Voal – Papa filloi sot mbasdite, shtegtimin apostolik në Poloni, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë. Gjatë fluturimit, nisur në orën 14.15 e përfunduar në orën 16.00, si zakonisht u drejtoi një përshëndetje të shkurtër gazetarëve, që e shoqërojnë. “Bota është në luftë – tha, duke komentuar vrasjen barbare të atit Hamel në Francë.- Por kjo, që po jetojmë, nuk është luftë ndërmjet feve, jo! Është luftë interesash, luftë për para, luftë për burimet e natyrës, luftë për sundimin e popujve: kjo është lufta. Ndokush mund të mendojë: po flet për luftë ndërmjet feve. Jo! Të gjitha fetë duan paqe. Luftën e duan të tjerët. Kuptuat?”.
“Një fjalë, që përsëritet shumë, është pasiguria. – nënvizoi – Po fjala e vërtetë është ‘lufta’”. Prej kohe themi: “Bota është në një luftë pjesë-pjesë” Kjo është lufta. Ishte më 1914-tën me metodat e saja, pastaj, ajo e ’39-të – ‘45-sës, një luftë tjetër e madhe në botë. E tani është kjo. Nuk është shumë organike, e organizuar, po luftë është. Ky meshtar shenjt, që vdiq në çastin kur lutej për mbarë Kishën, është një, po sa të krishterë, sa njerëz të pafajshëm, sa fëmijë…Të mendojmë për Nigerinë, për shembull: “Po kjo është Afrikë!”. Kjo është luftë! Nuk kemi frikë ta themi këtë të vërtetë: bota është në luftë, sepse e ka humbur paqen”.
Pastaj Papa foli për të rinjtë, që marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë: “Kur themi rini, kemi thënë shpresë. Shpresojmë që të rinjtë të na thonë diçka, që të na japë pak shpresë, më këto çaste”.
Më pas Papa i falënderoi të gjithë ata, që e ngushëlluan për meshtarin e therur, në mënyrë të veçantë, presidentin e Francës, i cili deshi të lidhej me telefon, si vëlla. E falënderoj – tha Papa.
Para se të niset në Poloni – Papa u lut tek varri i Shën Gjon Palit II – Përshëndetja e refugjatëve
Më pas, në orën 13.30, para se të nisej nga Shtëpia e Shën Martës për të shkuar në aeroportin e Fiumiçinos, Ati i Shenjtë u përshëndet nga një grup prej 15 të rinjsh refugjatë, nëntë djem e gjashtë vajza, me kombësi të ndryshme, ardhur kohët e fundit në Itali e akoma pa dokumente. Të rinjtë ndiqen nga Lëmoshtaria Apostolike e do të kishin dashur të merrnin pjesë në DBR-në e Krakovit, por nuk mund të nisen për shkak të mungesës së lejeqëndrimit. Ata i uruan Papës rrugë të mbarë e i thanë se bashkohen shpirtërisht me të rinjtë e mbarë botës, mbledhur në Poloni.
Sonte, në orën 20.35, Papa lidhet me të rinjtë italianë, që ndodhen në shenjtëroren e shën Gjon Palit II në Krakov. Takimi transmetohet nga televizioni Tv2000 e nga RadioInBlu. Ati i Shenjtë u përgjigjet tri pyetjeve. Më vonë përshëndet nga dritarja e kryeipeshkvisë, njerëzit e mbledhur në sheshin para saj./RV
Komentet