Fitorja e Bashkimit Sovjetik në Euro 1960 u prit me jeohnë në Shqipëri, edhe pse marrëdhëniet me të ishin përkeqësues në Shqipërinë komuniste.
Në këtë shkrim, gazetari Besnik Dizdari sjell komentet e gazetave shqiptare vetëm pak pas fitores së Bashkimit Sovjektik në Kampionatin Europian të Futbollit.
Si u komentuan këto ngjarje nga gazetat dhe qytetarët. Po kështu, shkrimi është një eksplorim kulturor i ndikimit të kulturës ruse në shoqërinë shqiptarë të atyre viteve.
BESNIK DIZDARI
1960: BRSS – KAMPIONI I PARË I EUROPËS
I kthehemi “Parc de Prens” të Parisit 1960. Jugosllavët kanë një dyshe të famshme sulmi! Shekularac – Kostiç. Sovjetikët, një përvojë të tanë. Megjithatë, një njeri qëndronte mbi të gjithë, “merimanga e zezë” – portieri Jashin, ku, siç shkruan një vëzhgues, “pret të gjitha gjuajtjet e pritshme, por edhe ato të papritshme”. Jugosllavët, të cilët paraqesin edhe një temperament jugor tipik mesdhetar e nuk i kalojnë të 23 vjetët, shënojnë të parët me Galiç në të 41′.
Duket se kësisoj do të fitonte rinia e ballkanasve… Por sapo fillon pjesa e dytë, e merr fjalën përvoja sovjetike. Në të 49′, pas një fortune që ka zgjatur diçka më pak se 300 sekonda, Metreveli i jep kthesë lojës me golin e barazimit. Do të ishte një 1-1 që do të zgjaste tejet. Fituesja varet diku në një hapësirë të pamatë kohe. 1-1 zgjat e zgjat edhe përtej 90 minutave, përtej kohës së rregullt. Shtesë 2×15 minuta. Dhe përsëri 1-1 edhe mbas minutave 100.
Skuadrat fillojnë e mendojnë për 11-metërshat, kur ja tek mbërrin minuta e 113-të dhe Mes’hi nis një top të lartë nga krahu për te porta e Vidinicit ku fluturimi i qendërmbrojtësit Ponedelnik dhe goditja e tij me krye përballë një mbrojtjeje të ngurosur jugosllave, fikson një 2-1, që vlente sa Kupa e parë e Europës! Gati si sot. Minuta e 109-të: Eder dhe Portugalia Kampione 2016. Edhe atë ditë të 10 korrikut 1960 asgjë nuk do të ndryshonte më deri në fund, deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit anglez, Ellis. Një finale në të cilën, për çudi, prej atyre pak francezëve që do të ishin në stadium, më shumë fishkëllehet sesa duartrokitet.
Mirë apo keq, BS bëhet kampioni i parë i Europës dhe Kupa “Henri Delaunay” ashtu e rëndë, e lartë, krenare, por ende e panjohur, përfundon në krahët e rusëve… Dhe mbi të gjithë, Lev Jashin “merimanga” 31-vjeçare e Dinamos së Moskës, me krahët si tentakula, i veshur krejt në të errëta, artisti i portës i një interpretimi krejt origjinal të një refleksi të pakrahasueshëm në të gjitha epokat e futbollit. Pëson vetëm 1 gol dhe mënjanon një seri tjetër.
Gjithsesi, ishte një formacion “veteranësh”, siç përcaktojnë vëzhguesit, dhe në çdo repart të 11-metërshit shndriste nga një yll: Jashin në portë, Krutikov në mbrojtje, i madhi Igor Netto në mesfushë, Ivanov aty pranë tij dhe Metreveli në sulm. Veç tyre, 23-vjeçari i Spartakut të Moskës, Viktor Ponedelnik, i cili është përcaktuesi i gjithçkaje me golin e tij. Do të kishte më pas një karrierë të shkëlqyer gazetari dhe kryeredaktori në të përjavshmen “FutbollHokej”, një nga botimet më tipike të publicistikës sportive sovjetike, që u bë aq e dashur edhe për ne në Tiranën e “Librit Sovjetik”.
Trajneri dihej, Gavril Kaçalin, trajneri 49-vjeçar me një karrierë 16-vjeçare si sulmues deri më 1945-n i Dinamos së Moskës. Ishte njeriu që 4 vjet më parë e kishte udhëhequr BS-në në titullin olimpik. Kur lë Kombëtaren më 1962-shin, ai shkon në Tbilis dhe e bën kampione të Bashkimit Sovjetik Dinamon gjeorgjiane!
