VOAL

VOAL

4 JULI

July 3, 2016

Komentet

Nju Jork, një shqiptaro-amerikan akuzohet për mbështetje të Shtetit Islamik

VOA

Autoritet amerikane njoftuan të premten arrestimin në Nju Jork të shqiptaro-amerikanit Erald Alimehmetit bazuar në akuzën për përpjekje për të mbështetur organizatën terroriste Shteti Islamik.

Erald Alimehmeti, 33 vjeç, u dërgua të premten para gjykatësit federal Stewart D. Aaron, i cili urdhëroi ndalimin e tij.

Zyrtari i FBI-së në Nju Jork, James E. Dennehy tha pas arrestimit se “Erald Alimehmeti ka bërë përpjekje në internet për të rekrutuar dhe trajnuar individë, që ai besonte se kishin pikëpamje të ngjashme me të dhe vazhdimisht ka shpërndarë një numër udhëzimesh mbi prodhimin e eksplozivëve për përdorim në sulme terroriste.”

Në një deklaratë për shtypin, të lëshuar të premten nga Zyra e Prokurorit të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Damian Williams, thuhet se Erald Alimehmet, me shtetësi amerikane dhe shqiptare, ka banuar në Bronks dhe në 2014 ishte zhvendosur në Shqipëri. Ai është arrestuar dhe burgosur dy herë nga autoritet shqiptare, duke vuajtur dënime me burg në vitet 2015-2019 dhe 2020-2022 për armëmbajtje dhe sulm fizik ndaj personave të tjerë.

Sipas akuzës, në vitet 2019 dhe 2020, ai postonte në mënyrë të rregullt në mediat sociale mesazhe dhe video në mbështetje të Shtetit Islamik, duke përfshirë mesazhe lavdëruese për disa figura udhëheqëse të këtij grupi. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë gjithashtu përmendet positmi i një video në mediat sociale, ku ai thotë: “Shteti Islamik në Afrikë po vret kryqtarët, forcat speciale franceze dhe ato amerikane.”

Ndaj 33 vjeçarit nga Tirana janë ngritur dy akuza, njëra për tentativë për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burg dhe tjetra për shpërndarje informacioni në lidhje me eksplozivët, mjetet shkatërruese dhe armët e shkatërrimit në masë, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burg.

Prokurori federal Damian Williams falenderoi autoritetet në Shqipëri dhe ato në Australi për ndihmën e tyre të vlefshme në hetimin e këtij rasti.

Protesta e 26 nëntorit- Salianji letër nga qelia për mbështetësit: Manifestim dhe revoltë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili aktualisht vuan një dënim me burg si i burgosur politik i kësaj narkoqeverie , ka publikuar një tjetër letër nga qelia.

Salianji reflekton mbi gjendjen e tij, kushtet e burgut dhe realitetin e Shqipërisë së sotme. Ai i krahason kushtet e tij me atmosferën e rënduar politike dhe shoqërore në vend, duke kritikuar qeverinë për keqqeverisje dhe dështime institucionale.

Salianji përmend vrasjen tragjike të një 14-vjeçari, duke e cilësuar si simbol të dështimit të strukturave shtetërore për të mbrojtur qytetarët. Duke vënë theksin tek mungesa e reagimit masiv të shoqërisë, ai i bën thirrje qytetarëve të rezistojnë, të shprehen dhe të manifestojnë për ndryshim. Letra prek temën e apatisë dhe indiferencës, duke e konsideruar si rrezikun më të madh për demokracinë. Sipas tij, heshtja dhe mospjesëmarrja janë terreni ideal për forcimin e tiranisë. Për Salianjin, zgjidhja qëndron tek revolta dhe mobilizimi qytetar.

LETRA E SALIANJIT:

Letër nga qelia 6 #Manifesto

Nga Ervin Salianji

Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojmë, të rezistojmë, të ngremë krye.

Shkurtimi i ditës, i ftohti dhe lagështira nuk e kursejnë këtë anë ku është vendosur burgu i Fierit dhe as qelinë nr 6. Këto kushte atmosferike nuk e bëjnë aspak më të mirë një dënim politik. Por, edhe më të rëndë e sjell atmosfera jashtë. Asnjë lajm i mirë nuk mbërrin nga askund në Shipërinë tonë. Punët po shkojnë përherë e më keq.

Teksa parakalon rëndshëm propaganda qeveritare sikur në polici dhe në Ministrinë e Brendshme po bëhet nami me konkurse e ndryshime, pasiguria për jetën ka shkuar në skaj.

Vrasja e 14-vjeçarit në derën e shkollës, pas një sherri të përsëritur, tregon dështimin skandaloz të gjithë qeverisë bashkë me atë dyzinë strukturash që ka në varësi, që janë aty, e kanë për detyrë të parandalojmë që tragjedi të tilla të mos ndodhin.

Nuk mundem as ta imagjinoj se si ndihen prindërit e Martinit. Ama në ekran pashë se i ati dhe e ëma u shfaqen me një kurajo të jashtëzakonshme. Dhe me një mesazh frymëzues. As histeri, as thirrje për hakmarrje. Dhe patën edhe empati, kur thanë se edhe prindërit e autorit s’duhet të jenë të lumtur, pasi asnjë baba nuk do që i biri të bëhet kriminel. Kërkuan drejtësi.

Ky ishte një prej manifestimeve më prekëse dhe më ndikuese besoj në opinion në kohët e fundit. Po ashtu dhe protesta që prindër dhe qytetarë bënë të enjten, marshimi i tyre nga vendi i ngjarjes tek Ministria e Arsimit, ku një ogertë u shfaq në një dritare për të kujtuar këdo se sa arrogante dhe e panndjeshme është rilindja.

Mësohet se fjala “Manifestim”, ka dalë më e popullarizuara, më e kërkuara në botë, sipas fjalorit britanik “Cambridge Dictionary”.

Në fusha të ndryshme, ka kuptim të ndryshëm. Ne si shoqëri në gjendjen ku jemi, kemi nevojë për sensin, manifestim, për të shprehur, për të kërkuar, për t’i dhënë zë asaj që aspirojmë, asaj që duam, asaj që meritojmë.

Europa ku duam të shkojmë, duket kaq larg me aktet që bën sot qeveria e kryeministri.

Vetëm një grimë, një hije, një tentativë reduktimi i lirisë të ketë, në një vend normal të kontinentit dhe në perendim, do të shohësh që kjo do të shoqërohej me manifestime masive.

