Refreni i përsëritur se “me Demarkacionin, shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova nuk humbet asnjë milimetër tokë”, e thënë, së pari nga Hashimi, e pasuar nga Isa dhe, pothuajse, e gjithë lukunia pushtetare! Bisedimet me Serbinë kanë filluar në mënyrë konspirative, klandenstine, të fshehtë e tinzisht, gjithnjë duke e gënjyer e mashtruar popullin e Kosovës. Ky rol i pistë iu ngarkua lëvriçkës Edita Tahirit, e cila, më parë, me intrigimet e saj, e kishte bërë rrotull LDK-në, deri në synimin për ta ndarë LDK–në në Mërgatë, me Qendrën në Kosovë! Hashim dallaverja e mori nga rruga këtë lëvriçkë, mjeshtre të intrigës, të gënjeshtrës dhe të mashtrimit. Betohej kjo horrake se “me Serbinë nuk do të këtë kurrë bisedime politike, por vetëm teknike”! Dhe, këtë betim të pacipshëm e bënte kur ajo veç kishte filluar bisedimet politike, madje aq të dëmshme, sa që elementet e tradhtisë janë të bollshme.
Por, lëvriçka Editë ishte përzgjedhur nga Hashimi, si specialiste e gënjeshtrës, mashtrimit, manipulimit, konspiracionit. Përndryshe, çilësin e marrëveshjeve e mbante vet Hashimi dhe dëmin e këtyre marrëveshjeve shqiptarët, së pari, e mësuan nga miqtë amerikanë.
Kur u përfolën shenjat e pikëtimeve dhe etiketimeve të kufirit, të parët që reaguan ishin rugovasit, meqë prekeshin pronat e tyre shekullore. Hashimi, në cilësinë e kryeministrit, me gjuhën dhe fjalorin e njeriut halabak, të rrugave, bastard, i fyu rëndë rugovasit krenarë, duke u thënë se “nuk jeni shquar për luftë e trimëri “! Përveç fyerjes, ishte edhe një shpifje e ndyrë. E vërteta është se Rugova është përgjakur në dekada në mbrojtjen, pikërisht, të këtyre kufinjve. Kujtoni Luftën e Dytë Botërore, kur treva e Rugovës mbeti në gra dhe fëmijë, sepse edhe ata pak burra që mbijetuan luftën, u përplasën burgjeve, deri në ishujtë kroat. Hija e atij kufiri i ka ndjekur dhe marrë jetën 4 (katër) djemve të Sadri Elezit – Rugova, përfshi edhe nipin Ukë Rugova, babai i Presidentit Rugova. Dhe, po kjo hije, e betejave kufitare, në luftën e fundit në Kosovë, ka përzgjedhur për ekzekutim nëntë anëtarë të Familjes Rugova, në mes tyre edhe prindërit e kryetarit të komunës të Istogut, Haki Rugova.
Nuk ka asnjë habi për veprimet kriminale dhe kundrakombëtare të Hashim Thaçit. Implikimi me Shërbimin e fshehtë francez, DGSE, i cili ka një bashkëpunim të hershëm dhe të zellshëm me UDB-në serbo-sllave. Por, kalaveshja e kryetarit të LDK-së Isa Mustafës, pas Hashimit, e lënë pa frymë anëtarësinë e LDK-së dhe vetë shqiptarët. Çështja e Demarkacionit nuk përbën asgjë të panjohur. Ishte deputeti, nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi me kolegun e tij Florim Isufi, të cilët e shpjeguan edhe shkencërisht vijën kufitare me Malin e Zi dhe që përputhet edhe me kufinjtë e tokave të fshatarëve të Rugovës. Dhe, kjo është shumë domëthënëse. Është shumë mbresëlënëse edhe letra, sqaruese e protestuese e kuadrit Idriz Blakaj, nga Vrella e Istogut, i cili e njeh të gjithë atë zonë, siç thuhet, “me pëllembë” dhe prisnim të reflektonin pushtetarët e mërdhezur pas lakmine dhe posteve hiç meritore, madje aksidentalë, duke shkelur mbi kufoma të oficerëve dhe të veprimtarëve të Ibrahim Rugovës. Dhe, megjithatë, mashtrimi zyrtar vazhdon dëshpërueshëm.
