Në foto: Xhixhimond Xhixhinasto duke studiuar fjalën e urtë: “Elrodi Music, cilësi e garantuar”
I dashur Komandant i Padiskutueshëm i LSI-së dhe i gjithë Polifonisë, zoti Ilir Meta.
Xhixhimond Xhixhinasto ju shkruan.
Së pari dua t’iu informoj se unë përdor fejsbukun. Me siguri kjo është diçka e papritur për ju, por mendoj se duhej ta dinit. Unë përdor një adresë false, me pseudonimin: “Nimfomane Mavi”.
Këtë adresë e kam hapur që të vjel informacione në Partinë Socialiste.
Para ca kohësh komunikoja me Elisa Spiropalin dhe me Briseida Shehajn. Ato ishin shumë kurioze, se dyshonin mos isha Lenc Vangjeli me adresë false.
Brisi m’u ankua keq për Elisën. Një ditë, Rama i kishte thënë Brisit që të mos shqetësohej pse iku Elisa nga doganat, meqenëse Elisa i kishte bërë nja 5 pako me nga 1 milionë euro mënjanë.
Brisi e shqetësuar më tha se Elisa i kishte hallall ato 5 milionë euro, puna e saj si i bëri lekët, bravo i qoftë, por ama duhej të paraqitej e të paguante tatimin mbi fitimin, 750 mijë euro.
Brisi tha se Elisa nuk kishte pse dëmtonte buxhetin dhe performancën e të ardhurave.
M’u duk vërtetë profesioniste Brisi o Komandant, kurse ajo Spiropali qenka korrnace madhe pz 🙁
Mirëpo Elisa është krruajtur shumë dhe me anëtarët e rinisë euro-atlantikase-integrimse-obejbe-bejbe dhe na ka bërë xhibla duke replikuar me Klevi Pojanën(Honoris Causa).
Prandaj dhe unë shkoj çdo ditë sa tek fejsbuku i Klevi Pojanës(Honoris Causa) dhe sa tek fejsbuku i Elisës për të parë se çfarë po ndodh mes tyre.
Kur shkova sot tek fejsbuku i integrimsit Pojana o Komandant…ohh çmë pa syri…ohhh çmë dëgjoi veshi…ohhh si m’u drithëruan kufjet…ohhhhhh….ohhhh…Komandant…dua çik ujë të lag laringun e të mbledh veten.
E piva, vazhdojmë.
Tek fejsbuku i Pojanës o Komandant, ishte një këngë polifonike që i kushtohej veprës tuaj legjendare por nuk liheshin pa përmendur dhe faktorët ndërkombëtarë si SHBA dhe BE-ja që ditë e natë për të mirën tonë mendojnë o Komandant.
I frymëzuar nga ajo video, nga kjo perlë e polifonisë dhe e strukturave tona eurointegrimse-obejbe-bejbe, kuriozova dhe nuk do ta besosh çfarë kam zbuluar.
Ka këngë plot o komandant. Për kokë të Nasip krushkut që ka këngë plot.
Qënka një si dyqan i madh me emrin Youtube ku ka vetëm këngë. O sa shumë këngë, sa shumë valle. Bëhet nami.
Mirëpo entuziazmi nuk më zgjati shumë, sepse aty pashë se ishim mbrapa…, sepse tek ky dyqani,demokratët dhe rilindësit kishin bërë namin dhe ishin përpara nesh.
Ishte njëra o Komandant, një Linda Morina e ka emrin, që e dashuron Ramën më shumë se Linda që ka në shtëpi.
Qindra këngë komandant, qindra valle, vetëm për klasën politike. Më bëri përshtypje që ende nuk kishte një këngë për Erjon Braçen. Por asnjëherë nuk është vonë.
Ndaj dhe mendova që të marrim masa dhe ne si parti në sektorin e muzikës-elektorale, duhet të jemi pararojë dhe këtu.
Pas shumë konsultave dhe vëzhgimeve, vendosa që të pajtojmë një grup të talentuar nga zona e Zharrzës së Fierit.
Këta të Zharrzës janë me ambicie internacionale, sepse nuk i këndojnë fare personaliteteve shqiptare, i kushtojnë këngë vetëm personaliteteve botërore si Komisar Katani (i ndriftë shpirti) apo dhe Sandokani.
Fola me Bert Bitrin e Fierit dhe Berti më tha që javën tjetër e kemi të mbaruar këtë punë dhe Grupin e Zharrzës do e kemi të anëtarësuar në LSI.
Për mua ky ishte lajm oqeanik Komandant. Prandaj dhe u ula e ta shkrova këtë e-mail.
Imejllërisht i joti, Fejsbukërisht i joti, Jutubërisht i joti, Xhixhimond Xhixhinasto.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa false e z.Edmond Haxhinasto
(HashtagAlbania)
Komentet