“Kushtetuta jonë është më e bukura e botës, por duhet ndryshuar që të bëhen reforma”
Intervistoi EZIO MAURO për La Repubblica më 2 qershor 2016
Roberto Benigni, ju e dini se për çfarë votuan babai dhe nëna juaj në referendumin e kërkuar qytetarëve për të zgjedhur mes monarkisë dhe republikës, më 2 qershor, shtatëdhjetë vjet më parë?
Roberto Benigni: “Dy fermerë socialistë, e si do të votonin ata ndryshe! Për Republikën, sigurisht. Kanë biseduar rreth votimit shumë herë në shtëpi një natë më parë. Babai i tha nënës sime, po ti do të votosh për mbretin, i cili do të jetë një dhe vetëm një, apo për Republikën, që do t’i bëjë të gjithë mbretër? Mos ki dyshime dhe nuk do të kesh kurrë pendesa”.
Ju kujtohet disa vite më parë, me që përmendët pendimin, kur u bë përpjekje për të shfuqizuar në heshtje Festën e Republikës?
Roberto Benigni: “Sigurisht, por ishte ai republikan i ndershëm – Carlo Azeglio Ciampi që e rivendosi festën. Të shfuqizohej? Një çmenduri e vërtetë, sikur të sharrosh themelin e monumentit të Shtetit apo sikur Kisha, për të penguar festimet e Vitit të Ri, të anullonte Krishtlindjet. ”
Për këtë çështje, disa vite më parë, e djathta u përpoq për të shfuqizuar 25 prillin, ju e dini?
Roberto Benigni: “Nuk mund ta besoj atë. Kjo është data kryesore e demokracisë së rigjetur, nga ajo ditë ka lindur liria e të gjithëve, për të gjithë, ngado që ata erdhën. Kjo do të ishte sikur të fshije historinë, është e pamundur. Por ata u përpoqën. Kjo tregon për vitet që kemi jetuar. Dhe kjo duhet të rizgjojë pasion më shumë për këtë Republikën tonë. ”
Ka shumë pak?
Roberto Benigni: “A keni dëgjuar ndonjëherë krenarinë e francezëve, kur ata flasin për ” La Republique”? Ne përdorim më lehtë fjalën “shtet”, pa krenari, pothuajse me zë të ulët. Unë shoh shumë arsye. Por unë them se ne duhet të dallojmë politikën aktuale nga institucionet, institucionet nga makineria administrative, dhe më në fund politikën e mirë nga politika e keqe. Ajo që ne festojmë sot është 25 prilli, që e kemi rifituar, në sajë të Aleatëve, por edhe ndaj rebelimit të një pjese të vendit kundër fashizmit. Kjo është arsyeja se përse Shteti është “yni”, edhe në qoftë se shpesh e ndjejmë larg.”
Nuk kemi kujtesë ?
Roberto Benigni: “Nuk kemi vetëdije për veten, pjesën më të mirë tonën. Për Republikën, për shembull, ne duhet të falënderojmë gratë sespe, atë 2 qershor të vitit 1946, vota e tyre shumë e lartë ishte vendimtare për të ndaluar monarkinë, pavarësisht sjelljes së Mbretit me fashizmin dhe me ligjet raciste. Është mahnitëse të mendosh se deri në atë ditë femrat në Itali nuk kishin votuar kurrë më parë. Dhe, si gjithmonë, kur gratë kanë zbritur në fushë, ato kanë dhënë kontributin e tyre për të ndryshuar këtë vend. Po shiko, kjo nuk ishte e lehtë, sepse në popull ishte frika nga anarkia institucionale. E di si flitej gjatë fushatës, republika krahasohej me një konfuzion të madh. por mençuria popullore diti se çfarë të zgjidhte dhe ktheu faqen, e ndryshoi historinë”.
Republika, Rezistenca, Kushtetuta, Demokracia: këto janë katër elementet e historisë së re?
Roberto Benigni: “Të lidhura së bashku. Rezistenca bëri të mundur që të shkruhej Kushtetuta. Dhe në Nenin 1 të Kushtetutës sanksionohet në formë solemne se Italia është Republikë, dhe i shtohej përcaktori “Demokratike”. Dhe kjo formulë fantastike, që na bën sot edhe në krizë të kuptojmë se çfarë do të thotë: “E bazuar në punën”. Pastaj në Kushtetutë është shkruar një histori që shkon nen për nen deri në nenin e fundit 139, kur kthehet prapë tek Republika, ku sanksionohet se forma republikane nuk mund të bëhet më objekt për t’u revizionuar, pra është përfundimtare. Dukej sikur Etërit e Kushtetutës ta kishin harruar këtë nen, kur në fakt Kushtetuta e Italisë hapet dhe mbyllet duke folur për Republikën. Neni i fundit më ngjan sikur të ketë qenë një paralajmërim për pasardhësit, që të mos bënin kurrë ndonjë shaka për ta ndryshuar. Gjithsesi, shikoni, ne e kemi Republikën si një strehë për të ardhmen, për ta besuar, por kurrë nuk i dihet “.
