VOAL

VOAL

Ukraina e zmbraps sulmin rus në Kupiansk

Ushtarët ukrainas të Brigadës së 24-të qëllojnë një obus drejt pozicioneve ruse në rajonin e Donjeckut, më 13 nëntor.

 

Ushtria e Ukrainës ka thënë të enjten se e ka zmbrapsur një sulm rus në qytezën Kupiansk në verilindje të rajonit të Harkivit, duke i hedhur poshtë pretendimet e Moskës se ka fituar terren në qendrën e rëndësishme strategjike për transportim.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar të marrin jetë civilësh.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha në një komunikatë të enjten se forcat e saj e zmbrapsën sulmin, duke i shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe në njerëz Rusisë.

Vitaly Ganchev, zyrtar rus, kishte thënë paraprakisht se forcat ruse kishin zënë pozicione në periferi të Kupianskut dhe se po çajnë përpara në verilindje dhe juglindje të qytezës.

“Informatat për pushtimin e vendbanimit Illinka dhe për zënien e pozicioneve nga trupat ruse në qytezën Kupiansk, janë të pavërteta”, tha Qendra për Komunikime Strategjike e Ushtrisë së Ukrainës të enjten.

“Shtabi i Përgjithshëm informon se dje ushtarët ukrainas ndaluan përparimin e armikut në Kupiansk, shkatërruan të gjitha pajisjet e tij të blinduara dhe eliminuan një pjesë të madhe të forcave të tij njerëzore”, thuhet në komunikatë.

Pretendimet ruse dhe ato ukrainase nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Forcat ruse kapën Kupianskun, një nyje hekurudhore me rëndësi strategjike, menjëherë pas fillimit të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, por kjo qytezë u çlirua nga trupat ukrainase në një kundërofensivë të shpejtë në vjeshtën e po të njëjtit vit.

Në muajt e fundit, Rusia ka çarë përpara me një ofensivë në rajonin e Harkivit, derisa vazhdimisht po e godet Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me sulme raketore dhe artilerie, duke shkaktuar viktima të shumta mes civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën civile dhe atë energjetike.

Të enjten, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Gennady Gatilov, tha se Kremlini është i hapur për bisedime për paqe, nëse administrata e re e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i inicion ato, dhe nëse merren parasysh “realitetet në terren”.

Në ditët e fundit, Rusia ka fituar t erren në afërsi të qytezës së dëmtuar rëndë, Kurahove, në rajonin e Donjeckut dhe po kërcënon me rrethimin e tij.

Mëngjesin e së enjtes, sistemet e mbrojtjes ajrore i rrëzuan 21 nga 59 dronët e lëshuar nga Rusia në Ukrainë, raportoi Forca Ajrore e Ukrainës.

Dy njerëz u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në fshatin Shevchenko në Donjeck si pasojë e sulmeve ruse, raportoi zyra e prokurorit rajonal.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy dronë ukrainas të enjten, një mbi rajonin Kursk dhe një tjetër mbi rajonin Belgorod. REL

Polonia vlerëson hapjen e bazës amerikane si shenjë të sigurisë së saj

VOA/Marrë nga Reuters

Shtetet e Bashkuara hapën një bazë të re të mbrojtjes ajrore në veri të Polonisë të mërkurën. Presidenti polak vlerësoi se kjo tregon se vendi i tij është i sigurt si anëtar i NATO-s në një kohë kur Ukraina fqinje është në luftë me forcat ruse.

Sistemi i mbrojtjes ajrore amerikane u vendos në një bazë që ishte planifikuar të hapej nga vitet 2000, në qytetin Redzikowo, pranë bregut të Baltikut.

Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara ka krijuar shqetësime në mesin e disa anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, Varshava thotë se vazhdimi i punës në këtë bazë nga presidentët e njëpasnjëshëm amerikan tregon se aleanca ushtarake e Polonisë me Uashingtonin mbetet solide, pavarësisht se kush e fiton Shtëpinë e Bardhë.

“Shtetet e Bashkuara janë garantuesi i sigurisë së Polonisë”, tha presidenti Andrzej Duda.

Ai tha se prania e përhershme e trupave amerikane në bazë tregoi se Polonia, një shtet komunist deri në vitin 1989, “nuk ishte në sferën ruse të ndikimit”.

Kremlini e quajti bazën të mërkurën një përpjekje për të penguar Rusinë duke afruar infrastrukturën ushtarake amerikane pranë kufijve të saj.

Hapja vjen mes shqetësimeve midis disa anëtarëve të NATO-s për zgjedhjen e zotit Trump, i cili është zotuar të mos ofrojë mbështetje për vendet që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Megjithatë, Varshava thotë se Polonia nuk ka arsye për shqetësim pasi nga vendet anëtare të NATO-s shpenzon më shumë për mbrojtjen, në raport me përmasat e ekonomisë së saj. Presidenti konservator Duda gjithashtu ka theksuar lidhjet e tij të ngrohta me Presidentin e zgjedhur Trump.

Baza amerikane në Redzikowo është pjesë e një mburoje më të gjerë nga raketat të NATO-s, të quajtur “Aegis Ashore”, për të cilën aleanca thotë se mund të diktojë raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme.

Elementë të tjerë me rëndësi kyçe të kësaj mburoje përfshijnë një bazë tjetër në Rumani, prania e një anijeje luftarake amerikane në portin spanjoll Rota dhe një radar në Kurecik të Turqisë.

Moska e ka shpallur bazën një kërcënim që në vitin 2007, kur po bëheshin planet për hapjen e saj.

NATO thotë se qëllimi i bazës është vetëm mbrojtja.

Burime ushtarake i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sistemi në Poloni tani mund të përdoret vetëm kundër raketave të lëshuara nga Lindja e Mesme dhe radarit do t’i duhet një ndryshim në drejtim për të kapur predha nga Rusia. Kjo është një procedurë komplekse që kërkon një ndryshim të politikës.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha të hënën se fushëveprimi i mburojës duhej të zgjerohej, një gjë që Varshava do ta diskutonte me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të takohet me Presidentin Duda dhe Kryeministrin polak Donald Tusk në Varshavë, në orët e mbrëmjes të mërkurën.

Arrihet marrëveshja: Gjermania shkon në zgjedhje të reja më 23 shkurt

BILD

Tani është e qartë: Gjermania do të zgjedhë një Bundestag të ri në fund të shkurtit!

Pas diskutimeve të përbashkëta, kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich dhe kreu i grupit parlamentar të CDU, Friedrich Merz arritën një marrëveshje: zgjedhjet duhet të zhvillohen në 23 shkurt.

FDP dhe Të Gjelbrit gjithashtu ka të ngjarë të mbështesin këtë datë.

Prandaj, kancelari Olaf Scholz ndoshta do të kërkojë votëbesimin përpara datës 15 janar.

Data më e mundshme është 18 dhjetori – gjashtë ditë para Krishtlindjeve.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann, kishte thënë në ZDF “Morgenmagazin” se ndoshta do të ketë zgjedhje të reja më 16 ose 23 shkurt.

“Shpresoj dhe jam i sigurt se do të kemi qartësi shumë shpejt. Ndoshta në orët e ardhshme”. sn

Gjykata në Romë sërish merr vendim kundër ndalimit të emigrantëve në Shqipëri

Anija e marinës italiane, Libra, duke dërguar në Shëngjin grupin e parë të emigrantëve.

 

Gjykatësit në Romë kanë refuzuar që të miratojnë ndalimin e një grupi emigrantësh në qendrat në Shqipëri, që operohen nga Italia, duke e dërguar këtë çështje te Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Ky veprim paraqet një goditje të re për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar emigrantët në dy qendra të pritjes, teksa shtatë burrat që janë të përfshirë në këtë rast pritet të transferohen së shpejti në Itali, raportoi AFP.

Kjo është hera e dytë që gjykata në Romë merr vendim kundër planit të Melonit. Më 18 tetor, gjykatësit kishin refuzuar urdhrat që një grup emigrantësh të mbahej në një qendër të pritjes në Shqipëri, duke thënë se ata kanë të drejtë të dërgohen në Itali.

Aktualisht, vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – ndodhen në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Emigranti i fundit që u kthye në Itali më 9 nëntor ishte një person nga Egjipti, që u diagnostikua me “probleme psikikike” dhe prandaj u tha se ishte e pamundur që të mbahej në qendrën në Gjadër.

Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.

Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.

Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Italia i dërgoi në Shqipëri fillimisht një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në ditën e njëjtë, sepse ishin të mitur ose kishin probleme shëndetësore.

Dymbëdhjetë të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, pas një gjykatë në Romë urdhëroi që ata të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës – Bangladeshi dhe Egjipti – nuk ishin vende të sigurta.

Kryeministrja Meloni e ka përditësuar statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë atë akt ligjor në vend se dekret ministrial, duke besuar se kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat ta sfidojnë vlefshmërinë e tij.

Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

Sipas marrëveshjes, procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra.

Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shërbejë për strehim të emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma. REL

Erdogani shpreson që Trumpi të përmbushë premtimet për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se shpreson që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, të përmbushë premtimet për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme dhe t’i thotë Izraelit të “ndalojë” agresionin e tij.

Duke folur me një grup gazetarësh gjatë kthimit nga Hungaria, Erdogan tha gjithashtu se ndërprerja e mbështetjes së armëve të SHBA për Izraelin, “do të ishte një fillim i mirë” drejt përfundimit të konfliktit në Liban dhe territoret palestineze.

“Ne duam që ai premtim të përmbushet dhe që Izraelit t’i thuhet të ndalojë”, cituan gazeta Hurriyet dhe media të tjera të thoshte Erdogan të premten.

Turqia është bërë një nga kritikët më të zëshëm të Izraelit, duke akuzuar vendin për kryerjen e gjenocidit në Gaza dhe duke kritikuar ashpër vendet perëndimore për mbështetjen e Izraelit./ AP. sn

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Radio Evropa e Lirë

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.

Nga burimet e Parlamentit Evropian mësohet se Kos ka marrë mbështetjen e shumicës së nevojshme në Komisionin e politikës së jashtme të PE-së për të ushtruar funksionin e komisionares për Zgjerim.

Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh

Ndërkaq, duke folur për zgjerimin, kandidatja për komisionare ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Gjatë seancës ajo disa herë është pyetur, kryesisht nga deputetët e së djathtës ekstreme nga vendet lindore të bllokut, për dyshimet se në të kaluarën ka bashkëpunuar me shërbimet e zbulimit të ish-Jugosllavisë. Ajo i ka hedhur poshtë këto akuza.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

Konfirmimi formal i komisionerëve do të bëhet në fund të procesit kur të përfundojnë seancat dëgjimore për të gjithë kandidatët. Synohet që Komisioni i ri Evropian të konfirmohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian me 25 nëntor dhe të nisë mandatin më 1 dhjetor.

