiti dorëheqjen të hënën.

Në një letër të shpërndarë për mediat hungareze, ai denoncoi “një pamje të turpshme” dhe “një tekst thjesht nazist të denjë për (Joseph) Goebbels, shefin e propagandës së Gjermanisë naziste .

Në përgjigje, Viktor Orbán theksoi “politikën e tolerancës zero të qeverisë së tij për antisemitizmin dhe racizmin”. “Nuk mund të më akuzoni seriozisht për racizëm pasi kemi punuar së bashku për njëzet vjet”, ka shkruar ai në një mesazh.

Por komuniteti hebre i Hungarisë reagoi gjithashtu në fillim të javës. “Shumë lloje të ndryshme banojnë në planetin tonë. Me dy këmbë, duke punuar, duke folur dhe nganjëherë duke menduar, një dhe e vetmja specie jeton në këtë tokë: Homo Sapiens Sapiens. Kjo garë është një dhe e pandashme”, shkroi kryerabini Robert Frelich në Facebook.

Komisioni Evropian njoftoi se nuk komenton asnjëherë deklaratat e bëra nga politikanët evropianë.

“Ajo që është e qartë është se Bashkimi Evropian ka disa vlera që janë të shënuara në traktate dhe zbaton politika të lidhura me këto vlera dhe nenet e traktatit”, tha zëdhënësi i Komisionit Eric Mamer. gsh


Send this to a friend