Sonte ju do të risillni për publikun e RAI Uno spektaklin për “më të bukurën në botë”. Ky show i juaj në dhjetorin e vitit 2012 kushtuar Kushtetutës u ndoq nga 13 milionë shikues, në krahasim me 11 milionë që ndoqën “Dhjetë Komandamentet” dy vjet më vonë. Kështu doli që Piero Calamandrei (njëri nga autorët e Kushtetutës – shënimi im E.B.) e mundi Moisiun?
Roberto Benigni: “Calamandrei, kolegët e tij dhe kundërshtarët e tij. Për shkak se prapa Kushtetutës, në qoftë se ju dëgjoni me kujdes, ju mund të dëgjoni zhurmën e demokracisë, e cila është lufta dhe përplasjet e interesave të ligjshme, e vlerave dhe mbi të gjitha, e ideve. Por a e di se çfarë kishte ndodhur që ne i kuptojmë shumë mirë sot, duke i lexuar ato nene? Ishte hapur një horizont i përbashkët, një angazhim i përbashkët për të mirën e përbashkët. Dhe në fakt, këta burra dhe gra kanë arritur të krijojnë shtetin republikan, kushtetutën e saj dhe demokracinë, pa dhunë, në një moment pajtimi. ”
Politika nuk mund më ta rikrijojë?
Roberto Benigni: “Por shikoni se mrekullia shkon përtej politikës. Kushtetuta ishte një revolucion i traditave, kulturës. Ne vinim pas njëzet viteve të fashizmit, luftës, me të huajin në shtëpi, me përbuzje ndaj ligjit, një masakër morale, ku ideja e shtetit ishte konfiskuar nga diktatura. Dhe kjo situatë nxori në dritë një Kushtetutë solidare, altruiste, me një sens të fortë të moralit qytetar. A e di si thoshte Péguy, se revolucioni do të jetë ose moral ose nuk do të jetë. Rebelimi kundër fashizmit kish prekur vetëm një pjesë të vendi, por shkaktoi një revolucion moral, në mënyrë qytetare dhe republikane. Ky është rasti edhe për ne, kur krijuesit e Kushtetutës, përdorën formulën e Churchillit: pse kaq shumë kur ishte aq shumë për kaq pak.”
Por atëherë, e përse sot është e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën?
Roberto Benigni: “Kjo do të bënte mirë, për ta zbatuar atë, por përpara duhet menduar në lidhje me ndryshimin. Kushtetura ka lindur si një premtim për brezat e ardhshëm Ne jemi mbledhur këtu – thoshte Calamandrei në ato ditë – për të zhdukur dhimbjen dhe për të reduktuar sa të jetë e mundur pakënaqësinë.” A e kuptojmë ne sot këtë? Në këtë kuptim, Kushtetuta, si demokracia, është një paradoks, sepse ajo i kërkon të gjithëve virtytet e një pakice “.
Por Kushtetura nuk duhet të vizatojë parajsën, ajo nuk është gjeografia që i takon feve, apo jo?
Roberto Benigni: “As parajsën tokësore, jemi dakord. Por Etërit e Kushtetutës u preokupuan të ndërtonin portën, sepse ata e dinin shumë mirë se, nëse nuk mund të dilje nga parajsa, ajo me lehtësi të bëhej një ferr. Por ata kanë dhënë mekanizmat e rishqyrtimit të tekstit të tyre. Unë veçanërisht e dua të pjesën e parë të Kushtetutës, ku shkruhen të drejtat dhe detyrat, të cilat për fat të mirë askush nuk dëshiron që t’i prekë. Por në pjesën e rregullave të Shtetit mund të ndërhyhet, duke marrë parasysh edhe fazën historike në të cilën ka lindur Kushtetuta, pas një periudhe të poshtërimit të vendit dhe institucioneve të saj. ”
I referoheni frikës historike nga tirani, përmendur nga Zagrebelsky, apo për akuzat e reformave autoritare për rregullat në Senat?
Roberto Benigni: “Ju e dini se unë nuk jam as konstitucionalist dhe as një historian, unë flas si qytetar. Por, pas shtatë dekadave demokraci, në qoftë se dikush dëshiron të bëhet diktator në Italinë e sotme e di se çfarë e pret të dalë prej kësaj? Në tiran operetash.”