Presidenti gjerman: Fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës, krizën politike duhet ta lëmë pas

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i quajti orë “dramatike” orët e përjetuara “në politikën e jashtme si dhe të brendshme”, që të mërkurën në mbrëmje (06.10.) dhe që të martën.

“Debati publik dhe interesi medial është përqendruar plotësisht në pasojat pas vendimeve të zgjedhjeve në SHBA dhe që prej dje në mbrëmje këtu në Gjermani”, tha ai sot (07.10) në një deklaratë në Berlin.

Situatën e pazakontë për Gjermaninë, presidenti Steinmeier e argumentoi me faktin që “ka ndodhur rrallë” “në historinë 75-vjeçare të Republikës Federale, që një koalicion qeverisës të mos ketë më shumicë në Bundestagun Gjerman para përfundimit të periudhës legjislative.”

Steinmeieri kuptoi me këto fjalë daljen dje të partisë liberal-konservatore FDP nga koalicioni trepartiak qeverisës me socialdemokratët (SPD) dhe Të Gjelbrit. Këto e lanë koalicionin Scholz, rreth 3 vjet pas ardhjes në pushtet, pa shumicë në Bundestag.

Presidenti Steinmeier deklaroi se do të nënshkruajë në mesditë kërkesën për lirimin nga detyra të ministrit të Financave të Gjermanisë, Christian Lindner nga FDP. Këtë kërkesë ia paraqiti dje në mbrëmje kancelari Olaf Scholz. Dy ministra të tjerë liberalë në qeveri, Buschmann dhe Stark-Watzinger kanë paraqitur nga ana e tyre dorëheqjen, konfirmoi Presidenti gjerman.

Por “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës, është një krizë politike që duhet dhe do ta lëmë pas” shtoi Steinmeier. Ai tërhoqi vëmendjen se “demokracia jonë është e fortë” dhe se kushtetuta, ligji themelor kanë përcaktime të qarta për pjesën tjetër të procedurës.

Parlamenti mund të hapë rrugën për zgjedhje të reja pasi kancelari e humbet votëbesimin. Kancelari Scholz “deklaroi se do ta kërkojë votëbesimin në Bundestag”.

Gjermanisë i duhen “shumica të qëndrueshme dhe një qeveri e aftë për veprim”.
Steinmeier kujtoi se është Presidenti i Gjermanisë ai që vendos për shpërndarjen e Bundestagut. Por ai tha se “jam i gatshëm për këtë vendim” “nëse Bundestagu ia heq votëbesimin kancelarit federal në kuadrin e procedurës së parashikuar në nenin 68 të Ligjit Themelor.”

Presidenti i Gjermanisë tha se ishte i ndërgjegjshëm se kushtetuta gjermane “e lidh këtë vendim me parakushte”. Por “kriteri i verifikimit” të vendimit për Steinmeierin do të jetë maksima se Gjermania “ka nevojë për shumica të qëndrueshme dhe për një qeveri të aftë për veprim”.

Presidenti Steinmeier bëri thirrje për “arsye dhe përgjegjësi” në situatën aktuale dhe për të mos u marrë me “taktika dhe përleshje”.

Ai tha se shumë njerëz në Gjermani “vështrojnë me shqetësim situatën e pasigurtë politike” në Gjermani, në Evropë dhe në botë “edhe pas zgjedhjeve në SHBA”.

Presidenti gjerman kujtoi në fund sfidat e pazakonta me të cilat përballet bota dhe Gjermania. “Pres që të gjithë ata që janë përgjegjës të përgjigjen në përputhje me përmasën e sfidave”, përfundoi ai./DW/

Kryeministri polak: Presidenca e Trumpit do të ketë pasoja për sigurinë evropiane

Kryeministri polak Donald Tusk ka thënë se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane do të ketë pasoja të rënda për sigurinë evropiane, por ai shtoi se nuk mund të parashikojë saktësisht se cilat do të jenë ato pasoja.

“Zgjedhjet në SHBA do të kenë pasoja serioze për politikën evropiane, veçanërisht në fushën e sigurisë”, tha ai në një konferencë shtypi përpara fluturimit të tij në Budapest për një samit të liderëve evropianë.

“Për ne është shumë e rëndësishme, dua ta theksoj këtë, Polonia ka interesa të përcaktuara qartë,” tha ai.

Kryeministri polak tha se mesazhi i tij kryesor për liderët e tjerë evropianë do të ishte “konsolidimi i marrëdhënieve transatlantike”, duke shtuar se ai kishte “marrëdhënie të mira personale” me Trump gjatë mandatit të tij të parë kur ai ishte President i Këshillit Evropian.

Ai e përshkroi Trumpin si një partner “kërkues” që besonte në përdorimin e “paparashikueshmërisë” në politikë si ndaj aleatëve ashtu edhe ndaj armiqve të tij.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për një ndryshim në krahasim me presidencën e Joe Biden. A do të thotë kjo- për ne në çështjet kyçe të sigurisë, Ukrainës, Rusisë, luftës – një kthesë në Uashington? Unë nuk njoh askënd që mund t’i përgjigjet saktësisht kësaj pyetje”, shtoi ai. bw

Marta Kos: Negociatat për anëtarësim me Malin e Zi e Shqipërinë mund të mbyllen brenda vitesh

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit të BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për zgjerim.

Ajo tha gjatë seancës dëgjimore se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.

“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t’i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.

Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Kos theksoi se gjatë mandatit të saj, nëse do të emërohet, do të ngulë këmbë që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj vendeve në procesin e zgjerimit.

Por, nuk është e qartë nëse Kos do të emërohet, pasi, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

Ajo u propozua për këtë post në shtator nga presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nëse konfirmohet, Kos do ta zëvendësojë në këtë pos Oliver Varhelyin.

Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.

Marrëveshja Rama- Meloni/ Me vetëm tetë emigrantë në bord, anija “Libra” niset drejt Shqipërisë

Anija Libra është nisur sërish drejt Shqipërisë, për të transportuar emigrantët që kërkojnë të hyjnë në territorin italian ilegalisht.

La Repubblica njofton se në bordin e anijes janë tetë emigrantë. Fillimisht ishte planifikuar që të ishin nëntë persona ata që do të silleshin drejt kampit të Gjadrit, por personi i nëntë, i cili ishte me origjinë nga Bangladeshi, u gjykua se ishte shumë e moshuar dhe me shëndet të dobët.

Kujtojmë se anija ushtarake “Libra” ka një kapacitet për transportin e rreth 200 pasagjerëve, por se janë të paktë ata emigrantë që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare.

Zelensky uron Trumpin për fitoren: Vlerësoj angazhimin e tij për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka uruar Presidentin e zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump “për fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje!”.

Në një postim në X, Zelensku shkruan se e vlerëson angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale.

“Urime për @realDonaldTrump në fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje!
Më kujtohet takimi ynë i mrekullueshëm me Presidentin Trump në shtator, kur diskutuam në detaje partneritetin strategjik Ukrainë-SHBA, planin e Fitores dhe mënyrat për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës.

Unë e vlerësoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të afrojë paqen në Ukrainë. Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku.

Ne presim me padurim një epokë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të forta nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump. Ne mbështetemi në mbështetjen e vazhdueshme dypalëshe për Ukrainën në Shtetet e Bashkuara.
Ne jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunim politik dhe ekonomik të dobishëm, nga i cili do të përfitojnë të dy vendet tona. Ukraina, si një nga fuqitë më të forta ushtarake të Evropës, është e përkushtuar për të garantuar paqen dhe sigurinë afatgjatë në Evropë dhe komunitetin transatlantik me mbështetjen e aleatëve tanë.
Mezi pres të përgëzoj personalisht Presidentin Trump dhe të diskutoj mënyrat për të forcuar partneritetin strategjik të Ukrainës me Shtetet e Bashkuara”, shkruan Zelensky. bw

“Nuk kam qenë kurrë pjesë e Cosa Nostra-s”, dënohet mësuesja e lidhur me bosin mafioz Messina Denaro

Magjistrati i Palermos, Paolo Magro, dënoi me 11 vjet e 4 muaj burg për organizatë mafioze Laura Bonafede, mësuesen nga Campobello di Mazara, vajza e kumbarit historik të qytetit, e lidhur në mënyrë romantike me bosin Matteo Messina Denaro. Mësuesja u akuzua fillimisht për veprën penale të favorizimit, e cila më pas u ndryshua në atë të organizatës mafioze. Prokurorët Piero Padova dhe Gianluca De Leo kishin kërkuar dënim me 15 vjet, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 11 vjet e 4 muaj.

Roli i gruas në arratisjen e bosit të Mafies
Bonafede e kishte takuar të arratisurin e atëhershëm deri pak ditë para kapjes së tij. Të dy, siç shihet edhe nga dhjetëra foto të gjetura në strehën e fundit të bosit të mafias, madje dhe kishin bashkëjetuar. Për më tepër, mësuesja kishte menaxhuar korrespondencën e bosit të mafies, duke garantuar kontaktet e tij me njerëzit e tjerë të botës së mafies dhe duke mbuluar arratinë e tij.

Mbrojtja e mësueses: “Nuk kam qenë kurrë pjesë e Cosa Nostra-s”
Para dënimit, gruaja mohoi të ketë qenë pjesë e Cosa Nostra-s dhe të ketë jetuar me Matteo Messina Denaro dhe i kërkoi gjyqtarit të dëgjonte arsyet e saj. “Kurrë nuk kam qenë pjesë e asnjë organizate mafioze, nuk kam jetuar me askënd edhe sepse kam jetuar me nënën time deri në vitin 2021, imagjinoni sikur të flija jashtë shtëpisë, të shkoja të gjeja një justifikim për të – tha ajo. Doja t’ju kërkoja të vlerësoni pozicionin tim për atë që është dhe shpresoj të gjej te ju atë gjyqtarin nga Berlini që të gjithë shpresojmë ta takojmë”.

Marrëdhënia me Messina Denaro
E akuzuara bëri deklarata spontane duke u përpjekur të tregonte versionin e saj të marrëdhënies që e lidhte me ish-të kërkuarin që vdiq një vit më parë. Prokurorët fillimisht e akuzuan mësuesen nga Campobello di Mazara, vajzën e liderit historik të mafias Leonardo Bonafede, për krimin e favorizimit në rrethana të rënda, më vonë akuza u shndërrua në organizatë mafioze, duke njohur rolin pjesëmarrës të gruas në Cosa Nostra. Akuza që mësuesja i ka mohuar gjatë deklaratave të saj spontane. Gruaja tha se e kishte njohur Messina Denaron që fëmijë dhe se kishte marrë miqësi dhe vëmendje nga ai, një i njohur i vjetër i babait të saj, në momente të vështira të jetës së saj si pas arrestimit dhe dënimit të bashkëshortit të saj, Salvatore Gentile me burgim të përjetshëm për vrasje. bw

Gjykata rrëzon dekretin për ‘Vendet e sigurta’- Gazetari italian: Shkelje e ligjit evropian nga qeveria Meloni

Lorenzo Tosa, gazetar dhe shkrimtar italian, ka komentuar në Facebook zhvillimet e fundit në lidhje me politikën e imigacionit në Itali. Ai thekson se gjykatat romake dhe bolonjeze e kanë rrëzuar dekretin e qeverisë Meloni për “Vendet e sigurta”, duke e quajtur këtë një përpjekje të dështuar për të anashkaluar vendimin e Tribunalit të Romës lidhur me Shqipërinë.

