Në fillim të marsit të vitit 2022, teksa trupat ushtarake ruse iu afruan Kievit, bastioni i fundit në rrugën drejt kryeqytetit ishte fshati Moshçun. Marinsat rusë kanë ndërtuar tri ura për të fituar terren përtej lumit Irpin. Pas disa ditësh të luftimeve të ashpra, forcat ushtarake ukrainase kanë arritur të shkatërrojnë dy kalime, mirëpo i kanë kërkuar komandës së lartë që të tërhiqen, për shkak të humbjeve të mëdha. Kjo kërkesë u është refuzuar, me arsyetimin se do t’ua hapte rusëve rrugën drejt Kievit. Më vonë, ata përmes hedhjes së një dige në ajër, e kanë përmbytur Irpinin – duke mundësuar rigrupimin e ushtrisë ukrainase dhe zmbrapsjen e trupave ushtarake ruse që kanë mbetur të bllokuar në ujë. (Përgatitën: Krenare Cubolli dhe Arben Hoti)
Një grua dhe dy fëmijë mbetën të vrarë në shtëpinë e tyre nga një predhë mortaje ruse në rajonin e Khersonit, në Ukrainë.
“Terroristët rusë vijojnë të vrasin civilë”, tha shefi i kabinetit të Presidencës ukrainase, pa dhënë më shumë detaje të tjera për sulmin.
Rajoni i Khersonit ishte vënë nën kontrollin e forcave ruse në fillimet e sulmit, por u lirua nga forcat e Kievit, nëntorin e shkuar. Që atëherë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, qyteti është goditur vazhdimisht nga pozicionet ruse nga bregu përballë i lumit Dnipro.
Instituti për Studimin e Luftës, në Shtetet e Bashkuara, tha së fundmi se forcat ruse vijojnë sulmet në qytetin e Bahkmutit dhe bënë sulme tokësore edhe në Donetsk.
Burimet ukrainase raportojnë se forcat ruse po synojnë të krijojnë kushtet për një valë sulmesh në jug të Ukrainës.
Ndërkohë, sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, disa rezervistë rusë janë shprehur se armët e zjarrit dhe lopatat ishin mjetet e vetme me të cilat ishin dërguar në luftime.
Sipas ministrisë britanike, Rusisë po i mbarojnë municionet dhe trupave po u jepet më pak mbështetje nga artileria gjatë luftimeve.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se në tavolinën e tij ka 16 modele ekzistuese funksionale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që i ka ndarë me Kosovën dhe Serbinë.
Sipas tij, ato mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.
Kështu tha ai një intervistë për Këshillin Atlantik, më 3 mars.
Lajçak tha se dy vendet duhet të bien dakord se si do të jetë dhe si nuk duhet të jetë Asociacioni, por që BE-ja, siç tha ai, nuk dëshiron të krijojë diçka që e bën sistemin e Kosovës më pak funksional.
“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se nuk duhet të ketë frikë. Askush nuk ka interes ta dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë, dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës, sipas standardeve evropiane”, tha ai.
Emisari evropian tha se Asociacioni është obligim tash e 10 vjet i Kosovës, dhe se BE-ja e ka përsëritur “në secilin deklarim dhe dokument që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të implementohen nga palët”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që të themelojë Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, ai është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se marrëveshja e vitit 2015, nuk është plotësisht në harmoni me Kushtetutën, duke shtuar se të 23 pikat – që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës – mund të harmonizohen.
Lajçak foli edhe për Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se e vlerëson lartë që liderët e dy vendeve u pajtuan për këtë dokument, por tha se tani u takon palëve të merren vesh për aneksin, planin e zbatimit.
Ai tha se ky aneks është pjesë e pandashme e marrëveshjes, dhe se i njëjti do të bëhet publik pasi palët të merren vesh.
Në takimin e së hënës, Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përnbajtjen e tekstit të propozimit evropian, por, palët nuk e nënshkruan këtë dokument, për të cilin një zyrtar i BE-së tha dje se duhet të nënshkruhet bashkë me aneksin.
Në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit thuhet se “palët konfirmojnë detyrimin e tyre për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme në dialog, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.
Në praktikë, kjo do të thotë se duhet të formohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Zoti Bialiatski duke u nderuar me një çmim në Stokholm (3 dhjetor 2020)
VOA/Marrë nga Reuters
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski u dënua me 10 vite burg të premten nga një gjykatë në atdheun e tij Bjellorusi, ku u gjet fajtor për financimin e protestave.
60-vjeçarit Bialiatski iu dha Çmimi Nobel në tetor për punën e tij në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Bjellorusi, ku ish-udhëheqësi i epokës sovjetike Alexander Lukashenko, një aleat i fortë i Rusisë, ka qeverisur me dorë të hekurt për gati 30 vjet, duke burgosur kundërshtarët, apo duke i detyruar ata të largohen.
Drejtuesja e Komitetit Novergjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, e quajti një tragjedi dënimin. “Ales Bialiatski është një ndër luftëtarët më të shquar për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut në Bjellorusi. Çështja gjyqësore dhe akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht”, tha zonja Reiss-Andersen.
Ministra e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e quajti procesin gjyqësor “një farsë”.
Drejtuesja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila është larguar nga vendi, e quajti vendimin si “revoltues”. Ajo u shpreh në Twitter se “duhet të bëjmë gjithçka për të luftuar kundër kësaj padrejtësie të paturpshme” dhe për lirimin e tij.
Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha gjatë një takimi në Gjenevë, se ky institucion i OKB-së është i shqetësuar nga gjyqi dhe për “mungesën e një procesi të paanshëm dhe mungesën e një gjyqësori të pavarur në Bjellorusi”.
Në pamjet filmike nga salla e ngarkuar e gjyqit në Minsk duket zoti Bialiatski, që bashkëthemeloi grupin e të drejtave të njeriut “Viasna” (“Pranvera”), me duart të lidhura pas shpinës, ndërsa ndjek pas hekurave procesin së bashku me të akuzuarit e tjerë.
Zoti Bialiatski, i cili u arrestua në vitin 2021 dhe tre persona të tjerë në të njejtin proces, u akuzuan për financimin e protestave dhe futjen ilegalisht të fondeve në vend. Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta konfirmoi se gjykata u dha dënime të gjata me burg të gjithë të akuzuarve, përfshirë një dekadë burgim për zotin Bialiatski. Ai i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, duke i quajtur ato të motivuara politikisht.
Deputeti holandez i Parlamentit Europian, Thijs Rutten, kritikoi ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që refuzoi të firmoste propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai e konsideron këtë qëndrim të liderit të Beogradit zhgënjyes dhe të pritshëm.
“Refuzimi i turpshëm i Vuçiçit për të nënshkruar marrëveshjen e normalizimit me Republikën e Kosovës, të cilën ai ‘e pranoi’ të hënën, sugjeron qartësisht se Serbia po luan me kohën. Metodat e buta duhet të marrin fund. Karotat kanë dështuar. Nxirrni shkopinjtë”, shkruan eurodeputeti në profilin e tij zyrtar në Twitter.
Ndërkohë, edhe më herët, ligjvënësit holandezë kanë kërkuar dënimin e Serbisë për qasjen agresive ndaj Kosovës dhe për mos-dënimin e luftës së Rusisë në Ukrainë përmes sanksioneve. Madje është kërkuar që Serbisë t’i ndalohet anëtarësimi në BE dhe t’i rikthehet regjimi i vizave./dita
VOAL- Edhe Rosalia, e njohur si Rosetta, përfundoi pas hekurave pasi e kishte ndihmuar për një kohë të gjatë të fshihej. Karabinierët e grupit operativ special (ROS) arrestuan motrën e bosit Matteo Messina Denaro mëngjesin e së premtes, nën akuzën e shoqërimeve mafioze. Hetimi u koordinua nga prokuroria e Palermos.
Sipas hetuesve, gruaja do të kishte ndihmuar vëllain e saj të shmangte kapjen për vite me rradhë dhe do të kishte menaxhuar “familjen” “cash” dhe rrjetin e transmetimit “pizzini” në emër të saj, duke lejuar kështu bosin mafioz të ruante marrëdhëniet me burra.
Motra e shefit është gruaja e Filippo Guttadauros, i cili ka vuajtur 14 vjet për shoqërime mafioze dhe është ende në burg dhe nëna e Lorenzës, një avokate e cila që nga dita e arrestimit ka ndihmuar xhaxhain e saj, bosin mafioz.
Aktualisht, dhjetëra kërkime janë duke u zhvilluar në provincën e Trapanit. rsi-eb
Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë.
Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes dhe interpretimeve të palëve.
“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.
“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, tha ky zyrtar, duke shtuar se pasi të nënshkruhet, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese.
Kurti deklaroi të hënën pas takimitse ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte i gatshëm.
Presidenti Vuçiq, ndërkaq, ka thënë në një intervistë në një televizion të Serbisë se ai vërtet nuk ka dashur ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Vuçiq ka folur më shumë për planin e implementimit.
BE-ja pret që palët të dërgojnë reagimet e tyre lidhur me draftin e planit të implementimit që kanë marrë nga Brukseli.
Kurti dhe Vuçiqi takohen në Ohër më 18 mars
Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.
Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.
Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.
Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.
Burimi tha se vendimi për publikimin e tekstit të propozimit, për të cilin është mbyllur diskutimi, ka qenë i Borrellit, por me këtë janë pajtuar edhe palët.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Zyrtari evropian tha gjithashtu se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit “ishte më i miri deri më tash, por ka shtuar se “nivel i i mosbesimit mes palëve është ende i madh, prandaj të dyja palët, me të drejtë, kërkojnë edhe garanci, prandaj edhe është i domosdoshëm një plan i implementimit, i cili nuk lë vend për ambiguitet dhe do të sqarojë obligimet dhe afatet kohore”.