Autor librash teorikë për futbollin, i pazëvendësueshëm deri më sot si autoritet i futbollit rus, takticien i madh, për herë një trajner i avangardës, autoritar, themelues i shkollës sovjetike të futbollit, ai do ta drejtonte BS-në edhe në dy kampionate të botës. Në Shqipëri ai ishte tejet i pranishëm me shkrimet e përkthyera, me tregimet e vazhdueshme për të dhe punën e tij, si të ishte trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Nuk e kemi “studiuar” ende sovjetizimin shqiptar të atyre kohëve, para të cilit të duket pak edhe fashistizimi i viteve 1939-1943. I intervistuar këto ditë të “EURO 2016” prej gazetës franceze “L’Equipe”, autori i golit vendimtar të të largëtes finale 1960, Viktor Ponedelnik, tha:
“Për përgatitjen e ndeshjeve të Kupës së Europës, jemi izoluar në një kompleks që i përkiste Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, diku afër Moskës.. Ishte pranë një liqeni. Ishte një kohë që edhe nëse do të kishte njëfarë lirie nën Hrushovin mbas Stalinit, prapë kjo ishte disi e përkohshme dhe në skuadër gjithnjë ndihej një pasiguri. Kemi shkuar në Marsejë pesë ditë përpara. Kemi vizituar ishullin If për të cilin kishim marrë njohuri në shkollë falë romanit të Aleksandër Dumasit. … Mandej ndeshja me Çekosllovakinë. Ajo ishte një skuadër e madhe, finaliste e Kupës së Botës në Kili, më 1962. Por ne kishim Jashinin. Fitorja jonë ishte merita e tij. … Kur erdhi finalja me Jugosllavinë, më- suam se futbollistët jugosllavë i kishin premtuar Titos. Pjesa e parë ishte 1-0 për ta, por barazon Metreveli në të 49′, e mandej falë harkimit të Mes-hit shënova unë, duke bërë historinë e parë të Europianit, duke i siguruar Bashkimit Sovjetik edhe këtë trofe katër vjet mbas titullit olimpik. Në hotel jemi bashkuar në një eufori të plotë dhe kemi pirë pak shampanjë e mandej “liri” në rrugët e Parisit. Një natë pa gjumë, një natë dëfryese e çlodhëse mbas shpërthimit të stadiumit. Të nesërmen pritja zyrtare në një restorant pranë Kullës Ejfel. Midis të ftuarve ishte edhe Santiagio Bernabeu, pronari i Realit, i cili donte të blinte gjysmën e skuadrës sonë:
Jashinin, Metrevelin, Netton, Mes-hi dhe mua. Drejtuesit tanë shtangën. Për suksesin që arritëm, ne morëm si shpërblim vetëm nga 200 dollarë secili”, thotë Viktor Ponedelnik – pa dyshim i vetmi Kampion i derisotëm i Europës në futboll që arriti të bëhej një nga gazetarët sportivë më të shquar të Bashkimit Sovjetik. Sot vetëm skuadra Kombëtare e Shqipërisë mori 8 milionë euro thjesht për pjesëmarrjen në ndeshjet fundoret të “Francë 2016”. Ky ishte socializmi “me fytyrë e pa fytyrë njerëzore”, datuar viti 1960…
TIRANË E SOVJETIZUAR E VITIT 1960…
Si vasale sovjetike, edhe Tirana “festonte” në mënyrën e vet. “Sporti popullor” titullon me germa kubike: “Futbollistët sovjetikë fituan Kupën e Europës”. Titujt e dukshëm vazhdojnë në faqen e katërt, natyrisht edhe me shkrime të pandalshme kundër sportit kapitalist, shkrime që shumica përktheheshin prej “Sovjetskij Sport” të Moskës. Tituj model të gazetarisë 1960, që ishin gjithnjë e më të drejtpërdrejtë: “Ja si edukohen revanshistët”, “Shesin e blejnë futbollistë”, “Kundër çankaishistëve”… Të gjitha shkrime “të firmosur” nga Moska. Dhe lajme të pafundme për çdo garë e veprimtari sportive që bëhej në Bashkimin Sovjetik. Deri në hollësi. Po t’i kthehesh gazetës “Fashizmi” të Tiranës 1940, gjatë pushtimit fashist, do të bindesh pra se italianizimi është tejet larg prej këtij sovjetizimi të vrullshëm… E vërteta është se kishim mbërritur te viti ndarës kur Shqipëria do të fillonte dekadën e tretë të saj komuniste, një fillim dramatik kur kujtoje se çka do të ndodhte mbas vetëm disa muajve në marrëdhëniet e saj me tutorin e fuqishëm, që quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Për fat do të ndodhte shumëçka që do të ndikonte tejet edhe në sportin kombëtar të Republikës së vogël të ashtuquajtur Popullore të Shqipërisë, ndonëse gjurmët e sovjetizimit të vendit nuk do të shuheshin aq lehtë… Nga jashtë, viti 1960 të dukej një vit i ndritshëm, si të thuash.
