Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, diskutimet u fokusuan tek pajisja ilegale e përgjimit që përdoret nga Policia e Shtetit.
Deputetët kërkuan nga Tahiri të vërtetën për këtë çështje dhe ministri deklaroi në mbledhje ato që ka deklaruar edhe publikisht në media.
Mirëpo, diskutimet vijuan edhe për Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku opozita kërkoi raportimin e ministrit Tahiri, kryepolicit Haki Çako, të kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kreut të SHISH Visho Ajazi.
Debatet
Arben Çuko: Opozita ka kërkuar sot (dje) që ministri i Brendshëm, kreu i SHISH etj..Tani nga ana procedurale ata kanë të drejtë me 1/3 e votave. Unë them se duhet të kemi një strategji në këtë drejtim se si do të komunikojmë.
Gramoz Ruçi: E para, ju nuk duhet të ishit larguar nga ajo mbledhje pa mbaruar, duke dhënë përshtypjen se kishit qëndrim bllokues.
Pjerin Ndreu: Mbledhja mbaroi. Ishte vetëm një pikë e rendit të ditës.
Gramoz Ruçi: Mbledhja nuk mbaron kur na teket ne apo atyre. Por kur kryesuesi i mbledhjes deklaron mbylljen e saj. nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë drejtim. Përderisa ministri thotë që këtu nuk është asgjë e paligjshme, s’ka gjë për t’u fshehur këtu.
Pjerin Ndreu: Duhet parë në këtë drejtim edhe qëndrimi i LSI-së. Kur ne u larguam nga mbledhja, ata qëndruan aty me opozitën, edhe pse mbledhja kishte përfunduar. Çfarë loje po luan në këtë drejtim? Se gjërat duhen sqaruar një çikë. Pse mban qëndrim të diferencuar dhe pranë PD-së?
Erjon Braçe: Në këtë drejtim edhe unë dua të ngre një shqetësim. Prej javësh, ministri i Drejtësisë hedh baltë mbi mazhorancën. Këto qëndrime nuk duhen anashkaluar. Ai duhet të japë shpjegime mbi këto qëndrime që na prekin. Unë nuk besoj se janë rastësore dhe aq sporadike që sa herë del ministri Manjani thumbon në krahun tonë. Në këtë aspekt, duhet të mbahet një raport apo qëdnrim sepse s’mund të durojmë dhe as tolerojmë të tilla qasje. Ai duhet të dalë e të kërkojë ndjesë, se ka cënuar koalicionin.
Komentet