Azem Syla kishte blerë një shtëpi së bashku me “F” afër Gërmisë. Por, gjithë shumën prej 120 mijë eurosh ishte detyruar ta paguante vetëm “F”-ja. 80 mijë euro i kishte marrë borxh nga vëllai i komandat Remit.
Paratë për shtëpinë ia kishte dhënë Shpresim Ukës. Pronësia nuk i ishte bartur. Vëllai i Remit i kishte vënë kamatë. Fajdeja i kishte arritur në 200 mijë euro. 300 mijë tjera i kishte paguar kamatë. Për ta paguar gjithë këtë shumë, shtëpinë dhe picerinë ia kishte shitur “grupit të Azem Sylës. Paratë që kishte marrë nga shitja e kësaj shtëpie, ia kishte dhënë po këtij grupi që tashmë e kishin zhytur në borxhe. Patundshmëria në vlerë 700 mijë euro tashmë kishte përfunduar në pronësi të Fahredin Gashit.
Në kohën kur Azem Syla ishte përndjekur nga regjimi serb gjatë viteve të ’90-ta dhe pakkush kishte guxuar ta strehonte, një burrë nga një fshat i Prishtinës e kishte mbajtur kohë të gjatë në shtëpi. E kishte bërë anëtar të familjes.
Syla ishte strehuar aty deri në ditën kur kishte emigruar në Zvicër.
Tetë vjet më vonë, Azem Syla ishte rikthyer në këtë shtëpi. Tash për një arsye tjetër, për kryeshnosh.
Miku i Sylës kishte vdekur në vitin 1993. Syla vizitoi të birin e tij për ta ngushëlluar për vdekjen e të atit si dhe për ta falënderuar për gjithë ato që kishte bërë për të.
Shtatë vjet pas këtij “falënderimi”, Azem Syla ishte kujdesur personalisht që familjen e njeriut që i kishte dhënë bukë dhe strehë në kohën më të vështirë, ta nxirrte nga shtëpia.
Syla, kishte shkuar në shtëpinë e mikut të tij në Bregun e Diellit në Prishtinë për t’i dhënë një ultimatum: “Brenda 48 orëve duhet ta lironi shtëpinë”.
“Qysh po mundesh ti, Azem Syla, me na përzanë nga shtëpia”, ia kishte kthyer e veja e shokut të Azem Sylës.
“Nuk mërzitem për atë që ka ba djali yt”, ishte përgjigjur shkurt Syla.
Urdhri ishte zbatuar.
Familja e “F”-së kishte dalë nga shtëpia që ka vlerë gati një milion euro dhe ishin strehuar në një banesë që është në pronësi të Shpresim Ukës – anëtar i grupit të Azem Sylës.
Sot e kësaj dite shtëpinë e “F”-së, bashkë me një lokal të madh, jeton dhe e shfrytëzon familja e Fahredin Gashit – anëtar tjetër i “grupit të Azem Sylës”.
Për shumë vjet “F”-ja ka heshtur. U është nënshtruar urdhrave dhe kërcënimeve të këtij grupi.
Sot ai ka mbledhur forcat duke dëshmuar kundër atyre që e kishin zhvatur kohë të gjatë.
Rrëfimin për kërcënimet, presionin, zhvatjen e pasurisë dhe fajdetë, “F”-ja ia ka dhënë prokurorit të EULEX-it, Danilo Ceccarelli i cili po e heton Azem Sylën dhe 50 të tjerë për rastin e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave që lidhet me pronat e shtetit në periferi të Prishtinës.
Rrëfimin, “F”-ja e ka mbështetur me dokumente, duke filluar nga shitblerjet, deri tek fajdetë që kishte marrë nga vëllai i Rrustem Mustafës, Bedriu.
Viktima që është edhe dëshmitar, ka treguar se derisa kishin filluar presionet dhe kërcënimet kundër tij, Azem Syla e kishte futur në blerjen e një shtëpie në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë përgjysmë me të.
Syla dhe “F”-ja do të paguanin nga 80 mijë euro. 120 mijë euro ishte përcaktuar vlera e shtëpisë.
Por, “Daja” nuk kishte dhënë asnjë cent. Gjithë shumën ishte detyruar ta paguante ai. Paratë ia kishte dhënë Shpresim Ukës. E shtëpia nuk i ishte bartur në pronësi. Ajo ishte në pronësi të një qytetari të nacionalitetit serb.