Po të kërkonim sot të futeshim diçka më tepër se futbolli në këtë mbrendësi jete publike të Shqipërisë 1960, bie fjala, filmi “Fati i Njeriut” i Bondarçukut simbas tregimit të Shollohovit, duhej të ishte ndër të parët e filmave të destalinizimit që po lejohej të shfaqej në Shqipëri. Çudia është se në këtë korrik 1960, ai njeh vetëm dy ditë shfaqje në kinema “Partizani”! Po menjëherë mbas tij, “Ballada e Ushtarit” e Çuhrait, po në ato ditë të korrikut të nxehtë, pushton mendjet e të rinjve shqiptarë. Pacifizmi dukej se po ulej këmbëkryq edhe në Tiranën e Enver Hoxhës.
Pa harruar klasiken, teksa papritmas gjen vend edhe shfaqja e filmit “Netët e bardha”, simbas tregimit të Dostojevskit. Ndërkaq, “Pranvera e vajzërisë” duhej të ishte filmi i parë me ekran të gjerë i shfaqur në Shqipëri, doemos film sovjetik, ndonëse Partia kujdesej për ta ruajtur deri diku një baraspeshë të krejt filmotekës së vendeve të ashtuquajtura të demokracive popullore. Ka kështu dhe filma kinezë (“Bijat e Partisë”), bullgarë (“Mësimi i parë”), rumunë (“Shifra sekrete”), hungarezë (“Çapkënia”), koreanoveriorë (“Duajeni të ardhmen”), gjermanolindorë (“Fate grash”). Doemos të ndërprerë prapëseprapë prej një filmi sovjetik të radhës, atdhetar, nga jashtë disi i stilit amerikan “ëestern”: “Kaçubej”. E mandej, prej një filmi muzikor po sovjetik, “Marinari nga Kometa”, për të cilin qe aq e vështirë për të gjetur bileta! Dhe prapë filmat e destalinizimit, që kulmojnë me filmin franko-sovjetik “Normandia Njeman” – për Luftën e Dytë Botërore, kushtuar bashkëpunimit BRSS – Francë. Ndërkaq, shfaqja befasuese e operës “Berberi i Siviljes” të linte një përshtypje tjetër, më liberale, më moderne të jetës shqiptare… Teksa papritmas, si për të vërtetuar edhe më fort këtë, mbërrijnë dy filma francezë: “Don Zhuani” dhe “Të mjerët”. Kështu, vetëm filmi ishte ai që mund të rivalizonte me popullaritetin e futbollit të Shqipërisë 1960. Po ndërkaq, në stendën e librarisë qendrore shfaqet mbulesa e librit “E kuqja dhe e zeza” e Stendalit, e Shqipëria të dukej se po rilindte bukur e mirë në kulturë e në sport, ndërsa rrugëve të Tiranës, në fragmente kilometrazhi bulevardesk, grupe punonjësish sovjetikë të dukeshin si qytetarë mirëfilli të kryeqytetit shqiptar. Kur, mbas nja një muaji, unë erdha përfundimisht në Tiranë, shumë prej tyre do t’i kisha “shokë” dy herë në javë te porta e Librit Sovjetik, të hënën e të enjten, rreth orës 15:00, kur mbërrinte shtypi sovjetik dhe unë mbushja “paketën” time me “Sovjetskij Sport”, “Futboll – Hokej”, “Njedielja” apo “Sovjetskij Ekran” e tjerë.
