Deputeti Spartak Braho ka hyrë në Burgun 302 për të takuar një të paraburgosur që ndodhet aty.
Përgjegjësi i Sallës Operative dhe Emergjencave në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Gëzim Fejzollari, është zyrtari që monitoron çdo lëvizje në të gjitha burgjet e vendit.
Gazetari Artan Hoxha kishte thënë se një deputet takoi një të paraburgosur në burgun 302, një personazh shumë i njohur që ndodhet në një proces për vrasje të policëve dhe që mund të kenë biseduar në lidhje me kërcënimet që i ishin bërë kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Zyrtari i lartë i Drejtorisë së Burgjeve konfirmon vizitën në paraburgimin e Burgut 302 në kryeqytet, të kryetarit të Komisonit Parlamentar të Sigurisë dhe deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho. Fejzollari tregon edhe emrin e të paraburgosurit që ka takuar deputeti.
“Me sa kam informacion, ka takuar të paraburgosurin Iljaz Labi. Ai është i paraburgosur si gjithë të tjerët dhe nuk gëzon ndonjë status të veçantë nga pikëpamja ligjore”, thotë Fejzollari.
Sipas Fejzollarit, nuk ka asnjë urdhër të Prokurorisë që i paraburgosuri në fjalë të ndalohet të takohet me persona të tjerë.
“Nuk ka urdhra të tillë! Është si të gjithë të paraburgosurit e tjerë”, thotë ai.
Fejzollari shpjegon se ka një ligj që liston edhe zyrtarët apo personat që kanë të drejtë të futen në ambientet e paraburgimit ose burgimit pa leje të posaçme nga autoritetet.
“Në nenin 43 të ligjit në fjalë, përcaktohet qartë kush janë personat që lejohen të futen në ambientet e paraburgimit dhe burgimit. Konkretisht janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e gjykatave dhe prokurorët”, sqaron Fejzollari.
Takime të ketyre zyrtarëve me të dënuar ose të paraburgosur, kanë si parakusht një deklarim formal me titullarin e institucionit mbi qëllimet e takimit.
/ Top Channel
Komentet