Ky zyrtar tha se Borrelli i ka njoftuar Kurtin dhe Vuçiqin se më 20 mars, në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, dhe më 24 mars, në takimin e Këshillit Evropian, do të raportojë edhe për rezultatet e dialogut.
“Borrell do të njoftojë ose për suksesin ose në rast të dështimit, për arsyet e dështimit”, tha ky zyrtar, duke shtuar se “të dy liderët e kanë kuptuar mirë këtë mesazh sepse vendet anëtare kanë në duart e tyre shkopin apo karotën dhe vendosin se cilat dhe si do t’i përdorin”.
Finlanda më 28 shkurt nis debatin parlamentar që synon të përshpejtojë rrugën e shtetit drejt pranimit në NATO dhe duke rritur gjasat që ta vazhdojë këtë rrugë vetëm pa shtetin fqinj, Suedinë.
Finlanda – që ka një prej kufijve më të gjatë me Rusinë në Evropë – dhe Suedia hoqën dorë nga politika dekadëshe e mosangazhimit ushtarak dhe aplikuan për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore majin e kaluar, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Por, për shkak se u përball me më pak pengesa diplomatike sesa Stokholmi, Helsiniki duket se po lëvizë drejt NATO-s edhe para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në prill në Finlandë, teksa opinioni publik po ashtu mbështet anëtarësimin në aleancë.
Të dy shtetet kanë marrë mbështetjen e 28 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s. Vetëm Hungaria dhe Turqia ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy vendeve nordike në aleancën ushtarake.
Shumë deputetë finlandezë po kërkojnë që të miratohet legjislacioni që Finlanda të pranojë kushtet e traktatit të NATO-s para zgjedhjeve të 2 prillit.
Debati parlamentar mbahet të martën, ndërkaq votimi pritet të ndodhë të mërkurën.
Kur të miratohen i gjithë legjislacioni i duhur, Finlanda mund të lëvizë më shpejt edhe nëse ratifikimet ndodhin para se Qeveria e re të formohet.
“Koha është tani për të ratifikuar dhe për të mirëpritur plotësisht si anëtare Finladën dhe Suedinë”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në këtë shtet të martën.
“Mesazhi im për Finlandën dhe Suedinë është që të përmbushin ato që kanë premtuar në marrëveshjen trepalëshe që arritën me Turqinë qershorin e kaluar”, shtoi ai.
Helsinki ka theksuar se preferon që t’i bashkohet aleancës së bashku me Suedinë, por miratimi i legjislacionit – që pritet të miratohet pa problem në Parlamentin finlandez – po shihet si sinjal se Finlanda është e gatshme të lëvizë drejt NATO-s e vetme.
Turqia ka bllokuar pranimin e anëtarëve të rinj, veçmas të Suedisë, të cilën e akuzon se po strehon ata që Ankaraja i konsideron “terroristë”, posaçërisht anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Megjithatë, më 27 shkurt kryediplomati i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia e sheh në mënyrë më favorizuese anëtarësimin e Finlandës në NATO.
“Ne ndoshta duhet të ndajmë procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës”, tha ai.
Përderisa miratimi i legjislacionit nga autoritetet finlandeze nuk nënkupton se shteti automatikisht do të anëtarësohet në NATO pas ratifikimeve nga Turqi dhe Hungari, por vendos afate kohore sesa mund të presë për fqinjin e saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Deri tash nuk ka ndonjë deklarim për mediat.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-sëpër normalizimin e raporteve.
Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.
Sipas tyre, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022 dhe nuk ka më nevojë të flitet për të.
Një version të përditësuar të propozimit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por, sipas një drafti që ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Propozimi nuk përfshin njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, por përkushtimin e të dyja palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
Një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk e kanë të lehtë ta arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e këtij propozimi, por, sipas tij, nuk kanë zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti se me këtë propozim – sipas interpretimeve të BE-së – Serbia de facto e njeh Kosovën.
Për më tepër, Vuçiq besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë atë.
Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paraprakisht, ata u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas orës 17:00 pritet një takim i përbashkët mes tyre.
Deri tash nuk ka ndonjë deklarim për mediat.
Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022, dhe nuk ka më nevojë të flitet për këtë përmbajtje.
Një version të përditësuar të planit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Po ashtu, bazuar në përvojën e së kaluarës, zyrtarët e BE-së mendojnë se, nëse do të ketë kërkesë për ndryshim të tekstit, atëherë gjithçka do të duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.
Një zyrtar i lartë i BE-së, ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e marrëveshjes, por nuk kanë pasur zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti që me këtë marrëveshje, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën.
Presidenti serb besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë këtë propozim.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në plan parashihet edhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Mirëpo në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.
“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e këtij propozimi. Pra, me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë të premten një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Kjo kërkesë i është përsëritur Kurtit edhe në një letër të nisur të dielën nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Angazhimi i këtyre tri vendeve më të mëdha të BE-së, për të siguruar rezultat konkret në dialog, ka shtuar optimizmin në Bruksel për takimin e 27 shkurtit.
Edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se pret përparim të dukshëm në këtë takim.
Përveç kësaj, propozimi i BE-së është përkrahur edhe në mënyrë kolektive nga vendet e bllokut evropian në takimin e fundit të Këshillit Evropian.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojnë nesër një takim të nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Një ditë para këtij takimi, Kurti ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian. Siç njofton Zyra e Kryeministrit në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, thuhet në njoftim.
Ata në letrën e tyre kanë përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t’i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Macron, Scholz dhe Meloni.bw
Varkë me migrantë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Të paktën 30 persona kanë vdekur pas përmbytjes së një varke me emigrantë në rajonin e Kalabrisë në Itali, kanë raportuar agjencitë italiane të lajmeve të dielën.
Trupat e 27 personave janë gjetur në brigje dhe të tjerë janë parë në det, sipas këtyre agjencive.
Besohet që më shumë se 100 persona kanë qenë në varkë, dhe rreth 50 janë shpëtuar.
Varka, e cila ka qenë me migantë nga Irani, Pakistani dhe Afganistani, besohet se është përplasur në shkëmbinj detarë gjatë motit të lig.
Garda bregdetare italiane nuk e ka komentuar ende këtë situatë.
Në javët e para të agresioni rus në Ukrainë, refugjatëve që u larguan në vendet fqinje iu ofrua udhëtim falas nëpër Evropë. Një vit më vonë, i vetmi transport falas i mbetur është një tren nga Polonia në Gjermani, i paguar nga shteti gjerman dhe i drejtuar kryesisht nga vullnetarë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Polonia, kërkesat janë të larta për të siguruar një vend në këtë tren.
Treni udhëton gjatë natës drej Gjermanisë një herë në dy ditë. Ai niset nga qyteti polak i Përzhemishelit, në kufirin me Ukrainën, për në Hanover dhe është i rezervuar vetëm për refugjatët. Por nuk është e lehtë të sigurohet një vend në këtë tren.
Brenda stacionit të Përzhemishelit, një dhomë e pritjes për udhëtarët është shndërruar në një qendër strehimi për nënat dhe fëmijët e tyre të vegjël. Ata janë të parët që marrin shiritat e dorës që u garantojnë atyre një vend në tren.
Vullnetarët e Kryqit të Kuq e mbikëqyrin këtë proces. Atyre shpesh u ofrohet ryshfet për sigurimin e një vendi në tren. Por ata krijojnë një listë rigoroze me emrat e atyre që duhet të presin.
Alexandr Hrabarchuk dhe familja e tij u larguan nga qyteti i Donetskut, në vijën e frontit në Ukrainën lindore. Pasi priti dy ditë, familja mori shiritat e dorës dhe po përgatitet për jetën në Gjermani.
“Shtatëdhjetë për qind e qytetit është shkatërruar. Do të duhen të paktën tre ose katër vjet për t’u rindërtuar. Sigurisht, dua të kthehem, jam rritur atje. Largimi ishte shumë i vështirë. E bëmë për hir të fëmijëve”, thotë ai.
Në çdo dhomë të trenit mund të flenë gjashtë persona, ose deri në tetë nëse ka familje me fëmijë të vegjël.
“Treni ka vetëm katër vagona. Ne kemi 210 persona me shirita dore që do të udhëtojnë me këtë tren për në Hanover. Do të preferonim të kishim pesë ose gjashtë vagona sepse ne kemi një nevojë të madhe për më shumë hapësirë për transportimin e refugjatëve”, thotë vullnetari i Kryqit të Kuq, Sebastien Bertin.
Procesi është i ngadaltë dhe metodik. Vullnetarët përdorin çdo hapësirë të disponueshme për refugjatët dhe bagazhet e tyre.
Ka shumë më tepër refugjatë që duan të arrijnë në Gjermani se sa vende të disponueshme në tren.
Disa prej tyre mund të blejnë vetë bileta treni, autobusi ose avioni për në Evropën Perëndimore dhe më gjerë. Por shumë refugjatë kanë humbur gjithçka dhe mbështeten në këtë shërbim falas.
Për shumë njerëz, është një pritje e gjatë në netët e ftohta të dimrit. Olga është nga Zaitseve, një fshat afër Bakhmutit në Ukrainën lindore, që është bërë skenë e luftimeve të ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.
“Shtëpitë janë shkatërruar plotësisht. Nuk kishim ku të shkonim. Ata shkatërruan fshatin në mes të natës. Nuk e di se ku mund të filloj sërish jetën. Tani nuk mund të blejë ose ndërtojë një shtëpi. Nuk e di si mund të jetojë. Nuk e di se çfarë shprese mund të na japë Zoti”, thotë ajo.
