Trebeshina erdhi në letërsinë shqipe, në një moment, kur tradita letrare paraqitej e konsoliduar dhe e bollshme me modele. Letërsia e viteve ’30-’40 shfaqte një larmi stilesh krijuese, si dhe përplasje produktive të prirjeve estetike. Kjo letërsi karakterizohej me krijime të cilat mbartnin elementë të romantizmit, sentimentalizmit të vonuar, diku madje edhe elementë të klasicizmit, simbolizmit, si dhe një prirje të dukshme të konsoliduar drejt stilit realist.
Kjo traditë e zhvillimit të letërsisë shqipe në gjysmën e parë të shekullit XX, do të ndërpritet pas Luftës së II Botërore nga përpjekje për të krijuar një letërsi të një lloji tjetër, nën etiketimin e termit realizëm socialist.
Shkrimtarët, të cilët e kuptonin specifikën e artit dhe nuk pranuan ta njëtrajtësojnë atë me propagandën, u përballën me faktin e ndalimit të veprave të tyre, mënjanimin nga jeta letrare, madje disa prej tyre dhe me burgosje. Një prej këtyre shkrimtarëve ishte edhe Kasëm Trebeshina, i cili u kritikua dhe u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve e më pas u dënua. Ndonëse shkrimtari e dinte që vepra e tij nuk do të botohej, ai vazhdoi të shkruante një numër të madh veprash letrare në dorëshkrime, një pjesë e madhe e të cilave do të botoheshin pas ’90. Specifika e diferencës së madhe mes kohës së shkrimit dhe kohës së botimit e receptimit, e bëjnë procesin e tij krijues të veçantë dhe interesant.
Me botimin e veprave të Trebeshinës lindi pyetja, si do të klasifikohej krijimtaria e tij e shkruar gjatë periudhës ’50-’90? Nga pikëpamja kohore, i përket kësaj periudhe sepse është shkruar në atë kohë dhe dorëshkrimet e autorit e dëshmojnë një gjë të tillë, por ka parë dritën e botimit vetëm pas ’90 e si e tillë është receptura nga lexuesi në këtë kohë dhe efekti i saj është ndjerë në letërsinë shqiptare vetëm në këtë periudhë.
Në çastin kur shkruhet një vepër, lexuesi është i imagjinuar. Trebeshina, gjatë procesit të rrëfimit, mund të ketë imagjinuar një lexues për veprën e tij, por për shumë e shumë vite, ai nuk arriti të bëhej një lexues real.
Teoricienët e letërsisë Jauss, Isser, Selden këmbëngulin në përcaktimin e letërsisë si një proces të ndërveprimit të tekstit dhe lexuesit me njëri-tjetrin, kërkojnë ta shohin veprën letrare “si një proces dialektik mes krijimit dhe receptimit “. Për aq kohë sa krijimet e Trebeshinës kanë ekzistuar si dorëshkrime, ato kanë qenë vetëm tekste, por pa arritur të bëhen vepra letrare, ngjarje letrare.
Rruga e krijimtarisë së Trebeshinës i ngjan një kalvari të vërtetë. Emrin e Trebeshinës do ta gjejmë në një sërë poezish, tregimesh në revistën “Letrari i ri” që në vitin 1951. Atij do t’i botohen në vitin ’52, drama “Heronjtë” , si dhe në 1953, po te “Letrari i ri”, botohet drama “Shtrojnë malet”. Në ’53 në revistën ‘Letërsia jonë’, paraprijëse e ‘Nëntori’ u botua drama me 5 akte “Kruja e çliruar”. Këto krijime të botuara në periodikë të ndryshëm tregojnë qartë shenjat e gjenialitetit të shkrimtarit të shfaqura që në rininë e tij. Libri i parë që do t’i botohet do të jetë “Artani dhe Minja”, për t’u shoqëruar me një ndërprerje të gjatë, e për të rifilluar me serinë e botimeve të njëpasnjëshme pas viteve ’90. Pas ndryshimeve politike, Trebeshina botoi vepra të shkruara shumë kohë më parë, si dhe vepra të shkruara në bashkëkohësi.