Edhe pse sot pranohet nga shumë studiues se rreziku më i madh që i kanoset demokracisë është tirania e të ndenjurit mënjanë e qytetarëve, pra apatia.

Tek ne kjo është edhe më e theksuar për fat të keq. Dhe është po ashtu, terreni më i mirë për sunduesin që ka qejf ta shfaqë veten si artist.

Unë shpresoj se manifestimi, revolta, do ta gjejë humusin dhe tek ne dhe do të popullarizohet. Nëse duam një vend normal, duhet ta kërkojmë atë.

Nëse duam zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të maniftojmë për to.

Nëse duam në fund të fundit drejtësi, duhet të gjakojmë për drejtësi.

Asgjë nuk vjen vetë. Aq më keq po tja lësh në dorë qeverisë dhe kryeministrit. Ai ka treguar se zgjedh banditin dhe trafikantin ndërkombëtar të drogës, përpara çdokujt tjetër. Dhe për të mbrojtur një të tillë, sajoi farsën më të paprecedentë gjyqësore, dhe urdhëroi dënimin tim me 1 vit burg.

Kjo erdhi, pasi unë bëra një manifestim. U shpreha, me zë të lartë kundër drogës, kundër kanabizimit, kundër krimit, kundër lidhjes së krimit me Ministrin e Brendshëm, me qeverinë, po në 11 vitë luftova e do vazhdoj të luftoj duke denoncuar modelin e kriminelit që kontrollon institucionet duke u kthyer në model për shoqërinë! Atë që shoqëria duhet ta izolojë Edi Rama e promovon, e ate që duhet ta prokovojë shoqëria si model qeveria e mënjanon dhe e syrgjynos.

Duke parë pasojat, dikush mund të mendojë se manifestimi qenka me kosto. Por, padyshim se më e lartë është kostoja e heshtjes, e qendrimit mënjanë.

Të gjitha paudhësitë e të keqiat, të gjitha të ligat e qeverisjes që kemi, e planeve djallëzore për ndarjen e pasurive dhe të buxhetit të shtetit me klientelë, përvetësimi dhe grykësia e madhe ministrore, këtë dëshiron. Që të mos ketë manifestim e revoltë!

Po shqiptarët nuk duan këtë. Kjo është e sigurtë. Po për ta ndaluar, e për ta ndryshuar situatën, duhet ta kërkojnë, të qendrojnë, të rezistojnë, të ngrenë krye. Të manifestojmë. #26Nëntor

Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika e jashtme

VOA/Steve Herman

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar Senatorin republikan, Marco Rubio, për të drejtuar politikën e jashtme amerikane gjatë katër viteve të ardhshme të presidencës republikane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, republikani Rubio ka përfaqësuar shtetin e Floridës në Senatin e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2011 dhe shërben në komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe komisionin për Zbulimin.

Senatori Marco Rubio, 53 vjeç, është bir emigrantësh nga Kuba. Nëse konfirmohet nga Senati, ai do të bëhet i pari sekretar shteti me prejardhje hispanike. Zoti Rubio njihet për qëndrimet e ashpra ndaj regjimeve autoritare në Kubë, Nikaragua, Venezuelë dhe Kinë.

“Ka treguar vendosmërinë për një sërë çështjesh, sigurisht edhe Kina mes tyre”, thotë analisti Michael O’Hanlon me Institutin Brookings.

Senatori Rubio ka thënë se Kina është në një linjë me Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë kundër Shteteve të Bashkuara.

Pas agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në vitin 2022, zoti Rubio ishte një mbështetës i zëshëm i Kievit. Kohët e fundit ai ka bërë thirrje për negociata për t’i dhënë fund konfliktit ndërsa në muajin prill votoi kundër një pakete ndihme prej 95 miliardë dollarësh.

“Qëllimi ynë, kur bëhet fjalë për Ukrainën, është që ta ndihmojmë në një mënyrë që nuk na shteron buxhetin, dhe nuk i dëmton aleancat tona në mbarë botën”, thotë zoti Rubio.

Senatorët që do të votojnë për konfirmimin, pritet që të shqyrtojnë bindjet e tij mbi politikën amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Michael O’Hanlon.

“Nëse do ta braktisnim Ukrainën, diçka që Rubio nuk e thotë, por nëse Ukraina do të pësonte disfatë, kjo do të bënte që shumë aleatë në mbarë botën të shtronin pyetjen nëse ne do t’i mbështesim ata.”

Tetë vjet më parë, zoti Rubio ishte një nga rivalët e zotit Trump në garën republikane për president. Në krye të Departamentit të Shtetit, zoti Rubio do të ishte përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Zëri i Amerikës bisedoi hulumtuesen e politikës së jashtme, Vilma Petrash, profesore në Kolegjin Miami-Dade.

“Pavarësisht pritshmërive, duhet të jemi realistë. Shtetet e Bashkuara do t’i japin përparësi interesave të tyre mbi ato të pjesës tjetër të botës”, shprehet ajo.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, zoti Rubio ka qenë një mbështetës i fortë i Izraelit, në të njëjtën linjë me republikanin Trump. Senatori Rubio i ka bërë thirrje Izraelit që ta zhdukë Hamasin nga Gaza, ndërsa ka kundërshtuar armëpushimet, për të cilat ai thotë se do të mundësonin rigrupimin e Hamasit, që cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Flamuri shqiptar valvitet për herë të parë në podiumin e një kampionati botëror skish

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë në Kampionatin Botëror, Lara Colturi, ka siguruar një arritje historike.

Italiania që garon për flamurin “kuqezi” në Botërorin e Skive, arriti një rezultat historik, duke u renditur e 2-ta në këtë garë të rëndësishme sportive.

Flamuri shqiptar valvitet për herë të parë në podiumin e një kampionati botëror skish. sn

Si mund të shpëtohet gjuha shqipe nga rreziqet e globalizmit?- Nga Prof. dr. RAMI MEMUSHAJ

 

Në janar Ministria e Arsimit dhe e Sporteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e shpallën 2024-ën “Viti i gjuhës”. Ky vendim u pa prej shumëkujt si përgjigje shtetërore ndaj shqetësimit të përgjithshëm se po na prishet gjuha, shqetësim që kryeministri shqiptar e shprehu me fjalët: “gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë”. Kur flitet për kërcënim të gjuhës, nuk është fjala për variantin standard, po edhe për variantet e saj dialektore, pra për gjuhën kombëtare. Rreziku i një gjuhe vjen nga kontaktet e saj me gjuhët e tjera, sidomos me gjuhë kulturash të larta. Në periudhën para viteve ‘90, për shkak të mungesës së kontakteve të shqiptarëve me të huajt, shqipja ishte e mbrojtur nga ndikimi i gjuhëve të huaja.

