Për mosdeklarimin e dënimit të tij nga autoritetet gjyqësore italiane, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, rrezikon të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në katër vjet.
Në ligjin e dekriminalizimit, deklarimi i të dhënave të rreme apo fshehja e tyre është cilësuar si vepër që dënohet nga Kodi Penal, neni 190.
Ky nen, që flet për rastet e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, thotë se: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”.
Ndërsa pjesa tjetër e nenit parashikon dënimet kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim. “Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet në nenin 190 të Kodit Penal.
Sipas ndryshimeve të fundit kushtetuese, vepra penale e përdhunimit është listuar te nenet që ndalojnë përjetësisht kandidimin apo zgjedhjen për postet publike.
“Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 45 të Kushtetutës. PANORAMA
Komentet