Sipas shënimeve të shkrimtarit, romani “Kënga shqiptare” është shkruar si tekst në vitet 1951 vëllimi i parë gjer në 1966 vëllimi i pestë, por ajo u arrit të bëhej vepër letrare, ngjarje letrare vetëm në 2001 , kohë kur u botua. ‘Odin Mondvalsen’, u shkrua sipas shkrimtarit në 1955-1956, botuar në 1992. ‘Qezari niset për luftë’ 1972, publikuar në Tiranë në 1993, ‘Mekami’ 1978 botuar në Prishtinë në 1994, ‘Rruga e golgotës’ 1989 , botuar në Tiranë në 1994.
Në diakroni, “Kënga shqiptare” mund të shihet fare mirë si produkt i zhvillimit të mëtejshëm dhe të natyrshëm të traditës paraprijëse. Ky roman shfaq shenja të drejtimit të romantizmit, por kryesisht është një vepër realiste. Të vazhduarit e të shfaqurit të tipareve romantike, krahas atyre realiste, ishte edhe një vazhdim i bashkëjetesës së shfaqjeve letrare, tipike për periudhën para 44. Ndërsa mbizotërimi i notave realiste, shihet, si vazhdim i përpjekjeve për konsolidim të realizmit. Vazhdimi i të shkruarit të veprave realiste dhe hopi letrar me romane si ato të Trebeshinës, janë rrjedha normale e kontuinitetit, ndërsa ndërfutja e metodës së realizmit socialist, ishte një thyerje inorganike e zhvillimit letrar dhe aspak e natyrshme.
Stili i të shkruarit, fryma letrare, tema e trajtuar Lufta e II Botërore, gjuha e tekstit, rrëfimtari objektiv i gjithëdijshëm, rrëfimi linear, shumëplanësh; të gjitha të bindin që vepra është shkruar vërtet në atë kohë. Po e kësaj kohe, sipas shkrimtarit, është vepra Odin Mondvalsen, vitet ’55-’56, por ajo shfaqet krejtësisht ndryshe.
“Odin Mondvalsen” ka një fabul të copëtuar, me strukturën e një teksti të hapur, ku rrëfimi është eliptik (mungesor). Vepra jep mundësi për t’u kuptuar dhe interpretuar nëpërmjet shenjave, të cilat mund të jenë të paqarta, por që lexuesi mund t’i interpretojë. Rrëfimi realizohet nga një rrëfimtar subjektiv, që është edhe protagonist i veprës. Vepra qendërzohet rreth një personazhi të veçantë, të panjohur në letërsinë shqipe. Ai është antiheroi, i cili është përballur me dhunën e një shteti që kërkon ta tjetërsojë atë. “Odin Mondvalsen”, që është tipi i prozës moderne që shfaq dhe nota surrealiste.
Të gjitha këto të bëjnë të vësh pikëpyetje për njëkohësinë e shkrimit të këtyre veprave. Janë të shkruar në teknika letrare dhe stile krejtësisht të ndryshme. Ndonëse nuk përjashtohet edhe aftësia gjeniale e shkrimtarit për të qenë njëkohësisht krejtësisht i ndryshëm në dy vepra të shkruara në të njëjtën kohë.
Romani si zhanër shfaqet në një numër të madh formash letrare. Shumësia e formave të romanit vërehet qartësisht në krijimtarinë e Trebeshinës që ofron një seri romanësh, të cilat dëshmojnë diversitet formash të ligjërimit, një shumëllojshmëri formash të endjes rrëfimore, të cilat e bëjnë shkrimtarin të shfaqet ndryshe nga njëri tek tjetri.
“Tregtari i skeleteve” është roman i një lloji të veçantë në letërsinë shqipe. Ai krijohet si formë e parodizimit të zhanrit dhe i letërsisë paraprijëse. Nuk ka subjekt të mirëfilltë, por i gjithë teksti është ndërtuar si një lojë me gjuhën. Në këtë roman bëhet ironi e gjuhës së automatizuar dhe dogmatike të një kohe të mirënjohur, të asaj të diktaturës, në shumë raste, imitohet edhe patetizmi i neveritshëm i fjalimeve dogmatike të asaj periudhe, e cila pikërisht nëpërmjet gjuhës arrin të identifikohet.
Në romanet, “Qezari niset për luftë”, dhe Tregtari i skeleteve”, rrëfimi është i ndërtuar kryesisht nëpërmjet krijimit të paradoksit dhe absurdit, gjuha është irracionale. Gjuha e tillë arrin që nëpërmjet vendosjes së të kundërtave, të ofrojë kthjelltësi më të madhe, se faqe të tëra të shkruara për diktaturat dhe fatet e njerëzve në të, si të atyre që janë viktima dhe të atyre që janë krijues viktimash.
