TIRANË- Kryeparlamentari Ilir Meta fill pas takimit me kryedemokratin Basha u shpreh shpresëplotë për votimin e reformës në drejtësi ditën e enjte. Sipas tij, ka vetëm një plan për kalimin e reformës, përmes konsensusit dhe Venecias.
Meta u shpreh më i vendosur se kurrë se marrëveshja do të arrihet dhe drafti do të miratohet në parim dhe nen për nen, ndërsa shtoi se Kuvendi nuk do të mbarojë derisa ta votojë reformën me konsensus.
“Reforma në drejtësi do votohet, ka vetëm një plan, është me konsensus dhe sipas Venecias sic ka thënë edhe komisioneri Hahhn. Jemi shumë pranë marrëveshjes. Falenderoj Ramën e Bashën se mendoj që kanë qenë konstruktivë, pavarësisht retorikave. Kuvendi të enjten do fillojë me këtë çështje madhore, dua të këshilloj Washingtonin dhe Brukselin se pavarësisht retorikave, Republika e Shqipërisë do ta bëjë këtë hap të madh dhe historik për dekadat që do vijnë, vetëm përmes konsensusit dhe sipas Venecias. Nuk luftohet korrupsioni me korrupsion dhe krim të organizuar. Ditën e enjte Kuvendi fillon dhe nuk do mbarojë deri sa të miratohet kjo reformë me konsensus siç i takon një vendi të NATO”.“Askush të mos shpresojë se do minojë konsensusin dhe do të njollosë Shqipërinë me vota të diskutueshme, Ajo që pengon reformën sot është retorika helmuese publike. Aktorët vendas dhe ndërkombëtarët të përqendrohen tek Venecia. Ka vetëm një plan, miratim sipas Venecias, Washingtoni dhe Brukseli do ta duartrokasin”,- vijoi Meta.
Komentet