Tosa thekson se gjykatësit kanë ofruar arsyetim të qartë në përputhje me ligjin evropian, duke theksuar se është e papranueshme që një qeveri kombëtare të përcaktojë sigurinë e vendeve. Ai gjithashtu kritikon vendimin e Tribunalit të Katanisë, i cili e ka quajtur Egjiptin një vend të pasigurt.

Sipas tij, politikat e qeverisë mund të gjejnë mbështetje vetëm tek ata që janë të informuar keq. Të gjithë këto zhvillime nxjerrin në pah një krizë të thellë në drejtësi dhe politikë, ku Tosa e shpreh shqetësimin për ndikimin e gjykatësve në politikën e sigurisë. Ai përfundon duke thënë se situata aktuale kalon çdo kufi të pranueshëm të talljes.

POSTIMI I GAZETARIT:

Ajo që thamë menjëherë pas nënshkrimit ka ndodhur. Gjykatësit në Romë dhe Bolonjë e kanë refuzuar plotësisht dekretin “Vendet e sigurta”, me të cilin qeveria Meloni po përpiqej ngathtë të anashkalonte vendimin e Tribunalit të Romës në lidhje me Shqipërinë. Ata e bënë këtë me arsyetim kristalor për këdo që ka njohuri edhe për më të voglën në lidhje me ligjin evropian dhe ndërkombëtar: nuk mund të jetë qeveria kombëtare ajo që vendos se cilat janë vendet e sigurta, por gjykatësit, bazuar ekskluzivisht dhe kryesisht në vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së.

Jo vetëm kaq. Tribunali i Katani ka përsëritur sapo se Egjipti nuk është një vend i sigurt, duke e shkatërruar dhe mohuar përsëri dekretin. E vërteta është se lojërat e qeverisë mund të funksionojnë me analfabetët racistë që i votojnë, por jo në një gjykatë, aq më pak para ligjit evropian. Dhe menjëherë ka filluar performanca e zakonshme, e turpshme e Salvinit kundër “gjykatësve komunistë” që pengojnë patriotët të bllokojnë kufijtë e shenjtë. Ne jemi vërtet përtej çdo prag tolerues të talljes.

Zgjedhjet Presidenciale 2024- Kur do të shpallen rezultatet?

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA mund të dihet që mëngjesin e së mërkurës, vetëm pak orë pas përfundimit të votimit ditën e sotme. Ose mund të duhen ditë, javë dhe, siç ndodhi në një rast, një muaj.

Më shumë se 78 milionë votues amerikanë kishin hedhur votën e tyre deri të hënën në mëngjes, në prag të ditës së zgjedhjeve, ndërsa zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump kryqëzuan shtatë shtetet e fushëbetejës me fjalët e tyre përmbyllëse.

Në vitin 2016, votimi u mbyll në mbrëmjen e 8 nëntorit dhe gjithçka përfundoi deri në orën 2:30 të mëngjesit të 9 nëntorit me Trump që fitoi shtetin Wisconsin në fushëbetejë dhe 10 votat e kolegjit të tij elektoral për të kaluar numrin magjik prej 270 votash të kolegjit elektoral. Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton i kishte telefonuar për ta uruar pesë minuta më vonë.

Por mund të zgjasë më shumë. Në 2020, votimi përfundoi në mbrëmjen e 3 nëntorit, por presidenti Joe Biden duhej të priste deri më 7 nëntor që Pensilvania t’i dorëzonte atij 19 votat e kolegjit zgjedhor dhe presidencën. Rekordi për rezultatin më të vonuar mund të shkojë në zgjedhjet e vitit 2000, kur vendi priti për më shumë se një muaj për të gjetur Presidentin e tij të ardhshëm, George W Bush ndërsa votimi përfundoi më 7 nëntor dhe rezultati i shtetit u bë i njohur më 12 dhjetor.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, duhet mbajtur mend, nuk zgjidhen nga totali i votave kombëtare, por nga votat e fituara të kolegjit elektoral. Harris dhe Trump duhet të fitojnë të paktën 270 nga 538 votat e kolegjit elektoral për të fituar. Secilit shtet i caktohen disa vota kolegji elektorale që është numri i përgjithshëm i anëtarëve që ai dërgon në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA dhe Senatin; numërimi i Senatit është i njëjtë për çdo shtet, nga dy secili.

Koha e mbylljes së votimit mund të ndryshojë nga shteti në shtet dhe madje nga qarku në qark brenda shtetit dhe ndonjëherë edhe nga qyteti në qytet në të njëjtin qark. Nëse votimi mbyllet në orën 8, kushdo që është në radhë, atëherë do të japë votën e tij, pa marrë parasysh sa kohë duhet.

Votimi i parakohshëm është duke u zhvilluar me më shumë se 55 milionë votues të regjistruar që kanë hedhur tashmë votën e tyre, qoftë personalisht në një qendër votimi ose me fletëvotim postar. sn

217 viktima dhe mijëra të zhdukur, çfarë lanë pas përmbytjet në Valencia! Sot sërish alarm për stuhi

Spanja po vuan një nga stuhitë më të rënda të këtij shekulli. Përmbytjet u kanë marrë 217 personave ndërsa shumë të tjerë janë ende të zhdukur në Valencia.

Megjithatë stuhia DANA është ende mbi Spanjë dhe urgjenca meteorologjike nuk ka përfunduar.

Ditën e djeshme, kryeministri Pedro Sánchez njoftoi se qeveria do të dërgojë 5,000 ushtarë në Valencia për të ndihmuar të prekurit, si dhe 5,000 policë të tjerë kombëtarë dhe roje civile.

Presidenti shtoi se Mazón duhet të kërkojë të gjithë ndihmën që i nevojitet dhe ekzekutivi do ta sigurojë.

Tetë rrugë në Valencia dhe Castellón, janë të mbyllura ose të pakalueshme për shkak të bllokimeve nga balta dhe prishja e strukturave.

Megjithatë duket se rreziku nuk ka kaluar pasi për ditën e sotme autoritetet spanjolle kanë paralajmëruar për stuhi të forta të mundshme në Castellón dhe bregdetin verior të Valencias. bw

U prit me protesta në Selanik- Rama bën ‘viktimën’: Kam marrë kërcënime këto ditë

Teksa kryeministri Edi Rama po mban këtë të diel një miting në Selanik të Greqisë, me pretendimet se sallën e ka mbushur me shqiptarë të këtij qyteti, denoncimet kanë qenë të shumta se ai ka shpërngulur administratën për të qenë prezentë në sallë.

Prezenca e tij në Selanik është pritur me protesta nga grekët nacionalistë, ndërsa  gjatë fjalimit të mbajtur, Rama nuk ngurroi të bënte edhe “viktimën”, duke thënë se këto ditë i kanë ardhur kërcënime në adresë të tij.

Kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi Greqinë si një partner të pazëvendësueshëm dhe një nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikës së Jashtme, pavarësisht se kohët e fundit ka pasur përplasje të shumta në lidhje me çështjen e Fredi Belerit.

“Diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka dhe parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë dhe kërcënime në adresën time të cilat mua vetëm më shkaktojnë keqardhje. Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë e me vakt! Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe individëve të dalë boje e kohe të këtyre anëve. Kush e përdor akoma këtë term tregon dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin 21. Këto janë fosile për gjynah, nuk janë një asnjë mënyrë arsye që të ushqejnë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Për Shqipërinë, Greqia është një partner i pazëvendësueshëm, përbën një nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikës së jashtme. Për shqiptarët këtu, Greqia është shtëpia juaj, ku ju jeni sot qytetarë të barabartë të Europës, njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë në integrimin e plotë në shoqëri, janë kujtime dhe histori. Kujtime të trishta, por edhe histori krenarie në fuqinë historike të ambicies të prindërve që morën në krah fëmijët për të ardhur këtu për një jetë më të mirë”, u shpreh Rama. sn

Komisioni Evropian: Korrupsioni në Shqipëri, problem serioz

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, duke ia dorëzuar Raportin e Progresit kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

 

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria ka bërë pak progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo falë punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa për lirinë e medias nuk sheh asnjë përmirësim.

Kështu tha ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ia dorëzoi kryeministrit shqiptar, Edi Rama, Raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Evropian.

Gonzato tha se KE-ja vëren angazhimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian si përparësi kryesore strategjike. Gjithashtu, sipas tij, KE-ja vlerëson harmonizimin e plotë me politikat e jashtme të BE-së.

Ai tha se nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë të hapë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025.

Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.

Pasi renditi fushat ku Shqipëria ka bërë përparim, ambasadori u ndal te çështjet që shihen me shqetësim nga Komisioni Evropian.

“Sa i përket kriterit politik, vlerësohet se funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht i kënaqshëm, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet dhe po rezulton edhe në vonesa në emërimin e individëve në poste kyçë”, tha Gonzato.

Ai e cilësoi urgjente nevojën për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik, duke e vlerësuar si thelbësor për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE-në.

Korrupsioni mbetet sërish shqetësim serioz, përparimi që është shënuar vlerësohet se vjen falë punës së SPAK-ut, ndërsa ka shqetësim për politikën që përpiqet të ndërhyjë.

“Korrupsioni mbetet shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të SPAK-ut, i cili ka vazhduar të prodhojë rezultate konkrete përshirë edhe për çështje ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë. Edhe në luftën kundër krimit të organizuar, KE-ja sheh disi progres, por edhe kjo falë punës së SPAK-ut. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor”, tha ambasadori i BE-së.

Gonzatoi shprehu keqardhje që nuk ka asnjë përmirësim për lirinë e shprehjes.

“Për fat të keq nuk ka asnjë progres sa i përket lirisë së shprehjes, sidomos për çështje që kanë të bëjnë mbi vendosjen e interesave të biznesit, medias, politikës në këtë drejtim, dhe kushtet problematike të punës së gazetarëve”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilësoi Raportin e Progresit real dhe të balancuar. Ai tha se janë vlerësuar të gjitha përpjekjet që ka bërë Shqipëria për të arritur progres në rrugën drejt BE-së e gjithashtu tregon qartë çështjet ku duhet fokusuar për përmirësim.