Mirëpo në kushtet e reja të krijuara pas viteve ‘90, kur kontaktet e shqiptarëve me bartësit e gjuhëve të huaja u bënë të shumëfishta, doemos që shqipja do të ndikohej prej këtyre gjuhëve, kryesisht nga anglishtja, italishtja e më pak nga greqishtja. Për qindra mijëra shqiptarët që braktisën vendin, “gjuhë e bukës” u bë gjuha e vendit ku u ngulën, ndërsa shqipja mbeti për ta gjuhë e dytë, gjuha e rrethit të ngushtë familjar e shoqëror. Po edhe për ata që mbetën në Shqipëri, hapja e vendit krijoi mundësi për lëvizjen e tyre të lirë drejt vendeve të huaja dhe të të huajve në Shqipëri. Këto lëvizje të ndërsjella, sidomos shkollimi jashtë i mijëra e mijëra të rinjve, një pjesë e të cilëve janë kthyer në vend dhe punojnë në institucione e në biznese, kanë bërë që ligjërimi shqip të ndikohet nga gjuhët e kontaktit.

Veç këtyre, rritja e interesit brenda vendit për mësimin e gjuhëve të huaja, me qëllim që nëpërmjet tyre të depërtohet në tregjet e huaja të punës, gjithashtu ka bërë që shqipes t’i kushtohet më pak vëmendje, sepse mendohet se si gjuhë amtare nuk është nevoja të mësohet. Dhe, më në fund, futja e kompjuterit dhe e terminologjisë angleze të informatikës që lidhet me përdorimin e tij, ka bërë që përqindja e fjalëve nga anglishtja të shtohet ndjeshëm, duke u përdorur edhe atëherë kur shqipja ka fjalë përgjegjëse të tyre. P.sh., shumë përdorues të kompjuterit e kanë më lehtë të thonë maus, direktori, desktop, kanceloj, procesim, sejvoj etj. sesa miush, dosje, ekran, anuloj, përpunim, ruaj etj.. Pra, trysnia e gjuhëve të huaja me të cilat shqipja është në kontakt, sot është shumëfishuar. Nga këto, anglishtja, si gjuha kryesore e komunikimit me të huajt brenda dhe jashtë vendit, po edhe e shkencës dhe e teknologjive të reja, ushtron trysninë më të madhe mbi shqipen. Ndikimi i saj po ndihmohet edhe me politika arsimore të diskutueshme.

Pas anglishtes, për shqiptarët e Shqipërisë vjen italishtja, e cila, ndonëse nuk është gjuhë e teknologjisë, është gjuha e dytë e huaj që flitet më shumë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqipja ndikohet së pari nga maqedonishtja, si gjuhë zyrtare dhe pastaj nga anglishtja; në Kosovë anglishtja është gjuhë e dytë, ndonëse në ligjërimin e brezit të mesme dhe të vjetër vijon ndikimi edhe i serbishtes. Kjo trysni e gjuhëve të kontaktit ndihet nga të gjithë në leksikun e shqipes, që është rrafshi i gjuhës më i prekshëm nga ndikimet e huaja. Në ligjërimin e përditshëm, nën ndikimin e medieve pamore-dëgjimore, kanë hyrë shumë barbarizma.

Sot mund të dëgjosh një amvisë të flasë për benefite, një grua fshati të thotë u shokova, një fermer të thotë kam suport financiar, një vajzë të shkolluar të pyesë a është i aksesueshëm ashensori, një gazetare të raportojë për incident që shkakton karroca, një zyrtar të thotë do të vazhdojmë me hapa të agravuar, ka impakt, për të mediuar (ndërmjetësuar) etj.. Si rrjedhim i kësaj manie për të përdorur fjalë të huaja sot në ligjërimin e përditshëm hasen 20-30 fjalë “kopile” me denduri shumë të lartë. Këto fjalë, ashtu si çelësi kopil që hap shumë dyer, përdoren në kontekste të ndryshme në vend të fjalëve të shqipes. Janë fjalë me kuptim të turbullt, që nuk e mbulojnë qartë konceptin që synojnë të shprehin.

Si rrjedhim, edhe thëniet e ndërtuara me to nuk arrijnë t’i shprehin si duhet mendimet dhe ndjenjat e folësit. Përdorimi i këtyre fjalëve “kopile” ndodh jo se shqipes i mungojnë fjalët e veta. Ajo për secilën syresh ka vargje sinonimesh që mund të shprehen mendime të qarta dhe emocione e ndjesi shumë të holla. P.sh., fjala “kopile” shokoj përdoret në vend të fjalëve: çudit, habit, mahnit, çmerit, emocionoj, lë pa mend, lë me gojë hapur etj.; dhe trondit, hidhëroj, pikëlloj, helmoj etj.. Arsyet pse këto fjalë përdoren nga “autoritetet” e ligjërimit publik – folësit televizivë dhe njerëzit publikë – janë kultura e mangët gjuhësore e tyre ose ksenomania. Kurse folësit e thjeshtë i përdorin se ashtu i kanë dëgjuar nga këto autoritete që i japin tonin ligjërimit publik. Përdorimi i barbarizmave të tillë fare të panevojshëm, që edhe njerëzve pa shumë shkollë ua vrasin veshin, nuk përbën shqetësim për institucionet shkencore që merren me gjuhën. Prej tyre nuk shihet asnjë reagim, asnjë listë fjalësh që t’u dërgohet periodikisht redaksive të medies së shkruar, televizive e elektronike me këshillën për të mos i përdorur, pa folur për lista fjalësh të reja që hyjnë në gjuhë çdo vit, siç bëjnë akademitë e botës.

Edhe më shqetësuese është se nga ndikimi i gjuhëve të kontaktit po preken fonetika dhe gramatika, nënsistemet bazë të shqipes, që e bëjnë atë një gjuhë të veçantë në rrethin e gjuhëve europiane. Një nga parametrat fonetikë që po preket, është theksi i fjalës. Jo vetëm fjalët e huaja, po edhe fjalë të vetë shqipes brezi i ri i shqipton me theks në rrokjen e parë. Kështu, dëgjojmë Mákro(n) për Makrón, Úrsula për Ursúla, Dubróvnik për Dubrovník, Montevídeo për Montevidéo, féjsbuk për fejsbúk, kóvid për kovíd, términal për terminál, vódafon për vodafón etj.; Zmblak për Zëmblák, Ármand për Armánd, Bójken për Bojkén, Érvin për Ervín, Gláuk për Glaúk, áudit për audít, kónferencë për konferéncë, ópinion për opinión etj..

