Një despot i vogël i Rashkës, Llazar Grebeljanoviç, ndër të shumtit që trashëguan feudet prej copëtimit të perandorisë ushtarake 25-vjeçare të Dushanit, “mbërriti” përsëri në Kosovë, më saktë në Mitrovicën veriore! Tashmë jo më si një prej sundimtarëve të shumtë që morën pjesë në aleancën ballkanike kundër ushtrisë osmane, si në vitin humbës 1389, por si “roja” i fundmë i urës së Ibrit. Një roje-shtatore gjigante (8 apo 10 metra) si simbolikë e identitetit serb të këtij qyteti, që pritet të inaugurohet në ditën e Vidovdanit! E s’kishte si të ndodhte ndryshe! Me ndarjen faktike të qytetit pas vitit çlirimtar(!) 1999; me profilin serb që iu dha kësaj pjese të Mitrovicës pas përqendrimit të ikanakëve serbë matanë urës, nën mbrojtjen e administratës ushtarake franceze, dhe përzënien e dhunshme të shqiptarëve vendorë; me organizimin serb të saj dhe me “kufitarët” e urës; e së fundmi me përfigurimin e Zajednicës si gangrenë në trupin e Republikës së Kosovës, – do të vinte edhe “qershia mbi tortë”, uzurpimi i sheshit me simbolikë historike të sajuar serbe.
Në parantezë, kohë më parë kemi trajtuar çështjen e nevojës që ka shteti i ri i Kosovës për të përvijuar edhe shtratin simbolik identitar të tij, përmes simbolikës monumentale figurative, që duhej të pasqyrohej në arredimin e mjediseve urbane, duke sjellë kujtesën historike dhe kulturore shumëshekullore të entitetit të ri shtetëror, në përqasje dhe simbiozë të natyrshme me rrënjësinë etnike e kombëtare, dhe në kontrast me entitetet e tjera shtetërore apo kombëtare ballkanike. Kjo dhe në ballafaqim me përpjekjen e ethshme të shteteve të tjera të rajonit për të mveshur qendrat urbane me simbolikë historike më së shumti imagjinare dhe pjellë e strategjive ekspansive, por që merr një ngarkesë jo të parëndësishme në planin konkret. Jo rastësisht, prandaj, përzgjidhen ata personazhe historikë që evokojnë zgjerime territoresh përmes pushtimesh dhe uzurpimesh, si në rastin e shtatores së Dushanit në Maqedoni apo kjo e fundmja e Llazarit në Kosovë, padyshim si piketa orientuese për politikat dhe strategjitë afatgjata të tyre.
I natyrshëm është reagimi i shqiptarëve në Kosovë tek ndihen të dhunuar në kujtesën historike dhe në identitetin e integritetin e tyre, kur shohin një formë të re rikthimi të Serbisë në vendin e tyre që e menduan tashmë të çliruar përfundimisht. Po në fakt kundër kujt reagojnë e, në rastin e inaugurimit, kundër kujt do të protestojnë?! Kundër institucioneve të shtetit të tyre që, të pafuqishme apo dhe të papërgjegjshme, lejojnë aksione të tilla “serbizimi” brenda territorit sovran?! Kundër vetë Serbisë?! Apo kundër mentalitetit që ende ndjen varësinë prej saj edhe në kushtet e pavarësimit?! Llazari padyshim do të vendoset në Mitrovicë, si rrjedhojë pikërisht e këtij mentaliteti të përgjithshëm, si rrjedhojë e oportunitetit dhe frymës kapitullante të institucioneve, e mbi të gjitha e ngulmimit të Serbisë për të vijuar në kushte e rrethana të reja të njëjtën politikë që ka ndjekur qysh se është shfaqur këtyre anëve.