Rama u ndal më shumë në arritjet e shënuara, si vlerësimi për rritjen ekonomike, procesin e digjitalizimit, reformat në fushën e energjisë, si dhe vlerësimin maksimal për politikën e jashtme.

“Nga viti në vit marrim nota të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm se për notën maksimale kemi ende shumë punë për të bërë”, tha Rama.

I pyetur për zhvillimet e fundit politike që lidhen me aksionin opozitar, Rama tha se Qeveria shqiptare është e hapur për diskutime, ndërsa ambasadori i BE-së tha se shpreson që të gjendet rruga për të riangazhuar opozitën, por kjo kërkon angazhimin e dy palëve.

Pakti me Edi Ramën për emigrantët, Meloni: Jam kërcënuar me jetë

Gjatë një interviste për një media vendase, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi se për shkak të marrëveshjes për emigrantët me Edi Ramën, ka marrë dhe kërcënimet e para me vdekje nga trafikantët.

Giorgia Meloni zbulon një detaj shqetësues mbi klimën e tensionit të krijuar rreth marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Megjithatë, kryeministrja synon ta vazhdojë atë memorandum mirëkuptimi deri në fund. ‘ Do të bëj gjithçka që të funksionojë’, siguroi ajo.

‘Argumentet me të cilat gjykata e Bolonjës i kërkon Gjykatës Evropiane të Drejtësisë autorizimin për të moszbatuar një ligj tjetër italian u panë nga shumë njerëz si një argument propagandistik sesa një akt gjyqësor. Argumenti i Gjermanisë naziste është efektiv në një propagandë në nivel ligjor është më i dobët ‘, shpjegoi Meloni.

Dhe përsëri, duke arsyetuar për këtë temë, ajo shtoi: ‘Strategjia e qeverisë po funksionon sepse zbarkimet po pakësohen dhe ne po tregojmë se mund ta ndalim këtë fenomen’, shtoi kryeministrja. sn

Të paktën 95 viktima nga përmbytjet në Spanjë

Banorët në Valencia duke parë nga afër makinat e rrëmbyera nga vërshimi i ujit (30 tetor 2024)

 

VOA/Marrë nga Associated Press

UTIEL, Spanjë – Përmbytjet e mëdha në Spanjë i kthyen rrugët e fshatrave në lumenj, shkatërruan shtëpitë, ndërprenë transportin dhe vranë të paktën 95 njerëz në fatkeqësinë më të rëndë natyrore që ka goditur kohët e fundit këtë vend evropian.

Stuhitë dhe reshjet që filluan të martën dhe vazhduan të mërkurën shkaktuan përmbytje në të gjithë Spanjën jugore dhe lindore, duke u shtrirë nga Malaga dhe deri në Valencia. Përrenjtë me baltë përmbysën me shpejtësi të madhe automjetet në rrugë, ndërsa mbeturinat dhe sendet shtëpiake rrotulloheshin në ujë. Policia dhe shërbimet e shpëtimit përdorën helikopterët për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe gomone për të arritur tek shoferët e bllokuar mbi makinat.

Shërbimet e urgjencës në rajonin lindor të Valencias konfirmuan të mërkurën 92 të vdekur. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonin fqinj Castilla La Mancha, ndërsa Andaluzia jugore raportoi një vdekje.

Dje ishte dita më e keqe e jetës sime”, tha të mërkurën Ricardo Gabaldón, kryebashkiaku i Utielit, një qytet në Valencia, për transmetuesin kombëtar RTVE. Ai tha se gjashtë banorë humbën jetën dhe të tjerë nuk gjenden.

Një burrë duke transportuar ujë të pijshëm (Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024)

Një burrë duke transportuar ujë të pijshëm (Valencia, Spanjë, 30 tetor 2024)

Qeveria e Spanjës shpalli tre ditë zie duke filluar nga e enjtja.

Për ata që kërkojnë të dashurit e tyre, e gjithë Spanja ndjen dhimbjen tuaj”, tha Kryeministri Pedro Sánchez në një fjalim në televizion.

Personeli i kërkim-shpëtimit dhe mbi 1,100 ushtarë nga njësitë e reagimit të shpejtë të Spanjës u dislokuan në zonat e prekura. Qeveria qendrore e Spanjës krijoi një komitet krizash për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit.

Një qytet i Valencias, Paiporta, pësoi humbje të jashtëzakonshme. Kryebashkiaku Maribel Albalat tha për kanalin RTVE se mbi 30 persona vdiqën në qytetin me rreth 25,000 banorë. Ndër ta ishin gjashtë banorë të një azili për të moshuarit. Edicionet e lajmeve transmetuan pamje të të moshuarve në karrige dhe karrige me rrota në një shtëpi të të moshuarve në Paiporta, disa duke bërtitur me tmerr të dukshëm ndërsa uji u ngjitej mbi nivelin e gjunjëve.

Banorët duke ecur në rrugët e përmbytura të Valencias (30 tetor 2024)

Banorët duke ecur në rrugët e përmbytura të Valencias (30 tetor 2024)

Shërbimi kombëtar i motit në Spanjë tha se ra më shumë shi në tetë orë në Valencia sesa në gjithë 20 muajt e mëparshëm, duke e quajtur përmbytjen “të jashtëzakonshme”.

E vendosur në jug të Barcelonës në bregdetin e Mesdheut, Valencia është një destinacion turistik i njohur për plazhet e saj dhe pemët e agrumeve. Rajoni ka gryka dhe shtretër lumenjsh të vegjël që gjatë pjesës më të madhe të vitit qëndrojnë plotësisht të tharë, por që mbushen me shpejtësi me ujë kur bie shi. Shumë prej tyre kalojnë përmes zonave të populluara.

Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme gjatë stinës së vjeshtës në vitet e fundit. Asgjë, megjithatë, nuk mund të krahasohet me shkatërrimet e dy ditëve të fundit, të cilat të sjellin në mendje përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, nga të cilat u vranë 230 persona.

Numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet ndërsa rajone të tjera vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë në vendndodhje që janë të vështira për t’u arritur.

BE-ja thotë se Serbia ka shkelur qartazi obligimet nga dialogu me Kosovën

Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se Serbia i ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

BE-ja ia rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.

Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

Projektligjit thotë se juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas Qeverisë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u pajtuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, të pakënaqur me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Këtë vit, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.

Kjo e shtyri presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të kërkojë kthimin e serbëve në institucione në shtator.

Ndër kërkesat kryesore të tij ishin, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut. REL

Gjermania dënon “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian

Një demonstrues mban një fotografi të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, me mbishkrimin “Liro Jamshid” gjatë një demonstrate për lirimin e tij përpara Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin, korrik 2023.

 

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e dënoi të hënën “regjimin çnjerëzor” të Iranit, pas ekzekutimit të shtetasit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, i cili ishte dënuar për akuza të kontestuara në lidhje me terrorizmin.

Mizan, agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, raportoi se dënimi me vdekje për Sharmahdin u zbatua më 28 tetor “pasi Gjykata e Supreme e mbajti në fuqi vendimin e gjykatës”.

Baerbock e dënoi ashpër regjimin iranian për ekzekutimin e 69-vjeçarit Sharmahd, duke deklaruar se kjo “tregon edhe një herë se çfarë lloj regjimi çnjerëzor sundon në Teheran: një regjim që përdor vdekjen kundër të rinjve, popullsisë së vet dhe shtetasve të huaj”.

Ajo shtoi se Berlini e ka bërë të qartë vazhdimisht se “ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda”.

Sharmahd, i cili kishte gjithashtu lejeqëndrimi në SHBA, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.

Katërmbëdhjetë iranianë dhe 210 të tjerë u plagosën në sulmin në xhaminë Sayyid al-Shuhada Husseiniya në Shiraz, gjatë një ceremonie për ta nderuar imamin Hussein, imamin e tretë të myslimanëve shiitë.

Ministria e Inteligjencës e Iranit akuzoi Sharmahdin për planifikimin e sulmit, një akuzë të cilën familja e tij e hodhi poshtë si “qesharake”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së e cilësoi trajtimin e Sharmahdit nga Irani si “të gabueshëm” dhe përshkroi si “farsë” gjykimin ndaj tij.

“Ne e kemi bërë prej kohësh të qartë se kundërshtojmë mënyrën se si Irani kryen ekzekutimet, shpesh në një mënyrë që shkel të drejtat themelore të njeriut”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, më 28 tetor.

Sharmahd u arrestua në rrethana të paqarta dhe u akuzua nga Ministria e Inteligjencës e Iranit si i përkiste grupit opozitar iranian Asambleja Mbretërore e Iranit, ose Tondar.

Me seli në Los Angeles, Tondar deklaron se synon ta rrëzojë republikën islamike dhe ta rivendosë një monarki të ngjashme me atë të Kirit të Madh. Ky grup drejton kanale televizive dhe radioje të opozitës proiraniane jashtë vendit, si dhe kanale në rrjetet sociale. REL

Marrëdhëniet me Rusinë e Kinën, ndër pikat kryesore të Raportit të Progresit për Serbinë

Radio Evropa e Lirë

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dialogu me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme janë aspektet kryesore të kapitujve politikë në Raportin e Progresit për Serbinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian.

Ky raport vjetor, me të cilin vlerësohet përparimi i vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pritet të publikohet më 30 tetor.

Por, burime të afërta me Radion Evropa e Lirë kanë pasur tashmë qasje në draftin e tij.

Sipas tyre, Serbia, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ka vepruar vetëm pjesërisht në përputhje me qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thuhet se Serbia ka vazhduar të bashkëpunojë me BE-në në ofrimin e mbështetjes financiare dhe humanitare për Ukrainën, por vihet në pah se ajo nuk ka respektuar asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë.

Dokumenti thekson se Serbia ka mbajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve me Federatën Ruse dhe se ka intensifikuar marrëdhëniet me Kinën – gjë që “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik” të saj.

Në raport, Komisioni Evropian rikujton se nga Serbia pritet që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj me qëndrimet e miratuara nga BE-ja, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

Dialogu është kyç

Draft-raporti, po ashtu, thekson se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet në masë të madhe nga progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Aty thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në shkurt të vitit 2023, si dhe Aneksi për zbatimin e saj, janë dokumente ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

“Asnjë formalitet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin e tij, nuk duhet ta pengojë progresin në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në draftin e dokumentit, për të cilin është njoftuar REL-i.

Marrëveshja e as aneksi i lartpërmendur nuk janë nënshkruar, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

Në draftin e Raportit të Progresit thuhet se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.

Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të asaj që ato zbatojnë, thekson draft-raporti, duke kujtuar se normalizimi mbetet kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

Nga Serbia pritet t’i ndjekë autorët e sulmit në Banjskë

Në draft-raport vlerësohet se gjatë periudhës që mbulon ai, ka pasur tensione të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Aty theksohet se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën vazhdon të ndikohet negativisht nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për t’i ndjekur përgjegjësit për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë.