Për blerjen e kësaj shtëpie, “F”-ja kishte marrë borxh nga Bedri Mustafa. Disa ditë më vonë, atij i ishte vënë një kamatë mujore prej 15 mijë eurosh.
Kur borxhi i tij kishte arritur gati gjysmë milioni euro, grupi ia kishte blerë shtëpinë dhe picerinë. Krejt paratë që i ishin dhënë, i kishin shkuar në fajdetë që kishte marrë për blerjen e shtëpisë me Azem Sylën. Kësisoj, pasuria e tij tashmë ishte në pronësi të njerëzve të Azem Sylës.
“F”-ja tashmë kishte marrë tatëpjetën.
Blerja e shtëpisë së bashku me Azem Sylën
Për këtë, ai posedon gjithë dokumentacionin.
“Kjo shtëpi ndodhet në rrugën për në Gërmi. Azem Syla ma ka ofruar këtë shtëpi. Më ka ftuar të ulëm me të në tavolinë, në kafeterinë time dhe më ka thënë ‘meqë je nga Prishtina, ti i dinë vendet që janë me vlerë dhe janë në lokacion të mirë’”, pretendon dëshmitari.
Ai ka thënë se kanë shkuar së bashku për ta parë shtëpinë. Aty, ka thënë se Syla e kishte pyetur se si po i dukej shtëpia. “F”-ja i kishte thënë se “ky është lokacion i mirë”.
“Azem Syla më ka thënë se kishte biseduar me Lulin duke menduar në Kadri Veselin. Nuk i di arsyet pse ka folur me të, as pse më ka përmendur. Më ka thënë se dëshiron të hynte në një biznes dhe ta blinte këtë shtëpi bashkë me mua”, ka treguar dëshmitari.
“E kam pyetur për çmim. Më ka thënë se është 120.000 euro. Kjo bisedë është zhvilluar gjatë kohës sa ishim në vozitje. Pastaj , ka thënë se gjysmën e shumës do ta paguaj unë, ndërsa gjysmën tjetër do ta paguante ai”.
Ai ka thënë se marrëveshja nuk është bërë siç ishin marrë vesh. Kështu që ishte detyruar ta paguante terë shumën e parave për këtë shtëpi që nuk i është dhënë pronësia asnjëherë.
Paratë për këtë shtëpi, ka thënë se ia kishte dhënë Shpresim Ukës në prani të Azem Sylës.
“Kam kërkuar ndërrimin e pronës në emrin tim. Ata arsyetoheshin se do të bëhet këtë javë, apo javën tjetër”, ka thënë “F”-ja.
Ai ka treguar se nuk e ka ditur që në atë shtëpi ka jetuar dikush. Tek më vonë e kishte zbuluar një gjë të tillë. Shpresim Uka i kishte thënë se “banorët janë të rrezikshëm dhe se duhej të kishte kujdes prej tyre”.
Aso kohe, pjesë e grupit ka thënë se ishte edhe Nazim Bllaca.
Dëshmitari ka thënë se pas një kohe e kishte gjetur kontaktin rastësisht me pronarin e shtëpisë që ishte një qytetar serb. Kishte biseduar me telefon me të dhe i kishte treguar për shtëpinë dhe një pronë tjetër që e kishte tek “Vneshta”.
“E kam pyetur atë se a është në shitje? Më ka thënë se është në shitje, por që për e momentin është një problem. E kam pyetur atë ‘cili është problemi”. Është përgjigjur se dikush e kishte ndërruar pronësinë duke shfrytëzuar dokumente false”, ka thënë “F”-ja.
Dëshmitari ka thënë se për këtë e kishte informuar Azem Sylën, Shpresim Ukën dhe Nazim Bllacën se shtëpia ishte me dokumente fals. Ka treguar se Nazim Bllaca e kishte pyetur se si po dinte se janë fals. Dëshmitari ka thënë se të tre kishin shkuar tek avokati i qytetarit serb i cili kishte bërë padi për shtëpinë. Pas kësaj, ata kishin shkuar në picerinë e tij. Aty ka thënë se ia kishte kërkuar paratë Azem Sylës që t’ia kthente. Syla ishte tallur me të.
“Kur po më shkon mendja në këtë problem, po me dhemb zemra”, i kishte thënë Syla.