Për momentin, shpresa e vetme është shpëtimi nga lufta dhe besimi në bamirësinë e të huajve.
Pas një operacioni dy-orësh, 230 refugjatë hipin në tren, 20 më shumë se sa ishte planifikuar.
Dhe në orën 22:30 fillon udhëtimi 16 orësh drejt Hanoverit. Një tjetër hap në rrugën e gjatë drejt një jete të re në një tokë të panjohur.
Polonia ka dërguar tashmë në Ukrainë tanket e para Leopard 2 nga 14 prej tyre që ka premtuar, sipas zëvendëskryeministrit polak dhe ministrit të Mbrojtjes Kombëtare Mariusz Baszczak, duke folur në hapjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit.
“Sot tanket polake Leopard kanë arritur në Ukrainë,” tha ai, duke folur në hapjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit.
Sipas presidentit polak Andrzej Duda, i cili gjithashtu mori pjesë në këtë ngjarje, kryeministri shkoi në Kiev për të “çuar atje Leopardët polakë”. “Këto janë tanket e para që janë pjesë e ndihmës me tanke të koalicionit që do të arrijnë në Ukrainë,” shtoi ai.
Më 25 janar, qeveria gjermane konfirmoi se do të dërgonte 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe do t’u jepte vendeve të tjera lejen për të rieksportuar pajisjet. Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Sllovakia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca gjithashtu njoftuan synimin e tyre për të siguruar Kievin me tanke të prodhimit perëndimor. Polonia njoftoi planet për të ndarë 14 tanke. Kievi pret të marrë deri në 140 tanke nga 12 vende si grupi i parë i tij.bw
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, flet me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, gjatë një takimi dypalësh me krerët e BE-së, pjesë e samitit të liderëve evropianë në Bruksel. 9 shkurt 2023.
RFE/RL
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka arritur të martën në Kiev, ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Meloni, e cila mori detyrën në tetor, ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta vizituar Ukrainën.
Pas marrjes së detyrës, ajo tha se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Qeverisë së re italiane.
Ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, pavarësisht se Italia ka varësi të madhe ndaj gazit rus.
Roma, po ashtu, ka dërguar armë për t’i ndihmuar Kievit që t’i luftojë forcat e presidentit rus, Vladimir Putin.
Meloni, cila drejton partinë e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, është euroskeptike, por ka mbështetur qëndrimin e Draghit sa i përket Ukrainës – edhe pse aleatët e saj në koalicionin zgjedhor, lideri i partisë Liga, Matteo Salvini, dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë raporte të mira me Moskën.
Ajo është distancuar nga partnerët në koalicionin e saj qeverisës.
Planifikimet për trajnimin e ekipeve ukrainase se si të përdoren tanket e avancuara gjermane, janë duke ecur në rrugë të duhur, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pasi ka vizituar një qendër ushtarake të trajnimit në veriperëndim të Gjermanisë.
“Synimi është që tanket Leopard 2 dhe Marders, të dërgohen në Ukrainë në fund të marsit dhe që trajnimet ushtarake të kryhen deri atëherë”, ka thënë Pistorius të hënën.
Gjatë vizitës së tij, Pistorius ka parë komandantët ushtarakë duke testuar pajisjet Marder dhe Leopard 2.
Ukrainasit pritet të trajtohen për pesë javë se si t’i përdorin këto pajisje, para se ato të dërgohen në fushëbetejë.
“Dallimi është sikurse mes Mercedesit dhe Ladës”, ka thënë një ushtar ukrainas teksa e ka komentuar dallimin mes pajisjeve gjermane kundrejt tankeve T-72 të epokës sovjetike që gjenden në Ukrainë.
“Synimi është që t’i bëjmë [ekipet ukrainase] të gatshme për luftë, në mënyrë që ata ta menaxhojnë veten në betejë”, ka thënë një zyrtar gjerman, duke shtuar se rreth 20 për qind e ekipeve ukrainase kanë përvojë për luftimet në fushëbetejë, derisa të tjerët kanë vetëm njohuri bazike ushtarake.
“Ukrainasit janë tejet të motivuar dhe shumë kërkues”, ka thënë zyrtari gjerman për agjencinë e lajmeve dpa.
Pistorius është shoqëruar në këtë vizitë nga një zyrtar i lartë i partisë Demokristiane si dhe nga ukrainasi Vladimir Klitschko, ish-kampion botëror në boks, vëllai i të cilit aktualisht është kryetar i Kievit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Rusia përbën kërcënim të qartë ushtarak në zonën e afërt me Suedinë, mirëpo forcat e saj tani janë të angazhuara në luftën në Ukrainë, ka thënë të hënën Shërbimi suedez i Inteligjencës dhe Sigurisë ushtarake (MUST).
“Rendi i sigurisë në Evropë, siç e njohim ne, është ndalur së ekzistuari… prandaj edhe janë rritur rreziqet për sigurinë suedeze”, ka thënë Lena Hallin, udhëheqëse e këtij Shërbimi, në një konferencë për media.
Hallin ka thënë po ashtu se pret që Rusia të forcojë kapacitetet ushtarake në zonën e afërt me Suedinë, kur të jetë e mundshme, si përgjigje ndaj aplikimit të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.
Ajo ka thënë se Shërbimi suedez i Inteligjencës dhe Sigurisë ushtarake ka vlerësuar se Rusia dëshiron të shmangë përshkallëzimin e tensioneve që do të mund të rezultonte në konflikt me NATO-n.
“Megjithatë, ekzistojnë shumë paqartësi, sidomos ato që lidhen me gatishmërinë e udhëheqësisë ruse për t’u përfshirë në rreziqe të mëdha”, ka thënë ajo, duke shtuar se tensionet e larta mund të rrisin rreziqet për aksidente, dhe se gjykimet e gabuara mund të çojnë në konflikt.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Një “gjykatë e popullit” nxori në gjyq presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të hënën mbi akuzat për pushtimin e tij në Ukrainë, në një lëvizje simbolike për ta plotësuar “hendekun e llogaridhënies” në mungesë të një gjykate ndërkombëtare me mandat për ta bërë një gjë të tillë.
Gjykata nuk ka fuqi ligjore, por prokurorët thanë se do të paraqesin prova se Putini kreu krimin e agresionit duke urdhëruar pushtimin gati një vit më parë dhe duke nisur kështu një luftë shkatërruese që ka lënë mijëra të vrarë dhe shumë qytete në gërmadha.
“Ky është një krim që kërkon përgjegjësi”, tha Drew White, një avokat kanadez që vepron si një nga prokurorët e gjykatës.
Përderisa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur një hetim për krimet e kryera në Ukrainë, ajo nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht liderët e Rusisë për agresion.
Megjithatë, presioni ndërkombëtar është në rritje për krijimin e një gjykate speciale për ta ndjekur penalisht këtë krim. Legjislatura e Bashkimit Evropian miratoi një rezolutë në janar duke i bërë thirrje bllokut 27-vendesh që të punojë “në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën për të kërkuar dhe ndërtuar mbështetje politike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe forume të tjera ndërkombëtare … për krijimin e gjykatës speciale për krimin e agresionit kundër Ukrainës”.
Holanda, shtëpia e disa gjykatave ndërkombëtare, ka ofruar ta strehojë edhe këtë gjykatë.
Gjykata e Popullit është një iniciativë e grupit aktivist të Kinemasë për Paqe, Qendrës së Ukrainës për Liritë Civile dhe Ben Ferencz, avokatit 102-vjeçar që është prokurori i fundit i mbijetuar nga gjyqet pas Luftës së Dytë Botërore të Nuremburgut ndaj liderëve të lartë nazistë.
Një javë me seanca fillestare u nis në Hagë dy ditë pasi nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, tha se Uashingtoni ka përcaktuar se forcat ruse në Ukrainë kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe këmbënguli që autorët të sillen para drejtësisë.
Dita e parë e së hënës përkoi gjithashtu me një vizitë të paparalajmëruar në Kiev nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Gjykata është planifikuar të japë një vendim të premten, në përvjetorin e pushtimit të Rusisë.
Putini u ftua të marrë pjesë në këtë seancë dëgjimore, por organizatorët nuk morën përgjigje nga Ambasada ruse në Hagë.
Fituesja i çmimit Nobel për Paqe, Oleksandra Matviichuk, nga organizatës për liritë civile të Ukrainës, bëri një deklaratë përmes një videoje para nisjes së seancës.
“Putini dhe … udhëheqja politike dhe komanda e lartë ushtarake që nisën, planifikuan dhe filluan këtë agresion duhet të ndëshkohen për këtë krim ndërkombëtar”, tha ajo.
Dëshmitarja e parë ishte një gazetare ukrainase, Angela Slobodyan, e cila i tha një paneli prej tre gjyqtarësh se ajo ishte në qytetin e Hersonit, kur forcat ruse nisën sulmin duke “gjuajtur gjithçka që lëvizte”.
Kriza ekonomike dhe pasiguritë kanë bërë që mijëra njerëz të protestojnë në Moldavi kundër qeverisë dhe në mbështetje të Rusisë.
Protestat e së dielës, të organizuara nga partia pro-ruse e Moldavisë Sor, u ndoqën me vëmendje nga qeveritë në të gjithë Europën dhe më gjerë. Shumica e protestuesve udhëtuan për në kryeqytetin Kishinau me autobus, me shpenzimet që u mbuluan nga kjo parti.
Ditë përpara se të mbahej tubimi, presidentja Maia Sandu paralajmëroi se Rusia po planifikonte të dërgonte agjentë të trajnuar ushtarakë në vend, të maskuar si civilë, për të rrëzuar qeverinë e saj pro-perëndimore.
Rusia e mohon këtë gjë duke i cilësuar akuzat si një përpjekje të autoriteteve moldave për të shmangur vëmendjen nga dështimet ekonomike.
