Në emisionin Vetting në News24 janë trajtuar aktivitetet e guroreve, që duket se janë biznese fitimprurëse për ata që i zotërojnë, por në anën tjetër shkatërrojnë pronat dhe jetët e qytetarëve të zonave ku ushtrohen këto aktivitete.
Dimali është zona më e prekur, pasi atje ushtrojnë aktivitetin e vazhdueshëm 22 gurore. Kamerat e emisionit Vetting faktojnë se si retë e mëdha të tymit mbulojnë të gjithë hapësirën e Bashkisë Dimal, ndërsa ndotja është në nivele alarmante.
Dhe sipas ekpertëve të mjedisit, guroret jo thjesht kanë impakt te bimësia, por po dëmtojnë seriozisht jetën e qytetarëve.
Dimali, dikur i njohur si Ura-Vajgurore, është një nga zonat më të prekura nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore. Ky qytet ka 22 gurore në territorin e tij, duke mbajtur rekord me numrin më të lartë në Shqipëri. Kur e viziton këtë qytet, ajo që të bie në sy është jo vetëm shtrirja e guroreve përreth, por një shkatërrim total i kodrinave, ku nuk ka më thjesht shenja të shfrytëzimit, por shihet qartë dëmtimi i parikuperueshëm që i është bërë natyrës.
Në këtë zonë, aktiviteti i guroreve është zhvilluar për vite me radhë, pa u ndalur, dhe gjatë filmimeve nga ekipi i “Vetting”, një re e madhe tymi mbulonte të gjithë territorin e Dimalit, duke mbuluar edhe fshatrat e Pashallisë, Guri i Bardhë dhe Konezbaltë. Kjo ndotje ka marrë përmasa alarmante, duke krijuar një situatë dramatike për banorët e zonës. Shtëpitë që ndodhen ngjitur me guroret janë të mbuluara nga pluhuri, si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit industrial. Ky peisazh i shkatërruar është dëshmi e papërgjegjshmërisë së institucioneve ndër vite.
Pluhuri, jo vetëm që ndikon në cilësinë e ajrit, por gjithashtu ndalon plotësisht aktivitetet bujqësore në tokat e zones mbuluar me një shtresë të dendur që ju ndalon bimëve proceset organike natyrore.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku përveç shëndetit të njeriut, guroret kanë impakt dhe te bimësia.
“Besoj kushdo e ka vënë re që në afërsi të tyre, të karrierave të gurit, pothuajse gjethet e bimësisë janë kthyer jo të gjelbra por kanë marrë ngjyrën e pluhurit të bardhë”, u shpreh për “Vetting” Abdulla Diku.
Një nga banoret e prekura nga kjo situatë tregon për “Vetting” situatën dramatike, që e përndjek për shkak të guroreve.
“Unë jam e tmerruar, e kam vënë urdhëro shikoje, e kam vënë shtëpinë në shitje se nuk duroj dot më, jam e sëmurë, jam me mushkëri të copëtuara, jam me, më është mbushur veshka, po ta shohësh, kam fletën e analizave, më është mbushur veshka plot me kiste e kam veshkën? Pse? Nga ky tym!”, tha për “Vetting”, Shkenca Hyka.
Ajo është banore e lagjes Pashalli në Dimal. Shtëpia e saj mbulohet e para nga tymi dhe ndjen më fort tronditjet nga eksplozivi dhe zhurma që vjen nga guroret.
E prekur nga drama sociale që i kanë shkaktuar guroret, Shkenca rrëfen për “Vetting” se ka ardhur herët në këtë qytet për të krijuar kushte më të mira, por hapja e guroreve i ka sjellë pasoja të rënda shëndetësore dhe ekonomike për të dhe familjen e saj.
Edhe pse shpreson të riparojë shkatërrimet e shtëpisë nga shpërthimet me eksploziv, Shkenca kërkon nga bizneset e guroreve që të respektojnë ligjin, pasi përpunimi i gureve duhet të bëhet nëpërmjet ujit për të shmangur ndotjen.