Gogoli i liberalizimit të vizave, i shtisur nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, si shantazh për të aprovuar marrëveshje fatale për Kosovën, të aprovuara, turpshëm e tradhtisht nga Hashim dallaverja dhe të imponuara për pushtetarët tjerë, është tërësisht subjektiv. Kushtëzime të tilla janë sa antiligjore, aq edhe antinjerëzore, andaj, duhet injoruar vendosmërisht, pavarësisht rrjedhojave. Shqiptarët e Kosovës janë përballur me papunësi masive; me mangësi e privacione skajore, por, në saje të solidaritetit, me porosinë e drejtëpërdrejtë të Presidentit Rugova, kanë mbijetuar, me qendresë e dinjitet. Nëse liberalizimi i kushtëzuar i vizave, nuk ndodhë sot, gjithësesi, do të ndodhë mot, madje, edhe pa kushtin paradoksal e fatal për Kosovën.
Është marrëzi dhe tradhti, njëherësh, blerja e ashtuquajturës “perspektivë të integrimeve evropiane”, me faljen këmbyese të territoreve tona një shteti fqinjë! Nëse Demarkacioni nuk mund të zgjidhet shkencërisht, por u dashka zgjidhje politike, kjo i demanton bindshëm, shtetarët dhe pushtetarët batakçinj dhe matrapazë, të cillët, deri sot, i referoheshin shkencës, me shelegun e tyre, Murat Mehën. Çuditërisht, këtë e thonë sot zyrtarët e dyshimtë shtetërorë, pasi teza shkencore dhe fakti shekullor, i pronësisë dhe i shrytëzimit nga shqiptarët i tokave të kontestuara, flet qartë dhe paekuivoke, pamëdyshje në favor të shqiptarëve.
Të gjitha arritjet, natyrisht, të pasluftës, pranimet në shoqata dhe organizma tjera ndërkombëtare, janë një nulitet, një hiç, në raport me lëshimet për “Zajednicën”, Bashkësinë e komunave serbe dhe “Demarkacionin”, Shënimin e vijës kufitare, me humbje territori sot me Makin e Zi dhe nesër me Serbinë. Kroacia kishte kontestin territorial, shumë më madhor, me Slloveninë. Me gjithë trysninë ndërkombëtare, nuk lëshoi pe dhe realizoi të drejtën e anëtarësismit në BE. Duhet konsideruar kohëra të përenduara, kur Fuqitë e Mëdha përdornin si kusuritje tokat shqiptare, në llogari të fqinjëve ballkanikë.
Çfarë është më e keqja, shtetarët e Kosovës, të zhytur në korrupsion e krime vrastare të bashkëkombasëve të tyre, për t`i ikur ndëshkimit, janë në gjendje ta falin gjithë Kosovën. Ata mashtrojnë, duke thënë: “Hajde, ta aprovojmë Demarkacionin, kështu siç po na kërkohet sot e, më vonë, përsëri bisedojmë dhe e korrigjojmë atë”!!! Kjo dyftyrësi, më sakt, pafytyrësi, është skajmërisht turpëruese për rrenacakët përmanent, në vijimësi dhe të pacipshëm. Me kufi nuk ka lojëra. Ata vendosën njëherë dhe veç forca e armëve mund t`i ndryshojë. T`ua lësh sherrin në derë brezave, do të ishte një krim i pafalshëm.
Ju kujtojmë një rast kufitar në komunën e Dardanës, (Kamenicës): Vëllai i Azem Vllasit u gjet vdekur, bile i masakruar, brenda kufirit me Serbinë. Dhe, u cilësua krejt normale, nga serbët, sepse kishte shkelur kufirin. Është praktikë ligjore botërore se çdo shkelje kufiri, refuzimi i dorëzimit pa kushte, kushton me jetë. Tre vjet më parë, një djalë nga Kosova, në tentim për të kaluar kufirin Gjermani – Zvicër, nuk iu bind urdhër-ndalimit, rojet kufitare zvicërane e qëlluan për vdekje. Prandaj, nuk ka shakara me kufinj.