E nga të gjitha këto, më “e përligjur” dhe më konsekuente duket se është Serbia në aksionin e saj; tekefundit ajo luan dhe do të luajë, pavarësisht iluzioneve apo mashtrimeve propagandistike të tipit “Halil Matoshi” për ura miqësie shqiptaro-serbe, brenda logjikës së interesave të saj. Ajo nuk mund të fajësohet se përse shqiptarët vetëmohohen dhe ende vazhdojnë të luajnë rolin e viktimës e të amnezisë historike edhe tash që u shkëputën prej saj. E duke marrë shkas pikërisht nga Llazari, brenda kontekstit të simbolikës monumentale, mund të analizojmë edhe dukurinë e kahjeve të ndryshme që zhvillohen ditëve të sotme, duke e vështruar në një rrafsh më të gjerë: ndër entitetet shtetërore shqiptare në përgjithësi, dhe ndër serbët, apo më tej edhe ndër grekët e sllavomaqedonët.
Këto kahje duken diametralisht të kundërta në logjikën dhe rrjedhojat që sjellin, e do të mund t’i quanim si: legjendarizim i së sotmes te shqiptarët, dhe konkretizim i legjendares te fqinjët e tyre. Secila kahje si projektim edhe i politikave dhe strategjive shtetërore e kombëtare të palëve përkatëse, secila kahje si shprehëse e objektivave dhe aspiratave të tyre. Padyshim që nga lënda e pasqyruar në arredimin figurativ të mjediseve urbane, nga tendenca e përzgjedhjes së subjekteve që përbëjnë ansamblin tërësor të projektimeve historike, kulturore e artistike në qendrat urbane apo edhe rurale të një vendi, pas një analize të përgjithshme, mund të nxirret edhe një sintezë e vetë frymës dhe mentalitetit që përshkon një shoqëri të caktuar; mund të konkludohet në përcaktimin edhe të orientimit ideor, e më tej politik, të vetë asaj.
E në këtë kontekst, nëse kalohet në revistë gama e objekteve skulpturore që gjenden aktualisht në mjedisin shqiptar të kudondodhur, apo edhe ato projekte që janë bërë të njohura, do të arrihej pikërisht në konkluzionin e mësipërm, se shqiptarët priren drejt “legjendarizimit” të kohës së sotme, duke iu shmangur kujtesës së gjatë historike e kulturore, siç duket në përqasje dhe orientim edhe të vetë politikave që kanë sunduar dhe sundojnë pikërisht në “kohët e sotme”. (E vetmja figurë që evokon një kohë të shkuar është ajo e Skënderbeut, që edhe pse ka “gjetur vend” në shumë mjedise, mbetet si një “aksident” historik, si një meteor i rënë në një tokë “të shkretë” për nga kujtesa e vijueshmërisë historike, pa paraardhje e pa pasardhje!). Duke marrë në referim pasqyrimin historik e simbolik në objekte të arredimit figurativ, krijohet përshtypja se shqiptarët kanë një histori të re, të sotme, pa piketa që të shprehin lashtësinë dhe madhësinë e tyre, pa gjurmë të fuqisë politike dhe kulturore të hershme, pa një vijimësi shumëshekullore, edhe pse në forma të tjera diletante rreken të vërtetojnë pikërisht të kundërtën.
Përmes objekteve skulpturore apo të llojit tjetër figurativ që “stolisin” mjediset urbane shqiptare, mund të arrihet deri në një “rindërtim historik” që e shpreh më së miri Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, domethënë një histori pllakateske pa piketa identitare të spikatura, një masë njerëzish që ecën për inerci të kohës, pa indivualitete politikë e kulturorë, madje dhe drejtimi i individëve që përbëjnë këtë masë është i pacaktuar, secili për hesap të vet!… Nga ana tjetër, ajo çka evokohet përgjithësisht mund të grupohej në dy periudha historike: ajo e Rilindjes me tepër mangësi dhe me përzgjedhje në dukje të rastësishme, dhe ajo e luftës partizane e guerilje që dominon mjaft hapësira publike. Ditëve të sotme janë shtuar edhe objekte që paraqesin personalitete të huaja, por kjo është temë tjetër. Ndërsa në Kosovë mbizotëron tematika e luftëtarëve të UÇK-së, si të nënkuptojë se ai territor e ajo shoqëri kombëtare fillon historinë e saj vetëm para pak vitesh…
Por edhe në përzgjedhjen e këtyre figurave përgjithësisht është bërë kujdes që simbolika e tyre të përfaqësojë pikërisht atë frymë viktimizuese të pafuqisë, prirjen difensive, kryesisht të luftës së brendshme mes shqiptarëve, e jo edhe shpalosjen e atyre momenteve apo kyçeve historike që evokojnë fuqinë kombëtare, shtetformimin apo madhësinë territoriale të dikurshme. Mungojnë krejtësisht, apo gjinden si aksidente, figurat e shtetarëve të periudhave të ndryshme historike (siç pasqyrohen rëndom nëpër qendrat urbane të shteteve të tjerë), të mbretërve të lashtësisë, të princërve, zotërve e bujarëve të Mesjetës, personalitete politike të periudhës osmane, personalitete të hershme të kulturës e diturisë shqiptare, duke “legjendarizuar” figura të kohëve të sotme, shpesh edhe që nuk pranohen nga e gjithë shoqëria, apo që mbartin vlera të pjesshme apo të përkohshme (si në rastin e shumë skulpturave të periudhës komuniste).