Aty në pritje ishin edhe tre personazhe të ardhshëm të gazetarisë, Skifter Këlliçi, Valter Shtylla dhe Agim Papaproko, jo rrallë edhe një operator filmi asokohe ende i ri, që quhej Viktor Gjika. Do të na lidhte mû gazetaria… Ishim disi ende pak larg kësaj, ato ditë, kur Tiranën e mbulon vizita në Shqipëri e Moriz Torezit, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Franceze, së bashku me të shoqen, Zhanet Veremesh – anëtare e Byrosë Politike dhe për një çast, përveçse sovjetike, Tirana mund të dukej jo pak edhe franceze… A duhej besuar se kishim të bënim me një Tiranë revizioniste? Kurrsesi ajo nuk do të bëhej e tillë. Edhe pse Radio Tirana i falte dy programe të posaçme në ditë Radio Moskës dhe emisioni “Muzikë nga vendet e demokracive popullore” ishte i përhershëm. Kështu apo ndryshe atmosfera e jetës sonë dukej e gë- zuar, sepse teksa shtypi, kinematë, stadiumet ushtonin nga gjallëria e një jete socialiste, natyrisht, ende në varfëri. Dhe ky motërzim (variant) kulturor komunisto-revizionist, të paktën nga jashtë, dukej se deri diku e mbushte jo keq jetën e ne 18-vjeçarëve “të lirë”, sepse burgjet e kampet e përqendrimit, ndonëse me pak ulje, ende funksiononin për bukuri edhe në këtë 1960 kolektivist po aq.
E mbas këtij përshkrimi të shpejtë kulturoro-urbano-social të Tiranës së kohës, duke iu kthyer futbollit, kujtoj se u tha që edhe fakti i luajtjes së ndeshjeve në stadiumin “Dinamo”, që quhej si pronë e Klubit Sportiv “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishte ndikuar jo pak në fitimin e titullit prej saj. Them se nuk mund të ishte kështu, megjithatë…
E vërteta ishte se brenda një dhjetëvjetëshi Shqipëria ishte pasuruar me një klub sportiv, i cili nuk do të qëndronte vetëm me futbollin, por do të shpërthente si një fuqi e madhe sportive për Shqipërinë në shumë sporte të tjera. Dhe kjo, pa dyshim, i shërbente zhvillimit të sportit kombëtar… Kishte marrë emrin e Dinamos së Moskës në klub e me stadium. Fitonte titullin më 1960, por duke ndalë për më se nja gati 15 vjet, si për të dashtë ta bënte më të largët sovjetizimin e Shqipërisë. E vërteta ishte se viti 1960 i titullit të Bashkimit Sovjetik si kampioni i parë i Europës, do të bënte dhe ndarjen sportive të Shqipërisë me vendin e sovjetëve. Kjo do të jetë edhe pjesa e tretë dhe e fundit e këtij Dossier-i.
HAREJA “POETIKE” 1960 PËR BASHKIMIN SOVJETIK
Historianët komunistë gjithnjë, edhe sot, duan të na mbushin mendjen se, prishja me Bashkimin Sovjetik nuk ka asgjë spontane dhe se ka vluar prej vitesh. Sigurisht, mbasi PPSH e pranoi Kongresin XX me dëshirë të madhe. Lexoni elozhet që i bën “Zëri i Popullit” i asaj kohe e do të bindeni. Mandej, hap mbas hapi, dihet, teksa ky Kongres rrezikonte postet e udhëheqjes enveriste, ka nisur kundërshtimi. Megjithatë, tjetër histori kjo, që edhe sot askush nuk ia ka nxjerrë fundin.
Kjo ngaqë Shqipëria e sotme ende nuk e ka shkatërruar monopolin e historianëve të partisë apo të së majtës, siç e ka shpjeguar shumë bukur në një editorial të tij Indro Montanelli. E pra, nëse në mbrapaskenë paska vluar prej vitesh prishja, si ka mundësi që viti 1960 të ketë një eufori asisoji të jashtëzakonshme prosovjetike në Shqipëri? Këtë kapitull po e shoqërojmë me një foto të rrallë në Moskën e vitit 1960, ku tregohet Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu duke firmosur deklaratën e Traktatit të Varshavës. Ia vlen që antropologu apo psikologu të studiojë fytyrat e udhëheqësve të të gjitha vendeve komuniste, me Hrushovin në ballë për të kuptuar gjithçka: bindjen, gëzimin, nënshtrimin apo “miqësinë” që zotëron.
