Tifozët zyrtarë të Kombëtares Shqiptare, Tifozat e Kuq e Zi, e kanë postuar në grupin e tyre në Facebook një mesazh rrënqethës dhe emocionues për Lorik Canën, i cili vendosi të tërhiqet përfundimisht nga Kombëtarja.
Ky është mesazhi i tifozëve për kapitenin legjendar shqiptar:
“Si gjithçka tjetër në këtë jetë, çdo fillim e ka dhe një fund. Dje, kapiteni jonë Lorik Cana dha lajmin zyrtar për tërheqjen nga Kombëtarja si lojtar aktiv. E kishim dëgjuar edhe më parë, por bënim si të shurdhër, e kishim lexuar por bënim si të verbër, nuk e besonim, nuk e prisnim, as edhe nuk e kishim menduar ndonjëherë se do të vij ky moment.
Lorik Cana është shembulli më tipik se si duhet atdheu, si lartësohet emri i shqiptarit në botë, si bashkohen ata, si përfaqësohet ai dhe si mbrohet ai (kujtojmë ndeshjen e Beogradit). Për aq kohë sa ishte në fushën e lojës, ai dha gjithçka, grintën, shpirtin, pasionin, dashurinë dhe forcën prej një lideri.
92 ndeshje me Kombëtaren, është absolutisht një rekord, për një djalosh që i bashkoi kaq shumë shqiptarët, na dha kaq shumë emocione duke dhënë kaq shumë për këtë fanellë.
Sot, me gjysmë zëri ne themi se e respektojmë vendimin për tërheqje, paçka nuk na pëlqen aspak, sepse tek ti kishim krijuar një mit, një figurë të përhershme që do të të shihnim të përhershëm në fushë.
Kapitenët e ekipit kombëtar mund të ndërrohen, mund të vijnë të tjerë lojtarë më me klasë, më me zemër, me më shumë forcë, por për një gjë të jesh i sigurtë, ti do jesh kapiteni jonë përgjithmonë.
Faleminderit Lorik! Përjetësisht!
#FaleminderitKapiten #LorikCana5
Ps. Për çfarëdo organizimi qoftë të koreografisë në stadium ose organizim tjetër në lidhje me këtë çështje do të ju njoftojmë paraprakisht.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!”.
Komentet