Parametri i theksit në shqipe kërkon theksimin e fjalës në rrokjen e fundit ose në të parafundit, nëse rrokja e fundit rrëgjohet gjatë lakimit a zgjedhimit të fjalës. Shqiptimi i fjalëve me theks në rrokjen e parë, si në anglishte, jo vetëm që ia vret veshin shqiptarit, po ka edhe një efekt domino në gramatikën e shqipes. Së pari, prishet struktura ritmike e thënies, që nuk tingëllon më si frazë shqipe dhe në poezi prishet rima e vargjeve. Po të vijojë kjo modë shqiptimi, parametri fonetik i theksit do të zëvendësohet me parametrin gjegjës të anglishtes. Nga shqiptimi i fjalëve si në anglishte preket jo vetëm prozodia, po edhe morfologjia shqipes, sidomos e emrit, qoftë e fjalëve dy a më shumërrokëshe, qoftë e emrave të përveçëm të huaj ose e akronimeve. Sa u përket fjalëve shumërrokëshe që theksohen në rrokjen e parë, është në natyrën e shqipes që i pret duke filluar nga rrokja e dytë e patheksuar e tyre, dmth., kjo rrokje shqiptohet me sforcim të madh dhe, kur është mbaresë, nuk shqiptohet fare. Pra, këta emra bëhen të palakueshëm. Por mediet po na krijojnë edhe klasa të tjera fjalësh të palakueshme, si p.sh. emrat e përveçëm të huaj (Makron reagoi, Vuçiç takohet me Makron, në qeverinë e Makron, i tha Makron) dhe akronimet, si AMA, SPAK etj. (SPAK u njoftua, kreu i SPAK, thirrje SPAK, vë në dijeni SPAK, sipas SPAK). Si rrjedhim i përdorimeve të tilla ka rrezik që shqipja të humbasë dalëngadalë edhe parametrin morfologjik të lakimit. Falë këtij parametri, morfologjia e shqipes i “tret” emrat e huaj, kështu që në gjuhën tonë, ndryshe nga gjuhë të tjera me lakim, nuk ka emra të palakueshëm. Siç ka vënë në dukje prof. A. Kostallari, falë këtij parametri morfologjik, “në vend që të asimilohej, shqipja, përkundrazi, i ka asimiluar fjalët e huaja”.

Shqiptimi i emrave të theksuar në rrokjen e parë pa mbaresa ka edhe pasoja logjiko-sintaksore, sepse i duhet dëgjuesit a bashkëbiseduesit ta shtojë mbaresën mendërisht për të rrokur funksionin e fjalës. Ndikimet e huaja në fushën e sintaksës, gjithashtu janë të shumta, si në rendin joshqip të gjymtyrëve të fjalisë (siç ju thatë); në ndryshimin e drejtimit të foljeve nga ndikimi i anglishtes dhe i italishtes (ura rrezikon shembjen, bëj viktimën, telefonoj vëllain) etj., pra po preken edhe parametra sintaksorë të shqipes. Edhe në zgjedhimin e foljes po vërehet tronditja e eptimit të brendshëm (ndërrimet e tingujve). Nga të parët tanë analfabetë kemi trashëguar një tip të veçantë zgjedhimi që përdor jo vetëm mbaresat, po edhe ndërrimet e zanoreve për të dalluar vetat, kohët etj. Mirëpo sot në ligjërimin brezave të shkolluar foljet me ndërrime përdoren gabim, çka vërehet sidomos në ligjërimin e folësve kosovarë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut (Kroacia do të del fitues, zgjedhjet presidenti, Kosova do të merr pjesë, ia lejon deputetit të flet maqedonisht etj.).

Ndër mediet e shkruara, dëgjimore-pamore e elektronike, televizioni është pa dyshim konsumatori më i madh i gjuhës, po edhe media me ndikimin më të fuqishëm jo vetëm në fushën e informimit, po edhe në punë të normës gjuhësore. Për shkak të autoritetit që ka, ligjërimi i folësve televizivë shërben si model për shikuesin e thjeshtë. Mund të themi që folësi televiziv është një lloj mësuesi i gjuhës amtare. Por, kur nuk flet si duhet, folësi televiziv bëhet një mësues i keq. Fatkeqësisht, televizionet janë mbushur me vajza e djem fotogjenikë, po shumë syresh pa kulturë gjuhësore dhe pa respektin për mjetin me të cilin sigurojnë bukën. Kuptohet se sa shumë do të ndihmonte televizioni në cilësinë e ligjërimit letrar, nëse prej tij do të mbahej një qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës, mjetit kryesor që kjo medie përdor për të komunikuar me shikuesit. Por, mjerisht, ky qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës mungon. Përditë bombardohemi me një shqipe jo të pastër nga pikëpamja e shqiptimit, leksikut, morfologjisë dhe e sintaksës, shkurt, me një gjuhë që mund ta quajmë “shqiplishte”.

Sikur të parët tanë të kishin qenë kaq ksenomanë sa jemi ne sot, shqipja do të ishte romanizuar që në shekujt e parë të pushtimit romak. Por, ata u lidhën fort pas gjuhës së vet si rreth një strumbullari, ajo i mbajti të bashkuar duke i dalluar gjuhësisht nga pushtuesit. Dhe kur më vonë u përçanë, jo për faj të tyre, në katolikë e ortodoksë, në suni e bektashi, arbrit e lanë emrin e vjetër dhe e quajtën veten “shqiptarë”, dmth. ata që flasin shqip. E pat vënë re këtë dyqind e ca vjet më parë Xh. Hobhauzi, që thotë se, kur e pyet një turk se çfarë është, të thotë jam mysliman; kur e pyet një grek, të thotë se është ortodoks; po kur pyet një shqiptar, të thotë se është shqiptar. Pra, gjuha ka qenë ajo që i ka ruajtur shqiptarët si komb i veçantë dhe do t’i ruajë në qoftë se edhe brezat që do të vijnë, do ta ruajnë ashtu si e ruajtën të parët. Shqipja është pasuria jonë më e madhe, vjega ku mbahet identiteti ynë, pasaporta jonë. Po e humbëm, do të humbim si komb. “Shenj’ e kombërisë është gjuha, – thotë Samiu; – çdo komp mbahetë me gjuhët;… Kaqë kombe që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo, kurrë; po u përzjenë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata pa të çquarë”.

