Me një shënim hyrës nga DEMIR GJERGJI
Myshku i moteve
Nga opusi poetik i Bërnsit, është një poezi që e kujtoj më shpesh… Ajo për urithin, të cilin e pret përgjysmë plori, ndërsa poeti po lëron tokën… Sa herë e sjell ndërmend atë poezi, përfytyroj poetin e përlotur, duke mbajtur në dorë trupin e sakatuar, ende të ngrohtë, të kafshëzës së gjorë e të pafajshme. Kjo poezi m’u kujtua edhe tani, duke lexuar krijimin e Bledar Koçit “Luga prej druri”.
Nuk dua trapezë të mbushur shandane
As pjata floriri me lugët argjend
S’ka vlerë shkëlqimi mbi qelqet mondane
…Veç lugës së drunjtë që zemra më dhemb.
Shkruan Bledari pas ka thurur këngë krenarie për vendlindjen e tij, pas ka kënduar me trishtim e lot udhëve të gjata të mërgimit, pasi e ka kthyer në metaforë mbresëlënëse hijen e Tomorit, pasi i ka thurur dashurisë vargje nga fundi i shpirtit dhe brengave e çasteve sublime të saj. Poezia e mësipërme, veç talentit të autorit, dëshmon për ndjenjën e thellë njerëzore të tij, për atë nderim që ka për rrënjët e lisave dhe gurët e themelit, për frymën e të gjyshërve dhe qershizën e sapoçelur, për zërin e nënës dhe hiret e motrës, për vatrën e zjarrit dhe sofrën e bukës, për gjakun e fisit dhe ujin e shkëmbit. Këto motive, në një farë mënyre, ai i bën terminale dhe pista të aeroportit për t’u nisur drejt qiejve të botës. I mbushur me to, ai ndjehet njeri në çdo metropol e përpara çdo gjuhe e tradite tjetër të kombeve dhe shteteve. Më shume se identiteti në pasaportë, janë këto motive që e bëjnë të ndjehet i barabartë në ajrin dhe trafikun e metropoleve të Evropës.
Nuk kam qenë asnjëherë në Prishtën e tij dhe, po të mos ndeshja mes vargjeve plot melodi rimash e muzikalitet metrike myshkun e blertë që mbulon ashpërsinë e shkëmbinjve, do ta mendoja atë vend të ashpër dhe të ftohtë. Por elementet dhe motive poetike të poezisë së Bledit, shto edhe natyrën e tij të butë, të qeshur e fisnike, m’i kanë bërë të dashura këto vende të Skraparit që gjelbërojnë nga pyjet, zbardhin nga borërat, fshihen nga mjegullat apo dremitin netëve nën hijen e Tomorit. Në gjithë këtë klimë vargjesh e eksperimentesh letrare që zotëron sot kudo, një poezi si kjo e Bledit, vjen që të na thotë se poezia e traditës, poezia e shpirtit, poezia e ndjenjës së sinqertë e të thellë, të paklonuar, e gjen shpejt dhe gjithnjë rrugën për te lexuesi. Ky libër, ku ka bërë strehë poezia e këtij autori kthjellon fund e majë. Vargjet e këtyre krijimeve të bëjnë t’i shijosh dhe, duke i shijuar, të emocionohesh deri më tronditje, të bëjnë të përjetosh gjendje, që rrallë i gjen në poezinë e sotme moderne, qofte edhe të elitave. Kjo poezi të mëson se njeriu, qoftë edhe në lartësitë e mëdha mbi oqeane, ndërsa fluturon me avion modern nga një hemisferë në tjetrën, qoftë edhe i pajisur me mjete komunikimi të fjalës më të fundit, ka nevojë të ndjejë si dashurohet duke lexuar poezi të tilla si “ Nagi”, “Flu”, “Sonte”, dëshiron ta verë në provë dashurinë për vendlindjen duke lexuar: “Ike, nanaja ime, ike!”, “Bastuni”, “Gërmadha ime”, apo të përmallohet si te poezia “ Mall”
(“Çapita në shtigje të blerta,
I dehur, i etur, përmallur..
Qershia rrëzë gardhit më shkundi,
Një copëz malli të lagur.”).
Së fundmi mund të them, se kjo poezi është si kënga e zogjve. Të udhëtosh nëpër të, është si të ndjekësh udhën e zogjve hapësirave të qiellit, pa u kujtuar se po kalon mbi kufijtë e tokës të ndarë në shtete, fe, politika, moda e sekte…
Demir GJERGJI
Tiranë, prill, 2016
IKE, NANAJA IME, IKE
Ike nanàja ime, janarit të akullt.
