Kryeministri Rama mungoi në një ceremoni për dekorimin e Ismail Kadaresë me dekoratën më të lartë zyrtare, e cila u mbajt në kuadrin e një konference solemne të përbashkët të dy akademive të shkencave, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, që u mbajt në Tiranë, për të nderuar Ismail Kadarenë në 80-vjetorin e tij.
Arsyeja e mungesës së kryeministrit nuk besoj se është fakti që në këtë solemnitet do të merrte pjesë edhe presidenti Nishani, i cili do t’ia dorëzonte Kadaresë dekoratën e “Flamurit Kombëtar”. Z. Rama ka qenë i pranishëm edhe në raste të tjera, në të njëjtin mjedis, së bashku me z. Nishani, të cilin e ka quajtur vazhdimisht kundërshtar politik madje që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Secili ka mbajtur vendin e tij, dhe kryeministri, sipas dëshirës, ka zgjedhur të përshëndetet ose jo me kryetarin e shtetit. Sepse kuptohet që është kryeministri ai që duhet të përshëndetë kryetarin e shtetit i pari dhe jo e anasjella.
Sigurisht që kryeministri vetëm në raste të veçanta merr pjesë në një ceremoni dekorimi nga ana e kryetarit të shtetit. Kështu zoti Rama ka qenë i pranishëm në një ceremoni të organizuar nga presidenti Nishani për dekorime, siç është rasti i dekorimit të Lordit Rothschild çka ishte vërtet diçka për t’u përshëndetur. Z. Rama ka bërë mirë që ka qenë i pranishëm në këtë rast, duke qenë i njohur kontributi i Lordit Rothschild për Shqipërinë, në të gjitha drejtimet. Prandaj nuk do të ishte një thyerje e protokollit, por përkundrazi, prania e kryeministrit Rama në ceremoninë e dekorimit të Kadaresë, e cila nuk u organizua në Presidencë, por në një ambient privat, që përdoret më së shumti për aktivitete publike siç është hotel “Tirana”. Aq më tepër, kur ceremonia e dekorimit do të mbahej në kuadrin e një konference të organizuar nga një institucion tjetër dhe nuk do të ishte thjesht një ceremoni e organizuar nga Presidenca. Meqenëse nuk mund të thuhet se z. Rama nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje për shkak se atje do të ishte edhe Nishani, atëherë arsyeja e mungesës së Ramës duhet të ketë qenë tjetër.
Nuk mund të them se z. Rama ka munguar për shkak se ky solemnitet ishte për të nderuar Ismail Kadarenë. As nuk më shkon në mendje që kryeministri i vendit të jetë një kadarefob. Por shfaqjet e kadarefobisë janë të papranueshme në çdo formë që të vijnë, qoftë edhe për të kënaqur një kadarefob. Këtë e them sepse kam bindjen që z. Rama mungoi për shkak se në solemnitetin për Kadarenë mungoi Rexhep Qosja. Personaliteti i shquar, anëtar i dy akademive, prof. dr. Rexhep Qosja, (ai është edhe anëtar nderi i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë) mungoi në këtë solemnitet sepse nuk i desh qejfi të ishte i pranishëm. Zotëri Qosja, i cili kishte si të thuash, dy karrige të rezervuara në sallë, nuk e ka bërë të ditur arsyen e mungesës së tij. Nuk ka ndonjë njoftim prej tij që të ketë pasur, fjala vjen arsye shëndetësore. As mediet e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk janë interesuar pranë tij për arsyen e mungesës së tij.
