Hapja e Ambasadave dhe Konsullatave, përveç aspektit diplomatik e ka rëndesinë e madhe të organizimit dhe përafrimit të mërgatës më shtetin amë, të lidhjeve emocionale (shpirtërore) mes mërgatës dhe institucioneve shtetërore.
Perveç aspektit diplomatik që ka ambasada, roli i saj parësor duhet të jetë shërbimi për bashkatdhetarët, me paisjen e dokumenteve të nevojshme të shtetit të Kosoves duke filluar nga çertifikatat e lindjes, pasaportave dhe dokumenteve tjera të nevojshme për udhëtimin e fëmijëve të posalindur në drejtim të shtetit të Kosovës.
Shqiptarët e Kosoves që jetojnë e veprojnë perkohesisht në pjesën veriore të Italisë, për shkak të shtrirjes gjeografike të shtetit ku jetojnë, duke filluar nga Trieste, Udine, Pordenone, Treviso, Vicenza…etj, ju duhet të bejnë hiq më pak se 500 deri në 800km rrugë per të shkuar në Romë, humbje e ditëve të punës e kosto të lartë të udhëtimit, andaj janë të shpeshta rastet kur mërgimtarët kosovarë të pjesës veriore të Italisë, me qëllim të shkurtimit të distancës dhe përgjysmimit të kostos materiale, ia mësyjnë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë (Republika e Sllovenisë) për rregullimin apo nxjerrjen e ndonjë fletudhëtimi për fëmijët e posalindur në Itali.
Nuk janë të pakta rastet, kur në mesin e ambasadorëve dhe konsujve kosovar në vendet e rajonit dhe nëpër vendet euro-përëndimore, janë emëruar analfabet dhe injorantë të skajshëm, të cilët përveqse nuk njohin asnjë nga gjuhët e huaja, çalojnë shumë në të folurit dhe të shkruarit e gjuhës amtare shqipe!
Si pasojë e kësaj, shpesh ndodhin anomali të llojeve të ndryshme.
Lëshimi i dokumentëve me afat të skaduar !
Është shkruar dhe folur gjatë për përformancën e dobët të ambasadorëve dhe konsujve të Republikës së Kosovës në disa vende të rajonit dhe botës. Mirëpo këtë më së miri e vërteton rasti i fundit i cili ndodhi ditën e shtune, me 04.06.2016 në Aeroportin e Veronës, ku një familje me qendrim të përkohshëm në Udine (Itali) iu ndalua rrugëtimi tutje drejt Kosovës shkaku i injorancës dhe analfabetizmit të shërbimeve konsullore.
Autoritetet konsullore pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë, vajzës tremuajshe të çiftit nga Kosova i lëshuan gabimisht dokumentin e udhëtimit !
Pavarësisht faktit, se a ishte mungesë e vëmëndjes apo injorancë e konsullit Petrit Hajdari,…nëna e re, shtetase e Kosovës, me datën 04.06.2016 u kthye me lotë në sy dhe shpirtë të plagosur së bashku me vajzen e saj tremuajshe nga Aeroporti i Veronës.
Shkaku i kthimit të saj, ishin gabimet teknike në dokumentin e udhëtimit të vajzës tremuajëshe, numër 026801, të lëshuar me datë 10.05.2016, me afatin paradoksal të skadimit të dokumentit një ditë më parë, pra me 09.05.2016-të, të nënshkruar nga zoti Petrit Hajdari, konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë (Republika e Sllovenisë).
Përveq kthimit prapa, çifti nga Kosova me qëndrim të përkohshëm në Udine (Itali), u përball me një kosto të lartë materiale dhe thyerje të rëndë shpirtërore.
E gjithë kjo konseguencë, familjes kosovare i erdhi si rezultat i injorancës së stafit diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë.
Urojmë të mos ndodhin anomali të tilla me rastin e lëshimit të dokumenteve të udhëtimit për fëmijët e posalindur,…ndryshe në rrethana normale, një lëshim i tillë do duhej të mos kaloj pa u ndëshkuar nga autoritetet kosovare.
I ftoj qeveritarët në Prishtinë e në veqanti Ministrinë e Jashtme dhe atë të Diasporës, të cilët çdo ditë krrekosen që janë duke bërë shumë për Diasporën,…këto janë problemet me të cilat duhet të mirren e jo të bëjnë marketing politik, duke e lënë në harresë interesat e mërgimtarëve në Itali, të cilët kanë berë e ka dhenë shumë për lirinë e Kosovës.
Këto duhet të jenë prioritetet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Diasporës, e jo vrapimi nëpër tubime e koncerte, panaire librash, prerje shiritash e aktivitete tjera që nuk përkojnë aspak me hallet dhe problemet e shumta të bashkatdhetarëve.