“Unë vazhdimisht kam kërkuar nga ta të m’i kthejnë paratë, meqë pas obligime në bankë. Është dashur të paguaja këstet mujore”, ka sqaruar ai.
Remi: Ky është biznes
Pas një periudhe të caktuar kohore, ka treguar se Shpresim Uka, bashkë me Bedri Mustafën, vëllanë e Rrustem Mustafës kishin shkuar tek ai.
“Bedriu është pronari i ‘Route 66’ vëllai i komandant Remit, që ka shumë lokale në Prishtinë. Shpresim Uka dhe Bedri Mustafa m’i kanë dhënë 80.000 euro. Ka qenë Bedri Mustafa ai që m’i ka dorëzuar paratë”, ka thënë dëshmitari.
“Shpresimi më ka thënë ‘do të huazoj para nga Bedriu dhe do t’i kthej për një javë a dy”, ka treguar ai. Por, paratë nuk ia kishin kthyer as pas dy javësh.
Përkundrazi, tashmë e kishin futur në fajde tek Bedri Mustafa i cili për këto 80 mijë euro, kishte kërkuar 15 mijë euro interes.
“Pastaj kam filluar rregullisht që të paguaj interes për këto para. Kjo ka zgjatur për nja 13-14 muaj. Pastaj ata e kanë rritur shumën e interesit nga 15.000 euro në 20.000 euro”, ka rrëfyer ai.
Dëshmitari ka thënë se kishte kërkuar nga Azem Syla që t’i ndërpritej interesi sepse nuk po mund ta përballonte. Syla i kishte thënë se do të bisedonte me komandant Remin.
“Sipas Azem Sylës, ai ishte takuar me Remin në Hotelin ‘Victory’. Dikur në mbrëmje ka ardhur te unë. Më ka thënë se është takuar me Remin dhe që Remi i kishte thënë se kjo çështje është biznesi. Për këtë arsye nuk mund të bënte asgjë”, ka rrëfyer dëshmitari.
“Q ë nga kjo ditë, kur kam menduar që mund të më ndihmonte dhe ta kryente punën Azem Syla, kam filluar të marr kërcënime nga Bedri Mustafa. Ato kanë qenë kërcënime serioze. Më kërcënonte se pse kam folur.
Dëshmitari ka thënë se pas kësaj, Bedri Mustafa ia kishte shitur fajdenë një shoku të tij të quajtur Ali Muçiqi. Në një rast ka thënë se të dy e kishin kërcënuar.
“Marrëveshjen që kam pasur të nënshkruar me Bedriun, se unë i kam borxh atij 80.000 euro, e ka shqyer. Borxhi tani ishte bartur tek Ali Muçiqi. Unë është dashur ta nënshkruaj një marrëveshje të re me Ali Muçiqin dhe shuma ishte rritur, duke arritur borxhin e përgjithshëm prej 210.000 euro”, ka thënë ai.
“Kam arritur t’ia paguaj 80.000 euro Bedri Mustafës dhe Ali Muçiqit më 13.09.2006. Këto para i ka marrë Bedri Mustafa. Shuma prej 100.000 euro i është paguar Bedri Mustafës më 24.09.2006, ndërsa shuma tjetër prej 20.000 eurosh Bedriut i është paguar më 12.11.2006, në praninë e Ali Muçiqit.
Dëshmitari ka thënë se pasi ia kishte paguar 200.00 euro Bedri Musatafa, Ali Muçiqi i kishte kërkuar 200.000 euro tjera.
“Për ta paguar këtë shumë shtesë prej 200.000 euro unë jam detyruar të shes shtëpinë time dhe lokalet afariste”, ka thënë ai.
Pasi i ishte kërkuar edhe kjo shumë, ka thënë se kishte kontaktuar Azem Sylën për t’i kërkuar ndihmë. I kishte thënë se këtë shumë mund ta paguante vetëm nëse shiste shtëpinë.
Azem Syla kishte pranuar “ta ndihmonte”. Kishte kontaktuar me Fahredin Gashin. Gashi ia kishte sjellë 200.000 euro kesh në tavolinë. Këtë shumë po në atë tavolinë, Fahredin Gashi ia kishte dhënë Shpresim Ukës, e jo “F”-së.