Nuk ka dyshim. Viti 1960, brenda të cilit hyn dhe euforia shqiptare për suksesin e Bashkimit Sovjetik në Kampionatin Europian të futbollit, që mbërrin kulmin me euforinë e suksesit sovjetik në Lojërat Olimpike të Romës mbas nja disa javëve, është viti kulmor i pushtimit sovjetik në Shqipëri. Shpesh kujtoj atë që më tregonte vëllai im i paharrueshëm, Petrit Dizdari, kur papritmas në mbledhje në Ministri (e bujqësisë), për shkak të një problemi të mprehtë, ministri disi i shqetësuar, papritmas, e ndërpriste mbledhjen, nxitonte të mbyllej në zyrë te këshilltari sovjetik dhe mandej, krejt i qetë, kthehej dhe jepte direktivën…
Asokohe në Shqipëri, përveç gjithë shtypit, edhe një revistë e përjavshme me emrin “Miqësia” – organ i shoqërisë së miqësisë Shqipëri – Bashkimi Sovjetik mbante fort çdo muaj themelet e këtij pushtimi të llojit që më vonë Leonid Brezhnjevi do ta emërtonte si “sovranitet i kufizuar”. Ishte një kohë kur dhe vargjet e poetëve shqiptarë thurnin ditirambe kësisoj: “Po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë/ Në mes peisazheve që dua shumë./ Mes rrugëve, mes fushave të qeta,/ Ku zhurmëron, një lis ku rrjedh një lumë,/ Sepse Ai më eci nëpër shqotë,/ Në rrugët plot me erëra tetori,/ I deshte bukuritë e kësaj bote/… Atij mëngjesi i bukur i kujtonte/ Të ardhmen mbi Rusinë e paanë../ Fitoret kurrë ne, nuk do t’i lëmë kurrë”.
Dhe tjetra: “… Dhe flamujt e punës po i shoh si flakërojnë, si valojnë,/ si botën ata lajmërojnë: se drita e Leninit dhe n’skajet ma t’fundit/ një ditë, do ndriçojë”. Dhe tjetra: “Ti brezi im pa tjetër ke dëgjuar/ për vendin që ka kaq lumturi/ për vendin e Leninit madhështor/ për vendin që për paqë po rri zgjuar/ për vendin e kreshnikëve legjendarë/ për vendin që ka bërë revolucion!”. Plasa me e gjetë një vjershë për Duçe-n te gazeta “Fashizmi” 1940. Nuk e gjeta. Përkundrazi, gjeta vargje kësisoj lirike: “Ende nuk po t’thahen ato dy bulza loti,/ që t’i përshkuen faqet në nji mëngjes rinorë,/ dhe pse kaluen koh, pse kaloi shum moti/ syt’e tu s’po teren njom t’i shoh për orë!” Sepse, për çudi, trysnia e 1960-s doemos mbërrinte krejt ndryshe deri edhe te poezia. Ne që do të bëheshin gazetarë, për fat, mosha nuk na përfshiu në këto shërbime. Servilizmin të paktën ne do t’ia bënim “tanëve”, jo të huajit. Nuk është një meritë, megjithatë. Ishte thjesht çështje anagrafike…
E vërteta është se 1960-ta për ne 18-vjeçarët ishte sport e hare. Ndonëse e ndjenim dhe e kuptonim bukur e mirë sovjetizimin e shfrenuar. Po aq është e vërtetë, që gazetat tona ishin tejet më të dobëta se ato sovjetike; librat tanë po ashtu, e filmat ishin vetëm sovjetikë… “Triumfi i shkëlqyer i sportit sovjetik në Olimpiadën e Romës, siç titullonte shtypi shqiptar, për ne ishim emrat e sportistëve sovjetikë të tillë të nivelit botëror, Krepkina, Bogdan, Siskin, Ozolina, Kapitonov, Tamara e Irina Pres, Kuznjecov, Ponomarjova, Shahlin, Shevcova, Bollotnikov, Shavlakadze, Rudenkov, Latinina, Azarjan, Astahova, Vorobiev, Vlasov. Na ishin bërë si të shtëpisë. I admironim. Informacioni na ishte ngushtuar vetëm për Bashkimin “e lavdishëm” Sovjetik. Nuk kishte për ne transmetim televiziv, por ne zbuluam radion italiane, e cila transmetonte drejtpërsëdrejti Olimpiadën.
(vijon)
Komentet