Marina Tauber, sekretarja e përgjithshme e Sor, e cila drejtoi protestën jashtë parlamentit tha se partia e saj nuk është kundër BE-së dhe dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha palët.
Por ka nga ata në partinë e saj që pranojnë se do të mirëprisnin ndërhyrjen ruse. Moldavia, e vendosur në kufirin me Ukrainën, varet nga gazi rus. Vitin e kaluar, Moska përgjysmoi furnizimin, duke ushtruar presion mbi qeverinë në Kishinau.lapsi.al
Forcat ushtarake të Rusisë kanë pësuar pothuajse 143,000 viktima që nga fillimi i luftës në Ukrainë sipas burimeve zyrtare të Kievit.
Përditësimi i fundit nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se numri i viktimave nga pala ruse kishte arritur në 142,860, me 590 që u shkaktuan vetëm dje.
Ministria njoftoi gjithashtu se 3,310 tanke dhe 6,545 automjete të blinduara luftarake ishin shkatërruar.
Duke postuar shifrat në Twitter, ministria përfshiu një citim nga kënga e The Beatles e vitit 1968 ‘Kthehu në BRSS’: “Më lejoni të dëgjoj balalaikan tuaj [një instrument rus] që kumbojnë”.bw
Presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel, dhe gruaja e tij Eva Pavlova.
Reid Standish
Duke pranuar të realizojë një bisedë telefonike 15-minutëshe me homologen e tij tajvaneze, presidenti i zgjedhur çek, Petr Pavel, theu protokollin diplomatik të vendosur me dekada, dhe hapi rrugë për një epokë të re të raporteve midis Evropës dhe Kinës – dhe me gjasë shteti i tij do të jetë udhëheqës i kësaj epoke të re.
Biseda e 30 janarit me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-Wen, u zhvillua pak kohë pasi Pavel u zgjodh president i ri i Republikës Çeke, dhe nxiti reagimin e Kinës, e cila e dënoi këtë bisedë dhe e akuzoi Pragën se po shkelë “vijë e saj të kuqe”.
Kjo bisedë telefonike shënoi largimin nga normat e mëhershme, kur bëhej fjalë me angazhimin me politikanët e nivelit të lartë nga ky ishull vetëqeverisës. Këmbimet zyrtare zakonisht janë të kufizuara në nivel të shërbyesve civilë dhe të niveleve më të ulëta të ministrive. Por, Pavel u bë lideri i parë evropian që bisedoi drejtpërdrejtë me një lider të Tajvanit.
Ky vendim i presidentit të ri çek erdhi në kohën kur Bashkimi Evropian po e rimendon marrëdhënien e tij me Pekinin, proces që është përshpejtuar nga mënyra sesi Kina e ka trajtuar pandeminë COVID-19, nga rritja e retorikës agresive diplomatike dhe mbështetjes së vazhdueshme që Kina i jep Moskës, pavarësisht pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
“Nuk duhet ta lejojmë Kinën t’ia bëjë Tajvanit atë që Rusia po ia bën Ukrainës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petr Kolar, ish-diplomat çek, i cili tani këshillon Pavelin për çështjet e politikës së jashtme. “Besoj se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është për shkak të mungesës së një mesazhi të qartë [të Evropës] ndaj Rusisë për vite me radhë. Kjo është një kambanë zgjimi, dhe tregon se sa e rëndësishme është që të tregohet prej fillimit se demokracitë e tjera, sikurse Tajvani, nuk do të braktisen”.
Tajvani u nda nga Kina gjatë luftës civile të vitit 1949. Që nga vitet ’70 e tutje, shumica e shteteve kanë vendosur lidhje formale me Pekinin, duke e lënë Tajpein me pak miq, pasi fuqia politike dhe ekonomike e Kinës u zgjerua në mbarë botën. Pekini e sheh Tajvanin si provincë të saj dhe është zotuar për ribashkim, edhe përmes forcës nëse është e nevojshme.
Duke e thyer këtë precedent diplomatik, Kolar tha se Republika Çeke tani e gjen veten të pozicionuar mirë “për të ndikuar apo bindur” edhe liderët e tjerë evropianë që të bëjnë hapa drejt angazhimit të tyre me Tajpein. Në vitet e fundit, një mori ligjvënësish evropianë nga disa shtete kanë vizituar Tajpein dhe janë takuar me udhëheqjen tajvaneze, duke zemëruar Kinën.
Pavel, ish-gjeneral i NATO-s, ka hapur rrugën për angazhim me Tajvanin. Gjatë fushatës zgjedhore dhe pas bisedës me Tsai, ai u zotua se do të takohet personalisht me presidenten tajvaneze – edhe pse ai nuk ka specifikuar se kur mund të ndodhë ky takim, ku dhe në çfarë formati.
“Biseda telefonike thyen akullin për ta bërë këtë gjë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Martin Hala, ekspert për Kinën në Universitetin Charles në Pragë, njëherësh drejtor i Sinopsis, projekt që gjurmon ndikimin kinez në gjithë Evropën. “Tani që dikush e ka bërë këtë, të tjerët kanë shumë gjasa që ta ndjekin këtë shembull”.
Rruga e Pragës përpara
Ndryshimi i Pavelit ndaj Kinës dhe Tajvanit shënon një ndarje të qartë me paraardhësin e tij, presidentin aktual çek, Millosh Zeman, i cili do të qëndrojë në detyrë deri në mars.
Gjatë mandatit dhjetëvjeçar të Zemanit – i ndarë në dy mandate pesëvjeçare – ai krijoi lidhje më të forta me Kinën dhe mbajti një linjë pro-Pekinit për shumë çështje sa i përket të drejtave të njeriut, me shpresën që të tërheqë investime më të mëdha kineze.
Në një lëvizje që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe kritika në shtet, Zeman emëroi Ye Jianming, ish-kreun e kompanisë China Energy, si këshilltar nderi për ekonomi. Miliarderi u arrestua më 2018 nga autoritetet kineze dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Kolar – konsulent politik që më herët ka shërbyer si ambasador rus në Pragë – tha se Paveli po kërkon që të përafrojë pikëpamjet e tij të politikës së jashtme me traditën postkomuniste të Republikës Çeke për mbështetjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në nivel global.
Ai tha se mbështetja për Tajvanin duhet të shihet si pjesë e një ndryshimi më të gjerë të paradigmës në Evropë, të formësuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Gjatë fushatës, Pavel ka mbështetur Evropën në ndihmën për Ukrainën dhe ka thënë se udhëtimin e parë jashtë vendit si president do ta realizojë në Kiev së bashku me presidenten sllovake, Zuzana Caputova.
“[Pushtimi i Ukrainës] është përkujtues se demokracitë evropiane duhet të përqendrohen në agresionin e Kinës ndaj Tajvanit”, tha ai. “Ne duhet të tregojmë mbështetje tani, në mënyrë që Pekini të mos tundohet që të përdorë forcë më vonë, sikurse ka bërë Rusia”.
Sipas Kushtetutës së Çekisë, presidenti ka kryesisht fuqi ceremoniale, por presidentët mund të kenë ndikim joformal për shumë vendime kyçe, veçmas në politikën e jashtme. Presidenca është e ndarë nga Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri, që ka fuqi formale për të qeverisur dhe për të krijuar politika.
Por, për dallim nga Zemani, qëndrimet e Pavelit ndaj Tajvanit, Rusisë dhe për çështje të tjera të politikës së jashtme përputhen me koalicionin qeverisës të kryeministrit çek, Petr Fiala, potencialisht duke sjellë një epokë të rrallë të unitetit.
Tajvani, që është shtet kritik në zinxhirët e furnizimit global, është bërë një investitor më i madh se Kina në Republikën Çeke dhe kompanitë tajvaneze po vazhdojnë të zgjerojnë lidhjet e tyre në Evropë.
Tajvani prodhon mbi 90 për qind të gjysmëpërçuesve të botës, që janë kyçë në prodhimin e produkteve të teknologjisë së lartë, të cilët janë vitalë për ekonomitë në mbarë botën.
“Tajvani e kupton se ka një mundësi tani, pasi Evropa është në proces të rimendimit të marrëdhënies së saj me Kinën”, tha për REL-in, Zsuzsa Anna Ferenczy, hulumtuese në Universitetin Kombëtar Dong Hwa në Tajvan, njëherësh ish-këshilltare në Parlamentin Evropian.
“Shtetet anëtare individuale në BE tani kanë më shumë vullnet që të flasin hapur dhe të ofrojnë forma të reja për të mbështetur Tajvanin. Tajpei po shpreson që të përfitojë nga kjo”.
Një e re në Evropën Qendrore dhe Lindore
Në përgjigje të telefonatës midis Pavelit dhe Tsait, Pekini akuzoi Republikën Çeke për shkelje të “parimit një Kinë”, nën të cilin, Pekini e konsideron veten si Qeverinë e vetme legjitime të Kinës dhe e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur.
Vetëm 13 shtete dhe Vatikani ka raporte zyrtare diplomatike me Tajvanin dhe e njohin ishullin, me 24 milionë banorë, si shtet të pavarur. Shumë shtete perëndimore nuk e kundërshtojnë hapur pretendimin e Kinës ndaj Tajvanit, por këto shtete as nuk e mbështesin.
“Është në interesin [e Republikës Çeke] për të forcuar raportet me Tajvanin dhe me partnerët e tjerë demokratikë në rajonin e Indo-Paqësorit”, tha për Politico ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky. “Ne kemi politikën tonë ‘një Kinë’. Asgjë nuk ka ndryshuar”.
