Në vjetarët që harton Biblioteka Kombëtare (shumica për përdorim të brendshëm), prej vitesh poezia shqipe zë bashin e vendit, si prodhimtari. Megjithatë, titujt humbin në këta vjetarë, publikimet janë më shumë sprova vetjake e ndere botuesish për autorët. Poezitë janë aty e s’na trandin ma. S’po na trandin ka mote, ndoshta qysh kur rrëzuam regjimin e qoftëlargut dhe shqiptarët po enden të çliruar vargonjsh, duke ndjekur ëndrra më praktike, të arritshme e të matshme, herë me dollarë e herë me poste qeveritare.
E në këtë ligatinë poetike, të cilën s’e fsheh dot vjetari i Bibliotekës Kombëtare me shifrën e 60 përqindëshit të botimeve në poezi, Skënder Buçpapaj, një poet i vjetër e i sprovuar në kohën “para ligatinës” që përmenda më lart, sjell për lexuesit poemën “Vetëm të vdekurit pendohen”, një botim i shkëlqyer i Onufrit dhe një blatim i pagjindshëm në letërsinë e pas’90-s për nënën. Poema është e ndërtuar në katër përgjërata, të shkruara me vargje të bardha, ku rrëfimi i Buçpapajt dhe ritmi i brendshëm i vargjeve, pasohet nga pauzat, të cilat janë tingujt e lahutës që lexuesi duhet të ndjejë. Është detyrë e tij të përfshihet në këtë proces leximi, pasi vetëm ashtu vepra është e plotë. “Vetëm të vdekurit pendohen” është një poemë e paplotë, pa lexuesin, është ai rasti i veprave të fuqishme dramatike, të cilat duhet të vihen në skenë, në mënyrë që të reflektojnë dritën që bartin së brendshmi. “Lexuesja e parë” e poemës, poetja e gazetarja Elida Buçpapaj, bashkëshortja e poetit, na paralajmëron se leximi i poemës do të shoqërohet me një përmasë të fuqishme personale, tek secili, pasi secilit do t’i duhet të zbërthejë sipas lentes së tij grimcën personale Nënë-bir (bijë), brenda universit poetik të Buçpapajt.
Mbi karakterin panteist të poemës
Kudo në poemë spikat karakteri panteist i rrëfimit dhe motivimit të gjithçkaje. Është e fortë gjurma e bektashizmit, që ngërthen rrëfimin në Malësinë e Gjakovës. Në fakt, edhe më i fortë, rrëfimi panteist shfaqet këndej kufirit sesa andej kufirit, pasi Malësia e këndejme u gjend edhe më e gjymtuar nga ndarja dhe shpëtimi i vetëm në kërkimin e plotnisë është natyra. Ajo s’pyet për politikë e për vendimmarrje, prandaj edhe luginat, malet, bokat, “Lisi i Xhemajlit”, “Fundi i Tplanit”, janë dëshmitare më të mira të dhimbjes, dashurisë, e mbi të gjitha të ekzistencës së Nënës. Ajo vjen nga përjetësia e shkon në përjetësi, prandaj kërkimi i dëshmive për ekzistencën e përkohshme mbi tokë, është puna më e mirë që mund të bëjë poeti. Ai i gjen dëshmitë kudo e janë të gjitha dëshmi dashurie. Është një dashuri e plotë, e pakufi, është një dëshmi e dashurisë më të bukur, e një ekzistence aq të bukur, saqë veç ajo mund të ndërhyjë në raportin me përjetësinë e të bëjë udhëtarin të pendohet që ka marrë udhën drejt të përtejmes së përjetshme.
Është një bukuri e kudogjendshme, bile poeti është koshient që ky interpretim klasifikohet si panteist, por cili më mirë sesa një i Malësisë së Gjakovës, është krenar për këtë trashëgimi. Bukurinë e trashëgimisë ai e ka në zemër të përgjëratës së parë, të cilën përkujdeset të na e raportojë pa ekuivoke Skënder Buçpapaj, kur ka problem të marrë shpendinë për dëshmitare, pasi ata janë disi fluturakë e kanë probleme të jenë dëshmitarë. Po s’ka problem për poetin. “Vezët e tyre, të të gjithë shpendnisë tjetër, të të gjithë kandrrave të botës, dihet, unë i kam në gjakun tim, atje çelin dhe fluturojnë…ku të munden”. E ka në gjak dëshminë për nënën, është një dëshmi që gjendet kudo, është një trashëgimi e bukur, të cilën e vertetojnë edhe poetët e tjerë të botës, edhe John Keats, edhe Emili Dickinson, edhe Walt Witman, por dëshmitë e tyre janë dytësore, janë me asteriks, janë thjesht shembuj për dëshminë qendrore që po jep autori i përgjëratës, i lumtur që ekziston të dëshmojë përjetësinë e trashëgimisë së Nënës.