Ky sulm, siç vlerësohet në raport, ishte “përshkallëzimi më i madh i viteve të fundit”.

Sipas draft-dokumentit, BE-ja pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i marrë masat e nevojshme për arrestimin dhe nxjerrjen e shpejtë para drejtësisë të autorëve të sulmit.

Gjithashtu, konsiderohet se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në prill të vitit 2023, ndikojnë keq në obligimet e Serbisë në dialog.

Draft-raporti kritikon edhe veprimet e autoriteteve të Kosovës në zonat e banuara me shumicë serbe, si: ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros, mbylljen e Postës së Kursimeve të Serbisë dhe mbylljen e zyrave të institucioneve tjera serbe.

Vlerësohet se këto veprime janë në kundërshtim me zotimet e marra në dialog.

Në draft-dokument thuhet se BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësime për mungesën e vazhdueshme të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ të veprimeve të saj te njerëzit në terren.

Fatkeqësisht, thekson dokumenti, nuk është arritur të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme reciprokisht për njerëzit më të prekur nga këto veprime.

Ngecje në reforma për shkak të zgjedhjeve të parakohshme

Burimet e Radios Evropa e Lirë, të informuara për përmbajtjen e dokumentit, thonë se raporti i këtij viti thekson se zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe, për pasojë, ndërprerja e funksionimit të Qeverisë dhe Parlamentit “e kanë ngadalësuar progresin e reformave” në këtë vend.

Sipas tyre, raporti thekson nevojën për vullnet të fortë politik, planifikim efikas dhe koordinim të planeve, si dhe burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që Serbia ta përshpejtojë punën në përmbushjen e objektivave në negociatat e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve serbe do t’u kërkohet, po ashtu, ta kenë prioritet komunikimin proaktiv dhe objektiv për procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe shtypjen e dezinformatave në mediat kombëtare.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti i Progresit pritet t’u kërkojë Kosovës e Serbisë zbatimin urgjent të marrëveshjeve

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.

Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.

Radio Evropa e Lirë u informua për tekstet e tyre, në të cilat të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet.

Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.

Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.

Aty kërkohet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve.

Në raport vlerësohet se tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, mbeten të larta dhe përsëriten kritikat ndaj autoriteteve të Kosovës për ato që cilësohen si “veprime të pakoordinuara”, të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.

Vazhdimi i bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve konsiderohet si “prapakthim serioz i Serbisë në zbatimin e obligimeve nga dialogu”.

Komisioni Evropian kërkon që palët në dialog ta respektojnë Marrëveshjen për vizitat zyrtare, t’i mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve në territorin e vendeve të njëra-tjetrës, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Bëhet thirrje, po ashtu, që funksionimi i nismave rajonale të mos ndikohet nga mospajtimet dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë.

Komisioni Evropian edhe me këtë dokument vjetor i bën thirrje Kosovës që ta nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aty kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023.

Ky propozim, thuhet në raport, është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkaq, për propozimin që është dorëzuar nga ana e ekipit menaxhues, i përbërë nga serbët e Kosovës, thuhet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, ndaj kërkohet që si bazë të merret pikërisht ai që quhet “propozimi evropian”.

Në draft-raportin për Serbinë thuhet se obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35.

Kështu që për Serbinë, kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe normalizimi i raporteve me Kosovën do të kushtëzojnë dinamikën e tërë procesit të integrimit të saj në BE.

Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.

Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga kjo përbërje e Komisionit Evropian, pasi, së shpejti, mandatin e ri pesëvjeçar do ta nisë Komisioni me përbërje të re. REL

Përvjetori i ‘Marshimit në Romë’ tërheq qindra njerëz në kriptin e Musolinit

Rreth gjashtëqind njerëz, të veshur me të zeza, u mblodhën në qytetin verior italian të Predappio të shtunën për të përkujtuar 102 vjetorin e Marshimit në Romë, një ngjarje kyçe në ngritjen e fashizmit.

Procesioni u zhvendos nëpër qytet, duke përfunduar në varrezat San Cassiano, ku shtrihet kripti i familjes Mussolini. Mes të pranishmëve ishin Orsola dhe Vittoria Musolini, stërmbesa të Benito Musolinit.

Përshëndetje private për të shmangur çështjet ligjore

Orsola Mussolini iu drejtua turmës, duke shprehur mirënjohje dhe duke kërkuar një minutë heshtje. Ajo kërkoi që pjesëmarrësit të përmbahen nga bërja publike e përshëndetjes romake për të parandaluar pasojat ligjore. Në vend të kësaj, përshëndetja u krye privatisht, duke respektuar ligjet lokale për rendin publik.

Gjatë ceremonisë, u recituan lutjet e lidhura me traditat e ndihmës dhe legjionarëve, pas së cilës të pranishmit u lejuan të hynin në kripte.

Gazeta e përditshme Il Resto del Carlino raportoi se disa të pranishëm shprehën zhgënjim për përmbajtjen publike, duke shpjeguar se përshëndetja romake ishte e kufizuar në mjedise private për të ‘shmangur ankesat dhe çështjet gjyqësore’. Të tjerë thuhet se e panë atë si një masë të nevojshme.

Pas ceremonisë, pjesëmarrësit vizituan dyqanet lokale të suvenireve në qytet, të vendosura në provincën Forlì-Cesena të Emilia-Romagna, sipas raporteve nga agjencia e lajmeve Ansa .

Marshimi në Romë

Marshi në Romë ishte një ngjarje kyçe në historinë italiane, që u zhvillua nga 27 deri më 29 tetor 1922. Organizuar nga Musolini dhe Partia Nacional Fashiste, marshimi pa mijëra mbështetës fashistë me këmisha të zeza nga e gjithë Italia që u mblodhën në kryeqytetin italian.

Duke u përballur me presionin dhe një konflikt të mundshëm, Mbreti Victor Emmanuel III zgjodhi të shmangte trazirat civile duke ftuar Musolinin të formonte një qeveri, duke shënuar fillimin e sundimit fashist në Itali.

Kjo ngjarje shënoi fillimin e ngritjes së autoritarizmit në Evropë, duke krijuar skenën për diktaturën e Musolinit, e cila do të zgjaste deri në rënien e tij në 1943.

Debatet për fashizmin

Marshi në përvjetorin e Romës vjen ndërsa në Itali zhvillohen debate më të gjera mbi qasjen e qeverisë ndaj të kaluarës fashiste të vendit.

Të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Italisë u zemërua duke shënuar 82-vjetorin e Betejës së El Alamein, ku forcat italiane që luftonin përkrah nazistëve u mundën nga aleatët.

Nderimi i ministrisë për ushtarët italianë që “dhunë jetën për lirinë tonë” u sulmua nga liderët e opozitës, të cilët thanë se ishte mashtruese të quash veprimet e forcave fashiste luftë për liri.

Qeveria e ekstremit të djathtë të kryeministrit Giorgia Meloni është përballur me thirrje të vazhdueshme për t’u distancuar nga shoqatat neofashiste, me figurat e opozitës që deklarojnë se Italia duhet të jetë më e qartë për ndikimin e fashizmit.

Meloni, kreu i partisë Vëllezërit e Italisë, e cila ka rrënjë në lëvizjet neofashiste të pasluftës, ka dënuar totalitarizmin, por nuk ka komentuar ende për këtë polemikë të fundit./ Euronews – Syri.Net

Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

VOA/Marrë nga Reuters

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili tha të dielën se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të shtunën në Gjeorgji. Ajo tha se vendi ka qenë viktimë e një operacioni special rus.

Po kështu vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis “përçarës” me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet “nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian”.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

“Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit”, tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane kishte siguruar më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare të së shtunës, por rezultati u kundërshtua nga opozita.

Të dielën udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.

“Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do t’i pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për t’u konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet”, tha udhëheqësja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare për Unitet, Tina Bokuchava.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe udhëheqësi i partisë Ndërtimi i Straegjive, Giorgi Vashdze.

“Qëndrimi ynë është se duhen patjetër protesta, duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se ata”, tha ai.

Zonja Bokuchava dhe zoti Vashadze i bënë komentet pas një takimi me presidenten e vendit, Salome Zourabishvili.

Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.

ISFED, një grup monitorues vendas tha se kishte regjistruar shkelje në proces, përfshirë mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime, dhënie ryshfeti dhe frikësim të votuesve, që mund të ketë ndikuar siç tha, tek rezultati.

Përfaqësuesit e grupit thanë se nuk kishte vënë re shkelje thelbësore në procesin e numërimit të votave, shumica e të cilave u numëruan në mënyrë elektronike.

Komisioni Zgjedhor dhe partia Ëndrra Gjeorgjiane thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi akuzat e opozitës.

“Fakti që e njëjta parti mund të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, thatë shtunën miliarderi dhe themeluesi i partisë Ëndra Gjeorgjiane Bidzina Ivanishvili.

Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar përçarje mes gjeorgjianëve.

“Nuk jam plotësisht i kënaqur që disa parti, fituan mandate parlamentare. Megjithatë nuk besoj se situata do të përkeqësohet edhe më shumë nga çfarë është aktualisht”, thotë banori i Tbilisit Vahtang Magradze.

“Do të doja që votat mes partisë në pushtet dhe opozitës të ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë, do të ishte më mirë për ne. Por, duket se gjërat do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë. Nuk pres asgjë të mirë”, thotë një tjetër banor i Tbilisit Vazha Pophadze.

“Kryesorja është që të ketë paqe dhe nuk ka nevojë të luftojmë me njëri-tjetrin. Është e nevojshme që kombi të bashkohet dhe të gjithë të jenë të lumtur. Nuk ka nevojë të shajmë njëri-tjetrin”, thotë ky banor i Tbilisit që u identifikua vetëm me emrin e tij Mamuka.

“Opozita sillet sikur nuk beson në vetvete. Mendoj se nuk ka humbur çdo shpresë ose se ne do të zgjohemi nesër si rusë. Deri në zgjedhjet e ardhshme do të ketë ndryshuar shumë”,thotë Saba Prunidze, banor i Tbilisit.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.

Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, të gjitha palët pretendojnë fitoren! Procesi, vendimtar për të ardhmen e vendit

VOA

 

Në Gjeorgji, partia që qeveris vendin si dhe ato në opozitë pretenduan fitoren në zgjedhjet parlamentare të së shtunës. Procesi shihen si vendimtar lidhur me të ardhmen e vendit, nëse ish-republika sovjetike do të vazhdojë rrugën drejt Perëndimit apo do të anojë nga Rusia.

Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56% të votave.

Por sondazhet e kryera nga kanalet pro-opozitës ‘Formula’ dhe ‘Mtavari Arkhi’ treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar sëbashku 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.

Por katër blloqet kryesore opozitare janë thellësisht të përçara dhe është e paqartë nëse ata do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Bidzina Ivanishvili, themeluesi miliarder i partisë në pushtet, pretendoi fitoren.

“Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë – ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, tha ai vetëm pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit.

“U siguroj se vendi ynë do të arrijë sukses të madh në katër vitet e ardhshme”, shtoi zoti Ivanishvili.

Në dy vitet e fundit Ëndrra Gjeorgjiane, që qëndron në pushtet që nga viti 2012, i ka dhënë zë retorikës pro-ruse, duke nxitur zemërimin e aleatëve të saj perëndimorë, rreth asaj që ata e konsiderojnë si prirje gjithnjë e më autoritare.

Vëzhguesit e pavarur si dhe Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili – një aleate e dikurshme e partisë në pushtet, shndërruar tashmë në një nga kritiket më të ashpra të saj, akuzuan Ëndrrën Gjeorgjiane për blerje masive të votave si dhe forma të tjera të abuzimit me zgjedhjet.

Ëndrra Gjeorgjiane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment lidhur me akuzat.

Opozita pretendoi fitoren dhe tha se ishte në rrugën e duhur për të fituar shumicën.

“Gjeorgjia evropiane po fiton me 52% të votave pavarësisht përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet dhe pa votat e diasporës”, shkruante zonja Zourabichvili në rrjetin social X

Arrestohet mafiozi i rrezikshëm italian, e ‘tradhtoi’ fotoja në varrin e Pablo Escobarit

Falë një fotoje që ka realizuar pranë varrit të bosit famëkeq të drogës Pablo Escobar, një i arratisur nga mafia italiane është kapur nga autoritetet.

 

32-vjeçari Luigi Belvedere punonte si ndërmjetës me bandat kolumbiane të drogës dhe u arrestua pas gati katër vitesh kërkim në Amerikën e Jugut.

Në fakt, sipas BBC, ai është një nga njerëzit më të kërkuar në Itali dhe ishte në listën e qeverisë së vendit për të arratisurit më të rrezikshëm.

Policia italiane publikoi një imazh të Belvedere duke pozuar pranë varrit të Escobar kur njoftoi arrestimin e tij.

Pavarësisht se u arratis nga Evropa për të shmangur akuzat e trafikimit, ai vazhdoi të ishte “aktiv në organizimin e dërgesave të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë”.

Ai vjen nga Caserta, një zonë në veri të Napolit dhe “i specializuar në importimin e paligjshëm të kokainës” dhe shërbeu si një pikë kyçe kontakti midis klaneve mafioze dhe prodhuesve kolumbianë të kokainës.

Në Itali ka bashkëpunuar me “Casalesi”, të cilët janë pjesë e organizatës mafioze Camorra.

Belvedere ishte në kërkim që nga dhjetori 2020, kur u dënua me gati 19 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Europol punoi me hetuesit kolumbianë për të gjetur Belventerin në rajonin Medellín, ku ai u gjet përfundimisht. Një zonë që ka një histori të gjatë me bandat e kokainës, duke shërbyer si bazë për kartelin me të njëjtin emër që formoi biznesin e drogës së Pablo Escobar. Panorama

Piktura që mund t’i kushtojë Vittorio Sgarbi 4 deri në 12 vjet burg

VOAL- Mendimi i ekspertit për pikturën është i qartë, rrëfimi i falsifikatorit është i plotë. Gjithashtu, Sgarbi-n në pikturën e vjedhur e gozhdon edhe “pistoleta tymosëse”: një tub 250 ml me tempera vaji white cremnitz i blerë në fabrikën historike të bojrave “Poggi” në Via del Gesù, fare pranë nga Collegio Romano ku Vittorio Sgarbi punonte si Nënsekretar i Shtetit për Kulturën.  Karbonat plumbi dhe vaj liri, markë Michael Harding. Kushton 79.20 euro. Sgarbit mund t’i kushtojë 4 deri në 12 vjet burg.

Më 3 tetorin e kaluar, Prokuroria e Macerata mbylli hetimet për aferën Manetti, një hetim gazetaresk i Fatto Quotidiano dhe Report – i cili do të na rikthehet me një raport të transmetuar të dielën e ardhshme – që më pas u bë gjyqësor. Ish-nënsekretari i shtetit u betua se e kishte gjetur pikturën ashtu siç ishte në papafingo të vilës së tij në provincën e Viterbos. Ai tashmë akuzohet për pastrim parash, vetëpastrim dhe falsifikim të veprave të artit dhe rrezikon një dënim të rëndë për këtë. Il Fatto Quotidiano

 

‘Kampet në Shqipëri si Guantanamo’- Eurodeputeti: Qentë në Europë trajtohen më mirë se ai rezervuar…

Një tjetër eurodeputet italian është deklaruar kundër paktit Rama-Meloni për kampet e emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri.

Duke folur me tone të ashpra kundër kësaj marrëveshje, eurodeputeti i Verdi , Ignazio Marino, gjatë një seance plenare në Strazburg, i ka quajtur kampet në Shqipëri si kampe përqëndrimi dhe se ngjasojnë identike me bazën amerikane të Guantanamos në Kubë.

‘Kampi për azilkërkuesit e krijuar nga Italia në Shqipëri është “një kamp përqendrimi ” i cili ka një precedent të fundit, burgun në bazën amerikane të “ Guantanamos ” në Kubë’.

Kështu u shpreh eurodeputeti i Verdi , Ignazio Marino, duke folur në seancën plenare në Strasburg.

“Ndershmëria intelektuale – nis ai – mungon në atë pjesë të kësaj dhome që dy ditë më parë hodhi poshtë diskutimin për dëbimin dhe ndalimin, në një kamp përqendrimi jashtë kufijve evropianë, të emigrantëve që ikin për t’i shpëtuar dhunës, urisë, varfërisë. . “ Marrëveshja e qeverisë Meloni me Shqipërinë – vazhdon ai – ka një precedent: bazën e Guantanamos, ku të burgosurit mund të trajtohen jashtë ligjit. Por në rastin e Guantanamos kemi të bëjmë me dyshime për terrorizëm. Bëhet fjalë për trajtimin ‘holistik’ të njerëzve të dëshpëruar ”, thotë ai, me ironi për titullin e debatit, i cili flet për një mënyrë ‘holistike’ drejt një politike efektive riatdhesimi.

“Imagjinoj – vazhdon ai – që secili prej jush mbrëmë, duke përfshirë të nderuarin Nicola Procaccini , të cilin e falënderoj për dëgjimin, kishte një darkë të shkëlqyer dhe këtë mëngjes një dush të nxehtë gjallërues. Ja pra, vizioni holistik me fjalët e kryeministrit italian: ‘Kufijtë janë të shenjtë dhe qentë dhe derrat mbërrijnë në Evropë’. Nuk di për derrat – përfundon ai – por qentë tanë të dashur shtëpiak në Evropë marrin një trajtim shumë më holistik “se ai i rezervuar për emigrantët e sjellë në Shqipëri. sn

Kthyen në Itali emigrantët që ishin vendosur në qendrën e Gjadrit, kërcënohet me jetë një nga gjyqtarët që mori vendimin

Gjyqtarja Silvia Albano, një nga gjashtë gjyqtarët e gjykatës së Romës që vendosi për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri, është kërcënuar me jetë.

 

Agjencia e lajmeve Ansa bën me dije se Albano, e cila është edhe kryetare e Magjistratit Demokratik, ka bërë kallëzim.

“Fushata e diskreditimit që u zhvillua kundër magjistratëve romakë dhe në veçanti kundër Silvia Albanos, kontribuoi në ndërtimin e një klime opozitare, urrejtjeje, e cila përfundimisht kaloi në kërcënime serioze për sigurinë dhe jetën e saj. Për shkak të kërcënimeve të rënda të marra, Silvia Albano ka paraqitur sot një ankesë të detajuar në Prokurorinë Publike të Romës”, nënvizon Magjistrati Demokratik në deklaratën e tij.

Duke iu referuar ngjarjeve të brendshme të Këshillit të Europës, Magjistrati Demokratik nënvizon se “përballë klimës së kësaj faze, të intimidimit real të magjistratëve në ushtrimin e funksioneve të tyre, mendojmë se është e një rëndësie të jashtëzakonshme që këshilltarët e të pavarurit. Gjyqësori ka shmangur nënshkrimin e kërkesës për hapjen e çështjes për mbrojtje ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Romës”.

Venecia, hyrja në qytet do të kushtojë deri në 10 euro

Qyteti lagunor dyfishon çmimin e biletës ditore për ta vizituar, por duke prenotuar paraprakisht do të paguani gjysmën. Klientët e hoteleve dhe të miturit nën 14 vjeç janë ende të përjashtuar

VOAL- Këtë vit Venecia u bë qyteti i parë në botë ku paguhet një tarifë hyrje për vizita të shkurtra: deri tani ishte pesë euro, por në vitin 2025 turistët do të duhet të paguajnë deri në dhjetë euro për të hyrë në qytetin lagunor në Adriatik.

Taksa do të aplikohet më shpesh vitin e ardhshëm, për një total prej 54 ditësh nga mesi i prillit deri në fund të korrikut. Këtë vit ishin vetëm 29. Ata që qëndrojnë natën nuk do ta paguajnë këtë taksë. Venecia u kërkon vizitorëve ditor të paguajnë pesë euro nga ora 08:30 deri në orën 16:00. Midis prillit dhe korrikut, u regjistruan 485 000 vizitorë që paguanin, duke gjeneruar të ardhura mbi 2.4 milionë euro.

Në të ardhmen, ata që rezervojnë paraprakisht do të mund të hyjnë në qytet për pesë euro. Ata që presin deri në tre ditët e fundit të vizitës do të duhet të paguajnë dyfish. Përjashtohen klientët e hoteleve, fëmijët nën 14 vjeç dhe banorët e qytetit venecian. RSI

Reuten: Qeveria e Serbisë është problematike, situata në Kosovë nuk duhet të destabilizohet më tej

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten thotë se Serbinë aktualisht po e udhëheq një qeveri problematike.

Ai thotë se asnjë ndërkombëtar që përkrah vlerat evropiane nuk pret që Beogradi të vazhdojë me mashtrime.

Eurodeputeti ka thënë se janë mediat që kontrollohen nga qeveria serbe me narrativat e tyre, që po ndikojnë edhe tek qytetarët e serbisë.

“Jemi përballë një qeverie problematike. Unë nuk jam kundër Serbisë apo popullit serb, por ne kemi problem me qeverinë. Ne duhet t’u themi qartë autoriteteve serbe se çfarë presim prej tyre dhe çfarë jo. Ne nuk duam që ata të vijnë në Bruksel dhe të thonë se qëllimi i Serbisë është të bëhet anëtare dhe pastaj kur të kthehen në Beograd të mos thonë fjalë kaq të bukura për rrugën evropiane. Ndonjëherë ata madje vendosin të hipin në një aeroplan dhe të shkojnë në Moskë në vend që të marrin pjesë në bisedime në nivel evropian”, tha Reuten

“Duhet të jemi më të vendosur ndaj qeverisë serbe edhe kur bëhet fjalë për kërkesat që situata në Kosovë të mos destabilizohet më tej. Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për këto gjëra”, tha ai.