Në sythe të paçelura prej dimrit
të ngriu buzëqeshja,
shkëlqimi i syve,
Që jetën ma mbushën,
Më rritën kaq vite.
Ah, nanája ime!
E ëmbla ime.
Kam ftohtë janarit acar!
Çorapet, trikon e leshtë kam humbur prej kohësh.
Në vlagë fëmijërie.
Përkëdhelje e tëndes dorë, mbi duar më mbeti.
E vetme.
Si çast që s’mbaron.
Në gjurmë përjetësie.
2015
GËRMADHA IME
Dikur gjalloje plot freski
Si një parajsë me vezullime,
Sikur ke qenë, s’je përsëri
I ëmbli prag, gërmadha ime..
U ktheva etur këtij trualli
Rrëmoj në mure, nëpër gurë,
Më nxit një dhembje shtyrë prej malli
Që nga ky shpirt s’më ikën kurrë.
Një lëmsh në grykë ngadalë më mblidhet
E më shtrëngon sikur më mbyt,
Oxhakut, zjarri ku më s’ndizet
Me tym kërcunjsh që digjte sytë
Më tej, e shqyer një kamáre,
Një drapër varur, dhe një shportë,
Sepète e vjetër nën dritare
Dhe gozhdë e ndryshkur më ndjell lot..
Ah.. Mani i lashtë, avllisë së shkretë,
Si një statujë më flet pa fjalë,
Ç’farë qeshëm, qamë, aty u tret
Kjo baltë-mjaltë i ruan të gjallë..
….Dhe dashuritë-ikur, më vijnë
Ashtu si zogj në ëndërrime,
Me krahë shpalosur rrinë një grimë
Me mua bashkë, …Gërmadhës sime.
Prishtë, 2015
MALLI I MOTRËS
Kur vija nga udhët e Botës
I lodhur, munduar, i drobitur
Më priste tek pragu i portës
Motra me mall të zhuritur.
Oh, ç’mall në zemër që mbante!
Tregonin lotët në vaj.
Njëherësh qeshte e qante,
Kur shihte vëllanë e saj.
Më puthte në gush e faqe.
Krahët në qafë shtrëngonte.
Lotët si vesë manushaqe,
Tregonin sa shumë më donte.
Rrinte e gjatë më vështronte,
Fjalët sí dilnin prej goje,
Në supe, mbi bluzë më lëmonte,
Nga djersa e dalë boje.
NËNËS GREKE
Larg kufijsh, një kohe tjetër
Tej, i humbur në mërgatë
Ku s’i çoja dot një letër
Shtëpisë tretur, në merak..
Ku një letër dot s’dërgoja
As i vdekur as i gjallë,
Netësh, yjet i përgjoja
Tek pikonin timin mall.
Një nënë greke zemër-dritë
Rrahur hallesh nga vetë jeta,
Më strehoi të sajit shpirt
Një folezë të bardhë e gjeta
Fliste dhimbjen, trazuar gjakut
Tek më shihte ndrojtur, frikur
-“Dua të çoj tek nënë e barkut
Të shëndoshë, e jo të ligur ”
Nënëz greke, nënëzo
Më je lidhur në kujtime,
Se nuk shlyhesh dot nga to
Mban një copë të jetës sime.
Kurrë s’harrova për shumë vjet
Atë nënë që desha fort,
Më thanë: – “Shtratit, shtrirë, e s’flet
Kur t’kujton e kapin lot”.
…..Do vij varrit, që se di
Si dikur te prag i portës
Një buqetë të sjell tek ti
Shkruar: “Për Ty, O Nënë e Botës…”
TRE CIGANËT
Dielli qerpikët përçiku,
Poshtë kodrës, në fushat matanë,
Shkujdesur në anë një përroi,
Pushonin për qejf tre ciganë.
Njëri, mbështetur pas trungu,
Frynte me buzë melodi,
Lodronte me degët e shelgut,
Nën rrezet e ngrohta flori
I dyti biçakun ndër gishta,
Në dhëmbë skërmiste lastarë,
Si mjeshtër mister i vetvetes,
Gdhendte…pa ditur se ç’farë.
Flinte a s’flinte i treti,
Përhumbur një bote pafund,
Siç duket në djepin e ëndrrës,
Cigankën e ëmbël përkund.
Eh, ç’bukuri të tre ia kalonin,
Herë heshtur, herë shkrirë në gaz,
Në prehër të nënës natyrë,
Mes ngjyrash shijonin parajsë!