Por nuk është e vështirë të kuptohet se akademik Qosja mungoi për shkak se nuk donte të ishte i pranishëm në këtë solemnitet ku do të nderohej Kadareja, ndaj të cilit Qosja ka pasur kritikat e njohura në vitet e fundit, për shkak se Kadare thekson fort orientimin kulturor evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. Pikërisht me mungesën e Rexhep Qosjes është e lidhur mungesa në solemnitetin për Kadarenë e z. Rama. Në partinë që drejton z. Rama tanimë është krijuar një idolatri e çuditshme për Qosjen, si një ideolog politik dhe kombëtar, si një kulturolog i madh, duke përfshirë dhe kulturën e politikës. Një idolatri e pavlerë, e llojit “idhuj pa krena”, nëse përdor një shprehje të Migjenit. Një idolatri që mund ta respektojë kryetari i PS-së, por nuk duhet ta respektojë kryeministri i vendit, qoftë edhe kur janë i njëjti person. Sepse kjo do të thotë që për hir të idhullit pa krye, të mos respektohet një idhull me një kokë që respektohet botërisht, si Kadare.
Kryeministri Rama jo vetëm që nuk ishte i pranishëm në dekorimin e Kadaresë, por ajo që ra në sy dukshëm është fakti që ai nuk mori mundimin që të bënte as edhe një status në “Facebook” për ta uruar Kadarenë për dekoratën e lartë, çka ai nuk lë rast pa shfrytëzuar për ta bërë këtë gjë. Dhe këtë nuk e bëri sepse kështu do t’i njihte merita dekoruesit të Kadaresë, domethënë presidentit Nishani, të cilit i kishte ardhur me kohë në mëndje që ta dekoronte shkrimtarin tonë më të madh me dekoratën më të lartë zyrtare. Z. Nishani, me modesti deklaroi në fjalimin e tij në ceremoni, se ishte një harresë e paraardhësve të tij, të zënë me problemet e tranzicionit, që Kadaresë nuk i ishte dhënë me kohë kjo dekoratë e merituar prej tij. Kështu, z. Nishani, në vend se të merrte meritat e gjestit të tij, u kujdes që ta paraqiste gjestin e tij si ndreqje e një gabimi të paraardhësve, që kishte ardhur nga harresa. Një bujari që rrallë e gjen në Shqipëri nga drejtuesit e shtetit për paraardhësit.
Z. Qosja, nga ana e tij, e humbi rastin për të kapërcyer kadarefobinë e tij, duke qenë i pranishëm në mbledhjen historike të përbashkët të dy akademive, për të nderuar figurën më të madhe të kulturës shqiptare, në ditën kur Kadare do të nderohej me dekoratën më të lartë zyrtare të Shqipërisë. Në qoftë se Qosja do ta kishte bërë këtë gjë, të gjithë do ta kishim mirëpritur dhe unë sot do të kisha shkruar në mënyrë lavdëruese për të, sepse kjo është një sëmundje shoqërore që po na mundon ne shqiptarëve.
Zoti Rama gaboi rëndë kur lejoi që agjenda kryeministrore të ndikohej nga kadarefobia e Rexhep Qosjes. Kryeministri i Shqipërisë nuk duhej të mungonte në mbledhjen solemne akademike, ku presidenti i Shqipërisë do t’ia dorëzonte Kadaresë dekoratën më të lartë zyrtare, aq më shumë që kjo para së gjithash është mirënjohja e kombit shqiptar për një nga bijtë e tij që i ka dhënë atij në kohën e sotme moderne një emër të nderuar dhe mjaft të nevojshëm në botë. Sigurisht që nga mosvajtja e kryeministrit shqiptar në këtë solemnitet duke njohur divergjencat e tij me Kadarenë, mund të ketë mbetur shumë i kënaqur Rexhep Qosja, por sidoqoftë ky duhet të ishte shqetësimi i fundit i kryeministrit. Kryeministri përfaqëson Qeverinë e Shqipërisë, të vendit që ka të drejtë të krenohet me Kadarenë dhe që ka detyrim të shprehë mirënjohje ndaj tij. Kombi shqiptar ka pasur dhe do të ketë shumë të tjerë si Rexhep Qosja, por sa shekuj duhet të kalojnë që të kemi përsëri një Kadare?
Komentet