Në Kosovë aktualisht ekzistojnë rreth 750 xhami, ku qytetarët kryejnë ritet e tyre fetare. Në mesin e tyre janë mbi 200 syresh që janë ndërtuar që nga përfundimi i luftës.
Zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se ndërtimi i xhamive të reja është bërë me kontributin e vetë qytetarëve të besimit islam të Kosovës, por edhe me ndihmën e donatorëve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe Arabia Saudite.
Pavarësisht kësaj, një numër i qytetarëve të Kosovës të besimit islam vazhdojnë të kryejnë ritet fetare jashtë objekteve të xhamive.
Udhëheqës të Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se të gjitha xhamitë në Kosovë janë nën kontrollin e këtij institucioni, përveç dy prej tyre.
“Në Bashkësinë Islame të Kosovës mendojmë se i kemi nën kontroll të gjitha xhamitë, me përjashtim të dy xhamive, për të cilat janë të njoftuara organet e rendit dhe instancat me të larta të shtetit të Kosovës. Njëra është fshatin Qyshk të Komunës së Pejës, të cilën nuk e kemi nën kontroll. Aty është imami jolegjitim, i cili nuk ka vendim nga BIK-u dhe ai është vetë emëruar aty dhe nuk pranon të lirojë vendin e punës. Tjetra nuk është xhami; është një objekt i improvizuar dhe është në Komunën e Dragashit”, thotë Fatmir Iliazi, zëvendës i Kryeimamit Sabri Bajgora.
Mirëpo, Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se në Kosovë janë disa xhami ku imamët e tyre nuk kanë bashkëpunim të duhur me Bashkësinë Islame të Kosovës. Sipas Perteshit,ka disa raste, si në komunën e Kaçanikut, Vitisë dhe Pejës, ku Këshilli i Bashkësisë Islame nuk bashkëpunon mirë me imamët atje.
“Është shqetësues fakti se pse disa imamë të vetë quajtur të moderuar ose disa imamë të tjerë të quajtur imamë konservator, pak a shumë e kundërshtojnë bashkëpunimin dhe kundërshtojnë të jenë pjesë e Bashkësisë Islame, dhe të punojnë nën urdhra e BIK-ut”, thotë Perteshi.
Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në vitin 2000 numri i xhamive ka qenë trembëdhjetë (13), kurse 16 vite më vonë, ky numër është rritur në 25 sish.
Besimtarët e fesë islame, në mungesë të hapësirave të mjaftueshme, shumë shpesh faljen e xhumasë [siç njihet ndër besimtarë si falja e ditës së premte, e që është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë] shpesh e kryejnë jashtë objekteve të xhamive, në oborret e tyre ose edhe në rrugët pranë tyre.
“Ata falen në baltë, në shi në borë. Do të thotë, pavarësisht kushteve fetare ata ritet fetare i kryejnë në rrugë, në asfalt. Një gjë e tillë nuk i jep të drejtën dikujt që të shtyhen mes vete dhe të improvizojnë objektet, e aq më tepër edhe të marrin përsipër barrën që është shumë e rëndë që ta vetë emërojnë veten e tyre si imam apo prijës fetar”, tha Iliazi.
Megjithëse autoritetet lokale në Prishtinë e pranojnë se ka pasur kërkesa për ndërtime të reja të xhamive në Prishtinë dhe se për to në disa raste janë lëshuar leje ndërtimi, ato thonë se kjo çështje nuk është e rregulluar siç duhet me ligj.
Liburn Aliu, drejtor i Drejtoratit për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës, thotë se Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar që gjatë planifikimeve të zonave të reja urbane të caktohet edhe numri i xhamive, por sipas tij, kjo ka qenë e pamundur pasi “nuk mund të paragjykohet besimi i banorëve që do të jetojnë aty”.
Aliu nuk ka përjashtuar mundësinë që në mungesë të hapësirave legale për kryerjen e riteve fetare besimtaret të organizohet vet në vende ilegale.
“Po, kjo mund te shndërrohet në pengësë se a duhet tash shteti të përkujdeset që të ndajë lokacione dhe të bëjë objekte të tilla, apo janë vet komunitetet fetare ato që organizohen dhe ndërtojnë objekte të tilla. Këto janë çështje të natyrës politike dhe natyrisht që janë të përcaktuara më kushtetutë. Kosova është shtet laik dhe rrjedhimisht shteti e njeh lirinë fetare, por nuk mund të përcaktojë ose rregullojë çështje të besimit. Në anën tjetër, kemi ngecje të rregullimit me ligj se si dhe ku mund të ndërtohen objektet fetare”, tha Aliu.
Një numër i objekteve fetare, që konsideroheshin si nxitëse të radikalizmit, u mbyllën nga autoritetet në Kosovë pak vite më parë.
Skënder Perteshi thekson se në Kosovë, që nga vitin 2015, nuk funksionojnë më objektet ilegale të cilat janë shfrytëzuar si xhami në disa vende në territorin e Kosovës. Por kjo, sipas Perteshtit, nuk e përjashton mundësinë e organizimit ilegal të personave të caktuar në lokacione private.
“Mund të ketë lokacione të dyshimta, banesa private apo diçka tjetër ku mund të organizohen ligjërata e trajnime, mirëpo besoj se Policia e Kovës këto i ka nën mbikëqyrje. Çdo tentim për një lëvizje të tillë mund të ndalohet”, tha Perteshi.
Mekanizmat e sigurisë në Kosovë thonë se në gjithë territorin e vendit janë funksionale predikimet fetare në shtëpi private, ose siç quhen ndryshe “mesxhide”, dhe kjo e shton shqetësimin për mundësinë e predikimit radikal të fesë.
Aktualisht, në luftërat në Siri janë më pak se 110 shtetas të Kosovës, nga të cilët 54 familjarë dhe të tjerët pjesëtarë të organizatave Al-Nusra dhe IS.
Numri i shtetasve të Kosovës u zvogëlua gjatë vitit 2015, kur mekanizmat e sigurisë parandaluan shkuarjen e disa të rinjve në Siri, ndërkohë që prej vjeshtës së kaluar e deri në ditët e sotme asnjë shtetas kosovar, siç thuhet, nuk raportohet t’i jetë bashkuar grupeve ekstremiste.
Në vitin 2014, organet e sigurisë në Kosovë arrestuan një numër qytetarësh të përshirë në luftërat në Siri, në mesin e të cilëve edhe 12 imamë të xhamive të Kosovës.
Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqiptuar dënimin prej 10 vitesh burgim për ish-imamin e xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Zeqirja Qazimi. Ky i fundit është akuzuar se duke keqpërdorur pozitën e tij si imam ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Komentet