Pse ne pasardhësit e tyre duam ta dorëzojmë gjuhën tonë? Duke ditur se çdo shtet që bëhet pjesë e Bashkimit Europian hyn në të me gjuhën, me historinë e me kulturën e vet, ne shqiptarët si do të hyjmë në Europë? Me një gjuhë deledash – pak shqip, pak anglisht, pak italisht? Dhe këtu dalim te roli i shtetit dhe i institucioneve të tij që merren me gjuhën. Mund të themi pa e tepruar aspak që ky rol është pothuaj zero. Sigurisht që nisma si kjo e vitit të gjuhës ndihmojnë në ndërgjegjësimin e folësve, sidomos të brezit që ndjek shkollat, për nevojën e një kujdesi të shtuar ndaj gjuhës sonë. Por, pas përfundimit të kësaj nisme, asgjë nuk do të ndryshojë në praktikën e ligjërimit të medieve dhe të administratës shtetërore. Shteti kujdesin për gjuhën e ka detyrim kushtetues, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, dhe nuk duhet të stepet nga akuzat e çakejve linguistë se po ndërhyn në punë të gjuhës. Gjuhëtari amerikan Joshua A. Fishman, duke qortuar ata që ishin kundër planifikimit gjuhësor dhe politikave gjuhësore të shtetit, një nga librat e tij të fundit e ka titulluar “Do not Leave Your Language Alone” (Mos e braktisni gjuhën tuaj), pra jo rrini larg gjuhës, po merruni me gjuhën. Shteti dhe institucionet e tij gjuhësore mund dhe duhet të bëjnë shumë për gjuhën, që të zbatohen normat e standardit në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore. Dhe në rrethana si këto që u përshkruan më sipër, ndërhyrja e shtetit dhe institucioneve shkencore që merren me gjuhën bëhet një detyrë urgjente.

Së pari, duhet të ruajmë ato që bota na i njeh si veçori gjuhësore tonat. Psh., në shkollë fëmijët mësojnë që klasat e numrave t’i ndajnë me pikë, ndërsa shifrat dhjetore me presje. Ky është përafërsisht edhe formati i shkrimit të numrave që i njohin shqipes platformat Ëindoës dhe të ngjashmet me to. Mirëpo në faturat e pagesave, në dokumentet bankare dhe shtetërore në Shqipëri e Kosovë numrat shkruhen si në anglishte: klasat e numrave të ndara me presje dhe shifrat dhjetore të ndara me pikë, ndërkohë që në Europën kontinentale numrat nuk i shkruajnë si anglezët. Në dokumente bankare ose fatura pagesash gjermane, franceze, italiane etj. zbatohet mënyra josaksone e shkrimit të numrave, që është si ajo që jep “Windows”-i/ për shqipen. Dy shtetet shqiptare, kur të hyjnë në Europë, do të përdorin mënyrën angleze apo mënyrën europiane të shkrimit të numrave? A nuk duhet të ndërhyrë për ta ndrequr këtë anomali?

Së dyti, janë shqetësuese tabelat me emërtimet e njësive të shërbimit jo vetëm në rrugët dhe në sheshet kryesore, po edhe brenda lagjeve. Shumica dërrmuese e tyre janë në gjuhë të huaja, sa të duket sikur nuk je në Shqipëri a në Kosovë. Në këto emërtime nuk ka asgjë që t’i lidhë me vendet ku fliten ato gjuhë. Nuk janë vetëm njësi shërbimi me emra të huaj, ka edhe emërtime të tjera objektesh shtetërore, psh,. “Air Albania Stadium”, “Tirana International Airport”, “Vlora Terminal”, emërtime radiosh e televizionesh etj. Pse të mos jenë në shqip emërtimet e shitoreve, hoteleve, restoranteve etj.? Edhe në rast se emërtimi i huaj është i nevojshëm, emërtimi shqip duhet të jetë i pari.

Të përdorësh vetëm emërtime të huaja, është shenjë e mungesës së respektit për gjuhën amtare, po edhe një ndotje gjuhësore që të vret syrin dhe veshin. Nga kjo mani e përdorimit të emërtimeve të huaja mendojmë se ka ardhur koha të hiqet dorë sa më parë. Atdhetarizmi duhet të shfaqet jo vetëm në sporte, po në gjithçka që na takon si komb dhe, në radhë të parë, në gjuhë.

Sa u përket institucioneve shkencore, si akademitë e shkencave dhe institutet e gjuhësisë, duhet thënë se i detyrohen shumë gjuhës. Është tejet e pakuptueshme që libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” është botuar vetëm një herë në këta 50 vjet. Prej dhjetëra vjetësh ky doracak themelor, që duhet të jetë në tryezën e kujtdo që shkruan, nuk gjendet në shitje. Ka një këshill gjuhe që nuk po bën asgjë për gjuhën, nuk po merr asnjë masë për përmirësimin e rregullave të drejtshkrimit.

Këto dhe shumë të tjera janë shërbimet që kanë për detyrë të bëjnë për gjuhën shqipe të dy shtetet, akademitë dhe institucionet shkencore gjuhësore. Nga këto, e para gjë urgjente është miratimi i ligjit për gjuhën, që prej vitesh fle në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. Konferencat e tubimet për gjuhën, që shkojnë pa lënë gjurmë e pa u dhënë udhë çështjeve të ngutshme që presin të zgjidhen, nuk i bëjnë ndonjë shërbim shqipes. Ato vetëm sa pasurojnë kurrikulumin e kumtuesve dhe të organizuesve të veprimtarive të tilla.

/Gazeta Panorama

Boshatisen qendrat e emigrantëve në Shqipëri! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri, kthehen në Itali

Të gjithë punonjësit socialë të ‘Medihospes’, organit drejtues të Qendrave Italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve, do të largohen nga Shëngjini dhe Gjadri për t’u kthyer në Itali.

kampi shengjin

Sipas, TGCom, operatorët e qendrave të emigrantëve dhe efektivët e policisë do të kthehen në vendin e tyre brenda fundjavës.

Media italiane raporton se nga Ministria e Brendshme rezulton se qendrat mbeten funksionale dhe të mbikqyrura: aktualisht, nënvizojnë burime nga Ministria e Brendshme, stafi është reduktuar dhe ndryshon sipas nevojave të momentit.

Në Gjadër mbeten vetëm 7 punonjës të Medihospes që merren me administrimin dhe pastrimin, si edhe staf shqiptar, përfshirë personelin shëndetësor.

