Ëndërrojnë ato jetët e shkuara dhe ëndërrat
njerëzisht të pashpjegueshme dhe kafshërisht të papërfytyrueshme?
Luftojnë ato për të kapur në gjumin e tyre
çfarë ishte tepër e rrëshqitëshme për gishtat e ditës?
Janë ëndërrat shenja të brishta natore
për t’i ndriçuar orët e tyre të paëndërra?
A rivizitohen ato nga krimet e tyre
të dëshifruara në hieroglife torturuese?
A i ripërjetojnë ato pasojat e plagëve të tyre
apo, në vend të tyre, ëndërrojnë transformimin?
Janë ato të mbërthyer nga fantazmat e pikëllimit
i vizitojnë ato të vdekurit e tyre në mirënjohjen e përgjumjes?
I ndukin ato në nyjet kokëforta
epshet e papranueshme dhe mundimet e çuara dëm?
Janë ato drithërime, turbullime apo rebelime
kundër ndijave të vetjeve të tyre apo të fatit?
Janë ato të çliruara nga fortësitë dhe dobësitë e veçanta
të kalit, drerit, cjapit, gjarpërit, qengjit apo luanit?
Janë ato as kafshërore as njerëzore,
por vetëm krijesa dhe Qenie?
Kanë ato momente të shenjtë dhe mirëkuptime
thellë në thelbin e entitetit të tyre?
E përjetojnë ekzistencën e tyre më plotësisht
të çliruar prej barrës dhe gjithëdobësisë?
A dyshojnë ato, me poetët, se gjithçka ne shohim a kemi parë
nuk është tjetër veçse një ëndër brenda një ëndërre?
Apo është ëndërra më tepër një vdekje e vogël
njëfarë shijimi i asgjësë që mblidhet në gojët e tyre?
Komentet