“Po bëhemi problematikë, unë javën e parë, dy herë në polici, as që u ndjenë fare, puna vazhdoi normalisht, që nuk dilja dot”, shprehet e zhgënjyer Shkenca,e cila priste ndihmë nga Policia e Shtetit.
Duke folur për problemet me ndotjen nga guroret, Shkenca kujtohet që kishte nxjerrë për t’u tharë rrobat e lara të nipit të vogël dhe me nxitim tenton t’i heqi pasi pluhuri ka pushtuar komplet zonën.
Në oborrin e kësaj shtëpie ka disa hardhi që kanë prodhuar rrush, por sipas banores nuk mund të konsumohen.
Sipas biologut dhe drejtuesit të “EcoAlbania” Olsi Nika, tymi i guroreve ka pasoja serioze mbi florën dhe faunën, ashtu edhe për njeriun.
“E gjitha ajo grimca e ngelur pezull hyn në mushkëritë tona dhe patjetër ndikojnë te bimët duke i veshur, duke pamundësuar ose duke mininimizuar ritmin e frymëkëmbimit, të fotosintezës, të frymëmarrjes së bimëve. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm”, tha për “Vetting” drejtuesi i “EcoAlbania”.
Në momentin që largohemi nga Shkenca për të intervistuar një banor aty pranë që është duke punuar tokën, guroret ndërpresin veprimtarinë, pasi janë sinjalizuar nga kamionat për prezencën e gazetarëve tanë në terren.
Një nga banorët që ka tokën aty afër, Sotir Pilua tregon se ka probleme me tokën bujqësore pasi ujërat e gurores kullojnë te kanali ngjitur me tokën e tij.
“Edhe bimësia, ja e mbjell, do ta mbjell grurë, nuk bën përpjetë, do ta mbjellë hasëll për dhëntë, kam nja dy tre dhënë, i bie këtu nuk kullosin. Vetëm tym do hanë ato, ca do hanë ato, tymin e gurores ?!”, shprehet për “Vetting” Sotir Pilua.
Për “Vetting”, Pilo tregon se edhe ai nuk ka probleme vetëm me ndotjen nga guroret, por edhe me shtëpinë ku banon.
“Te shtëpia kam problem tymin. Na tymosin, na kanë bërë kështu blozë! Se kur kthen era që këtej, kur kthen për andej, këtej paradite na vjen këtej tymi (bën me shenjë për te toka bujqësore), mbasdite më vete në shtëpi”, tha Pilua, i cili nuk është optimist për reagimin e institucioneve shtetërore.
Problemi me ujin e kanalit që përmbytet nga ujërat e guroreve mund të ketë pasoja më të rënda për tokën pasi sipas ekspertëve këto ujëra tashmë kanë metale të rënda.
“Nëse shkëmbi përmban minerale, ka edhe metale të rëndë, që shkojnë në ujëra, përfundojnë në det, një pjesë e tyre janë edhe të dëmshme për shëndetin sepse përfundojnë në produktet bujqësore blegtorale dhe shumë nga metalet e rëndë janë kancerogjene”, tha për “Vetting” biologu Aleko Miho.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e vetmja kompani në zonën e Dimalit, që ka bërë rehabilitimin e zonës është “AGBES CONSTRUCTION”.
Nga informacionet e siguruara, kjo kompani me leje minerare të marrë që në vitin 2003 ka rehabilituar rrugën hyrëse për në shkallën e parë të lejes minerare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në 15 maj 2018 po në këtë zonë janë marrë masa me pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të evidentuara ndaj kompanive “Shpiragu B” sh.p.k, “AKS” shpk, “2 Po 6” shpk, “Klisal” shpk, “Mustafai” shpk, “Vëllezërit Llupo” shpk, “Agbes Construksion” shpk, “Zhopi” shpk, “Admir” shpk, “Guri i Bardhë” shpk, “Beta” shpk, ndërkohë që është gjobitur kompania “Salillari” shpk.
Komentet