Njohja formale e Tajvanit nuk është në mendjen e Pragës, e as në shtetet e tjera të BE-së. Por, analistët dhe zyrtarët e kanë pranuar se shtetet e bllokut mund të marrin një qëndrim më të prerë ndaj Pekinit dhe Tajpeit.
Ky ndryshim ka ndodhur në Republikën Çeke dhe në mbarë Evropën Qendrore dhe Lindore – me përjashtim Hungarinë – për vite me radhë. Kreu i Senatit çek, MIllosh Vystrcil, udhëhoqi një delegacion në Tajvan më 2020 dhe parlamentet çeke dhe sllovake mirëpritën ministrin e Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, gjatë një vizite të paprecedent më 2021.
Nisma e Kinës, e quajtur “17+1” – ku bëjnë pjesë Kina dhe 17 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore – është funksionalizuar viteve të fundit. Lituania u tërhoq nga kjo nismë më 2021, ndërkaq, Estonia dhe Letonia po ashtu vepruan njësojë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe për shkak të mbështetjes që Kina i jep Moskës. Anëtarët e tjerë të kësaj nisme, sikurse Republika Çeke dhe Sllovakia, ende nuk janë larguar zyrtarisht, por kanë reduktuar angazhimin e tyre në këtë format.
“Marrëdhënia jonë me Kinën është duke u rishikuar”, tha Lipavsky për New York Times, gjatë një interviste dhënë në shkurt. “Ka lindur një realitet i ri gjeopolitik”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e dhënies të ndonjë pjese të territorit të shtetit të tij, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.
Në një intervistë për BBC në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Zelensky paralajmëroi se dhënia e territorit do të nënkuptonte se Rusia “do të vazhdonte të kthehej”, teksa theksoi se armët perëndimore do ta sjellin më afër paqen.
Sipas tij, ofensiva e pranverës veçse ka nisur.
“Sulmet ruse po ndodhin në disa drejtime”, tha ai.
Megjithatë, ai tha se beson se forcat ukrainase do të vazhdojnë të rezistojnë ndaj avancimit rus, derisa të jenë në gjendje të kryejnë një kundërofensivë, edhe pse ai përsëriti thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
“Natyrisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha ai.
Perëndimi e ka ndihmuar me armatime Ukrainën, por Kievi po kërkon që dërgesat e armëve të arrijnë sa më shpejt. Ukraina po pret tanket e premtuara nga shtetet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, por tanket pritet të shkojnë në Ukrainë pas disa javësh.
Zelensky po ashtu komentoi deklaratat e liderit të Bjellorusisë se nëse trupat ushtarake hyjnë në Bjellorusi, ky shtet do të hyjë në luftë me Kievin.
“Shpresoj që Bjellorusia të mos i bashkohet luftës. Nëse i bashkohet, ne do të luftojmë dhe ne do të mbijetojmë”, tha ai.
Forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke hyrë në territorin e Ukrainës përmes Bjellorusisë.
Mbi 100 ushtarë ukrainas po kryejnë trajnime intensive në Poloni mbi përdorimin e tankut të prodhimit gjerman Leopard 2 që përdoret në fushëbetejë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, njofton nga baza ushtarake Svietozov në Poloni se udhëheqësit ukrainas thonë se tanket, të premtuara nga aleatët perëndimorë tre javë më parë, do të luajnë një rol kyç në luftën kundër agresionit rus.
Në këtë bazë ushtarake polake po stërviten intensivisht mbi 100 trupa ukrainase. Ata u sollën nga vijat e frontit në Ukrainë për të mësuar se si të përdorin tanket Leopard 2 të prodhimit gjerman të ofruara nga aleatët perëndimorë.
Ata po trajnohen nga instruktorë nga Kanadaja, Norvegjia dhe Polonia. Trupat ukrainase, të cilët kishin luftuar në rajonet Donetsk dhe Luhansk, po stërviten 10 orë në ditë, përfshirë fundjavat.
Zëri i Amerikës bisedoi me majorin polak Artur Pinkovsky, i cili është zëdhënës i bazës.
“Trajnimi është shumë i ngjeshur në kohë, sepse koha është problemi ynë më i madh. Trupat ukrainase kanë pervojë, ata erdhën këtu nga fronti i luftës”.
Trajnimi zakonisht zgjat tre muaj, por zyrtarët thonë se ushtarët ukrainas do të jenë gati t’i përdorin këto tanke në fushën e betejës brenda rreth një muaji.
Majori i ushtrisë ukrainase Vadym Khodak po udhëheq stërvitjen. Ai thotë për Zërin e Amerikës se trupat e tij janë të gatshme për të mësuar shpejt.
“Ushtarët e mi kanë përvojë në fushën e betejës. Ata kanë përdorur tanket tona në luftë, kështu që është shumë më e lehtë për ta, që të mësojnë se si t’i përdorin këto tanke”.
Majori thotë se këto tanke do të luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e betejës.
“Aktualisht kemi mungesë të mjeteve të blinduara dhe shpresoj që kur të arrijmë në vijën e frontit me këto pajisje, do të shpëtojmë jetët e shumë ushtarëve tanë dhe do t’i afrohemi fitores”.
Dërgimi i 14 tankeve të para është planifikuar për muajin që vjen. Tanket Leopard 2 pritet të jenë një mbështetje e mirë për forcat ukrainase, ndërsa po afrohet një vjetori i fillimit të agresionit rus.
Partnerët evropianë planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë dy batalione tankesh. E gjithë Evropa ka rreth 2 mijë tanke të modelit Lepoard 2.
Sipas zyrtarëve, dërgimi muajin që vjen i 14 tankeve të gatshëm për fushën e betejës, do të jetë hapi i parë. Presidenti polak, Andrzej Duda, vizitoi poligonin e stërvitjes të hënën dhe vlerësoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
“Ukrainasit po na mbrojnë të gjithëve, ata po mbrojnë Evropën duke luftuar imperializmin e ri rus. Ne e njohim fytyrën e imperializmit rus nga historia jonë dhe fqinjët tanë ukrainas po na mbrojnë. Ne i falenderojmë ata për këtë”.
Ai shtoi se Polonia po ofron mbështetje për ukrainasit ndërsa u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të dërgojnë më shumë pajisje në Ukrainë në javët në vijim.
Në seancë plenare të Parlamentit Evropian të martën është zhvilluar një debat për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shumica e deputetëve u angazhuan që Komisioni Evropian të për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, në mënyrë që të mos hyjë përsëri në një fazë të ngadalshme, siç ka qenë në pesë vjetët e mëparshme.
Në këtë debat mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Ai tha se viti i kaluar ishte një prej viteve më të frytshme në procesin e zgjerimit.
Në vitin 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat për anëtarësim në BE. Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina morën statusin kandidatit, ndërsa Gjeorgjia u cilësua si një kandidate potenciale.
Varhelyi kërkoi që edhe Parlamenti Evropian, për të mbajtur ritmin e duhur edhe këtë vit, duhet të japë sinjale pozitive për procesin e zgjerimit.
Ai, si dëshmi se BE-ja tash e ka prioritet vërtetë zgjerimit, përmendi edhe faktin se në katër takimet radhazi të Këshillit Evropian, zgjerimi ishte temë e diskutimit.
Varhelyi gjatë debatit është pyetur edhe për vendet e rajonit veç e veç. Një prej pyetjeve ishte edhe për “dosjen e Kosovës”, apo më saktësisht për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
*Video nga arkivi: Hapat drejt anëtarësimit në BE
Por, a është problem për procesin e zgjerimit që Kosova nuk është njohur nga pesë shtetet e bllokut dhe a do të thotë kjo se Kosova nuk mund të lëvizë në procesin e integrimit.
“Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, u përgjigj ai.
Komisionari evropian u pyet edhe për atë që është cilësuar si “dështim i Kosovës” që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha ai duke cituar pjesën e cila fton direkt që pa kushte të zbatohen të gjitha obligimet nga e kaluara, në veçanti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Rruga evropiane e Kosovës, sikurse edhe ajo e Serbisë, shkon përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, shtoi ai.
Për Malin e Zi, Varhelyi tha se ky shtet ka humbur disa vjet për shkak të ndasive të brendshme politike, që kanë penguar reformat.
“Për fat të keq, Mali i Zi i ka humbur deri tash më shumë se tre vjet pa progres domethënës në procesin e zgjerimit. Ky shtet ka qenë vend udhëheqës në proces. Por, për shkak të ndasive politike brenda shtetit, ky shtet nuk ka qenë në gjendje të lëvizë përpara në reforma, e si rrjedhojë as në procesin e negociatave të anëtarësimit”, tha ai.
Ai u pyet edhe për dështimin e Serbisë që të përshtatet me politikën e jashtme të BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë si dhe përhapjes së propagandës ruse në Serbi, por edhe rreth ndikimit të shërbimeve të zbulimit nga Rusia që ta destabilizojnë rajonin.
“Është e qartë se Serbia është vend kandidat dhe për të vlejnë kushtet e njëjta. Po ashtu edhe përshtatja me politikën e jashtme është kusht dhe kemi kërkuar nga Serbia të jetë në anën tonë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Është e qartë edhe politikisht për të gjithë ata që ndjekin procesin e negociatave me Serbinë, ky është ndoshta edhe problemi kryesor në negociata. Por, përshtatja në politikën e jashtme si kusht për suspendim formal të negociatave, mund të ketë ndikim jo të mirë dhe këtë e kemi parë në rastet tjera. Ky mbetet si mjet i fundit”, tha Varhelyi.
Komisionari evropian tha se BE-ja do të ndihmojë liderët politikë në Bosnjë e Hercegovinës për të zhvilluar dialogun politik, i cili do ta avanconte procesin e zgjerimit me këtë shtet pasi mori statusin e kandidatit. Ai tha se kriteret për hapat e ardhshëm do të lidhen qartë me përparimin në procesin e reformave.
