Emisioni Vetting në News24 ka hedhur dritë mbi veprimtarinë e guroreve, cilat janë zonat më të prekura dhe cilat janë skemat që përdoren për të humbur gjurmët. Milionat që qarkullojnë nga bizneset e guroreve sfidojnë interesat e mijëra qytetarëve, të zonave ku shtrihen këto aktivitete. Dhe natyrisht kjo gjë nuk mund të arrihet pa lidhjet me pushtetin, qoftë në nivel lokal apo qendror. Paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirëorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë.
Në rastin kur një bashki apo një institucion publik ka planifikuar ndërtimin e një rruge, ose një projekt ndërtimi që ka nevojë për lëndë të parë, në shumë raste realizohet një tender, ku fitues shpallet kompania që gjendet pranë qytetit, e cila merr pa kriter volume ndërtimi nga gurorja, duke realizuar dhe projektin që shpeshherë ka rezultuar me vlerë të tejfryrë.
Madje për të humbur gjurmët, kjo kompani përzgjidhet si nënkontraktor nga kompania fituese dhe në këtë mënyrë ndahen paratë publike. Këto kompani, si nënkontraktor, por edhe si fitues të tenderit gjenden në çdo sektor të prokurimeve publike dhe janë një mekanizëm se si fitimet shpërndahen në dëm të ambientit dhe taksapaguesve.
Këto janë disa nga mënyrat që paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirëorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë.
Milionat që qarkullojnë përmes këtij biznesi fitmprurës sfidojnë mijëra banorë të zonave përreth guroreve me shpresën e ndoshta edhe jetën që po iu shuhet dalëngadalë prej tymnajës së këtyre zgavrave që prodhojnë para për disa, e vdekje për të tjerë.
Në progres raportin e fundit të Komisionit Europian, në kapitullin 27 trajtohen problemet me ambientin dhe sektorët ku ka ngecur Shqipëria. Në raport shkruhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar dhe i duhet të krijojë agjenci për të luftuar krimet kundër mjedisit për të qenë në një linjë me direktivat e Bashkimit Europian dhe për të mbrojtur burimet ujore.
Për të kuptuar regresin që ka bërë vendi ynë, mjafton të kuptohet se aprovimi i ligjit të ri në 2024 për Zonat e Mbrojtura nga Qeveria Shqiptare është parë nga Bashkimi Europian si një hap mbrapa në këtë drejtim, pasi nuk ka direktiva apo strategji për ndryshimet klimaterike.
Në këto pamje dramatike mbi shpatet e maleve dhe kodra është projektuar egërsia e njeriut si një grabitqar që vazhdon të kafshojë prenë e vet. Shkatërrimi i mjedisit vazhdon, ndërsa këto zgavra na rrëfejnë historinë e shkatërrimit, ku grabitqari dhe viktima është vetë njeriu. Nevojiten masa konkrete për parandalimin e këtyre aktiviteteve me dëme të pariparueshme dhe ndërgjegjësim për mënyrën si të kemi zhvillim të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të pakicave. Vetëm nëse i rikthejmë natyrës atë që i kemi marrë pa mëshirë, mund të ndërtojmë një të ardhme në vendin tonë.
Komentet