Ky “legjendarizim” më pas kthehet në frymë të përgjithshme që pranohet në mënyrë taksative nga shoqëria, pasi e tillë i është servirur dhe vazhdon t’i serviret nga institucionet përgjegjëse. Pesha specifike e këtyre figurave në historinë e përgjithshme shqiptare shpesh është e papërfillshme në raport me personazhe të tjerë apo me ngjarje të tjera, por duke u përjetësuar apriorisht në simbolika urbane, ato marrin ngarkesën e rëndë të “legjendës”. Rasti më i spikatur është ai i Avni Rustemit, që përbën një akt por jo një ngjarje madhore në histori, apo ai i pllakave të mermerta në hyrje të shkollave për disa ilegalë e atentatorë që kanë shpërndarë trakte në kohën e luftës!… Pa folur më tej se, krah Muzeut vendoset Deda që ngriti flamurin në Deçiq, e jo ai që simbolizon aktin e themelimit të shtetit modern shqiptar të vitit 1912. E njëjta ndodh edhe në Kosovë, pra “legjendarizimi” i figurave të një ngjarjeje të kohëve të vona, që përjetësohen pa evokuar ndonjë kulm historik individual, por vetëm pjesëmarrje në formacionet e një ushtrie, si UÇK-ja.
Ndërkohë që, si shtet i ri, do të kishte nevojë të krijonte me ngut shtratin e vet simbolik të kujtesës historike kombëtare, shoqërore e shtetformuese, që nga lashtësia e në vijueshmëri, duke evokuar edhe figurativisht ato momente kulmore dhe kruciale të historisë së vet, në simbiozë kuptohet edhe me historinë kombëtare shqiptare në përgjithësi. Nuk do të kishte vend për Llazarin në Mitrovicë, apo për Llazarë të tjerë që mund të zbarkojnë kohë pas kohe, nëse ai shesh i Mitrovicës dhe sheshet e mjediset e tjera të qendrave urbane të Kosovës do të “ishin zënë” me kohë prej personaliteteve historikë kombëtarë shqiptarë; nëse do të kishte pasur një program institucional për veshjen figurative me kontekst historik identitar shqiptar të mjediseve publike në Kosovë; nëse Llazari do të gjente atje mbretërit dardanë, princërit mesjetarë shqiptarë, apo edhe Hasan Prishtinën, Isa Boletinin e Rexhep Mitrovicën. E pse jo edhe Gjergj Balshën, Teodor Muzakën, Jonimën, Kastriotin e të tjerë kryezotë shqiptarë që formuan koalicionin ballkanik kundër ushtrisë osmane.