Sipas La Repubblica, operatorët e tjerë do të kthehen të dielën (24 Nëntor) në Itali.

Deri më tani, si transferimi i parë i emigrantëve, ashtu edhe i dyti përfunduan me kthimin e azilkërkuesve në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës, e cila ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. gsh

Lozanë: Të shohësh (dhe nuhasësh) Betejën e Moratit

Një pjesë e veprës origjinale

Kanavacja origjinale, 10 metra e lartë dhe 100 metra e gjatë, është shumë e madhe për t’u shfaqur përgjithmonë dhe për këtë arsye është dixhitalizuar

VOAL- Vëzhgoni detajet më të vogla dhe nuhatni erën e një lufte të mbi pesë shekujve më parë. Tani është e mundur falë dixhitalizimit të një kanavace 10 metra të lartë dhe 100 metra të gjatë, e cila përshkruan Betejën e Moratit, e cila u zhvillua më 1476 dhe pikturua nga Louis Braun më 1893.

“Sfida kryesore e këtij projekti ishte cilësia e imazhit. Ne donim ta çonim rezolucionin në maksimum,” shpjegon Daniel Jaquet nga Laboratori Eksperimental i Muzeologjisë së Institutit Politeknik të Lozanës (EPFL) për RSI. Rezolucioni që bëri që imazhi të peshonte 1.6 terapixel dhe për këtë arsye të ishte më i madhi në botë.

Gjatë betejës, trupat e Konfederatës mposhtën ato të Dukatit të Burgundisë dhe tani, me një kursor, mund të rigjurmosh këtë moment historik dhe me një pajisje të vendosur rreth qafës të nuhasësh erën e tij.

Panorama e Moratit u ekspozua në Expo 02, brenda monolitit të ndërtuar në liqenin e Moratit.

Dixhitalizimi i veprës synon të bëjë të disponueshme për publikun kanavacën e shtrirë në një depo ushtarake, pasi ajo është shumë e madhe për t’u ekspozuar përgjithmonë kulmin e saj në vitin 2026 kur do të jetë i pranishëm në muze të ndryshëm për 550 vjetorin e betejës. RSI

Maqedonci dhe Jashari, pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë.

“Edicioni i sivjetmë i forumit është i fokusuar tek sfidat e sigurisë me të cilat aktualisht përballet bota demokratike, ndërsa synon që të shërbej si një ngjarje që do të nxisë bashkëpunimin strategjik mes vendeve demokratike”, thuhet në njoftim.

Aty tutje shkruan se Maqedonci dhe Jashari, gjithashtu do të realizojnë takime bilaterale me homologë dhe përfaqësues të tjerë politik dhe ushtarak të vendeve partnere.

Maqedonci bashkë me Jasharin shkuan, me ftesë të homologut të tyre kanadez Bill Blair. sn

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë: Një rikujtim i zymtë i “dështimit kolektiv”

Një pjesëmarrëse në protestën në Tiranë pas vrasjes së Martin Canit, mban në duar një letër ku shkruan: “Sot Martini, nesër mund të jetë fëmija yt!”.

 

Jetmira Delia-Kaci

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, mesditën e 18 nëntorit në Tiranë, tronditi opinionin në Shqipëri.

Institucionet, familja, shkolla, shoqëria – të gjithë janë duke kërkuar masa të reja, nisma ligjore, rregulla e protokolle se si ta reduktojnë dhunën te të miturit.

Reagimi apo mosreagimi i faktorëve dhe aktorëve të përfshirë në ngjarje janë tashmë pjesë e hetimeve.

Martini u vra nga sulmi me thikë nga një bashkëmoshatar, nxënës i së njëjtës shkollë në Tiranë.

Ai u arrestua nga policia, ndërsa një tjetër nxënës ndodhet në spital, pas plagëve që mori si pasojë e sherrit.

Pas vrasjes, autori i dyshuar publikoi në rrjetet sociale fotografi me dorën e plagosur dhe grushtin e ngritur, ndërsa më herët kishte publikuar edhe fotografi me thikë në dorë.

Rasti i Martinit është i treti i vrasjes së të miturve nga bashkëmoshatarët e tyre këtë vit në Shqipëri.

Policia: Masa të reja për ta ndalur dhunën te të miturit

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gent Mullai, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ka treguar se zinxhiri i sigurisë ka dështuar.

“Ka një zinxhir sigurie, pjesë e të cilit nuk është vetëm policia, por edhe oficeri i sigurisë, stafi pedagogjik, psikologët, sociologët, prindërit. Ngjarja ka treguar se ka një dështim në këtë zinxhir sigurie – besoj jo me dashje apo nga neglizhenca”, thotë Mullai.

Ai shton se vrasja e Martinit e bën domosdoshmëri rishikimin e Paketës së sigurisë në shkolla dhe marrjen e disa masave të tjera.

“Paketa e sigurisë në shkolla ishte gjë e mirë që u zbatua, ndoshta ka ardhur koha të rifreskohet. Paketa e sigurisë nuk ka dështuar, por duke parë mangësitë – nisur edhe nga rastet konkrete – ka nevojë të rishikohet, për të sjellë masa më të mira të sigurisë”, thotë Mullai.

Paketa e sigurisë në shkolla

Kjo masë është në vitin e dytë të zbatimit.

Ajo është hartuar për shkak të rritjes së numrit të veprave penale të regjistruara pranë shkollave, ku shpesh përfshihen edhe të mitur.

Mes tjerash, paketa përfshin oficerë të sigurisë në shkolla, përcaktimin e një perimetri sigurie, brenda të cilit nuk mund të kalojnë persona të paautorizuar, largimin e shitësve ambulantë nga shkollat e të tjera.

Sipas Mullait, ngjarja është nën hetim dhe tani për tani nuk mund të thuhet nëse ka përgjegjësi mbi oficeren e sigurisë që nuk e ka referuar ngjarjen në polici.

“Mendoj se nuk është neglizhuar. I kanë marrë në pyetje disa herë, nxënësit janë pajtuar në prezencë të oficeres së sigurisë, psikologes, punonjëses sociale e drejtorisë së shkollës. Dhe, duke parë që të dy ishin nxënës të mirë në mësime dhe nuk kanë shfaqur probleme, kanë menduar se është zgjidhur si problem”, thotë Mullai.

Ai, po ashtu, tregon se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, menjëherë pas ngjarjes, ka mbledhur ekspertët e policisë në një analizë të detajuar për ngjarjen dhe zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e sigurisë.

Ai ka urdhëruar, gjithashtu, që videot që publikohen nga të rinjtë me armë apo duke bullizuar, të verifikohen dhe të merren masa të menjëhershme kundër tyre.

