Pronarëve u bllokohet rruga për të nisur pretendimet në Gjykatën e Strasburgut. Kryeministri Edi Rama flet për procesin, pas bisedimeve në Strasburg dhe përse pronarëve nuk mund t’u jepet kompensimi i plotë
Pronarët, të cilët prej vitesh kanë kthyer sytë nga Strasburgu, për faktin se shteti shqiptar nuk u ka dhënë asnjë shpresë për kthimin a kompensimin e pronave, zgjidhjen do ta marrin me ligjin e ri të qeverisë. Kryeministri Edi Rama është shprehur dje nga foltorja e Kuvendit, se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka adresuar për vite me radhë fatura financiare, që jo vetëm kanë komplikuar zgjidhjen me ligjet e miratuara nga qeveritë shqiptare, por indirekt kanë mbajtur gjallë edhe konfliktet. Sipas tij, Strasburgu tashmë ka ndërprerë vendimet, por që Gjykata Evropiane t’i pezullojë ato përfundimisht, fjalën e fundit duhet ta japë Gjykata Kushtetuese në Tiranë. “Vonesa e shkaktuar në procesin e hyrjes së ligjit në fuqi i dha Shqipërisë edhe një faturë shtesë me gjyqe në Strasburg që vazhduan, pa na e mundësuar pezullimin për të cilin kemi negociuar me Strasburgun dhe i cili hyn në fuqi në momentin e pezullimit nga Gjykata Kushtetuese të ankesës dhe faktikisht sot ligji funksionon. Për shkak se sot ligji funksionon, nuk ka vendime të reja të Gjykatës së Strasburgut”, tha kryeministri.
Zgjidhje e ndërmjetme
Duke iu referuar ligjit, që tashmë është vënë në zbatim, përpos ankesës së Presidentit të Republikës e Shoqatave të Pronarëve, Rama tha se ai përbën të vetmen rrugë për zgjidhjen përfundimtare. “Jemi i vetmi vend në të gjithë vendet e dala nga komunizmi, që jemi vonuar 25 vjet për të bërë gjënë e duhur. Ligji i pronave që kemi votuar ne në Parlament është e vetmja rrugë konkrete praktike për të trajtuar problemin”, tha ai, madje duke u treguar realist edhe për çmimin e kompensimit. Për këtë iu referua edhe modelit që kanë ndjekur vendet lindore, e që e kanë mbyllur procesin në kohë rekord e pa konflikte. “Nuk ekziston, sepse nuk ka ekzistuar në asnjë vend komunist një zgjidhje ideale, përkundrazi të gjitha vendet ish-komuniste e kanë trajtuar problemin e pronës me pragmatizëm dhe i kanë dhënë një zgjidhje të ndërmjetme dhe për këtë arsye as nuk janë futur në rrugën e pafund të konflikteve siç u fut Shqipëria për shkakun tuaj (PD) dhe as nuk kanë nguruar që të gjejnë zgjidhjen e ndërmjetme”, deklaroi Rama, duke shtuar se për hartimin e ligjit janë analizuar të gjitha modelet në të gjitha vendet me histori të ngjashme.
Pretendimet
Kryeministri u shpreh se me kushtet dhe buxhetin që ka Shqipëria, e me sipërfaqen e pretenduar nga pronarët, vendi ynë nuk ka luksin t’u kthejë kërkuesve të gjitha pronat mbrapsht dhe në këtë mënyrë, brenda 10 viteve do të realizohet kompensimi me çmimin në kohën e shpronësimit, si dhe kompensimi fizik. “Sa për dijeni, kemi arritur në pikën ku pronat e pretenduara janë dyfishi i sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka 28 mijë km katrorë, pretendohet 50 e ca mijë kilometra katrorë pronë. Ndërkohë, përditë ndeshemi me mijërat e hektarëve të marra padrejtësisht, të grabitura në emër të kthimit të pronës dhe të kompensimit të pronës”.
Premtimet boshe
Duke iu referuar zërave kundër, e pretendimeve të ngritura për antikushtetueshmëri, ai i konsideroi ato si biseda kafenesh, e pa argumente për zgjidhjen e problemit madhor. “Ju siguroj që çdo kritikë që i bëhet ligjit të pronës nga pozitat e pronarëve, nga pozita ekstreme gjoja në mbrojtje të pronarëve, apo nga pozitat e ekstremit tjetër janë ndoshta interesante për të bërë muhabet në kafenenë e fshatit, por nuk kanë lidhje fare me zgjidhjen praktike të këtij problemi kaq të madh”, tha ai. Në mbyllje të fjalës, kryeministri Rama akuzoi edhe qeveritë paraardhëse për ndryshimin e ligjit të pronave 8 herë, e që vetëm sa kanë kërkuar të fitojnë votëbesimin e pronarëve. “Keni qenë në këtë Parlament 20 e kusur vite dhe me pronën keni bërë vetëm një gjë, “lesh dhe li”. Ky Parlament ka kaluar 8 ligje të ndryshme për pronën dhe ka ngatërruar sa herë ka futur duart, të gjithë fillin e çështjes së pronës për më keq e për më keq. E të gjithë, vetëm me një qëllim, si të mos e presim nyjën gordiane që të mos humbasim vota”, tha ai.
Pakti
Pak ditë më parë, dy ministrat, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani i kanë kërkuar presidentit të Gjykatës Europiane pezullimin e shqyrtimit të dosjeve të pronave që mbajnë logon e shtetit shqiptar, duke i dhënë garancinë, se me ndaljen e tyre, për 10 vitet e aplikimit të Ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë me vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje.
Përvoja e huaj
Vende të ndryshme të rajonit, kanë përdorur formula dhe zgjidhje të ndryshme, por shumë të përafërta me vendin tonë (me ligjin në fuqi). Për shembull, Maqedonia ka një zgjidhje pothuajse identike. Ka pasur shtete të tjera që e kanë zgjidhur me dëmshpërblime të pronarëve.
Rumania ka dhënë një zgjidhje, ku kompensimi për ish-pronarët ishte i kufizuar deri në masën 16 për qind të vlerësimit të plotë. Sipas juristëve, këto nuk janë parime, të cilat shprehin kundërshtimin me normat e vendosura nga Konventa e Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Në çdo rast, Gjykata e Strasburgut thekson për të gjitha shtetet se kërkohet një afat i arsyeshëm dhe një shpërblim i drejtë, që nuk do të thotë se është një shpërblim i plotë, por do të jetë një shpërblim, ku shteti të ketë mundësinë ta realizojë brenda një afati të arsyeshëm dhe të përshtatshëm. Shpërblimi i drejtë sipas praktikës gjyqësore është i tillë, që i korrespondon masës që shteti ka mundësi të likuidojë.
Komentet