Në krijimtarinë e tij vihen re dukshëm, transformimet e diskurseve letrare, krahasuar nga njëra vepër te tjetra, veçanërisht në prozë. Ai fillon me romanin klasik, Kënga shqiptare, romani epope, dhe romani më voluminoz në letërsinë shqipe për të shkruar romanet moderniste ‘Odin Mondvalsen’, ‘Rruga e Golgotës’ për të kaluar në romane me nota të dukshme postmoderniste si “Qezari niset për luftë”, “Tregtari i skeletëve”, për t’iu rikthyer me lehtësi realizmit në romanin “Dafina të thara. Romani i jetës time” , që është ndërtuar si ndjekje e rrjedhës jetësore të shkrimtarit dhe mund të klasifikohet si tipi i romanit autobiografik. Ai sjell novelën stina e stinëve, e cila shkruhet në ndikimin e fortë të traditës së letërsisë popullore, por shkruan dhe novelat e përmbledhjes ‘Hijet e shekujve’, ku tradita thyhet, miti çmitizohet deri në tallje.
Dramaturgjia e Trebeshinës
Nëse do të merreshin të mirëqena datat në fund të secilës prej dramave shkruar nga vetë autori, si tregues real i kohës kur janë shkruar veprat, atëherë “mund të thuhej se dramaturgjia moderne themelohet me veprat e Kasem Trebeshinës me dramën “Ëndërr e përjetshme”, që sipas shënimeve të autorit është shkruar në vitet 1952-1962, dramë që do të botohet në Tiranë vetëm në 1996″ .
Siç e theksuam për prozën, do të theksojmë edhe për dramën, një vepër letrare e përcakton ekzistencën e saj pikërisht në momentin kur i jepet mundësia për receptim.
Dramat e Trebeshinës, pjesa më e madhe e tyre, sipas datës së shkruar nga shkrimtari u përkasin viteve ’60-’70, të cilat janë vitet me trysninë më të madhe të ushtruar mbi artin. Drama iu nënshtrua një kontrolli që e skematizoj totalisht atë, duke humbur plotësisht vlerat artistike. Shteti komunist kishte dërguar disa të rinj për studime në regjisurë, në BS apo në vende të tjera të Lindjes . Trebeshina kishte qenë një nga ata të rinj, të cilët ishin çuar në ish B. S. për të studiuar teatër dhe ishte kthyer prej andej, sepse nuk ishte dakord me mënyrën sesi bëhej përzgjedhja e vlerave botërore dhe sesi trajtohej arti në funksion të ideologjisë.
Pas viteve ’90, regjisorët vrapuan të vinin në skenat e teatrove, pikërisht veprat, të cilat kishin qenë të ndaluara për kaq shumë kohë, kryesisht dramaturgë të panjohur të huaj. Botimi i dramave të Trebeshinës në fillim të viteve ’90 ishte një mundësi shumë e mirë në përputhje me tendencën e regjisorëve për të bërë një teatër ndryshe.
Në 1995, regjisori G. Kame vuri në skenë, në T. Komb. dramën “Tiranozauri”. Dramë filozofiko simboliste ku në mënyrë të sintetizuar bëhet autopsia e diktaturave, jepet tirania si një dukuri historike.
“Absurditeti antik” vihet në skenë në vitin 1999 në Teatrin Kombëtar . Në të shfaqet tjetërsimi njerëzor, nëpërmjet ndërthurjes së elementëve të realizmit me surrealizmin dhe me simbolizmin. Nga një kohë në tjetrën Trebeshina kërkon të tregojë përmes një konflikti, që përsëritet gjithë zhvillimet diktatoriale dhe postdiktatoriale në Shqipëri, ndonëse asnjëherë nuk përmendet Shqipëria dhe as emrat e as vendi nuk kanë afërsi me të, por paralelizmi është i kuptueshëm.
Në Kosovë, në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, u vu në skenë drama “Historitë e atyre që s’janë”. Heroi i Trebeshinës, duke e humbur dëshirën për të mbijetuar me çdo kusht, e mund frikën dhe si i tillë është i gatshëm të vetësakrifikohet për një qëllim më të lartë moral. Atëherë përjeton aktin e katarsisit dhe nga antihero minor shndërrohet në një hero tragjik.
