Voal – Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, i bëri thirrje dje Kuvendit që të fusë në kalendarin e punimeve nismën ligjore për heqjen e dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Sipas saj, politika duhet t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje para datës 5 nëntor, ditë e shpallur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku për bekimin e 38 martirëve të fesë katolike në Shqipëri.
“Duhet ta fusni në programin e Kuvendit, pasi në datën 5 nëntor në Vatikan bëhet bekimi i martirëve të fesë, ndërkohë që janë ende të dekoruar persekutorët e këtyre martirëve. Duhet ta fusin urgjentisht në Kuvend dhe po të duan pastaj, le të mos e votojnë, por duhet të përfshihet në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Të pozicionohen se me kë janë, me martirët, apo me persekutorët, sepse nuk mund të lihet pa marrë zgjidhje çështje e heqjes së medaljeve dhe dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist”, – iu drejtuar Doda, kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
Ndërsa në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” ajo sqaroi se “bëhet fjalë për një aksion politik që e kemi filluar sot e thuajse një vit më parë dhe duhet ta çojmë deri në fund, sepse procedurat janë të tilla që nuk mund t’i lënë dot qofshin kryetarë komisionesh apo kryetarë këshillash legjislacioni etj. Nuk mund t’i zvarrisin dot dhe t’i çojnë deri në pafundësi dhe të mos i fusin në seanca plenare”. Ati i Shenjtë, Papa Françesku i ka bërë një dhuratë të veçantë Shqipërisë, duke dekretuar 5 nëntorin si datë të lumturimit të 38 martirëve të fesë, pikërisht 2 muaj pas ceremonisë së shpalljes shenjte të Nënë Terezës, që u mbajt ditën e diel në Vatikan. Ndaj, Vatikani e ka caktuar datën 5 nëntor si ditë të bekimit të 38 martirëve fetarë shqiptarë të vrarë nga ish-regjimi komunist. Por, prej më shumë se 8 muajsh, në parlament janë paraqitur tri nisma ligjore për heqjen e medaljeve dhe dekoratave të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Deputetja Mesila Doda, bashkë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi ishin iniciuesit e parë të nismës për heqjen e dekoratave të xhelatëve të komunizmit. Para disa ditësh, Doda pohoi për “GSH” se do të shohim një betejë të ashpër në Kuvend për anulimin e dekoratave që iu dhanë persekutorëve të komunizmit. Ndërkohë projektligji tjetër është ai i mazhorancës dhe që mban firmat e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist, Taulant Balla, si dhe projektrezolutën e paraqitur nga demokratët dhe dorëzuar në Kuvend nga Oerd Bylykbashi. Dy nismat e para paraqesin propozime konkrete për amendime të ligjit, mbi bazën e të cilit jepen medaljet dhe dekoratat në vendin tonë, nisma e tretë është thjesht një rezolutë, e cila kërkon ndryshimin e legjislacionit ekzistues.
Komentet