Nëntorin e para gjashtë vjetëve, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin e Paqes në Paris.
Ishte takimi i parë mes tyre ndonjëherë dhe, sipas një postimi që bëri Thaçi atëkohë në Twitter, ai u fokusua në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Kosovës citoi homologun rus të ketë thënë qartazi se Rusia do ta mbështeste një marrëveshje të paqes midis dy vendeve.
Rusia – aleate e Serbisë – nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe Putin e përdor atë dhe ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi si “precedent” për t’i legjitimuar veprimet e veta në Ukrainë.
Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, më 24 shkurt të vitit 2022, Putin tha se “ky operacion i posaçëm ushtarak” ndjek shumë shembuj të tjerë.
“Fillimisht, një operacion i përgjakshëm ushtarak u zhvillua kundër Beogradit, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por me avionë luftarakë dhe raketa, të përdorura në zemër të Evropës. Bombardimi i qyteteve paqësore dhe i infrastrukturës jetike vazhdoi për disa javë”, tha Putin.
Krahasime të tilla – sipas Perëndimit pa vend – Putin bëri vazhdimisht, sidomos nga 2014-ta e këndej. Kur aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhjetë vjet më parë, ai e krahasoi atë me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Prej vitesh, Rusia u angazhua edhe në luftë hibride kundër Kosovës, duke përhapur informacione të rreme.
Përmes mediave dhe institucioneve të saj, ajo manipuloi narrativët në favor të interesave të veta, duke shënjestruar kryesisht zonat e banuara me serbë.
Në qershor të vitit 2022, për shembull, Ambasada ruse në Shqipëri publikoi një listë me numrin e pretenduar të mercenarëve të huaj që i janë bashkuar luftës në anën e Ukrainës – në mesin e tyre ishin 156 nga Kosova.
Autoritetet e Kosovës i hodhën poshtë këto shifra dhe i cilësuan si propagandë, e ngjashëm edhe hulumtuesit e dezinformimit rus.
Por, tendencat e tilla, për ta paraqitur Kosovën si të paqëndrueshme, vazhdojnë ende sot, sipas një raporti të Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, që u publikua këtë muaj.
Për këtë raport u analizuan mbi 34 mijë fjalë, që u nxorën nga mbi 100 deklarata zyrtare, fjalime, intervista e tekste të tjera të Ministrisë së Jashtme ruse.
Kryesoret prej tyre e paraqesin Kosovën si vend të dështuar, thonë se ndërhyrja perëndimore është bërë për interesa vetjake, se Perëndimi e përdor Kosovën për ta zgjeruar ndikimin e tij dhe për ta izoluar Serbinë.
Raporti thekson po ashtu se vetë Rusia është duke e dëmtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një normalizim i tillë do t’i jepte një goditje të fortë ndikimit të saj si në Serbi, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Lulzim Peci, nga Instituti për Hartimin e Politikave, KIPRED, në Prishtinë, thotë se Rusia nuk do që ky dialog të përfundojë sipas planit të Perëndimit dhe se Kosova nuk duhet të shpresojë se sjellja e saj do të ndryshojë në ndonjë të ardhme të afërt.
Me këtë qasje, Peci thotë se Rusia do që ta pengojë sa më gjatë integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.
“Rusia tenton që tensionet t’i mbajë të larta, duke e përkrahur Serbinë, përkundër faktit se Serbia është duke i shitur armë Ukrainës”.
“Mosprishja e marrëdhënieve mes tyre, megjithëkëtë, tregon se Serbia i duhet Rusisë si asnjëherë më parë. Asaj i duhet që kjo pikë nevralgjike – e moszgjidhjes së marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Serbi – të mbetet e tillë dhe ta pengojë integrimin e rajonit në BE”, thotë Peci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Gjithashtu, për Ivana Stradnerin, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, Rusia është duke e shfrytëzuar Serbinë për qëllimet e veta. Por, thekson se lufta hibride që bën në Kosovë – me informacione të rreme dhe duke polarizuar shoqërinë në vija etnike, sociale dhe fetare – është “shumë e rrezikshme”.
“Informacioni është armë. Kujtoni se çfarë ka ndodhur në Ukrainë në vitin 2014! Rusia ka arritur t’i përmbushë të gjitha synimet e saj atje, pa një plumb të vetëm”.
“Ajo ka përdorur operacionet e veta të ndikimit, ka shënjestruar grupe, ka përcaktuar rrethanat e informimit, përpara se ka përshkallëzuar situatën. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stradner për Exposenë.
Autoritetet e Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Albin Kurti, paralajmërojnë vazhdimisht se Rusia, “përmes satelitit të saj – Serbisë”, synon ta destabilizojë Kosovën.
Gjatë një vizite në Prishtinë, muajin e kaluar, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, dënoi “luftën hibride” të Rusisë, që tha se ka qëllim t’i destabilizojë demokracitë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Dezinformimi në BE paraqet sot një kërcënim serioz për funksionimin normal të demokracisë, sistemit politik, shoqërisë dhe ekonomisë.
Për të luftuar propagandën ruse, autoritetet e Kosovës ndërmorën disa masa, përfshirë ndalimin e punës së mediave dhe platformave online me origjinë nga Rusia, të cilat fabrikojnë informacione të rreme për Kosovën.
Por, Peci thotë se kjo nuk është e mjaftueshme, sepse zëri i Kosovës në shumë shtete të botës – nga Azia në Afrikë – vazhdon të mos dëgjohet.
Sipas tij, vendit do t’i duhej një njësi – që i bashkon të gjitha institucionet, nga Ministria e Jashtme deri tek Agjencia e Inteligjencës – për t’u marrë me Rusinë dhe informacionet keqdashëse të saj.
