Është mbajtur sot në Tiranë konferenca “Lejet online të ndërtimit” për prezantimin e sistemit elektronik të tyre. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se lejet elektronike ose e-Lejet janë një hallkë e rëndësishme e planifikimit të zhvillimit urban.
I pranishëm në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama tha se ky shërbim është një hap përpara, me ndryshimet dramatike që ka pësuar territori.
“Për të ardhur në sebepin e këtij takimi, lejet e ndërtimit është një hap përpara që Shqipëria bën dhe shkon në një drejtim si në vendet e tjera. Shqipëria ka një trashëgimi shumë të rëndë në raport me bazën e të dhënave me pronën dhe territorin. Territori ka pësuar një ndryshim dramatik, me afro 400 mijë ndërtime pa leje.
Që i kanë zhvleftësuar strategjitë dhe planet në letër dhe i kanë hedhur në lumë të gjitha paratë për plane e strategji, pasi zhvillimi në territor ka qenë më i shpejtë sesa aktivizimi i planeve. Nëse do bënim një muze të Shqipërisë së planeve në këto 25 vite, dhe Shqipërisë reale, do shihnim dy botë paralele”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër kreu i Qeverisë pohoi se nuk janë njerëzit ata që korruptojnë sistemin, por ky i fundit që korrupton njerëzit. “Sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që administrata të përgjigjet, apo pse nuk përgjigjet.
Modernizimi lufton korrupsionin. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet, por sistemet që korruptojnë njerëzit. Korrupsioni nuk është një fenomen as shqiptar e as i Ballkanit, dhe është krejtësisht e pavërteta që shqiptarët apo ballkanasit janë më të korruptueshëm.”, tha Rama.
Në këtë linjë, kryeministri tha se “Le ti sjellim 50 gjermanë nga administrata gjermanë dhe ti çojmë në pika të paadministruara, dhe 41 ditë, siç ishte dhe rasti i Krishtit, aq do qëndrojnë pa u korruptuar.
Se ndryshe shqiptarët edhe në Gjermani nuk do vinin rripin e sigurimit, ashtu siç nuk e vë një gjerman këtu rripin. Sot nuk mund të pretendojmë se nuk ka akoma shqiptar që bëjnë llaç për të vënë tulla pa leje. Dua t’ju falendroj të gjithëve për pjesëmarrjen, disa fytyrave të para nga ana armike, disa të tjerë që si kam parë më parë.”.
Kryeministri ka folur edhe për procesin e Berlinit, për të cilin tha se nuk është një garë ku vendet vrapojnë për të marrë sa më shumë para. Rama tha se qeveria shqiptare po ndjek një rrugë dhe se deri tani ka qenë më shpejt se Bashkimi Evropian.
“Ta çmontojmë idenë se procesi i Berlinit është një garë ku vendet vraprojnë kush të marrë më shumë para. Nuk është kështu. Ne kemi vendosur një hartë për rrugën që do të ndjekim dhe deri tani kemi qenë më shpejt se BE. Ne e kemi të nevojshme të vrapojmë, ata jo. Ata janë në një situatë të ndërlikuar dhe mbështetja që i kanë dhënë procesit është i një rëndësie të jashtëzakonshme, por paratë do të vijnë pjesë-pjesë dhe nuk do të jenë kurrë aq sa imagjinon fantazia jonë kolektive. Ka diçka më të rëndësishme, ajo që mund të bëjmë pa para për të prodhuar më shumë para”, tha Rama.
Nga ana tjetër Rama deklaroi se nuk përbën me lajm për mediat nëse ai takohet me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, pasi sipas tij ka ikur koha e fotove historike. “Që ne ta kthejmë vendin tonë në një zonë që funksionon si një vend i BE.
Nuk është BE që na pengon që ne të bëjmë të mundur që prodhuesit, eksportuesit, tregtarët e të gjitha vendeve tona. Njerëzit tanë do të përfitojnë më shumë dhe ekonomia jonë do rritet më shumë. Propozimi i Shqipërisë ky ka qenë për takimin e radhës në Paris, dhe unë i jam mirënjohës BB që të koordinojë këtë përpjeke përmes zyrave në çdo vend.
Nëse ne do ja dalim, besoj e do ja dalim, që të paraqitemi në takimin e Parisit me një dokument të dakordësuar në nivel teknik e më pas në një nivel më të lartë, do kemi efektivitet. Nëse unë takohem me kryeministrin Serb, nuk është më lajm. Duhet ti thërrasim dhe ti presim gazetarët, jo si dy vite me parë. Kjo është e kaluar. Koha e fotove historike iku, tani është koha e ndërtimit të marrëdhënieve të tjera. Mund të dakordësojmë në nivel politik,por mund të mbetemi në të njëjtën situatë të pandryshuar nëse nuk kryejmë kushte për nivele të tjera.”, pohoi Rama.
Komentet