Pasi në këtë rast Llazari nuk do të ishte më një piketë strategjike serbe për identitet territoresh, por vetëm një prej pjesëmarrësve të thirrur në këtë koalicion. Edhe pse koalicionet ballkanike iu kanë kushtuar përherë shqiptarëve kombëtarisht, megjithatë në këtë rast nuk do iu jepnin mundësi serbëve të përvetësonin dhe të manipulonin një ngjarje historike në kufijtë e legjendës. Në fakt mund të deduktohet lehtas edhe nga ky aspekt për të cilin po diskutohet, pra i përjetësimit figurativ të simbolikave kombëtare e shtetërore në mjediset urbane, se çfarë vije politike, çfarë frymë shoqërore, çfarë mentaliteti publik e institucional kanë zgjedhur shqiptarët edhe në shekullin që e quajnë “shekullin e tyre”. Vijojnë si në 150 vitet e fundit me psikozën e oportunitetit deri në vetëmohim, duke pasur kujdes gjithherët se mos lëndojnë fqinjët në qëndrimet apo sjelljet e tyre; vijojnë me mendësinë e të dobëtit edhe pse situatat kanë ndryshuar ndjeshëm, qoftë gjeopolitikisht, qoftë demografikisht, qoftë edhe në aspekte të tjera, kundrejt fqinjëve ballkanikë përherë me mendësi agresiviteteti dhe ekspansioni; vijojnë me dëshirën për miqësi dhe bashkëpunim ballkanik, edhe pse palëve të tjera iu mungon krejtësisht kjo prirje; vijojnë të hallakatur pa strategji kombëtare një politikë dite inkoherente, duke pritur çfarë do t’iu japin, çfarë do t’iu sugjerojnë, çfarë do t’i urdhërojnë të tjerët, ata “ndërkombëtarët”…
Përkundër kësaj kahjeje të shqiptarëve, kahja tjetër e shpërfaqur prej serbësh, grekësh e maqedonasish, vijon të jetë konsekuente në vijat strategjike të saj. Asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin, në frymën apo qëndrimet e tyre, veç taktikave të kushtëzuara prej rrethanave të kohës. Ata vijojnë në linjën e “konkretizimit të legjendares” në funksion të strategjive të përhershme e të pandryshueshme të ekspansionit të tyre kombëtar. Ethet e këtyre viteve për të përjetësuar figurativisht në mjedis publik gjurmët dhe shtratin ‘e lavdishëm” historik të tyre e ilustrojnë më së miri këtë. Kthimi i Shkupit në një “muze” skulpturor, duke evokuar një histori që vetëm sllavomaqedone nuk është, përvetësimi i personazheve historikë të lashtësisë maqedone dhjetë e më shumë shekuj para se të shfaqeshin sllavët e parë në këto troje, huazimi i carëve bullgarë apo serbë, si Samueli apo Dushani etj., tregon më së miri pikërisht politikën shtetërore që po ndiqet, duke konkretizuar dhe fiksuar në të tashmen një kujtesë historike të mistifikuar, legjendare e deri të trilluar.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për grekët e për serbët. Vetëm se, këtë tendencë të tyre ata nuk e zhvillojnë vetëm brenda territorit të tyre, por e shtrijnë kur munden dhe kur lejohen prej syleshtësisë apo disfatizimit shqiptar, edhe në trevat historikisht e aktualisht shqiptare. Llazari në Mitrovicë është i fundmi që po zbarkon në to. Pak kohë më parë kemi trajtuar çështjen e Kishës së Gllavenicës dhe të rrugës që të çon atje, e cila mori emrin e car Borisit, duke konkretizuar njëfarë gojëdhëne se aty paskësh lindur mbreti bullgar! Të kujton kjo atë moton sllave të gjithëkohshme se ku ka një varr, ku ka një kishë, ku ka një sllav të vetëm, ajo është tokë sllave, si piketa që motivojnë politikën sllave në kohë oportune. Edhe pse me një mbartje më të vonë historike, në të njëjtën hulli do të vlerësonim edhe ngritjen e lapidarëve të ushtarëve grekë në jugun shqiptar. Kjo më pas përbën edhe një handikap më të madh, pasi këtu nuk bëhet më fjalë për simbolika të një historie të hershme, që mund të mvishet edhe me një aspekt kulturor, por për një simbolikë që cenon integritetin dhe sovranitetin e vetë shtetit shqiptar.
