New York 18 Maj 2016- Mbrëmjen e 16 Majit kishte përfunduar në mënyrë fatale beteja mes gazetarit Agim Nezaj dhe sëmundjes së kancerit në stomak. Siç shkroi shtypi, ai nuk iu dorëzua vdekjes, por Zotit. Me kaq janë thënë të gjitha. Ai e përballoi dyluftimin duke e gëlltiur dhimbjen brenda vetes, por mbrëmjen e së Hënës, zemra e tij pushoi së rrahuri, duke shënuar fundin e betejës. Familja Nezaj hapi dyert e mortit dhe komuniteti shqiptar , jo vetëm në Nju Jork, por edhe shtete të tjerë iu gjend për ngushëllim. Të Mërkurën, me 17 Maj, familja priti ngushëllimet në Shtëpinë Mortore” Farenga Brothers” në Allerton, Bronx. Nga ora 2 e pasditës e deri në 9 të mbrëmjes vargu i njerzve, burra dhe gra, nuk kishte të sosur. Me qindra ishin ata që iu gjendën pranë familjes, jo vetëm krahinarë të tij, por nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Edhe Federata Vatra, me një përfaqësi të saj, me zv/Kryetarin Agim Rexhaj, sekretaren Nazo Veliu, anëtarët e Kryesisë Marjan Cubi e Dalip Greca (editor i “Diellit”), anëtarët e Këshillit Idriz Lamaj, Zef Përndocaj, Musli Mulosmanaj, së bashku me përfaqësuesit e medias së komunitetit Adem Belliu , Beqir Sina dhe Dritan Haxhia, i shprehën ngushëllimet babait të Agimit Bajram Nezaj, nënës Zoja, bashkëshortes Mira dhe vëllait, Agronit.
Të Enjten, me 18 Maj, në orët e para të mëngjesit u organizua ceremonia e përcjelljes si dhe lutjet fetare në Shtëpinë Mortore”Farenga Brothers” për t’u nisur në orën 10 të paraditës drejt Kensico Cemetery, në Valhalla, Westchester County, New York, një ndër varrezat e hapura në vitin 1889, në një vend tepër piktoresk, plot gjelbërim.
Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë qindra vetë. Imam Elez Osmani dhe Mustafë Islami, kanë përcjellë lutjet fetare. Në mesazhin drejtuar të pranishmëve, Imam Elez Osmani, ndër të tjera, duke iu drejtuar Familjes Nezaj, prindërve të Agimit, Bajram dhe Zoja, vëllait Agron, bashkëshortes Mira tha: Sot jemi tubuar që t’ia themi lamtumirën e fundit, bashkëkombasit tonë, vëllaut tonë, familjarit tuaj të dashur, gazetarit, publicistit, studiusit,juristit, pedagogut të mirënjohur Agim Nezaj. Pata rastin të njihem me të personalisht dhe janë të pashlyera kujtimet për të. I afërt, modest, erudit me njohuri të larta.
Ishte ndër pendat e shquara që la emër në letërsi, publicistikë, gazetari dhe në veprimtari shoqërore-politike.Agimi kishte një stil të lehtë shkrimi, që të bënte për vete. Shkrimet e tij lexoheshin me një frymë, sepse i shkruante vendit të tij, vlerave tona të shquara dhe gjeografisë së bukur .
Ishte një personalitet që nuk rreshti së promovuari shqiptarinë dhe Shqipërinë kudo që iu dha rasti.
“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve, ka qenë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt” shënoi Agimi në veprën e tij.
Zoti e kishte paisur me një mëndje të ndritur që e shprehi në pendën e tij të artë.Kosovën e kishte pikë të dobët dhe ishte i pashmangshëm diskutimi për të në çdo moment.Me një ndiesi të veçantë i përcillte zhvillimet politike të saj.
Qindra artikuj, kronika ,opinione,analiza të botuara, në media kombtare dhe ndërkombëtare, nga Agim Neza , i lexoje me andje, me një frymë, sepse Agimi i tjerrte mire siç thojmë edhe në bosht edhe në shtizë.
Imam Osmani e mbylli mesazhin e tij: Familja e Agimit , sot , krahas pikëllimit dhe dhembjes e ka kujtimin e pa shlyer për të, e ka krenarinë e ligjshme, sepse siç vunë në dukje të gjitha mediat tona, Agimi na la mesazhe të larta qytetarie në çdo hap të jetës së tij,në çdo vend ku shkeli në çdo institucion ku punoi. Kështu ky lartësoi edhe më shumë traditat tona, zakonet e vyera, virtytet e ndritura të para ardhësve dhe familjes së tij të nderuar.Në njëshkrim që lexova për të këto ditë dikush shkroi Agimi nuk iu dorëzua vdekjes por iu dorëzua Zotit, përfundoi Imam Osmani…..
Më pas Zenel Neza, në emër të familjes, ka falenderuar pjesmarrësit dhe i ka ftuar ata në drekën e lamtumirës së Agimit, e cila u shtrua nga familja në Eastwood Manor.
***
Vdekja e parakohshme e Agim Nezaj, në moshën 54 vjeçare, preku të gjithë kolegët e tij dhe mediat e përcollën me pikëllim e nderim të thellë. Gazetat, televizionet, rrjetet sociale e vlerësuan Agimin për kontributin që dha në median shqiptare, në mardhëniet me publikun, në fushën e mësimidhënies si pedagog, në promovimin e Shqipërisë turistike tek të huajët etj. Mesazh ngsuhëllimi përcolli edhe presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, i cili, duke ngushëlluar familjen, shkroi:” “Të nderuar familjarë të Agimit të ndjerë,
Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Agim Nezajt, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik të gazetarit dhe artit të vështirë të komunikimit me publikun, ku u shqua për mjeshtërinë dhe gojëtarinë e rrallë.
Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore.
Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë.
Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira t’ju gjendem pranë shpirtërisht duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
***
Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Studimet e mesme i ka kryer në Shkollën e Gjuhëve të Huaja për anglisht dhe ato të larta, në Fakultetin Filologjik të Tiranës për gjuhë -letërsi shqipe.Karriera dhe kontributi i Agim Nezës në gazetarinë shqiptare, letërsi, publicistikë, botën universitare, politikë etj. janë të mëdha dhe shumëdimensionale e do të mbahen mend gjatë.
Për ata që e njihnin dhe nuk e njihnin Agim Nezën, por njihnin shkrimet e tij apo bashkëpunimin me të si këshilltar i mediave në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj. do ta ndiejnë që sot e tutje se Shqipëria ka humbur një personalitet.Një personalitet, që nuk reshti së promovuari Shqipërinë jashtë vendit me bukuritë dhe misteret e saj. Agim Nezaj shprehej:“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve ka qënë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt nëpërmjet botimit dhe ribotimit të librave “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania””
Agimi la në pikëllim të thellë bashkëshorten Mira, vajzat Ergian dhe Edonën, prindërit Bajram dhe Zoja Neza, të vëllain Agron, të afërm, miq dhe shokë të shumtë.
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “Dielli” i shprehin ngushellimet me te thella familjes.
Lamtumirë miku ynë, kolegu ynë, të qoftë dheu i lehtë!
FOTOGRAFITE EKSKLUZIVE PER DIELLIN NGA DRITAN HAXHIA.
(Dielli)
Komentet