Karakteri global i kalimit në amëshim, e gjithë bota është një fshat
Por e gjithë bota është një fshat, thonë. E thotë edhe poeti në përgjëratën e tij të dytë. Lexuesi e ka për detyrë që në pauzat mes vargjeve të bardha të marrë vesh zezonën botërore, largimin e Nënës. Është një stacion i ditur, i pashmangshëm e njëkohësisht i zi. Zezona është për të gjallët, pasi kalimi, shkuarja përtej, është një kalim për tek Zoti. Ky kalim ka dëshmitarë të mirë në Malësinë e Gjakovës, dëshmitare të mirë ka hënën, dëshmitare edhe më e mirë sesa hëna që dikur s’pa vrasjen e Lorkës. E megjithatë, largimi lë si dëshmitar për të gjallët lotin, lotin e të vdekurit, një lot-kufi, i ngjashëm me lotin e lindjes, por një lot me trashëgimi.
Kërkimin për këtë trashëgimi sërish poeti Buçpapaj e bën tek natyra,por në radhë të parë e kryesisht edhe tek historia. Vdekja e babait, Mehmet Bubrrecit të Bubrrec Alisë, në shkurt 1983 në Tpla, është një dëshmi historike që flet për Lotin e Vdekjes, lotin që Nëna po linte si dëshmi pendimi. Edhe Mehmet Bubrreci ishte penduar që kishte kaluar andej, pasi në segmentin mes dy lotëve, ishte bukuria, ishte fara e gjakut. Kërkimi i të gjallëve për ta ndryshuar historinë gjen shembuj të pashoq tek poezia e Skënder Buçpapajt, që nga qytetet fantazmë të Salvador Dalisë e deri tek gjëma e ujëvarës së Kënetës së Madhe në Tpla. Përpjekja për të vonuar vdekjen është fizike, poetike e metafizike.
Historia jep gjithmonë të njëjtin përfundim, prandaj edhe Loti i Vdekjes është Loti i Pendimit. Një lot pendimi është edhe i Nënës, edhe i Mehmet Bubrrecit, sepse poeti s’kish mundur të vinte. Është një pendim që vjen prej përtej, jo prej këndej. S’është një pendim tokësor, por tjetërqysh. Dëshmia e lotit në syrin e majtë të Nënës është fare pak për ta ndalur kërkimin e poetit, i cili është koshient për plotninë, që përmbushet veç në segmentet përtej lotit të lindjes e të vdekjes. Atje përtej është universi, kurse këtu në botën tonë është iluzioni. “Kot themi se honet i kemi poshtë nesh, në të vërtetë ne honet i kemi përmbi” thotë poeti në përgjëratën e dytë e po aty edhe “Unë isha universi, universi ishte unë” apo “unë isha miniatura e universit, universi ishte perspektiva ime”. Kjo plotni nuk është një shqyrtim i panjohur, por është i pafarë në poezinë shqipe të pas’90, ku si në Tpla, si në Tiranë e si në Zvicër, iluzioni është kudo e shërben veç për të mbledhur dëshmitë për plotninë, një univers që u arrit nga Nëna, duke na lënë pas veç Lotin e Vdekjes. Gjithsesi poeti është i sinqertë, kur njeh edhe përvojat e mëhershme të poetëve në shqip lidhur me këtë kërkim. Vaji i Bylbylit i Mjedës është i njëjti këndvështrim panteist dhe “për atë lot e ka fjalën edhe Naimi”.
Buçpapajt, miniaturë e plotnisë
Gjithsesi, kalimi i nënës për në amshim nuk është një kalim i zakonshëm dhe megjithë fatalitetin që përmban enumeracioni “Vjen një kohë…” si stacion i pashmangshëm, poeti tregohet i hollësishëm, teksa na tregon “ceremoninë e kalimit”. Është ashti i ceremonisë prania e degëve të Buçpapajve, ku Buçpapajt e Moknit dhe ata të Dojanit janë thuajse të gjithë të pranishëm, edhe ata të Kapuçprushit e të Bujanit. Poeti sheh tek ky bashkim i farëve një miniaturë të plotnisë, një botë që e ka kalimin e Nënës të shenjtë, si bartëse të jetës, prandaj edhe prania si dëshmitarë në momentin kur “vjen një kohë…”, është një detyrim, një kënaqësi, një plotni e ekzistencës. E kush më mirë se Tejdrinia e jep praninë e jashtëzakonshme në kalimin për në amëshim. Tejdrinia është një kufi natyror, por edhe historik e kulturor. Sado sektare dallimet, Tejdrinia është e pranishme, si dëshmitare e veçantë, si kufizë e plotnisë në përcjelljen e Nënës.