Ai u pyet direkt edhe për qëndrimet e tij ndaj liderit të serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili mbështet hapur Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe kërcënon integritetin territorial të Bosnjës.
“Vetëm mund të përsëris qëndrimin tonë të shprehur më herët se të jesh krah Putinit në këtë kohë është diçka që e izolon ndërkombëtarisht Republikën Sërpska dhe udhëheqjen e saj. Nuk ka vend në Evropë për mbështetje të krimeve që bën Rusia në Ukrainë dhe mesazhi ynë është i qartë”, tha Varhelyi.
Sa i përket ideve për suspendimin e fondeve të BE-së për entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë, ai tha se kjo nuk është e lidhur me Rusinë, por me tërheqjen e serbëve të Republikës Sërpska nga institucionet e Bosnjë e Hercegovinës. Prandaj, tha ai, këto fonde lidhen me kthimin e tyre në institucione.
Deputetët nga Bullgaria pyeten se çfarë mund të bëhet për të ndalur atë që ata e quajnë “fushatë të urrejtjes ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Varhelyi përmendi si kusht edhe respektimin e tolerancës dhe fqinjësisë së mirë dhe se Komisioni Evropian do ta monitorojë këtë. Por ai tha se edhe Qeveria në Shkup është e vetëdijshme dhe po vepron kundër urrejtjes ndaj qytetarëve që deklarohen si bullgarë.
Komisioneri Varhelyi u pajtua me deputetët që thanë se të tjerët do të mbushin hapësirat e zbrazëta që mund t’i krijojë BE-ja nëse dështon të stabilizojë dhe integrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu tha të hënën se Moska ka planifikuar një komplot për të përdorur elementë të jashtëm për të përmbysur qeverinë e vendit të saj. Zonja Sandu tha se synimi ishte që të vihej Moldavia “në dispozicion të Rusisë” dhe bllokuar aspiratat e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Njoftimi i Presidentes Sandu vjen një javë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij kishte përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për të shkatërruar Moldavinë, pretendime që u konfirmuan më vonë nga zyrtarët e zbulimit moldav.
“Plani parashikonte akte të dhunshme nga individë me njohuri ushtarake, të kamufluar me rroba civile, të cilët do të sulmonin ndërtesa shtetërore dhe madje do të merrnin edhe pengje,” u tha zonja Sandu gazetarëve në një konferencë për shtyp.
“Objektivi i këtyre veprimeve është përmbysja e rendit kushtetues, ndryshimi i pushtetit legjitim në Kishinau në një pushtet të paligjshëm,” tha zonja Sandu, për ta vënë Moldavinë “në dispozicion të Rusisë dhe për të ndalur procesin e integrimit evropian.”
“Përpjekjet e Kremlinit për të sjellë dhunë në vendin tonë nuk do të kenë sukses”, premtoi ajo në mënyrë sfiduese.
Që kur Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës gati një vit më parë, Moldavia, një ish-republikë sovjetike me rreth 2.6 milionë banorë, është përpjekur të krijojë lidhje më të ngushta me partnerët e saj perëndimorë. Qershorin e kaluar, Moldavisë iu dha statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian, në të njëjtën ditë me Ukrainën.
Presidentja Sandu tha se midis tetorit dhe dhjetorit, policia moldave dhe shërbimi i saj i Zbulimit dhe Sigurisë, ose SIS, kanë ndërhyrë në “disa raste për frenuar elementë të krimit të organizuar dhe kanë ndaluar përpjekjet për dhunë.”
Gjatë vitit të kaluar, Moldavia është përballur me një sërë problemesh, mes së cilave një krizë e rëndë energjetike pasi Moska reduktoi në mënyrë dramatike furnizimet me gaz; inflacioni në rritje; dhe disa incidente në muajt e fundit me raketa që kanë shkelur hapësirën e saj ajrore.
Autoritetet moldave konfirmuan se një tjetër raketë nga lufta në Ukrainë kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore të premten.
Zonja Sandu tha se Rusia do që ta përdorë Moldavinë në luftën kundër Ukrainës, pa dhënë më shumë detaje, dhe se informacioni i marrë nga shërbimet e zbulimit përmban, siç thotë ajo, udhëzime mbi rregullat e hyrjes në Moldavi për qytetarë nga Rusia, Bjellorusia, Serbia, dhe Mali i Zi.
“Ju siguroj se institucionet shtetërore po punojnë për të parandaluar këto sfida dhe për të mbajtur situatën nën kontroll,” tha presidentja moldave.
Ajo tha se Parlamenti i Moldavisë duhet të miratojë projektligje për të pajisur Shërbimin e Zbulimit dhe Sigurisë dhe prokurorinë, “me mjetet e nevojshme për të luftuar në mënyrë më efektive rreziqet për sigurinë e vendit.”
Presidentja shtoi se plani parashikon “mbështetjen tek disa forca të brendshme, por veçanërisht në grupe kriminale” duke përmendur dy oligarkë moldavë, Ilan Shor dhe Vladimir Plahotniuc, të cilët janë aktualisht në mërgim. Të dy ata janë sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe
Komentet e presidentes të hënën vijnë pas dorëheqjes të premten të kryeministres së Moldavisë, Natalia Gavrilita. Në të njëjtën ditë, presidentja Sandu emëroi këshilltarin e saj për mbrojtjen dhe sigurinë, ekonomistin pro-perëndimor Dorin Recean si kryeministër.
Të premten, pasi autoritetet moldave konfirmuan incidentin me raketa, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel u tha gazetarëve në Uashington se “Rusia ka mbështetur për vite me radhë fushatat e ndikimit dhe destabilizimit në Moldavi, të cilat shpesh përfshijnë përdorjen e korrupsionit për të çuar përpara synimet e saj”.
Gjermania do të lehtësojë kushtet e vizave për disa viktima të tërmetit shkatërrimtar që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, ka njoftuar qeveria e vendit.
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, shkroi në Twitter: “Ne duam të bëjmë të mundur që familjet turke ose siriane në Gjermani të sjellin të afërm të afërt nga rajoni i goditur.
“Ata mund të gjejnë strehim tek ne dhe të marrin trajtim mjekësor me viza të rregullta, të cilat lëshohen shpejt dhe janë të vlefshme për tre muaj.”
Megjithatë, jo të gjitha kërkesat e procedurës së rregullt të vizave do hiqen, pasi aplikantëve do t’ju duhet ende një pasaportë e vlefshme, e cila ka të ngjarë të jetë një problem për ata që ikën nga ndërtesat që shemben.
Qeveria gjermane tha se do të lehtësonte shpejt kushtet normalisht shumë të rrepta dhe burokratike të vizave, duke shtuar se ministria e jashtme tashmë ka rritur stafin e saj në Turqi.
Viktimat e tërmetit që duan të aplikojnë për një vizë tre mujore duhet të dëshmojnë se kanë anëtarë të ngushtë të familjes në Gjermani që kanë shtetësi ose të drejtë të përhershme qëndrimi, raporton agjencia e lajmeve dpa.
“Rusia drejtohet nga marionetat e Putinit!“, deklarata e fortë e ish-shefit të spiunazhit të Ukrainës: Është i frikësuar nga atentatet, po përdor…
Ish-shefi i spiunazhit të Ukrainës, Valeriy Kondratiuk e ka quajtur presidentin rus Vladimir Putin një ‘tiran të frikësuar’, ndërsa ka theksuar se po përdor ‘marioneta’ në takimet e tij publike.
Në një intervistë për mediat amerikane, Valeriy Kondratiuk u shpreh se Putin është duke përdorur marioneta pasi ka frikë nga një atentat i mundshëm.
“Rusia drejtohet nga marionetat e Putinit. Një person që është në pushtet për një kohë të gjatë, përpiqet të marrë masa shtesë për sigurinë e tij. Për të parandaluar aktet terroriste gjatë evenimenteve publike, ai përdor kopje të tij. Putini i vërtetë është ai që takohet me ministrin e mbrojtjes”, tha Kondratiuk.
Në lidhje me ofensivën ruse në Ukrainë ai tha: Putini ëhstë i çmendur! Ai është përgjegjës për vuajtjet e ukrainasve.
Ndërsa, gjenerali ukrainas Kyrylo Budanov, tha se Putin kishte punësuar njerëz të ngjashëm që kishin bërë operacione plastike.
“Ne dimë konkretisht për tre persona që vazhdojnë të shfaqen, por nuk dimë numrin e saktë. Ata të gjithë bënë operacione plastike për t’u dukur njësoj,” tha ai.
Kondratiuk drejtoi shërbimin e inteligjencës së jashtme ukrainase në 2020-2021, dhe inteligjencën ushtarake në 2015-2016.
Dy gra përqafojnë njëra-tjetrën, teksa qëndrojnë pranë rrënojave në Hataj të Turqisë. 7 shkurt 2023.
Njëzet e shtatë ekipe të kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për të kërkuar për të mbijetuar në Turqi, tha komisionari evropian për Kriza, Janez Lenarçiq.
“Solidariteti i BE-së është në nivelin më të mirë”, shkroi ai në Twitter.
Njësitë janë nga 19 shtete evropiane, përfshirë edhe dy shtete që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Në total, në Turqi do të dërgohen 1.150 shpëtimtarë dhe 70 qen.
Dislokimi i tyre është i koordinuar në bazë të Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së. Përmes këtij mekanizmi, shtetet mund të bëjnë kërkesë për asistencë emergjente nga BE-ja dhe shtetet që marrin pjesë në këtë mekanizëm.