Sipas Mullait, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me një ftesë për bashkëpunim në ngritjen e një tryeze teknike dhe më pas për një debat të gjerë publik, me qëllim rifreskimin e masave të sigurisë, të përcaktuara në Paketën e sigurisë në shkolla.

“Ende nuk e dimë nëse fëmija [autori] ka hyrë me thikë në shkollë… Nuk kalon lehtë si ngjarje. Po bëhet analizë e detajuar, pasi është urgjente, është në pyetje jeta e fëmijëve tanë. Është kambanë alarmi që duhet të na bëjë të reflektojmë të gjithëve”, thotë zëdhënësi i Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj interesimit të REL-it në lidhje me trajtimin e kësaj ngjarjeje, masat që po diskutohen nga ky institucion pas vrasjes së Martinit dhe të dhënat që disponon për rastet e dhunës në shkolla.

Më herët, ajo doli me një komunikatë, ku kërkonte zbardhjen e vrasjes së Martinit.

Deri në 200 telefonata në ditë: Të miturit denoncojnë dhunë

Drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë “Alo 116”, që vepron prej 15 vjetësh në Shqipëri, thotë se çdo ditë marrin 150-200 telefonata për situata dhune fizike apo online nga fëmijët.

“Deri më sot në vitin 2024 kemi marrë 14 mijë telefonata”, thotë Belioza Çoku.

“Nga periudha 2018-2023 evidentohet qartë se ka rritje të madhe të raportimeve sa i përket dhunës online dhe offline. Kemi një shtatëfishim të raportimeve për dhunë. Fëmijët raportojnë mjedis më të pasigurt për dhunë fizike – familjen me 41%, komunitetin me 34% dhe më pas shkollën me 24%”, bën të ditur ajo.

Çoku, gjithashtu, tregon se grup-mosha e telefonuesve më të shpeshtë është 10-12 dhe 13-15 vjeç.

Ajo që vërehet me shqetësim është edhe rritja e raportimeve që kanë të bëjnë me tendenca vetëvrasëse, për shkak të dhunës apo shtantazhit online, sipas saj.

“Rastet vlerësohen nga një grup ekspertësh dhe më pas i referojmë te juristët, psikologët, qendrat shëndetësore, në varësi të specifikës së tyre. Në rastet e dhunës online kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë, i referojmë rastet kur përdoren pamje, imazhe të fëmijëve”, thotë Çoku, duke shtuar se “përgjegjësia është e të gjithëve”.

“Duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndryshuar situatën”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Arsyet e shtimit të dhunës te të miturit

Sociologia Marsi Simo thotë se arsyet e dhunës te të miturit janë komplekse.

“Janë faktorë shoqërorë, psikologjikë, ekonomikë… Familjet përballen me probleme të mëdha pamjaftueshmërie ekonomike, e përveç kësaj, të kohës cilësore që duhet ta kalojnë me fëmijët që kur janë shumë të vegjël”, thotë Simo.

Si faktor tjetër, ajo përmend edhe modelet e dhunshme që i marrin nga rrjetet sociale, si TikTok-u.

Sipas Simos, ka po ashtu rritje të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike në mesin e më të vegjëlve.

“Nëse vite më parë ky fenomen ndeshej te 18-vjeçarët, tani e gjejmë në mosha 12 apo 10 vjeç. Përdorimi i tyre rrit më shumë agresivitetin”, thotë Simo për Radion Evropa e Lirë.

Sociologia shton se fëmijëve u mungon mbështetja sociale dhe psikologjike.

Familjet duan më të mirën, por nuk e dinë se ku të drejtohen, sipas saj.

“Më e keqja është se tani po normalizohet dhuna duke thënë: të miturit e sotëm janë të dhunshëm, nuk tolerojnë, nuk respektojnë, derisa shohim ngjarje të tilla të rënda si kjo e vrasjes së Martinit”, thotë Simo.

Ajo vëren se kjo situatë ka krijuar edhe probleme të shëndetit mendor te fëmijët.

Pas vrasjes së Martinit, ajo që tronditi opinionin publik në Shqipëri ishte një fotografi e autorit të dyshuar të vrasjes, e publikuar në rrjete sociale, ku ai shfaqej me plagë në njërën dorë dhe me grushtin lart.

“Fakti që pasi një i mitur kryen një veprim devijant dhe nuk shfaq pendesë, bën të kuptojmë që duhet t’i analizojmë më shumë elementet e shëndetit mendor. Sepse, një mendje e shëndoshë pranon atë që ka ndodhur, kërkon falje, merr parasysh pasojat”, thotë Simo.

Disa ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit, Qeveria e Shqipërisë nxori në diskutim dy propozime që synojnë ta frenojnë ndikimin e rrjeteve sociale, TikTok dhe Snapchat, te fëmijët.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se vendimi do të merret pas konsultimit me mësues dhe prindër.

“Dilema është nëse duhet të provojmë të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave – kur, në fakt, nga të gjitha eksperiencat mësojmë se efektiviteti është ende shumë i ulët – apo të ndërmarrim masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe të Snapchat-it në Shqipëri”, tha Rama.

Prindër dhe nxënës protestuan këtë javë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, marrjen e disa masave për të reduktuar dhunën te të miturit dhe buxhet më të lartë për arsimin, plotësimin e shkollave me psikologë dhe qëndrimin e nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00, duke u ofruar program, ushqim dhe mundësi për t’i bërë detyrat.

Radio Evropa e Lirë

Shefi i NATO-s Rutte takohet me Presidentin e zgjedhur Trump

Sektretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump fotografohen pas takimit në Florida. Burimi: NATO

 

VOA/Marrë nga Reuters

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takua me Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Palm Beach të Floridës të premten, tha sot një zëdhënës i aleancës ushtarake transatlantike.

“Ata diskutuan mbi një sërë sfidash të sigurisë globale me të cilat përballet aleanca”, tha zëdhënësi Farah Dakhlallah përmes një deklarate.

Në faqen zyrtare të NATO-s njoftohej gjithashtu se zoti Rutte takoi edhe anëtarin e Kongresit Mike Waltz, i emëruar nga zoti Trump për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, dhe se po ashtu ai pati takime me anëtarë të tjerë të ekipit të sigurisë kombëtare që ka përzgjedhur zoti Trump për të drejtuar administarën e ardhshme republikane.