Buçpapajt përcjellin “motrën e Isufit”, një blatim gati pellazgjik për rrënjët, një falënderim për nënën që ekzistoi dhe i dha jetë fisit. Blatimi i rrënjëve ka një historik të vetin në poemë, është historiku i “motrës së Isufit” dhe i “motrës së Isuf Meshit”, është tregimi i dyfishtë i gruas që solli jetë tek Buçpapajt dhe i gruas që shërbeu edhe si dëshmi e qëndresës për të ruajtur rrënjët nga “njeriu i ri” i partisë. Isuf Meshi ishte pas hekurave, nëpër birucat e regjimit dhe njeriu i ri ishte thirrur në detyrë për t’i ra mohit atij njeriu, asaj fare. Por propaganda e “njeriut të ri” has në një pengesë të pakapërcyeshme, has në pengesën e Nënës. Ajo është kudo si “motra e Isufit” dhe “motra e Isuf Meshit”, ajo jetoi si dëshmitare e asaj fare dhe u përcoll prej Buçpapajve si një fituese përballe “njeriut të ri”. Buçpapajt përcollën “motrën e Isufit” dhe ishin aq të shumtë, një botë e tërë, e përcollën pa pezm e me krenari, sepse ata ishin një botë e madhe që ia plaste surratit krijesës hermafrodite të “njeriut të ri”.
Nga personalja tek impersonalja dhe rrëfimi për procesin e krijimit
Rrënjët triumfojnë gjithmonë dhe mutacionet thuajse asnjëherë. Poeti përcjell dëshmitaren, “motrën e Isufit” dhe në përgjëratën e katërt, si për t’i qëndruar besnik bindjes së tij se jeta është iluzioni i së vërtetës, plotnisë, që ekziston këndej e andej ekzistencës tonë – pra, para lindjes dhe pas kalimit – vajton thuajse në mënyrë impersonale. E përmbyll poemën përgjërata “Para jetës është ëndrra”, më impersonalja e të gjitha përgjëratave, aq sa ç’mund të jetë ekuidistant një vaj poetik për largimin e nënës. Besnik i bindjes se udhëtimi tokësor i njeriut është iluzioni i jetës së vërtetë, poeti u thotë lexuesve se jeta është një ëndërr, se vijmë prej saj e shkojmë drejt saj.
Para jetës së autorit ishte ëndrra e nënës, ëndrra e djalit që po vjen, ëndrra e një iluzioni të bukur që do mbushte jetën e saj e do ta bënte të bukur atë iluzion, gati si një ëndërr. Sërish nëna është dëshmitare në vetë të parë e plotnisë si ëndërr dhe ajo s’ka nevojë për prova, teksa e thotë atë, “e di si vetë Zoti” se është ashtu. Është pra fiks një shfaqje e të përjetshmit, një përkthim tokësor i ëndrrës që po na përmbushet, një pjesë e hyjnores që po vjen nga ëndrra drejt iluzionit të jetës. Metafizika e shpirtit të shenjtë shfaqet kudo në përgjëratën e fundit, pa lajle lule e pa stërhollime poetike. Ashtu boll e vështirë është t’u shpjegohet lexuesve se para jetës është ëndrra, sepse nëna “e di si vetë Zoti”, prandaj edhe ushtrimi i lexuesve bëhet edhe më i thjeshtë në përgjëratën e fundit. Ndjekja e pauzave është edhe më e thjeshtë, sepse vargjet e bardha të poemës gati takohen me prozën poetike, në mënyrë që gjithçka të jetë më e kapërdishme dhe skepticizmi i gjithëpranishëm të mos lejojë dyshime se jeta, djali, po vjen në iluzionin tonë, sepse kështu thotë nëna, sepse ajo e di, sepse e di si Zoti. E nëse skepticizmi rrezikon të na mbysë të gjithëve, në përgjëratën e fundit, marrim vesh se ëndrra s’do lodhet duke sjellë djalin ndër ne, në mes iluzionit tonë, do sjellë djalin tek fëmijët tanë, tek fëmijët e fëmijëve tanë, sepse “jeta është thjesht një parantezë…e ëndrrës”.
Në fund të poemës, i ndërgjegjshëm se po i jepte lexuesit një publikim të pafarë edhe në krijimtarinë e mëhershme të tij, Skënder Buçpapaj rrëfen edhe ai vetë sekretin e procesit të krijimit. E rrëfen sa mundet si një tjetër ndihmë për të kuptuar më mirë mesazhet që ndoshta s’janë përthithur si duhet në përgjëratat e tij. Është një xhevahir i fundit në publikimin e “Onufrit”, që e grish lexuesin t’ia rinisë edhe njëherë leximit të poemës. Do të jetë një ushtrim i shkëlqyer për lexuesit dhe një garanci se leximi i dytë i poemës do të jetë një udhëtim magjik nga përgjëratat personale tek vëzhgimet impersonale të secilit.
Komentet