“E tërë kjo mund të bëhet, por, deri më tani, nuk është bërë asnjë hap konkret në këtë aspekt. Nuk mjafton të jemi reaktivë. Një gjë e tillë tregon se Kosova nuk ka një politikë të mirëfilltë dhe një strategji të kundërvënies ndaj dezinformatave të Rusisë si në nivelin global, ashtu edhe rajonal”.
“Nëse ka vullnet politik dhe ide të qarta se si të ecet përpara, Kosova për gjashtë muaj deri në një vit mund t’i ndërtojë këto kapacitete në mënyrë solide”, thotë Peci.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për masat e ndërmarra kundër dezinformimit rus dhe a planifikon të reja, por nuk mori përgjigje.
Stradner thotë, po ashtu, se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm.
“Ne nuk do ta bënim këtë bisedë sot nëse Kosova ose aleatët e Kosovës do të bënin një punë fantastike. Propaganda ruse është e gjithanshme në rajon dhe është duke u rritur. Unë nuk arrij t’i ndjek llogaritë në Telegram sesa shpejt që shfaqen”, thotë ajo.
Adresimi i kësaj problematike, sipas saj, bëhet edhe më urgjent në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një administratë të re, të udhëhequr nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Ajo beson se administrata e ardhshme do të ndjekë një politikë transaksionale, apo ‘shit e blej’, në Ballkanin Perëndimor.
“Unë dyshoj se fokusimi te çështjet ekonomike do t’i zgjidhë të gjitha. Ajo çfarë do t’i rekomandoja administratës së re, nëse vërtet do që të parandalojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, është t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit [të Ballkanit Perëndimor] dhe të mos bie pre e lojërave që vijnë nga Moska dhe Beogradi”, thotë Stradner.
Këtë javë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të vizitojë Moskën në maj të vitit të ardhshëm, me ftesë të homologut rus, Putin.
Ai tha se e konsideron si “nder të madh” pjesëmarrjen në festimet për 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Moskë, prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, gati tre vjet më parë.
Serbia nuk iu bashkua kurrë sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të kësaj lufte, dhe vazhdoi bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Moskën.
Në Kosovë, Rusia ka një zyrë ndërlidhëse, të cilën REL-i e kontaktoi për të mësuar më shumë për aktivitetet e saj, por pa sukses.
Sipas një ankete që publikoi këtë vit Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), për qytetarët e Kosovës, Rusia mbetet kërcënimi kryesor për vendin, pas Serbisë.
Ish-presidenti Thaçi mund të ketë shpresuar se Putin është i interesuar për paqen, por duket se ai e ka versionin e vet të saj, i cili përqendrohet në nxitjen e tensioneve dhe përfitimin prej tyre.
Për ekspertët është imperative që Kosova të zhvillojë një strategji proaktive kundër ndikimit rus dhe t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë. REL
Quhem Maksim Sallabanda, lindur e banues ne Tirane me profesion inxhinjer.
Kam nje apartament ne Rrugen e Kavajes, ku kam jetuar me prinderit qe ne femini. Kur u martova ,(prinderit kishin vdekur),apartamenti u be prone e perbashket me gruan time, Majlinda Porodini, me te cilen rethanat e jetes na ndane por pa konflikte apo inate ne vitin 2003. Zbulova ne 2013 se apartamenti im ishte shitur , pa buje , cuditerisht nga une, dhe ai qe ishte pronari i ri nuk vinte ta reklamonte pronen e blere nga ai vete,( ne vitin 2005) por me durim priste qe te kalonin 10 vjete pa ankesa, te parashikuara nga ligji mbas te ciles ai automatikisht behej pronar i pa kundershtushem. Kur u njoha rastesisht me kete vjedhje te ligjeshme, ju drejtova gjykates se shkalles se pare ne Tirane, dhe mbas 16 muajsh gjyqi me dha te drejte dhe urdheroi per ndryshimin e dokumentave te pronesise ne emrin tim dhe te ish bashkeshortes time. Pra apartamenti u rikthye ne pronaret e vjeter. Bleresi i ketij apartamenti , nuk u dorrezua por , sipas ligjit, ju drejtua gjykates se apelit Tirane. Cuditerisht apeli ndryshoi vendimin perseri ne favor te bleresit. Relatore e apelit ishte Zeqine Sallaku dhe ne krahe te djathte ndodhej Agim Bendo. Apartamenti me dokumentat qe kishin ne dore pronaret e rinj figuron i shitur nga une , por ata kishin haruar qe prona ishte me dy pronare, dhe pronari tjeter nuk kishte as dijeni , as kishte firmosur ndonje akt marreveshje, dhe per formalitet ish gruaja ime me denoncoi mua per shitje te pa ligjeshme dhe rikthim te apartamentit te humbur nga nje shitje e pa ligjeshme. Pra gjykata e apelit, nje prone apartament me dy pronare , pranon qe eshte e ligjeshme ta shese vetem njeri nga pronaret. Tjetri mbetet me gisht ne goje. Nuk mund ta vertetoje,( nuk kam prova) por u njoftova se gjykatesit kishin marre 10 mije euro. Tani mbas kater vjetesh nga gjykimi i shkalles se pare, ku me te drejte na u kthye prona, jam ne pritje te vendimit te gjykates se larte. Per mua, Maksim Sallabanda dhe Majlinda Porodini , ky pershkrim i shkurter eshte nje denoncim per gjykimin dhe korupsionin e pashembullt qe tashme eshte praktike e gjykatesve si Agim Bendo e Zeqine Sallaku.