I pyetur se si i interpreton sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat kanë treguar se mbështetja për BE-në dhe integrimin europian ka rënë, ai mendon se “duhet parë nga këndvështrimi se janë informacione që ju serviren”.

“Mediat janë nën kontroll të qeverisë dhe ndjek narrativën që imponon qeveria. Unë jam në dispozicion edhe për këtë lloj debati, sepse është një debat për të ardhmen evropiane të qytetarëve të thjeshtë. Ata mund të fitojnë shumë në rrugën e euros dhe të humbasin shumë nëse Serbia është një faktor destabilizues në rajon,” tha ai.

I pyetur nëse mesazhi i tij mund të arrijë tek qytetarët e Serbisë, ai shprehet se shpreson.

“Edhe pse Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, mendoj se është në interes të qytetarëve serbë dhe në interesin tonë të kërkojmë mbrojtjen e mjedisit kur bëhet fjalë për këto projekte. Ky është parimi bazë kur ndërtohet një biznes me mirëbesim dhe transparent. Besoj se është në interesin e njerëzve, por duhet ta vendosim në një kontekst ku po ndihmojmë kompanitë dhe aktorët nga të dyja palët që të zbatojnë rregullat. Është mirë që bashkëpunojmë, por bashkëpunimi duhet të jetë sipas ligjit”, thekson ai. sn

Pretendime për lidhje të saj me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, kush është Marta Kos, kandidatja për komisionere të Zgjerimit

Nga 4 deri më 12 nëntor do të mbahen seancat dëgjimore për 26 kandidatë për komisionarë të Bashkimit Evropian. Çdo kandidat përgjatë tri orëve do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në komitetet që përkojnë me detyrat që ata duan të marrin. Më 2019, tre kandidatë nuk e kishin kaluar këtë proces, dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Një kandidate për komisionare që pritet ta kalojë këtë proces, është Kaja Kallas, e cila synon postin e shefes së diplomacisë të Bashkimit Evropian. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Dhe, përderisa Kallasi pritet ta kalojë me lehtësi procesin e pyetjeve të anëtarëve, kandidatja për komisionare të Zgjerimit, sllovenia Marta Kos, me gjasë do të përballet me një seancë më të stuhishme më 7 nëntor. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

Si fillim, ajo anon nga e majta, në PE-në që gjithnjë e më shumë po anon nga e djathta. Më pas janë edhe disa deklarata që ajo i ka bërë një muaj pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, kur ajo tha se Rusisë nuk duhet t’i mbyllen dyert.

Po ashtu, ka pasur pretendime për lidhje të saj me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, pretendime që ajo i ka hedhur poshtë, si dhe ka pasur ankesa nga ish-punonjësit e saj lidhur me mënyrën se si ajo e kishte menaxhuar punën derisa shërbente si ambasadore e Sllovenisë në Gjermani.

Përderisa shumica e pyetjeve pritet të përqendrohen në mënyrën se si ajo do të sigurohet që shtetet aspiruese, si në Ballkanin Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), ashtu edhe ato në lindje (Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina), të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, ka edhe çështje të tjera që eurodeputetët do të ngrenë në seancën e 7 nëntorit.

Një çështje kyç është nëse Kosi do të zotohet për ndonjë datë për zgjerimin e ardhshëm gjatë mandatit të saj, që nëse emërohet në këtë post, do t’i përfundonte më 2029. Për shembull, Mali i Zi dëshiron të bëhet anëtar deri më 2028, por a mendon ajo se kjo është e realizueshme? Moldavia dhe Ukraina synojnë të jenë pjesë e bllokut evropian deri më 2030, por a mendon Kosi se kjo është e realizueshme?

Sigurisht, afatet kohore janë të ndërlikuara dhe nuk varen vetëm nga ajo. Ajo, po ashtu, është vetëm udhëheqëse dhe nuk është vendimmarrëse. Dhe, fakti mbetet që asnjë shtet nuk i është bashkuar BE-së që kur Kroacia u anëtarësua më 2013 dhe çdo shtet aktual mund të vendosë veto ndaj hapjes apo mbylljes të kapitujve të anëtarësimit në BE.

Për më tepër, në letrën e misionit që Von der Leyen i ka dërguar Kosit, ajo po ashtu nuk zotohet për zgjerim. Në letër vetëm thuhet që “ju do të punoni në integrimin gradual të shteteve kandidate, teksa ata punojnë për t’iu bashkuar BE-së”.

Edhe pse, nëse miratohet, ajo mund të mos shohë ndonjë shtet të ri duke iu bashkuar BE-së gjatë mandatit të saj, Kos me gjasë do t’i shohë shumë prej tyre duke bërë përparim drejt bllokut. Në pjesën e parë të vitit 2025, Moldavia dhe Ukraina pritet të hapin kapitujt e parë për anëtarësim në BE dhe në mënyrë de facto të nisin procesin e negociatave.

Deri më tani duket se ka pak rezistencë lidhur me anëtarësimin e Moldavisë në bllok, dhe do të jetë interesante të shihet se si Kosi do të merret me shtetet anëtare, veçmas me Hungarinë, dhe ndoshta edhe Sllovakinë, shtete që kanë shprehur rezerva për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës. Për shembull, a do të ishte ajo në favor të ndarjes së kandidaturave të Ukrainës dhe Moldavisë?

Përderisa Bosnjë e Hercegovina po shpreson të nisë hapjen e kapitujve, Sarajeva duhet të plotësojë kushte, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mund të ndodhë që Marta Kos të jetë komisionarja që do ta tërheqë Malin e Zi drejt vijës së finishit, apo të paktën ta afrojë. Podgorica i ka hapur negociatat në 33 kapituj politikë të pranimit, por ka arritur t’i mbyllë vetëm tre prej tyre. Në këtë pikë, Mali i Zi është më afër që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së dhe ka pasur një ndjesi në mesin e diplomatëve që e përkrahin zgjerimin dhe politikanëve në Bruksel se blloku duhet t’u tregojë edhe anëtarëve të tjerë të mundshëm se zgjerimi, në të vërtetë, është i mundshëm.

Por, nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Përderisa Shqipëria së fundi hapi kapitujt e parë dhe bëri përparim të mirë, procesi i anëtarësimit të Serbisë mund të vazhdojë të pengohet nga kundërshtarët e Rusisë në mesin e shteteve lindore të BE-së, që kundërshtojnë lidhjet e ngushta të Beogradit me Moskën.

Qeveria e re centriste e Maqedonisë së Veriut ka pak të ngjarë ta plotësojë kërkesën bullgare që ta ndryshojë Kushtetutën e shtetit në mënyrë që Shkupit t’i hapet rruga për nisjen e bisedimeve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, po ashtu, i referohet shtetit me emrin “Maqedoni”, duke e zemëruar fqinjin jugor, Greqinë, që për dekada kishte mospajtime me Shkupin lidhur me çështjen e emrit të shtetit.

Gjetja e mënyrave që Maqedonia e Veriut të ketë raporte më të mira fqinjësore si me Bullgarinë, ashtu edhe me Greqinë, do të jetë një çështje për të cilën Kosi do të pyetet nga eurodeputetët. Nëse ajo emërohet në postin e komisionares për Zgjerim, ajo do të kalojë shumë kohë duke u marrë me këto çështje të ndjeshme.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është bllokuar në Këshillin Evropian, ku marrin pjesë të gjitha shtetet anëtare, pasi shtetet mosnjohëse të Prishtinës, sikurse Spanja, nuk kanë vullnet që ta dërgojnë aplikimin për vlerësim në Komisionin Evropian, që ndodhet matanë rrugës. Me shumë gjasa, Kosi do të thotë se ajo është e gatshme që ta autorizojë vlerësimin, por përfundimisht, kjo çështje nuk do të jetë në duart e saj.

Më pas është çështja e Gjeorgjisë, rruga evropiane e së cilës është ndërprerë për shkak të disa ligjeve kundërthënëse të miratuara nga Qeveria aktuale. Seanca dëgjimore e Kosit do të mbahet pas zgjedhjeve parlamentare të Gjeorgjisë më 26 tetor që kanë rol kyç. Prandaj, përfundimisht pritet që ajo të përballet me disa pyetje për këtë shtet.

Gjeorgjia, tash për tash, nuk përmendet me emër në letrën e misionit, në të cilën thuhet se “ju duhet të zhvilloni një qasje të koordinuar për të mbështetur shtetet në Kaukazin Jugor, përfshirë për lidhjet rajonale”.

Përfshirja e Gjeorgjisë me një grup me Azerbajxhanin, që është një shtet jodemokratik i cili nuk ka interes që t’i bashkohet BE-së, dhe me Armeninë, që mund të ketë interes të anëtarësohet, por ngurron nga frika se nëse aplikon për anëtarësim në BE, Moska mund të zemërohet, është diçka e çuditshme. REL

Një ish-ushtarak, tashmë eurodeputet pritet të jetë raportues për Kosovën në PE

Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, pritet të emërohet raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Për emërimin e tij në këtë post duhet të pajohet grupi i PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme. Por, burime të Radios Evropa e Lirë në PE thanë se Terras pritet të emërohet nga ky grup.

Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Tani i takon secilit grup që nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.

Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti dhe kësaj radhe ky grup do të ketë postin e raportuesit për Maqedoninë e Veriut.

Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.

Raportues për Serbinë në PE do të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula. Ai veçse e ka bërë publike emërimin e tij në këtë post.

Ndërkaq, për Shqipërinë, raportues pritet të jetë Andreas Schieder nga socialdemokratët. Për Maqedoninë e Veriut pritet të jetë deputeti i të Gjelbërve, Thomas Waitz, nga Austria si dhe deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, pritet të jetë raportues për Malin e Zi.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm për Bosnjë e Hercegovinën nuk dihet se kush do të jetë raportues në PE.

Raportuesit e rinj për pesë vjetët e ardhshëm do të ndjekin nga afër zhvillimet në vendet përkatëse dhe do të përpilojnë raportet vjetore. Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre shteteve në procesin e reformave dhe përmbushjes së kritereve për integrim në BE./REL/

Kandidatët e KE-së në seanca dëgjimore – pyetje edhe për Kosovën

Kaja Kallas duke folur për mediat gjatë pjesëmarrjes në një samit të BE-së në Bruksel në dhjetor të vitit 2023.

 

Rikard Jozwiak

Derisa pjesa më e madhe e botës pritet të përqendrohet në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe rezultatet e tyre, Bashkimi Evropian do të jetë i zënë me krejt diçka tjetër: seancat dëgjimore për 26 komisionarët, të cilat janë caktuar nga data 4 deri më 12 nëntor.