Le të shërbej ky shkrim si një thirrje per institucionet e shtetit: presidentin, kryeministrin, ministrin Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që për një moment ta lënë komoditetin e të mirren me problemet e bashkatdhetarëve të vet, t’i thërrasin arsyes së shëndoshë dhe ndërgjegjes kombëtare, ngase edhe Diaspora është Kosovë, madje pjesë dhe arterie e rëndesishme e trungut kombëtar.
Biznes me konsullatat
Paralajmërmi i fundit i ministrit të Punëve të Jashtme, zotit Enver Hoxhaj për hapje të disa konsullatave të reja, në dukje të parë është një lajm i mirë për mërgimtarët, por nëse analizojmë vendet dhe vetë afatin kohor të hapjes së tyre nënkuptohet qëllimi i biznesit qeveritar me këto konsullata.
Pjesa veriore e Italisë është e pjesa më e populluar me mërgimtar nga Kosova, duke u nisur nga Vicenza, Padova, Venezia, Treviso, Udine e deri në Trieste, janë më dhjetëra mijëra mërgimtar, ku vetëm në provincën e Treviso më rrethinë janë rrethë dhjetë mijë mërgimtar shqiptar nga Kosova.
Në një mënyrë vet prononcimi i ministrit Hoxhaj e dëshmoj qëllimin e hapjës së konsullatave; “konsullatat ndihmojnë në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e bizneseve”, duke mos përmendur nevojat e shumta dhe plotësimin e kërkesave të mërgimtarëve.
Kërkesat e mërgimtarëve për hapjen e një konsullate në pjesën veriore të Italisë datojnë më heret dhe atë nga viti 2011 (shiko artikullin tim “Të hapet konsullata në pjesën veriore të Italisë” të datës 14.12.2011 të botuar në të përditshmet kosovare, dhe letrën e hapur drejtuar ambasadores së Republikës së Kosovës në Romë, zonjës Bukurije Gjonbalaj të datës 26.04.2013, poashtu të botuar edhe në gazetat tona, …të mbetura pa përgjigje deri në ditët e sotme!
Pa përgjigje mbeti edhe iniciativa e një grupi mërgimtarësh, të cilët, me “peticionin” e tre viteve më parë kërkuan hapjen e një konsullate në pjesën veriore të Italisë (më theks të veqant në Treviso).
Hapja e konsullatës në Milano, nuk është në përputhje me përmbushjen e kërkesave të mërgimtarëve. Ajo çka mund të quhet pozitive në këtë rast është shkurtimi i distancës për vetëm 100 km për mërgimtarët e pjesës veriore të Italisë.
Hapja e ambasadave dhe përfaqësive konsullore në vendet evro-përendimore, është shndrruar në një biznes mjaft profitabil për qeveritarët aktual.
Zakonisht përzgjedhja e stafit diplomatik dhe konsullor bëhet sipas kriterit “kush qet në def më shumë”, e jo sipas kriterit profesional apo aftësive diplomatike të kandidatëve., siq ishte rasti i hapjes së ambasades në Romë, kur kandidati për staf diplomatik nga Treviso, edhe pse ekonomist i diplomuar dhe më përvojë të gjatë pune në Itali, nuk erdhi fare në shprehje, ngase nuk e përmbushi kushtin kryesor të “ofertës” për qeveritarët.
Nëse rastësisht ndodhë që ndonjë kandidat i përgaditur arrinë të depërtoj pa u filtëruar mirë në “sitat qeveritare” ja gjejnë ilaçin për ta ndërruar, siq ishte rasti me ambasadorin e parë të Republikës së Kosovës në Romë, zotin Albert Prenkaj, edhe pse ishte person më i kompletuar, më i aftë dhe më i përgaditur në aspektin diplomatik,…më një fjalë ishte personi i duhur në vendin e duhur, nuk e lanë të shkojë gjatë në ushtrimin e postit të amabasadorit!
Përkundër rezultateve të mira dhe punës së shkëlqyer diplomatike, e “tërhjekën” prej postit të ambasadorit duke i premtuar të udhëheq me “Akademinë Diplomatike” në Prizren, një akademie fantazmë. …për të emëruar në vend të tij një ish përkthyese të ndërkombëtarëve në Kosovë!!!
Tani është një rast i mirë për një klasë servilësh politik që t’i nënshtrohen “testit” diplomatik. Nuk është më rëndësi nëse më profesion janë; murator, saldator, parrukier apo kamarier, e rëndësishme është të jenë të dëgjueshëm, të përfillshëm dhe fleksibil, dhe mbi të gjitha të përmbushin në plotni ofertën qeveritare, në të kundërtën do të rrëshqasin tëposhtë nga “sita qeveritare”.
P.S. Identitetin e foshnjës tremuajshe, të kthyer nga Aeroporti i Veronës, e mbajta anonim me kërkesën e nënës së saj, e cila lehtësisht mund të identifikohet nga Ministria e Punëve të Jashtme përmes numrit të fletudhëtimit (026801).
Komentet