Ne vlerësojmë pritjen, strehimin dhe sjelljen korrekte të shtetit malazez me refugjatët e Kosovës, edhepse disa nga bijtë e këtij shteti kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm; ne kemi përshëndetur edhe shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia; ne vlerësojmë edhe bashkëpunimin korrekt aktual dhe pushimet që bëjnë shqiptarët në bregdetin e atjeshëm, cinikisht, duke u ndjerë shumë më të sigurtë, se sa në Shqipërinë nënë. Por, kjo miqësi e re, kurrë nuk guxon të këtë një çmim kaq të lartë, siç është tendeca e pushtetarëve tanë, për të falur tokat tona të shënjta!
Angazhimi i një komisioni formal, siç u tha, me ekspertë të vendeve mike të shqiptarëve, ishte një keqpërdorim flagrant i tyre, nga ana e shtetarëve të Kosovës. Ishte një bllof i neveritshëm, për ta kompensuar të vërtetën me gënjeshtrën, për t`ia mbyllur gojën popullit dhe për t`i thënë opozitës se “tani nuk kanë kauzë, motiv për kundërshti, por po e shfrytëzojnë Demarkacionin për lakmi politike e pushetare”. Opozita e Kosovës ishte njësh me popullin e Kosovës në dy kundërshtitë bazë: “Zajednicën” dhe “Demakacionin”. Por, ishte dhe vazhdon të jetë në kundërshti të hapur me popullin, sepse, kjo opozitë nuk e votoi Gjykatën Speciale. Pra, opozita u rrjeshtua në mbrojtje të krimit dhe të anarkisë në Kosovë, sepse disa krerë të saj, janë palë në krime dhe disa të tjerë, duke mbrojtur krimin, po bëhen pjesë e krimit. Prandaj, është një opozitë e diskredituar dhe aspak besuese për ta merituar pushtetin.
Ne, që jemi rritur në ata kufinj, na habit këmbëngulja, pothuaj, idioteske e pushtetarëve servilë të Hashim dallaverës. Çakorri dhe Kulla, dy pika reference, nuk janë bjeshkë, por, janë vazhdimësi e kullotave të fshatrave, të cilat i ndajnë fshatrat shqiptaro-mmalazeze dhe shqiptaro-shqiptare, siç është fshati Dacaj i Rozhajës. Ndërsa kufinjtë bjeshkorë janë Ruselia dhe Bjeshkët e Thata. Edhe çështja e kullotave të paguara, me stane verore në Bogiçe të Plavës dhe Gllarevë të Tutinës, është një zgjidhje që e kanë bërë fshatarët dhe nuk ka konteste e dilema për zonat përkatëse.
Banorët e trevës të Rugovës kanë përcjellur me shqetësim e vëmendje kompromiset dhe lëshimet e dhimbshme të Kosovës, në raport me Serbinë dhe orthodokësinë e saj: Malin e Zi dhe Maqedoninë. Në emër të pajtimit me fqinjët, me keqardhje, edhe ndërkombëtarët duan ta blejnë këtë pajtim, duke paguar haraç Kosova, populli i saj. Dhe, malli për haraç, po llogaritën, veç tjerash, territoret kufitare me fqinjtë! E dhimbshme, deri në vajë dhe ulurimë! Tëkurrja e trojeve tona vazhdon për më shumë se një shekull. Shqiptarët janë lodhur e dërrmuar, deri në rraskapitje, me zhvatje të përsëritura. “Zajednica” dhe “Demarkacioni”, SHIK-u krimnal po se po, ia kanë ngrirë buzëqeshjen e lirisë popullit të shumëvuajtur të Kosovës.
Për t`i dalë të keqes para, një delegacion i trevës të Rugovës, kërkoi ndihmën e Presidentit Rugova. Dr. Ibrahim Rugova, duke e pritur, me përzemërsi, delegacinonin e burrave, sivëllezër të Rugovës, u premtoi sa vijon:”
“Në Çakorr, Kullë, Moknave, Qafë Dasmorëve dhe këto pjesë tjera nuk do të prekën, se është ndarje natyrale dhe ka qenë kufiri përherë”. Dhe, ka shtuar se territoret tjera shqiptare, përtej këtyre kufinjve që përmenda, tanipërtani, nuk mund t`i marrim dhe mbetën çështje të hapura për të ardhmen.