Secili kandidat, për tri orë, do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në një komitet që lidhet me portofolat e tyre.

Herën e fundit, më 2019, tre kandidatë nuk kanë kaluar. Diçka e ngjashme mund të ndodhë përsëri dhe të çojë në seanca shtesë dëgjimore, gjatë nëntorit.

Ajo që pritet të kalojë, është shefja e pritshme e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo që do të jetë interesante në seancën e saj të 12 nëntorit, është të shihet se nëse dhe sa do ta zbusë retorikën e saj të ashpër ndaj Kinës dhe Rusisë, për t’iu përshtatur postit të ri, ku diplomacia dhe gjetja e konsensusit për çështjet e politikës së jashtme janë shumë të rëndësishme.

Gjykuar nga letra e misionit të Von der Leyenit drejtuar Kallasit, pjesa më e madhe e pyetjeve do të jetë për Ukrainën.

Në letrën e misionit – e cila është një dokument publik që përshkruan atë që presidentja pret nga një komisionar gjatë pesë vjetëve të ardhshëm – thuhet: “Ne do të punojmë ngushtë së bashku, për të siguruar se Evropa qëndron me Ukrainën për aq kohë sa i duhet – ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht – dhe mbështet integritetin e saj territorial”.

A mund të ofrojë Kallas diçka të re këtu?

Kievi pritet t’i hapë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm dhe mbështetja financiare e BE-së për Ukrainën, për vitin 2025, është siguruar.

Deri më tani, BE-ja ka ndërmarrë 14 runde sanksionesh kundër Rusisë, por, sipas diplomatëve në Bruksel, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që vendet anëtare të binden për të miratuar masa shtesë kundër Moskës.

Ndaj, do të jetë interesante të shihet nëse Kallas do të marrë një qëndrim më të ashpër – për shembull duke parandaluar anashkalimin e sanksioneve me shtimin e kompanive të vendeve të treta apo edhe vende të treta në listën e zezë të BE-së.

BE-ja ka mekanizma për ta bërë këtë, por listat, deri më tani, kanë mbetur bosh.

Nëse miratohet – dhe çështja është kur dhe jo nëse – Kallas ka të ngjarë të paraqesë një regjim të ri sanksionesh, që do t’i ketë në shënjestër kërcënimet hibride ndaj BE-së.

Një regjim i ri që merret me veprimet subversive ruse ndaj bllokut, është miratuar së voni, por Kallas pritet të shtyjë përpara një mekanizëm global.

Shumë eurodeputetë sigurisht se do ta nxisin Kallasin që ta përfshijë korrupsionin si një vepër të sanksionueshme në “Aktin Magnitsky” të BE-së, i cili përcakton sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut në Rusi.

Kjo është diçka që është shmangur nga shefat e mëparshëm të politikës së jashtme të BE-së dhe ata që e mbështesin një masë të tillë, shpresojnë se ajo do të nënkuptojë shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në BE, për të paguar rindërtimin e Ukrainës.

Të dyja këto lëvizje kërkojnë unanimitet dhe do të jetë detyrë e Kallasit për ta realizuar atë.

Si Von der Leyen, ashtu edhe Parlamenti Evropian do të duan që Kallas të përpiqet të marrë më shumë vendime të politikës së jashtme të BE-së, me votim nga shumica.

Ndoshta aspekti më kurioz i letrës së misionit të Von der Leyenit është se ajo nuk përmend Ballkanin Perëndimor apo Kinën. Por, eurodeputetët me siguri se do ta pyesin atë për të dyja.

Ka gjasa që ajo të njoftojë në seancë dëgjimore se udhëtimi i saj i parë si komisionare do të jetë në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket këtij rajoni, ajo me siguri se do të pyetet se si synon ta ringjallë dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Paraardhësit e saj, Federica Mogherini dhe Josep Borrell, nuk arritën shumë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

A do të ketë Kallas një qasje më praktike me takime të rregullta me udhëheqësit e dy vendeve, apo do t’ia delegojë bisedimet ndonjë përfaqësuesi të posaçëm, siç ka bërë Borrell?!

BE-ja ka vendosur së voni tarifa për automjetet elektrike kineze dhe Kallas ka të ngjarë të pyetet nëse ajo ka sektorë të tjerë në planet e saj. Ajo, gjithashtu, do të jetë nën presion për të treguar nëse do ta përndjekë Kinën, po qe se ajo vazhdon ta ndihmojë luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Pasi që seanca dëgjimore zhvillohet një javë pas zgjedhjeve në SHBA, pritet të ketë pyetje edhe për marrëdhëniet e ardhshme me Uashingtonin, sidomos nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Kallas, sipas njerëzve që e njohin, i mbështet fuqishëm marrëdhëniet transatlantike, por ajo do të pyetet për nevojën që BE-ja të zhvillojë një lloj “autonomie strategjike” – një koncept ky që shumë në pjesën lindore të bllokut e shohin si një plan të Francës për të zvogëluar ndikimin e SHBA-së dhe për të ngritur të vetin.

Një nga detyrat e saj kryesore, së bashku me portofolin e sapokrijuar të mbrojtjes – që i është dhënë ish-kryeministrit lituanez, Andrius Kubilius – do të jetë hartimi i një ‘letre të bardhë’ për të ardhmen e mbrojtjes evropiane, në 100 ditët e para të mandatit të saj.

Si gjithmonë, pyetja prej një milion dollarësh është se sa para duhet të jepen për të ndërtuar një industri evropiane të mbrojtjes – plus, nëse BE-ja do të punojë me kontraktorë të mbrojtjes jashtë BE-së?!

Dhe pastaj, natyrisht, është kriza në Lindjen e Mesme. Me shtetet anëtare të ndara sa i përket Izraelit, është e qartë se BE-ja nuk ka shumë dëshirë që ta formësojë situatën tani.

Por, sapo të qetësohet pluhuri, ka thirrje për një plan të fortë. Siç thuhet në letrën e misionit: “Ju do të çoni përpara një strategji gjithëpërfshirëse të BE-së për Lindjen e Mesme, me plane pas luftës në Gazë, duke u fokusuar në promovimin e të gjithë hapave të nevojshëm për zgjidhjen me dy shtete dhe forcimin e partneriteteve me aktorët kryesorë rajonalë”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Ish-kryeministri italian Renzi: Ju e patë si e nxorën me forcë nga makina ish-presidentin shqiptar, imagjino si mund t’i shohin këto pamje emigrantët

Ish-kryeministri Italian, Matteo Renzi ka risjellë snë vëmendje çështjen e migrantëve dhe marrëveshjen Rama-Meloni, për t’i transferuar ata në Shqipëri dhe tentativat e  pasardhëses së tij që të hedhë poshtë vendimin e gjykatës së Romës përmes një dekreti ligjor.

Gjatë një interviste për telesvizioni  La7, në Itali, Renzi thotë se Shqipëria nuk është një vend i sigurtë, siç pretendon kryeministerja Giorgia Meloni, teksa iu referua pamjeve të arrestimit të ish-presidentet të Shqipërisë, Ilir Meta.

Vetë ish-kryeministri Italian, Mateo Renzi e pranon se përmes këtyre pamjeve, autoridetet shqiptare kanë dy standadre, sa i përket sigurisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

‘Ne e dimë që autoritetet shqiptare kanë standarde të ndryshme. Ju e patë në Shqipëri, se çfarë ndodhi me arrestimin e ish-presidentit të Shqipërisë. Ju i patë pamjet duke e nxjerrë me forcë nga makina ish-Presidentin e Republikës. Emigrantët bengalezë ndoshta mund t’i shohin këto pamje dhe imagjinojnë këtë, dhe se çfarë mund të ndodhë me ta’.

Sipas Renzit është e pamundur që miliona euro të taksapaguesve italianë të shkojnë dëm, në një kohë kur ato fare mirë mund të adresoheshin për problemtaikat në fusha të ndryshme të jetës socio-ekonomike atje.

VIDEO (Komenti, minuta 05:05)

Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE-në, duhet ta njohë Kosovën

Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, e cilëson procesin e Berlinit një sukses të madh, teksa falënderon Kosovën që zhbllokoi marrëveshjen e CEFTA-s.

Sa i përket dialogut, Hacker vlerëson se duhet një qasje e re dhe se Lajçak nuk ka qenë i drejtë. Sipas tij, masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe duhet të hiqen menjëherë.

Duke kritikuar ato që i sheh si veprime jo demokratike e të dëmshme të Serbisë, deputeti gjerman thotë se për të hyrë në BE, vendi duhet të njohë Kosovën.bw

Italia Viva dërgon të hënën Melonin në Gjykatë: Shpërdoroi paratë e italianëve me kampin e emigrantëve në Shqipëri

Deputeti italian Francesco Bonifazi, ka deklaruar se të hënën partia e tij do të dërgojë në Gjykatën e Audituesve kryeministren Georgia Meloni.

Qëllimi pas këtij veprimi ligjor është bërë pikërisht kampi i emigrantëve në Shqipëri.

Bonifazi shkruan në rrjetet sociale se paratë e përdorura për ndërtimin e kampit, mund të përdoreshin për familjet italiane.

“Të hënën e ardhshme ne do të paraqesim një ankesë formale në Gjykatën e Audituesve duke denoncuar Giorgia Melonin si përgjegjëse për shpërdorimin e parave publike të lidhura me skandalin e qendrës së emigrantëve në Shqipëri.

Ajo që po shohim është një skandal për familjet italiane: paratë duhet të shkonin për karabinierët, shëndetësinë, të rinjtë”, shkruan ai.bw

“Mollë sherri” mes Melonit dhe Gjykatës së Romës- U nis sot nga Shëngjini, mbërrin në Bari anija me 12 emigrantët

Ka mbërritur në Bari anija me emigrantët e kthyer nga Shqipëria, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Romës, se emigrantët i përkisnin vendeve të origjinës jo të sigurta.

Lajmi raportohet nga La Repubblica, ndërsa theksohet se kjo po ndodh mes “përplasjeve” të kryeministres së Italisë Georgia Meloni dhe gjykatës në lidhje me vendimin.

12 emigrantët ishin akomoduar prej 3 ditësh në kampin e Gjadrit, ndërsa ishte një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit ajo që kreu transportimin e tyre.

Më pas emigrantët do të akomodohen në një qendër pritjeje, ku do të kenë një afat 14 ditor për të apeluar vendimin që refuzon azilin e tyre.

Më herët gjatë ditës, gazetari Elidon Ndreka ka raportuar se pavarësisht largimit të emigrantëve, kampi i Gjadrit do të vazhdojë të jetë funksional dhe aty do të akomodohen vetëm emigrantët që konsiderohen se mbërrijnë nga vendet e sigurta, sipas Qeverisë italiane.bw


Send this to a friend