Suzana Shkreli është një prokurore amerikane, me origjinë shqiptare. Ajo ishte të premten në Rinas dhe udhëtoi drejt SHBA-ve, pasi kishte qëndruar rreth 5 ditë në vendin tonë.
Ishte një vizitë rutinë, krejt e zakonshme, ku znj.Shkreli ishte pjesëmarrëse në ca seminare dhe tryeza të rrumbullakëta, aktivitete që shpesh janë mediokre dhe krejt formale.
Por dy ditët e fundit, në media janë shitur disa histori ‘si me lezet’, sikur mbërritja e znj.Shkreli në Tiranë ishte në kuadër të reformës në drejtësi, duke synuar që publiku të perceptonte mbërritjen në Tiranë të ndonjë ekipi special amerikan që do përvishte mëngët me hetime të rënda.
Përthyerja që i është bërë të vërtetës duket flagrante, pasi prokurorja amerikane Suzana Shkreli ka ardhur si një lektore, për disa seminare dhe tryeza të rrumbullakëta ku do flitej për viktimat e trafikimit ose të dhunës.
Seminare dhe trajnime të rëndomta, për viktimat e dhunës, nga ato seminaret që realizon çdo muaj dhe Ministria e Brendshme në ‘Hotel Tirana’.
Mediet proqeveritare sidomos ishin tepër aktive në manipulimin e vizitës së prokurores amerikane, duke synuar t’i japin kësaj vizite të rëndomtë peshën e një aksioni që lidhej me ndonjë skemë të amerikanëve për reformën në drejtësi.
Një mashtrim, arbitrar, duke keqpërdorur madje dhe imazhin e OPDAT dhe të ambasadës së SHBA, në funksion të kulisës politike të ditës dhe bërrylave për reformën.
Ndoshta dhe Spartak Ngjela nuk ka faj kur deklaron nëpër televizione se FBI-ja ka ardhur në Tiranë, me sa duket dhe ai lexon lajme të ngjashme, ku tryezat e rrumbullakëta dhe seminaret shiten për publikun si ‘bëma’ të amerikanëve të lidhura me reformën në drejtësi. / HashtagAL
Komentet