Ushtarët grekë të Luftës së Dytë Botërore ishin trupë pushtuese, ashtu si dhe grekët e ‘12-‘13, apo ata të ‘18-‘19, dhe në popull kujtohen si “greku i parë”, “greku i dytë” dhe “greku i tretë”, për shkak të pushtimit dhe masakrave mbi popullsinë vendore. “Lapidarizimi” i ushtarëve pushtues është një precedent dhe një fenomen tipik shqiptar! Në bazë të kësaj logjike i gjithë territori i shtetit shqiptar apo dhe i trevave shqiptare në përgjithësi do të kthehej në një mauzole varresh dhe lapidarësh të ushtarëve pushtues serbë, grekë, osmanë, italianë, francezë, holandezë, e pse jo edhe ata të Xhingiz Kanit (!), që ndër shekuj kanë rënë në këto vise. Dhe secilës palë do t’i lindte e drejta të kërkonte ngritjen e varrezave e të lapidarëve për ta nën shembullin e grekëve… Objektet monumentale në mjedisin publik mbartin një simbolikë, gdhendin apo përpunojnë një kujtesë historike, janë gjurmë të saj të përjetësuara dhe të “certifikuara” në mendësinë publike, por edhe me ndikim jo të paktë në orientimin politik e institucional.
Prandaj edhe rëndësia e tyre shkon përtej arredimit estetik të mjediseve urbane apo vlerave kulturore apo artistike që mbartin teorikisht (se praktikisht nuk kemi parë të evidentohen të tilla, qoftë te shtatorja e Llazarit, e aq më pak te lapidarët e ushtarëve grekë, apo te rrugina e Car Borisit); ato kanë rrjedhoja politike afatgjata dhe shërbejnë si piketa orientuese për strategji të mirëfillta politike e kombëtare të atyre që i përdorin. Nëse do t’i vështronim në karakteristikën e tyre themelore, të gjitha këto vërshime prej bronzi e prej mermeri, përjetësojnë elementin pushtues të territoreve shqiptare prej palëve, dhe jo ndonjë vlerë universale, apo qoftë edhe ndërballkanike, që të mund të përligjej në kuadër të ndërveprimit kulturor rajonal. Po reagimi shqiptar karshi këtyre akteve? Në rastin e varrezave greke, reagimi “më i guximshëm” ishte ai i politikanit Idrizi, që kërkoi si reciprocitet ngritjen e varrezave të çamëve në Çamëri! Edhe në këtë rast psikoza e shqiptarëve shkon deri tek e drejta e mohuar dhe jo si një kundërpërgjigje me të njëjtat kritere.
Pa dashje Idrizi vë një shenjë barazimi mes të drejtës së çamëve për t’u varrosur në trojet e tyre dhe “të drejtës” së ushtarëve grekë për t’u varrosur dhe nderuar me lapidarë në tokat e pushtuara! Po të kërkohej shtatorja e Mustafë Bushatliut në Etoli e Akarnani, apo më tej edhe në Sofje, ndoshta po do të kishim njëfarë reciprociteti. Po në këtë linjë mendësie u hodh edhe ideja “kokëkrisur” që paralelisht me vendosjen e Llazarit në Mitrovicë, të vendosej edhe shtatorja e Skënderbeut në Nish! Po Llazari në Mitrovicë rivendikon një histori politike serbe të Kosovës, ndërsa Skënderbeu nuk evokon kurrfarë domethënie të tillë. Nëse do të kërkohej vendosja e shtatores së Balshës në Banat apo e Karamahmud Bushatit në Vidin, ndoshta do të shkonim drejt një përafrimi kundërvënës, por shqiptarët janë tepër të kujdesshëm, siç thamë, që të mos lëndohen ndjenjat e fqinjëve…
Pra, në kohët moderne po shohim mbi territoret shqiptare dukurinë e “pushtuesve” prej bronzi e mermeri. Natyrisht, në kushte të tjera, nëse do të lejonin rrethanat, ata ushtarë grekë “do të ngjalleshin” duke konkretizuar misionin e tyre të pushtimit, car Borisi do të vinte kalëruar për të veruar në kishën “e tij”, ndërsa Llazari, që e sollën në Mitrovicë si “I teti në bronz”, do të vinte i gjallë bashkë me rashjanët e tij për t’u shtruar në atë vend që dikur s’kishte guxuar ta mendonte si të tijin…
Komentet