Por ama është ujdi e përjetshme demokristiane. Giolitti thosh se politika tek ne, kur e gjen vendin e kërrusur, në vend se ta rimëkëmbë, i gjen veshjen e përshtatëshme që ia fsheh difektin: edhe rreziku i reformës të Senatit, kërkimi i autoritetit duke centralizuar pushtetin në vend të konsensusit ?
Roberto Benigni: “Pas Giolittit, dhe me ritmin e tij, ne kemi patur konstitucionalistë të përsosur: Shikoni si e kanë shkruar Kushtetutën: më tepër se ujdi, kemi të bëjmë me pedagogji demokratike. Unë kam besim se kuadri i vlerave të Kushtetutës nuk është aspak në rrezik. Sigurisht, që duhet t’i mbajmë sytë hapur. ”
Kushtetutë e përsosur: po atëherë përse demokracia jonë nuk funksionon?
Roberto Benigni: “Mund të themi sepse tek ne në fillim lindi Kultura e pastaj Shteti. Por shikoni edhe sot, me të gjitha probleme që kemi, ne jemi duke u zgjedhur si një model edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat janë demokracia më e madhe e botës”.
Për çfarë?
Roberto Benigni: “Na kopjojnë dhe madje paturpësisht. A nuk e sheh që po kandidon për Shtëpinë e Bardhë një sipërmarrës miliarder, i cili kurrë nuk ka qenë i përfshirë në politikë, që ka hyrë në garë për të mbrojtur interesat e tij, që ka probleme me evazionin fiskal, që bën gafa njëra pas tjetrës, që është i rrethuar prej grave të bukura dhe madje që ka edhe probleme me flokët. Na e kanë kopjuar ne, siç e shihni, në gjithçka. Pastaj ka gazetarë që të pyesin se si mund të zgjidhet një si ky. Ju kam thënë, se ne kot qahemi, kur jemi model eksporti, dhe për më tepër jemi pionierë. ”
Nuk e gjeni të padrejtë, si një kultivues i apasionuar i Kushtetutës, që Renzi e transformoi një referendum kushtetues në një plebishit personal? A nuk ju kujton Fanfanin në referendum për divorcin?
Roberto Benigni: “Kjo më kujton më tepër një lojtar pokeri, i cili synon të gjithën duke i shtyrë fishat me duar: all in. Por shiko e dëgjo mirë, sepse mund të jetë një truk alla italiana.”
Çfarë truku?
Roberto Benigni: “Renzi nuk thotë kurrë se nëse do të humbas, do të largohem. Thotë: Nëse humbas, shkoj në shtëpi.”
E po çfarë?
Roberto Benigni: “Ki kujdes, ku është shtëpia e Renzit? Ai jeton prej dy vjetësh në Pallatin Kixhi – Palazzo Chigi. E kuptove?”.
Po ju si do të votoni në referendum? Më jeni dukur i pavendosur: për herë të parë keni thënë po, pastaj jo. Po tani?
Roberto Benigni: “Kam dhënë një përgjigje të nxituar, duke thënë se në qoftë se është fjala për të mbrojtur Kushtetutën, zemra më thotë që të zgjedh “jo”. Por me mendje kam zgjedhur “po”. Dhe, edhe pse unë i kuptoj thellë dhe i respektoj arsyet e atyre që do të zgjedhin “jo”, unë do të votoj “po”. ”
Pse?
Roberto Benigni: “Për tridhjetë vjet kam dëgjuar në lidhje me nevojën për të kapërcyer bikameralizmin e përsosur, dhe nuk është bërë asgjë. Se do të krijonin një Senat sipas rajoneve. Dhe prapë asgjë. Që të jete vetëm një votë e vetme besimi për qeverinë. Prapë asgjë nuk është bërë. Dështim i vërtetë. Në krahasim me gjuhën e mrekullushme të Kushtetutës. Pra unë mendoj se kjo reformë do t’i ketë ato objektiva për të cilat flitet prej dekadash. Do të jetë më mirë se asgjëja. Dhe unë nga dy skenarë, do të preferoja atë ku do të fitojë “po”. Me skenarin tjetër do të vërtetohet definitivisht se ky vend nuk mund të reformohet dot ”
Por tek Renzi a keni besim?
Roberto Benigni: “Renzi është një person të cilin unë e respektoj. Kur recitoja Danten në Firence, ai vinte çdo natë, dhe çdo herë që vinte, ulej gjithmonë më nga e djathta. Në fillim dy rreshta larg, pastaj katër, pastaj gjashtë. Shkonte gjithmonë nga e djathta, unë e vija re në publik si një gag, improvizim infantil, që krijonte të qeshura, shenjë e simpatisë dhe popullaritetit. Edhe pse në Toskana shtëpitë e popullit janë plot me matteorenzi që thonë se të gjitha i bëjnë ata vetë. Karakteri i tyre është i njohur.”
