Deutsche Welle: Ju i keni ndjekur me vëmendje zhvillimet parazgjedhore në Shqiperi. Cili është konkluzioni juaj pas këtyre vezhgimeve -duket sikur kemi pasur vërtet një fushatë të qetë deri më tani, megjithese për partitë këto zgjedhje janë sinjale të rëndësishme për 2017-n?
Sashenka Lleshaj: Mendoj se fushata ka qenë vertet “e qetë” në rast se si tension do të konsideroheshin konfrontimet arkaike fizike nëpër qendra zgjedhore, takime elektorale apo momente të tjera të ngjashme, pavarësisht se ka pasur disa incidente të vogla në Durrës, Vorë, etj. Tensioni i këtyre zgjedhjeve mendoj se lidhet më tepër me disa tema që i tejkalojnë këto zgjedhje, por që po testohen në zgjedhje, siç janë kriminalizimi i politikës, abuzimi me fondet publike dhe financimin e fushatave elektorale, etj.
Zgjedhjet vendore në gjysmëqeverisje janë gjithnjë test si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën, por rëndësia e shtuar e këtyre zgjedhjeve, në krahasim me zgjedhjet vendore të mëparshme, mendoj që vjen nga fakti se reforma territoriale ka shtuar peshën specifike të secilit nga 61 kryebashkiakët që do të zgjidhen pas 21 qershorit. Në këto kushte, këto zgjedhje kanë rëndësi në vetvete, përveçse shërbejnë si matëse për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës.
Pra faza e fushatave të tensionuara ka kaluar, megjithëse problematik mbetet ende numërimi i votave. Si mendoni a do të kemi një përsëritje të fenomenit 2011 – kur numërimet u tejshtyne, duke sjellë kontestime dhe tension?
Ana teknike dhe proceduarale e zgjedhjeve mbetet sistematikisht problematike në Shqipëri. Jo vetëm numërimi, por edhe respektimi i afateve ligjore, vendimet, ankimimet, shqyrtimet e kërkesave, etj, duke filluar nga KQZ dhe gjithë struktura institucionale në vazhdim ka probleme në këtë pikë. Numërimi i votave diskutohet vazhdimisht dhe ka një frymë të pakapërcyeshme mosbesimi nga të gjithë aktorët në këtë pikë. Balancat në komisionet e numërimit dhe monitorimi i vazhdueshëm duket sikur janë aty më tepër për t’i garantuar secilës palë një “gardian” të votës për partinë apo kandidatin e tyre, sesa për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm në parim. Kështu, numëruesit dhe vëzhguesit e secilës palë deklarojnë se janë aty që “të mos vidhen votat e tyre” e jo që “të mos vidhen votat e shqiptarëve”, për këdo qofshin ato vota, pra që të respektohet vullneti i sovranit. Kështu, nuk shikoj asnjë ndryshim substancial në numërimin e votave nga zgjedhjet e 2011-ës në këtë zgjedhje.
Këto zgjedhje u paraprinë nga një reforme territoriale, cili është efekti i saj, ku do të ndihej më shumë kjo reformë?
Reforma administrative territoriale është pikërisht faktori që u ka dhënë rëndësi të shtuar këtyre zgjedhjeve. Do të ketë rreth 6-fish më pak njësi, e për pasojë peshë të shtuar të secilit kryetar dhe anëtar këshilli bashkiak që del nga zgjedhjet. Këta kryetarë dhe këshilltarë nuk do të jenë vetëm më të rëndësishëm, por edhe më të “barabartë” për sa i përket peshës së tyre, duke qenë se tashmë nuk do të ketë kryetarë komunash e bashkish me rëndësi shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Në anën tjetër, reforma territoriale do të ndihet shumë pak në kushtet e mungesës së një reforme decentralizuese që e shoqëron, e cila do të delegonte pushtet dhe para tek njësitë vendore. Kështu, reforma territoriale formalisht rindan territorin, por pushteti vendor nuk fiton automatikisht më shumë pushtet dhe kompetenca pa një reformë më të gjerë decentralizuese dhe ndryshime përkatëse në ligjin që rregullon pushtetin vendor në Shqipëri.
..Pritet më shumë decentralizim i pushtetit. Por sa avantazhe ka një decentralizim i tillë, kur bashkive në fakt u mungojne fondet?
Ky shqetësim i bashkangjitet pikës që sapo shtjellova më lart. Në fakt, reforma territoriale në Shqipëri ka qenë një parakusht për decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit, pra një kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm. Pra, decentralizimi real, dhe në këtë rast financiar akoma nuk ka përfunduar. Thënë kjo, një ndër arsyetimet më të forta të paraqitjes së reformës territoriale që në fillesat e saj ka qenë mungesa e efiçencës së ndarjes së mëparshme territoriale në menaxhimin e fondeve dhe në ofrimin e shërbimeve. Njësitë më të mëdha tashmë pritet të menaxhojnë një sasi më të madhe fondesh, të jenë më efiçente në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve duke evituar kostot e koordinimit të mëparshëm midis njësive, si dhe të jenë në gjendje që me më shumë fonde dhe një territor më të madh të bëjnë investime përmbajtësore dhe madhore. Megjithatë, kjo nuk adreson në vetvete shqetësimin që lidhet me mungesën e decentralizimit real të pushtetit vendor në Shqipëri.