“Fahredin Gashi i ka thënë Shpresim Ukës ‘shko dhe jepja këto para Bedri Mustafës’. Kemi shkuar në lokalin ‘Proper Pizza’ ku Bedri Mustafa dhe Ali Muçiqi tashmë kanë qenë duke na pritur. Shpresim Uka ia ka dorëzuar shumën prej 200.000 euro Bedri Mustafës. Ai i ka marrë paratë dhe kanë shkuar, ndërsa ne jemi kthyer në picerinë time”, ka treguar ai.
Fahredin Gashi po ashtu ia kishte depozituar 50.000 euro në llogarinë bankare, meqë në vitin 2005 kishte qenë garantues për një kredi.
“Fahredin Gashi i ka paguar këto 50.000 euro vetëm për t’u liruar nga banka si garantues për kredinë time. Veç kësaj Fahredin Gashi m’i ka dhënë 300.000 euro të gatshme, në praninë e Shpresim Ukës, më 08.04.2008. Në total Shpresim Uka m’i ka dhënë 200.000 euro, meqë kjo shumë përputhej me shumët të cilën ata e kanë vlerësuar për shtëpinë time, dhe për të gjitha këto pagesa, unë i kam dokumentet”, ka thënë dëshmitari.
Ai ishte larguar nga shtëpia më 13.04.2008. Para se të largohej ka thënë se grupi e kishte detyruar ta nënshkruante një kontratë me Fahredin Gashin në Gjykatën e Prishtinës. Dëshmitari ka thënë se së bashku me Fahredin Gashin, në pranin e dëshmitarëve Shpresim Uka dhe Shefki Berisha, kishin nënshkruar një marrëveshje interne. Vlera e pronës së tij në këtë marrëveshje ishte 700.000 euro. Marrëveshja ishte nënshkruar më 29.05.2007.
Dëshmitari ka thënë se kishte refuzuar ta lironte shtëpinë meqë nuk i ishin paguar të gjitha paratë. Azem Syla kishte shkuar personalisht në shtëpinë e tij më 11 prill 2007 dhe në praninë e nënës dhe gruas së tij i kishte dhënë ultimatum që brenda 48 orëve duhej ta lironte shtëpinë.
“Duke dalë nga shtëpia, Azem Syla na ka thënë se Hamzë Morina dhe Shpresim Uka do ta sjellin çelësin e një apartamenti. Të nesërmen, më 12 prill 2007, ata kanë ardhur dhe e kanë sjellë çelësin e një apartamenti, për të mos na lënë jashtë në rrugë”, ka thënë dëshmitari.
“Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi na kanë dërguar në apartament dhe i kanë sjellë disa punëtorë për të rregulluar diçka në shtëpi. Fahredin Gashi ka investuar disa para në apartament. Atë ditë nuk kam mundur të shkoj në atë apartament me familjen time. Këtë e kam bërë ditën e nesërme, më 13 prill 2007”, ka thënë “F”-ja.
Dëshmitari ka thënë se nuk kishte qenë në gjendje të merrte asgjë në shtëpi, pos disa rrobave për fëmijë.
“Prona ime ishte marr nga Azem Syla dhe Shpresim Uka. Apartamenti që m’u dha atë kohë është i njëjti apartament ku momentalisht jetoj. Nuk paguaj qira. Unë nuk jam pronari. Pronari është Shpresim Uka”, ka treguar ai.
Disa vjet më vonë, Azem Syla e kishte vizituar “F”-në sërish. Tash në lokalin qymez që ndodhet tek Komuna e Prishtinës.
“Me veti qysh je bre Dajë? Thash mirë Dajë. Po punoj sa për idare. Me e mbajtë familjen. Tha, mirë i ke punët dajë, ke mujt me lujt prej mendve krejt e me dal rrugëve, më tha”, tregon “F”-ja për Insajderin.
Bedri Mustafa mohon dhënien e parave me fajde
I kontaktuar nga Insajderi, Bedri Mustafa ka mohuar se ka dhënë para me fajde. Ka thënë se “F”-në e ka pasur fqinj, por ka mohuar se njihet me Shpresim Ukën.
“’F’-në e kam kojshi. Shpresimin nuk e njoh. Edhe mos më bon kësi pyetje si prokuror”, ka thënë Mustafa.
Vëllai i tij, Rrustem Mustafa nuk është përgjigjur. Me Ali Muçiqin, Insajderi nuk ka mundur të kontaktojë./Insajderi
Komentet