Më 6 janar, Turqia u godit nga dy tërmete të fuqishme, prej mbi 7 ballësh. Nga tërmetet e fuqishme, në Turqi dhe Siri janë vrarë mbi 5.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. rel
Kryeministri i Norvegjisë ka propozuar që shteti i tij, një prej eksportuesve më të mëdhenj të karburanteve, t’i ofrojë ndihmë Ukrainës në vlerë prej 7.3 miliardë dollarësh në një periudhë pesëvjeçare.
“Ne synojmë të arrijmë një marrëveshje të unifikuar për këtë temë në Parlament”, tha për gazetarët kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, pas takimit me liderët e opozitës.
Ky shtet nordik ka përjetuar rritje rekorde të të ardhurave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, pasi sasia e gazit e shitur në Evropë u rrit vitin e kaluar.
Stoere, që po përballet me kritika nga disa shtete dhe një pjesë e opozitës në Norvegji se në mënyrë indirekte po përfiton nga lufta, në fund të vitit 2022 prezantoi planin që t’i ofrojë Ukrainës ndihmë shumëvjeçare. Por, atëbotë ai nuk dha ndonjë shifër sa i përket kësaj ndihme.
Më 2023, gjysma e ndihmës do të financojë kërkesat ushtarake, ndërkaq pjesa tjetër do të shkojë për nevoja humanitare, edhe pse ndarjet mes ndihmës ushtarake dhe humanitare mund të ndryshojnë në vitet pasuese, tha Stoere.
Norvegjia, po ashtu, do të japë 5 miliardë kruna shtesë gjatë këtij viti ndihmë për shtetet e varfra, të prekura nga rritja globale e çmimeve ushqimore pas pushtimit rus të Ukrainës, tha Stoere.
Qeveria e pakicës së Stoere duhet të kërkojë miratimin e Parlamentit për këto fonde. Kjo paketë e ndihmës pritet të rrisë shpenzimet vjetore të Fondit sovran të Norvegjisë, që është fondi më i pasur në botë në vlerë prej afër 1.4 trilion dollarësh.
Partia kryesore opozitare, Partia Konservatore, pritet të mbështesë planin, për të cilin do të negociojë në javët e ardhshme.
Më 2022, Norvegjia u bë furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz rus. Norvegjia është prodhuesja e dytë më e madhe në botë e naftës, pas Rusisë.
Turqia e shikon me pozitivitet aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet atë të Suedisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Qëndrimi ynë ndaj Finlandës është pozitiv, por nuk është pozitiv ndaj Suedisë”, tha Erdogan më 1 shkurt gjatë një fjalimi në Parlamentin turk.
Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, këto dy shtete u përballën me kundërshti nga Turqia dhe që atëherë kanë tentuar që të përmbushin kushtet e vëna nga Ankaraja.
Ankaraja dëshiron që Helsinki, dhe Stokholmi në veçanti, të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe Bashkimi Evropian, dhe ndaj një grupi tjetër që pala turke fajëson për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.
Tri shtetet arritën një marrëveshje qershorin e kaluar për rrugën përpara, por Ankaraja muajin e kaluar pezulloi bisedimet pas rritjes së tensioneve që u shkaktuan nga një protestë në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.
“Në këtë pikë, Suedia nuk duhet as të tentojë. Ne nuk do të themi ‘po’ për aplikimin e tyre për në NATO për aq kohë sa ata lejojnë djegien e Kuranit”, tha Erdogan.
Gjatë fundjavës së kaluar, lideri turk sinjalizoi se Ankaraja mund të pajtohet që Finlanda të anëtarësohet në NATO para Suedisë. Por, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha të hënën se shteti i tij vazhdon të mbajë qëndrimin që dy shtetet të anëtarësohen së bashku.
Nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, vetëm Turqia dhe Hungaria ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy shteteve nordike në aleancën ushtarake perëndimore.
I pyetur nëse Turqia ka plane që të ketë procese të ndara për Finlandën dhe Suedinë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavugoslu, tha se NATO dhe dy shtetet nordike janë ato që vendosin nëse do të ketë ratifikime të ndara.
“Nëse NATO dhe dy shtetet vendosin për procese të ndara të anëtarësimit, Turqia sigurisht që do të rishqyrtojë veçmas anëtarësimin e Finlandës dhe në mënyrë më favorizuese”, tha Cavugoslu gjatë vizitës në Estoni.
Rusia po përgatitet për një “përshkallëzim maksimal” të luftës në Ukrainë, potencialisht në javët e ardhshme, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë kombëtare të Ukrainës.
“Këta do të jenë muaj përcaktues në luftë”, tha Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, për Sky News në një intervistë të transmetuar të martën.
“Unë jam i vetëdijshëm se luftimet kryesore nuk kanë ardhur ende dhe ato do të ndodhin këtë vit, brenda dy deri në tre muajve,” tha ai.
“Rusia po përgatitet për përshkallëzim maksimal. Është duke mbledhur gjithçka që është e mundur, duke bërë stërvitje. Kur bëhet fjalë për një ofensivë nga drejtime të ndryshme, për momentin mund të them se nuk po përjashtojmë asnjë skenar në dy-tre javët e ardhshme”.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për disa kohë për një ofensivë të përtërirë ruse dhe kanë kërkuar armë më të fuqishme nga aleatët perëndimorë për të kundërshtuar kërcënimin.
Pas komenteve të Danilov, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të mërkurën se ka shenja se Rusia po përgatitet për një ofensivë të përtërirë në Ukrainën jugore.
“Jo vetëm në tokë, por edhe në det dhe në ajër”, tha Natalia Humeniuk, kreu i Qendrës së Bashkuar Koordinuese të Shtypit të Sigurisë dhe Forcave të Mbrojtjes të Jugut të Ukrainës, në televizionin kombëtar.
Inteligjenca ukrainase kishte vërejtur ndryshime në aktivitetin e forcave detare ruse në Detin e Zi, shtoi ajo.
“Ajo rritet dhe zvogëlohet me shpejtësi, dhe raketat bartëse po lëvizin përpara dhe mbrapa”, tha ajo.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të martën se do të zhvillojë një javë tjetër stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë.
“Gjatë javës, përfaqësuesit ushtarakë nga të dy vendet do të praktikojnë planifikimin e përbashkët të përdorimit të trupave bazuar në përvojën e mëparshme të konflikteve të armatosura në vitet e fundit,” tha ministria në një deklaratë.bw
Presidenti i sapozgjedhur çek, Petr Pavel, i ka thënë BBC-së se Ukraina duhet të lejohet që t’i bashkohet NATO-s “sapo të përfundojë lufta”.
Pavel, një gjeneral në pension, tha se Ukraina do të ishte “moralisht dhe praktikisht e gatshme” për t’u bashkuar me aleancën perëndimore pas përfundimit të konfliktit.
“Ushtria ukrainase do të jetë ndoshta ushtria më me përvojë në Evropë. Ukraina meriton të jetë pjesë e një komuniteti të vendeve demokratike”, tha ai.
Në intervistën e tij të parë të transmetuar me media ndërkombëtare që nga zgjedhja e tij, Pavel i dha mbështetje të fortë ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin.
Duke folur nga Praga, ai tha se dërgimi i avionëve luftarakë perëndimorë si F-16 nuk është temë “tabu” për të, por tha se nuk ishte i sigurt se ata mund të dorëzoheshin në një afat kohor që mund të ishte i dobishëm për Kievin.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 në Ukrainë, megjithëse presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se asgjë nuk përjashtohet.
“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha ai për BBC.
Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë – T72 dhe BMP1 të dizajnuara nga sovjetikët – në Kiev, pjesë e një serie dërgesash të armëve të rënda që thuhet se filluan që në mars të vitit 2022.
Pothuajse një vit më vonë, pas shumë kërkesash nga Ukraina, vendet si Britanina e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanina, janë pajtuar për të dërguar tanke moderne, të prodhimit perëndimor si Leopard 2, Challenger dhe M1 Abrams.
“Ndoshta shumë pak njerëz mund të imagjinonin se vendet perëndimore do të ishin të gatshme t’i siguronin Ukrainës tanke moderne luftarake ose sisteme artilerie me rreze të gjatë”, tha ai.
Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.
Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.
Kjo deklaratë vjen pasi Kievi rriti thirrjet për armë më të avancuara nga Perëndimi për të ndihmuar në zmbrapsjen e pushtimit të Rusisë.
Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.
Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.
Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.
Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.rel
Qytetarët e principatës hodhën poshtë, me 73% jo, propozimin për ndalimin e kazinove – Industria që ka gjashtë kazino merr frymë e qetë
Lihtenshtajni, me gjashtë kazinotë e tij të shpërndara nëpër një shami toke, mbetet “Las Vegasi i Alpeve”. Më 29 janar qytetarët e saj kundërshtuan qartë nismën që kërkonte ndalimin e shtëpive të lojërave të fatit në principatë. Siç raportohet nga numërimi zyrtar, 73% ishin kundër kundër 27% pro dhe në asnjë nga njëmbëdhjetë komunat propozimi nuk mori shumicën. Shtatë nga dhjetë qytetarë votuan.
Argumentet në favor të ndalimit kishin të bënin me çështje të tilla si varësia nga kumari dhe dëmtimi i mundshëm i reputacionit të vendit.
Në mbledhjen e firmave të nevojshme për votim, grupi i ngritur kundër “përmbytjes së kazinove” kishte kujtuar se industria e lojërave mund të rrezikojë punën e bërë për të hequr vendin nga lista e zezë ndërkombëtare e parajsave tatimore më pak se dhjetë vjet më parë.
Para votimit, princi ishte shprehur kundër ndalimit, si dhe kundër qeverisë që i konsideron kazinotë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe ndalimin si një masë shumë drastike.