Të premten, NATO-ja nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me njoftimet nga mediat holandeze se zoti Rutte, ish Kryeministër i Holandës, kishte udhëtuar drejt Floridës me një avion të qeverisë holandeze për t’u takuar me zotin Trump.

Mark Rutte, i cili mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s muajin e kaluar, është cilësuar gjerësisht si një nga udhëheqësit më të mirë evropianë për krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit me zotin Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial nga viti 2017 deri në 2021.

‘Bojkot mësimit’- Protesta për vrasjen e Martinit pritet të përshkallëzohet

Përpara shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, grupi i prindërve organizatorë të protestës pas vrasjes së Martin Canit, ka mbajtur një komunikim për mediat. Gjatë fjalës së tij, një nga organizatorët, Migen Qiraxhi ka ripërsëritur kërkesat drejtuar qeverisë për një shkollim dinjitoz për të gjithë.

Më tej, Qiraxhiu ka njoftuar protestën e radhës që do të mbahet në orën 17:00 të hënën teksa ka shtuar se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen s’do të largohen nga sheshi dhe madje do ta konsiderojnë dhe bojkotin e mësimit.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i shoqërisë civile: Me rastin tragjik të humbjes së jetës së Martinit, ditën e enjte, ne prindërit që kemi fëmijët në shkolla, zhvilluam marshimin protestë. Të tronditur dhe të pikëlluar për vrasjen e Martinit, artikuluam disa kërkesa për institucionet përgjegjëse, kërkuam dorëheqjen e ministres së arsimit. Ta paktën do të krijonte precedentin e të mbajturit përgjegjësi. Dorëheqja kërkon integritet. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë. Për këtë dhe pikat e tjera, do të jemi të hënën para Ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë.

Ndaj kërkesat që kemi, prekin disa prej problematikave kryesore që përballen shkollat sot:

–Shtimi i buxheti për arsimit në 5 % të GDP-së.

–Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështeës.

–Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, në raportin psikologë për 200 nxënës.

–Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollave deri në orën 16:00 duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat.

–Zbatimi emergjent të rregullimit për heqjen e telefonave në orët e mësimit.

–Miratimi i legjislacionit për filtrat parandalues të përmbajtjeve me gjuhë dhune, urrejtje për fëmijët në moshën nën 14 vjeç.

–Secila shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë.

–Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve, ku të ndërlidhen të gjitha hallkat.

Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit. Këto kërkesa, për një shkollim dinjitoz për të gjithë. Nuk do të largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen. Nëse ministria dhe qeveria vijon me të njëjtat neglizhime dhe arrogancë do të konsiderojmë dhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë. Ndaj ju bëjmë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen protestës së ditës së hënë. sn

Izraeli godet një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit, 11 të vrarë, më shumë se 60 të plagosur

Një sulm masiv izraelit ka rrafshuar një ndërtesë banimi në qendër të kryeqytetit libanez Bejrut. Të paktën 11 persona janë vrarë dhe më shumë se 60 janë plagosur, sipas ministrisë së shëndetësisë të Libanit.

Ndërtesa tetë-katëshe u shkatërrua plotësisht pa paralajmërim nga pesë raketa në lagjen Basta me popullsi të dendur të kryeqytetit, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA).

Shpërthimet tronditën qytetin pas sulmit izraelit, i cili ndodhi rreth orës 04:00 me kohën lokale (02:00 GMT) të shtunën. Ushtria izraelite nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm për sulmin në Basta.

Shkalla e sulmit ajror të së shtunës dhe fakti që ndodhi pa paralajmërim tregojnë se një figurë e lartë e Hezbollahut mund të ketë qenë objektivi, megjithëse nuk ka pasur asnjë konfirmim as nga grupi i armatosur dhe as nga ushtria izraelite.

Ekipet e urgjencës kontrolluan vendin në Basta, ku shtëllungat e tymit u ngritën nga një krater i madh. Numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet ndërsa puna për heqjen e rrënojave në vend vazhdon. Ministria e shëndetësisë tha se testet e ADN-së do të përdoren për të identifikuar viktimat.

Banori vendas Nemir Zarariya tha se ai dhe familja e tij ishin në gjumë kur filloi sulmi para agimit.
“Ne ishim në gjumë të thellë dhe më pas ndodhi sulmi dhe më pas një goditje e dytë. Ne nuk e kuptuam se çfarë ndodhi”, tha ai.
“Ishte pluhur dhe shtëpi të shkatërruara, njerëz që vraponin dhe bërtisnin. Gruaja ime është në spital, vajza ime në spital, tezja ime është në spital”.

Sulmi është sulmi i katërt i Izraelit këtë javë në qendër të Bejrutit. Të hënën, Hezbollahu i mbështetur nga Irani tha se zëdhënësi i tij Mohammed Afif ishte vrarë në një sulm ajror.

Sulmi në orët e para të së shtunës u pasua nga të tjerë në qytet. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) lëshuan një urdhër evakuimi për banorët në Bejrutin jugor, të cilët, sipas saj, ndodheshin “afër objekteve dhe interesave të Hezbollahut”.

Një orë më vonë, avionët luftarakë shënjestruan një numër vendesh që përfshinin disa qendra komanduese të Hezbollahut, objekte të ruajtjes së armëve dhe “infrastrukturë shtesë terroriste”, tha IDF në një deklaratë.

Në muajt e fundit, sulmet izraelite kanë vrarë disa anëtarë të lartë të Hezbollahut në Bejrut, duke përfshirë liderin e grupit Hassan Nasrallah.

IDF filloi një ofensivë të madhe kundër Hezbollahut në shtator, duke kryer sulme ajrore dhe gjithashtu duke dërguar trupa në Libanin jugor.

Armiqësitë u përshkallëzuan pasi Hezbollahu i mbështetur nga Irani lëshoi ​​raketa të përsëritura në Izrael në solidaritet me Hamasin, grupin palestinez që kreu sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor.

Qëllimi i deklaruar i Izraelit në luftën e tij kundër Hezbollahut është të lejojë kthimin e rreth 60,000 banorëve të cilët janë zhvendosur nga komunitetet në Izraelin verior për shkak të sulmeve të grupit.

Në Liban, konflikti ka vrarë më shumë se 3,500 njerëz dhe ka detyruar më shumë se një milion të largohen nga shtëpitë e tyre, thonë autoritetet libaneze.

Më parë këtë javë, një ndërmjetës amerikan vizitoi Izraelin dhe Libanin në një përpjekje për të siguruar një armëpushim. Amos Hochstein tregoi se ishte bërë një përparim, por nuk ka komentuar publikisht për ndonjë detaj. bw