Arkitekti shqiptar Gjon Radovani ka projektuar dhe po ndërton kishën e shenjtorit të parë jo klerik me ngjyrë në historinë e Kishës. Kisha e pelegrinazhit dedikuar Benedict Samuel Tshiman-gadzo Daswa është gati për t’u ndërtuar në Tchachanini, provinca e Limpopo në Afrikën e Jugut. Benedict Samuel Tshimangadzo Dasëa punoi deri në fund të jetës së tij për t’i dhuruar lirinë spirituale njerëzve dhe për t’i çliruar ato nga robëria e shtriganerisë dhe e së keqes.
Një hapësirë sakrale ku e brendshmja dhe e jashtmja shkrihen natyrshëm me njëra tjetrën në transparencë, harmoni dhe ekuilibër. Një strukturë e aftë për t’i ofruar akomodim në ekuilibër me hapësirën si një mase të vogël të përditshme ashtu edhe masave të mëdha të pelegrinëve në ditët përkujtimore. Një homazh për të Lumturuarin e parë të Afrikës së Jugut, shkruan autori për “Milosao”.
NGA GJON RADOVANI
Të projektosh një objekt që të jetë i denjë të transmetojë nga njëra anë të gjithë thjeshtësinë dhe njëkohësisht madhështinë e dogmës kristiane, të materializuar në jetën dhe në veprën e një shenjti, si dhe nga ana tjetër të bësh të mundur që i njëjti kompleks të ofrojë një harmoni raportesh hapësinore si në rastin e përdorimit të tij në përditshmëri nga një numër relativisht i vogël besimtarësh,por njëkohësisht edhe në ditët përkujtimore nga një numër me qindra herë më të madh pelegrinësh, është sfida më tërheqëse dhe e vështirë e këtij projekti.
Çdo linjë, çdo sipërfaqe, çdo volum, çdo element i integruar në këtë kompleks sakral, çdo material, ngjyrë dhe teksturë duhet ti shërbejë misionit të objekteve kishtare, atij të krijimit të një kulise e cila optimizon mundësinë e krijimit të një raporti intensiv ndërmjet besimtarit dhe krijuesit duke përcjellë në mënyrë të patjetërsueshme dhe të qartë mesazhin e dogmës pa e trivializuar atë, të mbështjellë me „fashinon” dhe shenjtërinë e misterit të fesë.
Kultura afrikano-jugore, shpirti enorm dhe ekstroversiteti karakterial i komuniteteve të vendit i demonstruar në rite dhe në forma thellësisht spirituale, që demonstrojnë më së miri forcën e amplifikuar që gjeneron harmonia e grupit dhe e ritit, nën ndikimin e misticitetit të besimit, ishin lajtmotivi që shoqëroi të gjithë projektimin e këtij kompleksi.
Funksionet kryesore të strukturës
Meqenëse funksioni kryesor dhe më sinjifikativ i këtij kompleksi sakral do të jetë pritja e pelegrinëve nga e gjithë Afrika e Jugut por edhe e shteteve përreth, u pa e arsyeshme që te gjendet si leitmotiv për projektin një element që të asosacion menjëherë me pelegrinin. Pelegrini në rrugën e tij drejt vendit të pelegrinazhit merr me vete nga njëra anë bindjen e tij të palëkundur për nevojën e pelegrinazhit dhe nga ana tjetër çadrën e cila i lejon atij të kalojë netët në ecurinë e tij spirituale. Pikërisht kjo çadër u mor si simbol i këtij procesi të rëndësishëm spiritual dhe u shndërrua në një „Tendën të Madhe”, në „Tendën e Tendave”, në një objekt që shënjon kulmimin e procesit, në një vend ku materia dhe shpirti bëhen një, të shkrirë në dëshirën, nevojën dhe në destinin natyral të njeriut trashendental për tu afruar sa më tepër me krijuesin e tij.
“Tenda e Tendave” do të ofrojë mundësinë kryerjes të të gjithave ritualeve eukarestike, do jetë njëkohësisht dhe habitati i ri i ashtrave të shenjtorit dhe do të facilitojë të gjithë jetën komunitare të besimtarëve.
Fleksibiliteti i kësaj strukture do lejojë që edhe meshat e përditshme apo të përjavshme të shërbehen me të gjithë dinjitetin dhe misticitetin që ofron një kapelë e vogël e një shenjti dhe e një bashkësie, por ajo me hapjen e saj do të lejojë që nga i njëjti presbiterium, nga i njëjti altar, nga i njëjti ambo, nga i njëjti tabernakël të bejë vend edhe për mijëra pelegrinë dhe të gjithë të ndihen të përfshirë brenda „Tendës së Madhe” të besimit, të ndihen të përqafuar dhe të mbrojtur nga ajo, të ndihen si të mbështjellë nga „Sakra Sindone” (Sindone e shenjtë), të ndjehen të përfshirë në bekimin e Zonjës Mari.
Jam i bindur se me një strukturë të tillë, respekti njerëzor që i bëhet martirizimit të shenjtit dhe rrezatimi që do të transmetojë ajo në botën religjioze dhe profane, do të ndihmojnë ekstremisht në përhapjen e mesazhit të fesë, të paqes dhe të bashkëjetesës ndërnjerëzore edhe në rastet kur filozofitë e jetës, prejardhja dhe përkatësia sociale janë të ndryshme.
Afrika e Jugut ka vuajtur si pak vende të tjera në botë torturën e padrejtësisë racore dhe sociale. Me Lumturimin e Benedict Samuel Tshimangadzo Dazwa dhe me ndërtimin e kishës kushtuar Benedikt Dasëa komuniteti ndërkombëtar dhe afrikanojugor bën vetëm një gjest të vogël por shumë domethënës në tentativën e shërimit të plagëve njerëzore dhe sociale të shkaktuara njerëzve nga vetë njerëzit.
Me Qendrën Benedict Dasea ne materializojmë vendkujtimin e jetës dhe veprës së një martiri shumë të rëndësishëm për të gjithë kontinentin afrikan, që siç tha Monsignor Slattery me daten 13 shtator 2015 në ceremoninë e lumturimit të Benedickt Daswa-s:
“ …Daswa është si Mandela, një simbol i lirisë. Daswa dhe Mandela kanë qënë të drejtuar nga një vizion i lirimit nga skllavëria. Mandela ka kaluar jetën e vet duke kërkuar të çlirojë popullin e vet nga gijotina e appartaid-it. Daswa në jetën e tij ka eksperimentuar çlirimin e brendshëm nga shtriganeritë dhe nga e keqja. Pastaj ka tentuar të ndihmojë të tjerët ta jetojnë këtë liri duke ju hapur Krishtit dhe duke shijuar gëzimin e Vangjelit. Mund të thuhet se Daswa dhe Mandela janë komplementarë, sepse njerëzit kanë edhe nevojën e lirisë eksteriore dhe të asaj interiore për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë….”.
*Një variant i gjatë i artikullit është bërë në periodikun kushtuar arkitekturës në Gjermani. Titulli origjinal është “Aspekti njerezor i zhvillimit të qëndrueshëm” publikuar nga “Claim for Dignity”.
Komentet