Gjithmonë në zgjedhje kemi parë se pavaresisht kush i ka fituar – në fokus kanë qenë interesat e klientelës partiake – vendet e punës e favoret për “Tanët” si thuhet rëndom në Shqipëri. Ndoshta kjo pasoje e nje shoqerie klanore, por që të bën të kuptosh se megjithë retorikën e bukur, në vend demokracia nxjerr në pah shumë defekte. Çfarë mund ta mënjanonte këtë fenomen?
Ky fenomen është jashtë mase i përbrendësuar në Shqipëri duke e shndërruar rolin e partive nga grupime që mbrojnë një ideologji dhe përpiqen të shtynë përpara një axhendë të cakruar publike, në zyra të mirëfillta punësimi, “aplikimi” në të cilat fillon gjatë fushatës dhe “përzgjedhja” më pas për vendin e punës bëhet sipas “meritave” dhe kontributit gjatë fushatës. Në këto kushte, fushata dhe zgjedhjet fitojnë një dimension të shtuar ekzistencial për shqiptarët dhe lidhet direkt me mirëqenien e tyre.
Mendoj se mënjanimi i fenomenit vjen vetëm përmes një qasjeje institucionale dhe ligjore që lidhet me statusin e nëpunësit civil, shtimin e masave ligjore për shkeljet në rekrutim, heqjet nga puna, etj. Gjykatat administrative janë tejmbushur me dosje gjyqësore ndërkohë që paratë e taksapaguesve shpenzohen për të mbuluar shkeljet e individëve të caktuar në funksione publike. Masat ligjore ndaj individëve të veshur me pushtet që bëjnë shkelje duhen shtuar, ndërkohë që aktualisht është institucioni publik ai që shpallet “fajtor” e për pasojë është buxheti i shtetit ai që dëmshpërblen qytetarët e shpunësuar padrejtësisht që fitojnë gjyqin.
Nëse fiton Aleanca për Shqipërinë Europiane e Partisë Socialiste, LSI e partnerëve -çfarë pasojash do të kishte kjo për pushtetin lokal? – Ka njerëz të thjeshtë që thonë, më mirë ta ketë një qeveri në dorë pushtetin lokal që të bëhen së paku ca punë…
Ky është vërtet një opinion që qarkullon dhe besoj se është shumë i frikshëm. Ka në bazë parimin se paratë janë të qeverive dhe se disa qytetarë janë të “njerkës” në rast se kanë votuar një kryebashkiak të ndryshëm nga ai që mbështet mazhoranca (qoftë ky i opozitës apo i pavarur). Nëse ky është parimi sipas të cilit qytetarët vendosin kë të votojnë, atëherë kjo është simptomë e një problematike më të gjerë me demokracinë në vend dhe na sjell edhe njëherë tek nevoja e reformës decentralizuese në Shqipëri.
…por nëse fiton opozita shumë qytete, dihet ky do të ishte një sinjal për kryeministrin Rama. A do të mund të presim më shumë afrim të qeverisë me opozitën, apo bllokimi do të ishte varianti me realist për Shqipërinë?
Nuk mendoj se fitorja e opozitës në shumë bashki do të ndryshonte natyrën e marrëdhënies ekzistuese mazhorancë-opozitë. Në anën tjetër, në rast se do të kishte fitore të thellë të mazhorancës në këto zgjedhje, atëherë opozita do të përballej me dilema ekzistenciale, sidomos një Tiranë e humbur do të ishte e dhimbshme për opozitën. Bashkia e Tiranës, tashmë edhe më e madhe pas reformës territoriale, është pushteti më me rëndësi pas qeverisë, sidomos kur posti i kryetarit mbahet nga opozita e radhës. Ky fakt është evidentuar sidomos në tri mandatet e fundit të Bashkisë së Tiranës, ku Edi Rama kryesonte bashkinë në kohën e qeverisjes së demokratëve për dy mandate, ndërkohë që dy vitet e fundit të kryesimit të Lulëzim Bashës kanë qenë gjatë qeversjes socialiste. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës bëhet balancuesja kryesore e qeverisë në rast fitoreje nga opozita dhe sendërtuesja e pushtetit qëndror në rast fitoreje nga mazhoranca.
Ekspertja e re për Europën Lindore, Sashenka Lleshaj ka studiuar në Universitetin e Oksfordit për Europën Lindore dhe Rusinë, aktualisht ajo punon si studiuese në Institutin Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare. Së fundmi fondacioni gjerman Friedrich Ebert ka publikuar analizën e saj mbi zhvillimet parazgjedhore dhe problemet e reformës së papërfunduar.
Komentet