Voal – Dekreti i presidentit Nishani që ktheu mbrapsht masat shtesë për sigurinë publike është shoqëruar me debate mes deputetit të PS-së, Pjerin Ndreu dhe kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, sot në Komisionin parlamentar të Sigurisë.
Në fund të mbledhjes, pas diskutimesh, shumica e rrëzoi dekretin e presidentit.
Komisioni i Sigurisë ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës ndryshimet në ligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”, i cili u kthye me dekret nga Presidenti i Republikës në Kuvend.
Projektligji i shumëdebatuar kësaj radhe u votua edhe nga PS-ja dhe nga LSI-ja, por mbledhja u shoqërua me një debat jo të zakontë.
Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, është revoltuar dje në Komisionin e Sigurisë përse ai ishte mënjanur si relator i projektligjit dhe nga negociatat që u zhvilluan disa ditë më parë mes ministrit Tahiri, deputetit Lutaj, kreut të Komisionit, Braho dhe kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, raporton “Panorama”.
Pjerin Ndreu tha dje se ai nuk dinte asgjë për ndryshimet që ishin bërë në projektligj dhe për këtë arsye nuk mund të votonte siç tha ai “qorrazi”.
Por kreu i Komisionit, Spartak Braho, ironizoi me Ndreun duke thënë se nuk kishte lënë ndonjë gjurmë si relator, ndaj dhe nuk ishte informuar. Ky i fundit u shpreh i acaruar gjatë mbledhjes dhe tha se tërhiqej nga roli i relatorit.
“Meqenëse ju zoti kryetar keni këtë mendim që unë nuk kam lënë gjurmë, atëherë unë tërhiqem nga relativi, vazhdoni me relatorin tjetër”, tha dje Ndreu, por Braho sërish e ka ironizuar duke thënë: “Se mos na ikën dhe nga mbledhja”.
Gjatë mbledhjes tonet i acaroi edhe deklarata me ironi e deputetit të PS-së, Piro Lutaj, karshi kolegut të tij, Pjerin Ndreu, duke përdorur në kuptimin pezhorativ termin “polic”.
“Ne këtu nuk bëjmë punë profesionale për punonjësit e Policisë. As ne që s’jemi policë që të mësojmë profesionin e policit”, tha Lutaj.
Më pas, Flamur Noka ka shfrytëzuar rastin për të bërë diversion. “Ti mos ofendo kolegët, mos i quaj policë”, tha Noka, por socialisti Lutaj iu kthye: “Flamur, ti je bërë polic pa qenë, unë nuk bëhem dot”.
Replikat
Flamur Noka: Ligji është kthyer mbrapsht nga Presidenti dhe ai është detajuar me arsye pse është rikthyer në Kuvend, dhe pse ky ligj nuk hyn në fuqi. Dua të di nga përfaqësuesit e ministrisë çfarë ndryshimesh i kanë bërë këtij ligji që na e kthejnë prapë për të diskutuar. Çfarë ka ndryshuar?…
Spartak Braho: Ministria e Brendshme sot është palë dhe dëgjon. Nuk di gjë Ministria e Brendshme se çfarë ndryshimesh janë bërë. Merr pjesë në shqyrtimet që bën Komisioni i Sigurisë. Ne rifillojmë procesin mbi bazën e ndryshimeve të propozuara nga ekspertët e Komisionit këtu. Për sa i përket relatorit, është e vërtetë që ishit ju (Pjerin Ndreut) në pjesën e parë, kur u bë diskutimi i dekretit. Nuk ka asnjë pengesë ligjore që ju të relatoni përsëri…
Pjerin Ndreu: Ju keni bërë ndryshime dhe unë si relator nuk di asgjë, prandaj kërkoj nga Komisioni që të shtyhet shqyrtimi i këtij projektligji për nesër që të njihem me problemin, sepse nuk di asgjë se çfarë ka ndodhur. Edhe nga pikëpamja profesionale, oficer policie jam unë dhe është e pafalshme që ne të hyjmë në diskutime të qejfit të njërit apo tjetrit…
Spartak Braho: Pasnesër është në seancë, ose e shqyrtojmë sot, ose nesër është vonë për seancë.
Pjerin Ndreu: Nëse ju keni vendosur t’i fusni marshin e pestë dhe ta çoni në seancë pa njohur asnjë rresht, relatori dhe anëtarët e Komisionit është problemi juaj. Mua më duket e parregullt që s’duhet të ndodhë më dhe unë mbaj qëndrime profesionale dhe personale.
Spartak Braho: Ti qenke keq sot…
Pjerin Ndreu: Jo, nuk jam keq. Jam shumë. Ne duhet të njihemi me materialet.
Asllan Dogjani: Shqipëria është me të vërtetë në emergjencë kombëtare për shkak të kultivimit masiv të bimëve narkotike, por unë nuk mendoj që Komisioni Sigurisë është në emergjencë kombëtare, sepse ky ligj nuk parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë në parcelat e drogës, por vendosjen e kamerave në biznese private. Ne s’jemi njohur me ndryshimet, ne duhet ishim njoftuar me e-mail.
Pirro Lutaj: Unë nuk do të doja të kishim ketë keqkuptim me kolegët tanë. Ne këtu nuk bëjmë punë profesionale për punonjësit e Policisë. As ne që s’jemi policë të mësojmë profesionin e policit.
Flamur Noka: Ti mos ofendo kolegët, mos i quaj policë.
Pirro Lutaj: Po lerë mos u bëj avokat tani ti. Po rri mos u bëj avokat. Ti je bërë polic, unë nuk ofendova.
Flamur Noka: Punë e juaja, por nuk është mirë të ofendosh kolegun.
Pirro Lutaj: Flamur, ti je bërë polic pa qenë, unë nuk bëhem dot. Por këtu s’kemi punë profesionale për policë. Po nuk bëhesh dot ti avokat i njerëzve… Grupi negociatorëve ka marrë përgjithësisht vërejtjet e Presidentit në shqyrtim.
Pjerin Ndreu: S’duhet të bëjmë debat me njëri-tjetrin dhe të përdorim terma, jo polic, jo kështu. Përse nuk është vënë në dijeni relatori për asnjë rresht ndryshimi. Kjo është një shkelje që duhet riparuar. Kjo nuk duhet të ndodhë as mes kolegëve të një partie dhe as mes kolegëve të opozitës. Kjo nuk është sjellje korrekte. Për sa kohë që unë si relator nuk di asnjë ndryshim, çfarë kujtoni se do të ngre dorën kot, qorrazi? Jo, nuk do ta bëj këtë.
Spartak Braho: Përgjegjësinë për këtë punë e mbaj unë. Unë duhet të kisha njoftuar ty, por ke kaluar pa u ndier fare. Ndoshta s’ke lënë gjurmë si relator.
Flamur Noka: Fillove ti ta ofendosh më keq atë.
Pjerin Ndreu: E zgjidh unë këtë punë, meqenëse ju zoti kryetar keni këtë mendim që unë nuk kam lënë gjurmë, atëherë unë tërhiqem nga relativi, vazhdoni me relatorin tjetër.
Spartak Braho: Se mos na ikën dhe nga mbledhja…
Pjerin Ndreu: Po edhe mund të iki, pse ça kujton? Ti e di që unë s’i marr leje kurrkujt!
Komentet