Pas shpalljes së rezultatit, shoqata e kazinove mori frymë e lehtësuar: “Shpresojmë – ishte komenti – që sektori tani të mund të konsolidohet pa shtrëngim të mëtejshëm të ligjit”. Që nga fillimi i industrisë së lojërave të fatit pesë vjet më parë, ka pasur rreth njëzet ndryshime në ligje dhe rregullore.
Lihtenshtajni nganjëherë referohet si një “mikroshtet” pasi qyteti i Londrës është dhjetë herë më i madh se sipërfaqja e tokës së tij dhe ka një popullsi prej vetëm disa dhjetëra mijërash. Kohët e fundit, vendi është quajtur me dashuri nga kumarxhinjtë si “Las Vegasi i Alpeve”.
Lojtarët vijnë në numër të mirë nga Zvicra fqinje në perëndim e jug, nga Austria në lindje dhe veri, si dhe nga Gjermania.
Votuesit në Lihtenshtajn u përballën me një referendum më 29 janar të promovuar nga një grup lobi i shqetësuar për varësinë nga lojërat dhe reputacionin në rritje të vendit. Nisma synonte të mbyllë të gjashtë resortet e kazinove duke ndaluar lojërat e fatit të kazinove në vendin që gëzon liberalizimin lokal për vetëm më pak se 5 vjet.
Sipas një raporti të Reuters, IG VolksMeinung ka frikë se Lihtenshtajni, i cili deri pak më shumë se një dekadë më parë ishte në listën e zezë si një parajsë ndërkombëtare tatimore, rrezikon t’i dëmtohet reputacioni i tij pas gjithë punës së vështirë që ka bërë për të ndërtuar një pozicion të ri në komunitetin ndërkombëtar.
Por shoqata e kazinove të Lihtenshtajnit nuk beson se kazinotë përbëjnë një kërcënim për reputacionin e vendit. Qëndrimi i shoqatës është se çdo gjë që bëjnë është në përputhje me ligjin.
Lindja relativisht e papritur e gjashtë shtëpive kryesore të lojërave në vend ka pasur një ndikim të madh në të ardhurat federale. Në vitin 2022, vizitorët e kazinove, kryesisht nga jashtë, gjeneruan rreth 50 milionë franga zvicerane (54.51 milionë dollarë) taksa përmes udhëtimeve dhe lojërave të tyre.
Sipas Bankës Botërore, të ardhurat vjetore për frymë të Lihtenshtajnit janë 175 813 dollarë, që e vendos atë përpara Monakos, Luksemburgut, Zvicrës dhe Bermudës si vendi më i pasur në botë./Përgatitën Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Ish-kryeministri çek, Andrej Babish (majtas) dhe gjenerali i pensionuar i NATO-s, Petr Pavel.
RFE/RL
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale çeke tregojnë se me rreth 80 për qind të votave të numëruara, ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel, ka fituar 56.45 për qind të votave, kundrejt ish-kryeministrit, Andrej Babish, i cili ka marrë 43.54 për qind të votave, sipas Zyrës çeke të Statistikave.
Çekët votuan sot për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.
Rezultatet e plota nga balotazhi dy-ditor priten të bëhen publike mbrëmjen e së shtunës.
Qendrat e votimit ishin hapur të premten në orën 14:00 dhe u mbyllën sot në të njëjtën orë.
Të drejtë vote kishin 8.3 milionë banorë.
Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.
Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë.
Babish, 68-vjeçar, ka tentuar të portretizojë kundërshtarin e tij si luftënxitës dhe ka bërë thirrje për organizimin e një konference të paqes në Pragë.
Pavel, i cili është 61-vjeçar, ka qenë në favor të dërgimit të ndihmës në Kiev.
Në rundin e parë të zgjedhjeve, rezultati mes tyre ka qenë i ngushtë – të dy kanë fituar rreth 35 për qind të votave.
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Stefano Sannino, ka thënë të premten se Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë “në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve dhe shënjestrave joushtarake.
Ai po ashtu e ka kritikuar Moskën për nxitje të vendimeve që kanë marrë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.
Duke folur në një konferencë në Tokio, Sannino ka thënë se Putin “ka lëvizur nga koncepti i operacionit special në konceptin e luftës kundër NATO-s dhe Perëndimit”.
Ai ka thënë se tanket gjermane dhe amerikane pritet t’iu ndihmojnë ukrainasve që të mbrojnë veten në luftë dhe nuk do t’i kthejnë ata në sulmues.
“Mendoj se zhvillimet e fundit, sa u përket furnizimeve me armë, janë përgjigje ndaj situatës dhe mënyrës se si Rusia e ka çuar luftën në nivel tjetër”, ka thënë Sannino.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë të ditur të mërkurën se do të dërgojë tanke të avancuara në Ukrainë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat ruse.
Komandantët e ushtrisë ukrainase kanë thënë se këto armë do të ndihmojnë në kundërofensiva, dhe do të zvogëlojnë numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 31 tanke M1 Abrams, pavarësisht qëndrimeve fillestare të Uashingtonit se ato janë shumë sfiduese që të përdoren nga ushtarët ukrainas.
SHBA-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, pasi Gjermania është pajtuar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 nga inventari i saj.
Rusia e ka kritikuar vendimin e shteteve perëndimore dhe është zotuar se do t’i shkatërrojë këto tanke në fushëbetejë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Suedia aktualisht nuk ka në plan të dërgojë tanke ”Leopard 2” në Ukrainë, por nuk përjashton dërgimin e tyre në të ardhmen.
“Aktualisht nuk ka përgatitje për një dhurim tankesh nga Suedia, por nuk përjashtohet që kjo të ndodhë në një fazë të mëvonshme”, theksoi ministri i Mbrojtjes, Pal Jonson për gazetën ”Svenska Dagbladet”.
Gjermania dorëzoi sot 14 tanke ”Leopard 2” në Ukrainë.
Ushtria suedeze ka rreth 120 tanke ”Leopard 2”, të cilat në Suedi quhen ”Stridsvagn 122”.
Sipas raportimeve të mediave, Norvegjia po shqyrton gjithashtu dërgimin e tankeve ”Leopard 2” në Ukrainë.
Sipas gazetës ”Aftenposten”, qeveria e Oslos aktualisht është duke e vlerësuar çështjen, por ende nuk është marrë një vendim.
Gazeta ”Dagens Næringsliv” shkroi se do të ishte e mundur që Norvegjia të furnizonte Ukrainën me deri në tetë nga 36 tanket e saj ”Leopard 2”.
E përditshmja spanjolle El Pais raportoi se Spanja pritet të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë.
Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez kishte rënë dakord më herët të dërgonte tanke luftarake të prodhimit gjerman për sa kohë që ekzistonte një plan i koordinuar në nivel evropian, shkruante e përditshmja.
Detajet e kontributit spanjoll janë ende duke u vlerësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Jashtme, si dhe zyra e Sanchez.
El Pais raporton se ushtria spanjolle ka 108 tanke kryesore luftarake Leopard 2, modeli që Ukraina dëshiron të ndalojë avancimin e Rusisë. syri.net
Pas skandaleve dhe korrupsionit, zëvendësministri i Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit largohen nga zyra.
VOAL- Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Viacheslav Shapovalov, i ngarkuar me mbështetjen logjistike për trupat, dha dorëheqjen të martën pas skandalit mbi furnizimet me ushqime për ushtrinë, të zbuluar nga një faqe lajmesh. Ministria thuhet se ka nënshkruar një marrëveshje për vitin 2023 për blerjen e produkteve ushqimore bazë për 13 miliardë hryvnia (324 milionë euro) me çmime dy ose tre herë më të larta se ato të tregut. “Akuza të pabaza” dhe një “pretekst i rremë”, sipas eprorit të Shapovalov, ministrit Oleksii Reznikov, por megjithatë dorëheqja u dërgua “për të ruajtur besimin e kompanisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë”.
Së bashku me Shapolavovin – por për arsye të tjera – po largohen edhe një seri e tërë figurash të tjera pak a shumë të shquara në Kiev. Midis tyre, nënkryetari i administratës presidenciale Kyrylo Tymoshenko, një nga bashkëpunëtorët e rrallë të Volodymyr Zelensky për të punuar me të që nga zgjedhja e tij në 2019. I ngarkuar me mbikëqyrjen e rindërtimit të instalimeve të dëmtuara nga bombardimet ruse, ai kishte qenë në qendër. të disa skandaleve para dhe pas pushtimit. Në tetor, për shembull, ai u akuzua për përdorimin e një automjeti të dhuruar nga General Motors për qëllime humanitare për qëllime private.
Largohet edhe Oleksii Symonenko, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm. Shtypi kishte zbuluar pushimet e tij të fundit në Spanjë, kur udhëtimet jashtë vendit janë të ndaluara, përveç për arsye profesionale. Ndalimi u përsërit gjithashtu të hënën nga kreu i shtetit, i cili së shpejti mund të njoftojë një riorganizim të mëtejshëm të ekipit të tij, tashmë të amputuar ditët e fundit nga një sërë largimesh. Ashtu si ai i Zëvendës Ministrit të Infrastrukturës Vassyl Lozynsky, i arrestuar të dielën për grumbullimin e dyshuar të 400,000 dollarëve ryshfet për të lehtësuar blerjen e gjeneratorëve me çmime të fryra. Të hënën, Pavlo Galimon, kreu i partisë “Shërbëtori i Popullit” të Zelensky, u pushua nga puna pasi kishte blerë një pronë në Kiev, kostoja e së cilës tejkalonte të ardhurat e deklaruara të tij.
Korrupsioni është një e keqe endemike në Ukrainë, e cila është e 122-ta nga 180 vende në renditjen e Transparency International. Miratimi i masave kundër korrupsionit janë ndër kërkesat kryesore që BE-ja i ka bërë Kievit, nëse synon të përparojë në procesin e saj të integrimit evropian.rsi-eb