Rreth 70 vende dhe institucione ndërkombëtare premtuan të martën më shumë se 1 miliard dollarë në ndihma të reja për Ukrainën. Paratë do të shërbejnë për të riparuar infrastrukturën e goditur rëndë nga Rusia në javët e fundit, që për pasojë ka lënë me miliona ukrainas pa energji elektrike dhe ujë.
Gjatë takimit në Paris, ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna tha se ndihma ishte frut i një angazhimi të ri. “Janë ndihma ose dhurata dhe jo hua“, theksoi ajo.
Zonja Colonna shtoi se ndihma do të “përdoret gjatë muajve të dimrit, gjë që do të ndihmojë në forcimin e qëndrueshmërisë së infrastrukturës civile”.
Rreth 400 milionë dollarë pritet të përdoren për sektorin energjetik të Ukrainës, të cilin Rusia e ka patur objektiv të sulmeve të saj të vazhdueshme ajrore.
Takimi i së martës me donatorët ndërkombëtarë u organizua nga Franca. Në fillim të konferencës Presidenti francez Emmanuel Macron tha se qëllimi i saj është ta ndihmojë popullin ukrainas “të kalojë stinën e dimrit”. Presidenti ukrainas tha nëpërmjet një lidhjeje videofonike se vendit të tij i nevojiten gjeneratorë energjie, po aq sa i nevojiten edhe autoblindat për forcat e armatosura.
“Në zemër të ofensivës ruse pas humbjeve ushtarake të javëve të fundit është zhytja e popullit ukrainas në dëshpërim dhe sulmimi në një mënyrë të papranueshme i infrastrukturës civile, ndërprerja e ujit, ndërprerja e elektricitetit dhe zhytja e popullsisë në errësirë dhe të ftohtë. Prandaj ne jemi mobilizuar që t’i ndihmojmë ata të rezistojnë”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
Nëpërmjet një videokonference, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha aleatëve të mbledhur në Paris të martën se nevojiten të paktën 800 milionë Euro për asistencë emergjence për furnizimin me energji gjatë dimrit, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të godasin objektiva civile në mbarë vendin.
Presidenti Zelensky u tha pjesëmarrësve se po aq sa i nevojiten autoblindat për forcat e armatosura, vendit të tij i nevojiten edhe gjeneratorët e energjisë.
Gjatë fjalimit të tij në takim, presidenti francez dënoi me forcë sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës civile.
“Këto sulme ajrore kanë haptazi në objektiv popullsinë ukrainase dhe infrastrukturën civile. Këto sulme, që siç e pranoi Rusia kanë qëllimin e vetëm dobësimin e rezistencës së popullit ukrainas, përbëjnë krime lufte. Ato shkelin pa asnjë dyshim parimet më themelore të ligjeve humanitare”, u shpreh presidenti francez.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po ofron 40 gjeneratorë për furnizimin me energji të spitaleve në Ukrainë dhe 800 gjeneratorë për përdorim në objekte të tjera në mbarë vendin.
Konferenca vjen pas një zotimi të hënën të udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes për të plotësuar nevojat urgjente të Ukrainës për paisje ushtarake. Konferenca po shqyrton mundësinë e krijimit të një mekanizmi në internet ku Ukraina mund të paraqesë nevojat e saj dhe vendet donatore mund t’iu përgjigjen atyre. Një takim i dytë mes Francës, Ukrainës dhe 500 kompanive franceze po shqyrton se ku mund të investohet dhe çfarë mund të bëhet në periudhën afatshkurtër.
* Për këtë artikull u morën të dhëna nga agjencia e lajmeve Reuters.