Ibrahim Rugova është rritur në atë brez kufitar, ka ruajtur në kullotë dele dhe lopë buzë atij kufiri, duke qenë fort i lidhur me trojet dhe tokat sërgjyshore. Familja e madhe Rugova, edhe pas shpërnguljes nga fshati Malaj, i Rugovës, i ruajti troje e toka, si ekonomi ndihmëse verore. Andaj, ishte edhe njohës i mirë i të gjithë vijës kufitare me Malin e Zi. Ato troje, ata kufinj, janë lagur me gjakun e rugovasëve trima. Hija e atij kufiri e ka ndjekur edhe Familjen martire Rugova: Stërgjyshi Sadri Elezi-Rugova ka humbur 4 (katër) djem dhe nipin Ukë Rugovën, babain e Presidentit Rugova.
Dhe, shtrohet pyetja e drejtëpërdrejtë: A ka rrejtë dje Ibrahim Rugova, apo po rrenë sot Hashim Thaçi e Isa Mustafa me kompani?!? Sepse dy të vërteta nuk ka.
Premtimi i Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhënë rugovasëve, por i mbetur peng, për arsye të shuarjes fizike, amëshimit të Tij, krejt logjikshëm, kthehet dhe mbetet një amanet i madh, porosi madhore, për të gjithë shqiptarët, në veçanti, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të ruhet integriteti tokësor i Kosovës, në rastin konkret, edhe i vijës ekzituese të kufirit me Malin e Zi, me pikat referuese Çakorrin dhe Kullën. Mali i Zi ka qenë mbretëri e konsoliduar dhe kufinjtë, pas Konferencës të Londrës, i ka mbrojtur me fanatizëm. Dhe, atë shënim të vijës kufitare e ripohon, madje ngulmërisht, edhe hyjnori i dëshmuar Ibrahim Rugova.
Janë ende në jetë rugovasit e moshuar, por, mbamendës, të cilët i kanë konsideruar dhe përdorur si prona të tyre, tokat që sot po ua kontestojnë atyre, edhe para Luftës së Dytë Botërore, në kohë të Krajlit, kur malazezët, me ndihmën e pushtetit në Kosovë, si kolonë, bëheshin hisedarë në troje e toka të shqiptarëve vendorë në Kosovë. Dhe, është jashtë çdo logjike që Mali i Zi, i asaj kohe, të këtë lejuar pronësimin e paligjshëm, poshtë Çakorrit dhe Kullës. Në betejat, luftërat e zhvilluara ndër dekada, në mbrojtje të tokave kufitare shqiptare, luftëtarët e vrarë, shqiptarët i tërhiqnin brenda kufirit të Kosovës, për t`i varrosur. Kështu ka ndodhur edhe me komandantin e forcave nacionaliste të Podgurit, në mbrotje të Rozhajës, Bardh Isuf Gashi, familjar i Arben Gashit. Pas çlirimit të Kosovës, nën përkujdesjen e Familjes Gashi dhe të Institutit të Historisë të Kosovës, ështërat e tij u zhvarrosen nga bjeshkët dhe u rivarrosën në Banjë të Istogut.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në përgjithësi, ata të LDK-së në veçanti, ndodhën para një sprove serioze: Ta mbrojnë premtimin – amanet, porosi, të dhënë dhe të lënë nga Presidenti Rugova, për moszbritje 5 (pesë) apo 6 (gjashtë) kilometra poshtë Çakorrit dhe Kullës, apo të bëhen vegla të shtetarëve, me dyshimin e bazuar për vendime konspirative dhe interesa personale, që cekëm më lartë, duke votuar variantin fatal aktual. Nëse e bëjnë këtë, sidomos, deputetët e LDK-së, pra, votojnë ndryshe nga premtimi – amanet, i Dr. Rugovës, nuk kanë “namuz”, nder as fytyrë ta përmendin mëtej emrin e të madhit Ibrahim Rugova. Sepse, ky do të ishte turpërimi, madje më fund, i atyre që ndryshe thonë e krejt ndryshe veprojnë. Zot na ruaj nga lakmia!
Komentet