Në mars 1998, sërish Kame vë në Teatrin Kombëtar, komedinë groteske “Muzeu”, e cila është ndërtuar mbi metaforën, “muzeu është bota dhe bota është muze”. Ashtu si në një muze edhe në komedinë e Trebeshinës vijnë të ndërthurura të gjitha kohët, qysh nga Egjipti i lashtë e gjer në ditët tona. Vepra paraqet idenë e riciklimit të historisë njerëzore, idenë e pakohësisë. Përtej ndryshimeve që pëson realiteti në dukje, edhe në sistemet më të moderuara, në thelbin e tyre asnjëherë problemet e njeriut të thjeshtë nuk zhduken. Komedia paraqet të ndërthurur apokalipsin e realitetit të brendshëm të njeriut të çdo kohe.
Tragjikomedia ‘Muzeu’ sipas Papagjonit , solli nga pikëpamja dramaturgjike formën postmoderne të dramës së fundme shqipe, e tipit të absurdit dhe me elementin e antidramës dhe ku sërish caqet historike të kohës përhumben qëllimisht. Spektatori me dramën e Trebeshinës përballet me një dramë të një lloji tjetër në letërsinë shqipe, me dramën e absurdit, e cila s’është asgjë tjetër, veçse zgjimi i njeriut nga letargjia banale e së përditshmes, e jetës së tij të kufizuar.
Dramaturgjia e Trebeshinës, duke u nisur nga struktura formale dhe tematike, shfaq elementë të qartë ngjashmërie me dramën e absurdit dhe paradoksit zhvilluar në Evropë veçanërisht në vitet ’50-’60 të shekullit XX me përfaqësues Beketin, Joneskon, Pirandelon, por që nuk njiheshin në Shqipëri gjer vonë. Ndaj, mund të themi se Trebeshina, është një nga themeluesit e dramës moderne shqiptare , duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, por edhe krahasuar me përfaqësuesit kryesorë të dramës moderne botërore.
Një pjesë e dramave të Trebeshinës datojnë të shkruara dhe të botuara pas viteve ’90. Ajo që vihet re tek ato është ngjashmëria e të shkruarit dhe të konceptuarit të tyre me veprat që datojnë si kohë shkrimi shumë vite më parë. “Ky autor në kushte të lirisë krijuese, edhe në veprat e shkruara në këtë periudhë, vazhdon të kultivojë një model të shkrimit dramatik, i cili refuzon estetikisht realitetin… e sfidon, e ironizon, e stigmatizon dhe e parodizon . Pothuajse në të tëra dramat e tij vërehet një lloj i veçantë i absurdit me ngjyrim politik.
Duke përfunduar, mund të themi se të gjitha veprat e Trebeshinës, duket se trajtojnë variante të ndryshme të së njëjtës temë; tema e lirisë si forma e vetme e ekzistencës së humanitetit dhe përballja e saj me të gjitha format e mohimit, deformimit, rrezikut të zhdukjes, qoftë kur rreziku është jashtë nacionalitetit tënd, kur rreziku i humbjes së lirisë tënde vjen nga jashtë kombit, qoftë kur vjen si kërcënim nga brenda, kur ajo vjen nga ata që flasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtin hapësirë gjeografike e, nëpërmjet institucioneve të pushtetit, rrezikojnë lirinë e me këtë rrezikojnë ekzistencën.
Këtë topikë e gjejmë në prozë, poezi, në drama, ese.
Trebeshina sjell në letërsinë shqipe, një krijimtari e cila ruan shenjat e qarta të traditës shqiptare para ’44, ndikimin nga trashëgimia botërore, por duke arritur të krijojë një letërsi të mirëfilltë krejtësisht origjinale e shpesh duke krijuar modele të reja.
Hendeku mes kohës së shkrimit dhe kohës së receptimit, nuk rezulton të ekzistojë nga pikëpamja estetike, pasi këto vepra, në momentin e botimit i komunikuan lexuesit vlera të qenësishme, me intensitet të lartë emocional dhe përmbajtjesor. Ky lloj intensiteti u ruajt i plotë, para së gjithash, nga strukturat e pacenuara nga kompromiset jashtëletrar, prej të cilave letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shek. të 20-të, pati mjaft ndikime e për pasojë, mjaft deformime të dukshme.
Nga studimet e bëra, mbi specifikat dhe vlerat që paraqet krijimtaria e botuar e Trebeshinës, rezulton se ky shkrimtar është një zë i veçantë, origjinal në letërsinë shqipe. Ai tashmë është pjesë e padiskutueshme e traditës më të mirë letrare në shqip.
Komentet