Mbi fushë e kodër mbinë yjet,
Përçikën në qiellin pa anë,
Ish ditë që kurrë s’do harroja,
Përroit, kur pashë tre ciganë.
VARRI I POETIT…
Nën ullishtën e vjetër
Asaj mbrëmje,
Vetëm një copëz lëndinë
Vezullonte…
Nga xixëllonja që ndizeshin e fikeshin,
Si yj në miniaturë.
Asaj lëndine,
Univers të pafund gëlonte
Me forcë të padukshme
Një shpirt i çuditshëm.
Ullishtës së lashtë
Ndër fletë e drurë.
– Diku aty, është varr i një poeti, më thanë.-
Pa shenjë
Pa gur.
2015
TELAT E VIOLINËS
Teksa u fsheh dielli
Muzgu ditën theu,
Një tingull violine
Fort më mallëngjeu.
Një djalosh i imët
Ëmbël mbrëmjen nis,
S’ish hajdut, as lypës.
Ishte një artist.
Një violinë të vjetër,
Lodronte si mjeshtër,
Nën tinguj.., buzëqeshje
Dhe s’kish asgjë tjetër.
Porse ca zuzarë
Disa batakçinj
Djalit iu afruan
Inat e përçmim.
Me gojët e liga
E shanë, e përdhosën.
Në ndjenjën e brishtë
Aq shumë e plagosën.
Djaloshi i mjerë,
Me zemër copëtuar,
Në heshtje shtrëngonte
Violinën në duar.
Mbi tel të violinës,
Një ëndërr, një shpresë,
Kjo mbrëmje e trishtuar
Këputi në mes.
BERLIN
Në mëndje më vijnë
Statuja të bronzta,
Të gurta
Të hirta
Marshim,
Në net acari,
Në marshe funebër
Me hap të pandalshëm
Të ftohtit Berlin.
Prej luftërash zgjyrosur,
Mbi supe lavdie
Nga prangat, shprangosur,
Si shpirtra në zgjim,
Zëheshtur më flasin,
Rënkime shtatoresh,
Nga plagë historie
Betejash gjakosur
Të Madhit Berlin.
Niste me radhë më tregonte,
Ngjarjet, të rejat, ndodhitë,
Në shpirt një shteg bleronte,
Ku motra shkëlqente si dritë!
Dhe sot, kur endem pa shpresë,
Jetim në rrugët e botës,
E di, Atje do më presë,
Atdheu me krahët e motrës!
ËNDËRR MËRGIMTARI
…Ecja natës s’di se ku,
Rrugë pa rrugë baltërash ngjyer
Ikja, bija kuturu
Futur palltos zbardhëllyer.
Fytyrëtrishtë e i pa rruar
Çaja shtigje me dëborë,
Këmbë vrarë e lot ndër duar
Shpresë këputur si i gjorë.
Fati shkruar përmbi ballë
Ikja, ikja pa u ndalur
Herë më dukej vetja djalë
Herë i rrudhur e i plakur.
Ashtu ëndrrës përgjëruar
(Lutja ëndërr veç mos jetë)
Endur larg dhe i vetmuar
Vallë jam unë? A jam vërtetë?
Ëndërr dimri qiejsh nxirë,
Mbetur malesh e mërguar
Tek një trup me zemër ngrirë
Përtej botës së harruar.
MALL
U ktheva sërish në vend-lindje,
(Në zemër e mbaja premtim)
Gërmova të ëmblat kujtime,
Në rrugët e shkreta pa frymë.
Çapita në shtigje të blerta,
I dehur, i etur, përmallur..
Qershia rrëzë gardhit më shkundi,
Një copëz malli të lagur.
Mbi strehën e vjetër hardhia,
Zvarriste të vetmin lastar,
Ca zogj kundronin çuditur,
Mbi degët e mollës së tharë.
Dëgjohej veç thirrje e përrenjve,
Në lugjet e shpatit që zbrisnin,
Mbi bregun e heshtur përtej,
Në varre stërgjyshërit dremisnin..
Burimet, zabelit të gjelbër,
Me fllad gurgullimé më pritën,
Dhe hije e lisit zgërbonjë
Ku vitet fëmijërisë më ikën…
…Por prapë do të ik sërish,
Rrokopujës, mes zhurmës.. qytetit..,
Veç zemra me ndjenjën e brishtë,
Vendlindjes së dhembshur më mbeti.
Prishtë, Qershor 2014
Komentet