Verdinin, e njihni këtë tipin?
Roberto Benigni: “Edhe ky toskan, bile më shumë se Renzi, shumë më toskan se ai. Unë e shoh atë në shesh, në treg, se do të shesë diçka, e kërkon të të bindë, pastaj kthehet në shtëpi, e nuk e di se çfarë të bëjë. Do t’i shkonte mirë personazhi i Dhelprës tek Pinoku… Por ndoshta ka formuar unionet e sindikatave për të rregulluar raportet me Renzin”.
Grillo?
Roberto Benigni: “Jini të durueshëm, unë jam një komedian, nuk mund të kritikojë një koleg timin. Në fakt unë e njoh pasionin e shumë Grillinëve. Por ju e shihni, duke e dashur politikën, e urrej antipolitikën. Si mund t’i thuash të kandidojë çdokush por jo një politikani? …Këtë egzaltim prej injorancës, këtë refuzim ndaj politikës dhe këtë refuzim që të merresh me punët e tua, që të takojnë ty dhe familjes tënde. Lidhet me një kaos që refuzon gjithë sistemin duke bërë sikur të gjitha janë të barabartë. Nuk ka se si të jetë kështu: edhe midis dy të tmerrshmëve, njëri është më pak i keq se tjetri, gjithmonë ekziston mënyra për të bërë dallimin.”
Salvini të bën që të thuash se ku ta gjesh Bossin?
Roberto Benigni: “Ata politikanë të cilët shfrytëzojnë frikën ndaj të huajve dhe kanë për qëllim që të fitojnë votën e atyre, duke nxitur pikat e dobëta që lidhen me ksenofobinë dhe jo vetem me këtë, janë anakronikë dhe vulgarë, dhe synojnë të gozhdohen tek e shkuara. Kush përsërit se si e majta dhe e djathta janë të vjetëruara, duhet të shikojnë në fytyrë këtë të djathtë për të kuptuar se në qoftë se nuk kemi nevojë për një të majtë shumë majtas, kemi nevojë për një të majtë të arsyeshme që qeveris, që është solidare dhe evropiane. Por ata duan të na nxjerrin jashtë BE-së. Provoni t’i thoni një djali 15 vjeçar nëse dëshiron që të izolohet duke i ngritur mure me Europën. Provoni. Bijtë tanë janë italianë, sikur janë edhe europianë, për ta, të jesh europian është pjesë e identitetit të tyre natyral. Prandaj e djathta ksenofobe është jashtë historisë.”
Përse pra socialdemokracitë e Perëndimit sulmojnë me sukses mendimin liberal të Europës midis BE dhe Rusisë?
Roberto Benigni: “Sepse parimet në vetvete nuk mjaftojnë, duhen njerëzit që të dinë të ripropozojnë një ëndërr. Trupit të madh të Evropës së vjetër i është dashur shumë që ta rindërtojë veten pas luftës: duhet të ndalet pak sa t’i vijë shpirti në vend: sepse një Europë pa shpirt, vetëm me monedhën e saj dhe burokracinë, është shumë pak”.
Benigni, do të votoni të dielën në zgjedhjet komunale apo mendoni se Roma është tashmë e paqeverisëshme?
Roberto Benigni: “Mendoj se Roma është e mrekullueshme dhe se mund të vihet në vijë. Duke zgjedhur personin e duhur, pas skandaleve, mendoj se Giachetti do të ishte një kryetar bashkie i mirë. Sa i përket votimit, unë votoj gjithmonë. Secili prej nesh ka fuqi më tepër sa mendon dhe unë nuk e hedh kurrë poshtë këtë rast. ”
Nuk ka frikë të njihesh si renzian, me “po-në” tuaj në referendum?
Roberto Benigni: “Po çfarë duhet të bëj? Mos votoni si unë mendoj për t’u konformuar me antikonformizmin. Unë nuk dua të mbetem neutral, nuk dua të laj duart duke thënë se jam artist e dua të jem i lirë. Sepse liria nuk i shërben asgjëje, nëse ti nuk merr përgjegjshmërinë për të zgjedhur tek kush beson më tepër. ”
A do ta merrnit Renzin në krahë si Berlinguerin?
Roberto Benigni: “Unë kam disa vite më shumë, ai ka disa kile më shumë. Le të themi se të dy nuk e kemi fizikun për ta bërë.”/ E shqipëroi Elida Buçpapaj
Komentet