Homazhe, lule, nderim dhe mesazhe për drejtësinë, në pritje të zbardhjes së të vërtetës. Kjo është atmosfera e sotme, teksa është përkujtuar 5-vjetori i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi në mes të Vlorës.
Familjarë, të afërm, kolegë të gjyqtarit të ndjerë kanë bërë homazhe e kanë vendosur lule në vendin ku ai u ekzekutua me eksploziv në makinë, plot 5 vite më parë.
Trupa gjykatëse u ndal në vendin ku u vra gjyqtari, nga një shpërthim i telekomanduar në mjetin e tij në Vlorë.
Ndërsa, familjarët dhe të afërm kanë vendosur qirinj dhe lule në vendin ku u vra Konomi.
Kryetari i gjykatës, Skender Haluci pohoi se ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik është ende nën hetim.
“Konomi ishte një nga magjistratët më të talentuar të sistemit tonë gjyqësor. Kjo memorie është dhe për t’i kërkuar organeve ligjzbatuese të lëvizin për zbardhjen e kësaj ngjarje mizore”, tha Haluci.
Sipas tij, kjo çështje nuk është hetuar siç duhet. Ai theksoi se trupa gjyqësore është gati të zbatojë me përpikëri ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
“Shpresoj se me ndryshimet kushtetuese dhe me krijimin e Byrosë se Hetimit do të zbardhet dhe kjo çështje”, tha Haluci.
Komentet